Nga Gilman Bakalli
Suksesi i një piktori, shkrimtari dhe cilitdo artisti të ri, nuk varet vetëm nga cilësia e veprës së tij, por edhe nga rrethana jashtartistike, si: e kaluara, juritë, marketingu, reputacioni etj. Bakalli shprehet se kjo gjë nuk mund të mos ketë ndikim në çmimet letrare. “Parimi i Mateut”, ku ai që ka do të ketë edhe më shumë, nuk mund të shmanget për fat keq as në këto çmime.
Sa është probabiliteti që pikturat e një piktori të ri të talentuar të pranohen në një ekspozitë prestigjioze? Vështirë ta llogarisësh! Por eksperienca na jep disa indikatorë për ta parashikuar atë: shumë i vogël! Sepse fillimisht, shkalla e probabilitetit varet jo dhe aq nga talenti i piktorit, sesa nga reputacioni i pretendentëve që konkurrojnë për të njëjtin qëllim. Nëse mes tyre ka piktorë me karrierë të gjatë, gjykimin e komisionit vlerësues do ta mjegullojë e kaluara e suksesshme e artistit në fjalë. Përgjithësisht për anëtarët e një jurie, cilësia e një vepre artistike në shqyrtim merret si vazhdim i së kaluarës artistike. Mirëpo, fakti që dikur ke bërë piktura të mira, nuk do të thotë se do bësh përherë të tilla. Gjykimi induktiv shfaqet më imponues se kurrë në rastet e vlerësimeve të vlerave artistike. Por anëtarët e jurive janë njerëz dhe njerëzit kërkojnë pika mbështetjeje me konsensus të gjerë për gjykimet e tyre. Midis një piktori të ri e të talentuar dhe një piktori të njohur e të afirmuar, juria do zgjedhë të dytin. Dhe ja ku jemi brenda një rrethi vicioz, prej të cilit, vështirë të dalësh. Që të mund të jetosh si piktor me punën tënde, duhet të marrësh pjesë nëpër ekspozita. Për t’u pranuar nëpër ekspozita, duhet të jesh i njohur, për t’u njohur, duhet të marrësh pjesë nëpër ekspozita, për t’u pranuar nëpër ekspozita…..Talenti, pra nuk është garanti i vetëm i sigurt për suksesin, sepse rrezikohet nga reputacioni. Dhe, dihet që reputacioni nuk arrihet vetëm nëpërmjet talentit artistik.
E njëjta gjë edhe me aktorin. Edhe për suksesin e tij, një rol vendimtar luan reputacioni. Reputacioni i një aktori krijohet në saje të roleve të mëparshme të suksesshme. Sa më prestigjioz roli, aq më i madh reputacioni që përftohet. Mirëpo, rolet prestigjioze iu jepen artistëve me reputacion. Dhe ja ku vihet sërish në lëvizje rrethi vicioz i papërshkueshëm: për t’u njohur duhen role, për të marrë role duhet reputacion, për të fituar reputacion duhen role e kështu me radhë.
Vijmë te shkrimtari. Provën e parë shkrimtari i ri e ka me shtëpinë botuese. Shtëpitë botuese, si institucione me logjikë ekonomike, kanë nevojë për firma të njohura, të cilat i rrisin mundësitë e shitjes dhe fitimeve në tregun e librave. Prandaj, priren të pranojnë e të botojnë libra autorësh të njohur dhe me reputacion. Reputacioni i një shkrimtari krijohet kryesisht nga çmimet letrare të mëparshme të rëndësishme. Sa më i rëndësishëm çmimi, aq më i madh reputacioni që përftohet. Mirëpo, çmimet prestigjioze ju jepen shkrimtarëve me reputacion. Dhe ja ku jemi brenda një rrethi vicioz të papërshkueshëm: për t’u njohur, duhet të fitosh çmime letrare, për të fituar çmime letrare duhet të jesh i njohur e kështu me radhë.
Suksesi i aktorit, shkrimtarit dhe piktorit, përcaktohet në një masë dërrmuese nga “parimi i Mateut”. Kapitulli 25 i Biblës, vargu 29: “Atij që ka, do t’i jepet akoma më shumë e do ketë me bollëk të madh…”. Në sociologji, ky mekanizëm quhet “efekti i Mateut” dhe përshkruan një proces, gjatë të cilit sukseset e tanishme nuk përcaktohen nga rendimenti dhe zotësitë aktuale, por nga arritje të mëparshme. Nëse aktori ia ka dalë që, përmes një kombinimi rrethanash të ndryshme (pa përjashtuar edhe talentin), të ketë kapur ndonjë rol me peshë, gjasat janë që ai të marrë në të ardhmen gjithnjë e më shpesh role me peshë. E kaluara e tij do punojë vazhdimisht në favor të tij dhe do i sjellë avantazhe të njëpasnjëshme. Suksesi i mëparshëm gjeneron suksesin e radhës. Kush ka arritur të ekspozojë veprat e tij në ndonjë ekspozitë me emër, nuk do ketë më nevojë të presë në radhë për ekspozitën e ardhshme. Gjasat janë që organizatorët ta marrin në telefon dhe ta pyesin nëse ka ndonjë pikturë për ekspozitën e ardhshme. Kush ka botuar një herë dhe ka arritur ta zgjojë me forcën e mjeteve të ndryshme publicistike vëmendjen e publikut, do ta ketë shumë më të lehtë t’i fitojë betejat e marrjes së çmimeve letrare në të ardhmen. Gjykimi induktiv i tipit “një shkrimtar që ka shkruar dikur ca vepra të mira shkruan gjithmonë vepra të mira” si pjesë e pashmangshme e gjykimit të jurive letrare, i jep flatra “parimit të Mateut”. Diferencat e vogla fillestare midis artistëve garues për një rol, çmim letrar apo ekspozitë, kthehen në hendeqe gjigante me kalimin e kohës. Për njërën palë, sukseset rriten në mënyrë eksponenciale, për të tjerët (edhe pse të talentuar) vjen në mënyrë të pashmangshme stanjacioni. Parimi i Mateut nxit dhe ngurtëson një bllokadë sociale, e cila i forcon pabarazitë. Logjika e vlerësimit mbi bazën e performancës i lëshon vendin logjikës “the winner-takes-it-all”. Fitimtari merr gjithçka. Gjithmonë. Çmimet letrare rrezikojnë kësisoj të përqendrohen tek ata aktorë, të cilët ia dalin të sigurojnë vazhdimisht vëmendjen e publikut. Në vend që të zbulojnë toka të reja e të pashkelura, ata thjesht ushqejnë me reputacion toka të stërnjohura. “Parimi i Mateut” dekurajon talentet e reja dhe kthehet në armik të meritokracisë.
Kishte të drejtë profesori im austriak, i cili, në orët e seminarit të kritikës letrare, tekstet letrare për lexim na i jepte pasi ua kish hequr titullin dhe emrin e autorit. Një metodë, e cila, me disa modifikime, duhet aplikuar urgjentisht edhe për juritë e çmimeve letrare në Shqipëri.