2015-10-06

Banorët te liqeni: Nuk ikim nga kryeqyteti, edhe nëse na heqin me forcë


Ilda Hoxha
Kryefamiljarët romë, të mbërritur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, që prej mbi 20 vitesh jetojnë në kryeqytet, rrëfejnë për gazetën “Shqip” se ndihen të diskriminuar që kryetari i Bashkisë së Tiranës do të strehojë në qendrën e emergjencave vetëm 3 familjet rome që janë nga Tirana. “Pse ne romët që jemi nga Elbasani jemi ndryshe? Çfarë kemi ne ndryshe? Ne kemi 23 vjet në Tiranë, fëmijët kanë lindur këtu. Çfarë duhet për të qenë nga Tirana? S’kemi ku mbytemi jo! S’do ikim në asnjë vend! Ku do hamë ne, ku? Po ikëm në Elbasan do vdesim”, thotë Enkeleda Nuredini, nënë e tre fëmijëve, të pashkollë, që po ashtu rrëmojnë kazanëve për 2 lekë më shumë. Të dëshpëruar për fatin e tyre, ata shprehen të zhgënjyer nga të gjitha qeveritë, që ende sot nuk provojnë t’u japin zgjidhje halleve të tyre, që emërues të përbashkët nuk kanë as më shumë e as më pak se luftën e egër për mbijetesë. Dy të afërm, kryefamiljarë në familjet e tyre, Saimir Nuredini dhe Enkeleda Nuredini, të vendosur theksojnë për gazetën “Shqip” se kryeqyteti është i vetmi burim të ardhurash, prandaj edhe s’do të ndalen, do të protestojnë dhe nuk do të largohen as nga liqeni as nga Tirana, pa iu gjetur një tjetër pikë strehimi, siç deri më tani ka qenë liqeni artificial.
Rrëfimi i Saimirit
Saimir Nuredini është një prej banorëve të kësaj zone, ku prej 3 vjetësh jeton bashkë me djalin dhe gruan e tij. Jeta e Nuredinit dhe e familjes së tij ka qenë në endje sa në një vend në tjetrin. Ai tregon se ka ardhur nga qyteti i Elbasanit dhe prej 15 vitesh ka jetuar në zonën e ish-Stacionit të Trenit. Më pas, pasi iu dogj baraka, u vendosën në zonën e Pallatit me Shigjeta ku jetuan 3 vjet. Por për fat të keq, edhe nga aty i përzunë dhe në fund përfunduan te liqeni dhe historia përsëritet, edhe aty nuk ka paqe për ta. “Nuk na kanë njoftuar me shkrim që duhet të largoheni. Ata vetëm kanë marrë emrat tanë dhe origjinën nga jemi. Fjala është që duhet të largohemi nesër (sot). Ne jemi nga Elbasani dhe atje nuk kemi shtëpi. Kam qenë një nga 37 familjet që kemi jetuar te Pallati me Shigjeta. Kam 23 vjet që jetoj në Tiranë, ndërsa këtu te liqeni 3 vjet. Kam jetuar më parë te Stacioni i Trenit për 15 vjet dhe më pas u vendosëm te Pallati me Shigjeta. Fëmijët tanë janë rritur këtu në Tiranë. Shteti ynë nuk e di çfarë na bën, tallet me ne. Zbor na bën shteti, ngrehuni këtej shkoni andej”, rrëfen Nuredini. Lajmin se duhet të largohet nuk e ka pritur mirë, madje pohon se nuk ka ndër mend të kthehet në Elbasan. “Ja u kthyem atje ku duan të na çojnë, çfarë do bëjmë atje? Asgjë. Prapë këtu do të jemi. Këtu në Tiranë do të vijmë, rrugëve do të flemë. Të mos na lëvizin që këtej, këtë duam ne, nuk kemi ku të shkojmë. Ne jemi të gjithë nga rrethet”, pohon 33-vjeçari rom. Për shkak të kushteve të vështira të jetesës, ai është detyruar që ta largojë nga shkolla edhe djalin e tij, i cili ishte një prej nxënësve më të mirë të klasës. “Orgito ka qenë një fëmijë që studionte shumë, ka qenë me nota maksimale dhe e hoqëm sepse nuk kishim para ta çonin. Unë ngela pa punë dhe u detyruam e larguam. Sivjet kalonte në klasën e katërt djali im. Ka qenë në shkollë në Selitë”, sqaron Nuredini. Ai thekson se sa ka jetë dhe shpresë, është i vendosur për t’i bërë ballë jetës së vështirë.
Historia e Enkeledës
Një tjetër banore është edhe Enkeleda Nuredini, nënë e tre fëmijëve, e cila shprehet e shqetësuar për situatën që po kalojnë. Mungesa e një mundësie punësimi është një problem i madh për të, por fakti që duhet të lërë strehën e saj, e shqetëson edhe më shumë. Ajo ka jetuar në Elbasan, ndërkohë që prej 3 vjetësh banon në një prej 200 barakave në zonën e liqenit artificial. “Kam tre fëmijë, në Elbasan nuk kam shtëpi. Kam qëndruar te gjyshja e burrit, ajo vdiq dhe unë ngela nëpër rrugë. Ku të shkoj unë në Elbasan, nuk kam çfarë të hamë. Pa punë jam, vetëm me ndihmë ekonomike jetoj. Tokë nuk kam fare, sepse po të kisha do shkoja të bëja një barake dhe do rrija atje. Këtu jetoj me fëmijët dhe burrin, nuk njoh asnjë njeri, nuk kam ku të shkoj, kam 3 vjet këtu”, tregon Enkeleda. Hallet për të nuk kanë fund, pasi asnjë prej fëmijëve të saj nuk shkon as në shkollë dhe as në kopsht. Sipas saj, fajin për këtë e kanë shoqatat që vijnë e i mashtrojnë dhe në fund largohen vetëm me fjalë të bukura dhe asgjë konkrete. “Njëra prej vajzave, më e madhja është 7 vjeçe, tjetra 4 dhe djali 2 vjeç. Nuk i çoj as në shkollë dhe as në kopsht. Vijnë ata të shoqatës njëherë i marrin, njëherë jo, vetëm tallen me ne. Nuk i kemi fëmijët në shkollë si të gjithë njerëzit normalë”, deklaron nëna e tre fëmijëve. Ajo nuk ka asnjë burim të ardhurash veç mbetjeve që mbledhin, ku herë nxjerrin 500 lekë të reja dhe herë asgjë. Ajo shprehet e vendosur për të jetuar në Tiranë dhe thekson se do të rrijë te flejë rrugëve. “Prapë të na çojnë atje në Elbasan, unë në Tiranë do vij. Ku do ha, ku do pi, pa shtëpi e katandi”, sqaron ajo e shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhet.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...