Flamur Shabani
Ti çele herët, moj Bajame Hoxha -Çeliku
Një koincidencë e beftë më solli ndër mend këtë varg të poetit gjigant Dritëro Agolli. Po ndryshe nga poezia romantike e Agollit, emri që më ngacmoi e më zgjoi romantizmin dhe dashurinë e një të riu, që i këndon poshtë dritares së dashurës së vet në një fillim pranvere, kur pemët kishin çelur lule e petalet binim mbi supet e të rinjve, fati i Bajames sonë është shumë më ndryshe, aspak romantik, madje i zymtë e i dhimbshëm. Ajo lindi e u rrit jo në stinën e çeljes dhe lulëzimit të bajameve, por në stinën e dimrit të acartë të Diktaturës komuniste. Është fati i njërës prej atyre që lindën në atë sistem, pësuan dhunën e saj, privimet nga një jetë normale, të cilën ka të drejtë ta gëzojë çdokush, që gjallon mbi këtë dhe.
Është fati i një vajze të re, që bashkë me nënën e saj, pa babanë, jetoi në getot e kampeve të përqëndrimit të komunizmit, në kampin famëkeq të Savrës në Lushnjë, ku Bajame Çeliku, që nga mosha 11-vjeçare hodhi hapat e para mes pluhurit e baltës, në barrakat e rrënuara, të ndërtuara posaçërisht për armiqtë e regjimit, të cilët u përkisnin shtresave shoqërore e kulturore, që dikur ishin elita e shoqërisë, por tashmë të rënë nga vakti. Vinin nga të gjitha trevat e vendit, nga Veriu e Jugu, njëlloj pa dallim: mjafton të kishe qenë i pakënaqur me pushtetarët e rinj, përveç rasteve klasike të një bashkëpunimi të mundshëm, qoftë dhe hipotetik, me armiqtë pushtues italianë e gjermanë apo organizatat, të cilësuara ‘tradhtare”, të Ballit Kombëtar, Legalitetit etj.
Bajame Çeliku lindi pas Çlirimit në një familje me prindër nga Shishtaveci i Kukësit. Çfarëdo të kishin qenë mosmarrëveshjet e Partisë Komuniste me Ballin Kombëtar, si dhe i partizanëve e ballistëve për qëndrimin ndaj Luftës dhe të ardhmen e sistemit qeverisës pas Çlirimit, ndikimi i saj në këto marrëdhënie është mospërfillës, nul, aq sa mund të ndikojë një foshnjë e porsalindur. Po nuk donin t’ia dinin xhelatët injorantë të regjimit, të cilët dhunshëm përplasën mes baltës, lagështirës e të ftohtit, një grua të re, pa mjete jetese e fillikat pa mbështetje, me një foshnjë për dore, së cilës i therte stomaku bosh nga të pangrënët dhe mezi qëndronte në këmbë nga kequshqyerja. Jeta në kampin e Savrës ishte tepër e vështirë.Më shumë kujdeseshin për lopët në stalla, sesa për njerëzit në barraka. Gjithsesi, ajo rritet. Në shtatin e Bajames derdhet një trup i bukur, një mendje e zgjuar dhe një talent i lindur si krijuese letrare.
Në shkollë renditej ndër nxënëset me notat më të larta. Shfaqte zell për të mësuar të gjitha lëndët,por dallohej në letërsi, të cilën e studionte me pasion dhe përpiqej edhe vetë të krijonte diçka në vargje e në prozë.Kuptohet që mësuesit e letërsisë e aktivizonin më shumë se nxënësit e tjerë të klasës, sepse ajo recitonte bukur, me zë të plotë, me diksion e theks logjik, çka e bënte më të kapshme poezinë. Ndërkohë ra në kontakt me letërsinë “e verdhë”, siç cilësoheshin atëherë disa nga krijimet më të mira të letërsisë botërore, si rezultat i mungesës së vëmendjes nga regjimi, çka solli një lloj liberalizimi në përkthime, por edhe i përkthyesve të zellshëm e nuhatës të prirjeve që do të merrte letërsia e kohës, e lodhur nga letërsia skematike e realsocializmit shqiptar e atij lindor, nga personazhet e ngrirë të dalë prej shablloneve të ideologjisë komuniste dhe të mesazheve propagandistike të tyre. Kjo letërsi qarkullonte dorë më dorë e lexohej me një frymë nga të rinjtë, të cilët e përpinin brenda disa orëve.
Përballë kësaj letërsie të zhdërvjellët e gjithë dritë, letërsia e socrealizmit dukej si një qerre, qetë gërdallë të së cilës çapiteshin rëndë baltrave të Myzeqesë. Kjo letërsi i jepte krahë vajzës sonë të re, e cila ëndërronte të ishte një nga personazhet e librave që lexonte. Diskutonte me pasion me moshataret në shkollë e në punë, të cilat shikonin te Bajamja shoqen e ngushtë, të mençur e të ditur, besnike e të respektueshme, së cilës mund t’i besohej gjithçka, deri në intimitete nga jeta vetjake, pa pasur frikë se do t’u dilte një fjalë e vetme përtej bisedës midis tyre si shoqe të besueshme. Simpatia që gëzonte në shoqëri, nuk mbeti pa rënë në sy të atyre që vigjilonin për ndikime të huaja në përdishmërinë e jetës së shqiptarëve. Kjo vigjilencë ishte edhe më e mprehtë për njerëzit e deklasuar, si Bajamja.
Ndër vite jeta e saj ka pasur luhatje, që pasqyronin edhe intensitetin e luftës së Partisë. Kështu, kur mbushi moshën, u pranua në organizatën e rinisë. Së bashku me bashkëmoshataret dhe banorët e Savrës, u aktivizua gjerësisht në veprimtaritë kulturore dhe artistike të sektorit. Në konkurset e grupeve amatore, që zhvilloheshin midis sektorëve të NB-ve,në krye të grupit të Savrës do të qëndronte Bajamja, si në organizim apo dhe me krijime letrare, siç ishin skeçet e estradës amatore, të cilat ajo i përgatiste, duke marrë shkas nga problematikat e përditshme që e rrethonin dhe që jo rrallë shërbenin edhe si motiv për humor, hartonte tekstet e konferencierëve etj.
Punonte me grupet amatore në skenën e vatrës së kulturës, por punonte edhe në arat me misër, pambuk e luledielli, në zheg e pa pikën e ujit, sepse fusha e Myzeqesë nuk ka burime ujore dhe uji u shkonte në krye të arës me bidona të ngarkuara në qerre. Për cilësinë as që bëhej fjalë.
Ishin vitet kur lufta e klasave u intensifikua, pas daljes së grupeve armiqësore në ushtri, kulturë e disa sektorë të tjerë, që përfshinin edhe nomenklaturën e lartë, deri te Ministra e Anëtarë të Byrosë e të Komitetit Qendror të Partisë. Poshtë në bazë, organizatat e partisë, me orientim nga lart, piketonin hera-herës ndonjë element të rrezikshëm, i cili duhej goditur e diskretituar në të ashtuquajturat demaskim publik. Duke demaskuar në kolektiv një person me kritika të drejtpërdrejta, me sajesa monstruoze e kërcënime me burg, synohej që të tulateshin gjithë të tjerët, që do të guxonin të çonin nëpër mend veprime të ngjashme si ato të të demaskuarit, të cilit i bëhej ky gjyq shoqëror-politik në brigadë.
Një demaskim i tillë publik, para kolektivit të brigadës, i është bërë edhe Bajame Çelikut. Ishte vetëm 16-vjeçare, kur sekretari i Partisë, duke parë kokëfortësinë e saj që s’pranonte asgjë nga akuzat që i thuheshin, bën kërcënimin ekstrem, pasi e lëshuan nervat, duke i thënë: ”Ja, kështu do ta shtypim kokën me këmbë” dhe shtypi duke turfulluar një plis, duke nënkuptuar kokën e vajzës së re, pa asnjë faj, vetëm pse ajo dallohej për pjesëmarrje në aktivitete, lexonte libra të bukur dhe ua tregonte po aq bukur shoqeve të brigadës, sajonte modele fustanesh që ia dhuronin shoqet dhe ato çuditërsht i rrinin bukur,në trupin e saj të derdhur, të mbajtur pastër e pa asnjë rrudhë të vetme.
Ky demaskim e ka tronditur thellë gjendjen shpirtërore të Bajames dhe ka lënë gjurmë deri në ditët e sotme, çka reflektohet edhe në krijimet letrare të saj.
Bajame Hoxha-Çeliku është një krijuese që i ka trajtuar të gjitha gjinitë e llojet letrare. Në moshën 19-vjeçare, ajo përgatiti romanin e parë, të cilin e daktilografoi në makinë shkrimi, por ia sekuestruan gjatë një kontrolli që i bëri në shtëpi policia. Është rast i rrallë që një vajzë në moshën e saj të bëjë gati për botim një vepër voluminoze si romani.Sekuestrimi dhe humbja e romanit nuk e dekurajoi Bajamen. Ajo vijoi me krijime të reja, në vargje e prozë, për të rritur e fëmijë, me fabula e tekste këngësh, të cilat i prezantoi, jo me emrin e saj, po me emrin Ama Çeliku edhe në festivalet e këngëve për fëmijë, ku u vlerësuan me çmime, pas kompozimeve dinjitoze nga kompozitorët më të mirë. Në librat me ese trajtohen problemet e kohës, të cilave eseistja përpiqet t’u japë përgjigje të argumenuara. Rrethi i librave të botuara vërtitet në mbi 20 vëllime poetike, tregime e romane. Esetë dhe artikujt në shtypin e përditshëm janë disa dhjetëra sosh të botuara. Një vend të veçantë në krijimtarinë e poetes zënë kujtimet e saj, të cilat gjer tani kanë arritur rreth 500 faqe dhe janë ende në përpunim.
Krijimet poetike kanë zënë vend edhe në portale të ndryshme dhe janë pëlqyer nga lexuesit, të cilët kanë bërë vlerësime pozitive në komentet e tyre. Këto ditë pata fatin të bie në kontakt me tri krijime poetike të Bajame Hoxha-Çelikut, tri krijime me tematikë të ndryshme, por me burim frymëzimi të njëjtë: ndikimi i së shkuarës në gjithë jetën krijuese, familjare e shoqërore të saj. E shkuara i shfaqet në çdo hap që hedh. Tronditja traumatike e shkaktuar në fëmijëri e rini, është si ai tërmeti i fuqishëm, gjurmët e të cilit mbeten të dukshme, me gjithë ndërhyrjet restauruese që mund të jenë bërë.
Në poemën “Mjerimi” kalon si në një skaner gjithë e shkuara e dhimbshme e poetes dhe e të shoqit, vuajtjet që kanë hequr në kampet e përqëndrimit, si në Tepelenë, ku foshnjet vdisnin nga mungesa e gjirit të nënave të paushqyera, dhe eshtrat e tyre i rrëmbente lumi i Vjosës që kalonte pranë, duke zhdukur çdo gjurmë, përplasjet me sekretarin e Partisë në vitet e internimit në Savër të Lushnjës, puna e rëndë në fushat e pamata të Myzeqesë dhe ruajtja e dinjitetit të tyre në punë e çdo mjedis tjetër. Poezia ka ndikime ekzistencialiste, sepse me gjithë luftën që u bëhej, ato mbijetuan dhe u afirmuan si trashëgimtare të një gjeni inteligjent e këmbëngulës në arritjen e qëllimeve. Forma që ka zgjedhur për pohimin e asaj çka dashur të thotë, është disi e veçantë. Ato të kujtojnë magjistricat që i dalin përpara Makbethit në tragjedinë me të njëjtin titull dhe i parathonë të ardhmen dhe fundin e tij të palavdishëm. Kështu ndodh edhe në poezinë e Bajames.
Janë vënë përballë magjistricat, përfaqësuese të së shkuarës, të cilat qëndrojnë në anën e përtejme të një ure që bashkon dy brigje dhe e kërcënojnë vazhdimisht, që të mos ndërmarrë asnjë hap për t’u bashkuar me to. E shkuara është si një makth që e përndjek në çdo hap që hedh, e mbërthen fort prej fyti dhe nuk e lëshon, duke i kujtuar se ajo mbetet e njëjta: e internuara e kazmës dhe lopatës, pa të drejtë argëtimi e shkollimi dhe as krijimesh letrare. Ky makth i shfaqet pa lëndë e formë, por si një zë i frikshëm, që i tingëllon kërcënueshëm edhe në ditët e saj më të bukura, të cilat ajo nuk ka të drejtë t’i gëzojë.
Edhe pse ndodhen në një kohë tjetër, ai zëri i skëterrës, të shkuarën e zymtë e quan me cinizëm: ”Ah, kohë e paharruar, e ëmbla kohë!” E zgjon poeten nga ëndrrat e bukura që po jeton, duke i kujtuar të shkuarën: ”Të kujtohet, o Bajame, kazma, lopata?… Mos shiko nga Perëndimi, Bajame,/këtu do të kalbesh, këtu, në baltën e internimeve”. Mos ëndërro për çmime, i thotë zëri që personifikon të privilegjuarit e sistemit të kaluar, ato çmime kemi të drejtë t’i gëzojmë vetëm ne. Në vargun më poshtë ato vetëdemaskohen, kur deklarojnë: ”Që të marrësh çmime si ne, duhen para…” Kështu i kanë marrë dhe vazhdojnë t’i marrin çmimet letrare krijuesit e sotëm. Pra, i blejnë çmimet, gjë që nuk është në karakterin e Bajames.
Poema është ndërtuar me varg të thyer, pa ngarkesa të një figuracioni të tepruar, i cili është kthyer në një mani për poetët e rinj. Hera-herës i mungon edhe respektimi korrekt i shenjave të pikësimit, por që kuptimi i vargut dhe mesazhi nuk e humbasin vlerën e tyre. Ndikimi i poezisë moderne botërore, me të cilën poetja është në kontakt të përditshëm, mbasi që nga ’97-ta jeton me familjen në Belgjikë, është i dukshëm.
Poema përshkohet nga tone të qeta, jo hakmarrëse, paqtuese, më tepër përbuzëse për ato që shikon e dëgjon, të cilat i duken të njëjta me qëndrimet e dikurshme, prej të cilave ishte ndarë përfundimisht. Poetja shpreh thjesht neverinë e saj për ato që ka përballë dhe përfaqësojnë anën e errët të shoqërisë, me të cilat nuk e lidh asgjë.
Në poezinë tjetër “Mbaje mend, moj poeteshë”, menjëherë bie në sy kërcënimi klasik që përdoret te ne: ”Mbaje mend ç’kam për të bërë ose ç’ke për të hequr”! Mesazhi lidhet me çmimet që jepen e fitohen nga të njëjtët krijues, pa u lënë shteg krijuesve të tjerë, pavarësisht nivelit artistik të krijimit.”Jemi ne dhe vetëm ne/Ne të të gjitha regjimeve”. Qartësisht servilët dhe dallaverexhinjtë janë përfituesit e kësaj kohe.Ryshfeti është ai që zgjidh gjithçka.”Mblidhe mendjen, jemi ajka,/se tek ne nuk shteret banka!/Jemi ne, s’do ketë të tjerë,/A s’e sheh, ah, moj e mjerë?!”
Kështu mbyllet kjo poezi me varg të rregullt 8-rrokësh, me theksin ritmik në rrokjen e tretë dhe të shtatë të çdo vargu. Poezia dërgon mesazhin, se gjersa çmimet nuk stimulojnë krijuesit më të mirë, letërsia do të mbetet në nivele mediokre. Është një tërheqje vëmendjeje ndaj Ministrisë së Kulturës e kujtdo tjetër, që organizon veprimtari me karakter konkurues në letërsi e në çdo lëmi të veprimtarisë kulturore–artistike.
Ndryshe është poezia “Shqipëri, moj hallemadhe”. Në të derdhet dhimbja e poetes për rininë që endet udhëve të Evropës pa perspektivë, me vuajtje e sakrifica, duke fjetur edhe pa ngrënë e pa strehim në ura, ndërsa atdheu i tyre lëshon ajkën e shoqërisë në shërbim të të huajve, pa bërë përpjekje për t’u siguruar një shkollim dinjitoz e një vend pune, që t’u garantohet një jetesë normale pranë familjes. ”Shqipëri, moj hallemadhe!/Pse po vuan, përse qan?/Nga kush vuan, o zemërmadhe?/Lotët shpirtin, oh, më vranë!” Edhe pse ka hequr të zitë e ullirit, poetja ndien dhimbje deri në palcë, kur shikon që populli po vuan e nuk shikon perspektivë për të adhmen. Edhe në këtë poezi, që ka shumë dhimbje e plagë që kullojnë gjak, për situatën e mjerë, është përdorur vargu i matur 8-rrokësh, me një kumbim të këndshëm harmonik, pa ngarkesa figurash.
Rreth një javë më parë takova poeten Bajame Hoxha-Çeliku, e cila kishte ardhur në Tiranë me një grup intelektualësh nga diaspora, të cilët do të organizonin një tubim për të diskutuar rreth gjetjes së rrugëve për të dalë nga situata problematike e krijuar në vendin tonë. Kjo më bëri të shikoj një Bajame më të plotësuar, jo vetëm krijuese letrare, por edhe veprimtare, që shqetësohet për problemet e shoqërisë dhe bashkë me të tjerë, punon për zgjidhjen e tyre. Për 10 vjet me radhë Bajamja kishte dhënë gjuhën shqipe për fëmijët e emigrantëve në Bruksel. Gjithashtu, ajo takohet shpesh me shqiptarët e Belgjikës, me të cilët rrahin mendime për mbështetjen e shqiptarëve, që ende nuk janë stabilizuar me strehim, punë e dokumente të domosdoshme për të jetuar jashtë getove, ku jetojnë emigrantët nga vendet e tjera.
Mënyra e diskutimeve të Bajames, të impononte respect. Dukej një njeri i kulturuar, me dinjitet e oratore në të shprehur. Pamja e saj e jashtme të jepte përshtypjen e një zonje të vërtetë, që e kishte në gjen fisnikërinë. Me çfarë prezanonte në paraqitjen e jashtme, në botën e brendshme shpirtërore, në shumëllojshmërinë e krijimtarisë, në aktivitetet në diasporë dhe dashurinë për familjen, ajo të krijonte idenë e një zonje, nga ato madamat e huaja, me të cilat jemi njohur nëpërmjet letërsisë klasike. Për nga ngjashmëritë krijuese letrare dhe veprimtaritë shoqërore, përpos trashëgimisë familjare, (babai i saj zotëronte 6 gjuhë të huaja), zonja që më erdhi ndër mend, është Madamë de Staël. Po cila është Madamë de Staël?
Për ata që nuk e njohin, Madamë dë Staël është një zonjë franceze, që ka jetuar në fundin e shek. XVII dhe fillimin e shek.XVIII. Ishte shkrimtare, eseiste, filozofe, veprimtare shoqërore e politikane. I ati i saj ka qenë drejtor i financave në Mbretërinë e Luigjit të 16-të. Hyri në kontradiktë me mbretin,sepse donte të bënte publik buxhetin e Qeverisë, çka nuk kishte ndodhur më parë dhe mbahej sekret shtetëror, larg syve të opinionit publik.Nëna e saj kishte hapur një sallon në Paris, ku mblidheshin njerëz të shquar e diskutonin për probleme të ndryshme. Në këtë sallon merrte pjesë edhe vajza e vogël, e cila që nga mosha 10–vjeçare u bë pjesë e pandarë e këtij salloni. Jetoi kohën e Revolucionit Francez të Jakobinëve e Zhirondinëve.
Ndërsa rritej dhe ra në kontakt me njerëzit më të shquar të shoqërisë franceze, hodhi idenë e një mbretërie me kushtetutë republikane, duke marrë si shembull mbretërinë angleze, ku mungonte fryma absolute e mbretërisë franceze. Sundimi i Perandorit Napoleon Bonaparti, mosmarrëveshjet me të pas largimit të babait, internimi larg Parisit, e strehuan familjen e saj në Zvicër.Shtëpia e tyre u bë strehë për gjithë të pakënaqurit nga Bonaparti. Më vonë lëvizjet e saj nëpër Evropë kanë qenë të shumta e të shpeshta sa në Gjermani, Suedi, Angli e përsëri në Francë, ku edhe mbylli sytë në një moshë të re, 51 vjeçe, duke lënë pas një emër të madh e krijimtari të pasur letrare me ese, në filozofi e politikë, gjithmonë kundër rrymave të kohës. Për herë të parë ajo përdori më së shumti termin romantizëm në letërsi.
Sigurisht që steka për një krahasim të tillë është ngritur shumë lart, por një lexues i vëmendshëm dhe dashamirës mund të gjejë pika të përbashkëta përkatësie midis Bajame Hoxha-Çeliku dhe Madam dë Staël. Dë Staël është simbol i gruas së emancipuar, me formim letrar, filozofik e politik dhe kurajë të jashtëzakonshme për t’u ndeshur e triumfuar mbi kundërshtarët e vet, qofshin ata edhe nga më të fuqishmit e kohës.Ajo është bijë e Francës së madhe, por ndikimi i saj shtrihet në mbarë Evropën, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën shoqërore e botën letraro-politike të kohës.
Nga ana tjetër, Bajame Hoxha ndikimin e vet e ka në një vend të vogël si Shqipëria dhe në diasporën shqiptare.Po ndikimi i saj po shtrihet edhe në disa vende evropiane, ku krijimtaria e saj është përkthyer suksesshëm, duke hyrë edhe në antologji të shumta botërore me demokraci të plotë, si në Francë, Gjermani, Rumani, Angli, Suedi, Slloveni, Belgjikë etj.
Për gjithçka ka bërë, Bajame Hoxha-Çeliku ka marrë edhe vlerësime nga bashkëkombësit e saj. Kështu ajo është vlerësuar me ÇMIME dhe MIRËNJOHJE,si: dy çmime më 2012 “Libri më i bukur i vitit” dhe ”Çmimi i karrierës”.
Më 2016 çmimi “Vath Korreshi”.
Në Bruksel: 6 “Mirënjohje Naim Frashëri”,
si patriote shembullore në mësimdhënien e gjuhës shqipe falas për fëmijët shqiptarë për 11 vjet rresht.
”Mirënjohje” nga Ministria e Diasporës së Kosovës si dhe “Deklarata e Pavarësisë së Kosovës” më 2014.
Në vitin 2018 i është akorduar një “Çertifikatë” nga Ministria e Diasporës në Kosovë.
Diferenca midis dy zonjave MADAME DE STAËL dhe BAJAME HOXHA-ÇELIKU është e tillë, siç mund të jetë diferenca midis Francës dhe Shqipërisë.
Bajamja mbetet një emër i madh dhe i respektuar për ne.
MJERIMI
Mos u çudit, o Bajame!
E tmerrshmja urrejtje po na errëson sytë, dhe
s’dallojmë dot më të bardhën nga e zeza.
Por, e di ti? Të tilla na bëri koha!
Ah, kohë e paharruar, e ëmbla kohë!
Ndaj dhe jemi kthyer në egërsira në kohë paqe.
Ne që s’njohëm as Zotin e madhërishëm, dhe
kur zotin s’njohim ne, as ty nga vjen,
ty, e përvuajtura Bajame, ne nuk të njohim!
Ne, nuk të duam, nuk të pranojmë,
sikur dhe çmimin Nobel të marrësh ti,
ne, përsëri, nuk të duam!
Por ti, shkruan, shkruan…
E unë flas në emër të të gjithave,
Sepse ti shkruan për ata që nuk lexojnë,
për ata që nuk dëgjojnë, o Bajame!
Zëri yt ka humbur
në thellësi oqeanesh,
dhe s’e dëgjon askush më, askush!
Sepse ti ke mbetur larg, oh, sa larg…!
Në shkretëtirë…
Atje në Myzeqenë e apeleve,
atje, ku kryeje dënimin, o Bajame!
E sheh?
T’i thamë, e do të t’i themi të tëra,
dhe ato që kemi harruar pa t’i thënë,
do të t’i themi sot!
Të kujtohet, o Bajame, kazma, lopata?
Ato janë për ty, o Bajame!
Pena jote u thye që kur shkele në kampin
e ulërimës,
pikërisht, në kampin ku vdisnin
nga tridhjetë fëmijë brenda natës.
Atje thellë humbi dhe pena jote, o Bajame!
E di ti?
Ato varre na zunë të tërë fushën e Tepelenës,
ndaj dhe ne i shkulëm për t’i flakur.
Pastaj, ne i mbollëm anës lumit,
që ai kur të vinte furishëm,
t’i merrte.
Dhe ashtu u bë!
Humbën me qindra fëmijë.
Me qindra varre u zhdukën!
Kurse të tjerët i mori përpara traktori.
Eshtrat e tyre të njoma rënkonin,
nënat e reja vajtonin.
U përzien me dheun e shkriftë ato eshtra,
dhe me farën e elbit.
Ato eshtra të buta, të dëlira, të pafajshme,
që atë vit morëm rendiment, e di?
Eshtrat e fëmijëve atë vit, u bënë plehu më i mirë!
Nga vjen, jo, jo, mos harro, o Bajame!
Mos u bëj kaq naive, apo je?!
Edhe je, domosdo, je!
Duke hapur kanale u bëre poete?!
Duke vaditur?
Duke prashitur te ai njëqind hektarëshi?
Atje mes kampeve të shfarosjes,
Savër, Pluk, Gradishtë,
Në gjirin e të internuarve?
Aty mes skamjes dhe mungesës së ujit?
Atje u formove ti?!
Ishit kuaj të mirë, jo për gjë,
po kështu na kanë thënë,
mos qoftë thënë;
në gur e në dru,
të ishim pranë jush ato kohëra,
e të vuanim si juve,
unë dhe shoqet e mia!
Na kanë thënë, jo për gjë:
Ju torturonin, ju tërhiqnin zvarrë,
dhe u thahej buza për pikën e ujit.
Nëpër ato udhë të gjata të internimeve,
shpesh loti i fshehur ju turbullonte sytë.
Por, ama, të themi një herë të vërtetën:
Ecnit me krye lartë, o Bajame,
dhe çanit përmes fushave të Myzeqesë.
Ju na e zbukuruat atë, e bëtë madhështore,
hambarin e Shqipërisë e bëtë ju!
E çfarë nuk bëtë ju, a e mjerë!
Skllevër të paepur ishit.
Po ne, ne, kishim kamxhikun e gjatë,
që ju përvëlonte shpirtin juve.
Të kujtohet kur të diskredituan
para popullit?
Të demaskuan disa herë keqas a e varfër!
Të kujtohet, posi!
Të kujtohet, kur të ngriti në mbledhje,
gjiganti i komunizmit?
Pastaj, thirri me zë të lartë, e
duke skërmitur dhëmbët t’u drejtua:
Gjidi, gjidi Bajame Çeliku,
barut e çelik u bë këtu!
Lexon dhe libra të huaj pa le!
Kush është ky… Hygo, ky Balzak…
Pa na thuaj pak?
Kërkon anglo-amerikanët ë?!
Dhe ti, iu ktheve me një buzëqeshje ironike
që shkrepi papritur mbi buzët e tua:
S’është faji im, o gjiganti i komunizmit
që ti, nuk njeh as kolosët e letërsisë botërore.
Sa dritë shkurtër që jeni…Medet!
Mos shiko nga Perëndimi, o Bajame!- thirri ai si i çmendur.
këtu do të kalbesh, këtu, në baltën e internimeve!
Dhe ti, ishe vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe atëherë.
Do të ta shtypim kokën si të miut, kështu! – tha ai.
Dhe me këmbë shtypi dheun,
sikur poshtë potinave të tij, ishe ti, Bajame!
Tek sytë e tu u duk një shkëndijë trimërie,
dhe triumfoi në krenarinë tënde guximi.
Një guxim vërtet prej heroine, Bajame!
Gjiganti i komunizmit u tmerrua,
u tërbua vërtet, dhe t’u kthye,
kur ti, i the pa ta bërë syri tërë:
Ktheji në adresën tënde të tëra, zotëri!
-Mbylle gojën, Bajame Çeliku! – ulëriu ai.
Ti duhet të ulësh kurrizin,
të bëhesh urë.
E unë, të shkel mbi ty!
Të të qëlloj me litar,
e ti, të më thuash:
Faleminderit, që më le gjallë!
Pooo, çudi, ke harruar ti?
Ne s’i kemi harruar, se ju ishit skllevërit tanë,
e neve, talleshim me ju, Bajame!
Talleshim me fustanet tuaja aq të pastra,
kur nxitonit si flutura fushave,
llërëpërveshur.
Ishte bukur, ishte bukur, Bajame,
kur ju shikonin parcelave si lule të shpërndara,
ju vajzat e internuara,
dhe kjo, e bënte Myzeqenë më të bukur,
më madhështore.
Dhe nga njëzet qindarka shpesh në ditë
ju jepnim…
Por edhe ne ama,
ka tridhjetë vjet që s’e kemi të lehtë…
Kemi marrë plot para, çmime, çmime e dekorata…
Po a e di ti, se këto, ne i kemi blerë me euro?!
I kemi blerë, posi, me djersën e ballit mooj…!
Jo, jo, ti s’e di!
Ti di vetëm të shkruash o Bajame!
Por ti, s’ke para si ne, moj varfanjake!
Që të marrësh çmime si ne, duhen para.
Nuk e shikon? Ju keni mbetur te ura, a të vraftë!
Por, edhe për ne, erdhi kjo kohë të na rrjepin,
të na rrjepin edhe lëkurën ama…
Të gjitha po na i rrjepin, nga këmba e deeeri te koka…
Por, më i ëmbël qenka çmimi, na beso!
Dekorata, televizioni…përkëdheljet…
Paguajmë, oh, sa paguajmë,
çmimi është i shtrenjtë për të gjitha këto!
Fjalët e bukura që na joshin,
që na përkëdhelin.
E neve, na rritet nuri, lartësohemi,
bëhemi madhështore,
ngrihemi deri në piedestal.
Ti Bajame, ndoshta po pret,
të dëlirë era kohën,
po s’mundet.
Na përkëdhelin vetëm ne, sedrën tonë të sëmurë!
Vitet e madhështisë ne po provojmë, na beso!
E ti?!
Di vetëm të shkruash, oj Bajame!
MBAJE MEND MOJ POETESHË
Para meje shumë poetë,
rrahin gjoksin, hej medet!
Kanë pushtet, jetojnë si mbretër,
penë e tyre e s’ka tjetër.
Për mua s’ka më asnjë vend,
të gjitha zënë përnjëmend.
Kush më jep pak vend mua,
për ca ditë e dua hua?!
Të gjithë thonë: Jemi veç ne,
përkëdhelur gjer në re.
Të madhërishëm gjer në maja,
mjerë ai që shkon përpara.
Jemi ne, dhe vetëm ne!
Ne, të të gjithë regjimeve.
Është për ne jeta lirishtë,
paçka atdheu mbet siç ish!
Veç një gjë duhet ta dini:
Ky atdhe është veç i yni!
Për ju, hapur rrinë kufijtë,
ne do shtojmë mizoritë.
Ne e kemi forcën prapë,
lumturojmë ditë e natë.
Mbaje mend moj poeteshë,
dhe te Zoti po të vesh,
neve s’do na trembet syri,
mbaje mend vendin nga vini!
S’ke të drejtë të jesh poete,
s’ka ç’na duhet pena jote!
Të çojmë prapë, aty ku ishe,
të vajtosh porsi një qyqe.
Vallë nuk do, a s’e kupton,
Në fund zemrën vumë në dorë.
Se prej vitesh është kurdisur,
të t’lëmë gjallë gjer në të ngrysur.
Por varfanjake shpirt trazuar,
Hedhur si leckë të harruar.
S’të dhamë shtëpi, as katandi,
të kemi lënë si për habi.
Që të qeshin gjithë njerëzia,
se kështu e ka Shqipëria.
E shkelim popullin me këmbë,
të hapë gojë, i thyejmë dhëmbë.
Çfarë do ti, më shumë se kaq,
ne pasanikë me fat!
Pasanikë të fortë, të dëlirë,
gjer në grykë plot me florinj.
Mblidhe mendjen, jemi ajka,
se tek ne, nuk shteret banka!
Jemi veç ne, s’do ketë të tjerë,
A s’e sheh, ah, moj e mjerë!!
SHQIPËRI MOJ HALLEMADHE
Kam një hall a brengë të madhe,
s’e duroj dot, o miqtë e mi.
Moj Shqipëri, moj hallemadhe,
thika të shkon thellë në gji!
Të shoh të bukur duke lulëzuar,
rini plot, por ëndërr mbyllur.
Pranverë e ftohtë, lot i lënduar,
ah, atdheu, zemër ndrydhur!
Me trastë hedhur mbi kurriz,
lypsare endet e ngatërruar.
Poshtë urave, e drizë më drizë,
gjer të gjej një dritë pashuar.
Vallë e gjen atë dritë të bardhë;
vallë do mbetet në errësirë?
Sytë e lagur, me shpirtin vrarë,
për atdheun, zemër ngrirë.
Kanë qarë udhët, male, fusha,
për rininë, që rendi kot!
Atdhetarë, djelmosha trima,
Shqipëri, moj hallemadhe!
Pse po vuan, përse qan?
Nga kush vuan, o zemërmadhe!
Lotët, shpirtin, oh, më vranë.