nga Sejdi Berisha
Nganjëherë, për t’ua vënë kapakun gjërave të çuditshme, çuditshëm të sjellën edhe vargonjtë e jetës rreth qafet, që të bëhet sikur të pëlcasin, ose, e lozin rolin e aktrimit si në teatër, kur një personazh tërë kohën përplaset me vuajtjet dhe vdekjen, por, kjo nuk ndodhë, sepse, loja bëhet në teatër por,… ndoshta edhe jashtë teatrit! Kur e pikatë këtë temë për t’u sfiduar rrastë e pashmangshëm me te, atëherë, parakalojnë si në paradë karnavalesh periudhat kohore, me të cilat edhe kënaqesh edhe çuditësh, por edhe trembësh… Se për çfarë, ndodhë që asnjëherë nuk mund të përgjigjesh, dhe atë, mu sikurse në këtë shkrim, i cili të duket sikur loz me kutia e katrorë lojërash…!
1.
Njeriu, kur shpjegon për ngjarjet nga burgu dhe për burgun, tash, në këtë kohë duken aq të thjeshta dhe naive, sa që më as nuk të bëjnë përshtypje! E, në fakt, ato janë aq me ankth pritjesh e demoralizimesh nga më të ndryshmet. Bile, kjo ndodhë për shumë arsye, por, ndoshta edhe për shkak se dot nuk i mbanë mend të gjitha ngjarjet për t’i treguar, apo, ndoshta edhe pse të bëjnë lëmsh e ta ngritin nervozen edhe mbi dritën, edhe mbi lirinë. Pastaj, i harron të gjitha rrëfimet që i ke pasur të shtresuara në mendje t’i përjetësosh apo t’i tregosh si njeriu që bën marri.
Keq është kështu, ngase njerëzit nuk të besojnë. E, nëse “flenë” shumë në burg, atëherë, edhe të konsiderojnë tradhtarë, të dyshimtë apo edhe kush e di se çfarë. Por, ta lëmë këtë temë, sepse, lexuesit mund ta marrin si provokim, dhe atëherë kush e di se çfarë të dhëna dalin për kohën dhe jetën! Megjithatë, dua t’ua rrëfej një tregim, të cilin si pahir ma tregoi një mik kur flisnim për vuajtjet dhe lezetet në kohën e fëmijërisë dhe të rinisë.
Burri i botës, e kishte pas babanë sa vite e vite në burg, dhe ai thelbi i trupit dhe i mendjes i zhvillohej dhe i rritej me shkrumbin për mungesën e babait, por edhe me shkrumbin për vuajtjet që prindi kurrë nuk i tregon as nuk rrëfen për to deri në fund, vetëm e vetëm për ta ruajtur pastërtinë e rritës dhe të fëmijërisë. Por, ai, duke treguar për takimin befas dhe të papritur me babanë e vet, sa vinte e lotët ia skuqnin sytë, edhe pse ende nuk ia kishin përlarë faqet tash të moshuara:
-Takimi me babanë tim ka qenë i çuditshëm.
Atë ditë, kur iu kishte liruar babai nga burgu, vogëlushi gjashtëvjeçar, i cili dot nuk e harronte atë takim, kishte qenë tek tezja. Dhe, shih. Merr rrugën këmbë për t’u kthyer në fshatin e vet, që kishte bukur do kilometra. Kishte ecur pa u lodhur fare, sepse, fëmijëria e trimëronte për historinë e burgut dhe për jetën e babait. Ecte rrufeshëm dhe për çdo hap sikur ndizte nga një yll lumturie e madhështie. Por, problemi kryesor ishte, se ai, nëse do ta takonte babanë, nuk do ta njihte. Kështu, gjatë rrugës, ëndrrat nuk kishin të sosur. Të themi, si ëndrrat sot, a?!
Ndoshta nuk e kishte kaluar as gjysmën e rrugës për deri në fshatin e vet, dhe pasi dëgjon trokun dhe tingëllimën e patkonjve të kalit, kthen kokën prapa… Kishte qenë një njeri i cili në atin e vet e kishte hipur një njeri plak dhe të parruar. Kur ky njeri iu kishte ofruar çunakut, e ndalë kalin dhe e përqafon djalin me plotë ëndrra dhe shpresa:
-Ku je duke shkuar? -e pyet vogëlushin.
-Po kthehem në fshatin tim!…
Njeriu me atin e tij dhe me plakun e parruar, e shikoi edhe njëherë “picirrukun” dhe sërish e puthi në dy faqet, edhe pse plakut hipur në atin pullali i dukej njëmijë vjet deri në shtëpi. Njeriu që shtrëngonte frerin e kalit, ngriti kokën lartë dhe e pyeti plakun i cili mëzi mbahej në shalën e atit:
-E njeh këtë vocërrak?!… -ai vetëm bëri me supe në shenjë mohimi.
-Jo! Ku ta njoh unë… -pastaj ky njeri iu drejtua djalit me faqe si molla:
-E ti, a po e njeh këtë njeri hipur në kali?!
Edhe ai rrudhi krahët, dhe po ashtu sikur edhe këtij, kjo vonesë ia pengonte planin për të arritur me kohë në shtëpi.
-Eh, dëgjo… -iu drejtua plakut. -Ky është djali yt që e ke lënë krejt të vogël,… foshnjë.
Pastaj, iu drejtua faqekuqit:
-Ky është babai yt!…
Pa hezitim, gjaku dhe malli i shtyri, pa u sqaruar, të përqafohen dhe të bëhen si një trup. Ai takim solli lot e gëzim. Në shtëpi hynë dy njerëz që i takonin dy gjeneratave që tani frymonin njësoj, me frymën e kohës, por, të cilën kohë, prapë siç e kam unë shprehi, lexuesit le ta mundojnë kokën dhe le të mendojnë për te! Po, po. Sepse, koha,… edhe burgu, janë dy histori të armiqësuara në mes vete. Për besë, po…!
Ky ishte një prej takimeve babë e birë në këtë tokë. As i pari as i fundit i kësaj natyre! Çfarë të them,… thuajeni ju më mirë se unë. Por, ju lutëm, mos bëni telashe…!
2.
Në burgje ka lloj-lloj takimesh. Një rrëfim tjetërfare ma tregon miku im, i cili është dashamirë i letrave, e që ka bërë edhe libër me këtë temë edhe për njerëzit që janë djegë e përvëluar, për njerëzit që janë kalbur e kanë vdekur nëpër burgje, shumë prej të cilëve edhe eshtrat nuk u dihen se ku u janë tretur. Por, këto janë tema bizare, prandaj, po kam dëshirë vetëm të shpjegoj si dukej syzimi i vëllait me vëllanë në dhomat e takimit në burg. Kaq dhe asgjë tjetër. Prandaj, mos më vëni në peshojë për asgjë, por edhe as për ndonjë mesazh apo edhe rrëfim provokimi. E, nëse ju këtë ia detyroni vetvetes, atëherë, vrap babëlok pas dëshmive e shënimeve për dritë e ndriçim të gjërave…!
Ka shumë burgje, ka pasur edhe më shumë…
-Hyra në burg pasi mora lejen për ta vizituar vëllanë. U ula në një tavolinë të gjatë. Si unë kishte edhe shumë vizitorë të cilët e krijuan radhën në krahun ku isha ulur unë… Ndërkaq, në krahun tjetër, përballë ishin ulur të burgosurit për tu takuar me të afërmit e tyre.
Përballë meje kisha një njeri me fytyrë të ënjtur, por kur i ngulita mirë sytë në te, vëreja se nëpër damarët e trupit të tij sikur qarkullonte gjaku i vëllait tim. Vetëm kështu e perceptova se ishte vëllai im! Pa asnjë fije kontrolli, lotët rrokulliseshin nëpër fytyrën time flakë dhe all. Më besoni, nga lotët nuk kam mundur të flas dhe as të çmallëm as me një të vetme fjalë me vëllanë tim, i cili ishte më i madhi në familjen tonë. Dora ime nuk ia mbërrinte të tijën në tavolinën e gjerë. Si duket e kishin goditur enkas për këtë qëllim. Megjithatë, ngrohtësia dhe etja e syve të tij më thoshin gjithçka.
Pra, vetëm kaq për takimin tim më vëllanë në burg. Por, kjo ka qenë dikur,… dikur moti! Mirëpo, është kujtim që historinë mund ta këpusë në rruzë të rruzës,… historinë me donga e me mjegulli. Haj medet, për çfarë takimesh i bie ndërmend dhe i teket njeriut të shkruaj. Po,… punë e madhe. Pëlcitni. Sepse, shumëçka do të ndriçohet…!
3.
Bibliotekat kanë gjithçka përbrenda. Kanë edhe libra,… kanë edhe dokumente, besa! E, kush i lexon librat,… kush i “shpurdhë” dokumentet?! Të krisurit. Ata që janë të dashuruar në shkronja…! Atë ditë i dorëzova dy veprat më të reja që i kam botuar sivjet: “Kërkoj dhembjen time” dhe “Mallkimi i heshtjes”. Hajt, thash, me këta tituj t’i provokoj edhe librat dhe dokumentet në këtë tempull me zë e pa zë! Jo, nuk duhet të jetë kështu…
Derisa i dorëzova këto dy vepra, zonja e cila punonte në bibliotekë, sikur u fascinua me titujt, dhe mori guximin edhe të bisedojmë për letërsinë, për poezinë… Më tha se para do ditësh, për poezinë e saj ishte shpërblyer në Sarajevë. Edhe ajo ishte poete dhe ma dhuroi librin e saj me poezi “Umorna od puta” (“E dërmuar nga rrugëtimi”)…
Dola nga biblioteka. Ishte vapë. Ditë vëre, më. Kalova pranë Radio-Kosova (dikur Radio-Prishtina) dhe e shikoj këtë histori, e cila akoma nuk flet sa as si duhet, dhe si duket heshtë për fletët dhe faqet e këtij institucioni (le ta merr e ta kuptojë kush si të dojë), i cili ishte themel i ecjeve vertikalisht të popullit, por gjithnjë nëpër teh thike e brisku. Për disa sekonda m’u parafytyruan tërë ato periudha në këtë objekt prej nga shpërndahej fjala, unë them, për të mirën e popullit, dhe ashtu është. M’u kujtuan sa hyrje-daljet dhe sa ngritje-zbritjet me ashensor, i cili, nganjëherë, nga pesha e mendimeve dhe e problemeve ngelte në heshtje, në te mbretëronte heshtja e zërit i cili mund të shpërthente në çdo çast. M’u kujtuan edhe shumë kuadro, edhe kryeredaktori përgjegjës Sh. H., i cili para pak muajsh. Po, po. Para sa ditësh ndërroi jetë, e që atëbotë ishte kuadër që rrezatonte me vullnetin, me energjinë e gatishmërinë e çeliktë për zhvillimin dhe afirmimin e informimit cilësor, të drejtë dhe me kohë të opinionit. M’u kujtuan edhe rëniet dhe ngritjet e tij, por edhe vuajtjet dhe shtrëngimet gjithfare të gazetarëve.
Me të gjitha këto, m’u kapërthur edhe hidhërimi për kohën e me kohën: po si nuk doli askush ta shkruajë një fjalë për ikjen e tij. Kjo ma turbulloi mendjen e mendjes, dhe atë bash për gjithçka…!
4.
Në atë amulli mendimesh, kthej kokën dhe shikoj Rektoratin e Universitetit të Prishtinës: dy histori të tij, dy rrugëtime ndryshe, dy krenari, por edhe dy dhembje ndryshe. Pse?! Vetëm po ua përkujtoj themelimin e Universitetit dhe punën deri në prag të luftës, por edhe punën e problemet e tij pas lufte…
Njëri më tha: merre me mend, sikur të analizohej cilësia e punës, vonesat në ligjërata, mungesat në ligjërata,… ligjërimi i profesorëve katër-pesë fakultete etj.
Mu turbullua edhe më shumë mendimi. Dhe, për ta hequr qafet këtë problem, thashë: …këto “madhështi” analizoni dhe përdorini ju në mendjen dhe arsyen tuaj. Se çfarë del pastaj, se…! Kaq! Dhe, më mirë mos të provokoj më me këtë rrëfim “bosh”…!
Tash, në tavernën e hotelit, nën një hije të lehtë kumbulle, mendoj dhe bezdis vetveten me këto shkrime të “papeshë”! Duke pirë ujin e ftohtë, i lejova vetvetes të shëtis pakëz… Unë tregoj drejtë. Duke shkruar në bllokun tim, këtu m’u harxhua ngjyra e stilolapsit që ma kishte dhuruar një mik imi nga Londra. Merrje me mend. Tani u merakosa pse mu në këtë moment m’u sos ngjyra për shkrim(!). Mora një stilolaps tjetër dhe vazhdova “shëtitjen” me shkrimin tim…
Nuk vonoi, dhe në tryezën përballë meje u ulën dy burra të cilët i shoqëronte një zonjë. Por kjo nuk më bënte përshtypje, sa shtrëngohesha për t’ia qëlluar se prej nga i njoh këto dy figura. S’më shkoi huq. Ishin dy nga ish kryetarët e shtetit amë, R. M. dhe A. M. Më erdhi zjarrmi kënaqësie: pinë kafe pa protokoll, dhe vetëm si dy njerëz të thjeshtë, këto dy figura të cilët dikur udhëhiqnin shtetin amë e tash pinë kafe në Kosovë…!
Besoni, sa u gëzova që më larguan nga shkrimi i mësipërm, por sërish, tërë gëzimin sikur ma kapërdiu kujtimi për historinë tejpërtej të të gjitha kohërave të atdheut, të popullit tim. Por, i lash rehat dy ish kryetarët të pinin kafe bashkë(!) nën hijen e pemës freskuese. Nëse doni, mos e leni vetveten rehat me ta. Provokimi i mendjes është si limonadë që freskon, ose, si spec i djegës nga i cili të qesin flakë edhe birat e veshëve…!
5.
Nxitoj për në varrim. Kishin ardhur shumë miq e qytetarë për t’ia dhënë lamtumirën e fundit mikut tim në vapën e korrikut. Gjatë ceremonialit të varrimit, njeriut i bie të dëgjoj biseda nga më të ndryshmet. Bile, aty, nganjëherë “harrohet” edhe i vdekuri!
Njëri, pak metra larg meje, me ironi u thotë shokëve të vet:
-Edhe varrimi bëhet me hile!
-Pse?! -thanë.
-Sepse, varrtari më pat thënë me një rast, këtu mund të porositet varreza sipas dëshirës. Për shembull; a do varrezë të thjeshtë,… a do varrezë të murosur, apo, do varrezë “dhomë”, domethënë, varrezë me pllakë sipër! Zgjedh…!
Një gjë e tillë më grishi shumë, e që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë më parë. Ndoshta i pasherr, por kurrë nuk kisha dëgjuar se ka varrim, siç tha ai, me “hile”! Ndërsa, derisa e sjellin kufomën deri tek varri, sa shpesh janë të hapura varret, desh sa nuk thyen qafen dhe të bien në ndonjë varr aty afër!
-Pse i kanë hapur varret kaq shpesh, aq afër njëri-tjetrit?! -fliste njëri vetë më vete e me plotë pezëm.
-Po, duhet fituar në hapësirë, ore. A nuk po e ditke, a?! -ia ktheu tjetri afër tij.
Unë, me zë pak më të lartë vetëm thashë:
-A duhet të ketë projekt e plan urbanistik për varreza,… a duhet të kanë nishan e kulturë?!
Pastaj, duke e lëshuar një grusht dhe mbi varrin e mikut, më përftoi “shërimi” i tij në shumë spitale(!). S’më hiqet mendjes shpresa për shërim e mikut tim, i cili së fundi kërkoi ilaç edhe jashtë vendit, ku atje edhe lëshoi frymën e fundit. Dua të ju them se në celular kisha marr sinjalin e mesazhit. Atëbotë, hapa telefonin dhe në ekran lexoj: mesazh, dhe kishte vetëm pika,… pa asnjë fjalë, pa asnjë shkronjë?! Vetëm kaq kishte në mesazhin e mikut, që para se t’i numëroheshin minutat e fundit të jetës ma kishte dërguar këtë “shkresë” kaq me peshë të madhe shpirtërore. Ndërsa, lotët e tij dhe fjalët e pathëna, ndoshta vetëm unë i di, që i ngjajnë etjes së amanetit,… etjes së porosisë! Më, kurrë nuk ia dëgjova as zërin, as nuk e pashë mikun tim. E kthyen në vendlindje hermetikisht të mbyllur në katërfish mbështjellës!
Tash, pa lidhje m’u kujtuan shumë vdekje të papritura që ndodhin, por edhe shumë sosh edhe të çuditshme,… të pandriçuara,… enigmatike,… të dhembshme,… Të kuptohemi, jo vetëm tek ne… Po, pse ndodhë kështu?! Për këtë, vetvetes i shtrova pyetjen: athua, vdekja është si proces egoist, apo është diçka tjetër?! Ndërsa, varrimi me hile, a është diçka që e “zbukuron”,… apo diçka që e çoroditë edhe jetën edhe vdekjen. Nëse nuk është kështu, atëherë, çfarë është e vërteta! Por, jo, jo. Mos e bezdisni vetveten se mund të bëhemi përrallë…!
(Sejdi Berisha është një poet i mirënjohur kosovar. Ai është anëtar i
Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i Lidhjes së Gazetarëve të
Kosovës.Berisha deri më tani i ka mbi 27 vepra të botuara me poezi, ese, prozë, dramë, monografi etj.)