2019-01-02

Bedri Tahiri: NJË LIBËR I VLEFSHËM PËR HISTORINË TONË


Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i njohur me emrin Pellazg…
(GeorgeFredWilliams)
Historia jonë, sa e dhimbshme aq edhe krenare, krahas historianëve dhe shkrimtarëve tanë, u ka zgjuar kureshtjen dhe interesimin edhe të huajve. Madje, ma merr mendja, shumë fshehtësi e enigma diplomatike ndërkombëtare, kurrë nuk do të arrinim t’i zbulonim vetë, po mos të ishin të huajt, ata që edhe e patën atë mundësi, për shkak të rrethanave e pozicioneve që i gëzuan. Në këtë drejtim sikur kemi pasur fat. Shumë vepra e shumë histori u shkruan nga të tjerët, qoftë për të mirë, por ndonjëherë edhe për të keq. Dhe, ato, gjithsesi, e kanë vlerën e tyre të madhe, ngase janë të liruara nga subjektivizmi dhe emocionalizmi. Një e tillë është edhe vepra “SHQIPTARËT” e amerikanit GeorgeFredWilliams.
Pra, populli shqiptar me fisnikërinë, bujarinë dhe çështjen e tij të drejtë ka bërë shumë e shumë miq të sinqertë e të nderuar. Një nga këta është edhe GeorgeFredWilliams, ish–ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi e në Mal të Zi. (1913-1914). Ai u njoh me çështjen shqiptare dhe e përkrahu Shqipërinë në periudhën më të zezë të historisë së saj, në vitin e kobshëm 1913, në  Vitin e mbrapshtë, siç thotë Kadareja. Kur erdhi për herë të parë në Vlorë dhe me sytë e vetë pa krimet çnjerëzore që kishin bërë shovinistët grekë kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare, ngeli pa mend, dhe protestoi ashpër në Athinë, duke e njoftuar edhe shtetin e tij, Amerikën. Që nga ai moment nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij në mbrojtje të Shqipërisë. I ngarkuar me cilësinë e vëzhguesit të qeverisë amerikane në Komisionin Ndërkombëtar për ndarjen e Kufijve të Shqipërisë, Uilliamsi ngriti zërin dhe protestoi ndaj planeve për copëtimin e Shqipërisë.
Kjo nuk i pëlqeu Evropës dhe bënë ç’ishte e mundur për ta hequr qafe, si njeri që i kishte tejkaluar autorizimet e veta. Presionet e detyruan të jap dorëheqje, duke deklaruar: “Dukej një detyrë njerëzore, sheshazi për të shqye maskën që mbulonte diplomacinë evropiane dhe për të ekspozuar fytyrën e saj, të lyer me gjak patriotësh dhe shikimin e dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe mbasi qeshë i shtrënguar, e tregova këtë panjerëzi dhe këtë padrejtësi të fuqive evropiane dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, sikurse patjetër qesh i shtrënguar ta bëja. Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e diplomacisë”.
Mbas këtij veprimi, Uilliamsi iu kushtua tërësisht çështjes shqiptare. Duke qenë dhe mik personal dhe i adhuruar i Presidentit Wilson, ai mundi që të sensibilizojë opinionin amerikan në mbrojtjen e çështjes shqiptare me motive fisnike tepër humane: “Me ndihmu një njeri është një bamirësi, me liru një popull nga zgjedha është një bamirësi e pavdekshme”.
Dhe, kështu, lindi libri “SHQIPTARËT…”, i cili është i ndarë në këta kapituj: Toka dhe banorët, Toka e shqiptarëve, Origjina e shqiptarëve, Vendasit e Shqipërisë, Një popull fisnik, Zakonet e shqiptarëve, Gratë shqiptare, Brez i fuqishëm, Ngatërresat e fuqive të mëdha, Përjashtimi i Rusisë nga deti Mesdhe, Traktati i Berlinit, Kërkesat e Serbisë në Adriatik, Perandoria sllave, Shqipëria dhe Lufta Botërore, Faji i diplomacisë evropiane, Diplomacia e shastisur e Evropës, Rënia e Qeverisë së Vidit, Qeveria e Vidit, Duke vënë fenë si shkak për lëvizjen luftarake, Ngatërresa në Durrës, Masa për shpëtim, Zbulimi i padrejtësisë, drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtur në sallat e diplomacisë, Përpjekjet për liri, Gladsonte, kryeministri i Britanisë 1880, Mbledhja e  ushtarëve, Copëtimi i vendit, Një tokë e begatë, Parimi i zhvlerësimit, Evropa përkrah sundimin turk, Mundimi për liri, Një komb atdhedashës, Amerika nuk e din, Çfarë mund të bëjnë SHBA, Bamirësi apo drejtësi, Shqipëria e pavarur, Fati i Shqipërisë, Të drejtat e një kombi, Paqja e Evropës, Detyra e krishterë, Detyra e Amerikës, Rasti i Amerikës, Shpëtimi i një kombi dhe Shpirtërimet për liri.
Vepra e këtij miku të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi në vete ngërthen një mesazh fare të qartë: Çështja shqiptare duhet zgjidhur drejt, kombi dhe tokat shqiptare duhet të bashkohen. Trimëria e shqiptarëve nuk njeh kufi. Ata e përballojnë vdekjen dhe torturën pa asnjë hezitim. Fjala e tyre një herë e dhënë është më e shenjtë se betimi i dhënë te popujt e qytetëruar. Mikpritja e tyre s’ka të krahasuar. Ajo nuk pushon deri sa të mos ngelë gjë për të ndarë e për të dhënë.Besa ose fjala e nderit për shqiptarin është institucion i shenjtë. Ai është një popull “Nobel”, – mendon autori.
Bajroni i ka bërë homazhe kësaj race shqiptare pse e njohu personalisht dhe jetoi midis këtij populli. Respekti për moshën është një nga karakteristikat e shqiptarëve. Ata janë korrektë, të dashur kundrejt tjetrit dhe reciprokisht të sjellshëm. Në momentet më të rënda ata janë plot respekt për superiorët e tyre. Ata zbatojnë urdhrin e tyre me saktësinë më të madhe. Fjalët e tyre dhe sjellja e tyre shoqërohen nga dinjiteti.
Një vend të rëndësishëm në këtë vepër zë edhe femra shqiptare. Virtytet e femrës shqiptare janë unikale në botë. Në asnjë vend të botës një femër nuk gjendet në një siguri e mbrojtje më të madhe se sa në Shqipëri. Ai që vret një grua dënohet me dënimin kapital. Femra në Shqipëri punon në shtëpi, por ajo është trajtuar me respekt dhe zë në shoqëri një vend më të nderuar se në vendet e Lindjes. Një shqiptare mund të udhëtojë nga një vend në tjetrin, në një siguri të plotë.
Ndërkaq, duke folur për shqiptarët dhe Shqipërinë, autori konstaton: Që të kemi një paqe komplete duhet të formohet një Shqipëri Autonome që të zotërojë lirinë në mënyrë më të plotë. Shqipëria nuk mund të ndahet midis fqinjëve, ashtu siç nuk mund të ndahet çdo vend i Evropës. Shqiptarët nuk kanë vetëm të drejtë t’i kërkojnë Evropës drejtësi, por t’i kërkojnë asaj edhe dëmshpërblim.
Ky autor diplomat u del në mbrojtje shqiptarëve dhe kundër gjithë gënjeshtrave dhe akuzave se shqiptarët janë egërsira ai citon Eriksonin, këshilltarin amerikan, i cili ishte në Shqipëri dhe atëbotë qe deklaruar: “Nuk ka popull më të dëshirueshëm dhe më të dashur në gjithë Evropën se Shqiptarët. Ata kanë në të njëjtën kohë elementët e forcës, burrërinë, kurajon, të lidhura me devotshmërinë më të butë dhe më të ligjshme!”.
Ribotimi librit të  GeorgeFredWilliams “SHQIPTARËT- Princ Vidi dhe Shqipëria në sytë e një ambasadori amerikan,  i përkthyer nga anglishtja prej Shaban Ballës, Tiranë, mars 1934 (me sa duket këtë është duke e bërë Shtëpia Botuese “MESHARI”), në këtë kapërcyell të historisë sonë, kur, në Kosovën tonë, në shtetin më të ri botëror, ku ende nuk i kemi marrë mirë këmbët dhe diplomacitë botërore (me përjashtim të Amerikës) sikur po i bëjnë ca lojëra, është mesë i nevojshëm. Aktualiteti i tij është i pakontestueshëm, prandaj, besoj shumë se do të kapërdihet nga lexuesit kureshtarë shqiptarë.
Bedri Tahir

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...