2011-08-05

Një mollë ndahet në mes për dashuri, një pjeshkë po ashtu, por një atdhe për dashuri nuk ndahet në mes, kurrsesi!



 
 
  
DJE PREVA FLOKËT

I dashur,
dje preva flokët,
flokët e mi të gjatë
që aq shumë i doje ti
flokët që të mbulonin
gjoksin mbrëmjeve
tek vija kokën
mbi ty.


I dashur,
dje preva flokët
qe të të harroja ty
I pashë si u këputën,
si ranë,
një fshesë i mblodhi
bashkë me plehrat,
tutje i hodhi...


Sot u zgjova
flokëprerë,
qafë zbuluar,
fytyrë e çuditshme,
në pasqyrë
shpërfytyruar,
aspak e lumtur
aspak e qeshur
vetes ngërdheshur,
pa ty dhe pa flokët
dy herë e zhveshur…


Albana. M. Lifchin
 
Kepucet e Imelda Markos dhe ...te miat.
 
(Kronikat thone që "princeshes" Imeldë  iu gjenden 3000 palë këpucë ..)
 
 
 Dikur në Tirane të vetmeve këpucë 
u merrja shpirtin nga e hena tek e shtuna
Të dielen, të mjerat  prisnin në radhe
tek këpucari t'u qepte gojën, ndërsa une
Hirushja këmbëzbathur nëpër shtëpi
lutesha që në mbremje, në shëtitjen e madhe
ne bulevard, ku djemtë e vajzat binin në dashuri
të kullonte pambarim shi, shi,  shi.
   
   
Shokët nuk janë ata që nxjerrin me vrap çadrat,
kur dredharaket re te hirta, mblidhen në qiell.
 
Nuk janë ata që nuk dallojnë miellin nga krundet,
shokët janë ata që mendimi për ty s'u lëkundet.
 
Shokët jane ata që na njohin, jo ata që na mburrin.
Shokët janë ata që supeve pluhurin na shkundin!
 
 
Prill 24/08
 
Zbulimi i Kolombit
 
Zbulimi i Kolombit
nuk qe gjë fare
para zbulimit që bëmë ne të dy:
si dy anije, në ujrat e njëri tjetrit
ishim endur ndër vjete
kaq larg  dhe kaq pranë të panjohur ende!
 
Kur ti hesht.
   
Kur ti hesht,
diçka ka ndodhur.
Ti hesht, për të mos folur.
Heshtja nuk është gjithnjë
shenjë urtësie,
mornica më jep në trup,
më rrëngjeth  të tërën
 si grackë tradhëtie.

Nënokja

Eh moj e ëmbëla nënokja ime,
ke lidhur duart e rri menduar
vështrimin hedhur përtej dritares,
e di c'mendon, e di se c'bluan

Dëborë e bardhë në grackë të zuri
qëkurse ke ardhur, e më s'tu nda,
c'dëborë rënka këtu, moj bijë
Po këtu tek ju qënka hata!?!

Mbeskat cicërojnë në telefon
Na mori malli o nëna, ku je?
Ti ditët me gishtrinj u numëron
Ja erdhi nëna o shpirt atje.

Ditët e kthimit numëroj edhe unë,
si do më ikësh kaq shpejt kështu?
Kaq pak do rrish o nënë me mua,
pangopur më lë nga "xhanet" e tua

Kokën në prehër më merr si atëherë,
Djal i nënës - ty të ka nëna trime,
për ty jam e qetë, me ty u cmalla,
Në Tiranë më presin Xhulia, Ana..

Janar 2001, Bruklin, NY

 
Luleshqerat në Williamsburg

Uaa!
Se dija që mbrëmë
kisha rënë të flija në një hotel
të rrethuar me luleshqera.
Lulet e fëmijërisë sime.

Të kujtohet?
Mbushnim dikur prehërin me to
I bënim kurorë, i vinim mbi flokë
sa herë që çelte pranvera.
Pastaj guisnim, qeshnim, gëzonim
të çkujdesura kodrës poshtë vraponim
ndërsa fustanet na i merrte era.

Uaa!
Nuk e dija që në Williamsburg (colonial)
do gjeja kaq luleshqera!Lulet e rinisë sime.
Të kujtohet?
U këpusja petalet: më do s'më do, më do s'më do..
tek ngjiteshim nga kodrat pasditeve vonë
Ti qeshje: Pse s'e nis në të kundërt,
Të të dua përgjithmonë?

Çudi!
Nuk e prisja të zgjohesha sot
Në këtë vend të huaj, në Williamsburg
e rrethuar me luleshqera,
Ndjeva si erdhi tek unë, edhe një herë mrekullisht
Pranvera!

 Albana Mëlyshi-Lifschin, pas diplomimit në Universtitetin e Tiranës për gazetari, për shumë vjet ka punuar si gazetare e Televizionit Shqiptar.
Prej vitit 1992 jeton në Nju York ku shquhet për një krijimtari të pasur në publicistikë dhe letërsi.
Veprat:
Kafe Shkodra e Nju Jorkut.
Children of Kosova
Fundjavë në Hillsajd
Udhëtim në Historinë Amerikane
Takim me të papriturën
Ura mbi oqean
Poezi
Yesterday I cut my hair- (poezi)
Në vitin 2000 përgatiti dhe sponsorizoi botimin poetik “Zëra nga larg” me poezi të studentëve shqiptarë nga gjithë bota.
Nga shoqata “ Motrat Qiriazi” është zgjedhur Gruaja e Vitit. Për më shumë shikoni në:
www.geocities.com/annamonti.
 


 
Dhimbje dhe mall

(Emocione nga vizita ime e parë në Kosovë)

Sot bulevardi i rinisë sime tiranase
me rrugët e tua Prishtinë u shkri e u bë një
E tronditur në mes pranverës së dubluar,
shpirti mall e lot mbi faqe për ty derdhtë.
Kuptova se aq gjatë sa unë Prishtinën,
ju o vëllezër Tiranën time ëndërruat!

Një mollë ndahet në mes për dashuri, një pjeshkë po ashtu,
por një atdhe për dashuri nuk ndahet në mes, kurrsesi!
Damarët e gjakut na i prenë vëllëzër, damarët e jetës
në fasha mbështjellë i kemi mbajtur, gjaku të mos na ikë,
të mos na prishet, të fikët të mos na bjerë, në tokë të mos biem,
dhe në gjunjë të mos biem gjithashtu..

S'e ndjeva mungesën tënde në Prishtinë, Tiranë,
çfarë ndjeva ishte dhimbje dhe mall...
Gjinkallat e shtatorit
 
Disa kanë rënë prej peme,
të plasura nga dielli i verës.
Të tjerat ende zhuzhojnë
mendjen duan të na mbushin
Nuk e dine qe vapa iku me gushtin?
   
 
Dikur blemë një medalion,
në formën e një zemre  kuti..
Aty mbyllëm dy shpirtra- flori.
 
Sot ndjeva zemrën të më rëndojë. 
Ti shpirtin tim e kishe shitur,
I yti qe kthyer në plumb të zi.

   
Dje, duke menduar për ty
humba autobuzin
 
Sot duke menduar për ty
humba trenin.
 
Nëse nesër, pasnesër.  
ende do te jem
duke menduar për ty
 
do të humbisja jetën.

 
E mpirë, hutuar e trembur
nga një dashuri sadiste,
që egërsisht përdhe të hedh
e përsëri në krah të mbledh,
që pëshpërit më fal, më fal,
që të puth me lot  e zjarr,
që papritur të bën tjetër njeri.
 
Pse duhet të vrasim më parë,
për të ndjerë më pas dashuri?

Pse të desha ty.

..sepse ti prure tek unë
thesarin e rinisë sime
që unë e kisha kyçur,
E kyçin e kisha fshehur,
harruar e humbur diku..
Si munde ta gjesh ti?

 
Pse erdhe kaq vonë?

Pse erdhe kaq vonë tek unë?
kur gruri u korr
e në fushën e përvëluar
mbeti vetëm kashta?
Pse erdhe kaq vonë tek unë,
Kur edhe dera e fundit
u mbyll
Dhe dimri të la përjashta?

 
E papritura

Ç'qe kjo e papritur
për ne, sonte!
Habitur, shtangur ,
mekur, mbetëm te dy,
bota s'qenka aq e madhe,
sa thonë,
për t'më harruar ti mua,
e humbur unë ty..

Prangat e miqësisë

Miqtë e mi,
në më doni,
mos më vini pranga,
mos më thoni më kë të flas,
kur të hesht e kur të bërtas
Lermëni të jem unë!

Në më doni,
gëzoni miqësine time
ajo është lule që vetiu çel,
njëlloj si zemra urdhëra s' merr
komandant nuk njeh,
kurth për ju nuk bëhet
dhe as për mua çengel !

Miqtë e mi,
mos i vini pranga
miqësisë sime
As tuajën
në pranga, nuk e dua!
 
Trupi dhe shpirti
 
Tani kam filluar ta besoj
këtë teori të vjetër
vetëm se,
me një ndryshim të vogël
Ndërsa shpirti im rri tek ty
Trupi m' endet në një botë tjetër

  
Frymëzimi

Ç'qe ky frymëzim i gjatë
që më dhe..
I gjatë dhe i pafund
sa ballësh vallë
ky tërmet qe,
që zemrën ende
po ma shkund ?

Mjaft!

Mjaft me vargje për dashurinë
më thoni ju,
Ato ta kanë marrë krejt mendimin
Ndal !
I them vehtes edhe unë
dhe shoh..
si bota ndal rrotullimin.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...