"Dorëheqje zinxhirore, në planin moral, është dashur të ndodhte, por dihet se kjo kastë politike nuk merakoset për shkatërrimin e Kosovës, e lëre më të flasim për dorëheqje për arsye morale, derisa është drejtësia selektive që e ka sjell Kosovën deri në këtë stad, ku asnjëri nga oligarkët politikë nuk është prangosur, ndërsa të tjerët, të shkretit edhe mund të vriten, jo në rrugë, por në burgje, dhe askush nuk jep përgjegjësi, askush nuk jep dorëheqje?!", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Shefqet Dibrani ,raporton Gazeta Kosova Sot
Dorëheqja nga postet ministrore që nga paslufta e këndej kanë munguar gjithnjë, që të shërbejë si një akt moral dhe shembull për një qeverisje serioze. Rasti më i freskët i kësaj natyre është edhe ministrja aktuale e drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila si duket nuk e ka parë të udhës që të bëhet ndër shembujt e paktë të kësaj kthese, duke dëshmuar kësisoj devotshmëri dhe seriozitet pas rastit tragjik të vdekjes së veprimtarit të VV-së, Astrit Dehari. Ndaj është shtuar çështja se a duhet të japë dorëheqje ministrja e Drejtësisë, e cila ndonëse ka vetëm një kohë të shkurtë që është në këtë post, nga tragjedia që ndodhi duket se ajo nuk e di se çka po ndodh në burgjet e vendit, ku të burgosurit po e pësojnë më së rëndi. Po ashtu, është ngjallur edhe dilema se a vepron drejtësia në Kosovë në mënyrë selektive, pasi njerëzit e aferave 'Pronto' dhe fëmijët e tyre shpëtojnë pa ferrë në këmbë dhe pa u lagur, ndërsa mbahen në burgje njerëz si aktivisti i opozitës, Astrit Dehari, që për fat të keq të tij dhe familjes e gjeti vdekjen aty. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se vdekja tragjike e veprimtarit të VV-së, Astrit Deharit, duke u mbajtur në paraburgim kaq kohë dhe pa u gjykuar për veprën e supozuar, në një nga burgjet e Prizrenit, është mjaft rast indikativ për sigurinë në jetën e të burgosurve që vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës. Sipas tij, ky rast tregon se, pa marrë parasysh rrethanat e vdekjes së Astritit, atë se siguria dhe gjendja në burgjet e Kosovës nuk është asfare në gjendjen e duhur dhe për këtë përgjegjësisë e bart drejtpërdrejt kreu i Ministrisë së Drejtësisë, nën menaxhimin e së cilës ministri janë edhe burgjet.
Drejtësia selektive "Vetëm nëse vdekja e Astrit Deharit ka qenë vdekje e natyrshme, që kjo lë pak hapësirë për të dyshuar, që sipas një deklarate të prokurorit Sylë Hoxha, se kufoma kishte shenja të gërvishtjes në qafë, për çka ka indice se vdekja mund t'i jetë shkaktuar me përdorimin e forcës ndaj, tashmë të ndjerit, Astrit Deharit", tha Kelmendi."Ndërsa, në anën tjetër, sa për "institucionin" e dorëheqjes, këtu tek ne, në Kosovë, qoftë edhe si përgjegjësi morale, kjo nuk ekziston në mendësinë dhe në ndërgjegjen tonë njerëzore, prandaj ky institucion i përgjegjësisë morale ndaj rasteve, edhe atëherë kur përgjegjësia nuk bie direkt, do të duhej që të mendohej edhe për llogaridhënie me aktin e dorëheqjes, sikur në disa raste tjera në ministri e resorë tjerë, siç ishte p.sh rasti në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj rasti në Ministrinë e Jashtme etj., por që akëcilët ministra lëre që nuk denjuan as të japin dorëheqje, por shkuan edhe më larg, duke thënë se "as ndërmend s'e kam të jap dorëheqje", kjo tregon anën shumë të errët të mendësisë dhe moralit njerë- zor në rend të parë, e pastaj atë përgjegjësinë profesionale dhe etikën në detyrat dhe obligimet e punës dhe përgjegjësive, e që në rend të parë këto përgjegjësi bien mbi ata që janë në krye të këtyre dikastereve", ka vijuar më tej ai. Ndërsa, sa i përket asaj kur shtrohet pyetja se a vepron drejtësia në mënyrë selektive, Kelmendi në këtë drejtim shprehet se kjo është e sigurt, duke qenë, siç tha, dëshmitarë të shumë rasteve kur kjo drejtësi në Kosovë ka vepruar dhe vepron në mënyrë selektive. Vdekje tronditëse Analisti tjetër, Shefqet Dibrani, thotë se rasti i Astrit Deharit do të duhej ta trondiste Kosovën, derisa nisur nga kjo, sipas tij, qytetarët nuk duhet të rrinë indiferent, por do të duhej që ata të dilnin në mënyrë masive dhe të organizuar në rrugë për t'i larguar nga udhëheqja njëherë e përgjithmonë njerëzit e sojit të klanit "Pronto", i cili tashmë qëron hesapet edhe me vdekje me kundërshtarët politikë. Tutje, sipas tij, rasti i Astrit Deharit po ashtu do të duhej të prekte në ndërgjegjen e secilit qytetar të Kosovës, pasi kjo familje ka prejardhje nga Kumanova dhe që jo fort larg kësaj familje iu mbyt edhe një djalë, i cili po ashtu ishte aktivist i VV-së."Pra, profesor Avni Dehari, që u kthye nga Zvicra, tashmë i përcolli në shtëpinë e tyre të fundit të dy djemtë, të cilët bashkë me familjen janë kthyer nga Zvicra për t'i shërbyer Kosovës.
Prandaj, jo vetëm për shkakun e vdekjes së dyshimtë, por edhe sikur ajo vdekje të ishte krejt e natyrshme do të duhej, ministrja e drejtësisë, Dhurata Hoxha, të jepte dorëheqje të menjëhershme, kurse ajo dorëheqje do të duhej të shoqërohej menjëherë edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i cili bashkë me zinxhirin komandues të burgjeve do të duhej të jepnin dorëheqje morale, kurse dyshimet për implikim të personave në këtë rast deri tash do të duheshin që të njëjtit të ishin prapa grilave, sepse rasti i Astrit Deharit nuk ka ndodhur në mal, por në vendin e kontrolluar, nga ata që thirrën për siguri", ka shtuar ai. Dibrani më tej shprehet se po sikur të vepronte drejtësia në Kosovë, ministrja do të duhej të jepte përgjegjësi për pjesën e vet, për paaftësinë e saj, pasi ajo nuk e ditka se çfarë ndodh në burgjet e Kosovës. "E po nuk ka drejtësi e siguri profesionale në Kosovë, ku përkthyesit dhe stafi teknik bëhen ministra, kur nga sekretaresha, të cilat dukeshin sikurse të ishin manikene, parukiere, ose punëtore për buzëkuq e grim të fytyrës, si dhe shërbyese për kafe që klasifikohen si pjesë e stafit teknik, nëpër zyrat e kabinetet e zyrtarëve politikë, po emërohen në poste të rëndësishme, ku ndahet drejtësia e bëhet siguria?!", tha Dibrani.
Llogaridhënia, në nivele skandaloze Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se është evidente se në institucionet tona ka pak përgjegjësi për sa u përket llogaridhënies dhe seriozitetit të qeverisjes, ngase, sipas tij, në çdo rast ka pasur situata të ndryshme në dikastere të ndryshme dhe që është dashur gjithsesi të ketë llogaridhënie dhe dorëheqje nga bartësit e dikastereve të caktuara, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. "Por edhe me këtë rast pra është çështje që ende nuk dihet se si janë zhvilluar rrethanat, janë marrë masat formale të paktën sipas zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, pra ministres, por ende nuk dihen rrethanat e plota dhe ende nuk ka një ekspertizë të themi dhe një konkluzion mjeko-ligjor forenzik, prandaj pasi të jepet ajo dhe të merret vesh për rrethanat e vdekjes të panjohura deri më tani të të riut nga Prishtina në burgun e Prizrenit, sigurisht se do duhej të merrej parasysh edhe përgjegjësia, por edhe llogaridhënia e gjithë zyrtarëve që kanë përgjegjësi ose që mund të kenë përgjegjësi në këtë rast, bazuar në udhëheqjen që kanë në dikasteret përkatëse", ka vijuar më tej ai. "Kësisoj deri atëherë nuk mund të thuhet me saktësi se çfarë ka ngjarë, por siç tha është evidente se nuk ka përgjegjësi dhe as llogaridhënie në nivelin e duhur dhe të mjaftuar në institucionet tona të paktën në qeverisjen e gjertanishme që nga paslufta e deri më tani, ka potencuar profesori Mazllum Baraliu për gazetën "Kosova Sot".
Qeveria kërkon hetime Kryeministri Isa Mustafa ka shprehur dhimbjen dhe hidhërimin e Qeverisë për vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit. "Kërkoj që institucionet e Republikës së Kosovës t'i bëjnë të gjitha veprimet e pavarura, në mënyrë që të konstatohen rrethanat, në të cilat ajo ka ndodhur dhe në të gjitha këto të kemi të kyçur edhe ekspertë vendorë dhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët i kemi edhe këtu, në mënyrë që konstatimet dhe të gjeturat të jenë krejtësisht të pavarura dhe të jenë transparente për publikun", tha kryeministri Mustafa. Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka bërë të ditur procedurat e ndërmarra nga institucionet, në mënyrë që i gjithë ky proces të jetë plotësisht transparent dhe opinioni të informohet me kohë."Kemi angazhuar edhe Inspektoratin e Shërbimit Korrektues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe posa të dalin me të gjeturat e tyre edhe këtë raport do ta bëjmë publik dhe në pajtim me të gjeturat e tyre do t'i marrim të gjithë hapat dhe veprimet e tjera do të përcaktohen varësisht nga raportet zyrtare nga të gjitha institucionet dhe të gjithë mekanizmat që i kemi bashkërenditur dhe i kemi koordinuar të gjitha veprimet në lidhje me ndriçimin sa më të shpejtë të këtij rasti", bëri të ditur ministrja Hoxha. Ndërsa, në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të mbajtur dje, kryesuesja e komisionit, Selvije Halimi, zëvendëskryetare e parë e komisionit, në fillim të kësaj mbledhje ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vdekjen e Astrit Deharit, në qendrën e paraburgimit në Prizren."Kërkojmë nga organet kompetente, të prira nga Ministria e Drejtësisë, si mbikëqyrëse e qendrave korrektuese, që në kohë sa më të shpejtë dhe në mënyrë profesionale të zbardhin të vërtetën dhe të gjejnë shkaktarët e vdekjes së personit të paraburgosur", është shprehur Halimi.