2011-08-05

REFLEKSIONE NË PRAG TË DITËLINDJES


Fatmir Terziu

Arqile Gjata para disa ditësh në prag të ditëlindjes së tij rrëmoi në arkivat e tij letrare dhe na solli edhe ditëlindjen poetike të tij me një poezi të krijuar aty nga vitet 1966-të. Poezia “Shqerka” na sjell mes vetë vargjeve të saj këtë ditëlindje poetike në një prag me Ditëlindjen fizike të poetit. Kjo poezi citon:

“Shqerka mbetur aty,
           si më parë
           në një fletore.

                             E bukur  si një lule,
                             me fustan të bardhë.
                             E mallëngjyer

                             i gëzohej vështrimeve...
        Luleshqerka me sy të njomë
        si deti,
        e buzë qumështor,
        nxitonte...
        me gjoksin rritur nëpër ëndërra.

                          Sytë e saj luanin me ngjyrat
                          e dëshirave
                          dhe ca rënkime nxirte dita-ditës.

      Luleshqerka,
      si era e detit, iku,

      e larguan....!
Nga koha kur  Arqile Gjata e ka shkruar këtë poezi në Selenicë-Vlorë, pra e ka shkruar më 1966-en dhe përpunuar këto dite që po qëndron në Vlorë, pas një rikthimi nga emigrimi në Greqi, përbën një fakt real në rrugën e hershme të poetit, por me shumë domethënie në rrugën e tij të gjatë e të pjekur. Kjo poezi është një pikëtakim malli me njeriun e mirë, familjarin, poetin që sjell gjithmonë freski rinore në moshë të tendosur jete. Të takosh Arqile Gjatën, natyrshëm është njerëzore. Takon një njeri me vyrtyte, me moral, ndjenjë, arsye dhe dashuri njerëzore. Një njeri që mbart mbi supe e rrudha amfiteatrin gjigant të një jete me potere, zgrima e ndukje të tëra transformuese. Por, ke takuar Njeriun. Të takosh poetin Gjata është kërkesë. Është jashtë çdo plani, jashtë çdo lidhjeje tjetër, se është Poezia. Është poezia e tij që vjen në kohën e duhur, e pjekur dhe jo e ‘zhuzhatur’. Para disa ditësh ja ç’më shkruante ai edhe pse konfidenciale unë mendova se për poetin duhet pak ‘publik’. Duhet pak ajër dhe liri edhe në ‘konfidencialitet’! Dhe konfidencialja në fakt është vetë vyrtyty që e ndjek Njeriun e pastër Arqile dhe Poetin e mençur, Gjata: “Kur vendosa që të shkruaj poezi, kërkova dhe i thashë vetes, të kem në vëmendje këto kushte parasysh:
1-Për moshën që kam dhe për atë përvojë të domosdoshme të përfituar nga koha, jam munduar të mos përsërisë atë që kanë thënë të tjerët, por duke pasur gjykimin e mendimin tim poetik të ndryshëm nga të tjerët.
2- Jam munduar që poezinë time mos ta reduktoj vetëm tek mesazhet që mund të përcjell, por dhe të krijoj një realitet poetik, që sigurisht sot, apo nesër do më gjykojnë.
3-Gjithashtu kam pasur shumë parasysh mendimin e Nekrasovit të madh kur thotë: ‘’Poet mund të mos jesh, por qytetar duhet të jesh’’...”
Kështu në prag të aritmetikës që numëron vitet e tij, vitet dhe vargjet e djersshme poetike dhe jo thjesht vargore, kjo aritmetike që shënon së shpejti 70-të, duket se është në një cep të flortë rinor ku vitet kapërcehen lehtë dhe sfidojnë elementaren e një aritmetike tip gozhde në jetë. Në hapësirën e kësaj metafizike, poezia e tij është më shumë se ‘refleksion në prag të ditëlindjes’ të cilën ne do ta shpalosim pak më herët, duke thyer edhe një zakon të festimit dhe urimit të saj në ditën dhe datën e duhur, por të rikujtimit të saj logjik në një kohë që duhet të mbetet pak më gjatë mes nesh, të paktën në ditët që gjallojnë me poetin e poezinë e tij. Arqileja, ky poet që ka vënë gjrmët e tij me poezi në mjediset letrare shqiptare, shprehet:  ‘’Krijimtaria poetike i përngjan asaj vijës së horizontit, të cilës sa më shumë i afrohesh, aq më shumë ne (krijuesit) i jemi larg saj.’’ Me këtë dua të them thotë Gjata, se, unë jam një gjethe në një pyll të pafund të poezisë. Por, kjo ‘gjethe’ më duket se meriton më shumë se sa një ‘rrap’ që ka mbetur vitesh e vitesh në një korrije me lëvdata të urdhëruara. Arqile Gjata, poeti vlonjat tashmë me emrin e tij në letrat shqipe, edhe kështu si një ‘gjethe’ me tërë funksionin e saj të pastrimit të CO2 –shit dhe të prodhimit të O2 të pastër poetik natyrisht meriton më shumë. Më shumë në këtë ditëlindje të tij të 70-të! Me kwtw rast nw kwtw ditwlindje tw dyfishtw tw poetit po sjellim pwr lexuesin gjithë poezitë e shkruara nga poeti në harkun kohor Janar 2011 deri më datën 5 Qershor 2011. Tw gjitha janw të shkruara në Athinë dhe kwto janw shumica dhe një pjesë në Vlorë.
ÇDO DITË LODROJ NË KOPSHTIN TËND
E dashur,
u bëra mik me portretin tënd...!
Çdo ditë lodroj në atë kopsht,
dëfrime mbledh tek sytë e tu.
Në mëngjes puthem me mall
me zërin tënd,
më pas duroj vetmin,
me shpresë
të puthem me buzët e tua.
***
Globi,
dhe pse rrotullohet,
ne,
me shpatulla e shtyjmë,
të bjerë në greminë
ku shtrihet një fushë e begatë
me pemë të pavdekshme.
***
Vendi im, i mërzitur...
faj kam edhe unë
për dramën që luhet nga ngjyra gri
për ditët e pajetuara.

***
Një mëngjes,
 më kujtohet ikja e yjeve
nga frika e mureve të ftohtë,
për vajzën e bukur, iku...
pa kthyer kokën pas.
***
Shpesh, më shfaqet një merak,
për lotët e tua,
mikja ime!
Çdo ditë,
ti kafen e pi me burrin
varrosur në shtratin bashkëshortor.
Nuk na kuptojnë...
Pije kafen të hidhur,
zier me lot,
me pak shpresë!
***
Mendoj për veten,
për të ardhmen...
eshtrat t mi mbillni  buzë detit,
sa i bukur do ishte varri im!!
***
Njeriu vdes mbi tokë,
në ujë,
duke pritur...
apo në gjumë.
Poeti vdes në ajër,
i patretur ...!
***
I zhveshur,
jam në luftë me të ardhmen.
Të gjithë kemi harruar të qajmë,
na i vodhën lotët
njerëzit e tokës time.
***
Ata që ikën.
i quajta të gjithë të vdekur.
Më vijnë si dritë,
nga dritaret,
mes tyre është dhe ajo...
Ja dhe motra!
E çuditshme,
s’paskeni ndryshuar fare,
ju mbaj mend!
Uluni...të shmallemi!
Mos ikni,
ku shkoni!?

***
Në ajrin e sëmurë
u plakën idetë,
deti u thinjë deri në rrënjë
pikë loti nuk ka në sy.
Veç zogjtë jetojnë të lumtur.
***
Ah nënat...
jeta mbi prerin tuaja mbahet!
Netëve,
të dëshpëruara, ju jeni sy çelur,
guximtare,
ninulla këndoni me duar ngarkuar me fruta.
***
Vjeshta e sivjetme
s’pati të mbaruar,
të papunët u zverdhen
bashke me gjethet.
Trishtimi ua kanë këputur duar e këmbë.
Jashtë,
janë mbledhur fëmijët
me dhimbje në mëlçi.
Ora është një e ditës
dhe dreka shtruar ka urinë
për pak bukë...
Tek pragu i derës, gruaja
me barkun tek buza djersinë,
për një kokërr frutë.
***
Profesioni im
këndon përmes telave,
e miq të kujdesshëm me veten jemi,
si zogj sjellim diell në banesën tuaj.  
***
Të vrarët,
rinë aty, shtrirë në bulevard
gjaku i tyre shndrin pikë-pikë
 Katër të pagjumë,
viktima të heshtjes, përmbys...
përgjatë ditës, natën me hënë
presin nëpër ëndrra
çastin që zogj fluturak
të vinë me këngë në Sheshin e Dëshmorëve.
***
Pesha ime është e lodhur
nga fjala e hijes sime.
Hijedritat në garë me kohën
mbushen me ide për të ardhmen.  
KUR E SHËMTUARA RRUGËN TË KA ZËNË
Ç’më tha e nesërmja...!

E shëmtuara
ju ka zënë rrugën e stinëve.
Do ecësh,
do lodhesh nga fajet e të vdekurve.

As turp, as frikë mos ki,
gënjeshtrën kyçe,
porta hap!
Grindjet e njerëzve,
mos i puthë,
kryqëzoje urrejtjen në vende të pashkelura.
JAM NJERI I VENDIT TIM
Të moçmin qiell sodis...
Kur isha foshnje
yjet dëshiroja t’i kapje me doçka.
Përsëri kokën lart e ngre...
Toka është plakur,
yjet rinuar
sy nuk kemi t’i shikojmë ato thërrime drite
skuqur si zjarr,
zëri na digjet nga etja,
nga uria.
I PËRLINDURI
I përlinduri mbuluar me hënë
njeri i bardhë,
lakuriq vizaton poezi.
Pranë i shkon edhe era.
E dashura që pi ujë aty
sheh vargjet e vjershëtorit
sesi rrëshqasin përmes kopshteve
e më pas i bënë portretin.
***
Ia vlen të shikosh botën e tij,
në të majtë puhit e vargjeve,
djathtas një këngë e gjatë,
e gjatë sa vetë mosha.
Detet dhe ngjyrat urtësohen
në shpirtin e pagjumë.
Me gëzim të pa cak
ai,
shumë lehtë mund të vdes,
të këputet si petale qershie.

FSHEHURAZI, BINTE  BORË
Ajo,
u shkroi letrën e fundit
nënës dhe shokëve.
Në të gdhirë sy më sy me xhelatin,
në lak të litarit jeta e saj lëkundej.
Mbi kalldrëmin e akullt
një palë nallane druri...
Dy malet e hirta
qyteti i gurtë mbytur në lot.
***
Në ajër është ende aroma
me duar të shtrira drejtë dritës.
AJO KOMPOZON DRITË
Sapo lind dielli
ajo ngre zërin zbukuruar me melodira
mëngjesore.
Së brendshmi ia praron fytyrën
një sifoni
kompozuar nga zogj fluturues mbi ylber.

Ajo dita-ditës lëshon dritë
mbi një lëndinë me lulëkuqe,
ku miq ka përherë në sytë e saj.

 Tingujt shkojnë larg...
tej mbulesës së bardhë të trupit
e një pëllëmbë më lartë
zemra rikompozon dritë të kuqe.
 JETA
Jetë,
mbamë dhe pakëz!
Akoma nuk ka rënë nata
për mua.
Do të mbaj shtrënguar!
Të dua jetë,
ashtu si je,
lakuriq!
Ende jetoj
dhe emrin nuk e kam harruar.   
KUR NATA IKËN PREJ MEJE
Sa herë që nata ikën prej meje,
unë shndërrohem.
Dua të ngelem ku ka gjëra të ndaluara
nga deriçka të fshehta
të futem në botën  e mëkateve...
Është marrëzi!
Kështu janë të gjallët,
botën e mbajnë dhe mbi supe
veç me të bukurën të çmenden...
DHIMBJA E SUKSESIT
I neveritshëm suksesi,
karikaturë e pështirë që të tradhton
kur dhimbje ndjen.
Dehur nga humbja e përfaoljes,
si gurë i ftohtë
përsëri dhimbja dëfrehet me suksesin.
Rritur nëpër gjethe
ushqyer me të korrat e lotëve,
ndodh...
ndonjë fluturak guxon t’i thotë:
Eja,
fluturo me mua!
Të mos lagesh nga shirat
e suksesit
dhe i vdekur të ngrohesh
në dëshirat e njerëzve.      
ËSHTË KOHA KUR NJERIU PO VDES
Njeriu...
me fytyrë binjakësh
mes armësh shkruan vdekjen.
Të poshtëruarit,
parajsë nuk kërkojnë,
veç rivëllazërim për mollën e ndaluar
të ngrohin gjakun e ngrirë
me shurupin e vdekjes.
TEK AJRI JANË GJITHË GERMAT E SHPIRTIT
Kur linda,
u bëra mik me ajrin.
Çdo mëngjes puthem etshëm me të,
është drithërues,
rreth tij shpaloset natyra.
Ai m’i dhuron këngët e zogjve.
Tek ajri janë gjithë germat e shpirtit,
ato si degëzat e pemëve luajnë mrekulli
kur rrugën harron e vetmitar qëndron,
me shpresë
të durosh vetveten, mendje zhveshur,
a me xhaketë pranvere.
***
Pas frymës së ajrit,
si durimtar vrapon vargu im.
Nëpër ëndrrat e jetës
e qeshura,
zgjatë dorën të ledhatoj ajrin e virgjër.
***
Sa e dhimbsur poezia...!
Gjakosur nga hëna,
lodhur
nga rrugëtimi nëpër pyje
fryrë si sy kau,
dehur me verë.
Nën këmbët e poezisë
shoh botën të sillet me të
si fëmija,
me një kurorë në dorë
nëpër legjendat e kalldrëmta
përqafuar me diell.
NATA E BARDHË
Në natën e bardhë
së larti zbret me jehonë
i shenjti lis,
Adem Jashari!
***
U çelën portat e festës..
Për të kuvenduar
Ai,
nga zemra e maleve hapon drejt Kullës,
ku ende është varur qielli i vranur.
Është në këmbë...
Fytyrë veshur me diell
nëpër gurtonët e flakëruar
që kanë një emër,
këndon këngët e lirisë.
Në të gdhirë
me të dy krahët mbledh yjet
në qiellin e zjarrtë,
i shtron në sofrën e madhe
të Ditë-Lindjes.
Si rreze drite rend nëpër Dardani
bashkë me gjakun e shokëve
kënga ‘’U KRY BAC’’
i dhanë Ymër Mëvetësisë...
Nga vlaga e tokës
pëshpërimat e shpirtrave të vrarë
kanë çelur luleborat...!      
VAJZA E KËNGËS LABE
Vajza e këngës labe
nga majëmalet
hapi derën e mëngjesit...
Bukurisë së saj
i rrinë afër retë dhe erërat.
E pavëmendshme prej tyre
qëmton këngë
me iso labe në trastën e saj
për ditën e Shën Valentinit.
***
Shikonte lindjen...
Nga një zhurmë e bardhë,
nën gjethet e një lisi
iu shfaq dëshira
për ta thyer qelqen e moshës.
***
Dua të soditem,
t’i jepem djalit të isos!
Tingëllimën e qelqtë ta shijojë
si melodi këngësh
dalë nga oshtima e zërave tanë,
në ditën e të dashuruarve
kur dielli do shlodhet
dhe hëna të fle.  
IMAZHE ËNDRRASH
Leshra prishur nëpër re
me zë burri, ëndërrimtar
i këndoj vendit tim,
si i mitur në përrallë.
Fluturoj nëpër erë
të shohë çatinë prej kartoni
buzagazin, vendin tim,
kur ai ndërron vend 
nga një dorë e ngrohtë
pa përmbysur kujtime.
***
Dremitem  mes vështrimeve të ëndrrave,
me ato nuk ka heroizëm...
zhytesh thellë,
rrokullisesh humnerave.
Pas zgjimit
veten e shikon të kthjellët.
***
Kur isha djalë
qeshja shpesh,
tani e qeshura është frika që kam
nga vetja
e në dritë të vetëtimës
më ka filluar t’më vdes koha
nëpër duar.
***

E qeshura ecën vrullshëm nëpër  ëndrra,
as dashuria nuk shuhet.
Nëpër rrugica të këndshme, buzëqeshja,
shpirtin ta bënë pasqyrë nga thinjat.
MONOLOGU I SHURDHUR
I betuar,
në sytë e kohës
ndërgjegjja ime qëndron si kockë
në këngë
e hovshëm merr frymë
monologu i shurdhur.
Monologu...
pret  të shkruaj mes erërave
në qiellin që pikon yje
të nesërmen,
mbetur në asht të trupit.
***
Në vite ndërtuam gjigandë,
më pas i tretëm rrëzë maleve
ngrohur në dritën e hënës.
Në monologun e shurdhur,
hija ime
banon me vdekatarët
ku stinët kremtohen me dhimbje.
***
Të gjithë ankohemi për keqësimin e motit,
më shumë natë se ditë,
me mall e kurajo pimë gotën e verës
nëpër rrathë ku nuk ka rrufe djegëse.
***
Flokët e monologut
krehin mallëngjimet e detit,
ku e djeshmja mungon
në përgjigjen time,
veç e nesërmja zgjatë krahët
të shuaj etjen e moshës.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...