2011-08-01

FJALA E ENVER HOXHËS MBAJTUR NË 16 NËNTOR 1960 NË MBLEDHJEN E 81 PARTIVE KOMUNISTE NË MOSKË




Arkivat ruse botojnë fjalimin e Enverit në Mbledhjen e 81 Partive (Pikturë e Guri Madhit) 

Udhëtimin e tij të fundit jashtë, Enver Hoxha do ta mbyllte edhe me një nga fjalimet më të rëndësishme, jo vetëm të tij, por edhe të politikës shqiptare në ato vite. Ishte nëntori i vitit 1960, kur Hoxha bashkë me Mehmet Shehun, Hysni Kapon dhe Ramiz Alinë, mori pjesë në mbledhjen e 81 partive komuniste, e cila shënoi prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe de fakto daljen nga Traktati i Varshavës. De jure Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës vetëm 8 vjet më vonë. Divergjencat me kreun e BRSS-së, Hrushovin, ishin shfaqur disa muaj më parë që nga Mbledhja e Bukureshtit. Por vula e ndarjes mes dy vendeve ishte pikërisht Mbledhja e 81 Partive në Moskë. Më datë 16 nëntor, Enver Hoxha mbajti fjalimin prej 80 faqesh ku do të dilte hapur kundër politikës së ndjekur nga Hrushovi dhe do mbronte politikën e Partisë Komuniste Kineze. Gazeta "Tirana Observer" ka zbuluar të plotë në arkivat ruse fjalimin që Enver Hoxha ka mbajtur në mbledhjen e 81 partive në Moskë. Vetëm pak kohë më parë arkivat ruse kanë deklasifikuar dokumentet sekrete për Shqipërinë ku në të bënte pjesë fjalimi i gjatë i Enver Hoxhës që ndau Shqipërinë me Bashkimin Sovjetik. Fjalimi është publikuar i plotë dhe pa asnjë retushim nga ana e arkivave ruse. Në numrin e sotëm gazeta "Tirana Observer" boton pjesën e parë të fjalimit prej 80 faqesh të Enver Hoxhës. Në këtë pjesë ai denoncon marrëveshjet dhe takimet që kishte kryer Nikita Hrushov me krerë të vendeve perëndimore, midis të cilëve dhe amerikanë si dhe shpreh rezervat ndaj kursit të ri të udhëheqjes sovjetike. Gjithashtu në këtë pjesë ish-udhëheqësi komunist del edhe kundër marrëveshjeve për çarmatimin e armëve bërthamore.

Mehmet Shehu, Nikita Hrushqov dhe Enver Hoxha 

Fjala e Enver Hoxhës e mbajtur në emër të KQ të PPSH në mbledhjen e 81 Partive Komuniste dhe Punëtore në Moskë me 16 nëntor 1960

16 nëntor 1960

Të dashur shokë,

Kjo mbledhje e Partive Komuniste dhe Punëtore ka një rëndësi historike për lëvizjen komuniste ndërkombëtare, pse po i bën një analizë të hollësishme situatës politike ndërkombëtare, po bën bilancin e sukseseve dhe të gabimeve që mund të jenë vërtetuar në rrugën tonë dhe na ndihmon ne të përcaktojmë më qartë vijën që duhet të ndjekim paskëtaj për të korrur suksese të reja në dobi të socializmit, të komunizmit dhe të paqes.

Në botë tashmë ekziston kampi i socializmit, me Bashkimin Sovjetik në krye. Lëvizja komuniste në përgjithësi është zgjeruar, është forcuar dhe është kalitur. Partitë komuniste dhe punëtore në të gjithë botën janë bërë një forcë kolosale, që çon njerëzimin përpara drejt socializmit, drejt paqes. Siç theksohet edhe në projektdeklaratën që është përgatitur, kampi ynë i socializmit është shumë më i fortë se kampi i imperializmit. Socializmi çdo ditë forcohet dhe ngjitet, kurse imperializmi dobësohet, kalbëzohet. Ne me të gjitha mjetet dhe forcat duhet ta shpejtojmë këtë proces. Kjo do të ngjasë në qoftë se i qëndrojmë besnikë të patundur marksizëm-leninizmit dhe e zbatojmë atë drejt. Përndryshe, ne do ta frenojmë këtë proces, pse kemi përpara armiq të egër, që duhet t‘i mundim dhe t‘i shkatërrojmë, kemi imperializmin, me imperializmin amerikan në krye.

Ne e duam paqen, kurse imperializmi nuk e do paqen dhe po përgatitet për një luftë të tretë botërore. Ne duhet të luftojmë me të gjitha forcat që të shmanget lufta botërore dhe të triumfojë në botë një paqe e drejtë dhe demokratike. Kjo do të arrihet kur imperializmin do ta detyrojmë të çarmatoset. Me vullnetin e tij imperializmi nuk i lëshon armët. Të besosh një gjë të tillë, është njësoj si të gënjesh veten dhe të tjerët. Duhet t‘i vëmë, pra, imperializmit përballë forcën kolosale ekonomike, ushtarake, moralo-politike dhe ideologjike të kampit të socializmit dhe njëkohësisht forcën e bashkuar të popujve të të gjithë botës, për të sabotuar me të gjitha mënyrat luftën që përgatitin imperialistët.

Partia e Punës e Shqipërisë këtë situatë dhe kërcënimin që i turret njerëzimit paqedashës nga imperialistët as nuk ia ka fshehur dhe as do t‘ia fshehe popullit të vet. Populli shqiptar, i cili e urren luftën, mund t‘ju sigurojmë se nuk është frikësuar nga ky veprim i drejtë i Partisë së tij: as pesimist nuk është bërë, as në vend nuk ka ngecur për sa i përket ndërtimit të socializmit. Perspektivat e së ardhmes ai i ka të qarta dhe punon me besim të plotë, duke qenë kurdoherë vigjilent, duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën.

Pikëpamja jonë është se imperializmi, me imperializmin amerikan në krye duhet demaskuar pa mëshirë, politikisht dhe ideologjikisht dhe asnjëherë nuk duhet lejuar t‘i bëhen lajka, përkëdhelje, lustrime imperializmit. Asnjë lëshim parimor nuk duhet t‘i bëhet imperializmit. Taktikat dhe kompromiset e lejueshme nga ana jonë duhet të ndihmojnë çështjen tonë dhe jo të armikut.

Përpara armikut të egër garanci për fitoren e çështjes sonë është uniteti ynë i plotë, i cili do të sigurohet duke zhdukur mosmarrëveshjet e thella ideologjike që janë shfaqur, dhe duke e bazuar këtë unitet në bazat e marksizëm-leninizmit, në barazi, në vëllazërim, në frymën shoqërore dhe të internacionalizmit proletar. Partia jonë mendon se jo vetëm nuk duhet të ketë asnjë të çarë ideologjike, por rrjedhimisht duhet të kemi edhe një qëndrim politik unik për të gjitha çështjet. Taktika dhe strategjia jonë ndaj armiqve duhet të jenë të përpunuara prej të gjitha partive tona, të mbështetura në parimet marksiste-leniniste, në kritere të drejta politike dhe që t‘u përshtaten situatave konkrete dhe reale. . .

Të gjithë popujt e botës aspirojnë dhe luftojnë për liri, për pavarësi, për sovranitet, për drejtësi shoqërore, për kulturë, për paqe. Këto aspirata të shenjta ua ka shtypur dhe po ua shtyp kapitalisti, feudali, imperialisti dhe është, pra, e natyrshme që lufta e këtyre popujve të zhvillohet me rreptësi të madhe kundër kapitalisteve, kundër feudalëve, kundër imperialistëve. Është gjithashtu e natyrshme që popujt e botës të kërkojnë aleatët e tyre në këtë luftë për jetën, që bëjnë kundër xhelatëve të tyre. .

Prandaj, në luftën për paqen, për çarmatimin, për përparimin shoqëror në botë, kampi i socializmit nuk është i vetëm përballë kampit imperialist; ai është në aleancë të ngushtë me të gjithë popujt përparimtarë të botës, kurse imperialistët ndodhen të vetmuar përballë kampit të socializmit.

Po jetojmë në një kohë, kur shohim të shkatërrohet fund e krye kolonializmi, të zhduket kjo murtajë që shfaroste popujt nga faqja e dheut. Shtete të reja po lindin në Afrikë, në Azi. Shtete ku sundonte kapitali, kërbaçi dhe plumbi po zhdukin zgjedhën e robërisë dhe popujt po marrin në dorë fatet e tyre. Kjo gjë u arrit dhe po arrihet në sajë të luftës së këtyre popujve dhe të ndihmës morale që u japin këtyre popujve Bashkimi Sovjetik, Kina Popullore dhe vendet e tjera të kampit të socializmit.

Tradhtarë të marksizëm-leninizmit, agjentë të imperializmit dhe intrigantë, si Josif Broz Titoja, përpiqen me një mijë mënyra, duke kurdisur plane djallëzore, për të çorientuar popuj dhe shtete të reja, për t‘i shkëputur këta nga aleatet e tyre të natyrshëm, për t‘i lidhur këta drejtpërdrejt me imperializmin amerikan. Ne duhet të vëmë të gjitha forcat për t‘ua shpartalluar këto plane këtyre shërbëtorëve të imperializmit.

Ne po asistojmë në shthurjen e imperializmit, të kalbëzimit të tij, të agonisë së tij. Ne rrojmë dhe luftojmë në epokën që karakterizohet nga kalimi i pandalshëm nga kapitalizmi në socializëm. Po vërtetohen të gjitha mësimet gjeniale të Karl Marksit dhe të Vladimir Iliç Leninit, të cilat kurrë nuk janë vjetruar, siç pretendojnë revizionistët.

Imperializmi botëror po ha grushte të rënda, të atilla që tregojnë qartë se ai nuk është më në "moshën e artë" të tij, kur bënte ligjin kur të donte dhe si të donte. Iniciativa i iku tani nga duart dhe këtë nuk e la nga qejfi dhe me dëshirën e vet. Kjo iniciativë nuk iu mor atij me fjalë dhe vetëm me fjalime, por iu mor pas një procesi të gjatë luftërash dhe revolucionesh të përgjakshme, që kapitalizmi vetë provokoi kundër proletariatit, kundër forcës së popujve që po ngriheshin për të shkatërruar botën e urisë dhe të mjerimit, botën e skllavërisë. Këtë faqe të lavdishme e hapi Revolucioni i madh Socialist i Tetorit, e hapi Bashkimi i madh Sovjetik, e hapi Lenini i madh.

Imperializmi botëror, me imperializmin amerikan në krye, edhe tani, kur shikon se i afrohet vdekja, kur shikon se përpara tij ka kundërshtarë të fortë dhe të vendosur, siç janë kampi i socializmit dhe aleanca e tij e madhe me të gjithë popujt e botës, po përqendron, organizon dhe armatos forcat e tij të sulmit. Ai përgatitet për luftë. Kush nuk e sheh këtë ai është qorr. Kush e sheh, por e mbulon,ai është tradhtar në shërbim të imperializmit. Partia e Punës e Shqipërisë mendon se, me gjithë vështirësitë e mëdha që hasim në rrugën për vendosjen e paqes në botë, për çarmatimin dhe për zgjidhjen e problemeve të tjera ndërkombëtare, nuk ka pse të jemi pesimistë. Vetëm armiqtë tanë, që po pësojnë humbje, janë dhe duhet të jenë pesimistë. Ne kemi fituar, fitojmë dhe do të fitojmë, prandaj kemi qenë dhe jemi optimistë dhe jemi të bindur se përpjekjet tona do të kurorëzohen me sukses.

Por ne mendojmë se optimizmi i tepruar, jorealist, jo vetëm s‘është i mirë, por është i dëmshëm Kush mohon, kush zvogëlon, kush s‘ka besim në forcën tonë të madhe ekonomike, politike, ushtarake, morale, ai është disfatist dhe s‘meriton të quhet komunist. Por edhe ai, që, i dehur nga forca jonë, i duken kundërshtarët miza, kujton se armiku ka humbur çdo shpresë, se ai u bë i parrezikshëm dhe është plotësisht në mëshirën tonë, ai nuk është realist dhe blofon, i vë në gjumë njerëzit, vë në gjumë popujt përpara këtyre situatave të ndërlikuara dhe plot rreziqe, që kërkojnë prej të gjithëve një vigjilencë shumë të madhe, që kërkojnë ngritjen e hovit revolucionar të masave dhe jo uljen, shthurjen, dekompozimin dhe rehatinë. Populli ynë i vuajtur thotë: Uji fle, por armiku nuk fle.

Le të shohim drejt në sy faktet. Imperializmi botëror, me repartin e tij më agresiv, imperializmin amerikan në krye, po drejton ekonominë e tij drejt përgatitjes së luftës. Ai po armatoset deri në dhëmbë. Imperializmi amerikan po armatos me çfarëdo arme Gjermaninë e Bonit, Japoninë dhe të gjithë aleatët dhe satelitët e tij. Ai ka organizuar dhe i përsos organizatat ushtarake agresive, ai ka krijuar dhe po krijon baza ushtarake nga të katër anët rreth kampit të socializmit. Ai po i shton stoqet e armëve bërthamore, ai s‘pranon të çarmatoset, ai s‘pranon t‘i ndalojë provat e armëve bërthamore, ai punon në ethe për shpikje të reja të shfarosjes në masë. Të gjitha këto përse i bën? Për të shkuar në dasmë? Jo! Për të shkuar në luftë kundër nesh, për të zhdukur socializmin dhe komunizmin për të skllavëruar popujt.

Partia e Punës e Shqipërisë mendon se po të flasim dhe po të mendojmë ndryshe, atëherë gënjejmë veten dhe të tjerët. Ne nuk do të quheshim komunistë, në rast se do të na trembnin vështirësitë e jetës. Ne komunistët e urrejmë luftën, ne komunistët do të luftojmë deri në fund që t‘i shkatërrojmë planet djallëzore dhe të luftës, që përgatit imperializmi amerikan, por po na shpalli ai luftë, ne duhet t‘i japim grushtin përfundimtar, që imperializmi të zhduket përgjithmonë nga faqja e dheut.

Përpara kërcënimeve të imperializmit botëror, të kryesuar nga imperializmi amerikan, për luftë atomike, ne duhet të jemi plotësisht të përgatitur si ekonomikisht, politikisht, moralisht, ashtu edhe ushtarakisht, për t‘i bërë ballë çdo eventualiteti. Luftën botërore ne duhet ta shmangim, ajo nuk është fatalisht e pashmangshme, por askush nuk do të na falë kurrë në rast se rrojmë me ëndrra dhe armiku na gjen në befasi, sepse s‘ka ndodhur kurrë që armiku të jetë ose të quhet loyal!, ndryshe s‘do të quhej armik. Armiku është dhe qëndron armik dhe i pabesë. Kush i zë besë armikut, ai e humb shpejt ose vonë davanë...

Politika paqësore e vendeve të kampit te socializmit ka ndikuar shumë në demaskimin e qëllimeve agresive të imperializmit, në mobilizimin e popujve kundër luftënxitësve, në zhvillimin e luftës së tyre të lavdishme kundër shtypësve imperialistë dhe veglave të tyre...

Por, megjithëkëtë, shumë probleme konkrete, të cilat janë shtruar në tavolinë, si propozimet për çarmatimin, konferenca e nivelit të lartë etj, nuk janë zgjidhur dhe po sabotohen sistematikisht nga imperialistët amerikanë.

Ç‘konkluzione duhet të nxjerrim nga këto? Partia e Punës e Shqipërisë mendon se imperializmi, dhe në radhë të parë imperializmi amerikan, s‘e ka ndërruar lëkurën, as qimen, as natyrën. Ai është agresiv, ai do të jetë agresiv, sikur edhe një dhemb t‘i mbetet në gojë. Dhe duke qenë agresiv, ai mund ta hedhë botën në luftë. Prandaj ne, ashtu siç theksuam edhe në komisionin redaktues, vazhdojmë të ngulim këmbë se duhet t‘u bëhet e qartë popujve se garanci absolute që nuk do të ketë luftë botërore, mund të kemi vetëm pasi të ketë triumfuar socializmi në të gjithë botën, ose në pjesën më të madhe të vendeve të botës. Hapur flasin amerikanët, ata s‘pranojnë çarmatim, përkundrazi po i shtojnë armatimet, ata përgatitin luftën, prandaj duhet të jemi vigjilentë. Armiku s‘duhet t‘i bëjmë asnjë lëshim parimor, të mos krijojmë asnjë iluzion për imperializmin, pse duke menduar se i vëmë vetulla, mund t‘i nxjerrim sytë çështjes. Armiku jo vetëm po armatoset dhe po përgatit luftën kundër nesh, por zhvillon edhe një propagandë të shfrenuar për të helmatisur shpirtrat, për t‘i hutuar njerëzit.

Ai harxhon me miliona dollarë për të blerë agjentë dhe spiunë, harxhon me miliona dollarë për të organizuar në vendet tona akte spiunazhi, diversioni dhe atentate. Imperializmi amerikan u ka dhënë dhe po u jep miliarda dollarë agjentëve të tij besnikë, bandës, tradhtare të Titos. Të gjitha këto ai i bën që të dobësojë frontin tonë të brendshëm, të na përçajë ne, të dobësojë dhe të organizojë prapavijat tona.

Shumë diskutohet rreth çështjes së bashkekzistencës paqësore, bile disa afirmojnë edhe absurditete të atilla, sikur Kina Popullore dhe Shqipëria qenkan kundër bashkekzistencës paqësore. Me duket se duhen hedhur poshtë një herë e mirë pikëpamje të tilla të dëmshme dhe të gabuara. Nuk mund të ketë shtet socialist, nuk mund të ketë komunist që të jetë kundër bashkekzistencës paqësore, që të jetë luftëdashës. Lenini i madh ka shtruar i pari parimin e bashkekzistencës paqësore të shteteve me rende shoqërore të ndryshme si një domosdoshmëri objektive, derisa në botë krahas njëri-tjetrit, ekzistojnë si shtetet socialiste ashtu edhe ato kapitaliste. Partia jonë e Punës, duke i qëndruar besnike këtij parimi të madh të Leninit, gjithnjë ka menduar dhe mendon se politika e bashkekzistencës paqësore u përgjigjet interesave rrënjësore të të gjithë popujve, i përgjigjet qëllimit të forcimit të mëtejshëm të pozitave të socializmit, prandaj këtë parim të Leninit ajo e ka në bazë të politikës së jashtme të shtetit tonë popullor. Bashkekzistenca, paqësore midis dy sistemeve të kundërta nuk do të thotë, siç pretendojnë revizionistët modernë se duhet hequr dorë nga lufta e klasave. Përkundrazi, lufta e klasave duhet të vazhdojë, lufta politike dhe ideologjike kundër imperializmit, kundër ideologjisë borgjeze dhe asaj revizioniste duhet të forcohet gjithnjë e më shumë. Duke luftuar me konsekuencë për vendosjen e bashkekzistencës paqësore leniniste, duke, mos i lëshuar aspak në parimet imperializmit, duhet të zhvillohet më tej lufta e klasave në vendet kapitaliste, si edhe lëvizja nacionalçlirimtare e popujve të vendeve koloniale dhe të varura. Sipas pikëpamjes sonë, partitë komuniste dhe punëtore të vendeve kapitaliste duhet të luftojnë që të vendoset bashkekzistenca paqësore në mes të vendit të tyre, që është akoma me sistem kapitalist dhe vendeve tona socialiste... Por detyra e tyre s‘mbaron me kaq. Në këto vende duhet të zhvillohet, të rritet, të forcohet, lufta e klasave, dhe masat punonjëse, të udhëhequra nga proletariati vendës me partinë komuniste në krye edhe në aleancë me të gjithë proletariatin botëror, t‘ia bëjnë jetën të pamundur imperializmit, t‘i dërrmojnë atij bazat e luftës dhe të ekonomisë, t‘i rrëmbejnë atij nga duart forcën ekonomike dhe politike dhe të shkojnë drejt shkatërrimit të pushtetit të tij të vjetër dhe të vendosin pushtetin e ri të popullit. Këtë do ta bëjnë me dhunë apo me rrugën paqësore e parlamentare?

Kjo çështje ka qenë e qartë, kot na e ngatërroi shoku Hrushov në Kongresin XX dhe e ngatërroi në atë drejtim që u pëlqeu në fakt oportunistëve. Përse duhej t‘u bëheshin gjithë këto parodi tezave të qarta të Leninit dhe të Revolucionit Socialist të Tetorit? Partia e Punës e Shqipërisë e ka pasur të qartë dhe nuk lëviz nga mësimet e Leninit në këtë çështje. Deri tani asnjë popull, asnjë proletariat dhe asnjë parti komuniste ose punëtore s‘e ka marrë pushtetin pa gjak dhe pa dhunë. Është e padrejtë kur disa shokë pretendojnë se ata e kanë marrë pushtetin pa gjak; ata harrojnë që për ta ka derdhur gjakun si lumë Ushtria e lavdishme Sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.

Partia jonë mendon për këtë çështje se duhet të përgatitemi për të dyja rrugët dhe të përgatitemi mirë sidomos për marrjen e pushtetit me anën e dhunës, pse, po të përgatitemi mirë nga kjo anë, edhe mundësia e parë ka më tepër shans të ketë sukses. Borgjezia mund të të lërë të psaltësh, pastaj të fut një grusht fashist në kokë dhe të dërrmon, pse s‘ke përgatitur as kuadrot e sulmit, as punën në ilegalitet, as vendet ku të ruhesh dhe të punosh, as mjetet me se të luftosh. Këtij eventualiteti tragjik duhet t‘i dalim përpara. Partia e Punës e Shqipërisë ka qenë, është, do të jetë dhe do të luftojë në rrugën marksiste-leniniste dhe në bazë të Deklaratës së Moskës për paqen, për bashkekzistencën paqësore, ashtu sikurse na mëson Lenini. Ajo ka qenë, është dhe do të jetë e do të luftojë në mënyrë aktive për çarmatimin e përgjithshëm. Në asnjë rast dhe për asnjë çast Partia e Punës e Shqipërisë nuk do të pushojë t‘u bëjë një luftë politike e ideologjike veprimeve të imperializmit dhe të kapitalistëve si dhe ideologjisë borgjeze, nuk do të pushojë t‘i bëjë një luftë të ashpër, të pandërprerë dhe pa asnjë kompromis revizionizmit modern dhe në veçanti revizionizmit titist jugosllav. Mund të ketë shokë që të na akuzojnë ne, shqiptarët, për kokëfortë, për piper të kuq, për gjaknxehtë, për sektarë, për dogmatikë e për çfarë të duash, por ne i hedhim poshtë të gjitha këto akuza false dhe u themi këtyre se ne s‘lëvizim nga këto pozita, se janë marksiste-leniniste.

Thuhet se ne duam luftën dhe jemi kundër bashkekzistencës. Bile shoku Kozllov neve, shqiptarëve, na ka vënë këtë alternative: ose bashkekzistencë, siç e kupton këtë ai, ose një bombë atomike nga imperialistët, e cila do ta bëjë hi Shqipërinë dhe asnjë shqiptar s‘do të mbetet i gjallë. Një kërcënim të tillë atomik asnjë përfaqësues i imperializmit amerikan nuk ia ka bërë deri tani Popullit shqiptar. Por ja që atë ia bën një anëtar i Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Dhe kujt ia bën? Një populli të vogël, heroik, që në shekuj ka luftuar me armiq të egër dhe të panumërt dhe që kurrë s‘është, përkulur, një populli të vogël, që luftoi me heroizëm të pashoq kundër hitlerianëve dhe fashistëve italianë, ia thotë një partie që i qëndron besnike konsekuente deri në fund marksizëm-leninizmit. Por, shoku Froll Kozllov, ti ke gabuar adresë, ti nuk na frikëson dot ne, që t‘i përulemi vullnetit tënd të gabuar dhe ne s‘e ngatërrojmë kurrë Partinë e lavdishme të Leninit me ju, që silleni kaq keq dhe kaq paturpësisht me popullin shqiptar dhe me Partinë e Punës të Shqipërisë. Partia e Punës e Shqipërisë do të luftojë dhe do t‘i mbështetë të gjitha propozimet e drejta dhe paqësore të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera të kampit të socializmit, si dhe të vendeve të tjera paqedashëse. Partia e Punës e Shqipërisë do të vërë të gjitha forcat, do t‘i përdorë të gjitha të drejtat dhe do t‘i kryejë të gjitha detyrat e saj për forcimin e unitetit të kampit të socializmit, të një uniteti marksist-leninist. Është absurde të mendohet që Shqipëria e vogël socialiste kërkon të shkëputet dhe të rrojë jashtë kampit të socializmit, jashtë vëllazërisë së popujve tanë socialistë. Qenien në gjirin e kampit të socializmit s‘ia ka falur njeri Shqipërisë, por atë e kanë vendosur vetë populli ynë dhe Partia e Punës e Shqipërisë me gjak, me pune, me sakrifica, me djersë, me sistemin e qeverimit që kanë vendosur dhe me rrugën marksiste-leniniste që ndjekim. Por askujt gjithashtu të mos i shkojë ndër mend se, meqë Shqipëria është e vogël, meqë Partia e Punës e Shqipërisë është e vogël, duhet të bëjë ashtu si thotë ndokush, kur ajo është e bindur se ai ndokushi gabohet.

Sikundër u shpreha edhe më lart, Partia e Punës e Shqipërisë mendon se kampi ynë i socializmit, që ka një qëllim, që udhëhiqet nga marksizëm-leninizmi, duhet të ketë edhe strategjinë e taktikën e vet dhe këto të përpunohen së bashku nga partitë dhe nga shtetet tona të kampit të socializmit. Në gjirin e kampit tonë ne kemi krijuar disa forma organizimi pune, por është e drejtë të themi se këto kanë mbetur disi formale ose, më mirë me thënë, nuk funksionojnë në mënyrë kolegjiale, si për shembull organet e Traktatit të Varshavës dhe Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke. Të kuptohemi. Këtu s‘e kemi çështjen të pyetemi ose jo edhe ne. Natyrisht, asnjëri nuk na e mohon të drejtën të pyetemi, por duhet të mblidhemi që të pyetemi. Çështjen e ngremë në parim dhe themi se këto forma organizimi duhet të funksionojnë rregullisht, atje të shtrohen problemet, të merren vendime dhe të kontrollohet zbatimi i këtyre vendimeve.

Zhvillimi dhe fuqizimi i mëtejshëm i ekonomisë së vendeve të socializmit kanë qenë dhe janë kurdoherë në planin e parë të partive dhe të qeverive tona dhe përbëjnë një nga faktorët vendimtarë të forcës se pamposhtur të kampit të socializmit.

Ndërtimi i socializmit dhe i komunizmit po ecën me hapa të vrullshëm në vendet tona. Kjo u detyrohet përpjekjeve të mëdha të popujve tanë dhe ndihmës që i jepet shoku-shokut.
Republika Popullore e Shqipërisë s‘i ka dhënë ndihmë ekonomike njeriu deri tani, e para, se jemi të varfër dhe, e dyta, se s‘ka njeri nevojë për ndihmën tonë ekonomike. Por brenda normave të drejta ne kemi bërë dhe bëjmë të gjitha përpjekjet që me eksportin tonë të ndihmojmë, sado pak, vendet miq dhe vëllezër. Ne jemi ndihmuar nga miqtë tanë dhe në radhë të parë nga Bashkimi Sovjetik...

Këtë ndihmë të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera të demokracisë popullore, Partia e Punës e Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë e kanë shfrytëzuar sa më mirë në interes te popullit. Për këtë ndihmë populli ynë u është përjetë mirënjohës popujve sovjetikë dhe popujve të vendeve të demokracisë popullore. Në këtë ndihmë e kemi kuptuar, e kuptojmë dhe do ta kuptojmë jo sikur na është dhënë si lëmoshë, por si ndihmë vëllazërore, si ndihmë internacionaliste.

Populli ynë, si një popull që ka qenë i varfër në kulm, si një popull që luftoi me heroizëm, si një popull që u vra e u dogj, e kishte për detyrë t‘u kërkonte ndihmë miqve dhe vëllezërve me të mëdhenj e më të pasur ekonomikisht se ai. Edhe miqtë e kishin dhe e kanë për detyrë internacionaliste ta japin këtë ndihmë. Prandaj duhet hedhur poshtë çdo pikëpamje e errët dhe antimarksiste që mund të shfaqet në lidhje me karakterin dhe me qëllimin e kësaj ndihme nga ndokush. Presionet ekonomike mbi Partinë e Punës të Shqipërisë, mbi Qeverinë Shqiptare dhe mbi popullin tonë s‘do të kenë kurrë sukses.

Unë dëshiroj të shtroj këtu çështjen që ndihmat nga vendet ekonomikisht më të forta për vendet më të dobëta ekonomikisht, sikurse është rasti i vendit tonë, duhet të jenë më të mëdha. Populli shqiptar nuk mendon aspak që të lidhe duart dhe të hapë gojën ta ushqejnë të tjerët. Ky s‘është zakoni i tij. Populli ynë, gjithashtu, nuk ka ato pretendime që niveli i jetesës në vendin tonë të ngrihet menjëherë në nivelin e jetesës së shumë prej vendeve të demokracisë popullore, por një ndihmë më e madhe duhet t‘i jepet vendit tonë për zhvillimin e mëtejshëm të forcave prodhuese. Ne mendojmë se vendet ekonomikisht të forta të kampit të socializmit duhet t‘u japin kredi edhe vendeve kapitaliste asnjanëse, edhe popujve të porsaçliruar nga kolonializmi, kur udhëheqjet e këtyre vendeve kapitaliste janë kundër imperializmit, mbështetin politikën paqësore të kampit të socializmit dhe nuk pengojnë e nuk kundërshtojnë luftën legjitime të forcave revolucionare, por në radhë të parë duhet të shikohen më me kujdes dhe të plotësohen nevojat e vendeve të kampit të socializmit. Sigurisht ka nevojë India për hekur dhe për çelik, por ka nevojë më shumë dhe më përpara Shqipëria socialiste, ka nevojë për ujitje dhe për energji elektrike Egjipti, por ka nevojë më shumë dhe më përpara Shqipëria socialiste.

Në shumë probleme politike të dorës së parë kampi ynë i socializmit ka pasur dhe ka pikëpamje të njëjta. Por, duke mos i bërë në rregull konsultimet kolegjiale, mjaft herë është vënë re se shtete të kampit tonë të socializmit marrin iniciativa politike (në parim ne s‘jemi kundër marrjes së iniciativave), të cilat shumë herë prekin edhe shtete të tjera të kampit të socializmit. Disa nga këto iniciativa nuk janë të drejta dhe kjo ndodh, sidomos, kur këto nuk merren në formë kolegjiale nga pjesëtarët e Traktatit të Varshavës.

E tillë është iniciativa e qeverisë bullgare, e cila i njoftoi qeverisë greke, pa e përfillur aspak Shqipërinë, se vendet e demokracisë popullore të Ballkanit pranojnë të çarmatosen në rast se vepron po kështu edhe qeveria greke. Kjo iniciativë ka qenë e gabuar për pikëpamjen tonë, sepse, edhe sikur ta pranonte Greqia një propozim të tillë, atë nuk do ta pranonte Qeveria Shqiptare.

Shqipëria është dakord me propozimin sovjetik që bëri Nikita Hrushovi në muajin maj 1959, por jo me propozimin bullgar që dëshiron të çarmatosë vendet e Ballkanit, duke lënë pa prekur Italinë. Apo harruan shokët bullgarë se Italia borgjeze dhe fashiste e ka sulmuar disa herë gjatë këtij shekulli Shqipërinë?

A mund t‘u lejohet shokëve bullgarë rasti tjetër, që, duke mos u konsultuar aspak me Qeverinë Shqiptare, me të cilën ata janë të lidhur me një traktat mbrojtjeje, t‘i propozojnë qeverisë greke një traktat miqësie dhe mossulmimi, në një kohë kur Greqia mban me Shqipërinë gjendjen e luftës dhe ka pretendime territoriale mbi atdheun tonë? Të tilla veprime neve na duket se janë të rrezikshme të merren në mënyrë të njëanshme.

Nga këto kundërshtime të drejta dhe legjitime tonat mundet që shokët bullgarë të kenë arritur në konkluzionet se gjoja ne shqiptarët nuk kuptojmë mirë bashkekzistencën, duam luftën etj. Këto pikëpamje janë të gabuara.

Veprime të tilla janë shfaqur gjithashtu nga shokët polakë në Kombet e Bashkuara, ku shoku Gomulka deklaroi në mënyrë të njëanshme përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Polonia propozon "të ruhet statukuoja aktuale e vendosjes së forcave ushtarake në botë dhe konkretisht të mos krijohen më baza ushtarake, po të qëndrojnë këto që janë, të mos vihen më raketa, por të qëndrojnë këto që janë, të ruajnë sekretin e bombës atomike ato shtete që e kanë dhe të mos ua japin atë shteteve të tjera". Një propozim i tillë, sipas mendimit tonë, është në kundërshtim me interesat e kampit tonë. Të mos vihen më raketa, po kush e ku? Të gjithë anëtarët e NATO-s, duke përfshirë edhe Italinë, Gjermaninë Perëndimore e Greqinë, janë pajisur me raketa. Të mos i jepet sekreti i bombës atomike, kujt? Atë e ka Anglia, e ka Franca e ka edhe Gjermania Perëndimore. Është e qartë se një propozim i tillë do të na detyrojë ne, vendet e demokracisë popullore, të mos vendosim raketa, ose ndonjë vend tjetër i kampit socialist, veç Bashkimit Sovjetik, të mos e ketë bombën atomike. 

Ndrrimi i kursit : Afria me Kinëzët 

Ne shtrojmë çështjen, përse Kina komuniste të mos e ketë bombën atomike? Ne mendojmë se ajo duhet ta ketë dhe, kur edhe Kina t‘i ketë bombën dhe raketat, atëherë do të shohim se me çfarë gjuhe do të flasë imperializmi amerikan, do të shohim se a do të vazhdohet t‘i mohohen të drejtat Kinës në arenën ndërkombëtare, do të shohim se a do të guxojnë imperialistët amerikanë të vringëllojnë armët siç bëjnë sot. Pse, duke e pasur bombën dhe duke e hedhur bombën do t‘i fitojë këto të drejta Kina mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të na pyesë ndokush? Jo, Kina, nuk e hedh bombën kurrë, në rast se nuk sulmohemi nga ata që e kanë në gjak agresionin dhe luftën. Po të mos e kishte Bashkimi Sovjetik bombën, imperializmi do të fjalosej ndryshe me të. Me bomba në kurrë nuk do të sulmojmë, ne jemi kundër luftës, ne jemi gati t‘i shkatërrojmë ato, por bombën ne duhet ta kemi për t‘u mbrojtur. Frika i ruan vreshtat, thotë populli ynë. Imperialistët duhet të na e kenë frikën dhe, bile, të na e kenë shumë. Partia e Punës e Shqipërisë, e mbështetur në marksizëm-leninizmin dhe në Deklaratën e në Manifestin e Paqes të Moskës, në çështjet e politikës ndërkombëtare dhe në problemet e rëndësishme të ndërtimit të socializmit ka ndjekur një vijë të drejtë marksiste-leniniste. Në marrëdhëniet ndërkombëtare vija e Partisë sonë ka qenë në përputhje me politikën e kampit të socializmit. . .

Enver Hoxha dhe Mao Ce Dung 

Problemet e mëdha të kohës e kanë preokupuar edhe Partinë e Punës të Shqipërisë, edhe popullin tonë të vogël. Republika jonë Popullore ka qenë dhe është e rrethuar gjeografikisht nga shtete kapitaliste dhe nga revizionistët jugosllavë; neve na është dashur të jemi shumë vigjilentë, të gozhdojmë njerëz dhe fonde të konsiderueshme për mbrojtjen e kufijve tanë, për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së atdheut nga tentativat e panumërta të imperialisteve dhe të satelitëve, shërbëtorë të tyre.

Ne jemi një vend i vogël dhe një popull i vogël, që kemi vuajtur jashtëzakonisht shumë, por që kemi luftuar gjithashtu shumë. Lirinë që kemi sot s‘na e ka falur kurrkush, por e kemi fituar me gjak. I kemi njohur dhe vazhdojmë t‘i njohim çdo ditë armiqtë imperialistë, manovrat e tyre kundër kampit të socializmit dhe kundër vendit tonë në veçanti, prandaj asnjë iluzion s‘kemi pasur dhe as do të kemi se ata do të ndërrojnë natyrën dhe qëllimet kundër popujve, kundër kampit tonë dhe kundër Shqipërisë socialiste në veçanti. . .


Imperialistët amerikanë dhe anglezë na kanë akuzuar dhe na akuzojnë ne, shqiptarët, për "të egër dhe luftëdashës". Kjo është e kuptueshme, pse populli shqiptar u ka rënë duarve dhe turinjve tentativave të tyre të shumta për të na robëruar dhe u ka prerë kokën agjentëve të tyre, që komplotonin kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe regjimit tonë të demokracisë popullore. . .

As është e rastit, na duket neve, të vërtetojmë këtu, në këtë mbledhje, që lufta është e huaj për vendet socialiste, për partitë tona marksiste-leniniste, por çështja qëndron në atë: pse imperialistët dhe agjentët e tyre akuzojnë Kinën dhe Shqipërinë për luftëdashëse dhe kundër bashkekzistencës paqësore?

Të marrim çështjen e Shqipërisë. Kundër kujt do të bëjë luftë Shqipëria dhe përse? Do të jetë qesharake të rrimë dhe t‘i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Por atyre që na akuzojnë ne për këtë, u duhet të mbulojnë qëllimet e tyre agresive ndaj Shqipërisë.

Rankoviçi dëshiron që ne t‘i bëjmë kufijtë tanë han me dy porta, ku të hyjnë e të dalin "pa vizë" agjentë dhe armë jugosllave, italiane dhe greke, për të na sjellë "kulturën e tyre të thikës në dhëmbë", për të realizuar Titoja ëndrrën e tij që Shqipëria të bëhet republikë e shtatë e Jugosllavisë, ose borgjezia reaksionare italiane të vërë në zbatim për të tretën herë qëllimet e saj grabitqare kundër Shqipërisë, ose monarko-fashistet grekë të realizojnë ëndrrën e tyre të çmendur për grabitjen e Shqipërisë së Jugut. Pse ne s‘i kemi lejuar dhe s‘do t‘i lejojmë kurrë këta, prandaj jemi "luftënxitës"? Ata e dinë farë mirë që në rast se i prekin kufijtë tanë, atëherë do të kenë luftë me ne dhe me gjithë kampin e socializmit.

Qëllimi i tyre, pra, ka qenë dhe është të na izolojnë nga kampi dhe nga miqtë, të na akuzojnë si "luftënxitës dhe të egër", pse ne nuk u hapim kufijtë tanë të livadhisin lirisht, të na akuzojnë që ne s‘jemi për bashkekzistencën. Por, për ironi të fatit, ka shokë që e besojnë këtë lodër të revizionistëve dhe këto shpifje kundër Partisë së Punës të Shqipërisë. Natyrisht, ne jemi kundër një bashkekzistence të atillë, për hir të së cilës ne, shqiptarët, duhet t‘i bejme koncesione territoriale dhe politike Sofokli Venizellosit. Jo, ato kohëra, kur tokat e Shqipërisë bëheshin monedhë tregu, kane vdekur përgjithmonë. Ne jemi kundër një bashkekzistence të atillë me shtetin jugosllav, që ve si konditë shuarjen e luftës ideologjike e politike kundër revizionisteve jugosllave, këtyre agjentëve të imperializmit ndërkombëtar, këtyre tradhtarëve të marksizëm-leninizmit. Ne jemi kundër një bashkekzistence të atillë me anglezët apo amerikanët, për hir të së cilës ne duhet t‘u njohim, siç kërkojnë, koncesionet e vjetra politike, diplomatike e tregtare që u kishte akorduar atyre regjimi i mbretit Zog.

Si konkluzion i përgjithshëm, Partia e Punës e Shqipërisë është plotësisht e bindur se çështja jonë e madhe, ajo e fitores së socializmit dhe të paqes do të triumfojë. Forcat e bashkuara të kampit socialist, me Bashkimin Sovjetik në krye, të lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare dhe të të gjithë njerëzve e popujve paqedashës me aksione të vendosura kanë mundësi të detyrojnë imperialistët për të pranuar bashkekzistencën paqësore e të shmangin luftën botërore. Por, në të njëjtën kohë ne do të forcojmë gjithnjë e më shumë vigjilencën revolucionare, me qëllim që asnjëherë armiqtë të mos na kapin në befasi. Ne jemi të bindur , se fitorja në këtë luftë fisnike për paqen në botë dhe për triumfin e socializmit do të jetë jona. Populli shqiptar dhe Partia e Punës e Shqipërisë, ashtu si deri tani, nuk do të kursejnë asgjë për të ndihmuar me të gjitha forcat e veta triumfin e çështjes sonë të përbashkët. Ne, si gjithnjë, do të ecim përpara në unitet të çeliktë me të gjithë kampin socialist, me Bashkimin Sovjetik, me të gjithë lëvizjen komuniste e punëtore ndërkombëtare.

Të dashur shokë,

Uniteti i Lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare është faktori vendimtar për realizimin e qëllimeve fisnike të triumfit të paqes, të demokracisë, të pavarësisë kombëtare dhe të socializmit. Kjo çështje theksohet në mënyrë të posaçme si në Deklaratën e Moskës të vitit 1957, ashtu edhe në projektdeklaratën që është pregatitur për mbledhjen tonë. Në Deklaratën e vitit 1957 theksohet: “Partitë komuniste e punëtore mbajnë një përgjegjësi historike veçanërisht serioze për fatet e sistemit socialist botëror dhe të Lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Partitë komuniste e punëtore, që marrin pjesë në mbledhje, deklarojnë se ato do të forcojnë pa u lodhur unitetin e tyre dhe bashkëpunimin shoqëror, në interes të bashkimit të mëtejshëm të familjes së shteteve socialiste, në interes të lëvizjes punëtore ndërkombëtare, të çështjes së paqes dhe të socializmit”.

Duhet thënë se, veçanërisht kohët e fundit, në lëvizjen komuniste ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet midis disa partive kanë lindur mosmarrëveshje të thella ideologjike e politike, thellimi i të cilave mund t’i sjellë vetëm dëm çështjes sonë të madhe. Prandaj Partia e Punës e Shqipërisë mendon se, që të shkojmë përpara, të bashkuar, drejt fitoresh të reja, duhet të dënojmë gabimet dhe shfaqjet negative që janë vënë re deri tani dhe t’i ndreqim ato. Këtu ne duam të ndalemi në çështjen e Mbledhjes së Bukureshtit, në të cilën Partia jonë, siç dihet, nuk shfaqi mendimin e saj përsa u përket mosmarrëveshjeve që kanë lindur midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Kinës, por rezervoi qysh atëherë të drejtën ta bëjë një gjë të tillë në këtë mbledhje të përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore. Atëherë Partia e Punës e Shqipërisë u akuzua nga shokët sovjetike dhe nga disa shokë të partive të tjera motra për çdo gjë që mund të imagjinohet, por askujt nuk i shkoi ndër mend që të mendonte për një çast përse kjo Parti mbajti një qëndrim të tillë kundër të gjithë korentit, pse kjo Parti, që ka qëndruar deri në fund besnike e marksizëm-leninizmit dhe e Deklaratës së Moskës, akuzohet papritur se gjoja është “kundër marksizëm-leninizmit dhe Deklaratës së Moskës”, pse kjo Parti, e lidhur kaq ngushtë me Bashkimin Sovjetik- dhe me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, përnjëherë del në kundërshtim me udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik. Tani që të gjithë shokët kanë në duar si materialin informativ sovjetik, ashtu edhe materialin e Partisë Komuniste të Kinës, le të reflektojnë vetë. Ne kemi lexuar e kemi studiuar si materialin sovjetik, ashtu edhe atë kinez, i kemi diskutuar me aktivin e Partisë me kujdes këto dokumente dhe vijmë kështu në këtë mbledhje me pikëpamje unanime të të gjithë Partisë. Siç dihet, me 24 qershor të këtij viti, me rastin e Kongresit III të Partisë Punëtore të Rumanisë, pa pritur dhe pa pasur asnjë paralajmërim paraprak, të paktën përsa i përket Partisë sonë, me iniciativën e shokëve të udhëheqjes së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik u organizua Mbledhja e Bukureshtit. Në vend që ajo, sipas marrëveshjes së arritur me letrat e datave 2 e 7 qershor, “të shkëmbente mendime” dhe të caktonte datën e kësaj mbledhjeje që mbajmë sot, u mor me një çështje tjetër, me akuzën ideologjike e politike drejtuar kundër Partisë Komuniste të Kinës, në bazë të materialit “informativ sovjetik”. Mbi këtë material, krejtësisht të panjohur deri disa orë përpara mbledhjes duhej të prononcoheshin në favor të pikëpamjeve të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik delegatët e partive komuniste dhe punëtore motra që ndodheshin në Bukuresht për çështje tjetër dhe që s’kishin (të paktën delegacioni i Partisë sonë) asnjë mandat nga partitë e tyre për të diskutuar, pa le për të vendosur për një çështje kaq të rëndësishme të komunizmit ndërkombëtar. As mund të mendohej për një diskutim serioz të këtij materiali që mbante akuza kaq të mëdha kundër një partie tjetër marksiste- -leniniste, kur nuk u lejohej delegateve dhe sidomos udhëheqjeve të partive komuniste dhe punëtore ta studionin atë nga të gjitha anët dhe t’i lihej koha e duhur palës së akuzuar të parashtronte edhe ajo me kohë dhe në të gjitha format që përdor edhe pala akuzuese, pikëpamjet e saj. Fakti është se udhëheqja sovjetike kishte vetëm si preokupim dominues të kalonin me shpejtësi akuzat e saj kundër Partisë Komuniste të Kinës dhe të dënohej me çdo kusht Partia Komuniste e Kinës. Ky ishte preokupimi i shokut Hrushov dhe i shokëve të tjerë sovjetikë në Bukuresht dhe aspak çështjet e politikës ndërkombëtare që preokuponin kampin tonë -dhe të gjithë botën në tërësi, të krijuara pas dështimit të konferencës së nivelit të lartë në Paris. Partia jonë do të ishte plotësisht dakord me një konference ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore, do të ishte dakord edhe me çfarëdo konference tjetër, me çfarëdo renddite që mund të caktohej, por me kusht që këto konferenca të ishin të rregullta, të kishin aprovimin e të gjitha partive, të përcaktohej qartë dhe më parë rendi i ditës, t’u jepej partive komuniste dhe punëtore materiali i nevojshëm dhe t’u lihej koha e përshtatshme për të studiuar materialet, për t’u përgatitur dhe për të marrë byrotë politike të partive, në qoftë se e lypte nevoja, edhe aprovimin e plenumeve të komiteteve qendrore për vendimet që eventualisht mund të merreshin në këto konferenca. Konferencat duhet të zhvillohen, pra, brenda normave leniniste që rregullojnë marrëdhëniet në mes partive komuniste dhe punëtore, duhet të zhvillohen në barazi të plotë në mes partive, në frymën shoqërore komuniste, internacionaliste dhe me moral të lartë komunist. Mbledhja e Bukureshtit nuk u përgjigjej këtyre normave, prandaj Partia jonë, megjithëse mori pjesë në të, e dënoi dhe e dënon si të parregullt këtë mbledhje, në të cilën u thyen normat leniniste. Ne mendojmë se Mbledhja e Bukureshtit i shërbeu shumë keq çështjes së lëvizjes komuniste ndërkombëtare, çështjes së solidaritetit ndërkombëtar të punonjësve, çështjes së forcimit të unitetit të kampit të socializmit, çështjes së shembullit marksist-leninist të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ideologjike, politike dhe organizative, që mund të ngjasin në gjirin e partive komuniste dhe punëtore dhe që dëmtojnë marksizëm--leninizmin. Faji për këtë u bie shokëve të udhëheqjes së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që e organizuan këtë mbledhje, që e konceptuan në këto forma dhe që zbatuan këto norma jomarksiste për këtë çështje. Qëllimi ka qenë të dënohej Partia Komuniste e Kinës nga lëvizja komuniste ndërkombëtare për gabime dhe faje të paqena dhe pa baza. Kjo është bindja e plotë e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, në bazë të studimit të fakteve, në bazë të materialit sovjetik dhe të atij kinez, që Partia e Punës e Shqipërisë disponon tani, në bazë të një analize të hollësishme që Partia e Punës e Shqipërisë u ka bërë zhvillimit të situatës ndërkombëtare dhe qëndrimeve zyrtare të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të Partisë Komuniste të Kinës. E gjithë Partia e Punës e Shqipërisë mendon njëzëri se shokët sovjetikë kanë gabuar rëndë në Bukuresht, ata kanë dënuar padrejtësisht Partinë Komuniste të Kinës se gjoja ajo ka devijuar nga marksizëmle-ninizmi, se gjoja ka shkelur dhe ka braktisur Deklaratën e Moskës të vitit 1957, ata e kanë akuzuar Partinë Komuniste të Kinës si “dogmatike”, “sektare”, se është “për luftën”, se është “kundër bashkëkzistencës paqësore”, se “do vend të privilegjuar në kamp dhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare” etj. Shokët sovjetikë kanë gabuar rëndë gjithashtu edhe në drejtimin që, duke përfituar nga dashuria dhe besimi i madh që kanë komunistët për Bashkimin Sovjetik dhe për Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, u përpoqën t’ua impononin edhe partive të tjera komuniste dhe punëtore pikëpamjet e tyre jo të drejta ndaj Partisë Komuniste të Kinës. Për Partinë e Punës të Shqipërisë ka qenë e qartë që në momentet e para, që kur filloi përpunimi i ethshëm dhe i palejueshëm nga ana e shokëve sovjetikë ndaj shokëve të delegacionit tonë në Bukuresht, se shokët sovjetikë dëshironin me argumentime të pabaza e me presion ta tërhiqnin delegacionin e Partisë së Punës të Shqipërisë në kurthin që pregatitnin, ta radhitnin atë në pikëpamjet e shtrembra të shokëve sovjetikë.


S’ka as më të voglin dyshim që mosmarrëveshjet ideologjike kanë qenë dhe janë të mëdha dhe këto kanë lindur e janë zhvilluar në mes Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe partisë Komuniste të Kinës. Këto duhej të ishin zgjidhur në kohë dhe në rrugën marksiste-leniniste në mes të dy partive. Në bazë të dokumentit kinez, Partia Komuniste e Kinës thotë se këto mosmarrëveshje parimore kanë lindur fill që pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe këto janë ngritur nga shokët kinezë. Disa janë marrë parasysh nga shokët sovjetikë, disa janë hedhur poshtë. Partia e Punës e Shqipërisë mendon se për këto mosmarrëveshje, në rast se nuk zgjidheshin në mes të dy partive, duhej kërkuar organizimi i një mbledhjeje të partive komuniste dhe punëtore, ku të shtroheshin këto çështje, të diskutoheshin dhe të mbahej qëndrim. S’është e drejtë që këto çështje u lanë dhe faji u bie shokëve sovjetike, që i dinin këto mosmarrëveshje, që s’i përfillnin, pse ata ishin të bindur në vijën e tyre dhe në “paprekshmërinë” e saj dhe kjo është pikëpamje idealiste dhe metafizike, mendojmë ne.

Në rast se shokët sovjetikë ishin të bindur për drejtësinë e vijës së tyre dhe të taktikës së tyre, përse nuk organizuan me kohë një mbledhje të tillë dhe të zgjidheshin këto mosmarrëveshje? A ishin të vogla çështjet që ngriheshin, si për shembull dënimi i J. V. Stalinit, çështja e madhe e kundërrevolucionit hungarez, çështja e formave të marrjes së pushtetit, për të mos folur për shumë çështje të tjera shumë të rëndësishme siç dolën më vonë? Jo! S’ishin aspak të vogla. Të gjithë kemi pikëpamjet tona për këto probleme, pse të gjithëve si komunistë na interesojnë, pse të gjitha partitë tona janë përgjegjëse përpara popujve të tyre, por janë përgjegjëse edhe përpara komunizmit ndërkombëtar.

Për të dënuar Partinë Komuniste të Kinës për faje dhe mëkate imagjinare, shoku Hrushov dhe udhëheqësit e tjerë sovjetikë ishin shumë të interesuar që çështjet të shtroheshin sikur mosmarrëveshjet ishin në mes të Kinës dhe të gjithë komunizmit ndërkombëtar, por çështjet si ato që përmendëm më lart i ka gjykuar dhe i ka vendosur vetëm shoku Hrushov e shokët e tij përreth, duke menduar se s’ka qenë nevoja të diskutoheshin në mënyrë kolegjiale nga një mbledhje e përfaqësuesve të të gjitha partive, megjithëse çështjet ishin me karakter të madh ndërkombëtar.

Ngjau kundërrevolucioni hungarez, por çështjet nuk u zbuluan. Pse kjo taktikë e mbylljes së gjërave, kur nuk u intereson shokëve sovjetike, ndërsa kur u intereson atyre jo vetëm që organizojnë mbledhje si ajo e Bukureshtit, por bëjnë çmos që t’u imponojnë të tjerëve pikëpamjen se Kina “është në kundërshtim vije me të gjitha partitë komuniste dhe punëtore të botës”?

Një përpjekje të tillë shokët sovjetike bënë edhe ndaj nesh. Në muajin gusht të këtij viti udhëheqja sovjetike i drejtoi një letër Partisë sonë, me anën e së cilës na propozonte që “me qëllim që shkëndija e mosmarrëveshjeve të mos ndizet” të takoheshin përfaqësuesit e të dyja partive tona, në mënyrë që Partia jonë të radhitej në anën e Bashkimit Sovjetik, kundër Partisë Komuniste të Kinës, dhe të dyja partitë tona të shkonin në një front të bashkuar në këtë mbledhje. Natyrisht, Komiteti Qendror i Partisë sonë nuk e pranoi një gjë të tillë dhe në përgjigjen e tij zyrtare e konsideroi këtë si një punë aspak marksiste, si një veprim fraksionist të drejtuar kundër një partie të tretë motër, kundër Partisë Komuniste të Kinës. Sigurisht, ky qëndrim i drejtë parimor i Partisë sonë nuk i ka pëlqyer udhëheqjes së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Që këto çështje janë të një rëndësie të dorës së parë, kjo s’ka dyshim; që këto na interesojnë shumë të gjithëve, kjo s’ka dyshim, por s’ka aspak dyshim, gjithashtu, për Partinë e Punës të Shqipërisë që çështjet si u shtruan në Bukuresht kundër Kinës ishin tendencioze dhe kishin për qëllim të dënonin dhe të veçonin Partinë Komuniste të Kinës nga gjithë lëvizja komuniste ndërkombëtare. Kjo për Partinë e Punës të Shqipërisë ishte e tmerrshme dhe e papranueshme, jo vetëm se ajo nuk ishte e bindur për një gjë të tillë, por dyshoi me të drejtë se po organizohej një veprim jo në rrugën marksiste kundër një partie motër të madhe e të lavdishme, siç është Partia Komuniste e Kinës, se po organizohej nën petkun e akuzës për dogmatizëm kundër Kinës një sulm kundër marksizëm-leninizmit. Në mbledhje u akuzua Partia Komuniste e Kinës për shumë faje. Kjo duhej të pasqyrohej në komunikatë. Pse s’u bë? Në qoftë se akuzat ishin me baza, pse u hezitua dhe doli një komunikatë që s’i përgjigjej qëllimit të mbledhjes? Pse nuk u fol atje për “rrezikun e madh të dogmatizmit” që kërcënonte gjoja komunizmin ndërkombëtar?

Jo, shokë, Mbledhja e Bukureshtit nuk mund të mbrohet, ajo s’ishte parimore, ajo ishte tendencioze për të arritur disa qëllime dhe qëllimi kryesor ishte, sipas mendimit të Partisë së Punës të Shqipërisë, që, duke u akuzuar Partia Komuniste e Kinës për dogmatizëm, të mbuloheshin disa gabime të rënda në vijë, që i kanë lejuar vetes, shokët udhëheqës sovjetikë. Shokët sovjetikë kishin nevojë për përkrahjen e partive të tjera për këtë çështje, prandaj tentuan hapur për t’i zënë ato në befasi. Shokët sovjetikë ia arritën një gjysmë qëllimi dhe fituan të drejtën të shtronin në partitë e tyre dënimin e Kinës, si fryt i një “konference ndërkombëtare të komunizmit”. Ne partitë komuniste dhe punëtore, me përjashtim të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të disa partive komuniste e punëtore të tjera, u shtruan “gabimet e rënda në vijë të bëra nga ana e Partisë Komuniste të Kinës”, u raportua dënimi “unanim” që u muar kundër Kinës në Bukuresht, u luftua për të krijuar opinionin në parti dhe në popull në këtë drejtim. Në disa nga këto mbledhje partie u dënua gjithashtu edhe Partia e Punës e Shqipërisë. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë vendosi, dhe vendosi drejt, që, pas Mbledhjes së Bukureshtit, në Parti të punonte vetëm komunikatën, t’i thoshte Partisë së tij se ekzistojne divergjenca parimore në mes Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Kinës, të cilat duhet të shtrohen dhe të zgjidhen në mbledhjen e ardhshme qe do të bëhet në nëntor në Moskë. Dhe kështu u bë. Por ky qëndrim i Partisë sonë nuk u pëlqeu shokëve të udhëheqjes së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe këtë ne shumë shpejt filluam ta ndiejmë. Fill pas Bukureshtit, kundër Partisë sonë dhe Komitetit të saj Qendror filloi një sulm i papritur, joparimor, një ndërhyrje brutale dhe presion i gjithanshëm. Sulmin e filloi shoku Hrushov në Bukuresht dhe e vazhdoi shoku Kozllov në Moske. Shokët e Byrosë Politike, që rastësisht kalonin nëpër Moskë, iu nënshtruan një përpunimi, me qëllim që të viheshin kundër udhëheqjes së Partisë sonë, duke ua shtruar çështjen se “udhëheqja e Partisë së Punës të Shqipërisë tradhtoi miqësinë me Bashkimin Sovjetik”, se “vija që ndjek udhëheqja e Partisë së Punës të Shqipërisë karakterizohet nga “zigzage”, se “Shqipëria duhet të vendosë që të shkojë ose me 200 milionët (pra me Bashkimin Sovjetik) ose me 650 milionët (pra me Kinën Popullore)” dhe, më në fund, se “e vetmuar Shqipëria është në rrezik, se mjafton një bombë atomike të hidhet nga amerikanët dhe e shuan fare Shqipërinë dhe gjithë popullsinë e saj” e të tjera kërcënime të tilla. Është fare e qartë se qëllimi ka qenë që të krijohej përçarje në udhëheqjen e Partisë sonë, të eleminoheshin nga udhëheqja e partisë së Punës të Shqipërisë ata elementë që udhëheqësit sovjetikë mendonin se i pengonin në ndërmarrjen e tyre të shtrembër e jo të ndershme. Rezultat i kësaj pune përçarëse ishte kapitullimi i Liri Belishovës, ish-anëtare e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, përpara lajkave të udhëheqësve sovjetikë, përpara shantazheve e frikësimeve, dhe vënia e saj në opozicion të hapur me vijën e Partisë.

Përpjekja që bëjnë shokët sovjetikë në letrën që i drejtojnë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës për ta paraqitur këtë çështje sikur në Shqipëri po dënohen miqtë e Bashkimit Sovjetik, është false. Miq përjetë të popujve sovjetikë janë të njëmilion e gjysmë shqiptarët dhe Partia e Punës e Shqipërisë, që e kanë farkëtuar dhe e kanë çelikosur këtë miqësi të kalitur me gjak, dhe jo kapitullantët, përçarësit dhe deviatorët e ndryshëm.

Por përpjekjet për të ngjallur dyshime në qëndrimin e drejtë të Partisë sonë në Bukuresht nuk u kufizuan vetëm në Moskë. Ato u bënë, bile me zjarr të madh, edhe në Tiranë nga punonjës të ambasadës sovjetike me në krye vetë ambasadorin sovjetik në Tiranë.


Partia e Punës e Shqipërisë ka qenë kurdoherë e mendimit dhe është e bindur se grupi i Titos është tradhtar i marksizëm-leninizmit, agjenturë e imperializmit, armik i rrezikshëm i kampit socialist dhe i gjithë lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare, prandaj kundër tij duhet zhvilluar një luftë e pamëshirshme. Nga ana jonë, ne e kemi bërë dhe e bëjmë këtë luftë si komunistë internacionalistë dhe sepse ne e kemi ndjerë dhe e ndiejmë përditë mbi kurrizin tonë peshën e veprimtarisë armiqësore të klikës revizioniste të Titos kundër Partisë dhe vendit tonë. Por ky qëndrim i Partisë sonë nuk u ka pëlqyer dhe as u pëlqen shokut Hrushov dhe disa shokëve të tjerë.

Grupi titist është një grup trockistësh dhe renegatësh prej shumë kohësh. Të paktën për Partinë e Punës të Shqipërisë ai është i tillë që prej vitit 1942, domethënë 18 vjet më parë. Që në atë kohë grupi titist përpiqej të vinte themelet e Federatës Ballkanike, nën drejtimin e titistëve të Beogradit, të lidhte partitë komuniste pas qerres së Partisë Komuniste Jugosllave, të bënte që ushtritë partizane të popujve të Ballkanit të ishin nën vartësinë e shtabit titist jugosllav. Për këtë qëllim ai, dakord që në atë kohë me anglezet, u përpoq të krijonte shtabin ballkanik dhe ta lidhte e ta vinte atë, domethënë ushtritë tona, nën drejtimin e anglo-amerikanëve. Partia jonë u rezistoi me sukses këtyre planeve djallëzore. Dhe kur valoi Flamuri i Çlirimit në Tiranë, banda titiste e Beogradit u dha urdhër agjentëve të saj në Shqipëri të diskreditonin suksesin e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të organizonin puçin për të rrëzuar udhëheqjen e Partisë, atë që organizoi Partinë, që udhëhoqi Luftën Nacionalçlirimtare dhe që e çoi popullin shqiptar në fitore. Dhe puçi i parë u organizua nga Titoja, tok me agjentët e tij të fshehtë në Partinë tonë. Por komplotin e Titos e shkatërroi Partia Komuniste Shqiptare. Komplotistët e Beogradit s‘i hodhën armët dhe tok me kryeagjentin e tyre në Partinë tonë, tradhtarin Koçi Xoxe, vazhduan riorganizimin e komplotit kundër Shqipërisë së re me forma të tjera, me forma të reja. Qëllimi ishte: Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë.

Në një kohë kur vendi ishte i shkatërruar dhe i djegur e duhej rindërtuar nga e para, kur populli ishte pa bukë e pa strehë, por me një moral të lartë, kur popull e ushtri me armë në dorë bënin roje vigjilente kundër komploteve të reaksionit që organizoheshin nga misionet anglo-amerikane dhe që e kërcënonin Shqipërinë e re me invazione të reja, kur një pjesë e madhe e Ushtrisë Partizane Shqiptare kapërceu kufirin e atdheut dhe u vajti në ndihmë vëllezërve jugosllavë, luftonte krah për krah me ta, komplotistët e Beogradit kurdisnin plane për të robëruar Shqipërinë.

Por Partia jonë u bëri ballë heroikisht këtyre agjentëve të fshehur nën maskën e komunistit. Kur panë trockistët e Beogradit se e humbën davanë, se komplotet po ua shkatërronte Partia jonë, provuan kartën e fundit: Të invadonin Shqipërinë me ushtritë e tyre, të mbytnin rezistencën, të arrestonin udhëheqësit e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar, dhe ta deklaronin Shqipërinë republikë të shtatë të tyre. Partia e prishi edhe këtë plan djallëzor të tyre. Ndihma dhe ndërhyrja e J.V. Stalinit në ato çaste qe vendimtare për Partinë tonë dhe për lirinë e popullit shqiptar. Ishte tamam koha e demaskimit të klikës së Titos nga Informbyroja. Byroja Informative bëri të dështojnë veprimet komplotiste të klikës së Titos jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të demokracisë popullore. Renegati dhe agjenti i imperializmit, Titoja dhe banda e tij, duke vepruar nën maskën e komunistëve, u përpoqën të shkëputnin vendet e demokracisë popullore të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore nga miqësia dhe nga aleanca e luftës me Bashkimin Sovjetik, të shkatërronin partitë komuniste dhe punëtore të vendeve tona dhe t‘i shndërronin shtetet tona në rezervë të imperializmit anglo-amerikan.

Pse, pra, "kthesa" që u bë nga ana e shokut Hrushov dhe e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik më 1955 ndaj revizionistëve jugosllavë nuk u bë çështje e një konsultimi të rregullt me partitë e tjera komuniste e punëtore, por u konceptua e u zbatua në mënyrë aq të shpejtë dhe të njëanshme? Kjo ishte një çështje që na përkiste të tërëve. Revizionistët jugosllavë o ishin vënë në luftë kundër marksizëm-leninizmit dhe partive komuniste e punëtore të botës, o nuk ishin vënë; o ata kishin gabuar, ose kishim gabuar ne kundrejt tyre dhe jo vetëm Stalini. Këtë gjë s‘mund ta zgjidhte dhe s‘lejohej ta zgjidhte vetëm me dëshirën e tij shoku Hrushov. Por ky në fakt kështu bëri dhe kthesën në marrëdhëniet me revizionistët jugosllavë e lidhte me vajtjen e tij në Beograd. Partisë së Punës të Shqipërisë kjo i ra si bombë e papritur dhe ajo e kundërshtoi menjëherë kategorikisht.

Partia e Punës e Shqipërisë ishte, nga ana tjetër, dakord që me Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë të vendoste marrëdhënie shtetërore të fqinjësisë së mirë, marrëdhënie tregtare dhe kulturore, në rast se respektoheshin normat e bashkekzistencës paqësore në mes të shteteve me regjime të ndryshme, pse për Partinë e Punës të Shqipërisë Jugosllavia titiste s‘ka qenë, s‘është dhe s‘do të jetë kurrë një vend socialist, derisa të ketë në krye grupin renegat dhe agjent të imperializmit.

Në Shqipëri titistëve u hasi sharra në gozhdë, ose, si thotë Titoja, "Shqipëria iu bë ferrë në këmbë" dhe natyrisht grupi tradhtar titist e vazhdoi luftën kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe mendonte se na demaskonte duke na cilësuar "stalinistë".

Grupi i Beogradit s‘na luftoi vetëm me propagandë, por ai vazhdoi spiunazhin, diversionin, komplotet, dërgimin e bandave të armatosura në vendin tonë dhe vepronte më fort se para vitit 1948. Këto janë të faktuara.

Kundrejt Partisë sonë, për këtë qëndrim, janë bërë shumë presione. Udhëheqja shqiptare konsiderohej si "gjaknxehtë", "kokëfortë", se i ekzagjeronte çështjet me Jugosllavinë, se i nxiste pa të drejtë jugosllavët etj. Në radhë të parë, në këtë drejtim Partia jonë është sulmuar nga shoku Hrushov. Grupi tradhtar i Beogradit filloi organizimin e kundërrevolucionit edhe në Shqipëri . Sikur Partia jonë të kishte bërë gabimin e futjes në "vallen e pajtimit" me revizionistët jugosllavë, siç predikohej pas vitit 1955, atëherë demokracinë popullore të Shqipërisë do ta kishte marrë lumi. Ne, shqiptarët, nuk do të ishim sot këtu në këtë sallë, po do të luftonim ende nëpër male.

Partia dhe populli, në një unitet të çeliktë, qëndronin shumë vigjilentë dhe zbuluan e demaskuan spiunët e Titos në Komitetin tonë Qendror, që punonin në bashkëpunim me legatën jugosllave në Tiranë. Titoja u dërgoi lajm këtyre tradhtarëve, duke u thënë se ishin ngutur, se duhej të kishin pritur udhëzimet e tij. Këta spiunë e tradhtarë i dërguan letër edhe shokut Hrushov që të ndërhynte kundër Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Këto janë të faktuara me dokumente. Qëllimi i Titos ishte që kundërrevolucioni në Shqipëri të koordinohej me atë në Hungari. Pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik do të mbahej Kongresi ynë III. Agjentura jugosllave mendoi se kishte ardhur çasti ta rrëzonte udhëheqjen "kokëforte dhe staliniste shqiptare" dhe organizoi komplotin, i cili u zbulua dhe u dërrmua në Konferencën e Partisë në Tiranë, në prill 1956. Komplotistët morën dënimin e rreptë të merituar.

Agjentët e tjerë të rrezikshëm të Titos në Shqipëri, Dali Ndreu dhe Liri Gega, morën urdhër nga Titoja të arratiseshin në Jugosllavi se "ishin në rrezik" dhe se veprimet kundër Partisë sonë "duheshin organizuar nga territori jugosllav". Partia ishte plotësisht në dijeni të veprimtarisë dhe të urdhrit sekret të Titos. Ajo ishte vigjilente dhe i kapi tradhtarët mu në kufi, kur tentonin të arratiseshin. Tradhtarët shkuan në gjyq dhe u pushkatuan. E gjithë agjentura jugosllave që përgatiste kundërrevolucionin në Shqipëri u zbulua dhe u asgjësua. 

PSE NA QUEJTI HRUSHOVI “NARODNIJ MUSLIMAN” ?!..


Nga Fritz RADOVANI:




Sa i dashtun ishte Stalini! Lexoni librin e Enver Hoxhës “Me Stalinin”, e ka pasë shkrue në vitin 1979. Shihni sa e ka dashtë ai Enverin...Lexoni atë liber e keni me vrejtë se në çfarë llomit e pisllekut asht kenë zhytë Shqipnia bashkë me Popullin Shqiptar!
            Nga viti 1957 – 58 Hrushovi dha urdhën me e nxjerrë Stalinin nga Mauzoleu dhe me e çue në murin e Kremlinit pranë carit Ivani i Mnershem, por kur të dilte nga ajo godinë në Sheshin e Kuq, të nxirrej “me kambë përpara” për mos me u kthye kurrma në zemrat e popullit rus, dhe ashtu u ba! Doli kufoma e balsamosun dhe hini i tij u vendos aty ku tha Hrushovi. Nuk besoj se ky veprim nuk përputhej me dëshiren e të gjithë atyne Popujve që për 30 vjet u patën masakrue nga ai kriminel i pashoq në Rusinë bolshevike.
            Me 25 maji 1959 Hrushovi erdhi në Shqipni, dhe porsa vuni kambën në Rinas, ku pritej në mënyren ma madhshtore nga udhëheqësit komunistë shqiptarë, porsa u afrue tek mikrofoni fjalën e parë tha: “Këtu flitet edhe me kapelë në kokë, se ju jeni ‘narodnij musliman!”...Aty plasi gazi dhe të qeshunat mes udhëheqësve “tanë”... Shqiptarët në gjithë vendin e ndigjuen me veshtë e tyne “humorin” gjysë të vërtetë të Hrushovit.
            Miqsia nuk zgjati shumë... Në kujtimet e tija Hrushovi shkruen: “Shumë shumë të varfër dukeshin fshatarët. Varfënia dhe primitivizmi mbretnonin atje kudo...Liderët shqiptarë, me metodat e tyne të vrasjeve të fshehta e të hapuna, formuen një parti, që mbahet grusht rreth tyne vetem nga frika. Populli asht i detyruem t’i durojë. Nuk ka ç’ban! Pikërisht kështu ka qenë tek ne në kohën e Stalinit. Ai zhdukte të gjithë kuadrot e herëshme e populli thërriste: “Rroftë Stalini!” Stalini ishte “ miku dhe babai” i të gjithë popullit... Ne donim të ngrinim ekonominë shqiptare në nivelet bashkëkohore, ta banim Shqipninë një perlë, e cila do të terhiqte drejtë komunizmit vendet muslimane, dhe sidomos ata të Lindjes së Afërt e të Afrikës...” (N.S. Hrushov “Kujtimet”, 1998).
Me 23 gusht 1990 Nexhmije Hoxha, vejusha e helmët, tha: “Peres De Kuelar duhet që Shqipërinë t’ a pranojë kështu siç është. T’ i japim idenë pa marrë angazhime.”
Ramiz Alia, pasuesi terrorist i fronit komunist, deklaron: “Ne nuk jemi as Lindje, as Perëndim!”... Manush Myftiu thonte: “Feja e Shqiptarit asht shqiptaria...!” pra, merrni vesht se mbas komunizmit terrorist të 1967, Shqiptarët edhe pse u shpallën me Kushtetutë “pa Fe”, janë fetarë dhe besojnë si ka pasë thanë kirasnjani i Shkodres në 1960 “kurrgja”, tue u mundue me shtrembnue thanjen e Pashk Vasës për interesat e tyne anadollake...
Me 2 dhetor 1992 Shqipnia hyn në “Konferencen Islamike”, me propozimin dhe kërkesen e turkoshakut Ramiz Alia. As kryeministri Sali Berisha nuk ia “prishi fare qejfin shokëve të vjetër...” Nuk quhet ma “Shqipnia Socialiste” dhe as “Shqipnia Europjane”, po me dëshiren dhe vullnetin e “besimtarëve në kurrgja”, sillet nga vendet e Lindjes së Afërt  dhe Arabe, tue ua hapë dyert për “Europë” ma shumë “miqve” se vetes...tue u rikthye edhe 50 vjet tjera mbrapa tek thanja e Hrushovit: “Narodnij musliman”...
Rinia muslimane anadollake, që beson në “kurrgja”, ashtu si në disa qytete të vjetra të Shqipnisë, ka krijue lidhje edhe me Forumin musliman të Prishtinës, dhe kohët e “reja” po pasqyrojnë “idealet e vjetra” të Sulltan Mehmetit: “Ngopuni sa të mundeni me gjak të krishtenëve, se kështu na mëson Kurani ynë!” (M.Barleti, “Rrethimi i Shkodres” fq.63). Thirrja e tyne asht: “Nënë Tereza e ka vendin në zjarr të xhehenemit!”...
Hrushovi shkruen para 50 vjetëve se: “Liderët e shqiptarëve nisen nga idea se populli asht turmë...Ata mendojnë se Kina asht qendra e botës. Shqipnia asht vend i vogël, po populli jeton në një pozitë të tillë gjeografike ku ndërthurën kundërshtitë e Europës dhe anmiqtë i ka të shumtë... Kufini nuk ishte ai që donin...”
Si duket kjo ide e liderëve tanë vazhdon edhe sot, përderisa janë drejtue nga vendet e atyne krahinave prej nga kanë edhe prejardhjen e vet. Fatkeqsia qendron tek ajo “rini” që ka humbë drejtimin, kulturen dhe arësyen, tue e tregue këte me veprat e veta.
Lexoni me kujdes: “Shqipnia asht vend i vogël, po populli jeton në një pozitë të tillë gjeografike ku ndërthuren kundërshtitë e Europës dhe anmiqtë i ka të shumtë...”
Nuk e kam shpikë unë këte thanje. Asht e Hrushovit...e veni veshin mirë!
Po a kujtoni se asht përmbysë bota dhe Europa ka qorrue e nuk ju sheh me sy, nuk ju ndigjon me veshë, nuk ju prekë me dorë dhe asht marrosë e hutue!?”
Popujve që kerkojnë me ua rrëzue idhujt, me i fshi Historinë e Lavdishme dhe me e zëvendsue me “kurrgja”, pra as Lindje, as Perëndim, aty ku me të vertetë “Populli asht kthye në turmë” dhe asht e kuptueshme se “turma asht kurrgja”, duhet mendue mirë se: “Ai popull që pranon një gja të tillë, Ai nuk asht Popull, po asht vetem “kurrgja”!
Në këto gjurma po ecin mbasardhësit e osmanllijve, turkoshakëve e anadollakëve!

Shqiptarë, hapni sytë sa nuk asht vue etiketa mbi hartën e Shqipnisë:
Këtu jeton një turmë kot!”

Melbourne, 1 Gusht 2011. 


Prof.Dr Begzad Baliu:TOPONIMIA E GJAKOVËS DHE E RRETHINËS SË SAJ



Toponimia e Gjakovës me rrethinë, (Tryezë shkencore, mbajtur më 4 maj 2001), Botoi Kuvendi i Komunës së Gjakovës – Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Gjakovë, 2002, f. 283.

 

Hyrje


Tre vjet më parë, të nxitur nga institucionet shtetërore të Qeverisë së Përkohshme të pasluftës dhe nga përgjegjësia kulturore, intelektuale e profesionale, një grup studiuesish të fushave nga më të ndryshme dhe të institucioneve nga më të larta shkencore, themeluan një Komision për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës.

Kosova, e cila pas luftës pritej të përjetonte një rilindje të vërtetë në shumë fusha të jetës dhe të dijes, prapa kishte një trashëgimi të rëndë dhe të ndërlikuar, për shkak të pasojave gjenocidiale jo vetëm në familjet tona, por dhe në kulturën e përgjithshme, pra edhe në emërtimin e vendbanimeve të tyre.

Për shkak të kësaj trashëgimie, shpesh të çrregulluar, edhe në fushën e toponimisë së Kosovës, këtij Komisioni i dilnin një varg detyrash të ndërlikuara, të cilat nuk mund t’i kalonte lehtë, dhe nuk mund t’i kalonte pa i plotësuar ato me anëtarë të institucioneve komunale si dhe me aktivitete të studiuesve të shumë nga institucionet më të larta shkencore të Kosovës. Në punën e tij, Komisioni, për tre vjet me radhë, punoi duke kombinuar aktivitetet e tij: në mbledhje të rregullta të përditshme, javore, dhe më në fund mujore; në paraqitje të rregullta publike përmes medias të shkruar dhe asaj elektronike; në aktivitetin e rregullt në terren dhe, më në fund, me tubime shkencore në Prishtinë dhe në qendrat kryesore të Kosovës. I gjetur përballë, sa përkrahjeve të skajshme të opinionit përgjithësisht, aq edhe anatemimit ndonjëherë tjetër, pikërisht nga ata prej të cilëve pritej ndihma profesionale, Komisionit iu desh të punonte jo vetëm në edukimin e opinionit rreth problemit të standardizimit të onomastikës së Kosovës, por shpesh, për fat të keq, iu desh të përballej edhe me emancipimin e inteligjencies dhe shkencës shqiptare lidhur me nevojën e ndërhyrjes shkencore të studiuesve dhe institucioneve shkencore e politike për përfundimin e këtij procesi me rëndësi kulturore dhe nacionale.

Një tryezë e suksesshme shkencore

Tryeza shkencore e mbajtur më 4 maj 2001 në Gjakovë është një prej angazhimeve të këtij Komisioni, në të cilën më së miri janë paraqitur kontributet e tij vetjake, por të ndërlidhura gjithnjë edhe me përkrahjen e mirë që kishte nga këshillat komunale, siç është ky i Gjakovës. Ndryshe nga tryezat shkencore të organizuara në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, që shpesh dominoheshin kryesisht nga studiues të institucioneve shkencore ose kryesisht nga përfaqësues të institucio­neve politike, Tryeza e Gjakovës, falë angazhimit të studiuesve të kësaj ane dhe bartësve administrativë të komunës, është një prej angazhimeve më të suksesshme, pranadaj është e kuptueshme pse kumtesat e saj janë përmbledhur dhe botuar në një vëllim të përbashkët.

Libri është rezultat i një redaksie që ka punuar me përkushtim në krye me akademik Besim Bokshin dhe profesor Masar Rizvanollin, i cili është edhe kryeredaktor i vëllimit.

Libri hapet me një fjalë hyrëse të kryeredaktorit të këtij vëllimi profesor dr. Masar Rizvanollit dhe sekretarit të Këshillit të Komisionit Qendror dr. Jusuf Osmanit), të cilët janë më të merituarit për Organizimin e Komisionit, për mbajtjen e tryezës dhe për botimin e këtij vëllimi, jo vetëm me kumtesat e lexuara, por edhe me kontribute e diskutime, të cilat i janë bashkëngjitur këtij vëllimi falë kujdesit dhe angazhimit të Profesor Rizvanollit.

Prof. Masar Rizvanolli, njëri nga historianët e njohur shqiptarë dhe njëri prej pedagogëve të moçëm të Gjakovës, në fjalën e tij hyrëse me titull “Kontribut për ndriçimin e toponimisë së një treve me rëndësi të veçantë” shkruan për nevojën e ngritjes së këtij Komisioni, për vështirësitë që kishte si rezultat i pozitës shoqërore e ekonomike nëpër të cilën po kalojmë, për përpjekjen individuale të studiuesve veç e veç, për angazhimin e specialistëve më të mirë që kemi në këtë fushë, për mirëkuptimin që gjetën tek kuvendet komunale, duke përfshirë këtu edhe Komunën e Gjakovës, e cila krijoi kushtet për organizimin dhe mbajtjen e një tribune shkencore, duke vënë në spikamë ojkoniminë e Kosovës në përgjithësi dhe toponiminë e ojkoniminë e Gjakovës në veçanti. Të nxitur nga rezultatet e rëndë­sishme të kësaj tribune, këshilli organizues ngriti një redaksi për mbledhjen, redaktimin dhe botimin e këtyre materialeve në një vëllim më vete, ndërsa, duke u nisur nga fakti se tribuna kishte karakter krejtësisht praktik, pa të udhës që librit t’i shtojë edhe një rubrikë me kontribute shkencore që në fushën e historisë, arkelogjisë dhe onomastikës kanë rëndësi të veçantë për rrethinën e Gjakovës. Duke u mbështetur në rezultatet e kësaj tribune, profesor Masar Rizvanolli përfundon se “përpjekjet për ndriçimin shkencor të toponimisë së trevës së Gjakovës paraqesin kontribut edhe për ndriçimin e toponimisë së Kosovës, si pjesë e toponimisë shqiptare në përgjithësi, se toponimia e trevës së Gjakovës, në shumë raste, ruan gjurmë të vjetra të cilat i përkasin fondit më të lashtë të toponimisë shqiptare dhe se popullsia shqiptare e kësaj treve jetoi në vazhdimësi në trojet e veta etnike”.(10)

Fjala e dr. Jusuf Osmanit përshkohet nga një pasqyrë e të dhënave të plota për pjesëmarrësit në punën e këtij komisioni, për fushat speciale të dijes që zotërojnë ata, për numrin e përgjithshëm të ojkonimeve që kanë shqyrtuar, për kohën në të cilën ka punuar, për mënyrën e orga­nizimit, për institucionet e shumta shkencore, arsimore dhe kulturore që janë përfshirë përmes studi­uesve më të mirë të kësaj fushe, për sistemin organizues në të cilin është punuar, për komunikimin korrekt, kulturor e shkencor me publikun e interesuar, për mënyrën e organizimit të tribunave, për mënyrën e implementimit të rezultateve të Komisionit në kuvendet Komunale dhe sidomos në Parlamentin e Kosovës.

 

Për parimet e standardizimit të emërve­ndeve të Kosovës

Studimeve të këtij libri iu prijnë dy kumtesa (nga prof. dr. Shefki Sejdiu[1] dhe mr. Begzad Baliu[2]), në të cilat shtrohen parimet dhe problemet e veçanta mbi të cilat kanë punuar anëtarët e Komisionit gjatë punës trevjeçare për standardizimin e emërvendeve të Kosovës. Fjala është për studime të karakterit teorik dhe metodologjik, të cilat këta autorë vazhdojnë t’i botojnë herë pas here.

Kumtesa e prof. dr. Shefki Sejdiut Rreth disa parimeve emërtuese në toponiminë e Kosovës është një studim gjithpërfshirës i shpjegimit të onomastikës si dije, si shkencë dhe si vlerë kulturore dhe gjuhësore. Ndryshe nga përpjekjet e tij të mëhershme për të paraqitur shtresat gjuhësore të toponimisë së Kosovës, kësaj here autori, duke i parë ato si shenja par excelence gjuhësore, si pjesa më rezistente e gjuhës, i ndanë toponimet në tri kategori kryesore: toponime të ashtuquajtura topographica, posse­ssiva dhe patronimica. Dobësia e trajtimeve të deritani­shme të toponimisë së Kosovës qëndron në studimin e saj si fjalë dhe si kategori leksikore e jo si shenjë gjuhësore në sistem. Kjo është arsyeja pse Komisioni ka punuar për një kohë të gjatë dhe në mënyrë komplementare duke trajtuar strukturat gjuhësore të toponimeve mbështetur në metodat, teoritë dhe shkollat më të arritura bashkëkohore të kohës, brenda gjuhësisë dhe disa disiplinave të ndryshme shkencore të dijeve shkollore dhe universale.

Një vend të rëndësishëm të studimit të tij zë, sikur shkruan autori çështja e kontekstit, në të cilën me shembuj konkret autori sjell një pasqyrë në nivel të Kosovës mbi kontekstin historik të vendosjes së toponimeve të reja dhe të dhunshme njëkohësisht të administratës pushtuese sllave, për t’u ndalur në një kontekst më të gjerë: historik, gjeopolitik, ekonomik, kulturor, strategjik, politik etj., të toponimisë së Rrafshit të Dukagjinit. Gjithnjë në vijim të kësaj çasjeje autori arsyeton dhe mbulon përmasën e përdorimit të kontekstit, kryesisht të atij historik, edhe në punën e Komisionit për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës.

Sikur e ka theksuar që në fillim të pasqyrës përmba­­jtësore të punimit të tij Standardizimi i onomasti­kës së Kosovës dhe universi i saj, autori trajton problemin e përkufizimit të onomastikës dhe problemin e parimeve të saj: standardin dhearbitraritetin, gjithnjë në kontekst të punës praktike të Komisionit për Standardizim të Kosovës. Në një nënkaptinë më vete autori i këtij punimi merret me parimet universale të onomastikës së Kosovës, të përcaktuara në literaturën më bashkëkohore, si dhe me shembuj të caktuar të botës Lindore e Perëndi­more; toponiminë dhe antroponiminë, si dy vlera të pandashme dhe të ndërlidhura në shumë aspekte; homo­gje­ni­tetin e saj jo vetëm brenda kulturës shqiptare po edhe asaj botërore; për të përfunduar me disa, sikur shkruan autori, anomali dhe moskuptime të aparatqikëve politikë të ditës etj.

 

Struktura morfologjike dhe fjalëfo­r­m­u­ese e toponimisë së Kosovës

Në vazhdim, në studimet e tyre, prof. dr. Abdullah Zymberi dhe dr. Mehmet Halimi merren me problemin e strukturës, kryesisht morfologjike të toponimisë sa të Gjakovës dhe rrethinave të saj, aq edhe të Kosovës si tërësi.

Dr. Abdullah Zymberi, në studimin Rreth emërve­ndeve me burim të shqipes në disa anavende të Kosovës, merret me “emërvendin Plangçor, hidronimet Dështicë e Krenë të komunës së Istogut, ojkonimin Gorozhup të Komunës së Prizrenit,Buçe të Opojës së Dragashit dhe masivin Podgur-i të komunës së Pejës dhe të Burimit”. Duke u nisur nga një numër i madh fjalësh të leksikut të përgjithshëm mjaft arkaik, si të Kosovës po kaq edhe të krahinave anësore ku janë ruajtur disa forma të moçme të leksikut të shqipes, autori mendon se në toponimin Plangçor do kërkuar fjala plang; tek emri i lumit Krenë, fjala shqipe krye; tek emri i lumit Dështicë, fjala shqipe shtie, parashtesa dë- dhe prapashtesa sllave -ic; në emërvendinDreth fjala dre; në ojkonimin Gorozhup fjala gur, sikur edhe masivin Podgur; dhe në emërvendin Buçe fjala bushtër.

I kësaj metode të vlerësimit dhe konkretizimit gramatikor të toponimisë është edhe studimi i dr. Mehmet Halimit Tipet e fjalëformimit të emërvendeve në rrethinën e Gjakovës, i cili deri më tash jo njëherë ka trajtuar onomastikën e Kosovës mbi këto parime dhe rezultate[3]. Në fillim autori vlerëson rëndësinë historike, kulturore, gjuhësore dhe metodologjike të onoma­stikës si fushë studimi, ndërsa më pas ndalet në disa prapashtesa të shqipes, me të cilat në të vërtetë nuk është shumë e pasur toponimia dhe sidomos ojkonimia shqipe e Kosovës, por është posaçërisht toponimia dhe sidomos ojkonimia shqipe e Gjakovës dhe e rrethinës së saj. I mbështetur në toponimet e sotme dhe në ato historike gjatë gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të dytë, autori ndalet dhe vlerëson e plotëson me ojkonime hostorike të nxjerra nga literatura perëndimore, ajo sllave dhe ajo orientale prapashtesat shqipe: -aj, -an, -z(ë), -ak, -osh; me prapashtesat sllave: -iq, -oc, -ec, -icë, -inë dhe -ov(ë); si dhe me prapashtesat turke-orientale: -li dhe -xhi. Një vend të veçantë autori i kushton patronimisë së toponimizuar si dhe toponimeve kompozita me të cilat është e pasur toponimia dhe sidomos ojkonimia e Kosovës. Nisur nga kjo gjendje, autori ka bërë edhe arsyetimin e punës së Komisionit në kërkimin, përpunimin dhe studimin e standardizimit të onomastikës së Kosovës.

 

Për ubifikimin e emërvendeve të lashta

Dy studimet e prof. dr. Edi Shukriut dhe një tjetër i dr. Exhlale Dobrunës – Salihut merren me problemin e identifikimit të emërvendeve antike dhe mesjetare të Gjakovës me rrethinë, duke u nisur nga prizmi i arkeo­logjisë. Në studimin e parëTrashëgimia arkeolo­gji­ke në kontekst të ndryshimeve të toponimeve, studiuesja E. Shukriu trajton këtë problem duke u nisur nga kërkimet e deritanishme dhe informacionet që disponon për Komunën e Gjakovës. Autorja i konsideron të kohës parahistorike lokalitetet Kalldrëma dhe Selishta të Rogovës si: Livadhet e Xërxës; toponimet Suka e Cermjanit, Çuka e Hereqit, Gadisha, Kalaja, Gradina, Fusha, Pozhega, Varret e dardanëve dhe Gomuret e Shaban Balës të cilat shtrihen në lokalitetet e kësaj ane. Të kohës së antikës, autorija i konsideron Çivlakun – si lokalitetin më të madh rrafshi­nor; si edhe lokalitetet Karuqe (Xërx), Çeremidanë (Dublibarë), Lugi i Arave të Thata (Skivjan), Kisha Katolike (Raçë), Kalaja e Madhedhe Kalaja e Vogël (Batushë), Gryka e Batushës (Hereq), Te Kisha apo te Ara Hasanit, Suka e Cermjanit dhe Kishna(Cermjan). Të periudhës së Mesjetës i konsideron lokalitetet Suka e Cermjanit (Cermjan), Kalaja e Madhe dhe Kalaja e Vogël (Batushë), Murana dhe Kroni i Priftit (Voksh), Gjoze dhe Kisha (Xërxë). Një vend të veçantë autorja i ka kushtuar toponimit Gradina, për të cilin më parë kishte botuar një studim me titull Toponimi Gradinë në suazat e zhvillimit të vendbanimeve kodrinore në Kosovë[4], dhe që këtu botohet si kontribut i veçantë. Ndonëse nuk është prete­ndim i saj i veçantë për të nxjerrë etimologjinë, autorja përkujton se “toponimet Gradinë, Gradishtë, Gjytet, Qytezë, Çukë apo Kala” u përkasin periudhave antike dhe mesjetare, d.m.th. janë të kohës së paraardhjes së sllavëve në Ballkan. Në studimin e saj, autorja ka sjellë një varg të dhënash, sigurisht të rëndësishme edhe për onomastikën, por nga shqyrtimi i etimologjisë së saj, ndonëse ka një mbështetje në rezultatet e Profesor Çabejt, nuk mund të thuhet se është gjetur zgjidhja, për shumë arsye. Së pari, sepse baza etimologjike e emrit Gradinë, gardh, vjen nga një i.e. ghordo prej të cilës vijnë edhe fjalët në gjuhën shqipe dhe ate sllave, si gjuhë me bazë indoeuropiane. Problemi nuk qëndron tek etimologjia e saj, ajo dihet, sepse edhe shqipja edhe serbishtja kanë burim të përbashkët për këtë fjalës, problemi qëndron tek ubifikimi i toponimeve të caktuara, të cilat gjenden në territoret etnike shqiptare. Shqipja ka ruajtur me gjasë të dy format: atë gardh, si strukturë tipike brendagjuhësore dhe atë grad të mesjetës (sllave), e cila shtrihet madje jo vetëm tek mikrotoponimet e tipit gradina, por edhe tek ojkonimet e njohura për qytete të mëdha si: Pogradec, Grashticë, Graqanicë etj. Do të ishte pretendim i madh dhe joserioz insistimi që shqipes t’i kushtojmë prejardhjen e rrënjorëve gardh dhe gradinë njëkohësisht, aq më tepër që kjo e dyta mbështetet si prej rrënjorit, ashtu edhe prej prapashtesës tipike të sllavishtes -in, ndërsa shqipja ka trashëguar edhe forma të tjera, si gjytet, çukë, kala etj.

Në këtë vëllim botohet edhe kumtesa e prof. dr. Exhlale Dobrunës – Salihut, Toponimia e Gjakovës me rrethinë, një studim ky i cili jo vetëm ka plotësuar në shumë anë punën e Komisionit dhe e ka zgjeruar kompleksin e temave të rrahura në Tribunën shkencore të Gjakovës, por për një kohë të gjatë u ka munguar studimeve shqiptare të kësaj fushe. Autorja e këtij studimi, arkeologja E. Salihu, ka kohë që merret me ngulm me hulumtimin dhe studimin e pasurisë arkeologjike të antikitetit të Dardanisë antike[5], prandaj është e kuptue­shme pse studimi i saj, kur në mënyrë të përmbledhur e kur në mënyrë të thelluar dhe hulumtuese, sjell të dhëna të reja nga terreni, ngre teza e sinteza, gjithnjë duke u mbështetur si në materiale arkeologjike të dorës së parë, ashtu edhe në studime të deritanishme të dijes së arkeologjisë ndër shqiptarët: si N. Ceka, Z. Mirdita, B. Jubani, Q. Lleshi, E. Shukriu – Hoti etj., ose dijes së arkeologjisë ndër të huajt, si: H. Krahe, A. J. Evans, K. Patsch, F. Papazoglu, J. Jastrabov, K. Miller, A. Meyer, I. Mikulqiç, E. Çershkov etj.

Prej studimit të arkeologes Salihu, mësojmë pozitën gjeografike të Gjakovës dhe rrethinës së saj, që siç shkruan autorja, është pjesa jugperëndimore e fushëgropës së Rrafshit të Dukagjinit; për burimet natyrore dhe historike të saj, hulumtimi i të cilave ende nuk është bërë në nivel të dëshiruar; për shtresat historike të toponimisë së kësaj zone, të sjella kryesisht nga studiues të huaj; për vlerësimet e saj shpesh vetanake dhe për plotësimin e atyre të dhënave edhe me material të ri, për të cilat shkencëtarët e huaj janë interesuar më shumë se një shekull më parë. Në këtë pasqyrë, ajo sjell pozitën e lumenjve:Drinit (ant. Drilon, Drinus) në lindje dhe Erenikut në jug e perëndim; pozitën e topogërmadhës Gradishtë, të lidhur ngushtë me toponimin Ura e Fshejt; lokalizimin e stacionit Gabuleo, midis Nishit dhe Lezhës, për mundësinë e identifikimit të një “municipit mu në Gjakovën e sotme me Therandën në Tabula Peutengi­ri­ana” (Evans) me të cilin, siç shprehet arkeologia Salihu, me të drejtë nuk pajtohen shumë studiues, sepse tashmë ubifikimi i Therandës është vlerë antologjike e kuptue­shme për të gjithë, megjithëse ubifikimi i saj edhe më tej lëviz ndërmjet Prizrenit dhe Suharekës. Gjithnjë, duke u mbështetur në gjurmët e pakta të hulumtimeve arkeolo­gjike dhe atyre të shkruara ndër kohë të ndryshme të dy shekujve të fundit, por duke kërkuar gjithmonë veçoritë etnike dardane të trevës së Gjakovës me rrethinë, autorja vjen në një përfundim sipas së cilit “shihet qartë se këto të dhëna dhe ky material arkeologjik i trevës së Gjakovës, edhe pse tash për tash i vogël në numër, (.) ka një vlerë të madhe, meqë hedh dritë mbi praninë e lokaliteteve arkeologjike, të cilat presin të gërmohen e të studiohen. Aq më shumë, disa lokalitete, duke qenë që herët objekt studimi i studiuesve të ndryshëm, janë lidhur me toponime të caktuara. Pa marrë parasysh se a mund të qëndrojnë në tërësi, ato kanë një rëndësi të madhe, meqë tregojnë se kjo trevë ka qenë sferë interesi që moti. Në mesin e tyre, Gabuleo dhe sidomos Theranda, nga njohuritë e deritanishme, janë të paqëndrueshme, ndërsa Qafa e Prushit ka gjasë të jetë vazhdim i emrit të fisit ilir të Pirustëve (Pirustae, -autorija i referohet prof. Çabejt. B.B.), kurse hidronimi Drinus është i pakontestueshëm. Toponimi Rripa, i cili këtu trajtohet për herë të parë, lypset të studiohet më tej dhe të verifikohet”.(60-61)

Toponimia dhe hartografia

Prof. dr. Qazim Lleshi, kontributin e tij prej hulumtuesi e studiuesi në Tribunën shkencore e pat dhënë me studimin Çështje onomastike të anës së Gjakovës, ndërsa brenda vëllimit me kumtesa dhe diskutime boton edhe studimet Përkitazi me prejardhjen e hidronimit “Erenik” dhe Kontribut ndriçimit të oronimit “Bjeshkët e Nemuna – Prokletije”. Në vazhdim të kërkimeve të tij në gjurmë të toponimisë dhe antroponimisë ilire-arbërore-shqiptare, prof. Lleshi, kësaj here merr për obligim sjelljen e një pasqyre të pasur nga aspekti i shtresave gjuhësore dhe historike, si: Katun Vllashki i Arbanashki,trajtat e hidronimit Erenik, që në krisobula e gjejmë si: Ribnik, Ribnica, Ribniçka reka, dhe R’venik; disa struktura gramatikore të ojkonimit Bishtazhin, kontekstin kulturor-historik të toponimit Ura e Fshejt, prejardhjen josllave të mikrotoponimit Gradishtë, prejardhjen antroponimike të ojkonimit Batushë etj., duke i krahasuar ato shpesh edhe me gjurmë të tilla antike, mesjetare e të kohës së re edhe në hapësirat më të skajshme të Ilirisë dhe Europës Perëndimore. Në pjesën e Kontributeve, autori, edhe njëherë shtron problemin e prejardhjes së hidronimit Erenik, duke e parë atë në kontekst të kërkimeve të shumta nga studiues vendës dhe sidomos të huaj. Nga dëshmitë e mbledhura dhe të sintetizuara të këtij punimi, autori vjen në këtë përfundim: “Duke u bazuar në prapashtesën e njëjtë të përbashkët për hidronimin Erenikdhe toponimin mesjetar Ribnik, jemi të bindur se është fjala për emërtimin e të njëjtit lum si dhe vendbanim (Junik), i cili është në përdorim të popullatës vendore – rrënjëse e kësaj ane – të Gjakovës, që prej kohërave të panjohura. Ndërkaq, trajta Ribnik, e cila haset në krisobula, paraqet shtrembërim të qëllimshëm të regjistruesve për t’i dhënë trajtës burimore popullore Erenik veçori, tingull e ngjyrë sllave e për ta përdorur si argument kombëtar”.(270) Me studimin tjetër autori merret me oronimin “Bjeshkët e Nemuna, përkatësisht Proklete Planine ose Prokletije, i cili shtrihet në pjesën veriore të Malit të Zi dhe në atë më lindore në Kosovë. Duke nxjerrë një numër të madh faktesh të shënuara nga studiues vendës dhe të huaj: Çabej, Jokli, Hahni, Skoku, Shuflai, Bartoli, Dobrowski, Markoviq, Ami Bue, Elisee Reclus, Levassier-Perigot etj., pjesa më e madhe e të cilëve sajuan emërtimin Alpet e Shqipërisë Veriore, ndërkohë që vendësit ruanin emërti­min e gjuhës së tyre Bjeshkët e Nemuna, sikur edhe Prokletije më vonë. Pa dashur që të merrem me parimet e kërkimit dhe të studimit të këtij oronimi, hulumtimi i tij që etimologjinë e oronimit Bjeshkët e Nemuna ta kërkojë tek fjala bjeshkë,metodologjikisht nuk çon në rrugë të drejtë. Shqyrtime të tilla brenda një strukture gjuhësore të një toponimi bëhen vetëm kur toponimi është togfjalësh, kur njëra gjymtyrë është me etimologji të huaj e tjetra me etimologji shqipe, siç është toponimi Udhë Pukë.

 

Toponimia dhe etimologjia

Në një prizëm tjetër, të filologut, toponimisë së Gjakovës i qaset prof. dr. Latif Mulaku në studimin Mbi disa toponime të rrethinave të Gjakovës, në të cilin përimton një nga një nga aspekti historiko-kulturor dhe etimologjik disa nga vendbanimet e rrethit të Gjakovës. Nëse veçori e rëndësishme e kontributeve të studiuesve të tjerë në këtë vëllim është aspekti disiplinar me të cilin i janë qasur toponimisë së Gjakovës dhe rrethinës së saj, veçori e studimit të Profesor Mulakut është tërësia e plotë dhe e gjithanshme e shtrimit të problemit në nivelin e kërkesës pragmatike të Komisionit për standardizimin e emërvendeve të Kosovës. “Studimi shkencor i emrave të vendeve të rrethinave të Gjakovës është me vlera të mëdha për gjuhësinë e për historinë shqiptare dhe për kulturën kombëtare, në kuptimin e gjerë të fjalës”, shkruan prof. Mulaku, prandaj nga 24 vendbanime sa ka kjo komunë, autori trajton hollësisht dhe në mënyrë interdisiplinare dhjetë ojkonime. Në këtë studim, autori merret me strukturën gjuhësore, prejardhjen etimologjike, shtrirjen gjeografike, të dhënat historike, ubifikimin etj., të ojkonimit Bardoniq-i ose Bardhaniq-i, të cilin e nxjerr nga fjala bardh, përkatësisht toponimi Bardhan, por që sllavët e patën deformuar në trajtën sllave, përkatësisht serbe Bardoniq, prandaj autori i sugjeron Komisionit që këtij fshati t’i kthehet emri i vjetër shqip Bardhan-i. Autori e konsideron ojkonimin Bardosan-i, të formuar nga fjala shqipe (i,e) bardhë me bazë patronimike, Bardhosh, Bardhoshan etj., prandaj edhe emrin e fshatit e propozon të këtillë. OjkoniminBatushë-a ose Botushë-a, i cili shfaqet në dokumente që në shekullin XIII, e konsideron të formuar nga apelativi shqip botë-a (një lloj deltine dhe me ngjyrë të përhimtë në të bardhë) dhe prapashtesa -ushë. Tek ojkonimi Firajë-a ose Fierajë-a autori gjen një emër të pranishëm përgjithësisht në fitoniminë shqiptare fier me prapashtesën -ajë. Po i kësaj natyre është edhe ojkonimi Firzë-a ose Fierzë-a, që është formuar nga emri i bimës fier dhe prapashtesa me kuptim zvogëlimi -zë(a). Ashtu si ojkonimi Botushë-a, edhe ojkonimi Mejë-a shfaqet që herët në dokumente, siç është Defteri i regji­strimit të Sanxhakut të Shkodrës (1485). Këtë toponim autori e konsideron me prejardhje nga emri i bimës mel-i, që e karakterizon territorin e këtij katundi. “Përndryshe, shkruan autori, emri mel është huazim nga latinishtja milium ose është paralelizëm indoeuro­pian i shqipes”.(80) Autori e konsideron etimologjinë e ojkonimit Palabardh, të përbërë nga emri Pal dhe mbiemri cilësor i bardhë, ndërsa etimologjinë e ojkonimit Ujzë-a ose Ujzë-i nga një apelativ i drurit të ulzës. Autori përjashton mundësinë e emërtimit të këtij vendbanimi nga një kompozitë uji i zi, duke dhënë një varg vendbanimesh me prejardhje të ngjashme fitonimike, përfshirë këtu edhe një venbanim Ulëz, në rrethin e Matit. Për profesor Latif Mulakun, rëndësia e toponimisë së Gjakovës dhe rrethinave të saj është e rëndësishme për disa arsye të natyrës gjuhësore, kulturore, historike dhe më në fund nacionale. Toponimet e Gjakovës dhe rrethinave të saj, janë struktura gjuhësore të cilat shpjegohen me gjuhën shqipe, me strukturën e fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, me ndërtimet e zakonshme të toponimeve dhe përgjithë­sisht onomastikës në gjuhën shqipe sipas emrave të bimëve, të drurëve, sipas emrit të një personi ose të një mbiemri familjar, sipas llojit të dheut, sipas emrit të një shtaze ose kafshe, sipas konfiguracionit gjeografik, sipas një pronari, sipas emrit të një shenjtori etj.

 

Rreth prejardhjes së emrit të Gjakovës

Kumtesa e dr. Rexhep Doçit Rreth prejardhjes së toponimit Gjakova dhe të disa toponimeve të Komunës së Gjakovës, trajton tri probleme themelore: zhvillimin cilësor të onomastikës si disiplinë gjuhësore, emrin e Gjakovës dhe ojkonimin e njërit prej vendbanimeve të rrethit të Gjakovës, Batushë. Dyzetë vjet pas vërejtjes së Profesor Çabejt se “studimet onomastike, me aq rëndësi për historinë e gjuhës, me pak përjashtime kanë mbetur djerrë”, autori kujton se gjendja e studimeve në këtë fushë ka ndryshuar shumë, sidomos në Kosovë. Në këtë fushë të dijes janë botuar jo vetëm një mal studimesh, por edhe tetë vëllime të cilat trajtojnë probleme më të gjera ose më të rrudhura në fushën e onomastikës. Rezultatet shkencore të arritura deri më tani, sidomos botimi i dokume­nteve të ndryshme, i jipin autorit mundësi që të bëjë krahasime edhe me ojkoniminë e Gjakovës dhe rrethinës së saj me struktura përkatëse historike gjatë pesëqind vjetëve të fundit. Pasi sjell një inventar të zgjeruar të emrit Gjakovë në botime të ndryshme të proveniencës sllave, orientale, romane dhe të traditës, autori pranon mendimin e Palok Dakës lidhur me prejardhjen e toponimit Gjakovë, siç shkruan Doçi, “prej një emri të moçëm shqiptar Jakob, Jakov, Jak (emër vetjak i shkurtuar, përkëdhelës), sepse edhe sot te shqiptarët e besimit katolik kudo në Kosovë dhe më gjerë ekzistojnë antroponime e patronime të tipit Jaku, kurse në Gjakovë, siç u tha, ekziston edhe patronimi i shqiptarëve të besimit islam Jaka”.(100) Po me këtë koncept autori trajton edhe etimologjinë e ojkonimit Batushë-a, të cilin e konsideron të gurrës iliro-shqiptare dhe e ndërlidh me “rrënjorin bat-, të cilin më tej e kërkon te emri i fjalës shqipe bathë-a “groshë, fasule”.(106)

Në studimin Toponimia e Gjakovës, Abdullah Konushevci, trajton aspektet historike, kulturore dhe veçanërisht gjuhësore të toponimisë së Gjakovës dhe rrethi­nave të saj. “Toponimia e Gjakovës – shkruan autori, – veçohet me një varg karakteri­sti­kash të cilat dallojnë nga regjistri i emrave të kazave e sanxhaqeve të tjera të Kosovës. Së pari, janë shumë toponime të pastra shqiptare me rrënjën bardh, pastaj disa me prapashtesën zvogëluese, dikur shumë prodhimtare -ëz, si dhe një numër i madh emërvendesh me prapashtesën -aj(ë)“.(201) Për autorin karakteristikë gjuhësore e toponimisë së rrethinës së Gjakovës është metateza a-r > r-a, prapashtesa iliro – shqiptare, - ana dhe -an etj. Në pjesën e dytë të studimit, Konushevci trajton toponimet latino-romane, sipas të cilit, në rrethinën e Gjakovës janë ojkonimet: Romaja(vi)ja, Skivjan, Smolica, Radoniq etj; ndërsa në pjesën e tretë merret me preja­rdhjen etimologjike të hidronimit Erenik dhe Krena. Te këto dy hidronime, autori kërkon “një apelativ të zhdukur të shqipes *ren > ron ‘rrjedh, del’ (205), megji­thëse në kontekst të fenomeneve, dukurive e shtresave ndërgju­hësore sjell edhe një varg krahasimesh të emërve­ndeve të Gjakovës dhe rrethinës së saj. Përtej shpjegimeve e venerimeve nga më të ndryshme: historike, kulturore e gjuhësore, vlera e studimit të A. Konushevcit qëndron në një pasqyrë të rëndësishme të pamjes së emërvendeve të rrethinës së Gjakovës 1896-2002.

Nga prizimi i shkencave të veçanta ose edhe i periudhave të veçanta të studimit, emërvendeve të Gjakovës dhe rrethinës së saj iu qasen studiuesit prof. dr. Ruzhdi Pllana (në kontekstin gjeografik), Iljaz Rexha (në kontekstin e hulumtuesit të pasionuar të arkivave të orientit), dr. Sabit Uka (në shtratin e përkimeve të onoma­stikës së Prokuples me atë të Gjakovës) etj.

Në studimin e tij Disa çështje të oronimisë dhe të hidronimisë së rrethinave të Gjakovës, profesor dr. Ruzhdi Pllana, i qaset toponimisë së Gjakovës me rrethinë nga këndi i gjeografit, por njëkohësisht edhe të njohësit të mirë të hartografisë e të onomastikës së Kosovës.

“Emërvendet mund të sistematizohen dhe të klasifiko­hen sipas kritereve të ndryshme, mirëpo – shkruan prof. Pllana, -rezultatet më të mira bazohen në grupimet e emërvendeve sipas përmbajtjes popullore të termave gjeografikë”. (110) Autori njëkohësisht ua zë për të madhe ekspertëve, të cilit nuk e kanë shfrytëzuar mjaftue­shëm fjalësin popullor për të krijuar terma dhe neologjizma të ndryshme për disiplinat shkencore. Autori iu gjen koncepteve të tij kërkimore hapësirë dhe përmbajtje të pasur materiale, gjeografike e gjuhësore pikërisht në Gjakovë dhe në rrethinën e saj. “Karakteri­stikë kryesore e oronimisë dhe hidronimisë së rrethinave të Gjakovës, – shkruan Prof. Pllana, – është mbizotërimi i tyre në gjuhën shqipe, që shpreh përkatësinë e popullatës vendase”. Për studimin e tij autori ka shfrytëzuar burime të rëndësishme historike dhe hartografike, të cilat nuk kanë qenë dhe fatkeqësisht ende nuk janë burim i shfrytëzuar me kompetencë nga specialistë e fushave përkatëse, prandaj edhe të onomastikës. Në kërkim të hidronimeve të Gjakovës me rrethinë dhe të aspekteve gjeografike, semantike e gjuhësore të formimit të tyre, autori vjel me kompetencë dhe sjell një pasqyrë shumë të pasur të oronimeve dhe hidronimeve sipas hartave topografike[6], për të bërë njëkohësisht edhe një sintezë të tyre mbi kriteret e formimit të oronimeve dhe hidronimeve: ngjyrës, formës, pozicionit, veçorive fitonimike etj.

Toponima e Gjakovës dhe arkivistika

Në librin për toponiminë e Gjakovës me rrethinë janë botuar studime me synime të ndryshme teorike dhe metodologjike, për të trajtuar onomastikën e Gjakovës në mënyrë sa më të plotë, sipas disiplinave prej nga vijnë edhe autorët, por njëri prej tyre dallohet për shumë arsye. Studimi i mr. Iljaz Rexhës Onomastika e disa vendbani­meve mesjetare të arealit të Gjakovës (sipas deftereve osmanë të shek. XV-XVI) është një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për këtë vëllim dhe jo vetëm për temën me të cilën merret. Në një studim prej rreth 55 faqesh autori trajton onomastikën e Gjakovës me rrethinë, duke pasur për bazë jo vetëm materialet e terrenit, siç veprojnë pjesa më e madhe e studiuesve të këtij vëllimi, as vetëm inventarin e proveniencës kryesisht kishtare dhe admini­strative sllave e boshnjake[7] dhe më në fund as vetëm Defterët, tashmë të stërkonsultuar të shek. XV të Selami Pulahës[8].

Studimin e tij, mr. Iljaz Rexha e hap me një pasqyrë të problemit të leximit dhe kuptimit të toponimisë së tërthoreve ballkanike, duke filluar së paku me mijëvjeçarin e dytë. Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë lëvizje fisesh e kufijsh, shumë luftëra e shumë ndikime kishtare e kulturore, prandaj jo çdo gjë në dokumentet e mbetura është e përkryer dhe e sigurt për t’u përdorur. Për shkak të gjithë këtyre ndryshimeve, të përkryera nuk janë as dokumentet kishtare serbe, të cilat jo rrallë bëhen dëshmi vendimtare për identifikimin e toponimeve të Kosovës dhe leximin e saktë të tyre. “Deri në fund të shek. XII, – shkruan autori, – kur këto vise ishin nën sundimin herë bizantin e herë bullgar, për këtë periudhë nuk kemi kurrfarë lënde arkivore ose burime shkrimore historike në bazë të të cilave do të mund të vërtetojmë strukturën etinke të kësaj kohe”.(138) Me të drejtë. Ndonëse nuk mund të themi se ato nuk janë zbuluar dhe njohur për opinionin e gjerë shkencor.

Dy shekujt e parë të mijëvjeçarit të dytë janë shumë të rëndësishëm, sepse siç dihet shënojnë epokën e kalimit të etnonimitarbër në alban. Një pasqyrë e gjendjes historike të trojeve shqiptare deri tani dihet kryesisht vetëm prej dokumenteve bregdetare, por jo edhe për zonat e brendshme të Arbërisë. Nuk ka dyshim se një dorë e rëndësishme e dëshmive dokumentare dhe të shkruara të kësaj periudhe (fjala është për periudhën e ndarjeve kufitare mes kishës romane-katolike dhe ortodokse) (154), gjenden në arkivat kishtare të të dy kishave, por mbase ajo më e pasura dhe më e plota gjendet në arkivat e kishës ortodokse bizantine në Atos, ku ende nuk ka hyrë këmba e studiuesit shqiptar ose përgjithësisht e albanologut. E gjetur mes kishës greke-bizantine dhe katolike-romane, zona e krishterë shqiptare e trojeve shqiptare, pas rënies nën perandorinë otomane, shpesh bëhet pre e ndikimit të kishës serbe, prej nga edhe kemi pasqyrën e gjendjes jo të plotë dhe aq më pak të drejtë të toponimisë dhe sidomos antroponimisë së etnikumit shqiptar. Në këtë rrjedhë autori fillimisht sjell fillimisht disa shembuj nga fusha e mikrotoponimisë dhe sidomos e antroponimisë dhe patronimisë së shtrembëruar të dokumenteve kishtare serbe, si: Kurikuq-a në vend Gur­ikuq-i, Brzota në vend të Bardhota etj. Pasqyra e toponi­mi­së dhe patronimisë së sjellë këtu dëshmon për përpjekje të mëdha të kishës serbe për të sllavizuar plotësisht toponiminë dhe antroponiminë shqiptare. Më parë se për sllavizimin e saj, në këtë zonë, toponimet që i kanë bërë ballë presionit të administrates serbe tregojnë për atë pjesë të vogël të mbijetesës kulturore, historike, gjuhësore, materiale dhe shpirtërore që mbase më shumë sesa në shumë zona të Kosovës ka arritur të mbijetojë pikërisht në Gjakovë dhe në rrethinat e saj. Materialet e Defterit të botuara në këtë vëllim tregojnë se një vendbanim që autori nuk ka arritur ta identifikojë plotësisht quhet Bardani (sigurisht fjala është për Bardha­nin) quhej edhe Bardonja, se Bardoniqi i sotëm i rrethit të Gjakovës quhej me emrin tjetër sllav Beliq-i, se Bradosani i sotëm i rrethit të Gjakovës në shekullin XVI quhej Lipovac, seBishtazhini quhej Bistrazhin, se Buno­shefci shënohej si Plonoshevc-i, se Hereçi shënohej si Çrno Potok, se emri i Morinësshënohej si Murina, se Morina tjetër shënohej si Vulloviq, se Palabardhi shënohej si Belopavliq, se Shishmani shënohej siShishmanci, se vendbanimi Ujzi shënohej me motivim të ri Radotinc, se Vokshi shënohej si Tërnava etj. Autori një të dhënë me interes sjell për vetë emrin e Gjakovës kur shënon se “në bazë të disa monedhave origjinale që janë gjetur në fshatin Bunincë, në vitin 1928 si dhe disa ekzemplarë në Artanë, ish-Novobërdë, në vitin 1965, me mbishkrimin e fisnikut Jakova (nga Jak+ova prapashtesë sllave që formon mbiemër pronësor që shpreh zotërim), i cili mendohet se ishte qeveritar i Gjakovës me rrethinë kah fundi i shekullit XIV dhe ndoshta emrin e ka marrë sipas këtij fisniku, së pari Jakova e më vonë me përshtatjen e gjuhës sllave në Gjakovë”. (162) Që emri i Gjakovës vjen nga një Jak kjo është thënë edhe më parë dhe do të mund të thuhej edhe më tej në nivel të një logjike e kurtuazie, por kur kjo thuhet duke iu referuar fakteve materiale dhe të shkruara, siç ka bërë studiuesi I. Rexha, merr peshë të veçantë. Një rëndësi të veçantë merr ky studim edhe për faktin se krahas ubifikimit të vendbanimeve të sotme, duke iu referuar të dhënave të defterit osman, autori ka sjellë një regjistër të rëndësishëm të antroponimisë dhe patronimisë së këtyre vendbanimeve, me të cilin ka plotësuar dëshmitë e tij për sllavizimin si të toponimisë, ashtu edhe të antroponimisë shqiptare nga administrata mesjetare sllave. Të dhënat e këtyre defterëve dëshmojnë se antroponimia dhe sidomos toponimia arbërore ishte formuar dhe stabilizuar jo vetëm para shtrirjes së sundimit serb, por edhe para sundimit bullgar, prandaj hipotezat e shkencës serbe se shqiptarët e këtyre trojeve ishin thjesht blegtorë, tregtarë ose xehetarë të kohëpaskohshëm deri në fund të shekullit XVII nuk qëndrojnë. Ato, përkundrazi, dëshmojnë për praninë e tyre të përhershme, me vendba­nime etnike absolute, “si bujq të përhershëm, pronarë që i kanë shlyer detyrimet ndaj administratës osmane” (187-188) etj. Për të gjitha këto, studimi i Ilaz Rexhës ka rëndësi jo vetëm për toponiminë e Gjakovës, por edhe për toponiminë dhe antroponiminë e Kosovës e të trojeve shqiptare.

 

Toponimia e Gjakovës dhe përndjekja e madhe e shqiptarëve gjatë Krizës Lindore

Në kumtesën e tij “Përkime onomastike të regjionit të Prokuples dhe të atij të Gjakovës dhe disa veçori të Gjakovës me rrethinë“, dr. Sabit Uka sjell një material të pasur të përkimeve ndërmjet toponimisë dhe patronimisë së Gjakovës dhe të Prokuples. Të dhënat e tij në këtë fushë nuk dëshmojnë thjesht vetëm për vijimësinë e toponimisë dhe patronimisë si rezultat i lëvizjes së popullatës apo siç jemi mësuar të lexojmë, për shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në Kosovë dhe më gjerë, por për një proces tjetër, të cilin Profesor Çabej e quante homogjenizim të onomastikës shqiptare. Përtej kontekstit historik, në këtë studim dëshmohet për një strukturë gjuhësore dhe sidomos semantike të onomastikës shqiptare, të cilën në dokumentet e ndryshme e kishim gjetur që nga mesjeta e hershme, dhe që dokumentohet ndër kolonitë shqiptare në Greqi e Itali, Bosnje e Kroaci dhe më shumë se askund tjetër në Gjakovë me rrethinë, por më pak kishim të dhëna dhe ndonjë sintezë të tillë për praninë kaq të pasur të kësaj patronimie edhe në zonën tjetër të skajshme të trojeve shqiptare, në Sanxhakun e Nishit.

 

Kërkime mbi mikrotoponiminë e rrethinës së Gjakovës

Tri kumtesat e fundit trajtojnë kërkimet dhe studimet e onomastikës së dy krahinave etnografike të rrethinës së Gjako­vës: toponiminë e Dushkajës nga Skënder R. Hoxha[9], i cili ka disa vjet që me ngulm bën kërkime dhe boton kumtesa lidhur me rezultatet e kërkimeve të tij në këtë zonë; toponiminë e Hasit të Gjakovës nga bashkau­torët Hysni Halilaj e Bedri Muhadri dhe në fund një kumtesë polemizuese e Sadri Rexhepit me Milenko Filipoviqin.

Në kumtesën e tij Disa të dhëna rreth toponimisë së Dushkajës, Skënder R. Hoxha, sjell një sintezë kur të zgjeruar e kur të plotësuar të toponimisë së Dushkajës, duke filluar me shtrirjen gjeografike të kësaj krahine (“në pjesën lindore të Dukagjinit qendror”); me praninë e toponimeve ndër defterë mesjetarë dhe harta të moçme (Krisobula e Deçanit e vitit 1330; Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës (1485); Gastaldi, Carta dei paesi Danubjani, 1517 etj.); me gjurmët e administratës turke në këtë toponimi (Arat Çerkeze, Livadhi Begit, Ulica Spahive etj.,); me sferat kryesore nga të cilat sajohet toponimia e Dushkajës (sipas kryefamiljarëve, sipas konfiguracionit të terrenit, sipas llojit ose përbërjes së tokës, sipas kulturës bimore, pozitës gjeografike, formës etj.,); me strukturën fjalëformuese dhe leksikore të saj (njëgjymtyrëshe, me fjalë të parme, të prejardhura e togfjalësh, kompozita) etj.

Po në këtë vëllim, në rubrikën e diskutimeve, S. Hoxha boton artikullin Rreth herrjes dhe emërtimit të disa toponimeve të Krahinës së Dushkajës, me të cilën plotëson kontributin e tij dhënë punës së Komisionit për Standardi­zimin e Emërvendeve të Kosovës. I motivuar prej punës shumëvjeçare në kërkimin e toponimisë së Krahinës së Dushkajës, i nxitur prej aktivitetit të dendur të Komisionit për standardizim, si dhe prej diskutimeve të shpeshta në shtypin ditor e shkencor, edhe S. Hoxha qe angazhuar në diskutimin publik të shumë ojkonimeve të Kosovës, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në ojkoni­minë e Dushkajës. Nëse në studimin e parë autori sjell një artikull mbi strukturën kryesisht gjuhësore të ojkonimeve dhe mikrotoponimeve të Krahinës së Dushkajës, në artikullin tjetër të botuar në rubrikën e diskutimeve do të kujdeset që ojkonimet e kësaj krahine t’i trajtojë nga aspekti etimolo­gjik, duke u ndalur dhe kërkuar etimologjinë e secilit prej tyre veç e veç, për të dhënë më tej edhe propozimet e reja: Bardhaniq-Bardhan; Bec-Bec; Berde­sane, (propozimi i ri Kodërthanë); Cermjan (propozimi i ri Dashaj); Dublibare (propozimi i ri Kënetishtë); Gërgoc (propozimi i ri Gurkuq); Janosh (propozimi i riGjinaj); Kodrali; Kralan (propozimi i ri Kështjellë); Llugagji (propozimi i ri Miraj), Maznik; Meqe (propozimi i ri Gradishtë); Netic-i (propozimi i ri Rogë-a); Palabardh; Radoniq (propozimi i ri Radaj); Rakoc (propozimi i ri Rakaj); Rakovinë (propozimi i ri Rakaj); Rashkoci (propozimi i ri Qarret); Ratishë (propozimi i ri Luginë e Epërme); Ratishë e Ulët (propozimi i ri Luginë e Poshtme); Rezinë (propozimi i ri Rrezinë); Sapot-i (propozimi i ri Skërkë); Velikobare (propozimi i ri Ligatinë); Vraniq-i (propozimi i ri Vrahishtë); Vranoc-i; Zhabel-i (propozimi i ri Zabeli Plak; Zhdrellë (propozimi i ri Grykë).

Bashkautorët Hysni Halilaj e Bedri Muhadri në kumtesën Toponomastika e Hasit të Gjakovës kanë sjellë një pasqyrë të toponimisë së zonës së Krahinës së Hasit, i cili nuk është i ndarë vetëm mes administratave të qyteteve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Pasi bëjnë një paraqitje të pamjes historike të kufijve të tij dhe strukturës gjuhësore të onomastikonit të kësaj krahine, autorët sjellin edhe një pasqyrë të fshatrave të kësaj krahine, sado që shpjegimet e tyre janë të natyrës popullore.

Diskutime

Ndonëse në tribunë kishte mjaft diskutime, në rubrikën Diskutime të këtij vëllimi është botuar një pjesë e saj, domethënë janë botuar vetëm diskutimet që autorët e tyre i kanë dërguar në formë të shkruar. Mirëpo brenda saj janë botuar edhe tekste të tjera, të cilat as nuk janë thënë, as nuk janë lexuar në tribunë.

Diskutimeve të kësaj rubrike iu prin Rexhep Doçi, për kumtesat e dr. Shefki Sejdiut, dr. Mehmet Halimit, dr. Edi Shukriut, dr. Abdullah Zymberit dhe dr. Latif Mulakut, ndërsa më tej dr. Ruzhdi Pllana diskuton hidronimin Bistrica dhe toponimin Podgor,sadoqë nuk i referohet ndonjë emri të veçantë. Radhën e diskutimeve e mbyll dr. Abdullah Zymberi, i cili siç duket përgjigjet në diskutimin e dr. Planës.

Gjatë këtyre tre vjetëve janë shkruar shumë studime shkencore dhe po kaq artikuj të rastit, të cilat janë botuar në shtypin shkencor dhe ditor, janë lexuar shumë kumtesa shkencore dhe po kaq fjalë të rastit të cilat një ditë do të botohen në vepra të veçanta dhe të përbashkëta si kjo, por edhe kur të bëhen përmbledhje për toponiminë e komunave të veçanta, si kjo e Gjakovës, edhe kur të botohen përmbledhje për toponi­minë e Kosovës si tërësi, zor se do të shënohen rezultate të këtij niveli, që janë shënuar këtu.

Prishtinë, 25 janar 2003


[1] Shih Shefki Sejdiu, Çështje të toponimisë së Kosovës; Rreth disa parimeve emërtuese në toponiminë e Kosovës; Rreth disa problemeve dhe procedimeve emërtuese në ojkoniminë e Kosovës; Rreth disa parimeve emërtese në toponiminë e Kosovës, të përfshira në librin “Sprova etimologjike”, Era, Prishtinë, 2002.
[2] Shih Begzad Baliu, Akti i fundit i punës në standardizimin e toponimisë së Kosovës, “Gazeta e re”, 19 prill 2001, Prishtinë, f. 18; Jo ndryshim i emërvendeve të Kosovës, por standardizim i tyre, “Zëri i Kosovës”, 28 janar 2000, Prishtinë, f. 1, 8-9; në “Gjuha jonë”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, nr. 1-2/2000, f. 71-80; në “Gjuha shqipe”, nr. 1-2/2000, (doli nga shtypi në dhjetor 2001), f. 45-54; Ndihmesë diskutimit për standardizimin e emërve­ndeve të Kosovës, “Pasqyra”, 5 mars 2000, f. 15-32; Projekt shkencor me karakter historik, “Pasqyra”, 31 mars 2000, f. 16; Standardizimi i onomastikës së Kosovës (Kosov’s onomastics standardization), “Gjurmime albanologjike -seria e shkencave filologjike”, nr. 28-29/1998-1999, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2002, f. 167-178; Pse duhet të standardizohen vendbanimet e Kosovës, -”Shqipëria etnike”, viti III, nr. 15-16, Boton Bashkësia Shqiptare në Zvicër – Gjermani – Itali, Bernë, Zvicër, qershor-korrik 2001, f. 23-28 etj.
[3] Mehmet Halimi, Vështrime gjuhësore, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1993.
[4] Buletini i Fakultetit Filozofik, nr. XXII, Prishtinë, 1994, f. 127-132.
[5] Shih, Exhlale Dobruna -Salihu, Mbi disa toponime të kohës antike në Kosovë, “Onomastika e Kosovës”, Simpozium i mbajtur më 25-27 shkurt 1977 në Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1979, f. 27-46; Toponimet antike të Kosovës, “Rilindja”, Prishtinë, maj 1985; Tipologjia e monumenteve sepulklare të periu­dhës romake në Kosovë, Gjurmime albanologjike-seria e shkencave historike (më tej: Gjurmime albanologjike – seria e shkencave historike), nr. IV-V, 1974-1975, Instituti Albanologjik i Prishtinës,, Prishtinë, 1977; Plastika dekorative e figurave dhe stelave mbivarrore të periudhës romake në Kosovë, “Gjurmime albanologjike – seria e shkencave historike”, nr. XIV, 1984, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1985; Veprat e artit ilir në plastikën portretore të kohës romake në trevën e Dardanisë,” Gjurmime albanologjike – seria e shkencave historike”, nr. XXIV/1994, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1994 etj.
[6] Topografska karta 1:50.000, Gjakovica 1,2, Peç 4, Prizren 1; Karta 1:100.000 Gjakovica (679), Prizren (680); Topografska karta 1: 25.000 Gjakovica 1-2, 1-3, 1-4, 2-1, 2-2.
[7] Milosh Milojeviq, Deçanske hrisovulje, Glasnik srpskog učenog drushtva, II, Beograd, 1880; Defteri Obllast Brannkoviça, Sarajevo, 1974; R. Ivanoviq, Dećananske vlastelnistvo, Beograd, 1954 etj.
[8] Defteri i regjistrimit të Shkodrës i vitit 1485, Tiranë, 1974; Popullsia shqiptare e Kosovës, gjatë shek. XV-XVI, Tiranë, 1983.

[9] Skënder R. Hoxha, Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës, I, “Përparimi”, Prishtinë, 1993; Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës, II, “Art poetika”, Pejë, 2000.