Në kuadër të Ditëve të Mërgatës, që po organizohen nga
Ministria e Diasporës, në Bibliotekën Universitare të Kosovës
është bërë promovimi i disa librave të mërgimtarëve tanë, të cilët
aktualisht jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të botës.
Shkrimtari Agim
Gashi, me dy libra,“Epoka e nderit”dhe “Kohë e pa kohë e vendit tim”,
Sejdi Gashi me “Monografi e komunitetit shqiptar në Gelsenkinche -
Gjermani”, shkrimtari Çerkin Bytyçi me “Urë atdheu”,poetja Rita Salihu “Engjëjt nuk
jetojnë në tokë”, studiuesit Dr.Musa Ahmeti dhe Dr.Etleva Lala “Statutet dhe urdhëresat e
kapitullit të kishës katedrale të Drishtit” dhe publicisti Emin Fazlia “Doktori
maleve të lirata të Drenicës Dardane”, ishin autorët dhe librat e tyre,
të cilët u prezantuan në kuadër të Ditëve të Mërgatës.
Duke veçuar
rëndësinë e këtyre, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, është
shprehur se promovimi i këtyre librave është i rëndësishëm, pasi tregon
se bashkatdhetarët tanë nuk janë vetëm punëtorë dhe shërbyes në vendet
ku jetojnë, por edhe njerëz të artit dhe kulturës.
“E rëndësishme, sepse
kjo tregon se bashkatdhetarët tanë janë njerëz të shkencës dhe të
kulturës”, ka thënë ai.
Ndërsa duke folur për librin “Statutet dhe
urdhëresat e kapitullit të kishës katedrale të Drishtit”, të Musa
Ahmetit dhe Etleva Lalës, studiuesi Begzad Baliu është shprehur se ky
libër është shembulli më i mirë se si duhet botuar trashëgimia jonë,
ndërsa historia e njohjes së saj njëshekullore është gjithashtu
shembulli më i keq që dëshmon se si jemi sjellë ne ndaj asaj
trashëgimie, të cilën megjithatë e kemi njohur.
“Veprës ‘Statutet e
katedrales së Drishtit’ i prijnë disa tekste përshkruese, referuese e
komentuese, si: Mesjeta shqiptare në dritën e statuteve të katedrales së
Drishtit, në të cilën janë dhënë disa shpjegime themelore të rëndësisë
së statuteve mesjetare në historinë kombëtare shqiptare të kësaj epoke”,
ka thënë ndër të tjera prof.dr.Begzat Baliu.
Në Prishtinë vazhdojnë aktivitetet në
kuadër të Ditëve të Mërgatës. Ndërkohë, janë anuluar disa aktivitete,
kryesisht argëtuese, pas ngjarjeve që ndodhën tri ditët e fundit në veri
të vendit.