2011-08-04

Kur profesioni kthehet në pasion e dashuri

Kam njohur një njeri…

Nga Namik Selmani
 
Kam njohur një njeri dhe …nuk mund ta harroj lehtë  edhe kur kujtoj të tjerë njerëz me mosha e poste të ndryshme që i kam njohur dhe do të njoh në shtigjet e pashkelura të jetës, në stacione që kurrë nuk mbarohen.  Quhet Josif Mio e për rastësi të bukur ka një vitlindje të njëjtë me timen. Është nga Berati. Ka kaluar pragun e 60 viteve e tani.. akoma edhe sot vazhdon që të masë vitet muajt,  ditët, orët me  ritmin e një njeriu që kërkon që asnjë minutë të mos e humbë kot si një rrjedhë uji në tokën e zhuritur në humbëtirën e anonimatit.
Kam njohur një njeri që ..është i verbër. I verbër që e sheh botën  me sytë e shpirtit tërë dritë. Një dritë që kërkon t’ua japë edhe të tjerëve.Diku e njihja si prind. Në korridoret e mbushur me dritë të gjimnazit “Babë Dudë Karbunara” ai vinte përherë  i rregullt në orar e pa asnjë mungesë, hapmatur dhe dashamrës ndaj mësuesve të djalit të tij, por edhe me atë dashuri karakteristike të një qytetari beratas  për të pyetur për Endrin e urtë, tërë respekt, por dhe me mirënjohje të veçantë për mësuesët. Për t’u bërë edhe një bashkëpunues për rrugët e diturisë që e prisnin këtë djalë në jetë. Jo pak këtë mirënjohje e shihje në sytë e këtij babai të mirë që është edhe sot sërish një baba shembullor, një njeri i etur për dituri. Dhe sa herë e takoj atë me atë sfidë që iai i bën jetës thërras me zë të fortë: “O verbëri e të mëdhenjve. “
Sot Usta Josifi është një mik i shkollës së mesme “Kristo Isak” ku përgatiten brezat e kualifikuar të Hoteleri turizmit. Më saktë, është edhe mësuesi i tyre kur ai iu jep tërë ato këshilla të vyera të profesionist të nderuar të kuzhinës. . Në Ditën e Dyerve të Hapura të viti të kaluar shkollor që bëhet për herë të dytë në këtë shkollë ai ishte i ftuari i nderit dhe kishte sjellë edhe disa gjellë karateristke ku të gjithë pjesëmarrësit u mahnitën me shijen me mënyrën e paraqitjes dhe më tej qindra falenderime që i jepeshin e lumturonin shumë, shumë. Atë dhe mua. Që po njihja nje njeri me pasion, një njeri që sfidon edhe tërë ata qaramanë të kohës. Që merren vetëm me thashetheme.
Tërë jetën ka jetuar duke  shërbyer për të tjerët. Pa u ankuar por vetëm duke buzëqeshur e duke uruar. Doemos nuk është  e jashtëzakonshme për derisa bota është ndërtuar që njëri brez të shërbejë për tjetrin deri sa e merr në supe si arkëmort për ta dërguar në një botë tjetër. Një profesion e i ka shërbyer tjetrit. Kështu kemi vepruar edhe ne në një fushë të caktuar të jetës. Dikush qëndron pranë tingujve të një zileje shkollore, para një ugari ku mbillet fara e re e bimës, para një rruge me baltë që qëndiset me gurë nga duart e mjeshtrave, para një oxhakfshirësi që pastron oxhakët e blozëruar nga një dimër i gjatë e i vështirë me gaze sofrash e  të qara fëmijësh të lumtur. Kështu kanë shërbyer edhe të tjerë kuzhinierë, kasapë, pastrues, kamarjerë pasticierë, pjatalarës, pastrues të perimeve, përpunues të verës e rakisë, por ai është ndryshe, shumë ndryshe. Ka shërbyer me atë që është me jetike te ditënetët e një jete njerëzore. Të çdo gjallese që është në tokë, me ushqimin.
Dhe të ushqesh të tjerët nuk do vetëm dashuri, por edhe shkencë, edhe kujdes, edhe kulturë, edhe buzëqeshje edhe fjalën e ngrohtë. Se ushqimi është profesioni më i vjetër i njerëzimit. Para pjatës së  gjellës përulin kokat  tyre fëmijë e ambasadorë, nëna e dokerë anijesh, turistë dhe profesorë, besimtarë edhe udhëtarë të pafund shumëgjuhësh të brigjeve të largëta që ndalin këmbët në hane, hotele luksoze,  shtëpi karakteristike të qyteteve me arkitektura nga më të ndryshmet.. Para kësaj pjate që ka shtruar Usta Josifi (dhe që vazhdon të shtrojë edhe sot me gjithë sfidën që i ka dhënë verbëria) janë ulur dasmorët e gëzuar të të gjithë kohërave,  janë ulur zezonat e mortit, gratë dhe burrat e menduar të udhe të re aq të panjohur kurbeti. Janë ulur edhe mbretërit kur kanë patur para tyre miq të largët duke u mburrur me të papriturat që ua kanë bërë mjeshtat e kuzhinës së tyre. Jan shfaqur në këtë tryezë zakone të tjera, kultura të tjera.
Kam njohur një  njeri që më vonë e pashë edhe në driaret e dritaret e librave që ai ka shkruan e boton e me një ëndërr të bukur për të shkruar sërish, për të botuar sërish. Po, po, të librit. Të një libri që lexohet e me një frymë mbahet nën jastëk apo në sirtarin më të dukshëm të një shtëpie apo kuzhine.. Të një libri që në ballinë mban  emrin e tij. Emrin e një njeriu të verbër. Nuk është i vetmi autor që ka shkruar libra në këtë botë të madhe, në këtë gjendje të ndryshme shëndetësore. Dhe nuk do të jetë i fundit, në pasioni e tij shkronjor, por nuk është i shpeshtë. Është i rrallë kur e mendon se në këtë libër nuk është vetëm përvoja e një Mjeshtri kuzhine të një qyteti që vetëm ai e di si i ka pritur me bujarinë e pjatës së gjellës turistë e kronikanë, peshkopë e ambasadorë, kryeminsytra e presidentë, udhëheqës të ardhur nga të gjithë vendet e botës, kancelarë të fuqishëm dhe vajza që janë bërë shumë më çapkëne kur kanë bredhur kaq gaztori në udhët e Mangalemit të Beratit, të Kalasë, të Goricës apo edhe në lokalet buzë lumit të Osumit si ca engjëllore të reja të kohëve moderne.
 Dhe bashkë me pjatat e gjellës së shijshme ai iu tregonte të gjithë bashkëqytetarëve beratas dhe atyre të huaj një pjesë tjetër të bukur të këtij Qyteti të Bardhë. Iu tregonte amvisave që porsa kishin nisur që të vinin në pëllëmbët e tyre të njoma miellin e bardhë për të bërë byrekun e shijshëm, ëmbëlsirat karakteristike beratase, por edhe nënave duarrrudhuara që një të tërë kishin gatuar për fëmijët  burrat e lodhur që vinin nga puna, për ustallarët e gurit e të drurit, për ndërtusit e kishave e të xhamive që në këtë qytet të bardhë kanë qendruar pranë e pranë si ato pjatat e gjellës që rrinë sup më sup në një tavolinë të madhe banketi.
Kam njohur një njeri që, bashkë me gjellët që iu jepte këtyre njerëzve nuk harron që të bëjë edhe poezi. Poezi për miqtë e tij të panumërt, për Beratin, për verbërinë që e ka mundur prej kohësh, për lulet. Unë dua të besoj se ka  rrallë njerëz mund të mundin pasionin për jetën si ky njeri që e nis mëngjesin në kafenenë e thjeshtë të lagjes “30 vjetori “ në qytetin e tij të lindjes dhe më tej ashtu pak i ngadaltë, pak i kërrusur e me një mik në krah si Enver Troka, Vlash Pambuku, me  Stavvri Bobon, më profesorin Agim Mehqemeja,    shkon në udhë. E presin pragjet e zyrave ku ai mbron të drejtat e të verbërve të qytetit. E presin zyrat e bashkive e të institiucioneve të tjera ku ai paraqet projekte interesante si ai i Festivalit te Likove të Beratit ku ai është edhe ideator, edhe mjeshtër, edhe skenarist, edhe gazetar. Shkon në zyrat e redaksive të gazetave lokale që të qytetit që luajnë para syve dhe duarve të tij e të qytetarëve të këtij qyteti, të etur për kulturë e arkivim vlerash tek hapen e mbyllen me ca emra të vjetër e të rinj. Në dyert e televizioneve lokalë e presin për të bërë kronika. portrete për të e ai atëherë flet më shumë për miqtë e tij se sa për veten. Për fat të mirë të të gjithëve televzionet e Beratit nuk po bien në grackën e lojës kukafshehtas të mbylljes e të hapjes së gazetave po qëndrojnë dhe padyshim që e kanë përherë një dritare të hapur për fjalën e tij të mençur, për përvojën e tij, për atë që ai ende për veten, por edhe për këtë qytet të madh që ka e do të ketë nevojë edhe për mjeshtra të tillë që të nderojë çdo mik të largët që i troket te pragu i bardhë.
Për t’u futur në laboratorin tërë dritë të kulturës së tij na duhet që, të paktën të futemi në mesazhet e dy brezave të familjes së tij. Breza që i kanë dhënë atij dëshirën ër të punuar, por edhe pasionin  për të njohur histori. E të njohësh histori apo edhe ta përcjellësh atë në brezat që të dëgjojmë, në Berat është gjëja më e zakonshme. Ja si thotë vetë ai: “Është dëshira ime e kahershme për të ndjekur me vëmendje historitë që tregonin prindërit e mi për të parët e tyre: gjyshin dhe gjyshen  beratase Petro e Varvara, të cilët nuk arrita t’i njihja, I ndërtoja portretet e tyre mbi rrëfenjat. Im atë, Pali, tregonte plot krenari për të parët e tij, për pasurinë, bujarinë dhe trimërinë e tyre. Gjyshërit e mi nga nëna, Mitro e Sofie Kllapi, ishin nga Mbrezhdani i Përmetit dhe ishin shquar për trimëri e bujari. Gjysh Mitroja kishte njohur kurbetin e më vonë kishte luftuar  në brigadën partizane si luftëtar i lirisë. Dhe Sofia ishte nga dera e dëgjuar e Ndinëve, kishte kryer studimet në Greqi. Ishte grua e fortë, e prerë.”Dhe më mbeten në mendje vargjet e tij plot emocion e mall  për Beratin: “Je i shenjtë, o qyteti im,/s’ka të dytë qytet si ty,/nënëdhjetë kisha, teqe e xhami/të rrethojnë plot dashuri./Ke  Goricën, Urën dhe Kalanë,/Osumi më dysh të ndan,/kurorë kodrinash plot gjelbërim,/ato janë mushkëritë e qytetit tim./Plot pesë yje ty të rrezatojnë,/janë stolitë që në ballë qëndojnë./me Gjirokastrën dorë për dorë/vetë Unesko-ja ju vuri kurorë./
Kam njohur një njeri që më shkruan me kulturë. Më saktë, tani kur sytë e kanë lënë pak në dritën e zakonshme  fjalën e shkrimin e mençur e hedh dikush tjetër në letrën e bardhë. apo në faqen e bardhë të kompjuterit. Shpesh herë shkruan për portretet e kolegëve të tij, për pasticierët, për artistët.  Librat për këtë qytet asnjëherë nuk kanë munguar. Shpesh më janë dukur si gurët e një kështjelle të fortë e të lartë ku janë gdhendur e kaluara dhe e ardhmja. Edhe librat e Josifit kështu më janë dukur kur i shfletoj shpesh për atë mesazh mirësie që ato të japin kurdoherë.
Madje duhet thënë se ai quhet ndër “mësuesit” më të mëdhenj në botë për KODIKËT e tij që i ruajti për mijëra vjet nga tërë ato dallgë njerëzore, luftrash, zjarresh, plaçkitjesh. E Usta Sifi shkruan për duaraartët e kuzhinës beratase që ka mahnitur Shqipërinë e  botën. Sot e dikur. Duke nisur ë nga vëllai i tij Usta Tomi që ka një nga lokalet më karakteristikë “Mangalemi”
Kam njohur një njeri që ma ka lumturuar edhe më shumë ditën e takimet me të i kam pritur me emocionin e asaj që ti nuk e di akoma. E kujtoj ditën e 60-vjetorit të ditëlindjes së tij. Një mjeshtër ëmbëlsirash që nuk ka një të dytë në shumë vite në Berat si Kozma Picinane kishte bërë një tortë shumë të bukur për të . E si “dhurata “ më e bukur ishte edhe promovimi i librit të tij të dytë të kuzhinës beratase dhe i harmonisë fetare beratase në vite e shekuj duke përfshirë këtu edhe çamët  edhe të ardhur e tjerë në këtë vatër kaq mikpritëse. Një urim të veçantë do të bënte për të edhe Pal Shkarpa, kryetar i Shoqatës “Antipatrea”
 Kam njohur një njeri që e dua dhe e respektoj aq shumë. Pse jo edhe e admiroj për forcën shpirtërore që ka brenda qënies së tij. E dua ta uroj për të gjitha të mirat për të cilat edhe vetë ai ka punuar aq shumë në ditënetët e tij të vrullshme. Sikur të njihja edhe më mirë vetveten.  Unë uroj që ta njihni edhe ju që t’ua bëjë edhe më të bukur jetën. Usta Josifi mbetet një model i bukur, një model njerëzor profesional, i një krijuesi pasionant, i një beratasi të mirë. Njoh një njeri, për të cilin nuk kam nevojë që të mbaj të ndezur kandilin diogjenian në kërkim të mirësisë së munguar. Nuk kam nevojë..E kurrë s’do të kem nevojë.
 
Gusht, 2011

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...