2013-07-22

Shaban Sinani: Një monografi e jashtëzakonshme për hebrenjtë


Naim Zoto

Pas disa veprash themelore, si "Mitologji në eposin e kreshnikëve" dhe "Beratinus", që u ndoqën prej disa studimesh të përqendruara mbi veprën e shkrimtarit Ismail Kadare ("Pengu i moskuptimit" - 1998, "Një dosje për Kadarenë" - 2004, "Për prozën e Kadaresë" - 2009), prof. dr. Shaban Sinani publikon tani një libër të ri monografik të titulluar "Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi". Tri veprat e veçuara më sipër, pra, "Mitologji në eposin e kreshnikëve", "Beratinus" dhe më e reja, "Hebrenjtë në Shqipëri -prania dhe shpëtimi" (Jews in Albania- The presence and salvation), ashtu si edhe paraqitja shkencore e përmasave të fenomenit "Kadare" si dukuri letrare shqiptare me vlerë universale (botërore), përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm të këtij autori për promovimin dhe integrimin e vlerave të kombit shqiptar në kulturën dhe thesaret botërore. Këto janë vepra që u kushtohen atyre kryevlerave që nderojnë Shqipërinë dhe kombin shqiptar, duke u kthyer në referenca ndërkombëtare. Këto libra, dhe të tjerë si këto, që kanë shkruar autorë shqiptarë prej M. Barletit deri tek I. Kadare, janë ndër të rrallat që mund të bëjnë ndërlidhjen e kulturës shqiptare me kulturën europiane dhe më tej me atë botërore. Përmes vlerave që evidentojnë dhe përcjellin këto libra, kultura dhe qytetërimi shqiptar rifitojnë një përmasë që nuk është njohur, të injoruar dhe mënjanuar padrejtësisht deri tani. Evidentimi i këtyre vlerave nuk ka qenë i lehtë. Përkundrazi, ka qenë shumë i vështirë. Siç edhe mund të konstatohet lehtë, studiuesit Shaban Sinani i është dashur një punë e stërmundimshme, disavjeçare, për t'i zbuluar, çkodifikuar, verifikuar dhe analizuar enigma të tilla, si historia e ruajtjes së kodikëve të famshëm apo e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Më shumë se libra, këto iniciativa shkencore të këtij studiuesi mund t'i konsiderosh aksione kombëtare, të denja për nderuar institucione dhe jo thjesht emrin e një individi. Nuk është e rastit, për shembull, që vepra "Beratinus", që u kushtohet kodikëve të ruajtur në Shqipëri, përbën një kontribut personal të prof. Sinanit për përfshirjen e Shqipërisë në listën e vlerave me rëndësi të posaçme në kulturën botërore ("Kodiku i Purpurt i Beratit", i njohur ndërkombëtarisht si "Beratinus-1", përbën të vetmen njësi nga Shqipëria në Regjistrin "Kujtesa e Botës" të UNRSCO-s). Edhe vepra më e re, "Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi", është një monografi shkencore për një nga vlerat e shënjuara në rang botëror të kombit shqiptar, pranimi dhe shpëtimi i hebrenjve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në të dy rastet, pas punës së këtij personaliteti të albanologjisë shqiptare, shqiptarët ndjehen të rivlerësuar, kultura dhe vlerat e tyre janë certifikuar botërisht, në njërin rast nga UNESCO-ja dhe në rastin e hebrenjve nga Yad Vashem dhe Kongresi e Senati i SHBA-së. Ndryshe nga sa është shkruar dhe folur për qëndrimin unik të shqiptarëve si mikpritës dhe mbrojtës të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sjellje që ka habitur botën, duke u shpjeguar kryesisht nga pozicione romantike (besa, nderi, kulti i mikut etj), folklorike, diletante, deri tek shtrembërimet dhe frika për të thënë të vërtetën, Shaban Sinani, pas një pune dhe kërkimi shkencor të mirëfilltë që nis këtu e 20 vjet më parë, ka arritur të realizojë një monografi pothuaj shteruese për këtë argument. Në këtë studim çështja kthehet nga fabul në faktologji. Monografia "Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi" është e ndarë në 11 kapituj, që shtjellohen në rreth 500 faqe tekst, ku përfshihen edhe disa dhjetëra ilustrime të argumenteve me dokumente origjinale, foto e dëshmi, si dhe qindra referenca të autorëve vendës dhe të huaj që janë marrë me këtë temë. Shumica e dokumenteve dhe dëshmive zbulohen për publikun për herë të parë, ashtu siç shqiptohen për herë të parë fakte, qëndrime dhe këndvështrime krejt të reja për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve në trojet shqiptare. Është studimi i parë ku burimet nuk janë të njëanshme: vetëm shqiptare, vetëm italiane, vetëm britanike e amerikane apo vetëm gjermane. Autori ka siguruar bashkëpunimin e institucioneve dhe kolegëve kudo që ruhen burime për argumentin e tij dhe në këtë studimi këto burime verifikohen e certifikohen përmes njëri-tjetrit. Çështja trajtohet me thellësi historike, duke nisur nga përtakimet e para të shqiptarëve me hebrenjtë, duke zbuluar edhe një shtresë hebraike në kulturën shqiptare, ndryshe nga sa është folur deri tani për prani vetëm të kulturave greke, romane apo orientale (kapitulli i parë: "Prania kulturore hebraike në traditën shqiptare"); për të vazhduar me qëndrimin e periudhës mbretërore ndaj hebrenjve, me qëndrimet e administratave dhe ushtrive pushtuese (fashizmi italian dhe nazizmi hitlerian gjerman) dhe të qeverive kuislinge, deri tek qëndrimi i komunistëve ndaj hebrenjve.
Për shumanshmërinë e argumentit të kësaj monografie mund të gjykohet prej titujve të krerëve të saj: "Qëndrimi ndaj hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë periudhës fashiste", "Politika italiane dhe pranimi i hebrenjve në Shqipëri", "Intelektualët shqiptarë kundër judeofobisë dhe fundi i hidhur i Norbert Joklit", "Hebrenjtë në Shqipëri dhe shpëtimi i tyre në periudhën naziste", "Etnotipi shqiptar dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës", "Divizioni SS "Skanderbeg" dhe fati i hebrenjve në Kosovë në periudhën naziste", "Shqiptarët dhe Shoah në kontekst ndërkombëtar". Theksimi prapavajtës i pranisë kulturore hebraike në hapësirën iliro-shqiptare është dhe në shërbim të shtimit të provave të vazhdimësisë në këto troje përmes dëshmive dhe gjurmëve të shënjuara në kulturat e lashtësisë, si kultura helene, romaniteti dhe hebraizmi.
Autori zbulon fakte dhe qëndrime, ofron këndvështrime të reja të pashqiptuara apo të keqshqiptuara më parë, si, për shembull, për rolin e ambasadorit të parë amerikan Herman Bernshtajn (me kombësi hebreje) në Shqipëri në vitet 1930; për një përpjekje ndërkombëtare nën elitën e Lidhjes së Kombeve (OKB e sotme) për ta parë vendin tonë si "një atdhe të mundshëm të hebrenjve" të rrezikuar në Europë; për të vërtetën historike që edhe qeveritë kuislinge kanë pasur një rol vendimtar pozitiv në shpëtimin e hebrenjve. Dokumente për personazhe të njohur të politikës, diplomacisë dhe kulturës hebraike zbulohen në këtë libër, duke nisur nga udhëheqësi i lëvizjes mesianike Sabbatha Zevi, deri tek ambasadori amerikan H. Bernshtajn e fizikani nobelist A. Ajnshtajn; figura të mbretërisë, si A. Zogu vetë, Mehmet Konica dhe i nipi Faiku; "çerek-mbretërit" e Regjencës; klerikë të njohur si Shtjefën Kurti, protagonistë të luftës si Bedri Pejani, Ramiz Alia, oficerë të lartë të Rajhut; figura qendrore të albanologjisë si ajo e Norbert Joklit, deri tek letra e hapur e Lasgush Poradecit në mbrojtje të hebrenjve dhe plot të tjera.
Autori ka një meritë të veçantë sidomos për zbardhjen e plotë të fatit të hebrenjve të Kosovës, për të cilët deri vonë qëndronte akuza se ishin dorëzuar tek nazistët nga shqiptarët e mobilizuar nga Gestapo, një hipotezë e sponsorizuar në qarqet ndërkombëtare nga studiues serbë, duke dashur ta izolojnë meritën e mbrojtjes së hebrenjve vetëm tek shqiptarët e Shqipërisë shtetërore. Sipas studiuesit Shaban Sinani, një rol vendimtar në sjelljen historike të shqiptarëve ndaj hebrenjve ka luajtur etnotipi i tyre, e shpjeguar kjo jo vetëm me tolerancën e mirënjohur ndërfetare të shqiptarëve, por dhe me sjelljen e tyre ndaj të huajve, sidomos në kohë rreziku.
Libra si "Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi" apo "Beratinus", nuk mund të shkruhen nga kushdo. Ato kërkojnë si parakusht, veç njohjes së lëndës, edhe një formim ndërdisiplinor. Duke lexuar librin mbi lidhjet dhe bashkëjetesën e shqiptarëve me komunitetin hebre, konstaton se autori nuk shfaqet thjesht si historian apo hulumtues dokumentesh dhe arkivash. Në këtë libër të ri, ashtu si edhe në veprat e mëparshme të këtij autori, do të vëresh studiuesin e kompletuar në disiplina të tilla si, antropologjia kulturore, etnologjia, gjuhësia, folkloristika, të cilat i japin dorë dhe ndihmojnë njëra-tjetrën për të ndriçuar tërësisht argumentin. Këto cilësi të bashkuara me stilin elegant dhe zotërimin e përsosur të gjuhës, njëkohësisht me karakterin për t'i shkuar të vërtetës deri në fund, e bëjnë veprën e këtij autori më të këndshme dhe më interesante për lexuesin. Kjo është një monografi e jashtëzakonshme dhe me vlera të shumëfishta për kulturën dhe imazhin e Shqipërisë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...