From: "Vilhelme Haxhiraj" <haxhirajvilhelme@yahoo.com> To: fjalaelire@gmail.com, PAWN@yahoogroups.com, ttkclub@yahoogroups.com, rubenavxhiu@yahoo.com, dalipgreca@yahoo.com, floribruqi@yahoo.com, Shano.Shyti@simsmm.com, kzylo@yahoo.com, albanvoka@yahoo.com | ||
|
2011-03-07
GËZUAR!!!!
FALENDERIM TE MADHIT FLORI
FALENDERIM TE MADHIT FLORIFrom: "Vullnet Mato" <vullnetmato@hotmail.com> To: floribruqi@yahoo.com |
I dashur FLORI, qe sic ke emrin ke edhe vleren edhe shkelqimin e florinjte ! Te falenderoj edhe nje here nga zemra per gjithcka po ben per mua. Kete te dielen e sotme e kam pasur feste shpriterore, sepse publikimi yt me ka kanaqur shume, me permasat e ekspozimit dhe me zgjedhjen e mencur qe ke bere. Po qe se do te duhet material letrar me i bollshem dhe me i plote me kopertinat e botimeve te mia, mund te hapesh faqen time te re, te bere pas ndihmes orientuese qe me ofruat ju : http://krijimtariaime.webnode.com Mjafton te beni nje prove ne kete link dhe me thoni pershtypjet per te. ( kujdes te jene te gjitha zanoret te fjala e pare) Ju uroj ta kaloni kendshem kete fundjave. Perqafime vellazerore V.Mato |
Onomastika e Kosovës, gjykuar me syrin e një historiani.
REÇENSË
ONOMASTIKA E KOSOVËS - NDËRMJET MITEVE DHE IDENDITETEVE
(Prof. as. dr. Begzad Baliu, Onomastika e Kosovës, ndërmjet miteve dhe realiteteve, Shtëpia botuese Era, Prishtinë 2008, faqe. 353)
Onomastika e Kosovës, gjykuar me syrin e një historiani.
Monografia Onomastika e Kosovës, është një nga veprat e prof. asc. dr Begzad Baliut. Në llojin e saj është një vepër e plotë dhe mjaft e rëndësishme. Begzad Baliu është dalluar në fushën e studimeve albanologjike ku bën pjesë edhe botimi për onomastikën e Kosovës. Kjo vepër është rezultat i studimeve që autori ka bërë në këtë drejtim për vite me radhë. Që në fillim të studimit autori niset nga filozofia se: vetëdija për gjuhën kombëtare si vetëdije për identitetin në epokën globale.
Në libër jepen një numër i konsiderueshëm emra vendesh, të cilët janë me prejardhje të ndryshme, që nga ajo ilire e deri tek ato turke apo dhe shqiptare. Autori analizon në pikëpamje gjuhësore dhe historike prejardhjen e emrave dhe përdorimin e tyre. Ne këtë analizë e veçanta është në identifikimin e vendeve që i bartin dhe në referimet që ai bën literaturës mjaft të pasur në këtë drejtim.
Ky recension është e organizuar në dy pjesë kryesore. Fillimisht paraqitet një përmbledhje e shkurtër mbi përmbajtjen e librit, duke u ndalur në kapitujt kryesorë të tij. Më pas bëhet një analizë e vlerësimit të librit, duke u ndalur në aspekte të tilla si, organizimi i librit, metodologjia e përdorur, bibliografia, përdorimi i shkrimit akademik, etj.
Përmbajtja e librit
Vepra i kushtohet tërësisht problemeve të onomastikës së Kosovës, dhe është konceptuar në një hyrje dhe gjashtë kapituj, si: Toponimia dhe etimologjia, Antroponimia, Onomastika dhe letërsia, Demonizimi i toponimisë së Kosovës, Botime në fushë të onomastikës, Onomastika dhe perspektiva e saj. Në këndvështrimin historik, duhet vlerësuar fakti që autori e trajton onomastikën që nga periudha ilire deri në ditët tona. Periudha iliro-romake përfaqësohet nga një toponimi e pasur në krahinën e Gallapit, të cilën autori ka mundur ta identifikojë madje dhe ta hulumtojë në botime të ndryshme. Kjo krahinë është një prej krahinave etnografike e gjuhësore të Kosovës, ku autori ka mundur të gjejë gjatë studimeve të tij një numër të mjaftueshëm fjalësh për të vlerësuar prejardhjen e tyre ilire e për pasojë edhe të krahinës. Në këtë krahinë ruhet një shtresë e pasur e toponimisë shqiptare, prej asaj me strukturë të vjetër, e cila madje nuk gjallon më në leksikun e shqipes e deri te mikrotoponimet me semantikë të qartë nga leksiku i përditshmërisë sonë.[1] Ky përfundim është konkretizuar me një numër fjalësh të cilat egzistojnë në toponiminë dhe mikrotoponiminë e zonës, si: Arushë, Bardhec, Katunishtë, Kërcunë, Kolopnishtë, Pyllë, etj.[2] Në studim veçohen edhe toponimia dhe mikrotoponimia me prejardhje latino-romane, greko-bizantine, serbe apo orientale të cilat janë padyshim rezultat i krijimit të vendbanimeve të popullsisë së ardhur që ka lënë gjurmë në të. Krahas emërtesave padyshim që në këto zona kemi dhe shtresëzim të kulturave dhe historisë. Një meritë e veçantë e autorit qëndron në gjetjen e fjalëve përkatëse si dhe në përzgjedhjen e një bibliografie të shkëlqyer.
Në kapitullin mbi etnonimin kosovar dhe kuptimin e tij historik, autori jep nëpërmjet një analize të hollësishme përdorimin dhe ndryshimin në periudha të ndryshme historike të toponimit Kosovë dhe etnonimit kosovar. Për të analizuar këtë aspekt, ai merr në analizë si toponiminë ashtu dhe etnoniminë duke dhënë kuptimin për çdo periudhë historike në të cilat ato kanë pësuar ndryshime në formë por jo në përmbajtje. Në përmbajtje ka qenë vetëm një ai që ka përcaktuar shqiptarët që kanë jetuar në territorin shqiptar ( kosovar-Kosovë), dhe, në këtë kontekst, pavarësisht nga historia, shqiptarët në Kosovë duhet të krijojnë konceptin e tyre rreth etnonimit kosovar sepse sipas autorit, etnonimi kosovar ka filluar të konceptohet nga ndërkombëtarët si një emërtim që deri dje mbulonte konceptin për etnonimin jugosllav, dhe mbulonte të gjitha etnitë e ish-Jugosllavisë, që në rrethana të sotme e gjejmë me konceptin për multietnicitetin.[3] Në vazhdim të kësaj ideje gjallon edhe ideja e krijimit të kombit kosovar, e cila ka qëllime thjesht çintegruese, por që padyshim janë pritur ftohtë dhe me reagime nga kosovarët dhe shqiptarët. Përgjigja kundërshtuese është dhënë mjaft qartë në libër nëpërmjet shpjegimit historik të toponimit dhe etnonimit Kosovë dhe kosovar. Megjithëse, historikisht toponimi Kosovë dhe etnonimi kosovar kanë pësuar ndryshime, në fund të fundit janë dy elemente që në thelb kanë një shprehje e një domethënie, dhe kjo gjë është dhënë shkencërisht nga autori.
Gjatë historisë mijëvjeçare populli shqiptar është përpjekur të ruajë identitetin e tij, e padyshim pjesë e kësaj përpjekje është edhe antroponimia e toponimia që në fakt është pjesë e kësaj historie. Në vazhdim të kësaj ideje, autori nëpërmjet studimit vlerëson faktin, që ky popull me një ndjenjë të lartë atdhedashurie, në mbrojtje të identitetit ka reflektuar në antroponimi dhe toponimi ngjarje apo vende me rëndësi historike. Fjala është për toponimet dhe oronimet e vjetra të cilave brenda ditës ju dha karakter historik dhe politik. Me një vëmendje të veçantë autori vlerëson faktin se mjaft emërtime të harruara, si rezultat i ndryshimeve shoqërore, brenda natës u bënë sinonim i vetëdijes historike. Kjo ka një rëndësi të madhe pasi është një motiv për të kujtuar dhe reflektuar. Të tilla janë p.sh toponimet, Bllacë, Tivar, që lidhen me ngjarje të tmerrshme nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar.
Në vazhdim të kësaj ideje autori vlerëson edhe antroponiminë pasvajtëse. Profesor Baliu vlerëson në mënyrë të hollësishme regjistrat e hartuar nga shoqata “Nëna Terezë” në Dardani të Prishtinës për vitin 1999. Nga analiza rezulton se vetëm 0,8% e antroponimisë i përket sferës fetare, kurse pjesa tjetër ka motivet e lëvizjes kombëtare për çlirimin e Kosovës. Emra të tillë janë, Flamur, Urim, Qëndrim, Arbër, Atdhe, Shqipton, etj.[4]Autori ka bërë një punë të madhe në klasifikimin e llojeve të emrave të njerëzve sipas treguesve të tyre, duke filluar që nga ata që tregojnë qëndresë, luftë e krenari historike e deri tek emrat në nderim të personaliteteve të huaj që kanë kontribuar për Kosovën.
Në kapitullin Onomastika dhe letërsia autori analizon romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të autorit Rexhep Qosja. Analiza fokusohet në nxjerrjen e të gjithë emrave të vendeve dhe personazheve. Sipas autorit, shkrimtari ka pasur si qëllim që nëpërmjet onomastikës, dhe, sidomos antroponimisë të arrijë efekte estetike, të krijojë një galeri personazhesh, dhe të sugjerojë përmes tyre një botë po ashtu komplekse dhe sugjestive.[5]Onomastikës së përdorur në roman i bëhet një transparencë e plote në disa drejtime. Vlerësimi i rrafshit semasiologjik ka një rëndësi të madhe pasi perceptohet si vlerë përcaktuese për prejardhjen familjare, qytetare apo krahinore. Ky fakt brenda romanit jep në tërësi vlera njohëse në raportin historik por njëkohësisht krijon dhe gjendje të veçanta emocionale. E gjithë antroponimia e toponimia është e prekshme dhe ka vlera gjuhësore, historike, semantike dhe estetike. Në detaje është dhënë edhe fjalori onomastik i romanit. Të gjithë emrat jepen të shpjeguar me prejardhjen e tyre si dhe me të gjitha cilësitë që mbartin. Duke lexuar pikërisht këtë vepër edhe pa lexuar romanin je në gjendje të kuptosh qëllimin dhe mesazhin.
Një nga problemet të cilave autori kërkon tu japë përgjigje nëpërmjet onomastikës është ai i origjinës së shqiptarëvë. Ai shkruan për arritjet në shkencat e albanologjisë në këtë drejtim sidomos gjatë gjysmës së dytë të shek. XX. Studiues të huaj e shqiptarë duke u mbështetur në onomastikën e trojeve shqiptare e më gjerë, përcaktuan prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, sidomos kur filloi të përhapej teza për prejardhjen ilire të popullit shqiptar dhe gjuhës shqipe. Në libër ballafaqohen pikëpamjet e studiuesve serbë, rusë, bullgarë, të cilët kanë mbajtur qëndrime jo historike, shkencore dhe kulturore për këto probleme. Metodologjia e tyre e studimit ishte jo shkencore e kushtëzuar dhe ideologjizuar. Begzad Baliu në vazhdim të analizës së tij jep qëndrimet politike të fqinjëve ndaj onomastikës së trojeve shqiptare. Ky qëndrim si në të kaluarën dhe sot vlerësohet politik dhe jo shkencor e historik. Ky qëndrim ka qëllime të pastra pushtuese. Në libër jepen të gjitha rrugët e mundësitë që serbët dhe grekët kanë përdorur për të ndryshuar sidomos toponiminë dhe antroponiminë. Këto janë veprime të përvijuara në shekuj. Në kundërvënie të këtij qëndrimi autori jo vetëm në rolin e gjuhëtarit, por edhe të atdhetarit ngre alarmin dhe shtron detyra të ngutshme për të shmangur rrjedhojat e kësaj politike. Në radhë të parë kërkon hartimin e një fjalori kombëtar të antroponimisë ku të përfshihen: antroponimia kombëtare; antroponimia historiko-kombëtare, dhe do të personalizohej një inventar i gjerë i fjalësit të shqipes.[6] Përveç tij duhen hartuar edhe fjalorët drejtshkrimorë të antroponimisë dhe toponimisë. Këta fjalorë sipas tij bëhen sot më të domosdoshëm se kurrë, për faktin se antroponimia ka dalë nga rrënojat orientale, por ende nuk është çliruar nga ndikimet e huaja. Antroponimia në shek XX-XXI, është më e koklavitur se kurrë sipas hulumtimeve të Profesorit, pasi aty gjenden që nga emrat turko-arabë, greko-ortodoksë, italo-katolikë, etj. Përveç inventarizimit të problematikës autori shpjegon edhe arsyet e kësaj anarkie, që për të përbën alarm. E njëjta situatë për të është edhe në fushën e toponimisë, e cila duhet të zgjidhet. Në këtë kontekst, pikërisht në kundërvënie të situatës, autori shtron disa detyra të rëndësishme për institucionet shkencore arsimore në Kosovë, në mbrojtje të onomastikës historike.
Pjesë e këtij vëllimi të Profesor Baliut janë edhe vlerësimet për botimet e ndryshme në fushën e onomastikës. Ndër to përmendim botimin e Engjëll Sejdajt “Etnonimi arbëresh- shqiptar”, i Spiro N Kondës “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”, Rexhep Doçit “Iliro shqiptarët dhe serbët në Kosovë”, Maksut Haxhibrahimit “Toponimia e Ulqinit dhe rrethinës”, Bahtjar Kryeziut “Onomastika e Hashanisë”, “Fjalor onomastik i Malsisë së Bujanocit”, Nail Dragës “Gjurmë gjeografike”. Këto vepra analizohen në funksion të objektivave që ka pasur profesori në studimin e tij. Ai vlerëson kontekstin historik të etnonimit arbër, por gjatë analizës së tij ai pohon se: të pranosh vetëm emrin arbër si përcaktues të etnisë së sotme shqiptare, do të thotë të rrudhësh shumë hapësirën gjeografike të trojeve shqiptare ndërmjet trojeve të djeshme etnike dhe të sotme shqiptare, d.m.th, të rrudhësh shumë shtrirjen territoriale të shqiptarëve dhe të zvogëlosh disa herë numrin e “shqiptarëve” të sotëm, gjatë antikës dhe mesjetës[7]. Etnonimin arbër autori e sheh në kontekstin e vazhdimësisë shqiptare; e sheh duke e argumentuar në tërë dimensionet e tij.
Një botim tjetër i rëndësishëm në vazhdim të analizës së Baliut është libri “Shqiptarët dhe problem pellazgjik” i Spiro Kondës. Ai vlerëson te ky libër jo vetëm hipotezat për lidhjet e shumëfishta të shqipes me pellazgjishten, por edhe studimin që i bëhet inventarit të pasur toponimik që ka për bazë fjalën shqipe: gur, mal, pyll, etj. Vepra e Kondës është padyshim pjesë e rëndësishme e studimeve albanologjike.
Vepra e Rexhep Doçit, “Iliro shqiptarët dhe serbët në Kosovë”, sjell nëpërmjet analizës vlerësime të rëndësishme. Këto vlerësime lidhen me shtresëzimet e kulturave shumëgjuhësore të krijuara në shekuj si dhe me autoktoninë shqiptare apo prejardhjen shqiptare të onomastikës serbe në Kosovë dhe trojet etnike shqiptare. Duke kaluar nga problemet gjuhësore-onomastike në çështjet e prejardhjes etnike serbo-malazeze, ai pohon: elementet sllavo-serbe në Kosovë janë të vona, serbët në Kosovë gjithmonë kanë qenë pakicë në krahasim me shqiptarët[8].
Për të plotësuar më mirë librin e tij Profesor Baliu trajton edhe botime të tjera në këtë fushë. Ai vë theksin tek pasuria dhe rëndësia e onomastikës së Kosovës, trajtuar në rrafshin historik dhe etnolinguistik. Duke studiuar leksikun onomastik të krahinave në Kosovë ne gjejmë të dhëna të rëndësishme të cilat plotësojnë në një masë të mirë edhe mungesën e materialeve të shkruara. Me mjaft interes është onomastika e Hashanisë, Drenicës, Ulqinit dhe e Malësisë së Bujanocit.
Analiza dhe vlerësimi i librit
Për të bërë vlerësimin e këtij libri, në radhë të parë është e rëndësishme të theksojmë se autori i ka kompetencat dhe ekspertizën e duhur për ta shkruar këtë libër, i cili i ka arritur më së miri objektivat. Libri është i organizuar shumë mirë në çështje dhe nënçështje. Përzgjedhja dhe renditja e tyre i jep një kuptim logjik të gjithë librit dhe ndihmon mirë në kuptimin dhe perceptimin e mirë të tij nga studiuesit dhe lexuesit në përgjithësi. Qëllimet dhe objektivat që i ka vënë vetes autori në cilindo kapitull e trajtesë mendoj se i ka realizuar.
Vepra e Begzad Baliut është padyshim në fondin e çmuar të albanologjisë. Ajo vlerësohet për punën e madhe të autorit në drejtim të mbledhjes së onomastikës së Kosovës, si dhe në interpretimin e saj historik, gjuhësor dhe kulturor. Metodologjia e përdorur është ajo e analizës dhe sintezës. Idetë e hedhura do të ngjallin interes dhe do të bëhen objekt studimi ndoshta në të ardhmen. Onomastika e pasur e Kosovës në mungesë shpesh herë të dokumenteve do të jetë një material i mirë në duar të studiuesve për probleme të ndryshme të gjuhësisë, historisë, e pse jo dhe atyre të shkencave sociale. Profesor Begzad Baliu është jo vetëm një studiues i shkëlqyer i onomastikës, por dhe një bibliograf i përmasave të mëdha. Ai e njeh në mënyrë të përkryer mendimin shkencor për onomastikën në përgjithësi e gjithçka rrjedh prej saj. Ky libër është komunikim i drejtpërdrejtë me historinë dhe më i domosdoshëm se kurrë sot.
Stili i shkrimit akademik të përdorur nga autori është koherent, i qartë dhe origjinal. Në varësi të problematikës së trajtuar, ai është herë konciz e herë i detajuar për të zhvilluar argumentet e nevojshëm. Autori përdor analiza e shpjegime për të dhenë idetë e tij apo për të qartësuar qëndrime. Trajtimi është thellësisht i detajuar dhe tregon qartë për angazhimin intensive e serioz të autorit, njëkohësisht dhe për njohjen e shkëlqyer të fushës së studimit. Kjo vërtetohet edhe nga bibliografia e pasur nga autorë të njohur të fushës.
Përfundimisht e vlerësoj maksimalisht këtë libër dhe mendoj se në të ardhmen do të kemi botime edhe më cilësore në formë e përmbajtje nga ky autor. Ai ka ardhur në kohën e duhur dhe me idetë e duhura.
Dr. Zhuljeta Kadilli
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
[1] B.Baliu, Onomastika e Kosovës (Ndërmjet miteve dhe idenditeteve)Prishtinë, 2008, fq 28
[2] Po aty, fq, 28-30
[3] Po aty, fq 59
[4]Po aty, fq 69
[5] Po aty, fq 86
[6] Po aty, fq 157
[7] Po aty, fq 166
[8] Po aty, fq 191
***********************
NGA FLORI BRUQI :
Begzad Baliu u lind më 20. 11. 1966 në katundin Makresh i Poshtëm, komuna e Gjilanit. Pesë vjetët e para të shkollimit i kreu në shkollën fillore «Skënderbeu» në Makresh të Poshtëm, ndërsa tri të fundit në shkollën fillore «Liria» në Marec, komuna e Prishtinës. Shkollën e mesme, drejtimi: Bashkëpunëtor Teknik i Matematikës, e mbaroi në Gjimnazin «Zenel Hajdini» në Gjilan.
Fakultetin e Filologjisë -Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e kreu në Universitetin e Prishtinës. Po këtu, në Degën e Gjuhës, mbaroi edhe studimet pasuniversitare. Nga viti 1996 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Dega e Gjuhësisë - Sektori i Onomastikës. Po në këtë institucion ka mbrojtur tezën e magjistraturës (2000) dhe tezën e doktoratës (2003). Nga viti 2004 është ligjërues në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit, dhe ka thirrjen: Prof. ass. dr. Ka qenë kryeredaktor i revistës për art, shkencë dhe kulturë «Shenjëzat»(1998-2000) dhe drejtues i po të njëjtës shtëpi botuese; gjithashtu, edhe redaktor i kulturës në të përjavshmen «Pasqyra» (Prishtinë).
Në vitin 1994 ka themeluar Qerthullin e të Rinjve të Onomastikës «Eqrem Çabej» në kuadër të Shoqatës së të rinjve «Pjetër Bogdani» të Prishtinës.
Nga viti 2001 është drejtor i shtëpisë botuese «Era» dhe i OJQ-ës «Qendra e Ndërlidhjes Arsimore dhe Shkencore» në Prishtinë.
Prej vitit 1992 ka qenë pjesëmarrës, bashkorganizator, organizator dhe drejtues i disa aktiviteteve kulturore, letrare dhe shkencore në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkodër, Turun etj.
Deri më tash është paraqitur në shtypin ditor dhe shkencor më me shumë se 200 artikuj nga fusha e kulturës, e gjuhësisë, e letërsisë, e folklorit dhe e historisë.
Vepra të autorit
Gustav Majer dhe albanologjia, Prishtinë, 2000; Tiranë, 2001.
Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, Prishtinë, 2004.
Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit (monografi) Prishtinë, 2005.
Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, Tiranë, 2006.
Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, (bashk.), Prishtinë, 2005.
Çështje të studimit të onomastikës në veprën e Eqrem Çabejt (teza e magj.), 2000, Prishtinë.
Onomastika e Gallapit (teza e diser.), 2004.
Çabej 1: (Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë) Prishtinë, 2006.
Mbi autorësinë e bibliografisë së Skënderbeut, Prishtinë, 2005.
Profesor Jup Kastrati për Kosovën, (bashk.) Prishtinë, 2004.
Gjaku i lirisë (1981-1995), I-IV, (bashk.), Prishtinë, 1996-2000.
Kafeneja ballkanike, (dramë), Prishtinë, 1996; Shkodër, 2000; Prishtinë, 2005.
Grua e dashuruar, (poezi) Prishtinë, 1996.
Flamuri vjen nga Kosova, (dramë) Prishtinë, 1994.
Koncepte gjuhësore, Prishtinë, 2007. (ne shtyp)
Refernca albanologjike, Prishtinë, 2007(ne shtyp)
Toponimi dhe identitet, Prishtinë, 2007 (ne shtyp)
ETJ....
Bisedë me ish mësuesin e burgosur për 24 vjet rresht, tepelenasin e nderuar z.Daut Gumeni
...Nuk e dëshmojnë dot atë që kanë parë, sepse kanë parë aq përçudnime të racës njerëzore, sa nuk flasin dot.” pohon gjatë bisedës, Z.Gumeni.
Bisedoi Kozeta Zylo
Në prag të festës kombëtare te 7 Marsit, sot po sjellë pranë jush një nga mësuesit e persekutuar të regjimit diktatorial z.Daut Gumeni, i cili u arrestua në moshën e rinisë dhe vuajti dënimin më makabër për 24 vjet rresht, deri në vitet 90, vit ku po frynin erërat e demokracisë dhe shumë të burgosur u liruan nga prangat e diktaturës. Eshtë poeti që shkruajti me zemrën e cila rri e qesh me dritë loti, fatin e bën vetë i zoti…
Duke biseduar me dhimbje me ish mesuesin e burgosur tepelenas z.Gumeni do t’i lutesha parlamentarëve shqiptarë që nëvendin tim të caktohej dhe një ditë: ”Dita e mësuesëve të persekutuar...” në nderim të tyre, ata meritojnë më shumë se kaq...
Z.Gumeni është shkrimtar, përkthyes, publicist, analist, diplomat.
Disa nga botimet e tij janë:
Botimet:
- ”Legjendë Lirie” 1993-vëllim me poezi
- ”Kënga e Zezakut të Bardhë” 1994-vellim me poezi
- ”Vallja e Etjes” 1996 – vellim me poezi
- ”Udha e Endrrës” 1998 – vëllim me poezi
- ”Mulliri i harruar”, tregime, 2007
-Përkthimet:
”Epoka e Ekstremeve” (“I Rrëmbyeri Shekulli i Njezete”)-
nga Erik HOBSBAUM
”Udha drejt Skllaverisë” – nga Fridrich HAYEK
”Mendime mbi Revolucionin Francez”2007,nga Edmund BURKE
”Mbrëmje në pyjet me bore” –2007, përmbledhje poetike –përkthime
nga poezia botërore
”Në kërkim të kuptimit të jetës”, V.FRANKL, 2007
“Si veprohet në një projekt shkencor” J.BELL, 2008
Z. Gumeni, kur jeni arrestuar dhe cilat ishin motivet e arrestit?
Pasi ndjekja e Sigurimit m’u bë aq e hapët dhe nuk dukej rrugë tjetër, u nisa të arratisesha dhe përfundimisht u arrestova në kufi më 27 qershor 1967, tok me kushëriun tim, të ndjerin Dervish Gumeni. Nje nga arsyet qe e bëri më të ngutshme këtë kuturisje, ishte se e mora vesh që shkrimet e mia qenë konrtrolluar dhe raportuar nga të ngarkuarit e Degës së Brendshme.
Dihej pastaj se ku përfundoje me denoncime për shkrime të tilla kundër regjimit të kohës.
Kam dëgjuar se ju kanë bërë një “gjyq të hapur” në Tepelenë dhe dëshmitarët e atij gjyqi, njëri prej tyre 83-vjeçari B.Gjoni, thotë se keni mbajtur një qëndrim burrëror, si e kujtoni atë ditë të kobshme?
Ndoshta e keni fjalën për dënimin e dytë, që më dhanë në vitin 1970, kur arrestuan dhe vëllain tim, të ndjerin Izet Gumeni. Nuk qe një ditë, por dy ditë gjyq dhe ishte organizuar të zhvillohej me ftesa nga pushteti i kohës, ndoshta për të bërë një shembull që duhet të trembte, si ata që qenë kundër regjimit edhe besnikët e tij. Madje nisur nga ajo mënyrë organizimi, më duket se ai lloj gjyqi “shëmbullor” synonte të trembte më shumë pasuesit e regjimit se kundërshtarët e tij aq të heshtur e aq të rralluar nga dhuna shtetërore, që po hynte në dekadën e saj të tretë.
Nuk e di sesi e mbajnë mend ata që qenë thjesht spektatorë të asaj maskarade, që më dënoi për herë të dytë sepse duhej bërë sa më i besueshëm dënimi që po i jepnin vëllait tim të madh, për një akuzë që ishte dënuar dikur nga po i njëjti regjim. Prandaj dhe them se ridënimi im dhe i kushëriut, Dervishit, ishte më tepër për të bërë sa më bindës një dënim absurd ndaj tim vëllai, Izetit.
Përsa i përket qëndrimit tim, do të ishte më mirë që për atë gjë të pyeteshin pjesëmarrësit e shfaqjes dhë jo unë vetë. Fakt është që atë qëndrim ma kanë përmendur të gjitha strukturat e regjimit gjatë vuajtjes së dënimit dhe ma kanë sjellë gjithnjë si një “provë”se isha “një armik i betuar i pushetit popullor” – për të cituar gjuhën e drunjtë të asaj kohe të rëndë, kur populli ishte trembur aq shumë nga lemeritë e dhunës shtetërore sa dukej sikur, tok me kurajon qytetare, kishte humbur dhe arsyen.
Sa për të lehtësuar disi humorin e lexuesve tuaj të nderuar, po ju them një fakt tepër të çuditshëm, që më ka ndodhur këto vitet e fundit:
Ish-prokurori i atij gjyqi më ka dërguar të fala e madje më ka uruar dhe shëndet e jetë të gjatë, sipas tij, si “kudërshtari më dinjitoz që paska dënuar në karierën e tij të gjatë prej prokurori komunist”…
Sa për vete time, mund t’ju pohoj me krenari se kam njohur të dënuar politikë nga të cilët kam mësuar të qëndroj më këmbë e të qëndroj gjithnjë me të mirën në zemër, po aq sa më kanë mësuar për këtë gjë dhe prindërit e mi të mirë. Më duket se një shkrimtar i njohur Italian, që bëri disa vjet burg në kampet naziste, e ka thënë më mirë se cilët janë dëshmitarët e vërtetë të atij ferri.
Nëse mund të them përafërsisht përcaktimin e tij, do të ishte ky:”Të gjithë ne që flasim për atë ferr, më duket se nuk jemi dëshmitarët e vërtetë. Ata që e prekën me dorë Gorgonën, mbetën aty përjetë. Ata që bëjnë sot zhurmë të madhe për atë kohë, nuk janë dëshmitarë të besueshëm, sepse e kanë shkrehur çarkun me bisht…Por as ca të paktë që nuk patën ndihmën e bishtit, sikundër jam dhe unë, nuk e dëshmojnë dot atë që kanë parë, sepse kanë parë aq përçudnime të racës njerëzore, sa nuk flasin dot.”…
Në takimin që patëm në Tiranë, ju më përmëndët Çelo Arrëzën, ish-komandant i burgut, dhe unë u impresionova për cilësitë e tij të vyera të përshkruara aq realisht nga ju. A mund të më thoni diçka për të?
Kam pasur dhe kam bindjen se vlerat njerëzore janë aq të fuqishme e universale, sa nuk bëhen dot pronë vetëm e një pale. Këtë bindje ma bëjnë përherë e më më të fortë dhe shembuj burrërie si ai i Çelo Arrëzës, ish-komandanti im i kampit të përqëndrimit të Spaçit.
Më arrestuan për herë të dytë, sepse kishin arrestuar vëllain tim të madh, Izetin, sikurse kishin arrestuar përsëdyti edhe kushëriun tim, Dervishin, që uroj për të dy bashkë të prehen në paqe!
Po ecnim përroit të Rrepsit me gazin e zi të arrestimeve, që kish dërguar Sigurimi. Dy shoqëruesit e mi nga Hetuesia e Përgjithshme më kishin lidhur mirë dhe gazi i zi po ecte sikur të digjte jo vetëm benzinën por edhe gëzimin e kuadrove të “armës më të dashur të popullit e të Partisë”, ngaqë kishin arrestuar dhe një armik më shumë. Befas na del përpara gazi i komandant Çelos dhe ai u kërkoi hetuesve të ndalonin. Pas një diskutimi me zhargonin e atij dikasteri, njëri nga hetuesit i ra shoferit në krah që të ndalonte dhe ai ndaloi gazin e zi.
Dëgjoja të bërtiturat e kolonelit plak dhe m’u duk vetja në një botë tjetër, Në një botë ku njeriu është thejsht njeri dhe ku për të mbetur njeri nuk ka nevojë për tjetër gjë, veç vetëdijes për të qenë njeri edhe në ditë të rënda.
“Ku e shpini djali?- po bërtiste koloneli arrëzjot – E kam njeriun më të mirë në 1200 burra, çfarë ka bërë djali që e merrni prapë e unë nuk di gjë? Ç’jam unë, more batakçinj, që vini e më merrni njeriun në mes të ditës pa më thënë gjë fare? Nuk jam dhe unë i këtij pushteti e i kësaj partie? Çfarë ka bërë djali?”…
Nuk do ta harroj dot kurrë atë britmë të kolonelit plak, me të cilin nuk kisha folur as kur vinte në frontin e galerisë për inspektim. Dhe nuk kisha folur se, duke qenë të dy tepelenas, nuk doja që spiunët e shumtë ta denonconin dhe komandant Çelon për “zbutje të luftës së klasave”…
Ja pse kolonel Çelo Arrëza më kujton gjithmonë markezin Lantenak të Viktor Hygoit…
Në prag të ditës së 7 Marsit, si ish-mësues, por që diktatura nuk ju la ta ushtronit këtë profesion sepse ju burgosi, çfarë do të kujtonit nga koha që shërbyet në atë profesion?
Kanë qenë ditët më të bukura dhe më të shpërblyera të jetës sime. Them më të bukura, se nxënësit i kam dashur dhe, kur janë të bidnur që i do, nxënësit janë aq zemërgjerë sa të falin dhe mangësitë që mund të kesh si profesionist i ri. Por, kur them që janë ditët më të shperblyera, dua t’i falënderoj ish-nxënësit e mi kudo që janë dhe t’i falënderoj më gjithë zemër për dy dhurata të papritura që më kanë bërë me atë bujari që e kanë vetëm njerëzit e moshës së tyre, njerëzit që nuk kanë pasur ende kohë të mendojnë dhe keq për të tjerët.
Dhurata e parë më erdhi prej tyre pikërisht në prag të 7 Marsit të viti 1967. Edhe në shkollën e mesme të bashkuar (siç quhej atëherë) të Tepelenës kishte plasur një zell i madh midis mësuesve për “të zbatuar direktivat e Partisë pëmbi revolucionarizimin e shkollës” në bazë të njëfarë “trekëndëshi” që e futi në trekëndësh procesin e natyrshëm mësimor dhe nisi rrënimin e shkollës së mirëfilltë.
Ishte gazeta e tretë e Partisë që shkurante kundër meje me emër e me mbiemër, por këtë herë shumë më egër e më hapët, duke më akuzuar se isha “kundër revolucionarizimit të shkollës dhe mësimeve të shokut Enver”… Ishte një rrufe që nuk linte asnjë dyshim se po vinin rrotull të më bënin “mish për autoburgun”…
Kolektivi nisi mbledhjet e gjata për të analizuar artikullin e shkruar me pseudonim nga një aktivist i tacibaove, por edhe një përgjigje timen që e vara në këndin e gazetës së mësuesve, ku i kërkoja pseudonimit të dilte hapur e të dëshmonte se ku i kish dëgjuar ato për të cilat më akuzonte në gazetë. Se sado që nuk kishte njeri normal ta donte vërtet atë lloj regjimi, prapë nuk mund të të shkonte ndër mend që të luftoje hapur me Partinë dhe “udhëheqësin që ndriçonte botën”, por që kishte harruar të ndizte një qiri për lirinë dhe për njeriun në vendin e tij…
Ditën e dytë të mbledhjeve të gjata të gjimnazit, mbledhje që u bënë gazi i qytezës, nën derën e sallës së mësuesve filluan të hidheshin ca fletë letre ku shkruhej me atë thjeshtësinë e nxënësve:”Jemi me professor Dautin!”
U detyrova të shkoja nëpër kalsa në një pushim të mbledhjes së pambaruar dhe t’u kërkoja nxënësve të mi të mos hidhnin më nga ato letra nën derën e sallës së mësuesve dhe i falënderoj që më dëgjuan, sikurse nuk do ta harroj kurrë atë dhuratë të papritur që më bënë ata nxënës në ditë aq të vështira për mua.
Kurse dhuratën e dytë nxënsit ma bënë po aq të bukur e po aq të papritur: Në dy ditët e gjyqit të dytë në Tepelenë, pavarësisht nga të gjitha format që përdori pushteti i kohës për t’i bindur që të ngriheshin e të flisnin në gjyq kundër ish-mësuesit, tashmë “armik të betuar të popullit, të pushtetit e të Partisë”, nuk pati asnjë që ta dëgjonte atë kërkesë të regjimit. Dhe ndoshta nuk pati, jo se e kuptonin që ish-mësuesi i tyre kishte të drejtë, pasi midis atyre nxënsve të mirë kishte dhe fëmijë kolonelësh të Repartit të Ndjekjes e të Degës së Punëvë të Brendshme, por se e dinin mirë që mësuesi i tyre i matematikës i kishte dashur dhe i kishte dashur jo vetëm nxënës të mirë por dhe njerëz të mirë.
Nga shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, ju keni njohur kryetarin e saj, z, Dalan Luzaj në moshën e rinisë, cilat janë kujtimet me të?
Z.Dalan Luzaj e kam njohur kur ishte emëruar arsimtar i ri në zonën e Buzit (në mos gaboj) të Tepelenës. E kam njohur rastësisht në hotelin e vjetër të qytezës së Ali Pashës dhe mësova cili qe nga drejtori i atij hoteli, i cili e kishte lënë pa dhomë. Nuk se ishte aq i keq drejtori i vjetër i hotelit, por më tha gjithnjë me shaka: “Po ti, ballisti i Gusmarit, doemos që do bëhesh merak për atë të birin e komandantit të Ballit! Nuk ka vend hoteli i Partisë për ballistë?” Drejtori i vjetër doemos që po bënte shaka dhe djali simpatik i filozofit të madh shqiptar u regjistrua në një dhomë, pa e marrë vesh se një shok i tij vlonjat më pati thënë edhe që kishte mbetur pa dhomë edhe që ishte arsimtar i ri në Buz.
Nuk u takova më me Dalan Luzajn dhe u gëzova shumë kur mora përgjigje prej tij ca ditë më parë me një e-mail. I uroj shendet atij dhe vellait te tij Kujtimit që kam njohur në burg, i uroj gjithë të mirat atij dhe gjithë shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, sikurse uroj që të vijë dita të botohet e plotë vepra mdhore e filozofit tonë Isuf Luzajt, se është një vepër për të cilën ka shumë nevojë kultura jonë kombëtare.
Në kohën e demokracisë ju keni ushtruar dhe detyrën e diplomatit, cilat janë mbresat tuaja dhe a vazhdoni të keni lidhje me ambasadat ku punuat?
Kam punuar gati gjashtë vjet në diplomacinë e vendit tim dhe jam përpjekur të bëj më të mirën, pa mëtuar që të bëj malet bashkë. Mendoj se diplomacia jonë ka nevojë të madhe për profesionalizëm dhe përkushtim atdhetar, dy cilësi që më duket se vijon t’i dëmtojë militantizmi politik. Diplomacia më e mirë për Shqipërinë e tranzicionit të pambaruar, mbase do të ishte shtimi i investimeve të huaja dhe tok me to shtimi i miqve të Shqipërisë e të Kosovës së pavarur. Për më tepër mbase duhet të flasin diplomatët e karierës.
Ju jeni dhe shkrimtar i mirënjohur, dhe veprat më cilësore e më të bukura i shkruat brenda hekurave të burgut, si i realizuat ato?
Nuk e di sa i mirënjohur jam si shkrimtar dhe as sa të bukura janë për të tjerët ato që kam shkruar unë, por di mirë që letërsia ka qenë dhe mbetet një nga bukuritë e rralla të kësaj bote e që ma kanë bërë gjithnjë jetën më të durueshme, në mos jo gjithnjë më të bukur. Kam shkruar e shkruaj ende, por kohët e fundit më marrin më tepër kohë përkthimet. Mënyra sesi realizohen shkrimet, them se është e pandarë nga natyra e autorit, pavarësisht nga rrethanat ku shkruan. E bukura dhe e mira i kanë frymëzuar përherë të gjallët edhe në fund të ferrit. Mjafton të besosh me zemër tek e Bukura dhe tek e Mira.
Ju keni një poezi për figurën e madhe të kombit, për Ali Pashë Tepelenën, ju frymëzoi si tepelenas apo si shqiptar?
Ju vetë thoni se Ali Tepelena është një firgurë e madhe kombëtare, ndaj nuk ka nevojë të jesh doemos tepelenas për të shkruar për të dhe historinë shqiptare të kohës së tij. Nuk e di se kush mund të rreshtohej pas heroit tonë kombëtar, Skënderbeut të madh, të renditej si një figurë që të ketë lënë më tepër gjurmë në historinë shqiptare të kohës së vet. Ali Tepelena është ndoshta vërtet ashtu sikundër i thonë autorët e shumtë europianë të kohës së tij – një Bonopart Mysliman. Mjafton kaq, për të qëndruar i paharruar në faqet e historisë shqiptare e jo vetëm.
Cilat janë personalitetet e kulturës me të cilët ju mbanit lidhje gjatë jetës mizore të burgut?
Lidhjet me të gjallët përtej mureve të burgut, ishin të ndaluara në kohën e diktaturës komuniste shqiptare. Madje periodikisht (kur binte shi në Vietnam, për shembull…) ndalohej dhe komunikimi me personalitetet e ikur nga kjo jetë, sepse ndalonin shumicën e veprave të tyre.
Po doni të thoni për lidhjet me personalietet e burgosura nga regjimi, ata janë të shumtë dhe druaj se nuk i merr një intervistë e tillë, nuk i merr të paktën për nga madhështia dhe nga vetmohimi që tregonin në kërkim të lirisë. Sepse madhështorë qenë edhe ashtu të drobitur e në teshat e vjetëruara të burgut Patër Mushkalla e Sami Dangëllia, Dom Nikollë Mazreku e Niko Mali, Nesim Shehu e Patër Gegë Luma, Ahmet Hoxha e Marash Nika, Andrea Valera e Dom Simon Jubani, Skënder Alia e Ahmet Hoxha, Mihal Kikli e Zihni Dervishi, Dom Noc Nika e Kosta Dhimaleksi e Luan Koka me shokë të shumë, për të përmendur vetëm fare pak prej tyre, gjithnjë duke u kërkuar falje të gjithë atyre që nuk i përmenda, pasi të gjithë ata meritojnë shumë më tepër se përmendjen në një intervistë, sepse janë pjesë e historisë të një populli të tërë në luftë për liri e dinjitet njerëzor.
Keni menduar ndonjëherë të hidhni kandidaturën për deputet, që të mund t’i thoni mendimet tuaja e t’i ngrini problemet e vendit nga foltorja e Kuvendit?
E kam provuar një herë vetëm për t’u dalë borxhi qytetarëve të zonës sime dhe, duke qenë se nuk bëj pjesë në asnjë parti politike, mora vetëm “medaljen e bronzit”… Pa parti dhe pa mundësi monetare, në këtë tranziconin tonë të gjatë është e vështirë, në mos e pamundur, të zgjidhesh deputet. Sepse ende politikës sonë të trazicionit nuk i është mbushur mendja të pranojë zgjedhje vërtet të lira e të ndershme. Më duket se nuk do të kem kohë të pres sa të pranojë politika jonë zgjedhjet e lira si gjithë bota demokratike, kështu që jam i shpëtuar nga telashet e deputetit. Kjo nuk do të thotë që do të hesht e nuk do të shkruaj më publicistikë. Mund të kem mjaft mungesa, si të gjithë të vdekshmit e kësaj bote, por detyrën e qytetarit e kam kryer mirë qysh kur kam njohur veten dhe nuk besoj ta braktis tani që po më troket pleqëria.
A mendoni se një ditë trojet shqiptare do të bashkohen në Shqipërinë etnike?
Mendoj se është gjëja më e natyrshme që mund të ndodhë. Madje mund dhe të kishte ndodhur me kohë, po qe se politika jonë do të kishte më tepër përkushtim atdhetar e jo vetëm pushtetar. Mbase do nxjerrë dhe një ligj që njerëzit e ngarkuar me detyra të larta shtetërore, duhet të jenë jo vetm vetë me kombësi e shtetësi shqiptare, por duhet të kenë dhe gratë e tyre më kombësi e me shtetësi shqiptare. Kur Bajroni thoshte se “në këto treva jeton raca më e bukur e botës”, nuk më duket aq e përligjur dhe ca më pak e matur martesa e drejtuesve tanë politikë me gra të huaja…
Tiranë, më 26.02.2011
Subscribe to:
Posts (Atom)
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...