Toponimia e Gjakovës me rrethinë, (Tryezë shkencore, mbajtur më 4 maj 2001), Botoi Kuvendi i Komunës së Gjakovës – Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Gjakovë, 2002, f. 283.
Hyrje
Tre vjet më parë, të nxitur nga institucionet shtetërore të Qeverisë së Përkohshme të pasluftës dhe nga përgjegjësia kulturore, intelektuale e profesionale, një grup studiuesish të fushave nga më të ndryshme dhe të institucioneve nga më të larta shkencore, themeluan një Komision për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës.
Kosova, e cila pas luftës pritej të përjetonte një rilindje të vërtetë në shumë fusha të jetës dhe të dijes, prapa kishte një trashëgimi të rëndë dhe të ndërlikuar, për shkak të pasojave gjenocidiale jo vetëm në familjet tona, por dhe në kulturën e përgjithshme, pra edhe në emërtimin e vendbanimeve të tyre.
Për shkak të kësaj trashëgimie, shpesh të çrregulluar, edhe në fushën e toponimisë së Kosovës, këtij Komisioni i dilnin një varg detyrash të ndërlikuara, të cilat nuk mund t’i kalonte lehtë, dhe nuk mund t’i kalonte pa i plotësuar ato me anëtarë të institucioneve komunale si dhe me aktivitete të studiuesve të shumë nga institucionet më të larta shkencore të Kosovës. Në punën e tij, Komisioni, për tre vjet me radhë, punoi duke kombinuar aktivitetet e tij: në mbledhje të rregullta të përditshme, javore, dhe më në fund mujore; në paraqitje të rregullta publike përmes medias të shkruar dhe asaj elektronike; në aktivitetin e rregullt në terren dhe, më në fund, me tubime shkencore në Prishtinë dhe në qendrat kryesore të Kosovës. I gjetur përballë, sa përkrahjeve të skajshme të opinionit përgjithësisht, aq edhe anatemimit ndonjëherë tjetër, pikërisht nga ata prej të cilëve pritej ndihma profesionale, Komisionit iu desh të punonte jo vetëm në edukimin e opinionit rreth problemit të standardizimit të onomastikës së Kosovës, por shpesh, për fat të keq, iu desh të përballej edhe me emancipimin e inteligjencies dhe shkencës shqiptare lidhur me nevojën e ndërhyrjes shkencore të studiuesve dhe institucioneve shkencore e politike për përfundimin e këtij procesi me rëndësi kulturore dhe nacionale.
Një tryezë e suksesshme shkencore
Tryeza shkencore e mbajtur më 4 maj 2001 në Gjakovë është një prej angazhimeve të këtij Komisioni, në të cilën më së miri janë paraqitur kontributet e tij vetjake, por të ndërlidhura gjithnjë edhe me përkrahjen e mirë që kishte nga këshillat komunale, siç është ky i Gjakovës. Ndryshe nga tryezat shkencore të organizuara në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, që shpesh dominoheshin kryesisht nga studiues të institucioneve shkencore ose kryesisht nga përfaqësues të institucioneve politike, Tryeza e Gjakovës, falë angazhimit të studiuesve të kësaj ane dhe bartësve administrativë të komunës, është një prej angazhimeve më të suksesshme, pranadaj është e kuptueshme pse kumtesat e saj janë përmbledhur dhe botuar në një vëllim të përbashkët.
Libri është rezultat i një redaksie që ka punuar me përkushtim në krye me akademik Besim Bokshin dhe profesor Masar Rizvanollin, i cili është edhe kryeredaktor i vëllimit.
Libri hapet me një fjalë hyrëse të kryeredaktorit të këtij vëllimi profesor dr. Masar Rizvanollit dhe sekretarit të Këshillit të Komisionit Qendror dr. Jusuf Osmanit), të cilët janë më të merituarit për Organizimin e Komisionit, për mbajtjen e tryezës dhe për botimin e këtij vëllimi, jo vetëm me kumtesat e lexuara, por edhe me kontribute e diskutime, të cilat i janë bashkëngjitur këtij vëllimi falë kujdesit dhe angazhimit të Profesor Rizvanollit.
Prof. Masar Rizvanolli, njëri nga historianët e njohur shqiptarë dhe njëri prej pedagogëve të moçëm të Gjakovës, në fjalën e tij hyrëse me titull “Kontribut për ndriçimin e toponimisë së një treve me rëndësi të veçantë” shkruan për nevojën e ngritjes së këtij Komisioni, për vështirësitë që kishte si rezultat i pozitës shoqërore e ekonomike nëpër të cilën po kalojmë, për përpjekjen individuale të studiuesve veç e veç, për angazhimin e specialistëve më të mirë që kemi në këtë fushë, për mirëkuptimin që gjetën tek kuvendet komunale, duke përfshirë këtu edhe Komunën e Gjakovës, e cila krijoi kushtet për organizimin dhe mbajtjen e një tribune shkencore, duke vënë në spikamë ojkoniminë e Kosovës në përgjithësi dhe toponiminë e ojkoniminë e Gjakovës në veçanti. Të nxitur nga rezultatet e rëndësishme të kësaj tribune, këshilli organizues ngriti një redaksi për mbledhjen, redaktimin dhe botimin e këtyre materialeve në një vëllim më vete, ndërsa, duke u nisur nga fakti se tribuna kishte karakter krejtësisht praktik, pa të udhës që librit t’i shtojë edhe një rubrikë me kontribute shkencore që në fushën e historisë, arkelogjisë dhe onomastikës kanë rëndësi të veçantë për rrethinën e Gjakovës. Duke u mbështetur në rezultatet e kësaj tribune, profesor Masar Rizvanolli përfundon se “përpjekjet për ndriçimin shkencor të toponimisë së trevës së Gjakovës paraqesin kontribut edhe për ndriçimin e toponimisë së Kosovës, si pjesë e toponimisë shqiptare në përgjithësi, se toponimia e trevës së Gjakovës, në shumë raste, ruan gjurmë të vjetra të cilat i përkasin fondit më të lashtë të toponimisë shqiptare dhe se popullsia shqiptare e kësaj treve jetoi në vazhdimësi në trojet e veta etnike”.(10)
Fjala e dr. Jusuf Osmanit përshkohet nga një pasqyrë e të dhënave të plota për pjesëmarrësit në punën e këtij komisioni, për fushat speciale të dijes që zotërojnë ata, për numrin e përgjithshëm të ojkonimeve që kanë shqyrtuar, për kohën në të cilën ka punuar, për mënyrën e organizimit, për institucionet e shumta shkencore, arsimore dhe kulturore që janë përfshirë përmes studiuesve më të mirë të kësaj fushe, për sistemin organizues në të cilin është punuar, për komunikimin korrekt, kulturor e shkencor me publikun e interesuar, për mënyrën e organizimit të tribunave, për mënyrën e implementimit të rezultateve të Komisionit në kuvendet Komunale dhe sidomos në Parlamentin e Kosovës.
Për parimet e standardizimit të emërvendeve të Kosovës
Studimeve të këtij libri iu prijnë dy kumtesa (nga prof. dr. Shefki Sejdiu[1] dhe mr. Begzad Baliu[2]), në të cilat shtrohen parimet dhe problemet e veçanta mbi të cilat kanë punuar anëtarët e Komisionit gjatë punës trevjeçare për standardizimin e emërvendeve të Kosovës. Fjala është për studime të karakterit teorik dhe metodologjik, të cilat këta autorë vazhdojnë t’i botojnë herë pas here.
Kumtesa e prof. dr. Shefki Sejdiut Rreth disa parimeve emërtuese në toponiminë e Kosovës është një studim gjithpërfshirës i shpjegimit të onomastikës si dije, si shkencë dhe si vlerë kulturore dhe gjuhësore. Ndryshe nga përpjekjet e tij të mëhershme për të paraqitur shtresat gjuhësore të toponimisë së Kosovës, kësaj here autori, duke i parë ato si shenja par excelence gjuhësore, si pjesa më rezistente e gjuhës, i ndanë toponimet në tri kategori kryesore: toponime të ashtuquajtura topographica, possessiva dhe patronimica. Dobësia e trajtimeve të deritanishme të toponimisë së Kosovës qëndron në studimin e saj si fjalë dhe si kategori leksikore e jo si shenjë gjuhësore në sistem. Kjo është arsyeja pse Komisioni ka punuar për një kohë të gjatë dhe në mënyrë komplementare duke trajtuar strukturat gjuhësore të toponimeve mbështetur në metodat, teoritë dhe shkollat më të arritura bashkëkohore të kohës, brenda gjuhësisë dhe disa disiplinave të ndryshme shkencore të dijeve shkollore dhe universale.
Një vend të rëndësishëm të studimit të tij zë, sikur shkruan autori çështja e kontekstit, në të cilën me shembuj konkret autori sjell një pasqyrë në nivel të Kosovës mbi kontekstin historik të vendosjes së toponimeve të reja dhe të dhunshme njëkohësisht të administratës pushtuese sllave, për t’u ndalur në një kontekst më të gjerë: historik, gjeopolitik, ekonomik, kulturor, strategjik, politik etj., të toponimisë së Rrafshit të Dukagjinit. Gjithnjë në vijim të kësaj çasjeje autori arsyeton dhe mbulon përmasën e përdorimit të kontekstit, kryesisht të atij historik, edhe në punën e Komisionit për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës.
Sikur e ka theksuar që në fillim të pasqyrës përmbajtësore të punimit të tij Standardizimi i onomastikës së Kosovës dhe universi i saj, autori trajton problemin e përkufizimit të onomastikës dhe problemin e parimeve të saj: standardin dhearbitraritetin, gjithnjë në kontekst të punës praktike të Komisionit për Standardizim të Kosovës. Në një nënkaptinë më vete autori i këtij punimi merret me parimet universale të onomastikës së Kosovës, të përcaktuara në literaturën më bashkëkohore, si dhe me shembuj të caktuar të botës Lindore e Perëndimore; toponiminë dhe antroponiminë, si dy vlera të pandashme dhe të ndërlidhura në shumë aspekte; homogjenitetin e saj jo vetëm brenda kulturës shqiptare po edhe asaj botërore; për të përfunduar me disa, sikur shkruan autori, anomali dhe moskuptime të aparatqikëve politikë të ditës etj.
Struktura morfologjike dhe fjalëformuese e toponimisë së Kosovës
Në vazhdim, në studimet e tyre, prof. dr. Abdullah Zymberi dhe dr. Mehmet Halimi merren me problemin e strukturës, kryesisht morfologjike të toponimisë sa të Gjakovës dhe rrethinave të saj, aq edhe të Kosovës si tërësi.
Dr. Abdullah Zymberi, në studimin Rreth emërvendeve me burim të shqipes në disa anavende të Kosovës, merret me “emërvendin Plangçor, hidronimet Dështicë e Krenë të komunës së Istogut, ojkonimin Gorozhup të Komunës së Prizrenit,Buçe të Opojës së Dragashit dhe masivin Podgur-i të komunës së Pejës dhe të Burimit”. Duke u nisur nga një numër i madh fjalësh të leksikut të përgjithshëm mjaft arkaik, si të Kosovës po kaq edhe të krahinave anësore ku janë ruajtur disa forma të moçme të leksikut të shqipes, autori mendon se në toponimin Plangçor do kërkuar fjala plang; tek emri i lumit Krenë, fjala shqipe krye; tek emri i lumit Dështicë, fjala shqipe shtie, parashtesa dë- dhe prapashtesa sllave -ic; në emërvendinDreth fjala dre; në ojkonimin Gorozhup fjala gur, sikur edhe masivin Podgur; dhe në emërvendin Buçe fjala bushtër.
I kësaj metode të vlerësimit dhe konkretizimit gramatikor të toponimisë është edhe studimi i dr. Mehmet Halimit Tipet e fjalëformimit të emërvendeve në rrethinën e Gjakovës, i cili deri më tash jo njëherë ka trajtuar onomastikën e Kosovës mbi këto parime dhe rezultate[3]. Në fillim autori vlerëson rëndësinë historike, kulturore, gjuhësore dhe metodologjike të onomastikës si fushë studimi, ndërsa më pas ndalet në disa prapashtesa të shqipes, me të cilat në të vërtetë nuk është shumë e pasur toponimia dhe sidomos ojkonimia shqipe e Kosovës, por është posaçërisht toponimia dhe sidomos ojkonimia shqipe e Gjakovës dhe e rrethinës së saj. I mbështetur në toponimet e sotme dhe në ato historike gjatë gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të dytë, autori ndalet dhe vlerëson e plotëson me ojkonime hostorike të nxjerra nga literatura perëndimore, ajo sllave dhe ajo orientale prapashtesat shqipe: -aj, -an, -z(ë), -ak, -osh; me prapashtesat sllave: -iq, -oc, -ec, -icë, -inë dhe -ov(ë); si dhe me prapashtesat turke-orientale: -li dhe -xhi. Një vend të veçantë autori i kushton patronimisë së toponimizuar si dhe toponimeve kompozita me të cilat është e pasur toponimia dhe sidomos ojkonimia e Kosovës. Nisur nga kjo gjendje, autori ka bërë edhe arsyetimin e punës së Komisionit në kërkimin, përpunimin dhe studimin e standardizimit të onomastikës së Kosovës.
Për ubifikimin e emërvendeve të lashta
Dy studimet e prof. dr. Edi Shukriut dhe një tjetër i dr. Exhlale Dobrunës – Salihut merren me problemin e identifikimit të emërvendeve antike dhe mesjetare të Gjakovës me rrethinë, duke u nisur nga prizmi i arkeologjisë. Në studimin e parëTrashëgimia arkeologjike në kontekst të ndryshimeve të toponimeve, studiuesja E. Shukriu trajton këtë problem duke u nisur nga kërkimet e deritanishme dhe informacionet që disponon për Komunën e Gjakovës. Autorja i konsideron të kohës parahistorike lokalitetet Kalldrëma dhe Selishta të Rogovës si: Livadhet e Xërxës; toponimet Suka e Cermjanit, Çuka e Hereqit, Gadisha, Kalaja, Gradina, Fusha, Pozhega, Varret e dardanëve dhe Gomuret e Shaban Balës të cilat shtrihen në lokalitetet e kësaj ane. Të kohës së antikës, autorija i konsideron Çivlakun – si lokalitetin më të madh rrafshinor; si edhe lokalitetet Karuqe (Xërx), Çeremidanë (Dublibarë), Lugi i Arave të Thata (Skivjan), Kisha Katolike (Raçë), Kalaja e Madhedhe Kalaja e Vogël (Batushë), Gryka e Batushës (Hereq), Te Kisha apo te Ara Hasanit, Suka e Cermjanit dhe Kishna(Cermjan). Të periudhës së Mesjetës i konsideron lokalitetet Suka e Cermjanit (Cermjan), Kalaja e Madhe dhe Kalaja e Vogël (Batushë), Murana dhe Kroni i Priftit (Voksh), Gjoze dhe Kisha (Xërxë). Një vend të veçantë autorja i ka kushtuar toponimit Gradina, për të cilin më parë kishte botuar një studim me titull Toponimi Gradinë në suazat e zhvillimit të vendbanimeve kodrinore në Kosovë[4], dhe që këtu botohet si kontribut i veçantë. Ndonëse nuk është pretendim i saj i veçantë për të nxjerrë etimologjinë, autorja përkujton se “toponimet Gradinë, Gradishtë, Gjytet, Qytezë, Çukë apo Kala” u përkasin periudhave antike dhe mesjetare, d.m.th. janë të kohës së paraardhjes së sllavëve në Ballkan. Në studimin e saj, autorja ka sjellë një varg të dhënash, sigurisht të rëndësishme edhe për onomastikën, por nga shqyrtimi i etimologjisë së saj, ndonëse ka një mbështetje në rezultatet e Profesor Çabejt, nuk mund të thuhet se është gjetur zgjidhja, për shumë arsye. Së pari, sepse baza etimologjike e emrit Gradinë, gardh, vjen nga një i.e. ghordo prej të cilës vijnë edhe fjalët në gjuhën shqipe dhe ate sllave, si gjuhë me bazë indoeuropiane. Problemi nuk qëndron tek etimologjia e saj, ajo dihet, sepse edhe shqipja edhe serbishtja kanë burim të përbashkët për këtë fjalës, problemi qëndron tek ubifikimi i toponimeve të caktuara, të cilat gjenden në territoret etnike shqiptare. Shqipja ka ruajtur me gjasë të dy format: atë gardh, si strukturë tipike brendagjuhësore dhe atë grad të mesjetës (sllave), e cila shtrihet madje jo vetëm tek mikrotoponimet e tipit gradina, por edhe tek ojkonimet e njohura për qytete të mëdha si: Pogradec, Grashticë, Graqanicë etj. Do të ishte pretendim i madh dhe joserioz insistimi që shqipes t’i kushtojmë prejardhjen e rrënjorëve gardh dhe gradinë njëkohësisht, aq më tepër që kjo e dyta mbështetet si prej rrënjorit, ashtu edhe prej prapashtesës tipike të sllavishtes -in, ndërsa shqipja ka trashëguar edhe forma të tjera, si gjytet, çukë, kala etj.
Në këtë vëllim botohet edhe kumtesa e prof. dr. Exhlale Dobrunës – Salihut, Toponimia e Gjakovës me rrethinë, një studim ky i cili jo vetëm ka plotësuar në shumë anë punën e Komisionit dhe e ka zgjeruar kompleksin e temave të rrahura në Tribunën shkencore të Gjakovës, por për një kohë të gjatë u ka munguar studimeve shqiptare të kësaj fushe. Autorja e këtij studimi, arkeologja E. Salihu, ka kohë që merret me ngulm me hulumtimin dhe studimin e pasurisë arkeologjike të antikitetit të Dardanisë antike[5], prandaj është e kuptueshme pse studimi i saj, kur në mënyrë të përmbledhur e kur në mënyrë të thelluar dhe hulumtuese, sjell të dhëna të reja nga terreni, ngre teza e sinteza, gjithnjë duke u mbështetur si në materiale arkeologjike të dorës së parë, ashtu edhe në studime të deritanishme të dijes së arkeologjisë ndër shqiptarët: si N. Ceka, Z. Mirdita, B. Jubani, Q. Lleshi, E. Shukriu – Hoti etj., ose dijes së arkeologjisë ndër të huajt, si: H. Krahe, A. J. Evans, K. Patsch, F. Papazoglu, J. Jastrabov, K. Miller, A. Meyer, I. Mikulqiç, E. Çershkov etj.
Prej studimit të arkeologes Salihu, mësojmë pozitën gjeografike të Gjakovës dhe rrethinës së saj, që siç shkruan autorja, është pjesa jugperëndimore e fushëgropës së Rrafshit të Dukagjinit; për burimet natyrore dhe historike të saj, hulumtimi i të cilave ende nuk është bërë në nivel të dëshiruar; për shtresat historike të toponimisë së kësaj zone, të sjella kryesisht nga studiues të huaj; për vlerësimet e saj shpesh vetanake dhe për plotësimin e atyre të dhënave edhe me material të ri, për të cilat shkencëtarët e huaj janë interesuar më shumë se një shekull më parë. Në këtë pasqyrë, ajo sjell pozitën e lumenjve:Drinit (ant. Drilon, Drinus) në lindje dhe Erenikut në jug e perëndim; pozitën e topogërmadhës Gradishtë, të lidhur ngushtë me toponimin Ura e Fshejt; lokalizimin e stacionit Gabuleo, midis Nishit dhe Lezhës, për mundësinë e identifikimit të një “municipit mu në Gjakovën e sotme me Therandën në Tabula Peutengiriana” (Evans) me të cilin, siç shprehet arkeologia Salihu, me të drejtë nuk pajtohen shumë studiues, sepse tashmë ubifikimi i Therandës është vlerë antologjike e kuptueshme për të gjithë, megjithëse ubifikimi i saj edhe më tej lëviz ndërmjet Prizrenit dhe Suharekës. Gjithnjë, duke u mbështetur në gjurmët e pakta të hulumtimeve arkeologjike dhe atyre të shkruara ndër kohë të ndryshme të dy shekujve të fundit, por duke kërkuar gjithmonë veçoritë etnike dardane të trevës së Gjakovës me rrethinë, autorja vjen në një përfundim sipas së cilit “shihet qartë se këto të dhëna dhe ky material arkeologjik i trevës së Gjakovës, edhe pse tash për tash i vogël në numër, (.) ka një vlerë të madhe, meqë hedh dritë mbi praninë e lokaliteteve arkeologjike, të cilat presin të gërmohen e të studiohen. Aq më shumë, disa lokalitete, duke qenë që herët objekt studimi i studiuesve të ndryshëm, janë lidhur me toponime të caktuara. Pa marrë parasysh se a mund të qëndrojnë në tërësi, ato kanë një rëndësi të madhe, meqë tregojnë se kjo trevë ka qenë sferë interesi që moti. Në mesin e tyre, Gabuleo dhe sidomos Theranda, nga njohuritë e deritanishme, janë të paqëndrueshme, ndërsa Qafa e Prushit ka gjasë të jetë vazhdim i emrit të fisit ilir të Pirustëve (Pirustae, -autorija i referohet prof. Çabejt. B.B.), kurse hidronimi Drinus është i pakontestueshëm. Toponimi Rripa, i cili këtu trajtohet për herë të parë, lypset të studiohet më tej dhe të verifikohet”.(60-61)
Toponimia dhe hartografia
Prof. dr. Qazim Lleshi, kontributin e tij prej hulumtuesi e studiuesi në Tribunën shkencore e pat dhënë me studimin Çështje onomastike të anës së Gjakovës, ndërsa brenda vëllimit me kumtesa dhe diskutime boton edhe studimet Përkitazi me prejardhjen e hidronimit “Erenik” dhe Kontribut ndriçimit të oronimit “Bjeshkët e Nemuna – Prokletije”. Në vazhdim të kërkimeve të tij në gjurmë të toponimisë dhe antroponimisë ilire-arbërore-shqiptare, prof. Lleshi, kësaj here merr për obligim sjelljen e një pasqyre të pasur nga aspekti i shtresave gjuhësore dhe historike, si: Katun Vllashki i Arbanashki,trajtat e hidronimit Erenik, që në krisobula e gjejmë si: Ribnik, Ribnica, Ribniçka reka, dhe R’venik; disa struktura gramatikore të ojkonimit Bishtazhin, kontekstin kulturor-historik të toponimit Ura e Fshejt, prejardhjen josllave të mikrotoponimit Gradishtë, prejardhjen antroponimike të ojkonimit Batushë etj., duke i krahasuar ato shpesh edhe me gjurmë të tilla antike, mesjetare e të kohës së re edhe në hapësirat më të skajshme të Ilirisë dhe Europës Perëndimore. Në pjesën e Kontributeve, autori, edhe njëherë shtron problemin e prejardhjes së hidronimit Erenik, duke e parë atë në kontekst të kërkimeve të shumta nga studiues vendës dhe sidomos të huaj. Nga dëshmitë e mbledhura dhe të sintetizuara të këtij punimi, autori vjen në këtë përfundim: “Duke u bazuar në prapashtesën e njëjtë të përbashkët për hidronimin Erenikdhe toponimin mesjetar Ribnik, jemi të bindur se është fjala për emërtimin e të njëjtit lum si dhe vendbanim (Junik), i cili është në përdorim të popullatës vendore – rrënjëse e kësaj ane – të Gjakovës, që prej kohërave të panjohura. Ndërkaq, trajta Ribnik, e cila haset në krisobula, paraqet shtrembërim të qëllimshëm të regjistruesve për t’i dhënë trajtës burimore popullore Erenik veçori, tingull e ngjyrë sllave e për ta përdorur si argument kombëtar”.(270) Me studimin tjetër autori merret me oronimin “Bjeshkët e Nemuna, përkatësisht Proklete Planine ose Prokletije, i cili shtrihet në pjesën veriore të Malit të Zi dhe në atë më lindore në Kosovë. Duke nxjerrë një numër të madh faktesh të shënuara nga studiues vendës dhe të huaj: Çabej, Jokli, Hahni, Skoku, Shuflai, Bartoli, Dobrowski, Markoviq, Ami Bue, Elisee Reclus, Levassier-Perigot etj., pjesa më e madhe e të cilëve sajuan emërtimin Alpet e Shqipërisë Veriore, ndërkohë që vendësit ruanin emërtimin e gjuhës së tyre Bjeshkët e Nemuna, sikur edhe Prokletije më vonë. Pa dashur që të merrem me parimet e kërkimit dhe të studimit të këtij oronimi, hulumtimi i tij që etimologjinë e oronimit Bjeshkët e Nemuna ta kërkojë tek fjala bjeshkë,metodologjikisht nuk çon në rrugë të drejtë. Shqyrtime të tilla brenda një strukture gjuhësore të një toponimi bëhen vetëm kur toponimi është togfjalësh, kur njëra gjymtyrë është me etimologji të huaj e tjetra me etimologji shqipe, siç është toponimi Udhë Pukë.
Toponimia dhe etimologjia
Në një prizëm tjetër, të filologut, toponimisë së Gjakovës i qaset prof. dr. Latif Mulaku në studimin Mbi disa toponime të rrethinave të Gjakovës, në të cilin përimton një nga një nga aspekti historiko-kulturor dhe etimologjik disa nga vendbanimet e rrethit të Gjakovës. Nëse veçori e rëndësishme e kontributeve të studiuesve të tjerë në këtë vëllim është aspekti disiplinar me të cilin i janë qasur toponimisë së Gjakovës dhe rrethinës së saj, veçori e studimit të Profesor Mulakut është tërësia e plotë dhe e gjithanshme e shtrimit të problemit në nivelin e kërkesës pragmatike të Komisionit për standardizimin e emërvendeve të Kosovës. “Studimi shkencor i emrave të vendeve të rrethinave të Gjakovës është me vlera të mëdha për gjuhësinë e për historinë shqiptare dhe për kulturën kombëtare, në kuptimin e gjerë të fjalës”, shkruan prof. Mulaku, prandaj nga 24 vendbanime sa ka kjo komunë, autori trajton hollësisht dhe në mënyrë interdisiplinare dhjetë ojkonime. Në këtë studim, autori merret me strukturën gjuhësore, prejardhjen etimologjike, shtrirjen gjeografike, të dhënat historike, ubifikimin etj., të ojkonimit Bardoniq-i ose Bardhaniq-i, të cilin e nxjerr nga fjala bardh, përkatësisht toponimi Bardhan, por që sllavët e patën deformuar në trajtën sllave, përkatësisht serbe Bardoniq, prandaj autori i sugjeron Komisionit që këtij fshati t’i kthehet emri i vjetër shqip Bardhan-i. Autori e konsideron ojkonimin Bardosan-i, të formuar nga fjala shqipe (i,e) bardhë me bazë patronimike, Bardhosh, Bardhoshan etj., prandaj edhe emrin e fshatit e propozon të këtillë. OjkoniminBatushë-a ose Botushë-a, i cili shfaqet në dokumente që në shekullin XIII, e konsideron të formuar nga apelativi shqip botë-a (një lloj deltine dhe me ngjyrë të përhimtë në të bardhë) dhe prapashtesa -ushë. Tek ojkonimi Firajë-a ose Fierajë-a autori gjen një emër të pranishëm përgjithësisht në fitoniminë shqiptare fier me prapashtesën -ajë. Po i kësaj natyre është edhe ojkonimi Firzë-a ose Fierzë-a, që është formuar nga emri i bimës fier dhe prapashtesa me kuptim zvogëlimi -zë(a). Ashtu si ojkonimi Botushë-a, edhe ojkonimi Mejë-a shfaqet që herët në dokumente, siç është Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës (1485). Këtë toponim autori e konsideron me prejardhje nga emri i bimës mel-i, që e karakterizon territorin e këtij katundi. “Përndryshe, shkruan autori, emri mel është huazim nga latinishtja milium ose është paralelizëm indoeuropian i shqipes”.(80) Autori e konsideron etimologjinë e ojkonimit Palabardh, të përbërë nga emri Pal dhe mbiemri cilësor i bardhë, ndërsa etimologjinë e ojkonimit Ujzë-a ose Ujzë-i nga një apelativ i drurit të ulzës. Autori përjashton mundësinë e emërtimit të këtij vendbanimi nga një kompozitë uji i zi, duke dhënë një varg vendbanimesh me prejardhje të ngjashme fitonimike, përfshirë këtu edhe një venbanim Ulëz, në rrethin e Matit. Për profesor Latif Mulakun, rëndësia e toponimisë së Gjakovës dhe rrethinave të saj është e rëndësishme për disa arsye të natyrës gjuhësore, kulturore, historike dhe më në fund nacionale. Toponimet e Gjakovës dhe rrethinave të saj, janë struktura gjuhësore të cilat shpjegohen me gjuhën shqipe, me strukturën e fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, me ndërtimet e zakonshme të toponimeve dhe përgjithësisht onomastikës në gjuhën shqipe sipas emrave të bimëve, të drurëve, sipas emrit të një personi ose të një mbiemri familjar, sipas llojit të dheut, sipas emrit të një shtaze ose kafshe, sipas konfiguracionit gjeografik, sipas një pronari, sipas emrit të një shenjtori etj.
Rreth prejardhjes së emrit të Gjakovës
Kumtesa e dr. Rexhep Doçit Rreth prejardhjes së toponimit Gjakova dhe të disa toponimeve të Komunës së Gjakovës, trajton tri probleme themelore: zhvillimin cilësor të onomastikës si disiplinë gjuhësore, emrin e Gjakovës dhe ojkonimin e njërit prej vendbanimeve të rrethit të Gjakovës, Batushë. Dyzetë vjet pas vërejtjes së Profesor Çabejt se “studimet onomastike, me aq rëndësi për historinë e gjuhës, me pak përjashtime kanë mbetur djerrë”, autori kujton se gjendja e studimeve në këtë fushë ka ndryshuar shumë, sidomos në Kosovë. Në këtë fushë të dijes janë botuar jo vetëm një mal studimesh, por edhe tetë vëllime të cilat trajtojnë probleme më të gjera ose më të rrudhura në fushën e onomastikës. Rezultatet shkencore të arritura deri më tani, sidomos botimi i dokumenteve të ndryshme, i jipin autorit mundësi që të bëjë krahasime edhe me ojkoniminë e Gjakovës dhe rrethinës së saj me struktura përkatëse historike gjatë pesëqind vjetëve të fundit. Pasi sjell një inventar të zgjeruar të emrit Gjakovë në botime të ndryshme të proveniencës sllave, orientale, romane dhe të traditës, autori pranon mendimin e Palok Dakës lidhur me prejardhjen e toponimit Gjakovë, siç shkruan Doçi, “prej një emri të moçëm shqiptar Jakob, Jakov, Jak (emër vetjak i shkurtuar, përkëdhelës), sepse edhe sot te shqiptarët e besimit katolik kudo në Kosovë dhe më gjerë ekzistojnë antroponime e patronime të tipit Jaku, kurse në Gjakovë, siç u tha, ekziston edhe patronimi i shqiptarëve të besimit islam Jaka”.(100) Po me këtë koncept autori trajton edhe etimologjinë e ojkonimit Batushë-a, të cilin e konsideron të gurrës iliro-shqiptare dhe e ndërlidh me “rrënjorin bat-, të cilin më tej e kërkon te emri i fjalës shqipe bathë-a “groshë, fasule”.(106)
Në studimin Toponimia e Gjakovës, Abdullah Konushevci, trajton aspektet historike, kulturore dhe veçanërisht gjuhësore të toponimisë së Gjakovës dhe rrethinave të saj. “Toponimia e Gjakovës – shkruan autori, – veçohet me një varg karakteristikash të cilat dallojnë nga regjistri i emrave të kazave e sanxhaqeve të tjera të Kosovës. Së pari, janë shumë toponime të pastra shqiptare me rrënjën bardh, pastaj disa me prapashtesën zvogëluese, dikur shumë prodhimtare -ëz, si dhe një numër i madh emërvendesh me prapashtesën -aj(ë)“.(201) Për autorin karakteristikë gjuhësore e toponimisë së rrethinës së Gjakovës është metateza a-r > r-a, prapashtesa iliro – shqiptare, - ana dhe -an etj. Në pjesën e dytë të studimit, Konushevci trajton toponimet latino-romane, sipas të cilit, në rrethinën e Gjakovës janë ojkonimet: Romaja(vi)ja, Skivjan, Smolica, Radoniq etj; ndërsa në pjesën e tretë merret me prejardhjen etimologjike të hidronimit Erenik dhe Krena. Te këto dy hidronime, autori kërkon “një apelativ të zhdukur të shqipes *ren > ron ‘rrjedh, del’ (205), megjithëse në kontekst të fenomeneve, dukurive e shtresave ndërgjuhësore sjell edhe një varg krahasimesh të emërvendeve të Gjakovës dhe rrethinës së saj. Përtej shpjegimeve e venerimeve nga më të ndryshme: historike, kulturore e gjuhësore, vlera e studimit të A. Konushevcit qëndron në një pasqyrë të rëndësishme të pamjes së emërvendeve të rrethinës së Gjakovës 1896-2002.
Nga prizimi i shkencave të veçanta ose edhe i periudhave të veçanta të studimit, emërvendeve të Gjakovës dhe rrethinës së saj iu qasen studiuesit prof. dr. Ruzhdi Pllana (në kontekstin gjeografik), Iljaz Rexha (në kontekstin e hulumtuesit të pasionuar të arkivave të orientit), dr. Sabit Uka (në shtratin e përkimeve të onomastikës së Prokuples me atë të Gjakovës) etj.
Në studimin e tij Disa çështje të oronimisë dhe të hidronimisë së rrethinave të Gjakovës, profesor dr. Ruzhdi Pllana, i qaset toponimisë së Gjakovës me rrethinë nga këndi i gjeografit, por njëkohësisht edhe të njohësit të mirë të hartografisë e të onomastikës së Kosovës.
“Emërvendet mund të sistematizohen dhe të klasifikohen sipas kritereve të ndryshme, mirëpo – shkruan prof. Pllana, -rezultatet më të mira bazohen në grupimet e emërvendeve sipas përmbajtjes popullore të termave gjeografikë”. (110) Autori njëkohësisht ua zë për të madhe ekspertëve, të cilit nuk e kanë shfrytëzuar mjaftueshëm fjalësin popullor për të krijuar terma dhe neologjizma të ndryshme për disiplinat shkencore. Autori iu gjen koncepteve të tij kërkimore hapësirë dhe përmbajtje të pasur materiale, gjeografike e gjuhësore pikërisht në Gjakovë dhe në rrethinën e saj. “Karakteristikë kryesore e oronimisë dhe hidronimisë së rrethinave të Gjakovës, – shkruan Prof. Pllana, – është mbizotërimi i tyre në gjuhën shqipe, që shpreh përkatësinë e popullatës vendase”. Për studimin e tij autori ka shfrytëzuar burime të rëndësishme historike dhe hartografike, të cilat nuk kanë qenë dhe fatkeqësisht ende nuk janë burim i shfrytëzuar me kompetencë nga specialistë e fushave përkatëse, prandaj edhe të onomastikës. Në kërkim të hidronimeve të Gjakovës me rrethinë dhe të aspekteve gjeografike, semantike e gjuhësore të formimit të tyre, autori vjel me kompetencë dhe sjell një pasqyrë shumë të pasur të oronimeve dhe hidronimeve sipas hartave topografike[6], për të bërë njëkohësisht edhe një sintezë të tyre mbi kriteret e formimit të oronimeve dhe hidronimeve: ngjyrës, formës, pozicionit, veçorive fitonimike etj.
Toponima e Gjakovës dhe arkivistika
Në librin për toponiminë e Gjakovës me rrethinë janë botuar studime me synime të ndryshme teorike dhe metodologjike, për të trajtuar onomastikën e Gjakovës në mënyrë sa më të plotë, sipas disiplinave prej nga vijnë edhe autorët, por njëri prej tyre dallohet për shumë arsye. Studimi i mr. Iljaz Rexhës Onomastika e disa vendbanimeve mesjetare të arealit të Gjakovës (sipas deftereve osmanë të shek. XV-XVI) është një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për këtë vëllim dhe jo vetëm për temën me të cilën merret. Në një studim prej rreth 55 faqesh autori trajton onomastikën e Gjakovës me rrethinë, duke pasur për bazë jo vetëm materialet e terrenit, siç veprojnë pjesa më e madhe e studiuesve të këtij vëllimi, as vetëm inventarin e proveniencës kryesisht kishtare dhe administrative sllave e boshnjake[7] dhe më në fund as vetëm Defterët, tashmë të stërkonsultuar të shek. XV të Selami Pulahës[8].
Studimin e tij, mr. Iljaz Rexha e hap me një pasqyrë të problemit të leximit dhe kuptimit të toponimisë së tërthoreve ballkanike, duke filluar së paku me mijëvjeçarin e dytë. Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë lëvizje fisesh e kufijsh, shumë luftëra e shumë ndikime kishtare e kulturore, prandaj jo çdo gjë në dokumentet e mbetura është e përkryer dhe e sigurt për t’u përdorur. Për shkak të gjithë këtyre ndryshimeve, të përkryera nuk janë as dokumentet kishtare serbe, të cilat jo rrallë bëhen dëshmi vendimtare për identifikimin e toponimeve të Kosovës dhe leximin e saktë të tyre. “Deri në fund të shek. XII, – shkruan autori, – kur këto vise ishin nën sundimin herë bizantin e herë bullgar, për këtë periudhë nuk kemi kurrfarë lënde arkivore ose burime shkrimore historike në bazë të të cilave do të mund të vërtetojmë strukturën etinke të kësaj kohe”.(138) Me të drejtë. Ndonëse nuk mund të themi se ato nuk janë zbuluar dhe njohur për opinionin e gjerë shkencor.
Dy shekujt e parë të mijëvjeçarit të dytë janë shumë të rëndësishëm, sepse siç dihet shënojnë epokën e kalimit të etnonimitarbër në alban. Një pasqyrë e gjendjes historike të trojeve shqiptare deri tani dihet kryesisht vetëm prej dokumenteve bregdetare, por jo edhe për zonat e brendshme të Arbërisë. Nuk ka dyshim se një dorë e rëndësishme e dëshmive dokumentare dhe të shkruara të kësaj periudhe (fjala është për periudhën e ndarjeve kufitare mes kishës romane-katolike dhe ortodokse) (154), gjenden në arkivat kishtare të të dy kishave, por mbase ajo më e pasura dhe më e plota gjendet në arkivat e kishës ortodokse bizantine në Atos, ku ende nuk ka hyrë këmba e studiuesit shqiptar ose përgjithësisht e albanologut. E gjetur mes kishës greke-bizantine dhe katolike-romane, zona e krishterë shqiptare e trojeve shqiptare, pas rënies nën perandorinë otomane, shpesh bëhet pre e ndikimit të kishës serbe, prej nga edhe kemi pasqyrën e gjendjes jo të plotë dhe aq më pak të drejtë të toponimisë dhe sidomos antroponimisë së etnikumit shqiptar. Në këtë rrjedhë autori fillimisht sjell fillimisht disa shembuj nga fusha e mikrotoponimisë dhe sidomos e antroponimisë dhe patronimisë së shtrembëruar të dokumenteve kishtare serbe, si: Kurikuq-a në vend Gurikuq-i, Brzota në vend të Bardhota etj. Pasqyra e toponimisë dhe patronimisë së sjellë këtu dëshmon për përpjekje të mëdha të kishës serbe për të sllavizuar plotësisht toponiminë dhe antroponiminë shqiptare. Më parë se për sllavizimin e saj, në këtë zonë, toponimet që i kanë bërë ballë presionit të administrates serbe tregojnë për atë pjesë të vogël të mbijetesës kulturore, historike, gjuhësore, materiale dhe shpirtërore që mbase më shumë sesa në shumë zona të Kosovës ka arritur të mbijetojë pikërisht në Gjakovë dhe në rrethinat e saj. Materialet e Defterit të botuara në këtë vëllim tregojnë se një vendbanim që autori nuk ka arritur ta identifikojë plotësisht quhet Bardani (sigurisht fjala është për Bardhanin) quhej edhe Bardonja, se Bardoniqi i sotëm i rrethit të Gjakovës quhej me emrin tjetër sllav Beliq-i, se Bradosani i sotëm i rrethit të Gjakovës në shekullin XVI quhej Lipovac, seBishtazhini quhej Bistrazhin, se Bunoshefci shënohej si Plonoshevc-i, se Hereçi shënohej si Çrno Potok, se emri i Morinësshënohej si Murina, se Morina tjetër shënohej si Vulloviq, se Palabardhi shënohej si Belopavliq, se Shishmani shënohej siShishmanci, se vendbanimi Ujzi shënohej me motivim të ri Radotinc, se Vokshi shënohej si Tërnava etj. Autori një të dhënë me interes sjell për vetë emrin e Gjakovës kur shënon se “në bazë të disa monedhave origjinale që janë gjetur në fshatin Bunincë, në vitin 1928 si dhe disa ekzemplarë në Artanë, ish-Novobërdë, në vitin 1965, me mbishkrimin e fisnikut Jakova (nga Jak+ova prapashtesë sllave që formon mbiemër pronësor që shpreh zotërim), i cili mendohet se ishte qeveritar i Gjakovës me rrethinë kah fundi i shekullit XIV dhe ndoshta emrin e ka marrë sipas këtij fisniku, së pari Jakova e më vonë me përshtatjen e gjuhës sllave në Gjakovë”. (162) Që emri i Gjakovës vjen nga një Jak kjo është thënë edhe më parë dhe do të mund të thuhej edhe më tej në nivel të një logjike e kurtuazie, por kur kjo thuhet duke iu referuar fakteve materiale dhe të shkruara, siç ka bërë studiuesi I. Rexha, merr peshë të veçantë. Një rëndësi të veçantë merr ky studim edhe për faktin se krahas ubifikimit të vendbanimeve të sotme, duke iu referuar të dhënave të defterit osman, autori ka sjellë një regjistër të rëndësishëm të antroponimisë dhe patronimisë së këtyre vendbanimeve, me të cilin ka plotësuar dëshmitë e tij për sllavizimin si të toponimisë, ashtu edhe të antroponimisë shqiptare nga administrata mesjetare sllave. Të dhënat e këtyre defterëve dëshmojnë se antroponimia dhe sidomos toponimia arbërore ishte formuar dhe stabilizuar jo vetëm para shtrirjes së sundimit serb, por edhe para sundimit bullgar, prandaj hipotezat e shkencës serbe se shqiptarët e këtyre trojeve ishin thjesht blegtorë, tregtarë ose xehetarë të kohëpaskohshëm deri në fund të shekullit XVII nuk qëndrojnë. Ato, përkundrazi, dëshmojnë për praninë e tyre të përhershme, me vendbanime etnike absolute, “si bujq të përhershëm, pronarë që i kanë shlyer detyrimet ndaj administratës osmane” (187-188) etj. Për të gjitha këto, studimi i Ilaz Rexhës ka rëndësi jo vetëm për toponiminë e Gjakovës, por edhe për toponiminë dhe antroponiminë e Kosovës e të trojeve shqiptare.
Toponimia e Gjakovës dhe përndjekja e madhe e shqiptarëve gjatë Krizës Lindore
Në kumtesën e tij “Përkime onomastike të regjionit të Prokuples dhe të atij të Gjakovës dhe disa veçori të Gjakovës me rrethinë“, dr. Sabit Uka sjell një material të pasur të përkimeve ndërmjet toponimisë dhe patronimisë së Gjakovës dhe të Prokuples. Të dhënat e tij në këtë fushë nuk dëshmojnë thjesht vetëm për vijimësinë e toponimisë dhe patronimisë si rezultat i lëvizjes së popullatës apo siç jemi mësuar të lexojmë, për shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në Kosovë dhe më gjerë, por për një proces tjetër, të cilin Profesor Çabej e quante homogjenizim të onomastikës shqiptare. Përtej kontekstit historik, në këtë studim dëshmohet për një strukturë gjuhësore dhe sidomos semantike të onomastikës shqiptare, të cilën në dokumentet e ndryshme e kishim gjetur që nga mesjeta e hershme, dhe që dokumentohet ndër kolonitë shqiptare në Greqi e Itali, Bosnje e Kroaci dhe më shumë se askund tjetër në Gjakovë me rrethinë, por më pak kishim të dhëna dhe ndonjë sintezë të tillë për praninë kaq të pasur të kësaj patronimie edhe në zonën tjetër të skajshme të trojeve shqiptare, në Sanxhakun e Nishit.
Kërkime mbi mikrotoponiminë e rrethinës së Gjakovës
Tri kumtesat e fundit trajtojnë kërkimet dhe studimet e onomastikës së dy krahinave etnografike të rrethinës së Gjakovës: toponiminë e Dushkajës nga Skënder R. Hoxha[9], i cili ka disa vjet që me ngulm bën kërkime dhe boton kumtesa lidhur me rezultatet e kërkimeve të tij në këtë zonë; toponiminë e Hasit të Gjakovës nga bashkautorët Hysni Halilaj e Bedri Muhadri dhe në fund një kumtesë polemizuese e Sadri Rexhepit me Milenko Filipoviqin.
Në kumtesën e tij Disa të dhëna rreth toponimisë së Dushkajës, Skënder R. Hoxha, sjell një sintezë kur të zgjeruar e kur të plotësuar të toponimisë së Dushkajës, duke filluar me shtrirjen gjeografike të kësaj krahine (“në pjesën lindore të Dukagjinit qendror”); me praninë e toponimeve ndër defterë mesjetarë dhe harta të moçme (Krisobula e Deçanit e vitit 1330; Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës (1485); Gastaldi, Carta dei paesi Danubjani, 1517 etj.); me gjurmët e administratës turke në këtë toponimi (Arat Çerkeze, Livadhi Begit, Ulica Spahive etj.,); me sferat kryesore nga të cilat sajohet toponimia e Dushkajës (sipas kryefamiljarëve, sipas konfiguracionit të terrenit, sipas llojit ose përbërjes së tokës, sipas kulturës bimore, pozitës gjeografike, formës etj.,); me strukturën fjalëformuese dhe leksikore të saj (njëgjymtyrëshe, me fjalë të parme, të prejardhura e togfjalësh, kompozita) etj.
Po në këtë vëllim, në rubrikën e diskutimeve, S. Hoxha boton artikullin Rreth herrjes dhe emërtimit të disa toponimeve të Krahinës së Dushkajës, me të cilën plotëson kontributin e tij dhënë punës së Komisionit për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës. I motivuar prej punës shumëvjeçare në kërkimin e toponimisë së Krahinës së Dushkajës, i nxitur prej aktivitetit të dendur të Komisionit për standardizim, si dhe prej diskutimeve të shpeshta në shtypin ditor e shkencor, edhe S. Hoxha qe angazhuar në diskutimin publik të shumë ojkonimeve të Kosovës, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në ojkoniminë e Dushkajës. Nëse në studimin e parë autori sjell një artikull mbi strukturën kryesisht gjuhësore të ojkonimeve dhe mikrotoponimeve të Krahinës së Dushkajës, në artikullin tjetër të botuar në rubrikën e diskutimeve do të kujdeset që ojkonimet e kësaj krahine t’i trajtojë nga aspekti etimologjik, duke u ndalur dhe kërkuar etimologjinë e secilit prej tyre veç e veç, për të dhënë më tej edhe propozimet e reja: Bardhaniq-Bardhan; Bec-Bec; Berdesane, (propozimi i ri Kodërthanë); Cermjan (propozimi i ri Dashaj); Dublibare (propozimi i ri Kënetishtë); Gërgoc (propozimi i ri Gurkuq); Janosh (propozimi i riGjinaj); Kodrali; Kralan (propozimi i ri Kështjellë); Llugagji (propozimi i ri Miraj), Maznik; Meqe (propozimi i ri Gradishtë); Netic-i (propozimi i ri Rogë-a); Palabardh; Radoniq (propozimi i ri Radaj); Rakoc (propozimi i ri Rakaj); Rakovinë (propozimi i ri Rakaj); Rashkoci (propozimi i ri Qarret); Ratishë (propozimi i ri Luginë e Epërme); Ratishë e Ulët (propozimi i ri Luginë e Poshtme); Rezinë (propozimi i ri Rrezinë); Sapot-i (propozimi i ri Skërkë); Velikobare (propozimi i ri Ligatinë); Vraniq-i (propozimi i ri Vrahishtë); Vranoc-i; Zhabel-i (propozimi i ri Zabeli Plak; Zhdrellë (propozimi i ri Grykë).
Bashkautorët Hysni Halilaj e Bedri Muhadri në kumtesën Toponomastika e Hasit të Gjakovës kanë sjellë një pasqyrë të toponimisë së zonës së Krahinës së Hasit, i cili nuk është i ndarë vetëm mes administratave të qyteteve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Pasi bëjnë një paraqitje të pamjes historike të kufijve të tij dhe strukturës gjuhësore të onomastikonit të kësaj krahine, autorët sjellin edhe një pasqyrë të fshatrave të kësaj krahine, sado që shpjegimet e tyre janë të natyrës popullore.
Diskutime
Ndonëse në tribunë kishte mjaft diskutime, në rubrikën Diskutime të këtij vëllimi është botuar një pjesë e saj, domethënë janë botuar vetëm diskutimet që autorët e tyre i kanë dërguar në formë të shkruar. Mirëpo brenda saj janë botuar edhe tekste të tjera, të cilat as nuk janë thënë, as nuk janë lexuar në tribunë.
Diskutimeve të kësaj rubrike iu prin Rexhep Doçi, për kumtesat e dr. Shefki Sejdiut, dr. Mehmet Halimit, dr. Edi Shukriut, dr. Abdullah Zymberit dhe dr. Latif Mulakut, ndërsa më tej dr. Ruzhdi Pllana diskuton hidronimin Bistrica dhe toponimin Podgor,sadoqë nuk i referohet ndonjë emri të veçantë. Radhën e diskutimeve e mbyll dr. Abdullah Zymberi, i cili siç duket përgjigjet në diskutimin e dr. Planës.
Gjatë këtyre tre vjetëve janë shkruar shumë studime shkencore dhe po kaq artikuj të rastit, të cilat janë botuar në shtypin shkencor dhe ditor, janë lexuar shumë kumtesa shkencore dhe po kaq fjalë të rastit të cilat një ditë do të botohen në vepra të veçanta dhe të përbashkëta si kjo, por edhe kur të bëhen përmbledhje për toponiminë e komunave të veçanta, si kjo e Gjakovës, edhe kur të botohen përmbledhje për toponiminë e Kosovës si tërësi, zor se do të shënohen rezultate të këtij niveli, që janë shënuar këtu.
Prishtinë, 25 janar 2003
[1] Shih Shefki Sejdiu, Çështje të toponimisë së Kosovës; Rreth disa parimeve emërtuese në toponiminë e Kosovës; Rreth disa problemeve dhe procedimeve emërtuese në ojkoniminë e Kosovës; Rreth disa parimeve emërtese në toponiminë e Kosovës, të përfshira në librin “Sprova etimologjike”, Era, Prishtinë, 2002.
[2] Shih Begzad Baliu, Akti i fundit i punës në standardizimin e toponimisë së Kosovës, “Gazeta e re”, 19 prill 2001, Prishtinë, f. 18; Jo ndryshim i emërvendeve të Kosovës, por standardizim i tyre, “Zëri i Kosovës”, 28 janar 2000, Prishtinë, f. 1, 8-9; në “Gjuha jonë”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, nr. 1-2/2000, f. 71-80; në “Gjuha shqipe”, nr. 1-2/2000, (doli nga shtypi në dhjetor 2001), f. 45-54; Ndihmesë diskutimit për standardizimin e emërvendeve të Kosovës, “Pasqyra”, 5 mars 2000, f. 15-32; Projekt shkencor me karakter historik, “Pasqyra”, 31 mars 2000, f. 16; Standardizimi i onomastikës së Kosovës (Kosov’s onomastics standardization), “Gjurmime albanologjike -seria e shkencave filologjike”, nr. 28-29/1998-1999, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2002, f. 167-178; Pse duhet të standardizohen vendbanimet e Kosovës, -”Shqipëria etnike”, viti III, nr. 15-16, Boton Bashkësia Shqiptare në Zvicër – Gjermani – Itali, Bernë, Zvicër, qershor-korrik 2001, f. 23-28 etj.
[3] Mehmet Halimi, Vështrime gjuhësore, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1993.
[4] Buletini i Fakultetit Filozofik, nr. XXII, Prishtinë, 1994, f. 127-132.
[5] Shih, Exhlale Dobruna -Salihu, Mbi disa toponime të kohës antike në Kosovë, “Onomastika e Kosovës”, Simpozium i mbajtur më 25-27 shkurt 1977 në Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1979, f. 27-46; Toponimet antike të Kosovës, “Rilindja”, Prishtinë, maj 1985; Tipologjia e monumenteve sepulklare të periudhës romake në Kosovë, Gjurmime albanologjike-seria e shkencave historike (më tej: Gjurmime albanologjike – seria e shkencave historike), nr. IV-V, 1974-1975, Instituti Albanologjik i Prishtinës,, Prishtinë, 1977; Plastika dekorative e figurave dhe stelave mbivarrore të periudhës romake në Kosovë, “Gjurmime albanologjike – seria e shkencave historike”, nr. XIV, 1984, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1985; Veprat e artit ilir në plastikën portretore të kohës romake në trevën e Dardanisë,” Gjurmime albanologjike – seria e shkencave historike”, nr. XXIV/1994, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1994 etj.
[6] Topografska karta 1:50.000, Gjakovica 1,2, Peç 4, Prizren 1; Karta 1:100.000 Gjakovica (679), Prizren (680); Topografska karta 1: 25.000 Gjakovica 1-2, 1-3, 1-4, 2-1, 2-2.
[7] Milosh Milojeviq, Deçanske hrisovulje, Glasnik srpskog učenog drushtva, II, Beograd, 1880; Defteri Obllast Brannkoviça, Sarajevo, 1974; R. Ivanoviq, Dećananske vlastelnistvo, Beograd, 1954 etj.
[8] Defteri i regjistrimit të Shkodrës i vitit 1485, Tiranë, 1974; Popullsia shqiptare e Kosovës, gjatë shek. XV-XVI, Tiranë, 1983.