2011-08-05

KROKAMAT


........“Dëgjo këtu, plak matuf, dëgjo mirë! Ti ke kodin në kokë. Ti di kodin. Ti di… Po ne dimë…” – dëgjohej ky zë në një dhomë, ku ai që fliste ishte me kurriz nga dera dhe me sytë nga dritarja e vogël.
Unë jam Stefi, punoj për shtetin. Kam vite që merrem me këtë punë. Njoh pleq, të rrinj, të reja, nipër e mbesa. Njoh e s’më njohin. I njeh puna ime në fakt. Puna ime është si era. Era fryn. Era është e lehtë e butë, por era është e fuqishme, shumë e fuqishme, e rreptë. Era e rreptë rrokullis shkrepa e s’gudulis. Era e fortë s’bën shaka. Ajo në fakt ka emër tjetër në këtë rast. Dhe unë ngjaj me të. Në fakt unë preferoj të parën, deri sa dhëmbët s’më kërcasin. Dhe ti o plak kur të shohësh dhëmbët të më kërcasin, atëherë ka marrë fund kodi yt, nuk hyn në punë më ndihma jote”- përfundoi Stefi duke ia ngulur sytë plakut.
Plaku lëvizi ngadalë. Pastaj vuri dorën mbi një dalje hekuri, fshiu buzët. Kaloi dorën tek hunda dhe pastaj tek flokët.
“Unë e kam thënë atë që di. Unë e kam thënë. Atë di. Atë tregova. Kaq di…”- tha plaku.
“Lehtë, lehtë! Butë, butë. Thiri edhe njëherë mendjes! Qetësohu! Thiri asaj delikates!”- foli Stefi, duke kthyer kokën nga një makineri që bluante e bluante papushim dërrasa të thata diku nga fundi i asaj errësire.
-“Unë…”- tentoi të fliste plaku, ashtu gjysëmserbez e me një drithmë nëpër buzë.
-“Mos fillo më me unë, mos më, por me numra, shifra, gërma, fjalë”- ia preu fjalën Stefi dhe vazhdoi më tej. “Më thuaj kodin! Kodin!?”
Stefi dridhej e dridhej si thupër. Fytyra i ndryshoi në çast dhe i mori një çehre si të një tulle të pjekur shumë. Bëhej më i egër e më i egër në çdo detaj, në çdo lëvizje e në çdo pjesë trupore shfaqej ky egërsim. Iu afrua aq shumë plakut sa u duk sikur ia kafshoi hundën.
Plaku mbante veten, por jo qetë. I përhumbur. I shushatur. Pastaj kafshoi buzën dhe solli nëpër mend atë ditë, atë çast. Atë moment, sebepi i të cilit e mbante aty. Kurrë se
kishte menduar këtë mesele të ishte e tillë, por ja që ajo ishte e tillë për fatin e tij.
Ndoshta s’duhej të kujtonte më, por ja që…

***
…Aroni ishte më i moshuari i vendit të tij të vogël, njeriu që kishte hyrë në librin “Guinness’. I kishte kapërcyer prej kohësh të njëqindat dhe ende mbahej i fortë. Ai ishte nga derë e pasur. Kishte toka, prona, kishte pasuri të trashëguar. S’kishte fëmijë, edhe pse kishte qenë dy herë i martuar. Kishte një shërbëtor. Sherbëtori ishte nga vendi fqinj. E kishte rritur sherbëtorin si djalin e vet. Atë e kishte gati çdo gjë. Unë isha miku i tij, miku i vetëm.
Atë ditë më dërgoi Goron, shërbëtorin e tij të më thërriste. Ika me vrap. E gjeta ulur në salon.
“Ulu!”- më tha.
U ula. Prisja të më fliste. Nuk foli. U ngrit. Kaloi nga salloni në dhomën e parë majtas. Unë gati kisha qepur shikimin pas tij. Pas pak erdhi. Mbante një rrobë në dorë. Ishte një triko e thurrur leshi. Dukej e vjetër, e bërë ndoshta vite e vite më parë. Nga brenda trikos nxori një lëkurë qingji të vogël të palosur. E vuri në tavolinë. Pastaj mori pak miell. E spërkati. E fërkoi mirë miellin mbi të. Aty u shfaqën ca viza, ca zhgaravina të lëna jo fort me kujdes mbi lëkurë.
“Na, mbaje. Mbaje!”- më tha. “Është për ty. Është për këtë vend. Këtu fshihet fati ynë. Këtu është fati i këtyre gurëve, kësaj fushe, këtu. Dhe u mbush me lot. Trepika loti, dy nga e majta dhe një nga e djathta rrëshqitën prirazi me hundën, derisa ndaluan aty ku mjekra formon një grykënajë të vogël me buzët. Pastaj heshti. Mbeti gati gjysëm i ngrirë mbi tryezë. Unë shtanga. S’dija si të veproja. Thirra Goron. Ai në fakt kishte qenë në krahun tim të djathtë.
“Ai iku. U nda nga ne!” – i thashë Goros.
“Ah, - tha Goro, ai kishte ditë që s’ndihej i qetë. Kishte ditë që kishte ikur.
Diçka serioze e mbante midis nesh, ashtu pa bukë e pa ujë.”
Pastaj e mora lëkurën e palosa mirë e mirë dhe nisa t’i bëj adetet trupit të pajetë të Aronit, mikut tim të paharruar, ndërsa trikon e leshit s’e luajta nga vendi. Nuk pashë as s’e ç’kishte tjetër në të brenda.
“Pra, Goro? Kush është ky Goro? Fol, fol!” – ulëriu Stefi aty mbi kokën e tij, ndërsa fytyra e Stefit herë i dukej afër e herë larg e shumë larg syve të tij të turbulluar, që shihnin vetëm imazhe në atë çast.
Fshiu sytë. “Kush Goro?”- pyeti Stefin, gati si i harruar dhe i papërmbajtur.
“Goro, që thatë më parë, ai që pëmendët vetë”- ia ktheu Stefi.
“Pse fola unë…fola?!”- tha duke u dridhur, sikur të ishte mes ngricave.
“Ti në fakt nuk fole. Folën metodat e mia. E sheh tani atë mrekulli. Ai brumbull i çuditshëm metalik ka zbërthyer dhjetra e dhjetra syresh, edhe më kokëfortë se ty.
“Goro? Goro është në një bunker. Goro është disa mijë kilometra larg që këtu. Ai iku me gjithë trikon e leshit. Iku të shpëtonte e të jetonte i lirë. Por, ata e trajtuan ndryshe. Ata e mbyllën në atë bunker për gjithë jetën e tij. Ai ndodhet mes malesh. Ndodhet aty ku edhe dielli hyn me zor. Ndodhet aty ku veç gjak kullon përditë. Aty as zogu nuk fluturon dot. Aty hyn i gjallë dhe del i vdekur…Aty…”- iu ndërpre fjala.
“Aty, aty?!”- turfulloi Stefi dhe u kthye prapë me shikimin nga ajo dritare që
dukej sikur qëndronte mbi shinën e tyre.

***


Në ekranin e madh blu, para Antonit u shfaq Marku.
“Dhuratë e bukur, Anton!?- foli Marku duke kërcitur dhëmbët, dhe vazhdoi
prapë.
“Por, prapë ti je i humbur, ti. Kot mundohesh të shpërndash inatin. A e di që ai plaku s’vlen më? A e di s’e ai nuk kushton asnjë grosh. Diçka tjetër vlen më shumë. Është diçka tjetër, Anton?! As laboratori nuk të vjen në ndihmë të planit tënd. Unë kam tashti një dhuratë për ty. Ja shikoje. Marku u shfaq menjëherë në zyrën e Presidentit të atij vendi. Zyra plot me njërëz të kollarisur. Të gjithë të ulur. Vetëm Marku rrinte në këmbë, duke mbajtur në dorë atë tip kompjuteri të vogël në dorë.
Antoni u shtriq dhe nisi të flasë nxitimthi.
“Unë e dija edhe atë punë. E dija. Po në fakt thesi me kockat mund të të bëjë më komod në atë zyrë. Shiko ti dhe shiko mirë këtu. E sheh këtë vend? Këtu ka dy thasë. Të ngjashëm. Me kocka të njëjta, të një madhësie, të një ngjyre. Janë prodhuar mjeshtërisht në laboratorin tim. A e di Presidenti se cilin thes ke ti? A e di Presidenti se cilin thes ke marrë ti? A e ka parë Presidenti këtë film të shkurtër? Ja shikojeni të dy dhe dëfreni pastaj në atë dasëm torrollakësh.”- shfryu Antoni dhe shtypi butonin e
tij karakteristik, që nxorri në ekran imazhet e dy mushamaveshurve të vënë në gjumë prej njërëzve të Antonit. Pastaj imazhet e filmuara paraqitën skenën kur arkeologët gërrisnin dhe njërëzit e Antonit duke ndërruar thasët.
“Tani puthu me Presidentin tënd dhe timin bashkë. Ju s’dini të luani. Unë luaj më mirë jashtë atyre zyrave, që ju kanë dhjamosur edhe trutë.”- foli Antoni dhe mbylli ekranin.

***
Presidenti dha alarmin. Marku nxiu i tëri. Ora po afronte. Po afronte më shumë e më shumë. Akrepat kishin marë vrapin e çmendur. Ishte ora kur Komisioni i ndërtuar nga anëtarë të shteteve të fuqishme do të shihte faktet. Ishte ora që do të vinte në vend fatin dhe ofshamën e një shpirti që ende ndodhej në një udhëkryq, në atë udhëkryq ku ndodhej edhe mëmëdheu që donte dhe për të cilin luftoi ai shpirt kur ndodhej në atë trup burri të bëshëm e të fortë.
“Fundja shpirtrat janë shpirtra. Dhe amanetet janë amanete, por ato nuk i tret as dheu ndër ato anë.”- kështu u duk se dikush psherëtiu në atë rrëmujë, por s’u pa mirë.

***
Punët ishin trazuar edhe planet kishin marrë drejtim të padëshiruar. Ç’do gjë e komplikuar. Tani dukej si një kod tjetër më vete e gjitha kjo mesele që fshihej në një thes, nën një triko leshi, në një lëkurë qingji dhe më së shumti në një lojë plot rrëmujë zyrash, në një çoroditje mendjesh, në një skenë me dy fate, që në fakt vetëm se luanin me fatin e atij Kombi, atij trualli të larë më gjak moçëm e moçëm. Makina e shtetit ishte në lëvizje. U dha urdhëri i prerë.
“Asgjë të mos kurrsehet!”
“Asgjë! Para, flori, ç’do gjë në shërbim të këtij trualli, zemrës sonë”- fliste e fliste ai
njeri dhe fjalët dilnin nga një fyt që dukej se i transformonte të gjitha fjalët në rrokje
me karakter ushtarak. Fjalët dilnin egër në fakt…

***
Në fakt dielli kishte kohë që kish perënduar, kur më i vjetri i mushamaveshurve hapi derën e pasme të Kampusit qëndror në godinën e vjetër të Universitetit të atij vendi.
“Si e bëre?”- pyeti më i riu.
“Hajde pas meje”- ia ktheu ai.
Ecën njëri pas tjetrit. Hijet e tyre qafonin herë portrete fizikantësh e herë panorama të varura nëpër mure në ato koridore të gjata e që dukeshin si pakrye. Diku u ndalën. Aty vetëm një orë tiklonte. Dhe vetëm kaq. Pastaj ra qetësi. Nuk dëgjoheshin më hapa. Më i vjetri kishte dremitur. E kishte kapluar lodhja. Më i riu rrinte gati si i përhumbur në atë sallë të gjërë e të gjatë. Ai vetëm shikonte stendat dhe portretet e varuara nëpër mure. Pastaj edhe ai u ul dhe pushoi një cast.

***
“Male që fluturonin mbi kokën time. Një yll që dukej se herë ngjitej e herë këputej në hapësirën e nakatosur gri në të zezë. Pastaj m’u shfaq dielli si një fytyrënjeriu dhe më buzëqeshte. Papandehur ca korba fluturuan dhe diç përsëritën atë krokamën e atij përroi ku gjetëm eshtrat. Ata më zgjuan.”- tha më i moshuari, dhe vazhdoi.
“Çuditshëm,- thashë me vete, edhe ëndërrat të shpien atje ku s’ka lidhje, por ama të zgjojnë në kohë.”
Pastaj ktheu kokën nga ora që tiklonte në mur.
“Janë minutat e fundit!”- tha.
“Unë s’dua të vdes, s’dua që…”-foli i tmerruar më i riu.
Më i vjetri iu afrua më afër. I kapi dhe i shtrëngoi dorën e djathtë, pastaj buzëqeshi
dhe foli:
“Edhe unë s’dua..”
“Unë isha i ri. Vetëm shkollën kisha ëndërr. Mendoja ndryshe nga ata. Por ata më kishin inat. Më ndiqnin. Një ditë dikush më ndali në rrugë, kur po kthehesha nga leksioni i fundit i arkeologjisë. Unë gati sa nuk mora fund. Kaq e pati jeta ime thashë.
“Pas meje”- më tha ai. “Ec pas meje”. Dhe vetëm kaq. Nuk më tha se kush ishte. Unë
e ndoqa. Hymë në një shpellë në të dalë të qytetit, aty ndanë ullishtes. Gërmoi nën tokë dhe nxorri një pështjellë. Na më tha. Merre! Merre këtë. Ti mund t’a kuptosh. Ti mund t’a lexosh atë. Unë kujtova se ishte kurth. Kurth si ato që i kishin thurur qindra të tjerëve që mendonin ndryshe. Por në fakt pastaj mora vesh se ishte ndryshe. Ishte një emër. Goro, ishte emri që shkruhej aty, dhe pas atij emri një histori e çuditshme. Ai e kishte lënë këtë tek ai njeri para se ta dënonin në sallën e gjyqit të inskenuar. Aty ishte ajo që unë pastaj kërkova dhe zbulova. Ishte ajo që unë fiksova në atë gazetë lokale me pseudonimin që zbërthen të vërtetën e kësaj historie të çuditshme. Por pse pikërisht ai njeri? Pse ai njeri më ndali mua? Kjo më ka munduar. Në lojën e kockave hyra se mos zbuloja pikërisht këtë lidhje.”- foli dhe ia lëshoi dorën që ia mbante shtrënguar.
U ngrit. Iu afrua orës. E rrotulloi kapakun e madh të saj. Aty ishte një celular. E montoi. Formoi një numër. Pastaj foli:
“Alo! Jam unë autori i atij shkrimi. Unë jam Arseni. Flas nga Universiteti juaj. Ja kodi…”
Më i riu gati kishte ngrirë dhe s’u besonte syve.

***
Në vendin e vogël kishin filluar fishekzjarrët. Komisioni kishte rrëzuar pretendimin e shtetit tjetër. Tre ekrane të mëdhenj në të tre sheshet e qyteteve kryesore të atij vendi, herë jepnin mesazhin e qartë historik të fatit të atij vendi, herë fytyrën e përlotur të Arsenit.

FATMIR TERZIU

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...