2016-11-11

Shumica e heshtur e Amerikës së Donald Trump




GAZMEND SYLA


 Kur të premten e kaluar po sillesha nëpër turmën e njerëzve në tubimin e Donald Trump, në një hangar të qytetit Wilmington të Ohios, më ra në sy një parullë. Ishte disi e veçantë, pasi nuk e kuptoja mirë se cili ishte mesazhi që ajo përçonte.

“Shumica e heshtur për Trump”, shkruante në të.

“Çfarë do të thotë kjo?”, e pyeta një të moshuar, që e mbante në dorë.

“Do ta kuptosh më vonë”, më tha ai.

E lashë me kaq, me idenë se as plaku nuk ia ka idenë se çfarë është ajo. Mendova se ia ka dhënë dikush ta mbajë dhe ai nuk po bën gjë tjetër, pos që e kryente një punë që i ishte thënë ta bëjë.

Duke mos menduar për këtë, të nesërmen shkova të shoh si po shkojnë votimet në Cuyahoga County, në qytetin e Ohios, Cleveland.

Ndonëse joetike, më interesonte të dija se për kë do të votojnë këta njerëz. Kishte që nuk donin të flisnin. E ata që pranonin, me shumicë dërmuese ishin pro Hillary Clinton.

Dikur vonë pata fatin ta intervistoj një votues të Trump. Ishte një grua, latinos, siç i quajnë këtu të ardhurit nga Meksika e Amerika Latine. Republikani nuk i do ata në vendin e tij. I quan kriminelë dhe drogaxhi.

“Trump e ka mirë. Kush vjen këtu e bën keq, duhet të kthehet. Kush rri mirë e punon mirë, bëhet amerikan i mirë”, më tha ajo.

Meqë ishte vetëm një me Trump e shumë më Clinton, për arsye profesionale të zanatit tim, duhej të kërkoja edhe tjerë që janë me republikanin

“Kot e ke. Ata nuk flasin pasi fshehen. Nuk duan të deklarohen se e mbështesin atë”, më tha një nga punëtorët zgjedhor. “Ose të gënjejnë se janë me Trump”.

Nuk i besova. Kjo është Amerikë dhe liria e shprehjes këtu është mbi çdo gjë tjetër, thashë me vete. Pse mund të kenë frikë njerëzit të deklarohen?! Kot ia futi tipi.

Por, kështu më ndodhi edhe ditë ne zgjedhjeve, kur vizitova dy vendvotime në Lower Manattaan të New Yorkut. Pos një amerikani me origjinë ruse, të gjithë që i intervistova më dolën të jenë anti-Trump.

M’u kujtua ai burri i qendrës zgjedhore ne Cleveland dhe nisa të dyshoj. Ky mbase e pati mirë, mendova me vetvete. Nuk është lehtë për njeri normal të thotë se është pro një kandidati që angazhohet për të ndërtuar një mur të madh, të gjatë e të lartë për të penguar tjerët të hyjnë në Amerikë. Për një njeri që del kundër myslimanëve, por edhe vetë amerikanëve jo të bardhë. Dhe për një njeri, që del se ka bërë e ka thënë gjëra të papëlqyeshme për gratë.

Mbase për shkak të turpit, ata që e kanë dashur Trumpin, nuk janë deklaruar të gjithë, sinqerisht, kur janë pyetur. Pothuajse të gjitha anketat që janë bërë në Amerikë, e kanë lënë atë pas Clinton. Në ditën e zgjedhjeve kjo ka hyrë me 3-4 pikë përparësi.

“Me gjasë keni dëgjuar njerëzit të flasin për atë se a mund të ketë votë të fshehur për Trump. Nuk është e fshehur. Ka njerëz që thonë se ky vend është duke shkuar në drejtim të gabuar e të cilët nuk janë duke u deklaruar për të, tashti”, e kisha dëgjuar të thotë John McLaughlin, CEO i McLaughlin and Associates, një firmë e specializuar për anketa dhe hulumtime në një takim me gazetarë të huaj si puna ime, që po mbulonim zgjedhjet në Amerikë. “Ata mund të jenë 10 deri në 12 për qind e elektoratit”.

Trump ishte kandidat më i papërshtatshëm dhe më i pafavorshëm për t’u bërë president. Dhe kjo gëzonte edhe firmat e specializuara të sondazheve, nga perspektiva liberale (prodemorkatike), si ajo e Jefrey Pollock, për dallim nga McLaughlin, që i takonte perspektivës konservative (prorepublikane) që bëjnë sondazhe.

“Nëse shihet historia e industrisë së sondazheve, me shumë herë ia kemi qëlluar sesa kemi gabuar”, tha Pollock, themelues dhe president i “Global Strategy Group” tha ai, kur u pyet nga Klan Kosova. “Historia e sondazheve ende është në favor tonin dhe shpresoj që, për hir të vendin tonë, sondazhet të jenë OK edhe nesër”,.

Ai po qeshte kur i thoshte këto gjëra. Ishte i bindur në fitoren e Clinton dhe nuk e fshehte këtë aspak, pavarësisht se e dinte që votuesit e padeklaruar, ata të fshehurit, mund ta kenë njëfarë ndikimi. Por jo të madh, sipas tij.

E këta, tash pas fitores së Trump, kanë nisur të “qelen”.

“Sot po vjen era liri”, më tha një i bardhë, qe e takova mëngjesin e të mërkurës. “Latinos dhe zezakët na kanë lodhur. Nuk punojnë gjë dhe menjëherë ankohen për diskriminim”.

Kur më tha kështu, u binda për shumicën e heshtur, si puna e tij. Edhe më shumë kur e bëra pak muhabet me një femër në ashensorin e hotelit.

“Si po ndihesh sot me Trumpin president?”, e pyeta unë.

“Foli shumica e heshtur”, më tha ajo shkurt.

Mu kujtua burri me parullën në tubimin e Trump në Wilmington.

E kush janë këta shumicë e heshtur në Amerikë?

Shpjegimin më të mirë për këtë e dëgjova nga Christina Greer, një profesoreshë e shkencave politike të cilën pata mundësi ta takoj në një ngjarje të organizuar nga Zyra për Shtypin e Huaj të Departamentit të Shtetit, të hënën në New York.

“Krejt Amerika është e kuqe”, tha ajo. “Çështja është se a ka mjaft qytete të kaltra në shtetet e kuqe për t’ua ndryshuar ngjyrën”.

E kuqja në Amerikë është ngjyrë e republikanëve. E kaltërta për demokratët.

Të martën, nuk pati mjaft qytete të kaltërta.

Trump fitoi. Falë shumicës së kuqe, që po heshte ose nuk po tregohej e sinqertë, në sondazhet e mëhershme. Ajo foli të hënën, me vota të përnjëmendta.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...