2011-08-03

Pranvera Shqiptare '81

image


Pranvera po vinte me hapa të mbarë. Po ikte dimri i madh, dimri i heshtur i robërisë së gjatë. Zogjtë e zbusnin paksa atë heshtje, atë zymtësi të mbuluar me borë. Ata po i shtonin këngët, po e ngrehnin zërin…
 Shkruan: Berat LUZHA
1.
Pranvera po vinte me hapa të mbarë. Po ikte dimri i madh, dimri i heshtur i robërisë së gjatë. Zogjtë e zbusnin paksa atë heshtje, atë zymtësi të mbuluar me borë. Ata po i shtonin këngët, po e ngrehnin zërin…
Pranvera po vinte bashkë me marsin. Nuk ishte si pranverat tjera; të heshtura, të druajtura, të frikshme. Ajo po shpërthente me tërë madhështinë e saj; me zogj, me këngë, me lule…

11 mars. Një ditë e madhe, një ditë e bukur, një ditë e shenjtë. Shpërthim dëshirash të ndrydhura. Fluturime kah horizontet e reja të vetëdijes atdhetare. Jehona e këngës fluturonte drejt qiellit dhe nga qielli kthehej përsëri te ne.

26 mars. Dëshirat shtoheshin, këngët buçisnin. Buçitje gjithandej, anembanë. Pranvera po hynte në ne. Rinia… Shpërthime vullkanike vrullesh djaloshare e vashërore.

1 prill. Rrugët u bënë lumenj me djem e vasha. Lumenjtë derdheshin në detin e Prishtinës. Tani pranvera kishte marrë fuqi të plotë, me diell e rini. Ah rini, e etshme për diell, lule e këtij trualli të zjarrtë.

2 prill. Sa herët u gdhinë sot lulet, sa herët u zgjuan sot zogjtë. Zogjtë fluturuan nga foletë e tyre drejt diellit. Agmia e pranverës po zbardhte mbi qiellin tonë.

(Por, sot u këputën lulet e para të lirisë. Zogjtë i ndalën këngët. Uturima të tmerrshme në tokë e në qiell; përbindësha të hekurt, të tmerrshëm, të zi).

Por, jo! Djemtë e vashat nuk frikësohen. I afrohen edhe më shumë përbindëshave dhe i hapin kraharorin: - Ja ku më ke! Ky është vendi im! Këtu kam mbirë dhe këtu do të vdes!
Prishtina po digjej, rinia po ngrehej.

3 prill. Këputen lulet gjithandej. Në kërkim të diellit, lulet po veniteshin. Zogjtë po i fusnin nëpër kafaze! Nëpër kafaze jehonin përsëri këngët e lirisë!

Liria…! Ja, po çelë agmia. Qielli po skuqej në lindje të diellit të shumëpritur.
13 maj. Luftë në Prekaz. Një luftë e pabarabartë dhe e paparë. Nga njëra anë, babë e bir, nga ana tjetër, një ushtri e pambarim milicësh të zinj, të mbuluar e të mbushur me hekur e zjarr. Ulërinin tanke e avionë rreth e rreth shtëpisë. Familja shqiptare mbrojti nderin dhe dinjitetin, deri në shenjtëri.

26 korrik. Gjakova e kuqe u skuq edhe njëherë nga gjaku djaloshar. Rinia gjakovare u ngrit përnjëherë. U kacafyt me hienat e zeza, për të mbrojtur nderin e dinjitetin kombëtar.

2.
30 vjet. Që nga atëherë ka ndodhur shumëçka. Ka ndodhur vetë liria e pritur. Ka ndodhur pavarësia.

(Por, para se të vinte liria, ka ndodhur lufta. Lufta me gjak e për diell. Para luftës ka ndodhur Pranvera Shqiptare. Ajo Pranvera e Republikës "ja me hatër, ja me luftë").
Pranvera Shqiptare dhe pranverat çlirimtare i ngjajnë aq shumë njëra-tjetrës. Ato erdhën, secila më e bujshme se tjetra, secila më e ngrohtë se tjetra. E, pranverat e lirisë nuk mundi t'i ndalojë askush.

Në Pranverën e '81-shes, më fuqishëm se kurrë, thamë: - Jo, kurrë! Kurrë nuk do të pajtohemi me robërinë. Fati i Kosovës është edhe fati ynë. Përtej fatit tonë nuk kemi ku të shkojmë.

11 Marsi '81 kishte vënë para shqiptarëve të vetmen dilemë; dilemën e lirisë, kundër robërisë.

Viti '81 u kishte treguar shqiptarëve të vetmen rrugë; rrugën e lirisë, kundër robërisë.
Sot lirinë nuk e shohim vetëm në ëndërr! E kemi këtu, në gji, në vatër, në Atdhe.

3.
Viti 1981: Fillimi i një lëvizjeje popullore, kombëtare, demokratike... Kthesë e madhe në histori. Demonstrata të pambarim. U shtrua dhe u shkrua qartë, shkurt e shqip: Kosova - Republikë! U shkrua shkurt e shqip: Ja me hatër, ja me luftë!

Rinia nuk gjunjëzohej, rinia nuk epej dot. Gjaku derdhej deri në liri. Lëvizja kishte krijuar vazhdimësinë e saj të paskajë; deri në luftë, deri në liri.

Si ta ruajmë lirinë e fituar me gjak? Duhet ta mësojmë historinë! Edhe historinë tonë më të re! Edhe Pranverën Shqiptare 1981! Edhe Luftën çlirimtare të UÇK-së! Edhe, edhe, edhe…!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...