Intervistë për “Zhurnal plus” me Mimoza Cufaj- Rexhvelajn, poete dhe studiuese
Mimoza Cufaj Rexhvelaj ka lindur në Fier. Është e rritur me bukuritë e Malsisë së Madhe dhe në qytetin e Durrësit. Ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Shkodrës. Në korrik të vitit të kaluar përfundoi masterin për etnokulturë dhe mbrojti temën “Vështrim mbi Poezinë e Diasporës Shqiptare”. Aktualisht punon si drejtoreshë e Shkollës Nëntëvjecare “Hilë Mosi” në Shkodër.Ka botuar tri libra me poezi: “Dashuri, ti je mëkati im”, “Fshima lotin “ dhe “Jepi fjalës kohë”
“Zhurnal plus”: Keni mbrojtur masterin për etnokulturë me temën “Vështrim mbi poezinë e diasporës shqiptare” ( 3 poetë të spikatur të mërgatës shqiptare: Kolec Traboini, Gjekë Marinaj dhe Fatmir Terziu ). Duke pasur parasysh se në diasporë jetojnë dhe veprojnë edhe shumë autorë të tjerë, pse u përcaktove për këta tre autorë?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Kur mora temën, mendova që të sjell diçka të re në tempullin e dijes, të falem në altarin e vyer ku vlerat shpalosen, ku secili nga ne do të dëshironte të ishte një emër i skalitur. Nga fusha e madhe e letrave të shpërndara nëpër Diasporën e largët, zgjodha mes shumë aromave poetike ato që për kohën mbartin vlera të veçanta,ku bota po i vlerëson, duke i ngritur në majat e vlerësimit, ndërsa në vendin e tyre ngelen të mbuluar nga pluhurat e kohës,të çmendur nga antivlerat, duke harruar vlerat e vërteta. Si një poete e re, mes kontakteve të mia dhe mbështetjes së kolegeve të mi, mora shumë vëllime poetike të botuara kohët e fundit dhe përzgjodha tre zëra si përfaqësues të letërsisë shqipe nga shqiptarët që jetojnë e punojnë larg atdheut.
Jam përpjekur të spikas risit dhe figurat që dominojnë në shtypin e kohës dhe jetën e gjallë të letrave. Kjo është një nisem, jam e ndërgjegjshme se ka shumë të tjerë që kanë kontribut më shumë , nuk kam përdorur peshore thjeshtë intuitën dhe ndjeshmërinë time në përjetimin e veprave dhe vlerave që mbartin këto autor. Ata i bashkon e kaluara e hidhur e diktaturës,persekutimi dhe mohimi i të drejtës për të thënë fjalën e lirë. Një poeti, kur i mohohet fjala, ai është i dënuar me vdekje. Në rrethana e kushte të vështira ata u larguan nga atdheu drejt tokës së premtuar, duke marrë me vete mallin dhe dashurinë për tokën mëmë, që kurrë s’e harruan,dashurinë për gjuhën dhe njerëzit. Këto ndjesi përjetohen përmes vargjeve dhe poezive që janë kushtuar vendit, si mënyrë për të ngushëlluar vetën dhe shpirtrat e trazuar nga largësia në kohë e hapësirë.
“Zhurnal plus”: Pse Kolec Traboini, Gjekë Marina dhe Fatmir Terziu?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Koleci i bën skanim të realitetit të sotëm duke diagnostikuar sëmundjet e shoqërisë. Poezia është si gurët e kalasë , një nga një ngrihen me madhështi në kalanë ‘Traboin’ që me forcë i reziston kohës .
Traboini dallon për vlera të veçanta në artin shqiptar ,ai integron poezitë me kinematografinë, duke realizuar dokumentarë me metrazh të shkurtër dhe duke ringjallur vlerat e harruara album poetik për 40 poetë që nuk jetojnë më, në mes tyre pesë të ekzekutuar nga diktatura .
Gjekë Marinaj sjell një frymë të re letrare Protonizmin.
Ai ka pasuruar bibliotekën shqiptare me përkthime të veprave letrare botërore dhe të kulturës shqiptare.
Ai ka ngritur një urë lidhëse mes botës letrare amerikane dhe asaj shqiptare, duke përkthyer nga anglisht-shqip perlat e letërsisë, por dhe duke e bërë të mundur që emrat e shkrimtareve shqiptarë, zërave më të mirë të kohës ,të njihen nga lexuesi amerikan.
Marinaj ka futur Kadarenë në programin e universitetit amerikan, ka botuar në anglisht bashkë me poetin e talentuar anglo-amerikan Frederick Turner tekstin “Epika legjendare shqiptare”, që do të hyjë si tekst i rekomanduar universitar në vitin 2013 .
Duke mos mohua vlerat e poezisë së tij unike.
Fatmir Terziu i këndon poezisë me melodinë e shpirtit të dhimbjes, mallit që djeg gjoksin në mungesë, për shumë kohë të atdheut. Ai, qorton kohën dhe padrejtësitë e bëra nga historia, nga njerëzit që pranuan në heshtje shtypjen dhe diktaturën, ku në muret e çara valëviten ëndrrat e vrara, që bëjnë sehir si relikte të vjetra. Por ai nuk fle, ai zgjon shpresat për ditën e re, për fillim e ri.
Fatmir Terziu, Ambasador i poezisë, shpalos vlerat e artit duke bërë të njohur vendin tonë të vogël por që ka dhënë shumë për letërsinë, duke shpalosur krijimtarinë dhe duke u vlerësuar me çmim.
Mjeshtër i penës, puna e tij është vlerësuar nga shtypi dhe kritika e kohës, është i pëlqyer nga lexuesi, i cili gjen veten në vargjet e Fatmirit, sidomos lexuesi që jeton jashtë, duke shuar mallin dhe dhimbjen, që ka për vendlindjen.
“Zhurnal plus”: Gjatë verës së kaluar ishit pjesëmarrëse në Mbrëmjet Strugane të Poezisë. Si kalove?Përshtypjet nga ky manifestim?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Ishin nga ditët më të bukura të jetës sime. Nuk mund ta harroj mikpritjen e qytetarëve të Strugës, që shumë janë miqtë e mi sot. Manifestim madhështor, shpalosje kulturash e bashkim zemrash njerëzore, të flasësh me gjuhën e artit pa kufij, duke tejkaluar e kapërcyer çdo pengesë. Aty ishim të gjithë bashkë, ishte poezia gjuha dominuese.
Zhurnal Plus: Na thuaj diçka për shkollën që drejton! Sa nxënës ka, sa mësues? A është e vështirë ta menaxhosh një shkollë?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Shkolla ime ka 500 nxënës dhe 35 mësues. Kam pasur fatin të drejtoj një staf të mrekullueshëm, mësuesit janë shumë të zotët në punën e tyre dhe human. Punojnë me shpirt, duke dhënë më të mirën e mundshme që të përgatisin brezat e ri të ecin me hapin e kohës, me frymën e globalizmit dhe mbi të gjitha me ndjenjën e atdhedashurisë. Të edukosh brezat është punë e vështirë, por kur e bën me shpirt të jep kënaqësi që po kontribuon për një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe shoqërinë.
“Zhurnal plus”: Ka një qortim për kritikën se ajo nuk e luan plotësisht rolin e duhur për afirmimin e shkrimtarëve të rinj. Mendimi juaj ?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Për mendimin tim kritika sot është në gjumë letargjik. Le të shpresojmë të zgjohet nga gjumi dhe të vlerësojë vlerat e vërteta. Jo ta kthejë misionin e saj në biznes të rëndomtë. Duhet të jetë ajo që të drejtojë lexuesin drejt artit të vërtetë në këtë bum botimesh.
“Zhurnal plus”: Si mendon, nga ndryshon poezia e një poeti nga ajo e një poeteshe?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Nuk besoj që ka ndryshime. Poezia është nektar i shpirtit që shprehet në fjalë, them që poeteshat janë pak më të ndjeshme nga vetë natyra e tyre. Por nuk mund të gjykoj magjinë e shpirtit. Çdo poezi është ndërthurje hyjnore, është produkt i ndjesive tona.
“Zhurnal plus”: Çka përfaqëson për ty Shkodra. Si është jeta kulturore, letrare ,artistike atje?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Shkodra është djep i kulturës. Shkodra është art i gjallë që ecën në shekuj duke rrezatuar vlerat më të larta. Shkodra merr frymë me arte dhe prodhon arte.
“Zhurnal plus”: Je shume aktive në rrjetin social dhe ke edhe fotografi të bukura, mbase je drejtoresha më seksi e ndonjë shkolle në Shqipëri. A ke qenë ndonjëherë në kopertinat e revistave?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Po, kam qenë, me kanë vlerësuar për artin e fjalës e jo për bukurinë. Faleminderit ju për komplimentin! Njerëzit janë mësuar të shikojnë drejtoresh jo në moshë të re, por unë e dua punën time dhe e bëj me shumë dashuri. Jam me fat që më është besuar ky mision të edukoj brezat e ri.
“Zhurnal plus”: Si ishte viti 2012 për ju dhe çka pret nga 2013?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Ishte një vit i suksesshëm, ku kam shënuar disa data që do t`i kujtoj gjithë jetën, plot me emocione, një nga këto ishte dhe Mbrëmja Poetike në Strugë. Meqenëse jam e angazhuar politikisht shpresoj që viti 2013 të jetë viti i fitores së madhe për gjithë shqiptarët kudo që janë. Shpresoj të jetë viti i bashkimit kombëtar. Kjo është ëndrra më e madhe që kam. Të jem pjesë e realizimit të këtij projekti madhështor.
“Zhurnal plus”: Kush të ka frymëzuar të angazhohesh në politikë, Jozefina Topalli apo Çiljeta dhe Greta Koci? Çfarë synimesh ke në politikë? Ëndërron të bëhesh ministre,deputete apo?Pse je me Sali Berishën e jo me Edi Ramën ose ndonjë tjetër?
Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Babai im i ndjerë, i cili ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike në hapat e parë, ai vinte nga shtresa e të përndjekurve politikë, me 12 vjet burg mbi shpatulla për fjalën e lirë. E humbi jetën tragjikisht, duke lënë në mes rrugën e tij të nisur. Kam filluar të eci aty ku e la ai për të përmbushur misionin e tij për Liri dhe Demokraci. Pak rëndësi kanë postet, ato janë te përkohshme, unë punoj për të pavdekshmen. Dua te jem një pishtar për njerëzit e drejtë, për të treguar se vlerat triumfojnë gjithmonë. Jam me Sali Berishën sepse ai po i bën reale për shqiptarët ëndrrat e ndaluara. (Intervistoi: E.Neziri)