Shkruan: Prof. Dr. Agron Fico, Tiranë
Vjeshta e këtij viti hyri me shira të dendura, që i krijojnë njeriut edhe një ndjenjë disi melankolike, që nuk e di pse më sollën ndërmend vargjet e një kënge korçare apo të krijuara nga shqetësimi qytetar:
Vjeshta erdhi edhe shkoi,
Kadarenë “Nobeli” e harroi…!
Muaji tetor, muaji kur shpallen edhe emrat e fituesve të “Çmimit Nobel” për fusha të ndryshme të dijes, madje edhe për letërsinë, na del se qenka një muaj i mbrapshtë për racën shqiptare.
Në këtë muaj kanë ardhur në këtë botë udhëheqës të shqiptarëve, të vdekur edhe të gjallë, tani na del se është i mbrapshtë edhe për Kadarenë. Po edhe pse ka një të vërtetë për fatin e këtij muaji, le ta kapërcejmë në rastin e shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, sepse vendimet e komisionit suedez për çmimin “Nobel” për letërsinë nuk kanë si kriter muajin kur ka lindur shkrimtari.
Ne, shqiptarët, e kemi pritur, e presim dhe do ta presim që Kadareja ta marrë çmimin “Nobel”, ose më saktë që komisioni suedez për këtë çmim t’ia japë Kadaresë këtë çmim, këtë vlerësim.
Ne kemi dashur dje, por sot ca më shumë kërkojmë dhe duam që Kadareja ynë të nderohet me këtë kurorë letrare të merituar.
I lindur gati 80-vjet më parë, edhe dy muaj, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës në një shtëpi-kështjellë në brinjë të trekëndëshit historik “Sokaku i të Marrëve”, shtëpisë së shtetarit dhe diplomatit të shquar Rauf Fico, pothuajse përballë me shtëpinë-vilë të doktor Vasil Labovitit, kryepersonazhi i romanit “Darka e gabuar”, Kadare krijoi/na ka krijuar një univers letrar të pamasë.
Kadare në një hark kohor disa dhjetëvjeçarësh krijoi vepra të shquara letrare-artistike, të cilat janë vlerësuar nga institucione serioze akademike dhe letrare, janë çmuar nga studiues të shquar të mjaft vendeve, janë shkruar me dhjetëra libra, qindra artikuj dhe kritika në revista nga më autoritaret në shtypin botëror.
Çdo muaj tetori ne shqiptarët rrimë më veshë-ngritur e presim ta dëgjojmë kumtin e gëzuar që më në fund komisioni suedez e ka vendosur për t’ia dhënë çmimin “Nobel” Kadaresë. Po kjo gjer sot nuk ka ndodhur.
Kjo heshtje, ky qëndrim, sipas mendimit tim demokratik, edhe si njohës i kulturës së disa shteteve të mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinë, deri-diku edhe Evropë, është një padrejtësi sa ndaj shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, aq edhe ndaj kombit shqiptar, një komb i vogël me kulturë të madhe dhe të pasur, një komb me një gjuhë ndër më të lashtat dhe origjinale të rruzullit tokësor.
Pa mundur e pa dashur të matem me të pamatshmin Komision suedez për këtë çmim dhe as t’i çkodifikoj kriteret e mistershme dhe magjitë e këtij komisioni gati planetar, shkrimtari shqiptar i shquar e ka merituar plotësisht këtë nderim suedez.
Do të ishte naive, jo urtësi, po të mendohej se kjo dëshirë shqiptare është një shfaqje e nacionalizmit primitiv, e krenarisë folklorike, ose fantazi adoleshente.
Pyetja e parë do të ishte: Si e njeh dhe e vlerëson bota perëndimore, kryeqendrat e qytetërimit euro-atlantik veprën madhore të Kadaresë?
E dyta: Cilat Akademi, institucione evropiane kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur pranë Komisionit suedez që Kadaresë t’i jepet “Nobel”-i për letërsinë.
Do të duhej më shumë se një libër vetëm që të përmendësh bibliografinë e shkrimeve për krijimtarinë e begatë të Kadaresë nga institucione të specializuara evropiane, nga revista shkencore dhe shumë burime të tjera. Madje vepra e Kadaresë është përkthyer në më shumë se 40 vende të ndryshme, në gjuhët kryesore të botës.
Në vitin 2014 u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës romani i Kadaresë “Muzgu i perëndive të stepës”. Madje gjatë gjithë vitit të kaluar ai u shoqërua me vlerësime, komente dhe kritika në gazetat dhe revistat më autoritare të masmedias amerikane dhe anglo-saksone. Ja kronika e këtyre shkrimeve:
“The National” (31 korrik 2014) nga Malcolm Forbes; “The Times” (2 gusht 2014) nga Oliver Moody; “The Independent” (3 gusht 2014) nga Jonathan Gibbs; “The Spectator” (9 gusht 2014) nga Ranjit Bolt; “New Statesman” (19 gusht 2014) nga Robert Macquarie; “Times Literary Supplement” (12 shtator 2014) nga George Walden; dhe më 30 nëntor 2014 në gazetën më të madhe – “The New York Times”, në shtesën Book Review të saj “NY Times Book Rev”. me një koment brilant nga Christian Lorentzen e plot të tjera.
Mund të shtojmë se këto komente kaq të gjera në shtypin amerikan ua kalojnë edhe atyre të bëra shumë vite më parë për romanin “Dosja H”, që po ashtu u mirëprit dhe u shoqërua me një përurim në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me rreth 28 ambasadorë të pranishëm në këtë përurim.
Kadareja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësohet si një shkrimtar shqiptar i kalibrave evropianë. Kam qenë dëshmitar i disa takimeve kulturore-letrare të organizuara në Nju Jork për Kadarenë dhe jam ndjerë mirë për nderin kulturor e letrar që i bëhet Kadaresë. Po përmend vetëm një prej tyre, atë në sallën e Universitetit të njohur Kolumbia. Salla ishte plot me një auditor cilësor: akademikë, diplomatë, personalitete të shquara të jetës shkencore e publike amerikane etj.
Do të shtoja, pa e tepëruar, se në qoftë se Shqipëria në vitet 70 të shekullit të kaluar njihej nga vëllezërit Belushi, në fund të shekullit XX-të nga Nënë Tereza, sot, në shekullin e XXI njihet nga Ismail Kadare, njohje që kulmoi edhe me ngritjen e flamurit shqiptar në Capitol të Kongresit të Amerikës për nder të Kadaresë.
Në Francën e Balzakut dhe Hugoit, Kadare nderohet në mënyrën më sipërore: është pranuar në Akademinë e Shkencave dhe vepra i është botuar e ribotuar disa herë, me hyrje, studime dhe kritika nga studiuesit më të njohur të Francës.
Letërsia evropiane dhe botërore e ka pranuar Kadarenë si krijuesin e saj me dhuntinë më të lartë, këtë e dëshmon edhe dhënia e çmimit “Man Book International” në Anglinë e Shekspirit, ku la pas emrat e njohur të letërsisë botërore si Gabriel Garsia Markez, Gunter Gras, Margaret Atvud, Filip Roth.
Para disa vitesh, në tetor 2009, Spanja e Servantesit, autorit të romanit emër-madh “Don Kishoti, i dha shkrimtarit Ismail Kadare, në mes të një ceremonie solemne, çmimin “Princi i Asturias”. Në vendim theksohej se juria kishte vendosur të vlerësonte shkrimtarin shqiptar për “zërin universal kundër totalitarizmit” dhe se shkrimtari e meriton këtë çmim edhe për “bukurinë dhe përkushtimin social të krijimit të tij letrar”. Në proces-verbalin e jurisë shkruhej se “Ismail Kadare tregon me gjuhën e përditshme, por plot lirizëm, për tragjedinë e vendit të tij”. (Cit. “Beautiful America”, A. F. Fico, f. 197.)
Në Italinë e Dante Aligierit vepra e Kadaresë është përkthyer dhe nderohet, mjafton të përmendim se iu dha titulli “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Palermos, si dhe u shpall fitues i çmimeve të dhëna nga Akademia Kult për kategorinë e librit më të mirë, me romanin “Darka e gabuar”.
Një vlerësim dhe nderim i lartë iu bë shkrimtarit tonë Ismail Kadare edhe në ceremoninë solemne të mbajtur para disa muajsh në Jerusalem.
Këto vlerësime, këto çmime të shumtë, këta tituj dhënë shkrimtarit tonë Ismail Kadare për universin e shquar letrar-artistik nga kryeqendrat e metropoleve euro-atlantike, djepi i qytetërimit të rruzullit tokësor, shkërmoqin dhe pluhurosin kuisjet e atyre individëve ndër ca lexues shqiptarë, që shajnë edhe përçmojnë veprën dhe shkrimtarin e madh.
Duket me të vërtetë tepër i habitshëm, keqdashës dhe djallëzor edhe mendimi i shprehur se librat e Kadaresë qenkan përkthyer dhe përkthehen për motive ideologjike dhe fetare. Nuk kërkon ndonjë argument që të besohet se këto kryeqendra botërore të kulturës dhe letërsisë euroatlantike si Londra, Parisi, Berilin, Roma. Madridi, Nju Jorku, Los Anxhelos etj. të jenë aq të përgjumura ndaj librave të botuara të Kadaresë sa të lejojnë botime jocilësore e ca më pak me viruse ideologjike ose fetare.
Pas Luftës së Dytë Botërore shkrimtari Ismail Kadare u shfaq në qiellin letrar shqiptar si një yll që ndriti fort, si shkrimtar vërtet i talentuar. Ai u afirmua me krijimin e një korpusi letrar të pamasë si gjeni i letrave shqipe.
Merita themelore është se Kadare krijoi një metodë dhe stil të veçantë, origjinal, që ngërthen magjinë e artit dhe letërsisë klasike antike, realizmin evropian dhe befasinë e letërsisë së Amerikës latine, ose siç e quan kritika profesionale evropiane, ai krijoi “metodën Kadare”.
Gazeta spanjolle “Il Mundo” thekson se Kadareja qysh në vitet ’60 shënon kthesë në letërsinë shqiptare me romanin “Kronikë në gur”.
Shkrimtari, me gjuhën ezopike të letërsisë, ka fshikulluar egërsinë e diktaturës komuniste, ku skenat makbethiane të Shekspirit duket sikur ringjallen në skenat rrënqethëse, intrigat e stërholluara për të mbuluar krime, si te novela “Përbindëshi”, “Pasardhësi”, apo edhe te poema “Pashallarët e kuq” etj.
Kadare ka dëshmuar artistikisht shkërmoqjen e regjimit diktatorial dhe shkërmoqjen e perandorive komuniste sovjetike e kineze. Ka denoncuar rendin e bunkerëve në Shqipëri. Ai është flamurtari i lirisë dhe i demokracisë.
Shkrimtari i madh Kadare, me personalitetin e vet kompleks si shkrimtar i shquar, erudit, studiues i pasionuar i kulturës dhe gjuhëtar-krijues, ka hyrë përjetësisht në panteonin e njerëzve të shquar të kombit shqiptar.
Universi i tij letrar shumëvëllimesh është i një standardi klasik, më se i denjë për çmimin “Nobel”.
Në një vështrim tërësor domethënia e vlerësimeve dhe nderimeve të pafundme të veprës së Kadaresë, në një hark kohor gati gjysmë-shekullor, ka nxitur dhe frymëzuar mjaft institucione autoritare që t’i kërkojnë dhe propozojnë komisionit të çmimit për letërsinë në Stokholm që Kadaresë t’i jepet çmimi “Nobel”. Propozimet e përsëritura të Akademisë së Shkencave të Francës, kërkesa e shumë institucioneve të tjera, duke përfshirë edhe Akademinë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, madje edhe kërkesa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, për t’i dhënë Kadaresë çmimin “Nobel”, flasin hapur për nderimin dhe statusin e shkrimtarit të madh të kohës sonë.
Nga kalldrëmet e qytetit të Gjirokastrës, me romanin “Kronikë në gur” Kadareja e nisi marshimin maratonomak në pistën e madhe të letërsisë dhe u ngjit mbi Këcullë, “maja Everest” e Gjirokastrës dhe atje bota e sheh, e lexon dhe e nderon. Dhe që kjo frazë të mos tingëllojë si një hartim gjimnazisti, po ia lë gjykimin bashkëqytetarit të shkrimtarit, akademikut të përmasave evropiane, Eqrem Çabejit, i cili ka thënë: “Si duket një fat i mirë ia ka falur Shqipërisë që të bëhet Ai shkrimtari, të cilin Shqipëria do t’ia falë një herë botës”. (Cit. “Beautiful America”, 2014, f. 79.)
******
Unë e lexova librin.
Libri nuk është në lartësinë e duhur, të jemi realist, në funksion të ndjekjes. Janë pak dokumente. Por do të vazhdojë, thotë universiteti.
Ndjekja ose përplasja e Ismail Kadaresë me regjimin ka tjetër përmasë. Nuk kishte mundësi ta pranonte regjimi e as zhdanovizmi Ismail Kadarenë.
Ismail Kadare ka një meritë, që s’ka asnjë vepër që të jetë zhdanoviste, asnjë.
Dhe problemi është si e kanë pranuar, përse është pranuar, unë them që e ka thyer me talent.
Talenteve të mëdhenj, edhe diktatorët e mëdhenj u trembeshin. Nuk është problemi nëse Ismail Kadare ka qenë një i përkëdhelur i diktaturës, siç thonë të patalentuarit.
Në Rusi, në kohën e Carit thoshin se ka dy carë: Një ishte Tolstoi dhe tjetri vetë Cari.
Kështu duhej thënë edhe këtu.
Ismail Kadare shpëtoi nga fati, sepse “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u bë bestseller në Francë dhe në Perëndim.
Dhe Enver Hoxha nuk ishte aq budalla, sa të mos kapte as këtë, që nuk mund t’i lejonte vetes një disident në përmasa perëndimore.
Por Kadareja ka qenë në luftë, sepse del edhe nga libri që është fenomen në ambientin shqiptar.
Në një ambient oriental është fenomen perëndimor.
Letërsia shqipe nuk ka qenë lindore deri në momentet kur erdhi komunizmi, por komunizmi donte t’i jepte një ngarkesë shterpë që ta shfrytëzonte për veten, me anë të një metode sovjetike që u quajt realizëm socialiste, por që ishte zhdanovizëm.
Kadareja ka një konflikt të madh me Ministrinë e Brendshme, por nuk del shumë saktë në libër.
Duhet të gërmoni se atje i keni dhe nuk kishte sesi, sepse ishte ajo lufta e madhe mes një talenti dhe antitalentit që përfaqësonte regjimi.
A.Pipa e ka thënë i pari në kritikën që i bëri veprës “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe e tha shumë bukur: “Fakti që kjo vepër letrare ka vlerë letrare, është kundër regjimit”.
Në fakt kjo është maksimë e njohur sot.
Nuk është çështja që je kundër regjimit se ka dalë dhe ke folur kundër tij. Ke krijuar metodë në funksion të një lirie.
Kështu e kam parë unë.
*Fjala e mbajtur në promovimin e librit të gazetarit Dashnor Kaloçi me titull “Kadare i denoncuar”.
******
Fragment nga libri “Kadare i denoncuar”, zbardhet letra e plotë, e përfolur se nuk ekziston
Nga Dashnor Kaloçi
I dashur shoku Enver
-Romanin “Dasma” unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent…
…U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur…?!
Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzoj me idetë e mëdha të partisë, duke i përdoruar si prestigjiator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi…?!
Bilal Xhaferr Hoxha
Dokumenti në fjalë, ashtu si dhe ai para-ardhës, është një nga më të rëndësishmit e këtij libri, jo vetëm pse publikohet për herë të parë, dhe deri më sot askush nuk e ka bërë të ditur ekzistencën e tij, (të paktën në shtyp publikisht), por dhe që hedh dritë mbi disa çështje dhe probleme shumë të përfolura të cilat kanë vite që “ziejnë” në të ashtuquajturin “çështja Kadare-Xhaferri”. Bëhet fjalë për letrën që Bilal Xhaferi i ka dërguar Enver Hoxhës, (me shkrimin e tij), lidhur me problemet e mëdha dhe pengesat që i dolën atij, direkt pas diskutimit që bëri në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë në Tiranë, ku sulmoi Kadarenë për romanin “Dasma”. Edhe pse lidhur me këtë problem, janë bërë me dhjetëra artikuj në shtypin e përditshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë (shtypi i diasporës), si dhe disa libra, (“Dosja K”, Shaban Sinani, dy botime, vitit 2005 dhe “Një enigmë me disa të panjohura. Rreth dosjes Bilal Xhaferri”, Aida Tuci, viti 2014), ekzistenca e kësaj letre nuk është përmendur as aluduar kurrë. As nga Kadareja, në të gjitha intervistat që ai ka dhënë për këtë çështje publikisht në shtyp, ku nga pyetjet e gazetarëve, e ka sqaruar gjatë atë ngjarje?! Ashtu siç shihet dhe nga letra në fjalë midis rreshtave, Bilal Xhaferri ka qenë në një gjendje tejet dëshpëruese, apo më saktë depresive, kur ka vendosur që të ulet dhe të formulojë një letër për Enver Hoxhën, duke i kërkuar ndihmë atij për gjendjen tejet të vështirë ku ndodhej?! Ka shumë arsye që mund ta kenë shtyrë Bilalin për të ndërmarrë atë hap. Versioni i parë, është ai i ndonjë prej shokëve të tij të ngushtë me të cilët mund të jetë konsultuar për hartimin e asaj letre që ai i ka dërguar Enver Hoxhës, por ky version bie pa u ngritur mirë. Dhe kjo për faktin, se askush prej tyre, si Bedri Myftari, Namik Mane, Moikom Zeqo e ndonjë tjetër që përmenden në letër-informacionin e Rita Markos, të cilët dhe faktikisht kanë qenë miqtë më të ngushtë të tij në atë kohë, nuk kanë folur kurrë për ekzistencën e asaj letre, të paktën publikisht. (Bedri Myftari prej dy vitesh ka ikur nga kjo jetë, Namik Mane është prononcuar disa herë në media për këtë problem, por jo për letrën, ndërsa Moikom Zeqo i ka qëndruar larg kësaj ngjarje dhe nuk ka folur kurrë për këtë gjë, të paktën publikisht…?!). Tjetër fakt interesant, është se as punonjësit e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, sektori i letrave, që janë marrë me atë punë, nuk janë prononcuar kurrë për të?! Të paktën publikisht në shtyp. Dhe nisur nga këto fakte e deduksione, të paktën për miqtë e ngushtë të Bilalit, bie automatikisht version se kanë pasur dijeni për letrën në fjalë. Kjo gjë bëhet më e besueshme edhe për faktin se shokët e tij më të ngushtë, (Bedriu e Namiku), nuk e patën mbështetur apo inkurajuar Bilalin edhe për diskutimin që ai do mbante në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit “Dasma” të Kadaresë. Të paktën kështu është shprehur publikisht në shtyp Bedri Myftari, disa vjet para se të ndahej nga jeta. Dhe kështu mbetët që, me shumë gjasa, ideja dhe nxitja për hartimin e dërgimin e asaj letre në adresë të Enver Hoxhës, Bilalit mund t’i ketë ardhur nga ndonjë prej funksionarëve të lartë partiakë apo shtetërorë që ishin mbështetësit e tij dhe që përmenden edhe në letrën e hartuar nga Rita Marko. Të cilëve Bilali mund t’u ketë shkuar për t’u kërkuar ndihmë apo më saktë ndonjë mendim apo sugjerim, për të dalë nga situata tejet e vështirë dhe ndoshta pa shpresë në të cilën ai ndodhej. Dhe kjo më si miri duket edhe nga letra në fjalë, ku ai flet për gjendjen e tij tejet dëshpëruese. Sa që mendon edhe vetëvrasjen, madje tejet tragjike, (duke u hedhur në rrotat e trenit…?!). Versioni që Bilali ka pasur shtytje apo indicie për hartimin dhe dërgimin e letrës në adresë të Enver Hoxhës nga ndonjë prej funksionarëve dhe zyrtarëve të lartë, (miq apo të tij mbështetës, që përmend Rita Marko në letër-informacionin e tij), bëhet dhe më i besueshëm, pasi vetëm ata mund të kenë pasur dijeni për letrën e Rita Markos dhe rrezikun që i kanosej pas mbërritjes së asaj letre në Komitetin Qendror?! Dhe ata mund t’i kenë thënë: “Bilal, nuk ka rrugë tjetër, nuk ke se çfarë të humbash më, shkruaji Enverit se ndoshta….”?! Por duket se ata kanë gabuar dhe kanë futur në qorrsokak dhe Bilalin, pasi po të kemi parasysh se si rrodhën ngjarjet më tej, Enveri nuk është prekur fare nga ajo letër…as nga përbetimet e Bilalit se “është margaritar i partisë”?! Madje përkundrazi, me shënimin që ka lënë me dorën e tij, duket se e ka “fundosur” më keq Bilalin, duke e shtyrë me thellë në honin ku ai po gremisej. Por po të shohim anën tjetër të medaljes, nuk është me e mirë situata edhe për Kadarenë?! Pra; denoncimi që Bilali i bën kolegut të tij shkrimtar, Ismail Kadaresë, tek Enver Hoxha, gjithashtu nuk mund të ishte pa pasoja. Ashtu si të gjitha dokumentet e tjera të këtij libri, edhe letrën e Bilal Xhaferit drejtuar Enver Hoxhës, po e japim të plotë.
***
I dashur shoku Enver
Unë që po ju drejtohem me ketë letër jam një punëtor. Ju shkruaj për një çështje që është çështje jete për mua, bile akoma më shumë se i kalon kufijtë e jetës sime personale dhe tani vetëm ju jeni njeriu që do ta zgjidhni përfundimisht e me drejtësi.
T’ju tregoj me dy fjalë biografinë time.
Babai im ka qenë në radhët e Ballit dhe është pushkatuar ne fillim të vitit 1945. Megjithatë, pavarësisht nga rasti i tim eti, familja jonë, duke filluar që nga Hoxha Tasimi, ka qenë një familje patriote.
Unë jam rritur jetim. Kam hyrë në punë që kur isha fëmijë dhe sot kam 17 vjet që jetoj e punoj në gjirin e klasës punëtore, si punëtor i thjeshtë në prodhim. Nuk kam mundur që të marr arsim dhe të kryej studime, por duke punuar në mënyrë autodidakte jam përpjekur të grumbulloj pak njohuri dhe të stërvit dorën në letërsi artistike. Si rezultat i përpjekjeve të mia, vitin e kaluar u vu në qarkullim një vëllim i imi me tregime dhe u botua edhe një vëllim me poezi, gjithashtu Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri”, përgatiti për të futur në shtyp një roman, të cilin e shkrova me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut.
Shkurtimisht kjo është biografia ime. Dhe tani që të mos ta zgjas dhe të mos ju shkurtoj minutat tuaja të shtrenjta, po vij te çështja për të cilën vendosa t’ju shkruaj.
Në pranverën që shkoi, u organizua në Tiranë një diskutim letrar rreth romanit “Dasma” të shkrimtarit Ismail Kadare. Atje u ngrita dhe unë të shfaq mendimet e mija. Fola kundër këtij romani. Si pasojë, ndodhi një skandal që mori më vonë përpjesëtime të bujshme. Shoku Fadil Paçrami që foli pas meje, njoftoi sallën që unë kisha babanë të pushkatuar dhe më deklaroi mua si armik, kurse romanin “Dasma” vlerësoi lart. Me autoritetin e tij ai përcaktoi qëndrimin që do të mbahej më vonë kundrejt meje.
Më pushuan nga puna. U ndalua vënia në qarkullim e vëllimit tim me poezi dhe romani im u tërhoq nga shtypi. U morën edhe masa të tjera kundrejt meje. Kështu ngjarjet ndoqën ngjarjet dhe tani unë ndodhem në një gjendje ku shpresa e vetme jeni vetëm ju, është gjykimi juaj.
Nuk dëshiroj të kundërvihem kundër një anëtari të Komitetit Qendror, siç është shoku Fadil Paçrami, as nuk dua ta paraqes veten si një viktimë e pafajshme, por megjithatë në ndërgjegjen time unë nuk jam i bindur që ta quaj veten fajtor, dhe, gjithashtu, akoma nuk jam i bindur që të pranoj se kundrejt meje janë sjellë më drejtësi Partie, me drejtësi proletare. I thonë një fjale: “Jepja pëllëmbën tjetrit, sipas faqes”.
U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur. Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzoj me idetë e mëdha të partisë, duke i përdoruar si prestigjiator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi.
Lexuesi e ka ndjenjën e së vërtetës dhe të realitetit dhe kërkon një letërsi të vërtetë dhe realiste. Ai di ta dallojë atë që shkruhet nën flakën e fantazisë së një shkrimtari, prapa së cilës flakë zvarriten hije mendimesh të shkapërdisura, zvarriten kapituj të mbështetur në rërë simbolesh e konvencionesh të errëta, të mbështetur në pajandime frazash me kuptime të paracaktuara, të dyfishta.
Romanin “Dasma”, unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent. Nuk ngul këmbë që vetëm si them unë duhet të jetë dhe që vetëm unë duhet të kem plotësisht të drejtë, po sidoqoftë mendimet që kam shfaqur, jam në gjendje t’i mbroj gjer te presja dhe te pika e fundit kundër interpretimeve të shtrembra që u janë bërë. Atje unë nuk bej aluzione, por flas hapur, saktë dhe direkt, duke marrë në analizë të metat e romanit.
Diskutimi im është bërë me shkrim dhe ekziston si dokument. Le të merret ai në shqyrtim dhe le të thirrem unë që të jap llogari për ato që kam thënë atje. Jam i bindur gjer në vdekje se e drejta është me mua për sa i përket thelbit dhe qëllimit të kritikës sime kundrejt romanit “Dasma”, dhe gjithashtu për sa i përket çështjeve të veçanta më të rëndësishme që trajtoj unë në atë kritikë.
Unë jam punëtor dhe kam shtatëmbëdhjetë vjet që punoj me djersën e ballit. Kam punuar si minator, hekurkthyes, hidraulik, punëtor krahu në bujqësi, në ekspedita gjeologjike dhe në fabrika si teknik ndërtimi, në punime rruga–ura dhe vullnetar që në aksionet e para. Kështu në gjirin e klasës punëtore po kaloj gjithë rininë time. Ndokush mund të përmend babanë tim të pushkatuar. Megjithatë, prapë se prapë, unë jam punëtor. Mua nuk më ka rritur dhe nuk më ka edukuar babai im, të cilin nuk e mbaj mënd dhe nuk e njoh, por më ka rritur dhe më ka edukuar klasa punëtore. Dhe në qoftë se duhet të flitet për atësinë time, unë jam bir i klasës punëtore i brumosur me idealet e saj. Unë vij drejt për së drejti nga zemra e kësaj klase.
Këtu jam rritur që kur isha fëmijë i njomë, këtu njoha gëzimet dhe hidhërimet e jetës, këtu mësova të shkruaj, të dashuroj dhe të urrej, këtu gjeta frymëzimin, heronjtë, gjuhën, subjektet dhe motivet. Pavarësisht nga gabimet e mia të mundshme, pavarësisht pastaj nga antipatia dhe opinion i keq që mund të kenë persona të veçantë kundrejt meje, unë mbetem gjer në fund bir i klasës punëtore dhe i Partisë së saj të punës. Në qoftë se ka njerëz që e kanë ndërgjegjen flori kundrejt klasës punëtore dhe kundrejt partisë, unë jam nga ata që e kanë margaritar. Unë kam dhënë prova për këtë, në çfarëdo kushtesh që jam vënë, kam dhënë prova në punën dhe qëndrimin tim si njeri, si qytetar dhe si punëtor kam dhënë prova me veprën time modeste letrare, ku pasqyrohet shpirti im, mendimi im, qëndrimi im ndaj çështjeve të popullit dhe të socializmit.
I dashur shoku Enver.
Unë e kuptoj mirë domosdoshmërinë për të zhvilluar luftë ndaj armikut të klasës, si dhe mprehjen e vigjilencës në kushtet aktuale të thellimit të revolucionit tonë, por njëkohësisht e di se Partia nuk gjykon thjeshtë në bazë të konceptit patriarkal të gjakut dhe nuk mund të më dënojë mua për babanë tim. Unë dua të gjykohet për jetën time. Le të më bjerë mbi kokë dënimi më i rreptë i Partisë dhe i popullit, në qoftë se kam devijuar nga çështja e Partisë dhe popullit dhe në qoftë se këtë e kam bërë me ndërgjegje dhe me qëllim, po kot së koti, pa faj, jam i bindur se nuk do të dënohem nuk do flakem tutje. Me këtë ndjenjë të palëkundur bindje dhe besimi, ju drejtohem juve që jeni njeriu më i dashur dhe më i drejtë për të gjithë ne.
Pse t’ua fsheh, shoku Enver? Jam në një gjendje të rëndë, plot ankth dhe dëshpërim dhe më duket sikur më kanë mbetur vetëm dy rrugë në jetë: ose të më jepet përsëri e drejta e botimit, e drejta që t’i shërbej çështjes së Partisë dhe popullit, ose të hidhem nën rrotat e trenit, se nuk duroj dot që të vegjetoj kot, në një jetë pa kuptim, larg problemeve të mëdha të kohës, larg artit tim.
Mbetem në pritje me shpresën tek ju.
Këtë mbrëmje të vitit tëri, ju uroj jetë të gjatë dhe forca të reja, ju uroj të jetoni edhe më shumë se 60 vjet të tjera.
Me respekt të thellë
Bilal Xhaferr Hoxha
Kullë 31.12.1969
(Shënimi i Enver Hoxhës mbi letrën e Bilal Xhaferrit: Ndonjë autokritikë …nuk bën pse lakrat që ka në kokë, për të cilat drejt është kritikuar, dhe jo se i bën kritika “Dasmës”.
Si shumë e nënvlerëson çështjen e babës, çështje që del gjerësisht e kritikuar te pjesa për “Dasmën” për ideologji…As që vlen t’i përgjigjesh
Enver
Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 584-585. Viti 1967, 1969. Fl. 1-180-214