Prof. Dr. Ylli Pango
Paragjykimet klasore bazohen në qëndrimet diskriminuese e të njëanshme në raport me dallimet e bëra ndërmjet klasave ekonomike e sociale. Tek ne, borgjezia a pseudoborgjezia e re ende nuk i shfaq dot këto paragjykime, paraqitet e rezervuar sepse është ende në formim dhe fare pranë në kohë të skamjes së të kaluarës. Parada qesharake mode, imitime mjerane të Perëndimit, të grave të disa të pasuruarve rishtazi a ekspozime të këtij lloji, bëjnë më tepër efektin e kundërt që akoma më shumë vë në pah dobësinë a mosekzistencën e kësaj ende jo-klase. Këtu do të kishte vend për të analizuar edhe si vlerë historike, një paragjykim klasor të së shkuarës, së fundmi të zhdukur me demokracinë dhe krejt pothuaj të panjohur për brezin e ri. Është fjala për: Paragjykimet klasore komuniste. Ato u shfaqën pasi filloi të mbillej në Shqipëri ideologjia komuniste. Kjo u bë pothuaj në një terren djerrë. Nga specifika e mentalitetit, por edhe nga mënyra se si u mboll gjithçka, ishte e shëmtuara origjinale. Kështu, i ashtuquajturi komunizmi shkencor, ekonomia politike etj, si të pakapshme për nivelin kulturor të masave, madje dhe të liderëve komunistë shqiptarë, u reduktuan në teorinë e së ardhmes së lugës së florinjtë, në zhdukjen e shfrytëzimit, në barazitë absolute etj. Këto u shkrinë me idealin e çlirimit të vendit që për momentin ishte më i rëndësishmi. Pas luftës, ideologjia komuniste, natyrisht tejet e vulgarizuar, si ideologji e partisë së vetme në pushtet mbeti e vetmja. Kultivimi i saj mori formë më të organizuar nëpërmjet kursesh partie, formash edukimi etj, por duke mbetur përsëri në pjesën më të madhe formale dhe e cekët, më shumë se ideologji, mësime apo më saktë udhëzime e urdhëresa partie. Më vonë për kuadrot më besnike të partisë komuniste u ngrit dhe një shkolle partie, ku më tepër jepej politikë sesa ideologji, qoftë edhe marksiste, sepse për vetë nivelin e studentëve të tipit të shkollës së natës, nga teoria e ideologjia e etërve të komunizmit teorik, pak u përvetësua e ca më pak u kuptua. Një anëtar i vjetër i Byrosë Politike të partisë pranonte “me modesti” në bisedat me masat se “ai me shokët e tij nuk e njihnin ‘shkencën’ e komunizmit, por mjaftonte që ua thoshte Enver Hoxha dhe ata brohorisnin. Niveli i ulët kulturor dhe barriera ideologjike e izolimi i kampit socialist përjashtonin çdo mundësi kontakti me kultura apo ideologji të tjera. Lindi kështu një lloj fanatizmi komunist i nivelit më të ulët që mund të njihej në gjithë vendet e ish-kampit socialist. Më pas, u çuan studentë jashtë shtetit, në vendet e tjera të kampit socialist, dhe disa u arsimuan. Ata syresh që studiuan ideologjinë e komunizmit u bënë kuadro të partisë e të diktaturës që e mbajtën atë më tej për 45 vjet. Të tjerë, inxhinierë, mjekë, pedagogë, ndonëse të paktë, krijuan një shtresë të vogël inteligjencie teknike. Së bashku me të diplomuar të tjerë më vonë nga shkolla e lartë e porsakrijuar shqiptare, këta ndonëse të pakët në numër, herë-herë, e nën frikën e ndëshkimit u përpoqën të identifikohen me grupe apo sisteme të tjera reference, lexuan edhe vjedhurazi kur mundën se ç’bëhej në botë, vunë në provë brenda vetes edhe ide, qëndrime apo bindje të tjera, por mjaft zbehtë. Ndërkohë ata jetonin nën ankthin e pushimit nga puna, të qarkullimit e të transferimit dhe, në mjaft raste edhe të ndëshkimit. Përsa i takon nivelit të mënyrës së jetesës erdhi një kohë që të gjitha shtresat, të quajturat klasat punëtore, fshatare, intelektuale shqiptare jetonin e ishin më proletarë se proletarët e të gjitha vendeve. Megjithatë, përsa kohë që mund të jetonte disi, edhe shtresa intelektuale në shumicën e saj, së bashku me të dyja ¨klasat mike¨ duartrokiste, parakalonte, entuziazmohej nga fitoret e arritura, falenderonte partinë, ngrinte në qiell ideologjinë, dënonte me djegie në turrën e artikujve të shtypit e më tej me syrgjynim çdo intelektual devijues apo deviacion nga ideologjia apo idealet, të servirura nga lart si të tilla. Komunizmi ruhej kësisoj i shenjte e tabu në teori e praktikë. Kur në 1991 ndodhi kolapsi i komunizmit edhe në Shqipëri u vu re veç të tjerash se të ashtuquajturat bindje komuniste te disa nuk kishin ekzistuar kurrë, te disa të tjerë kishin jetuar përkohësisht e më vonë ishin çrrënjosur prej kohësh, e disa bënin sikur i besonin për të ruajtur privilegjet. Kurse te disa të tjerë vazhdonin të mbijetonin në formën e paragjykimeve sociale. Përse ndodhi kjo? Në Shqipëri për rreth gjysmë shekulli u tentua të krijohej një mentalitet komunist. Të gjitha gjykimet, opinionet, mentaliteti u vunë në rresht nën komandën “majtas ndero”. Ideologjia dhe idealet komuniste natyrisht të vulgarizuara, dogmat dhe sloganet, u futën në ndërgjegjen e njerëzve diku forcërisht e diku zunë rrënjë për vetë nivelin e ulët e injorancën e njerëzve. Megjithatë, duke qenë të cekëta ato dhe mbartësit e tyre, ato nuk mund të ekzistonin si bindje, por vetëm si paragjykime sociale, pra gjykime të cekëta, të pafavorshme, përgjithësisht negative karshi njerëzve të tjerë. Kështu njerëzit paragjykoheshin mbi bazën e origjinës e përkatësisë së tyre klasore, grupore. Ata që ishin të partisë, të luftës, ishin shumica, ishin të mirët, tanët. Pakica e ashtuquajtur armiqësore, vinin nga ish-klasat e ashtuquajtura shtypëse, tregtarët, borgjezët, klerikët, apo ata që kishin rënë ndesh (ata ose etërit e tyre) me partinë komuniste në pushtet e ideologjinë e saj. Këta dënoheshin, internoheshin, në rastin më të mirë jetonin të strukur në qytete e fshatra të vogla pa asnjë të drejtë shkollimi e të paragjykuar si të deklasuar, armiq, biografi të këqija etj. Kjo ka qenë ndër format më të shëmtuara, më absurde e më të turpshme të paragjykimit e diskriminimit klasor njerëzor që ka njohur historia e njerëzimit. Këto paragjykime duke qenë dogma e slogane, ideologji e ide të panjohura në thellësi e teorikisht dhe të paargumentuara apo të paprovuara praktikisht, por veç të injektuara me forcë a me mashtrim, nuk mund të merrnin veçse këtë formë: paragjykime klasore komuniste. Ky lloj kaq i përhapur e i shëmtuar i paragjykimeve sociale jetoi në vendin tonë gjatë, gati gjysmë shekulli. Si lloj i veçantë e specifik i paragjykimeve sociale, ato kanë patur e kanë pasojë të përbashkët vepruese, trajtimin dhe dënimin si armik të çdo njeriu që nuk vepronte e mendonte sipas ideologjisë komuniste, apo direktivave të partisë në pushtet. Si bazë teorike shërbente paprekshmëria e marksizëm-leninizmit, e ideologjisë dhe e idealeve komuniste, tabuja e tyre dhe e vijës së partisë. Çdo devijim, cenim, mohim, reagim sado i vogël ndaj tyre, mjaftonte për ta futur njeriun në kallëpin e parapërgatitur të armikut, deviatorit, agjentit, elementit antiparti. Cilësimet “me biografi të keqe”, “armik i popullit e i partisë”, “element antiparti”, “agjent i imperializmit dhe i revizionizmit” kanë qenë etiketimet standarde që shoqëronin paragjykimet sociale klasore komuniste. Këto paragjykime përbënin padyshim derivatet më të shëmtuara të paragjykimeve komuniste me bazë teorike shkeljen e vijës së partisë dhe cenimin e ideologjisë marksiste dhe me pasoja përçarjen dhe urrejtjen kombëtare e deri atë brenda familjes.
Siç dihet paragjykimet sociale jetojnë gjatë e janë mjaft rezistente. Në rastin tonë, veç formës së organizuar, ato injektoheshin te njerëz të thjeshtë edhe nga njerëz të tjerë me paragjykime që ishin më të pushtetshëm e me influencë (shefa, kuadro të punës e nganjëherë luftëtarë a prijës popullore të luftës që kishin adaptuar ideologjinë komuniste). Pasi zinin vend, ato mbaheshin në këmbë me përforcime të vazhdueshme që kishin sidomos ndikim në psikologjinë e njerëzve të thjeshtë me nivel të ulët kulturor e shpirtëror. Siç dihet, më vonë, pas një periudhe të parë naiviteti ideologjik, te një pjesë e njerëzve, me zgjimin e tyre, ato u ushqyen me qëllime të caktuara. Ato i shërbenin arritjes së qëllimeve të një kaste të caktuar; mbajtjes në fuqi të saj, kënaqjes së nevojave e kërkesave të tyre për një jetë në pushtet e më të privilegjuar se të tjerët. E mbrojtur nga një perde e tillë paragjykimesh, kjo kastë mbetej e paprekshme. Aty ku për njerëz të veçantë në udhëheqje, në shtresa të mesme të piramidës apo për anëtarë të veçantë të familjes së tyre, këto paragjykime thyheshin, ata korruptoheshin apo mashtrimi dilte sheshit, atëherë vepronte ligji dhe njëri nga nenet më të preferuar të tij, neni sfinks i agjitacionit e propagandës.
Paragjykimet komuniste shërbenin gjithashtu në mjaft raste me sukses, për mbulimin e shkaqeve të humbjeve e dështimeve në ekonomi, politike e kudo. Kështu dështimet në sektorin e naftës iu atribuoheshin sabotatorëve, armiqve të klasës, agjentëve etj, ndonëse edhe pas burgimit të tyre nuk u gjet naftë. Kështu edhe në çdo fushë tjetër, sidomos nga vitet `70 e tehu, gjendeshin gjithnjë “koka turku”për t’u prerë dhe grupazhet ndiqnin njëri-tjetrin. Ndofta Shqipëria e kësaj periudhe mbetet një nga shembujt më klasikë të atribuimeve të këtij tipi madje të bëra në formë tepër trashanike e gati të hapur.
Një rol të jashtëzakonshëm për mbajtjen dhe kultivimin e paragjykimeve sociale komuniste ka luajtur shtypi, propaganda zyrtare e media, të cilat duke qenë unike, ushqenin vazhdimisht e çdo orë lexuesit e shikuesit me idetë e gjeneruara nga aparatet propagandiste partiake. Duke qenë pa konkurrentë e tepër intensivë, ndikimi i tyre ka qenë i konsiderueshëm madje edhe në formën e deformimeve mbetës, sidomos te njerëz me nivel të ulët, pa asnjë kontakt me kulturën botërore e ideologjitë e tjera. Rrënimi i ekonomisë socialiste, dështimi i politikës së shtetit komunist, dhe së fundi kolapsi total i komunizmit, çrrënjosi me shpejtësi madje edhe te fanatikët, paragjykimet komuniste. Te një pjesë e këtyre të fundit, apo dhe tek ata ku komunizmi zinte vend si bindje, këto u kthyen në paragjykime që gjithashtu u prirën drejt zvogëlimit e çrrënjosjes, zhdukjes së tyre. Madje edhe te veteranët, pensionistët, komunistët e vjetër, falangat e fundit ndofta të paragjykimeve komuniste, edhe në qoftë se ekzistonte bindja te komunizmi, ajo u lëkund apo humbi fare. Humbi, së paku dhe besimi tek ata (liderët) që e mishëronin atë e që i tradhtuan idealet naive të masave të komunistëve të thjeshtë injorantë. Përsa i përket rinisë së dikurshme komuniste, e sidomos krerëve të saj, as që mund të flitet për bindje apo paragjykime të këtij lloji. Ekziston një shtresë mes tyre, trashëgimtare postesh a bij prindërish të privilegjuar nga sistemi diktatorial apo të indoktrinuar nga familje fanatike komuniste, që ruan gjurmë apo lloje të moderuara paragjykimesh sociale, por më shumë në formë, për sistemin e kaluar si më i mirë se i sotmi, dhe më pak ose aspak për sovranët e së kaluarës e për klasat sociale të ndara sipas kriterit biografik. Vetë sistemi i ri, konkurrenca, lufta për mirëqenie personale i zhduku këto rudimente edhe nga ata. Kemi kësisoj mes tyre mjaft të pasuruar rishtazi, që ia dinë kimetin sistemit të ri, që shfrytëzuan lidhjet e shkuara a pasuritë e vjedhura dhe kaluan në pragmatizëm kapitalist Megastereotipet: Tek ne shpesh njerëzit gjykojnë edhe mbi bazën e roleve a stereotipeve më të mëdha. Këto janë sete (tërësi) të forta besimesh të quajtura ndryshe si megastereotipe si: “Ajo që është e bukur është e mirë”; “Ç’është e mirë është e bukur” etj.. Ose doktorët janë në përgjithësi ryshfetçinj, gratë janë përgjithësisht budallaqe, profesorët na bëjnë shumë teori, …futbollistët janë pa tru, serbët janë të gjithë të ligj. Në të shkuarën: klerikët, njerëzit me biografi të keqe, apo të burgosurit ishin të gjithë kriminelë e armiq etj., etj… Është e vështirë t’i ndryshosh këto. Mjaft nga shqiptarët komunistë të dënuar nga Enveri ndër vite, si anëtarë gjoja grupesh armiqësore, u habitën kur hynë në burgje pas viteve ‘70… Ata kuptuan ndryshe nga paragjykimet e tyre, se të burgosurit e hershëm të pasluftës, klerikët në burgje, armiqtë ideologjikë etj., ishin njerëz, shpesh me vlera të jashtëzakonshme morale, kulturore, etj. Të tjerë që dolën jashtë shtetit pas viteve ‘90 panë se ndër serbët e grekët, kishte mjaft njerëz të thjeshtë të mrekullueshëm, e intelektualë të klasit të lartë, njerëz objektivë në gjykimin e politikës e raporteve mes qeverive tona etj, etj. Por edhe sot flitet jo pak tek ne me antipati mbi bazë paragjykimesh nacionaliste për ta.
Te ne jo rrallë media, gjykatat, ligjet, shkolla, janë vetë burim paragjykimesh e megastereotipesh, madje i ushqejnë ato. Po kështu institucionet sociale e shoqëria. Kështu jo rrallë në media hasen paragjykime karshi individëve, grupeve, madje edhe karshi shqiptarëve e Shqipërisë që reflektohem më tej edhe tek të huajt e amplifikojnë paragjykimet e tyre tashmë të formësuara për ne. Prindër, mësues, media, luajnë rol në formimin e paragjykimeve, për mënyrën si portretizohen syresh minoritete, individë, grupe. Tek ne paragjykimi ushqehet edhe sepse njerëzit e sidomos ata që ndjekin mediat e që janë shumicë, fokusohen te negativja. Lajmi i mirë është bërë zakon të mos quhet lajm dhe çdo lajm negativ është i tillë. Kështu edhe kur ka paragjykime pozitive ato rrallë shfaqen. Ato negative fitojnë më shumë peshë sepse paragjykimi ka komponent konjitiv (stereotipi) e afektiv (ndjenja karshi të paragjykuarit) që e përforcojnë atë.
Teknikat e reduktimit të paragjykimeve sociale do të ishin kontaktet direkte me të paragjykuarit, njohja e shkencave sociale, rikategorizimi social, ndërhyrjet njohëse (dobësim i stereotipeve). Integrimi dhe stimulimi i empathisë karshi të tjerëve, njohja në detaje e kulturës a karakterit, tipareve të të paragjykuarve, bashkëpunimi real në praktikë. Këto janë disa nga mënyrat që në mos i zhdukin, së paku i minimizojnë paragjykimet. Te ne këto metoda as njihen e as zbatohen dhe paragjykimet nuk konsiderohen aspak. Të rinjtë janë më të ndriçuar e refraktarë karshi paragjykimeve edhe tek ne. Kështu janë të rrallë sot të rinj me qëndrime paragjykuese raciale. Ata admirojnë politikanë, këngëtarë, sportistë të racave të tjera madje i ndjekin ata si modele. Të rinjtë nuk shohin më dallime fizike por ekonomike e sociale si shkak të diferencave thelbësore mes njerëzve. Ata janë optimistë edhe në atë që ndryshimet mund të eliminohen. Ndofta për këtë arsye duhet gjykuar e shpresuar pozitivisht për bindjet e paragjykimet e së ardhmes tek shqiptarët. Sipas mendimit të disa studiuesve, bindjet, idealet, paragjykimet, besimet formohen në mosha midis 12 e 30 vjeç. Paragjykimet sociale, siç e kemi thënë edhe më lart, formohen edhe më herët, në fëmijërinë e hershme, nëpërmjet ndikimit të prindërve, mjedisit e mikromjedisit ku rritet fëmija, shkollës, krahinës a ideologjisë sunduese. Këto janë periudha vendimtare të jetës pas së cilës ato kristalizohen e është vështirë të çrrënjosen. Pastaj pas kësaj një nga mjetet më të mira të verifikimit të asimilimit të një ideologjie, krijimit të një bindjeje a besimi a i mungesës së paragjykimeve negative si pjesë e vlerave të njeriut modern, është testi i kohëzgjatjes se tyre, përpunimi i brendshëm dhe ballafaqimi me të vërtetën. Komunizmi përgjithësisht, te një pjesë e mirë e njerëzve në Shqipëri, nuk depërtoi si bindje por si paragjykim. Kjo dhe dështimi i tij si teori e praktikë ekonomike e politike, nga njëra anë e bëri relativisht më të lehtë çrrënjosjen e tij, në krahasim me bindjet e vërteta. Por nga ana tjetër kjo kërkoi që në fillim të viteve ‘90, pa lënë vend për paragjykime të reja, mbushjen me bindje të reja të boshllëkut të krijuar edhe nga mungesa e moralit të vërtetë dhe e fesë. Si do të formohen ato? A do të shoqërohen me paragjykime të ndonjë tipi të ri social klasor apo do të ringjallen të modifikuara paragjykime të njohura apo të vjetra? (Sot për një pjesë të psikologëve perëndimorë paragjykimet sociale klasore apo shtresore, natyrisht sipas specifikave të këtyre shtresave apo klasave në vendet e tyre, janë një objekt interesant studimi). Si do të krijohet besimi, bindjet e reja te njerëzit, qoftë tek ata që kanë ende paragjykime, qoftë te të tjerët që kanë qenë indiferentë karshi tyre? Sidoqoftë e ardhmja e kësaj paraqitet shumë më interesante, sidomos për të rinjtë, por edhe për njerëzit jodogmatikë, që nuk priren ndaj formimit të paragjykimeve të çfarëdo lloji, por që mbeten të hapur ndaj përvojave, ideve, ideologjive te reja, e priren drejt formimit të bindjeve të bazuara që përforcohen e pasurohen më shumë gjatë jetës. Kjo është me mjaft rëndësi sidomos për nxënësit dhe studentët, intelektualët e së ardhmes. Përpara se të adaptojnë një ansambël bindjesh të qëndrueshme, ata shkojnë drejt zgjerimit të tyre gradual dhe jo në mënyrë radikale e deterministe, por duke u njohur me shumë teori, filozofi, ideologji e jo me një të vetme, si gjatë viteve të sistemit socialist. Kështu formohet një identitet ideologjik i vërtetë, gradualisht duke u nisur nga bindje e besime të vëna në provë, të verifikuara e jo të imponuara nën kërcënimin e etiketimit armik apo të injektuara nëpërmjet një edukate njëkahëshe. Ky identitet formohet duke u nisur nga besime e bindje të formuara nga përzgjedhje midis shumë besimeve e bindjeve të tjera. Një numër i madh të rinjsh kanë studiuar në universitetet më të mira të botës këto 20 vjet. Këta janë kontingjenti që do tërheqë e madje ka filluar të tërheqë përpara historinë e vendit. Tek këta paragjykimet për të cilat folëm, sidomos ato tradicionale shqiptare do të jenë nën një fokus të ri të ndryshëm për studiuesit në vitet që vine. Krijimi i besimit, i bindjeve, zhdukja e paragjykimeve dhe frenimi i lindjes së paragjykimeve të tjera sociale, do të varen nga burimi e përmbajtja e mesazheve të reja, nga fakti se sa të besueshëm do të jenë moralisht dhe intelektualisht përçuesit e tyre, politikanët, studiuesit, i gjithë realiteti i ri. Ajo që thuhet e do të thuhet duhet të jetë jo vetëm tërheqëse por edhe bindëse e prestigjioze, realiste e jo e dyshimtë. Ata që e thonë e do ta thonë duhet të kenë autoritet të vërtetë social. Por edhe marrësit e mesazheve të reja duhet të jenë më të përgatitur për krijimin e bindjeve e shmangien e paragjykimeve e jo të prirur ndaj mesazheve të njëanshme. Është i nevojshëm pra edhe një aftësim për të besuar më ndryshe, për të krijuar bindje të vërteta, jo paragjykime sociale.