2011-08-05

PENDIMI DHE RRËFIMI I FUNDIT…


Fritz Radovani
Fritz Radovani

Nga Fritz RADOVANI:



         
          Një artikull i shkruem nga një mik i imi zotni Mergim Korça, u ba shtysë me shkrue për “Pendimin dhe Rrëfimin e Fundit” të të ndjerit Zef Mala, kryetar’ i grupit komunist të qytetit të Shkodres në vitet 1935 – 36…kur emnin “komunist” e njihte dhe e kishte provue jo vetem populli rus po edhe meksikanët e spanjolët.
Zefin nuk e kam njohë fare as si emen para vitit 1958, kur për herë të parë për té më ka folë i Ndjeri Pjeter Gjini, i cili kishte kalue vite me Zefin në burgun e mnershem të Burrelit. Kam dijtë vetem se ka drejtue grupin e parë komunist në Shqipni, gja që nuk më ka shtye ma fare me u interesue për atë. Historia e PKSh që mësuem ndër shkolla e rreshtonte me të tjerët që “u dënuan” nga “partia” së cilës i vuni thëmelet... si të gjithë “tradhëtarët” e saj! Ajo që na ka shue dhe interesin me ditë për ata njerëz ishte edhe fallsifikimi e shtremnimi i fakteve të asaj periudhe historike deri tek bashkpuntorët e tyne që shkarravitën historinë e PKSh.
            Në ditët e para posa e çuen në Burrel ishte në një dhomë me Pjetrin. Një ditë ai e kishte pyet Pjetrin që kur ishte në hetuesinë e Tiranës, a kujtonte ndonjë mbramje se asht kenë ngjitë me birucen ku ishte Zefi? Pjetri nuk kujtonte asnjëherë një gja të tillë. Zefi nuk i beson Pjetrit, po i thotë: “Kujtoju Pjeter, mos je qeshë ndonjë natë me mue!” – Jo, i thotë Pjetri, mbasi po t’ ishe qeshë me ty, do të më kujtohej, sepse gjithë kohen që ishe ndër ato biruca nuk më ka ra ndër mend me u qeshë as me vete, jo ma me të tjerë... Zefi ban buzen në gaz dhe i tregon: “Një natë kah e vona më trokiti në mur të birucës një njeri dhe mbasi ju përgjegja me trokitje, më pyeti, kush je ti? Unë i tregova se jam Zef Mala. Ai më pyeti prap, kush the se je? Unë i përgjegja Zef Mala. Ai më tha, Zef Mala i grupit të Shkodres? – Po, i thashë, ai vetë...Ai më tha: ‘Zef i ke ba hysmetin ndija lezetin!... Kur më çuen në burgun e Tiranës, kam pyet disa vetë, po asnjeni nuk më tha se ishte aty në atë birucë, e më të thanë të drejten kam mendue se mos ishe ti...Boll vazhdova me i ra murit po punë e në dyrnja se mu përgjegj ma...” Për kohen që kishte kalue Pjetri me té në Burrel fliste fjalët ma të mira në lidhje me qendrimin ndaj shokëve të dënuem aty...
            Ma vonë një mik i imi kur po fliste për natyren kriminale të Enver Hoxhës, aty nga vitet 1975, më pat tregue sesi një ditë Zef Mala kur ishte lirue nga burgu dhe banonte në Tiranë, i paska thanë e shoqja që me shkue me marrë buken se ma vonë nuk kishte me gjetë bukë të ngrohtë...Zefi kishte pritue me shkue, po e shoqja kishte ngulë kambë se po na len pa bukë të freskët... Zefi asht nisë dhe ka shkue. Kur asht kthye në shtëpi, tue pritë pak minuta mbas dere...ka dalë e shoqja dhe i ka hapë deren. Zefi posa ka hy mbrendë i ka thanë: “Na merre, se i pashë sherrin kësaj bukë sot. Tashti kaloi një veturë luksoze dhe mbrendë mu duk se ishte kenë Enver Hoxha, kur më pau tek dera zgjati koken me më pa ma mirë, dhe mu duk sikur më veshtroi dhe më njohti...”. Atë natë, dy oficera sigurimi i kanë shkue në shtëpi të Zefit, e kanë marrë dhe e kanë interrnue...
            Zef Mala asht kenë ndër të parët komunista që asht eleminue posa asht thëmelue PKT (Terroriste)Sh, në vitin 1941. Mbas vitit 1995 kam pyet njëherë një nga komunistët e parë që me Zefin asht kenë bashkëpuntorë z. Luigj Filipi, në lidhje me eleminimin dhe zhdukjen e të gjithë komunistëve të grupit të Shkodres, dhe kryesisht elementit ortodoks, të cilët nuk janë kenë pak tue fillue nga Vasil Shanto, Vaso Kadija, Jordan Misja, Branko Kadija etj..dhe më pat thanë dishka shumë interesante dhe të panjohun nga unë: “Elementi katolik dihej se nuk mund ti sherbente qellimeve të PKJugosllave, as shovenizmit sllavokomunist të Titos apo Stalinit. Ndersa, elementi ortodoks asht zhdukë nga Miladin Popoviq e Dushan Mugosha, me motivacion se asht i lidhun me elementin katolik dhe duhet zhdukë, mbasi neser ata kurrë nuk do të bajnë politiken tonë në Shqipni, sepse janë me tendenca Perëndimore si drejtuesi i tyne Zef Mala, i cili pikpamjet e veta i ka shfaqë dhe i ka publikue me shtyp. Ata do të kerkojnë menjëherë me u lidhë me PK Europjane të Italisë dhe Francës mbasi kanë shpreh simpatinë e tyne për ata parti. Ata kanë edhe mendime të tjera në lidhje me kufijt shtetnor të Shqipnisë së mbasluftës, kryesisht aty bahej fjalë për Kosoven dhe Hotin e Gruden, për të cilat heshti Enveri, Tuku,... e të gjithë tjerët me rradhë. Asnjeni nuk sakrifikoj ‘karrigen e vet’ për çeshtjen kombëtare! Tue u nisë edhe nga marrdhanjet e mira familjare të ortodoksëve me shumë elementa katolik të kulturuem në Përendim, pothuej të gjithë u kunorzuen “Dëshmorë të Luftës” para vitit 1944... Edhe ndonjë që shpetoi si Pjeter Kosta, pat fat me pasë rasën me nderhy për té At Frano Kiri dhe mërriti me mbijetue...”
            Bana këte shkëputje me vue në dukje se jo vetem katolikët e Shkodres, po as pjesa ortodokse e saj, nuk mujti me fitue “besimin” e PKTSh...kështu, edhe partia edhe shteti komunist terrorist i mbas luftës u drejtuene nga Toskënia, që ma vonë mbetën në kthetra të Enver Hoxhës dhe klikes së tij tradhëtare dhe kriminale.
            Zef Mala nuk ka heshtë gati kurrë. Siduket momentet e merzisë dhe dëshprimit të tijat të cilat ja shprehte ndër letra Enver Hoxhës, për Enverin ishin çaste knaqësije të madhe përderisa ka kursye “gjysmën e lekut” për te.
            Kam lexue një leter të fundit të Zef Malës që i shkruen Enver Hoxhës, e që nuk mu dha rasa me e fotokopjue... Ndër tjera aty Zefi zbulon pa pikë frike shpirtin e vet të brengosun dhe të sakatuem nga krimet e partisë terroriste të Enver Hoxhës, masakrue deri në palc nga sigurimi i tij shpirtzi...bashkë me gjithë Popullin Martir të Shqipnisë:
            “...Edhe pse nuk shoh fare me sy, rrijë me orë të tana dhe veshtroi nga dera...
Pres kur turmat e Popullit të shumvuejtun do të më shperthejnë deren e shtëpisë dhe do të më marrin zvarrë e bashkë me ty me na djegë përsëgjalli për tmerret e vuejtjet që u kemi shkaktue me faren e keqe të ideologjisë komuniste që kemi mbjellë me duert tona...

Pendimi dhe Rrëfimi i Fundit shpesh vlejnë ma shumë se gjithë jeta me vuejtje dhe e martirizueme po edhe pa driten e syve...

Melbourne, Gusht 2011.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...