Këtë qershor, doli në qarkullim libri më i ri i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu, Lis i vetëm në fushë, vëllim me poezi, mjaft cilësor si nga përmbajtja ashtu edhe nga paraqitja e botimit. Ky është libri i gjashtë i këtij autori, 3 libra poetikë dhe 3 publicistikë.
Në 122 poezitë e këtij vëllimi poetik poeti Rexhep Shahu vazhdon të jetë në shtratin e krijimtarisë së tij poetike : poet i tragjizmit, i revoltës së fortë, i vëzhgimeve të thella.
Për ta përshkruar më mirë poezinë e këtij poeti e gazetari të angazhuar, vlen të lexojmë minibiografinë e tij letrare të botuar në kopertinën e librit Lis i vetem në fushë.
Biografia letrare e Rexhep Shahut :
Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 ne Lume. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.
Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.
Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.
Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.
Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej pesë vitesh edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë.
Rexhep Shahu vazhdon të magjepset pas poezisë. Vargjet e tij të hershme janë tretur shpateve te fëmijërisë si larat e dëborës. Vijat e fatit shpeshherë trazohen në përngjasim me relievin e përthyer të Bardhocit të Kukësit, fshatit të tij të lindjes, njërit prej fshatrave të Lumës, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.
Veç librit “Lis i Vetëm në Fushë”, ky autor ka botuar edhe pesë libra të tjerë, dy vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006.
Redaktori i librit, poeti dhe gazetari Izet Duraku, ka bërë këtë shënim :
“Një mal dhimbjesh të ndritshme, larë në argjendin e hënës, ku nuk shqiten mjegullat, s’reshtin shirat, e, rrallë, tepër rrallë, mbase në një skaj ëndrre, shfaqet dielli. Përse iu dashka kjo natë e natuar botës? A thua do të mbërrijmë në bregun e lakmuar ku së paku me veten të jemi vetvetja?
“Lis i Vetëm në Fushë” i Rexhep Shahut ndryn burime të kthjellta poetike, por rrjedhat e pakta, përmes botimesh të pakta, herë pas here bëjnë të mos e ndjesh mrekullinë e shijes që në hurbën e parë. Të thëna nën zë, mbase për të mos e provuar kurrë syrin e vrazhdë të dritës, në të ndihet si një pelin e pezm i tepruar. Pamjet apokaliptike, kundruar me një qetësi të admirueshme, mund të shihen vetëm përmes poezisë”.
Për poezinë e Rexhep Shahu, poeti, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur Sadik Bejko është shprehur:
“Njeriu i dyzuar që vuan, që shpreh pikërisht hendekun midis vetes e vetvetes, që e bën njeriun – veten e tij, një tjetër dhe pastaj si në një operacion fillon dhe e copëzon më tej atë. Ka gjë më të dhimbshme, tragjike? Ato që duan të pikëllohen, tu them unë, lexoni Rexhepin? Ndoshta të tjerët pëlqejnë gjëra të tjera, më të bukura, tek ai, fjalën e mirë, të saktë, harmoninë e vargut, të figurës…
Por nëse vetmia është përsonale dhe tëhuajëzimi mbetet i huaj në një shoqëri të caktuar, ndonjëherë merr edhe përmasa kombëtare. Rexhep Shahu do të hedhë ura midis kufijve, ura midis vetmive, ura midis njerzve…”.
Nuk mungojnë edhe vlerësimet e poetit të njohur shqiptar Aqif Hysa që është në emigrim. Ai shprehet për librin e Rexhep Shahut si më poshtë :
Dashuria lind në një vend e në një moment e humbet në pafundësi… Por poezia jo. Ajo lind në një vend e në nje moment e jo vetëm që nuk vdes, por s’le të vdesin as vendin e as momentin që i nxori në dritë. Se vendi dhe momenti, por dhe poeti bashkë me ta, janë fiksuar në celuloidin e fjalës; tinguj e ngjyra, feshfëritje e pëshpëritje e mahitje e mahnitje, të filtruara nëpërmjet vetvetës. Kjo është përshtypja ime nga leximi i poezisë së Rexhep Shahut. Ka shumë rrugë e levizje në poezinë e tij, ka shumë ecje . Ecje me këmbë mbi të gjitha. Aq sa shpeshherë të ngjet se ecën këmbëzbathur, si për ta prekur më mirë tokën, si për ta prekur më mirë erën, si për të treguar se ecja e poetit drejt mbërritjes është kaq e përjetuar dhe e vertetë, aq sa ç’janë të vërteta dhe rrugët që ai ka përshkuar, përshkon e do të përshkojë… Gjithnjë drejtë majës së parabolës së tij poetike.
Mbresëlënëse është vlerësimi i poetit të mirënjohur të letrave shqipe Xhevahir Spahiu, për Rexhep Shahun dhe poezinë e tij:
“Rexhep Shahu është një poet i vertetë. Ka një ndjeshmëri, ku tragjizmi vetiak bashkohet me tragjizmin e përgjithshëm të shqiptarëve. Ai beson se njeriu mund ta jetojë jetën dhe lirinë e tij duke u mirëkuptuar me njerzit, malet dhe universin. Ai jeton nën hijen e Pikëllimës. Fati i këtij mali është edhe fati i tij. Të dy bashkë hedhin sytë në largësi për të gjetur një shteg drite”.
Ndërsa më gjërë për këtë poet dhe poezinë e tij është shprehur shkrimtari i njohur Faruk Myrtaj i cili e gjen të veçantë në shumë aspekte poezinë e Rexhep Shahut:
“Në të gjitha kohët, fati i autorit dhe fati i poezisë së tij, janë gjëra të ndryshme në jetë. Migjeni, ndër të fundit (!), e ka shpallur mrekullueshëm, madje ca vulgarisht : Sokrat i vuajtun, a derr i kënaqun…?! Është tjetër se në këtë truallin tonë, që jemi marrë vesh ta quajmë edhe për ca kohë, së paku, Shqipëri, na është bërë e mundur të vuajmë si Sokratër e të shtiremi si derra.
Rexhep Shahu, kuptuar sipas poezisë së botuar prej tij, duket se mbase nuk e lexon pjesën “moderne” të poezisë së sotme shqipe, së paku nuk joshet e as mashtrohet prej lulkave pa aromë të vërtetë të saj.
Ai e vendos veten aty ku është : qoftë edhe i kërcënuar.
Të jesh, është e domosdoshme të shpallesh siç je. Si njeri është mbase më vështirë se si krijues. Si krijues, si poet, është mallkim i detyruar. Mund të shtiresh gjatë si i ri, si gjoja i dashuruar, si gjoja i lumtur, si gjoja qytetar duartrokitës, si mëmëdhetar i paatdhe… Por si poet nuk mund të mbyllësh sytë…
Autori e ka fituar betejën me të shkuarën e shkuar. Malet e Hënës dihet që janë. Janë, kanë qenë prej kohësh. U desh dikush të shkonte, t’i prekte, t’i shfaqte për të tjerët…!”.