Me memorial nuk kuptohet vetëm diçka madhështore, në formë të ndonjë pllake përkujtimore, lapidar, kompleks memorial dhe ngjashëm. Me fjalën memorial mund të kuptohet edhe një shenjë e vogël simbolike, qoftë edhe një lule apo kurora lulesh, një mbishkrim sado i vogël që shënon vendin e vdekjes dhe ripërtërin kujtesën.
Nga Zanita Halimi*
Memorialet buzë rrugës janë bërë dukuri e rëndomtë e kohës moderne. Pamjet e tyre vizuale janë mjaft të efektshme dhe pothuajse te çdo kalimtar zgjojnë ndjenja e asociacione rreth vdekjes. Jeta moderne po ec me ndryshime të mëdha. E kaluara nuk mund të jetojë gjatë, prandaj duhet të ndërtohet, restaurohet, skalitet, pikturohet etj. Ne duhet të jemi ata bartës të kujtesës shoqërore. Këtë mund ta bëjmë përmes rrëfimeve, eksponateve muzeale, si dhe përmes memorialeve. Memorialet tregojnë se kujtesa shoqërore përcakton të kaluarën si mbetje e rëndësishme në jetën e njerëzve, dhe ajo energji, intelekt, ato para harxhohen në krijimin e pozitës fizike të kujtesës, që ne mund ta shikojmë, ta prekim, të ecim përreth, të hyjmë, të bëjmë fotografi ose te shkruajmë rreth tyre. Kjo është çka e bën fizike; pozita publike të kujtesës flet për dhe vetveten, identitetin dhe eksperiencën. Me memorial nuk kuptohet vetëm diçka madhështore, në formë të ndonjë pllake përkujtimore, lapidar, kompleks memorial dhe ngjashëm. Me fjalën memorial mund të kuptohet edhe një shenjë e vogël simbolike, qoftë edhe një lule apo kurora lulesh, një mbishkrim sado i vogël që shënon vendin e vdekjes dhe ripërtërin kujtesën. Së këndejmi mund të thuhet se kur njeriu i lexon të dhënat në memoriale si dhe shkrimin që gjenden në të ai në njëfarë mënyre edhe bisedon me vdekjen, për disa çaste mendon për vdekjen, shpreh keqardhje e pikëllim për humbjen e një personi të caktuar dhe aty për aty shpreh ndonjë mendim, ndonjë botëkuptim për jetën dhe për vdekjen. Ndërtimi apo ngritja e Memorialeve bën pjesë në traditën dhe kulturën e çdo populli. Memorialet si shenjë përkujtimi ndaj individëve të caktuar ndodh të ndërtohen nga institucionet shoqërore, nga anëtarë e familjes, apo nga ana e komuniteti të caktuar. Pavarësisht nga fakti se kush e ndërton, të gjitha memorialet kanë një qëllim të njëjtë. Kjo është dëshira e përjetësimit të kujtesës për të humburit. Po ta vështrojmë këtë dukuri në një kohë pak më të largët do të shohim se pjesa dërrmuese e këtyre memorialeve është e ndërtuar prej guri. Më të njohura janë Megalitë- menhirë, të cilët janë gurë të gjatë masivë, shpeshherë të papunuar fare, që vihen në varret e të vdekurve e që janë trupëzim, materializim i shpirtrave të të vdekurve. Muranat në vendet ku kanë gjetur vdekjen njerëz të caktuar, të njohur dikur në krahinë për akte e cilësi krejt të veçanta e tepër tingëlluese, shumë më herët a më vonë janë të një lloji të veçantë, sado që dhe këto ndryjnë në vete një lloj shenjtërie. Edhe në këto murana hidhen gurë kushtues; këta më të fortë për respekt ndaj të vdekurve.
Memorialet e zbukurojnë apo stolisin të kaluarën duke evokuar disa epoka madhështore, disa persona të fuqishëm, disa ngjarje të veçanta. E përbashkëta e këtyre evokime është ndodhim pas ngjarjes. Memorialet mund të përshkruhen edhe si retorikë e ngurtësuar. Kjo mund të shpjegohet me faktin se në çdo memorial përveç të dhënave personale të personave të cilëve u janë ngritur memorialet, ka edhe një tekst që jep një porosi të caktuar dhe ky tekst në formë të retorikës jep apo përcjell mesazhe te çdo vizitor i memorialeve. Ato luajnë një rol të veçantë në mirëmbajtjen, riparimin dhe krijimin e kujtesës shoqërore.
Pierr Nora e konsideron Kujtesën shoqërore si një medium tradicional për ta kuptuar të kaluarën. Në këtë rast edhe memorialet paraqesin një medium sepse si të tilla janë në gjendje të komunikojnë, të ofrojnë informata për ngjarje apo bëma të caktuara, në vende e kohë të caktuara. Kujtimet si një medium për ta kuptuar të kaluarën, janë pjesë e plotë e praktikave kulturore të cilat vazhdimisht janë duke u adaptuar dhe rishprehur të takojnë nevojat e së tanishmes.
Nga vetë fakti se ne i vizitojmë këto memoriale në kohë të caktuar, respektivisht në përvjetorë, dhe në ditë të caktuara festive dhe kujdesemi për mirëmbajtjen e tyre tregon se për të humburit kujtesa është e vazhdueshme. Kjo më tepër i takon kohës moderne ngase, në të kaluarën kjo dukuri nuk ka qenë e shprehur dhe manifestuese si në kohën e sotme. Ne jemi të lidhur me kujtesën shoqërore nga ngjarjet e kaluara të cilat mund të jenë të nxitura në forma indirekte duke lexuar apo dëgjuar, në përkujtime dhe në raste festive ku njerëzit mblidhen së bashku që të kujtojnë në mënyrë të përbashkët një akt heroik dhe të përmbushur gjatë vdekjes së anëtarëve të grupit.
Memorialet e luftës
Memorialet e luftës janë të perceptuara si bartëse të historisë dhe të kujtesës shoqërore. Ato po bëhen simbole të së kaluarës, qytetit dhe të identitetit. Memorialet e luftës të rëndësishme i bëjnë materiali i veçantë i përdorur për ndërtim dhe hapësira- lokacionet ku janë vendosur.
Në këto memoriale heronjtë përshkruhen me pamje fotografike me simbole të tyre, ose diçka tjetër duke reflektuar kështu ideale të së kaluarës. Shumë memoriale kanë për qëllim dhe porosi të imitojnë virtytet që i kishin heronjtë e tyre, dhe njëherësh u kujtojnë e sugjerojnë njerëzve çka të besojnë dhe si të veprojnë.
Memorialet e luftës duhet të trajtohen si bartëse të domethënies të veçantë, dhe këto duhet të mbrohen, mirëmbahen sepse paraqesin një model të veçantë të rregullës shoqërore të ndërtimit dhe përkujtimit.. Evoluimi i qëndrimeve dhe ideve shoqërore rreth mbrojtjes së memorialeve janë kryesisht reflektim i ndryshimeve në kuptime se çka duhet të mbrohet dhe çka meriton të përkujtohet.
Pas luftës në Republikën e Kosovës kanë filluar të ndërtohen shumë memoriale si në vende urbane po ashtu edhe në vende rurale. Materialet për ndërtimin e këtyre memorialeve janë nga më të ndryshimet, varësisht prej statusit ekonomik të familjes ose të komunitetit. Memorialet e luftës janë të një rëndësie të veçantë sepse në rend të parë ato janë përcaktuese të kohës. Gjithashtu paraqesin një vlerë historike sepse janë lidhëse në mes personit të rëndësishëm historik dhe ngjarjes. Po ashtu paraqesin një material të rëndësishëm dokumentues dhe në vetë përmbajnë vlerë simbolike si atë tradicionale dhe gjithsesi vlera për shprehjen e identitetit të një komuniteti më të gjerë. Memorialet e luftës paraqesin edhe një vlerë ambientale respektivisht hapësinore sepse ndikojnë në strukturën dhe panoramën e vendit përkatës. Memorialet po bëhen galeri e pamjeve të së kaluarës që është e hapur për të gjithë.
Memorialet e aksidenteve të trafikut
Memorialet e viktimave të trafikut janë me përmasa të vogla dhe më pak te kushtueshme. Kryesisht ndërtohen nga familjarët apo edhe nga shoqëria e viktimës. Ato ndërtohen në vendin ku ka ndodhur aksidenti. Përcaktimi i këtillë ngërthen në vete dy çështje më kryesore, përveç anës emocionale dhe përkujtimore të familjes ka edhe një qëllim tjetër atë të protestës kundër trafikut.
Memorialet e aksidenteve të trafikut kryesisht i dedikohen kujtimit të të rinjve, dhe janë të vendosur buzë rrugëve, në forma të ndryshme qoftë në formë të pllakave përkujtimore, po ashtu në terren kemi hasur edhe forma nga më të ndryshmet, mjaft interesante të këtyre memorialeve të cilat do t’i shpjegojmë në vazhdim.
Të rinjtë shfaqin një dëshirë të caktuar që mund te shpie edhe në rrezik. Ata arrijnë në situata ekstreme si garë me motorë a me vetura. Vdekja në veturë është e ngjashme sikur të vritesh në fushëbetejë, është vdekje publike, vdekje e respektuar. Kjo ndoshta merr “vlerën” e vet në raste të garave të organizuara institucionale, kombëtare, ndërkombëtare ose botërore. Për dallim nga memorialet e luftës, ku secili kalimtar sa shikon flamurin që valëvitet, menjëherë e di se aty afër ndodhet ndonjë memorial i luftës, buzë rrugës ku sheh kurora lulesh të shumta atëherë aty kemi të bëjmë më aksidente trafiku.
Memorialet, dëshmi e kohës
Mund të konstatojmë se memorialet duhet të dokumentohen edhe më shumë, si p.sh., me harta, me fotografi, me matje të hapësirave e të objekteve memoriale, në mënyrë që të mbetet si dëshmi e kohës. Gjithashtu, shfaqet e nevojshme të punohet institucionalisht dhe të mirëmbahen këto memoriale, sepse janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe dëshmi monumentale të kohës.