2011-08-04

Terrorizmi, prodhim i kujt është?!




  • Autor: Sali Shasivari
    S’do mend se ngjarjet e fundjavës së kaluar në Norvegji ishin tragjike sipas gjitha parametrave. Tronditëse ishin pamjet të cilat mbushën ekranet e ndryshme televizive dhe të cilat pasqyronin përmasat e krimit. E gjithë bota u shtang para inserteve të tilla brutale, duke u solidarizuar me popullin norvegjez si dhe familjet e viktimave. Andaj, edhe unë shfrytëzoj rastin që - në fillim të këtij shkrimi - të shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për gjithë popullin norvegjez, e sidomos për ata që pësuan nga kjo vepër makabre.
    Ngjarja në fjalë, si dhe shumë e shumë krime dhe fatkeqësi tjera të cilat po i ndjekim çdo ditë përmes ekraneve televizive, duhet të na alarmojnë në lidhje me faktin se kjo botë po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një vend të pasigurtë dhe të rrezikshëm për banorët e saj… Shkaqet mund të jenë të shumta, por zgjidhja është një, edhe atë, të gjithë të bashkohemi dhe të përqëndrohemi në luftimin e së keqes, e cila, shpeshherë merret si alibi për të shkaktuar fatkeqësi më të mëdha.
    Për të arritur një gjë të tillë, para së gjithash, nevojitet guxim dhe objektivitet; gjegjësisht sinqeritet. Thënë ndryshe, me qëllim të arritjes së suksesit në çrrënjosjen e krimit dhe terrorit, duhet kuptuar se e keqja nuk është kategori që i takon një grupi njerëzish për dallim nga grupi tjetër, e as cilësi me të cilën karakterizohet një popullatë për dallim nga tjetra. Madje, prirja për të fajësuar dhe demonizuar të tjerët, si dhe injorimi i faktit mbi ekzistimin e elementit të së keqes në vetvete, mund të na kushtojë me jetë!
    Tragjedia e para disa ditëve në Norvegji edhe një herë vërtetoi faktin se pjesa më e madhe e mediave si dhe opinioni i gjerë ende nuk ka arritur të çlirohet nga paragjykimet e padrejta dhe stereotipet çorientuese. Kjo u vërtetua në faktin se ato – pa kurrfarë përgjegjësie - drejtuan gishtin e akuzës dhe fajit kah islami dhe muslimanët që në momentin e përhapjes së lajmit të parë në lidhje me sulmin terrorist. Kështu, shumica e mediave, ende pa kuptuar mirë se çka në të vërtetë ka ndodhur, ato filluan ‘kalkulimet’ dhe ‘prognozat’ e tyre se a thua vallë cili grup islamistësh ekstrem ka mund ta ketë bërë një vepër të tillë kanibale. Bile, jo vetëm kaq, por ato – në mënyrë shumë joprofesionale dhe të papërgjegjshme – përcaktuan edhe motivet të cilat qëndronin pas një akti të këtillë!
    Madje, pas disa çastesh, dhe pas zbulimit të identitetit të kriminelit monstruoz, ato, në vend që të kërkojnë falje për dezinformimin dhe për këtë çorientim dhe lajmërim përçmues, dhe në vend që të bisedojnë në lidhje me motivet anti-humane dhe anti-civilizuese të cilat e shtynë vrasësin që të bëjë një vepër të tillë, ata u bënë pjesë e krimit, duke e vënë veten në rolin e ‘avokatit të djallit’; herë duke e cilësuar kriminelin si ‘njeri të çmendur’, e herë duke e arsyetuar ‘kryqëzatën’ e tij si reaksion ndaj ‘rrezikut të islamit dhe muslimanëve në Evropë’.
    Së këndejmi, më duhet të konstatoj me keqardhje se, rreziku i vërtetë në botën e sotme si dhe njerëzimin në përgjithësi nuk qëndron në veprat kriminale të llojit me të cilin u karakterizuan ngjarjet e fundit në Norvegji, por nga mentaliteti i këtillë i cili mundohet që, për hirë të një fanatizmi apo agjende të caktuar, gjërat t’i pasqyrojë ndryshe nga ajo që janë, duke krijuar kështu hapësirë dhe mundësi që edhe kriminelët e llojit të Brejvikut të arsyetojnë veprat e tyre djallëzore përmes ‘manifesteve’ të ndryshme - siç ishte rasti me ‘Manifestin’ e këtij të fundit - të cilat nuk janë ide të izoluara në kokat e një shtrese të caktuar kriminelësh, por ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prezente në kokat e shumë njerëzve dhe shtresave shoqërore, qoftë në Evropë apo më gjerë.
    Një fjalë shkencore thotë “Njohja e problemit është gjysma e zgjidhjes”. Andaj, përderisa ne, në kohën e sotme, nuk mundohemi që fillimisht të kuptojmë esencën e problemeve të cilat po e tangojnë njerëzimin në përgjithësi, e që mëpastaj të ndalemi dhe të gjejmë zgjidhje adekuate për to, dhe përderisa vazhdojmë që gjërat t’i quajmë ndryshe nga emërtimet e tyre të vërteta, ne do të vazhdojmë të përballemi me fatkeqësi të këtilla të cilat sa vijnë e shtohen.
    Ngjarjet tragjike të llojit që ndodhën në Norvegji mund të trokasin në çdo derë. Së këndejmi, zgjidhja më e mire është që të gjithë të vetëdijësohemi dhe të kuptojmë se terrori dhe krimi nuk është prodhim i një popullate për dallim nga tjetra, e as e një pjestarit të një feje për dallim nga tjetri, por është vepër e shëmtuar e cila e ka përcjellë njerëzimin përgjatë gjithë historisë, dhe e cila është shfaqur sa herë që njerëzimi ka neglizhuar shkaqet të cilat çojnë kah ajo.
    Andaj, le të bashkohemi të gjithë për ta luftuar një dukuri të këtillë dhe për t’i zhdukur shkaqet dhe rrënjët e saj, se përndryshe, të gjithë rrezikojmë të bëhemi viktimë dhe sakrificë e saj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...