Në Podujevë u mbajt takimi letrar "Poezia e verës", në të cilin ishin të pranishëm krijues nga Kosova e më gjerë. Manifestimi ishte i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, pas disa fjalëve për historikun e KL "Zahiri", që i tha kryetari i këtij klubi, Ruzhdi Berisha-Rudi, u përurua libri "Kosova e lagur nga gjaku", i autores Sadie Ismaili-Ilirida. Një vështrim për librin e dha Sabit Zeneli, i cili tha se në këtë vëllim autorja na sjell poezi të çastit të motivuar me një tejndjeshmëri dhe është një poezi koherente në të cilën vërejmë jo vetëm lidhshmërinë e vargut, por edhe lidhshmërinë e poezisë me poezinë, madje edhe të ciklit me cikël, e që si motiv ka luftën e popullit tonë për liri, duke u fokusuar më shumë në luftën e lavdishme të UÇK-së, ku kontributi i autores ka qenë i theksuar. Autorja, duke qenë luftëtare besnike dhe e vendosur për idealet e lirisë, i çmon lart të gjithë ata që në kohë dhe rrethana të ndryshme luftuan dhe u flijuan për lirinë e kombit. Temat dhe motivet në vëllimin poetik "Kosova e lagur nga gjaku" i ruajnë mënyrat e ligjërimit, të cilat bashkërendojnë me stil e shije nga ngjarjet historike e personalitete të ndryshme të kombit tonë. Po ashtu, autorja, nëpërmes vargut të saj, shpreh edhe mllefin për të sotmen për dukuritë devijuese në shoqëri dhe fokusohet te fati i të zhdukurve që akoma mbetet një plagë e pashëruar.
Më pas poezi nga vëllimi poetik deklamuan aktorja e mirënjohur Safete Rogova, aktorët llapjanë Gani Hamza e Nazmi Bajra, si dhe vetë autorja e librit. Më pas disa fjalë për librin dhe autoren i tha edhe botuesi i librit, Gani Xhafolli. Krijuesi llapjan, i cili tash e shumë vjet jeton dhe vepron jashtë atdheut, Nazmi Rudari, e përshëndeti këtë takim të rëndësishëm për kulturën llapjane. Në pjesën e dytë me poezitë e tyre para të pranishmëve u prezantuan: Shqipërim Mehmeti, Orëmira Dibrani, Shaban Pllana, Miradije Abdullahu, përfaqësuesit e ARS klubit "Beqir Musliu", Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha dhe Avni Halili etj. I gjithë manifestimi është përcjellë me tingujt e pianos nga Kushtrim Balaj.
M. KADRIU