2016-02-20

Rishikimi i domosdoshëm i historisë kombëtare



Sabri Selmani

Ata që i njohin mirë vuajtjet, plagët, dhembjet dhe shpërnguljet e çamëve dhe kosovarëve do ta kishin shkruar këtë paragraf: “Pse moj histori çame e kosovare mban shkrimin me një anë?



Pse moj nënë çame nuk po tund djepin çam, pse nuk i këndon ninulla nipit tënd çam, pse ti moj nënë çame nuk dhëndëron nipin, pse odën e madhe të nipit nuk e nusërove…? bëje atë moj nënë se ty të ka hije, ti, e cila linde pavdekshmërinë e çamëve dhe Çamërisë, ty moj nënë Çamëria të ka për shekuj, ty çamët të kanë për xhan, shpirtëroje trashëgiminë çame, lëndoje heshtjen dhe harresën e Enverit…” e ajo thotë: “S’e bëj dot, sepse s’e kam as të parën, as të dytën, as të tretën, as të katërtën, sepse ia lashë amanet Çamërisë, të gjitha m’i rrëmbeu rruga e shpërnguljeve çame”.

Dhe pse ti moj nënë kosovare nuk kërkon ta kthesh buzëqeshjen tënde të ëmbël e të humbur kosovare? A mos t’u shter moj nënë qumështi, a mos t’u shterën shpresat, a mos t’u sosën lotët për luftëtarin tënd të paepur? Pse moj nënë e Kosovës je sikletosur kaq shumë? Pse mban kokën dhe shikimin mënjanë? A mos ta lëndoi shpirtin greku, krajli e serbi?… “Eh mor bir as jam e lënduar e as e sikletosur, por… edhe unë si nëna çame nuk e bëj dot hidhërimin as për një mijë plagët e mia, nuk do lëshoj dot lot pikëllimi. Ata do t’ia dhuroj dasmës së Kosovës, nuk më ka hije sepse luftëtarin tim të paepur vetë ia dhurova lirisë së Kosovës, asaj Kosove të përvuajtur”. Dhe ju “këndonjës të nderuar” nëse ky paragraf i lartpërmendur nuk denigrohet dhe nuk kallkanoset, atëherë Akademia e Shkencave dhe Arteve duhet të rishikojë dhe rishkruajë historinë tonë kombëtare. Unë mendoj se është një ide mjaft humane, një ide krejt fisnike, një ide mjaft e qëndrueshme, një ide që në instancë të fundit do të duhej të jetë gjithëkombëtare. Dhe të gjithë ne nëse nuk e kuptojmë gabimisht këtë ide, atëherë ajo, assesi nuk do të duhej të minimizohet, politizohet, regjionalizohet dhe të diskreditohet. Përkundrazi, asaj duhet t’i hapet rruga drejt emancipimit të saj të plotë, atë duhet ta nxjerrim në një dritë pozitive.

Ky projekt nuk duhet të ketë një këndvështrim të njëanshëm. Ai meriton qasjet dhe pozicionet tona unike dhe mbi të gjitha, institucionale. Ai projekt kërkon hisen e djersës së njerëzve që historinë kombëtare e kanë për zanat. Përndryshe të gjithë ne, në gjykimet tona me siguri s’e kemi hetuar faktin se historisë sonë kombëtare, kështu siç është shkruar dhe shikuar, i ngjiten një mori gjymtimesh, si në aspekt të semantikës, sintaksës, didaktikës, në aspekt të gjenealogjisë dhe metodologjisë së hulumtimit të saj të deritashëm.

Kësaj historie i hetohen edhe ca defekte të tjera që nuk mund të tolerohen si për shembull mungesa e një komunikimi institucional me atë të shqiptarëve të Maqedonisë të cilët në vazhdimësi janë emërtuar si “shqiptarë maqedoncë”, ata të Kosovës si shqiptarë “qaramanë” siç do t’i quajnë serbët apo ata të Malit të Zi “shqiptarë të Podgoricës” apo ata të Luginës së Preshevës “shqiptarë melezë” e të tjera emërtime të bastarduara. Kjo të ndërgjegjëson se historisë sonë, kështu siç është ndërtuar, dita-ditës i zbehet dhe i shteret shpirti kolektiv. Por para se të fillohet me rishikimin, rishkrimin, shkrimin dhe zbardhjen e saj të tërësishëm, paraprakisht duhet të respektohet dimensioni i saj politik, fetar, demografik, dokimologjik, ipsativ, si dhe dimensioni konfigurial dhe, ky i fundit, definitivisht do ta arsyetonte idenë në fjalë nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, asnjë rishkrues apo rishikues nuk do të gjente hapësirë kundrejt një të vetme pakënaqësie qoftë ajo të jetë individuale ose kolektive.

Historia jonë meriton të rishkruhet toptan, asaj duhet t’i rishikohet dhe t’i zbardhet sidomos kaptina e saj e sakatosur, e nakatosur, e shtrembëruar dhe e heshtur, duke filluar nga Bordelet e Konferencës së Londrës, nga koha e Çubrilloviçit, nga koha e shpërnguljeve masovike, nga koha e marrëveshjes turko-serbe, Rankoviçit, Goli Otokut, Zabelës dhe Idrizovës së Titos, Millosheviçit… Ajo duhet të shkruhet në vazhdimësi dhe jo të belbëzohet. Mbase ajo nuk është reflektim i kohës së decenieve, është shprehje e frymëmarrjeve tona shekullore. Ajo u duhet dedikuar njerëzve që u mungoi përlotja jonë pa u thënë asnjë fjalë. Ata merituan së paku një epistolar poetik, së paku një llaf lapidar sepse tek e fundit shpirtrat e tyre janë pronë të vatanit. Le të rishkruhet, rishikohet dhe shkruhet historia çame, historia e shqiptarëve të Maqedonisë, të Kosovës, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi dhe atyre të diasporës, sepse edhe këto histori kanë eposet, doket, plagët, këngët, djepat, llafet, sociolektet dhe kodin e tyre moral. Ata nuk mund të ngelin jashtë anit të shtetit amë. Këtij rishikimi dhe rishkrimi i duhet një gjenealogji dhe një sintaksë e re që do ta kurorëzojë historinë çame, kosovare, të shqiptarëve të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës… me historinë e Shqipërisë politike sepse… historitë e sipërpërmendura “…nuk janë bimë të mbira mbi pleh, por një popull me rrënjë të thella në histori” (Dino Kaja). Mungesa e këtij kurorëzimi do ta anashkalonte historinë tonë autoktone dhe njëkohësisht do ta vagëllonte idenë tonë kundrejt këtij projekti dhe kjo përpjekje jona nuk duhet të perceptohet me dyshim, përkundrazi, gjykimet tona duhet të jenë optimiste.

Ndërkaq, periudha e sundimit despotik dhe diktatorial në Shqipëri duhet të fashitet dhe t’i fshihet edhe sintaksa shqipe, edhe drejtshkrimi e drejtshqiptimi, edhe emri, edhe… unë s’di edhe çfarë tjetër duhet t’i fshihet, një despotizëm i cili plot dyzet vjet për hesap dhe për hatër të internacionalizmit socialist, i futi veshët në lesh sa për të mos dëgjuar hallet dhe dertet e Kosovës, Çamërisë… i cili plot dyzet vjet nuk tha as një të vetmin llaf për shqiptarët këtej kufirit, këtej Shkupit, këtej Podgoricës, këtej Çamërisë, këtej Luginës së Preshevës dhe këtej...!?

Postuar nga AGJENCIONI FLOART-PRESS në 9:49 e pasdites

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...