CIA ka kryer shpeshherë eksperimente apo projekte, të cilat më pas janë hapur për publikun. Disa janë projekte që kanë dalë në shtyp në kohën kur kanë ndodhur, të tjera janë dosje të hapura pasi ka kaluar numri i caktuar i viteve për deklasifikim. Një prej tyre është eksperimenti “MKULTRA”. Projekti “MKULTRA” ishte emri i koduar i një programi kërkimor të CIA-s për kontrollin e mendjes, i zhvilluar nga Zyra e Inteligjencës Shkencore. Programi nisi në fillim të viteve ’50 dhe përdori qytetarët amerikanë si subjekte testimi.
Të dhënat e publikuara dëshmojnë se ky projekt përfshinte përdorimin e shumë drograve, si dhe metodologji tjetër për të manipuluar gjendjet mendore të individëve apo për të ndryshuar funksionin e trurit. Por nuk janë vetëm operacionet e CIA-s ato që janë bërë publike.
Shumë sekrete janë hapur për publikun pas një numri të caktuar vitesh. Një prej sekreteve të hapur, mjaft interesant, nuk vjen nga SHBA, por nga Britania e Madhe. Shënimet e sekretarit të kabinetit dëshmojnë se Churchill kishte në plan ta ekzekutonte Hitlerin, nëse ky i fundit binte ndonjëherë në duart e forcave aleate.
Është ky një prej sekreteve të zbuluara shumë vite më vonë. Dokumente të zbardhura zbulojnë se Churchill ishte kundër planeve të aleatëve për gjyqet e luftës. Sipas dokumenteve, ai donte të ekzekutonte të gjitha figurat udhëheqëse naziste, duke përfshirë këtu dhe Hitlerin, të cilin e konsideronte si “zembereku i së keqes” dhe një “gangster”.
Faktet për urrejtjen e thellë të Churchill ndaj Fyhrerit janë shfaqur nga disa dokumente që janë bërë publike nga Arkivat Kombëtare në Britani. Në shënimet e sekretarit të kabinetit, Norman Book, shfaqen mendimet dhe diskutimet gjatë takimeve më të rëndësishme në kohën e luftës. Kryeministri më pas thekson metodën e tij të preferuar për ekzekutimin e Hitlerit: karrigen elektrike. Ai madje dhe bën shaka me kolegët e kabinetit, duke u shprehur se një të tillë mund ta merrnin hua nga SHBA.
Një brez i ri analistësh, i vendosur për t’i tërhequr kolegët e tyre të kohës së Luftës së Ftohtë në botën e shkëmbimit të informacionit me anë internetit, ka krijuar “Intellipedia”, një version i klasifikuar i “Wikipedia”. Sipas këtyre analistëve, Intellipedia po transformon mënyrën se si agjencitë sekrete amerikane trajtojnë informacionet sekrete duke nxitur kështu bashkëpunimin nga Uashingtoni në gjithë botën. Intellipedia u krijua fillimisht në vitin 2006 para syve skeptikë të veteranëve në ndërtesën e CIA-s në Lenglei. Sot Intellipedia ka arritur 900 mijë vepra spiunazhi, rreth 100 mijë përdorues dhe deri në 5 mijë redaktime faqesh në ditë, sipas CIA-s dhe Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Përkrahësit e kësaj nisme pretendojnë se Intellipedia nuk është vetëm shenjë e ndryshimit në agjenci, por gjithashtu po jep rezultate. Për herë të parë kur u përdor klor në një eksploziv të improvizuar në Irak, dikush krijoi një faqe duke pyetur se çfarë duhet të bëjnë oficerët e inteligjencës për të mbledhur të dhëna nga përdorimi. “23 vetë nga 18 apo 19 lokalitete të botës dhanë përgjigje dhe ne morëm një sërë instruksionesh të përdorueshme brenda dy ditësh”, thotë Tom Fingar, i cili drejtoi Këshillin e Inteligjencës Kombëtare nga viti 2005-2008.