2011-08-03

Poetika e maleve dhe e portreteve


Paraqitja me ekspozitë disa herë në Kosovë e Pjetër Markut është një shtegtim dhe shpalim i biografisë dhe gjeografisë shpirtërore e pikturale të Atdheut me simbolet e qëndresës dhe rrënjëve tona të përbashkëta etnike
image
  Idriz BERISHA
Pjetër Marku është emër i njohur i pikturës shqiptare dhe i takon plejadës së artistëve figurativ të viteve'70-80, kur tashmë një grup piktorësh me guxim intelektual po bënin një hap drejt shkëputjes nga imazhi i stilit të kohës duke hyrë guximshëm në vizione më të reja bashkëkohore të artit. Me krijimtarinë e tij figurative u njoha në Galerinë e arteve në Pejë, në ekspozitën e tij personale në tetor 2010.

Piktor Marku tashmë formon profil të veçantë si portretist dhe pejsazhist  i frymëzuar nga trajtat e pafundme natyrore të vendlindjes-Mirditë, nga etnosi dhe bota shpirtërore e etnopsikologjisë shqiptare  të portretit të ëmbël por edhe të ashpër të këtyre anëve duke ruajtur me besnikëri tiparet e bujarisë, të realizuara me mjeshtri në teknikën vaj në pëlhurë. Paleta e P. Markut është e pasur dhe e pastër me gamë të ngjyrave të harmonishme, pastuoze që në kompozicion (peizazh, portret ) krijon një strukturë të materializuar që i jep veprës vlerë estetike moderne, ekspresive dhe monumentalitet forme, ngjyre e ritmi që ndërlidhë njeriun, tokën dhe qiellin në harmonizim të këndshëm artistik. Struktura e pikturës së tij, duket se ka ecur dhe është zhvilluar duke u pasuruar me vlera të reja, me refleksione mu si historia, qëndresa, karakteri, shpalosja e përjetimeve shekullore të kombit. Shtresimi piktural tematik i piktorit tashmë hyri në një rrugëtim serioz, si konstrukcion modern i realitetit të dytë  të natyrës, jo si kopje por shndërrim i individualitetit ekspresiv bash si njeriu i këtij nënqielli.

Ngjyrat në pikturat e Markut kanë reflekse të kreshtave mirditore, stinëve, nga ajo blu me nuanca shpërthyese të ngjyrave intensive: e portokalltë, e kuqe, e blertë etj. Piktori respekton elementet e formësimit kompozicional: perspektiva, plani, ritmi, dritëhija, momentet emocionale etj. Origjinaliteti i krijimtarisë figurative të Pjetër Markut shprehet përmes një stili të veçantë e të dallueshëm nga të tjerët. Ai është plot muzikalitet, kolorit, tema, ide e karaktere që e bëjnë veprën e tij një ekzemplar me vlerë të çmuar në artin tonë kombëtar.

Pjetër Marku është piktor i etnopsikologjisë shqiptare, i zoti për të zënë momente  drithëruese, të momenteve kulmore, atë katarzën shpirtërore të njeriut  dhe peizazhit të ashpër mirditor me atë shkëlqimin mëngjesor, vesën magjepse, gjethet vjeshtake më të kuqërremta. Madje gjuha  ekspresive e pikturimit vjen duke u thelluar, qoftë te brendia e një peizazhi, që vjen si një jehonë e përjetimeve shpirtërore, apo të një peizazhi urban, si lojë ngjyrash, lojë e bukur estetike, sepse arti e bën të bukur këtë përjetim.

Tek  galeria e pasur e portreteve nuk shohim thjesht pamjen e figurës a të ekzemplarit të jashtëm por botën e brendshme me, harmonin e sajë estetike ndërsa tek tablotë e natyrës-peizazhit shquhet dashuria e pakufishme ndaj ashpërsisë dhe bukurisë se Alpeve shqiptare nga na vjen vet piktori.

Edhe kjo ekspozitë sjell atdhesinë tonë me motive të amshueshme, me shprehje të një ekspresiviteti piktural figurativ shumë të pasur, me një galeri portretesh të njohur e të panjohur, me pamje nga natyra e veçantë e alpeve shqiptare etj.

(Autori i këtij shkrimi është piktor)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...