Shkruan: Hajdin ABAZI
(Lum Haxhiu)
Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është shprehur në Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe është sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Integriteti territorial është e drejtë e çdo shteti, që domethënë edhe i Kosovës. Prandaj, si çdo shtet tjetër, edhe Republika e Kosovës ka legjitimitet të sigurojë integritetin funksional të shtetit. Asgjë më tepër e asgjë më pak.
Pikërisht ky ishte edhe misioni që Policia e Kosovës e ndërmori natën e datës 26-27 korrik. Pikat doganore 1 dhe 31 të veriut të Republikës së Kosovës dihet se janë të vetmet pika ku thuaja haptazi është bërë kontrabandimi, futja e mallrave në të zezë, drogës etj. Kjo veprimtari, e ndaluar në vendet evropiane, në Kosovë ishte lejuar të ndodhte duke mbyllur sytë mekanizmat ndërkombëtarë që për mision kishin të kundërtën. Dymbëdhjetë vjet kontrabanda zhvillohej para hundëve të forcave ndërkombëtare. Dymbëdhjetë vjet është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe ekonomia e tregut nga kontrabanda në pjesën veriore. Cili vend euroatlantik do të lejonte të ndodhte diçka e ngjashme?
Neglizhenca ndërkombëtare ndaj veriut të Kosovës duket se ka krijuar një keqpërceptim si te ekstremistët serbë të veriut, ashtu edhe në Beograd: thuajse veriu i Kosovës është vend i askujt, ose i kontrabandës dhe i krimit. Në të vërtetë, veriu i Kosovës është pjesë integrale dhe e pandashme e Republikës së Kosovës. E tillë ka qenë që kur janë ngushtuar kufijtë gjeografikë-administrativë të Kosovës, që nga paslufta e Dytë Botërore. Kjo është e ditur dhe e dëshmuar. Kjo është e vërteta dhe nuk ka tjetër të vërtetë.
Beogradi me destruktivitetin e vet është përpjekur që nga lufta e viteve 1998-1999 të bëjë obstruksione nga më të ndryshmet kundër krijimit të shtetit të Kosovës. Politika e Beogradit nuk ka arritur të tregojë nivel kulture as sa Sudani, një vend afrikan. Beogradi "harron" se Serbia e ka përvetësuar një pjesë të territorit legjitim të Kosovës, Preshevën, Bujanocin e Medvegjen. Republika e Kosovës është treguar konstruktive dhe nuk i ka instrumentalizuar shqiptarët e atyre trevave, ndërkohë që Beogradi e ka instrumentalizuar pjesën ekstreme të serbëve të Kosovës.
Ekstremistët serbë, si Milan Ivanoviq, deklaron se Kosova është shtet i shqiptarëve dhe, sipas tij, serbët s'duan të jetojnë në një shtet shqiptarësh. E vërteta është se Republika e Kosovës është shtet multietnik, që domethënë se është shtet i të gjitha komuniteteve etnike, pra edhe I atij serb, pa dallim e pa diskriminim. Kjo është e sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Toleranca destruktive ndaj ekstremistëve serbë është e pakuptimtë duke marrë parasysh mekanizmat ndërkombëtar që angazhohen për ligj, rend dhe stabilitet. Vallë, çfarë do të ndodhte sikur ndonjë grup ekstremistësh shqiptarë nga Presheva, Bujanoci e Medvegja të bllokonte pikën doganore në kufi me Kosovën dhe të mos i lejonin forcat e rendit serb të kontrollonin atë pjesë të doganës? A do të toleroheshin ato nga regjimi i Beogradit? A do të heshtej nga mekanizmat ndërkombëtar?
Qeveria e Republikës së Kosovës është treguar shumë konstruktive në dialogun me Serbinë. Me një qëllim të vetëm: që dialogu të ketë sukses dhe të tregohet mirëkuptim i ndërsjellë. Mirëpo Beogradi e ndërpreu dialogun. Mbase edhe planifikonte që t'i nxiste serbët ekstremë për të zbritur doganat e Kosovës të Ura e Ibrit, në mes të qytetit të Mitrovicës. Rreziqe të këtilla nuk ishin për t'u përjashtuar. Ndaj, Qeveria e Kosovës duhej të përmbushte misionin e përgjegjësisë që ia ngarkon Kushtetuta: të vepronte në sigurimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Cila qeveri e cilit shtet nuk do të vepronte kështu?