Kosova ishte nën shtetrrethim. Suprimimi i autonomisë së Kosovës ishte vendim që siguronte supremacinë serbe në federatën e atëhershme jugosllave, sidomos kur dihet se Serbia kishte realizuar dominimin në Vojvodinë dhe Malin e zi. Komploti ishte i organizuar nën presionet politike dhe kërcënimet e makinerisë ushtarake e policore – jo vetëm serbe – jashtë ndërtesës së Kuvendit.
Sidoqoftë, brenda në sallë ishin disa deputetë shqiptarë që nuk u frikësuan dhe i ngritën gishtat kundër heqjes së autonomisë së Kosovës. Nga 190 delegatë të tri dhomave sa kishte atëherë Kosova, në disa studime del se Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha votojnë kundër suprimimit të asaj autonomie. Dy delegatë thuhet se abstenojnë, ndërsa 25-30 mungojnë në seancë.
Në xhirimet të cilat janë publikuar nga mediat ndërkombëtare, ku dominon imazhi i deputetit Lluka duke ngritur gishtat kundër ndryshimeve, simbolizohet rezistenca dhe përfaqësimi i vullnetit të shqiptarëve shumicë të Kosovës. Qëndrime të tilla publike ka dhënë edhe delegatja Melihate Tërmkolli.
Suprimimi i autonomisë pasoi pushtimin klasik të Kosovës. Demonstratat shpërthejnë anekënd Kosovës. Dhjetëra të rinj shqiptarë vriten nga milicia serbe.
Ndonëse shumica e deputetëve nënshtrohen ndaj politikës serbe, kundërshtimi i këtij numri të vogël të deputetëve megjithatë mbajti gjallë shpresat e shqiptarëve, sepse ata përfaqësonin vullnetin e shumicës. Kështu, para 25 viteve, në momentet shumë të rënda për shqiptarët e Kosovës, këta delegatë megjithatë ia dolën ta ruajnë nderin shqiptar, të jenë dëshmi se ky popull nuk ishte gjunjëzuar tërësisht.
Më poshtë mund ta shihni dokumentarin e njohur të BBC-së, Vdekja e Jugosllavisë.