2011-08-03

Shkrimtar i epikës monumentale


Sulejman Krasniqi edhe pse i ikur qysh herët në Shqipëri, vazhdoi të bënte jetën e vet edhe në Kosovë, në kujtimet e atyre që e kanë njohur në ndonjë mënyrë, po edhe të atyre që kishin dëgjuar për të, për aktin e tij kundër pushtetit serb dhe për arratisje të tij
image
  Sali BYTYÇI
Postuar më, 1 gusht 2011 - Sulejman Krasniqi ka lindur në Hoçë të Vogël, më 7 dhjetor 1937. Hoça e Vogël, siç shkruan në kujtimet e tij shkrimtari tashmë i ndjerë, është e vendosur në luginën plot gjelbërim, midis shpatinave që lartohen ëmbël-ëmbël dhe kundërmojnë nga aroma e mushtit të rrushit.

Që në ditët e para të lindjes, nëna i vdes dhe ai fillon jetën duke u ushqyer nga gjiri i një gruaje tjetër. Ndoshta që këtu, që në këto ditë kur detyrohet të mbajë jetën duke thithur gjirin e një gruaje tjetër, dhe jo të nënës së tij, që i kishte vdekur, shkrimtarit të ardhshëm në ndërdije i shfaqet ideja atdhetare, sepse për t'u zhvilluar normalisht një qenie, në këtë rast njeri, por edhe një popull, duhet të ushqehet nga gjiri i nënës së vet. Ai me të hapur sytë, i mbetur jetim, e sheh se, edhe si popull, shqiptarët e Kosovës, ndonëse nëna e tyre nuk kishte vdekur, ishin të detyruar të thithnin në gjirin e huaj...

Shkollën fillore dhe të mesme Sulejmani i ka kryer në vendlindje. Ai kishte nisur të shkruante e të botonte që në klasën e 4 në gazetën "Pioneri" në Prishtinë. Në gjimnazin e Prizrenit botoi përrallën "Pallati prej Dukati" me 1500 vargje.

I brumosur me frymë atdhetare dhe me një karakter të fortë, Sulejman Krasniqi shumë herët do të përballej me pushtetin okupues dhe me dënimet. Që kur ishte në shkollën e mesme vuan burgun për plot 14 muaj. Akuza ishte e rëndë: për ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Burgimin e ka mbajtur në Rahovec, Prizren dhe në Kallugjersko Bare.

Ishte data 3 qershor 1958, kur Sulejman Krasniqi ndodhej në atdheun e shumë-ëndërruar, në Shqipërinë nënë. Por ende nuk e dinte se çfarë e priste atje. Aty ai u takua me Shqipërinë e vërtetë, me realitetin që zotëronte atje, por shumë shpejt u inkuadrua në jetën e vendit, ku me sukses arriti të shkollohej dhe të botojë librat e tij, njërin pas tjetrit. (...)

Në jetën e tij letrare ka shkruar mbi 20 vepra historike e shumë artikuj e shkrime gazetareske. (...)

Fakt për aktakuzë edhe romani "Mic Sokoli"
I rritur në kujtimet për njërin nga mësuesit e parë të fshatit tim dhe të vëllezërve të mi, si njeri që e ka dashur letërsinë, nuk mund të qëndroja indiferent ndaj veprës së tij. Kështu, që në vitin 1980, më ra në dorë romani i tij "Mic Sokoli", të cilin e lexova me një frymë dhe i cili atëbotë më la përshtypje të jashtëzakonshme për gjerësinë e trajtimit të temës së qëndresës së popullit shqiptar në dekadat e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për pikturimin epik të heronjve historikë e imagjinarë, si dhe për gjuhën e gjallë që përdorte shkrimtari në të. Gjatë kohës që e lexoja këtë roman, nuk mund të mos e ndija veten krenar për veprën e një bashkëvendësi, për kontributin e tij që i kishte dhënë letërsisë dhe artit shqiptar në përmasa kombëtare. Kjo krenari bëhej edhe më e madhe nga fakti se vepra që po e lexoja, ishte vepra e një njeriu që kishte frymuar në shtëpitë tona, kishte jetuar në mesin tonë. Këtu duhet cekur, se në vitin 1983, kur u dënova, si fakt shtesë në aktakuzë kisha edhe romanin e tij "Mic Sokoli".
Në fshatin tim, pra në Dejn, e kishte filluar karrierën e tij si mësues, në fillim të viteve '50, ndoshta edhe më herët. Aty kishte ardhur shumë i ri, nxënësit e tij ishin pothuaj edhe moshatarë të tij. Aty kishte lënë kujtimet e tij tek bashkëkohësit, por sidomos tek nxënësit e tij, të cilët vazhdonin ta kujtonin me mall. 

Kur dilte në Televizionin Shqiptar për të dhënë ndonjë intervistë apo në ndonjë ngjarje kulturore, ish-nxënësit e tij jo pa një gëzim që po e shihnin, por edhe nga malli i tij, të klithnin: Ja, mësuesi ynë, ja ai që na i ka mësuar shkronjat e para.

Në prozën e Sulejman Krasniqit e gjen pothuaj krejt Kosovën dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë. Në romanin e tij epope "Mic Sokoli" për herë të parë përmenden emrat e lokaliteteve të rrethit tonë pothuaj një për një, emra të cilët nuk do të hasen në prozën "moderne" që është krijuar në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.

Sulejman Krasniqi, në veprën e tij në prozë, iu ngriti monument disa prej personaliteteve më të ndritshme të kombit shqiptar, si Mic Sokoli, Oso Kuka, Bajram Curri, Shotë Galica e shumë të tjerë, duke e bërë më të plotë kështu gjeografinë kombëtare me personazhet historik të kohës më të re. Atë që ai nuk e arriti në realitet - pra të luftonte për çlirim dhe bashkim kombëtar, e bëri me veprën e tij letrare, të cilën ua kushtoi figurave më të ndritshme kombëtare.

Në mëngjesin e 16 korrikut në banesën e tij në Tiranë u nda nga jeta shkrimtari i madh shqiptar, Sulejman Krasniqi.

Lënia në harresë e kësaj figure madhore në Prishtinë, të cilin bardi i poezisë së sotme shqipe, Dritëro Agolli, e ka quajtur "Balzaku ynë", lë të kuptohet se edhe sot në kryeqytetin tonë, politikat kulturore vazhdojnë t'i bëjnë njerëzit që ishin të lidhur shpirtërisht me ish-Jugosllavinë dhe të cilët një jetë të tërë i kanë ndjekur dhe ekskomunikuar njerëzit që kanë punuar në vijën kombëtare. Megjithatë, duhet të cekim se aty ku ka ngelur ndonjë intelektual me ndërgjegje kombëtare, vepra e Sulejmanit vazhdon të mbetet pjesë e plan-programeve, siç është vepra e tij pjesë e plan-programit të letërsisë së sotme shqipe.

(Pjesë nga fjala e mbajtur në tubimin përkujtimor mbajtur në Rahovec kushtuar personalitetit të letrave shqipe Sulejman Krasniqit)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...