Prof.Dr. Ylli Pango
Rritja e angazhimit politik e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë.
Kjo është mjaft e rëndësishme. Pjesëmarrja e rinisë në politikë përfaqëson treguesin më sinjifikativ të edukimit qytetar, të demokracisë pjesëmarrëse, përgjegjësisë qytetare, të së ardhmes së demokracisë. 3-4 vitet e fundit në fushatat politike shfaqet një tendencë për angazhim më të madh të rinisë, qoftë nëpërmjet niveleve të larta të pjesëmarrjes në zgjedhje si votues por edhe si aktivistë, apo dhe të zgjedhur. Veç të tjerash edhe interneti, si metodë e re sensibilizimi, pjesëmarrjeje, komunikimi, ndikimi politik, ka ndikuar mjaft në këtë rritje. Kjo teknologji e re ka reduktuar koston e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike dhe ka rritur shpejtësinë e organizimit e komunikimit të tyre duke krijuar kontakte imediate e zgjidhje eficiente problemesh pavarësisht nga distancat e mëdha. Kjo ka lehtësuar gjithashtu rrugët e shpërndarjes së informacionit të gjithëve njëherazi. Mjete të tilla si rrjetet sociale, blogjet, Youtube, mesazhet, kanë qenë të suksesshme për të mobilizuar të rinjtë për votime por edhe më tej në angazhimin e tyre politik e qytetar. Jo më kot Berisha kërkoi pjesëmarrjen e adoleshentëve 16 vjeç në votime. Interesi i tij për internetin dhe përhapja e tij falas, u ka dhënë atyre jo vetëm akses në zbavitje, komunikim mes tyre etj., por disi në formë naive edhe në politikë, ku po të votonin, natyrisht do preferonin politikanët që ua krijuan këtë mundësi.
Një formë tjetër e sensibilizimit të rinisë për politikën është përfshirja e çështjeve të rinisë në programet politike të partive, dhe përcaktimi e realizimi i objektivave që zgjidhin probleme rinore. Këtu duhet të përfshihen edhe zbatimi i programeve të posaçme për rininë, sepse të rinjtë kuptojnë e angazhohen më mirë në çështjet që i shqetësojnë ata e që vënë në lëvizje qëllimet e tyre perspektive. Studimet tregojnë se në mjaft raste është më efektive të sigurosh pjesëmarrjen politike të rinisë në çështje për të cilat ata kanë interes direkt, të tilla si punësimi, arsimimi, kostoja e studimeve, sesa ta angazhosh atë në çështje puro politike e ideologjike.
Përfshirja e rinisë në vendimmarrje, pa dyshim mbetet më e rëndësishmja për një demokraci reale e funksionale. Kjo realizohet nëpërmjet përfshirjes së të rinjve në këshilla, institucione, organe të zgjedhura, apo duke mbështetur financiarisht problemet e grupeve të interesit të të rinjve. Deri në emërimin e më të aftëve syresh në pozicione të larta të administratës publike.
Të rinj që sjellin të renë, apo të rinj që imitojnë të vjetrit. Kur i riu nuk sjell gjë të re në politikë, nuk ka kreativitet a potencial kulturor a intelektual, ai priret të imitojë politikanët e vjetër, e sidomos, liderin e gjithëpushtetshëm. Sidomos kur e ka frikë atë, kur frustrohet prej tij, ai e ndjek atë hap pas hapi, e imiton, kopjon shtampat e tij, deri në gjestet e frazat parazitare. Kësisoj tek ai mbetet vetëm një synim: të ecë në karrierë e të përfitojë më vonë nga zemërgjerësia e kryetarit. Ndryshe ky shfaqet edhe si Fenomeni i të rinjve agresivë, por njëherazi servilë e të frymës së vjetër në politikë. Kjo tendencë e cila po ndiqet nga mjaft të rinj të angazhuar në politikë kohët e fundit sfumon kreativitetin e të renë në politikën shqiptare, aq të nevojshme për ndryshim. Këta janë të rinjtë që e lënë shoqërinë e politikën shqiptare në stadin rudimentar të centralizimit të pushtetit me reminishenca të forta të modelit të vjetër totalitar, pra në demokraci formale. Të rinjtë duhet të futen në politikë për të qeverisur ndryshe në të ardhmen, për të zgjidhur problemet e vendit, pasi i kanë kuptuar thellë ato, për të punuar për të ardhmen e tyre e të të tjerëve dhe për të vendosur si qytetarë të lirë. Këta do të krijonin një bazë shoqërore të re, të predispozuar të kërkojë ndryshimin brenda vetes dhe jo vetëm duke pritur nga liderët. Ndërkohë te ne spikasin prej kohe në politikë, një grup të rinjsh, oratorë të komanduar, që stisin e rrjedhin mjaltë fjalësh e fjalish të pastra e të qëruara gramatikisht, por që në një vështrim të kujdesshëm, nuk kanë as thellësi mendimi e as shprehin aspirata të thella politike a humane. Këta në pamje të parë, në formë i krijojnë një ide të cekët, sidomos njeriut të thjeshtë naiv, për një ndryshim a risi të pastër në atë krah të opozitës ku janë pozicionuar. Në të vërtetë, jo. Ata syresh, që kanë arritur deri aty, e kanë synim pushtetin, por si pushtet i të mirave në vetvete a për vetveten. Mjetet e format për arritjen e tij i shohin shpesh në formë agresiviteti, ashpërsie, polemike të papajtueshme a sherri banal me kundërshtarin në media, ku jo rrallë thelbi i goditjes është shpifja, biografia e tjetrit a cenimi i personalitetit. Këtu nuk ka risi, por vetëm përsëritje të politikës së vjetër. Por sidomos problemi është tek pjesa e dytë e problemit: a janë ata vërtet bazë shoqërore? A kërkojnë ndryshim brenda vetes e në shoqëri apo ia kërkojnë këtë liderit? Këtu “ngec se ç’ëndrra shohin ata të rinj” do të perifrazoja Shekspirin. Se këtu pastaj ka aq gracka të joshjes së pushtetit, ku mjaft syresh ngecin që në krye, madje pa e kuptuar as vetë dhe rezultojnë a shfaqin padashur të vërtetën e vetes, me një mentalitet tejet të vjetër e klasor antagonist ndoshta të trashëguar nga baballarët a indoktrinuar nga liderët aktualë. Mentalitet madje të frikshëm kur e sheh nën kostum të ri. Ndër më tipikët e këtij mentaliteti, është djaloshi i ri i politikës së vjetër E. Velia.
Case study. Kur E. Veliaj erdhi rishtazi nga përtej oqeanit, disa njerëz patën naivitetin, sadopak kohë, të besojnë se ky njeri vinte nga larg me një mentalitet të ri e aspironte vërtet progres e të mira në shoqëri. Fliste qartë e rrjedhshëm dhe mjaft të rinjve sikur filloi t’ua mbushte mendjen. Më pas doli qartë se ku instruktohej dhe deri këtu nuk ishte aq keq se në fund të fundit kishte zgjedhur, sado në klandestinitet, një lider partiak si model për ta ndjekur a më mirë për t’iu bindur. Por këtu e keqja filloi me adaptimin me sistemin e vjetër të të menduarit politik dhe brendësimin e tij si mentalitet vetjak. Kështu qëlloi që, ndonëse nisi bujshëm ai u shua shpejt, si rrjedhim i gabimeve të veta por dhe tutelës së Ramës e pamundësisë së tij gati organike për të duruar sadopak rivalitet. Kur u rishfaq pas sfumimit të parë, ishte tjetër, disi më i butë, i shtypur, i nënshtruar, i rrahur. Për të mos thënë kone e rrahur. (Është vërtet brilant si rast tipik studimi). Si i ri arrivist e karrierist, kuptoi se madje edhe shfaqje të vogla origjinaliteti në formë a guximi të hovshëm rinor, nuk shiheshin fort me sy të mirë nga udhëheqja partiake. Vetiu i sugjerohej vetëm një rrugë: ndjekja deri në kopjim e rrymës centrale të udhëheqësit partiak, drejtuesit të së majtës luksoze (nëse mund ta quajmë të tillë sipas një modeli francez politik të dikurshëm). Erioni filloi të përdorë termat e ashpra të politikës së vjetër, nisi gërmimet në të kaluarën a biografinë e kundërshtarëve politikë, dhe në pak kohë u modelua e realizoi kuvendin sipas vendit. “O Zot, po ne diku i kemi dëgjuar këto më parë, madje ca si shpesh”, thanë njerëzit. Po, këto ishin po ato fjalë që përdornin e ende përdorin sot e gjithë ditën pothuaj gjithë liderët e politikës sonë për njëri-tjetrin! Po! Kjo ishte lufta e klasave me kostum të ri, me fjalë pak më të qëruara…por po ajo. Veç nga goja e të riut veshur me kostum trendy, por me të brendshme të ushtrisë së vjetër a të baballarëve të luftës së klasave. Ndjekja këmbë pas këmbe, në fjalë, gjeste, terminologji e tyre. Pastaj, sërish Erioni nisi të shfaqej pak e më pak. Kjo ishte faza e dytë e ciklit. Regjja me dhunën partiake. Më rrallë e shihnin në ekrane a mitingje. Së fundmi ai ishte në rresht me të tjerët. Në korsi. Me korse madje. Deri në momentet kur urdhërohet të dilte, jo shpesh, veç me urdhër në ekrane. Rama këtë veçori kontrolluese-shkelmuese të njerëzve poshtë vetes, e ka sui generis, tipike, nevralgjike, organikisht enveriane. Kur ndokush e tepron me protagonizëm, qoftë dhe imitativ, protagonisti mënjanohet pa dorashka, deri me shkelma. Po ajo që bën vërtet përshtypje interesante, ishte reagimi në zgjedhjet e vitit 2009 i elektoratit ndaj Erionit. Rama e hodhi Erionin në betejë elektorale vetjake-grupore. Edhe për të luajtur siç bën shpesh me këdo, por dhe për t’i treguar vlerën e lëkurës, që më vonë të kujdesej më me mençuri për të duke konsideruar që si lëkurë cilësie të dobët, mund të grisej më lehtë. Kështu Erioni konkurroi më vete me grupimin e tij. Dhe këtu ky elektorat shqiptar që rrallë ka gabuar: nuk i dha vota Erionit të ri, “frymës së re në politikë”. Përse ndodhi? Ku vajti simpatia e qëmotit? Nuk ka njeri interes të japë vota një fryme të vjetër veshur me petk të ri. Mjaftueshëm të vjetër i marrin këto vota. Kjo ndjehet intuitivisht nga votuesi shqiptar, madje dhe tek ai pa ndonjë trajnim special politik. Të kishte qenë ndryshe, të kishte qenë vërtet një i ri i pavarur nga të mëdhenjtë, nga politika e vjetër, një frymë e re në politikë, mendoj se do të kishte patur mbështetje. Antipodi i tij Albin Kurti në Kosovë, arriti të ketë jo pak deputetë në parlament. Njerëzit kanë nevojë për të renë në politikë, por Erioni nuk ishte i tillë. Pikërisht, prandaj Velia përbën fenomen tipik negativ rinor në politikë dhe modelin e asaj se si të rinjtë nuk duhet të jenë në politikë. Ky është modeli agresiv, njëherazi servil, që për t’u rilevuar, mimetizon liderin autoritar deri në vetëdhunim. Kjo vërehet lehtë madje edhe nga sy të pastërvitur. Pra formë, kostum, syprinë e re, pa të brendshme, gjithnjë në gatishmërinë e dhunimit të herëpashershëm nga i madhi. Nga këta, shoqëria nuk mund të presë progres, por veç “Kuaj të mbretit, në rol kalorësish të rinj” sipas një titulli romani të së shkuarës. Erion Veliaj u bë i pakëndshëm për njerëzit se i gënjeu. Qoftë edhe me pamjen mashtruese prej të riu progresist socialist, në mos revolucionar. Madje në disa emisione televizive tentoi të gënjente me mirësi të shtirur deri edhe politikanë të vjetër si Dashi. Ishte ky, që i dha Erionit titullin ‘Lej Fen’ sipas emrit të heroit imagjinar rinor të revolucionit kinez. Në të vërtetë kategoria rinore Veliaj nuk është ajo për të cilën kërkohet angazhimi politik. Dikur, në një debat televiziv, i pata thënë një të riu pa brumë që nuk reshtte së përsërituri, “ne të rinjtë, ne të rinjtë”, “Mosha e re nuk është atribut në vetvete, së paku në politikë… por dhe gjetkë. Kur i riu ka brumë, natyrisht mosha e re është një atribut shtesë, një vlerë e shtuar, që i jep vlerë plus talentit, aftësive, duke i shtuar dhe energjinë, vrullin, pavarësinë e mendimit rinor”. Në të kundërt i riu mbetet vetëm moshë, numër…asgjë tjetër. Dhe po qe veç i tillë në politikë, s’mbetet veçse imitator i të vjetërve, pra i ri i plakur. Ka pra të rinj të plakur a të rinj pa talent që duke mos qenë veçse të rinj, e kthejnë këtë atribut në një vlerë minus. Mendoj se të një pjesë e të rinjve vazhdon të mbijetojë mentaliteti i vjetër dhe ende pothuaj nuk shohim të rinj-yje të shkëlqejnë në qiellin e politikës sonë. Por dikur do të ketë. Kur të shpeshtohet oksigjeni i rralluar i atmosferës sonë politike.