2012-01-25

Libër i ri: Mërgim Mbretëror: Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldina




“Mërgim Mbretëror: Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldina” tregon anën sociale të kësaj historie të vërtetë, duke u bazuar në kujtimet dhe fotografitë e dëshmitarëve të atyre ngjarjeve.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipërisë i duhej një mbret i ri, post i cili iu ofrua personave të ndryshëm. Gjatë viteve 1920, një prijës shqiptar, me ndihmën e oficerëve në pension të ushtrisë Britanike, vendosi rend në vend. Në vitin 1928, ai mori titullin Mbreti Zog.

Në vitin 1938, Mbreti Zog shënoi arritjen më të madhe në aspektin e marrëdhënieve me publikun, kur u martua me konteshën e bukur amerikano-hungareze e cila mori titullin Mbretëresha Geraldinë. Mes dhuratave të martesës ishte edhe një një makinë Mercedes i kuq, dhuruar nga Hitleri. Mbreti me mbretëreshën u bënë me djalë në prill 1939.
Mergim Mbreteror: Mbreti Zog dhe Mbreteresha Geraldina, Neil Rees (foto)
Dy ditë pas lindjes së Princit Leka, italianët u dyndën dhe pushtuan Shqipërinë, prandaj familja mbretërore u arratis në mërgim. Ata përjetuan Blitz-in në Londër në hotelin Ritz dhe më pas u zhvendosën në Ascot në vitin 1941. Pjesën më të madhe të kohës së luftës ata banuan në Parmoor House, Frieth që ndodhej mes Henley-on-Thames dhe High Wycombe në Buckinghamshire, të Anglisë.

Drama e tyre zgjati edhe gjatë Luftës së Ftohtë pasi familja mërgoi në Egjipt, Francë, Spanjë, Rodezi dhe Afrikën e Jugut – duke kërkuar gjatë gjithë kohës përmbysjen e regjimit komunist, që kishte zëvendësuar mbretërinë. Familja u kthye në Shqipëri vetëm në vitin 2002.

Historia e shqiptaro-amerikanit, që për gati dy dekada përfaqësoi Shqipërinë në Washington



Nga Ruben Avxhiu

Panairi i fundit i librit në Tiranë bëri që për herë të parë, pas shumë kohësh, libri të bëhej qendra e debateve dhe vëmendjes publike shqiptare. Ky ishte një lajm i gëzueshëm për ne, që besojmë ende të rëndësia e fjalës së shkruar (e të lexuar), ashtu siç ishte edhe një burim shqetësimi se mos vëmendja e çmuar vjen për arsyet e duhura.

Kritika se disa libra me vlerë janë lënë në harresë për hir të atyre me tema të bujshme, ndonëse edhe ajo e lëshuar shpesh për arsyet e gabuara, nuk është fare pavend, por jo e mjaftueshme për t’u alarmuar. Sita e kohës do të bëjë të vetën në fund. Por ajo që ia vlen të përmendet, është se sa mirë që të paktën një libër nuk priti për kohën e panairit, po i shkoi në dorë lexuesit shqiptar përpara se të fillonte festa e librave të bujshëm. Fjalën e kam për “Faik Konicën” e kolegut nga “Zëri i Amerikës”, Ilir Ikonomi.

Ndonëse librit të Ikonomit nuk i mungon asgjë cilësore që të mos konkurronte denjësisht, madje lehtësisht me librat më të bujshëm të këtij fundviti në Tiranë, vetë subjekti i librit, Faik Konica, nuk do të mund të konkurronte për vëmendjen e medias aq mirë sa subjektet e tjera. Kjo për arsye që nuk kanë të bëjnë edhe aq shumë me Konicën, sesa me faktorë të tjerë si për shembull pikëpyetjet e shumta që ende qëndrojnë mbi historinë ende të pashkruar të 50 vjetëve të komunizmit, kurioziteti sa serioz aq edhe fetishist për shkrimtarin më të shquar shqiptar të kohëve moderne, si dhe etja për më shumë përgjigje e sqarimi për militantët politikë të së majtës shqiptare që nuk prisnin të zbulonin se cili ishte “kurbani” i kohës: opozita, demokracia, Shqipëria, apo diçka tjetër më simbolike apo më prozaike. Është për të ardhur keq nga ana tjetër, që një libër kaq i rëndësishëm për një nga figurat historike e themelore të bashkësisë shqiptare në SHBA është vështirë për t’u gjetur në tregun e librit shqip këtu në SHBA (Në fakt, ciniku brenda meje shton se as tregu vetë i librit shqip nuk gjendet më në këtë komunitet, e jo më libra të veçantë). Gjithsesi, ky libër ka rëndësi të madhe për shqiptaro-amerikanët, sepse përveç mik/armikut të tij të më shquar, Fan Nolit, vështirë të gjendet një figurë më “shqiptaro-amerikane” se Konica, që të simbolizojë lidhjen simbiotike mes bashkësisë sonë këtu në botën e re dhe Shqipërisë, atdheut nga kemi ardhur. Konica ishte kryetar i Vatrës dhe kryeredaktor i gazetës “Dielli” në ditët e saj më diellore, si dhe ambasadori më kohëgjatë përfaqësues i Shqipërisë në SHBA, një nga diplomatët më të rëndësishëm të historisë 100-vjeçare të shtetit shqiptar, por edhe rilindës, udhëheqës kulturor, shtetformues e intelektual publik (mbase i pari i tillë shqiptar) për atdheun e largët.

Historia e lidhjeve të bashkësisë sonë me atdheun nga kemi ardhur do të ishte e paplotë pa një studim të mirëfilltë të këtij simboli kaq kryesor të kësaj lidhjeje. Në këtë prizëm, meriton të duartrokitet gazetari Ikonomi, pa dyshim një nga më të mirët në historinë e “Zërit të Amerikës”, për këtë dhuratë të rëndësishme që i ka bërë historisë sonë kombëtare, historisë së diplomacisë shqiptare, si dhe pa dyshim historisë sonë komunitare. Libri ka vlera dhe do të lexohej me kënaqësi dhe vëmendje nga një numër grupimesh profesioniste dhe lexuesish të natyrave të ndryshme.

Nga një anë, Ikonomi u bën një shërbim të madh historianëve shqiptarë apo edhe atyre të huaj që merren me këtë periudhë të historisë së Shqipërisë, apo historisë së lidhjeve shqiptaro-amerikane me referencën e tij të pasur nga shtypi amerikan, me artikujt në vite ku përmenden shqiptarët dhe Shqipëria. Çdo historian që do të kërkojë të hulumtojë në të ardhmen, do të ketë të paktën një bazë të rëndësishme fillestare, që do t’i lehtësojë mjaft punën kërkimore (Ndonëse ritmi i shpejtë i dixhitalizmit të arkivave të shtypit po e bën gjithnjë e më të lehtë zhytjen në burimet e të kaluarës, kjo punë pioniere kërkimore e gazetarit Ikonomi mbetet një gur i rëndësishëm themeli në studimet shqiptare.)

Në një plan tjetër, libri për Faik Konicën u shërben pa dyshim edhe politologëve dhe të gjithë atyre që ndjekin, komentojnë apo analizojnë jetën politike shqiptare, sidomos aspektin e polemikës publike. Nuk e di nëse është një lloj çlirimi për këta njerëz apo një arsye për t’u tmerruar fakti që dy figura kaq të respektuara të së kaluarës si Noli dhe Konica janë gati po aq banalë, në mos më shumë, në dyluftimin e tyre publik, sa edhe krerët e politikës së sotme shqiptare.

Vetë e kam vështirë të them se cilën nga këto dy mbresa duhet të zgjedh. Se nga një anë dua të lehtësohem kur vë re se nuk është problemi te karakteri personal i krerëve të sotëm, sesa është te një kulturë e trashëguar përplasjesh të ashpra e me synime ndërasgjësuese të figurave publike; ndërsa nga ana tjetër më kaplon tmerri kur mendoj se jeta publike shqiptare mund t’i ketë kaq thellë të ngulitura në ADN-në e saj karakteristikat më të shëmtuara që shfaq politika sot (Debati për këtë meriton një shkrim më vete, në mos një libër më vete: ciniku brenda meje ka dëshirë të shkruajë se tema meriton “një bibliotekë më vete”…)

Në kohën e sotme shihet si e udhës që të sulmohet karakteri, prejardhja dhe familja e kundërshtarit politik, në vend që të kritikohet mesazhi i tij politik apo të kundërshtohen pikëpamjet e tij. Kjo lloj retorike është parë shpesh si trashëgimi e komunizmit (një analizë e shkëlqyer në këtë drejtim jep libri “Shqipja totalitare” e autorit Ardian Vehbiu). Mirëpo, shembujt domethënës që sjell në këtë libër Ilir Ikonomi, dëshmojnë për rrënjë më të thella që mund të jenë forcuar dhe përligjur gjatë komunizmit, por që nuk mund t’i faturohen vetëm atij (Në fund të fundit, ka një arsye se pse komunizmi ngadhënjeu në vendet ku mungonte një e kaluar e mjaftueshme dhe e mirëfilltë pluralizmi politik – e në veçanti ishte më i egër aty ku kjo traditë ishte më e paktë.)
Është e pamundur të mos të të vinë ndër mend ditët tona, kur lexon shkëmbimet e sulmeve tërësisht personale mes Nolit dhe Konicës, të banalizuara sidomos nga tifozët e tyre në të dy krahët. “Republika” që mbështeste Nolin dhe “Dielli” që mbështeste Konicën janë dy paralele të gazetave të sotme shqiptare që nga e majta në të djathtë merren me diskreditimin moral të udhëheqësve kundërshtarë. Në atë kohë, “Republika” e quante Faikun dhe vëllanë e tij, Mehmetin, “këlyshë, zagarë, langonj që i vijnë rrotull kasaphanës zogolliane”.

Një tjetër dukuri interesante që ndodh edhe në ditët tona, është loja me ndryshimin e pozicioneve. Ashtu si “Gazeta 55” që riboton sot shkrimet e Mero Bazes, ku ofendohej Edi Rama, apo si “Shekulli” që boton sot fjalimet e Sali Berishës ku akuzohet rëndë Fatos Nano, edhe “Republika” e asaj kohe kënaqej duke ribotuar artikujt e Faik Konicës, ku fyhej Mbreti Zog, tashmë që Konica e kishte kthyer fletën dhe ishte bërë ambasador i tij në Amerikë.

Nga ana e tij, “Dielli” hakmerrej duke sulmuar figurën më të shquar të historisë shqiptaro-amerikane, Fan Nolin, me epitete që sot tingëllojnë të pabesueshme si “edepsëz i edepsëzëve” dhe “karagjoz i karnavaleve, që s’beson as në fe e as në atdhe”.

Një tjetër kujtesë e ditëve tona është që kundërshtarëve politikë u mohohet edhe kombësia shqiptare (për shembull: Paskal Milo e Fatos Nano janë përshkruar shpesh si grekë, Pandeli Majko si sllav apo Sali Berisha, kur akuzohet se e ka gruan serbe, apo një pjesë e mirë e krerëve socialistë tregohen si vllahë, duke i nënkuptuar një konotacion negativ me këtë grupim etj.), “Dielli” e përshkruante Fan Nolin si “një turk, i cili sot nuk ka as njerëz e as shtëpi në Shqipëri”. Problemi me shqiptarët si atëherë edhe sot, është dëshira për asgjësim total të kundërshtarit. Fjala vjen për Edi Ramën- sot Sali Berisha nuk është vetëm një Kryeministër i keq, po edhe një vrasës, një hajdut etj.

Noli është në fakt, më i rafinuar edhe në ditën më të keqe: “Faik Beu kur godet, s’ka turp as nga shpifja më e poshtër, ndërsa kur përkëdhel, nuk ka turp as nga lëvdata më groteske”.

Në një plan tjetër, “Dielli” paralajmëron shqiptaro-amerikanët që bëhen me Nolin se mund t’u prishin punë të afërmve të tyre në Shqipëri. Ky kërcënim pa doreza është një tjetër turp i kohës, që më solli në mend një mesazh nga një autor i njohur në komunitet, i cili para disa muajsh më shkroi se të afërmit e tij në Shqipëri e kanë akuzuar se po humbasin vendet e punës për shkak të shkrimeve të tij kundër Kryeministrit Berisha!! A është kjo një ankesë reale apo thjesht paranojë e familjarëve të tij? Nëse është reale, nuk do të ishte pa precedent. Kjo është për t’u shqyrtuar ndoshta si një temë më vete e që shtrihet në vite. Kam parasysh histori të ndryshme që kam dëgjuar për kujdesin e një numri mërgimtarësh këtu në komunitet për të mos folur kundër komunizmit gjatë Luftës së Ftohtë, nga frika se nga fjalët e tyre mund ta pësonin të afërmit e tyre në Shqipëri. Për gjërat negative, largësia më duket se nuk ka qenë asnjëherë shumë e madhe nga atdheu përtej Oqeanit. Urrejtja e hakmarrja kanë udhëtuar shpesh shumë më shpejt se mirënjohja dhe shpërblimi.

Janë gjithashtu po aq tipike raportet e Konicës kundër Nolit pranë Departamentit të Shtetit, ku kërkonte që Noli të mos lejohej të kthehej në SHBA, apo të deportohej nëse kishte hyrë. A nuk është denoncimi te miqtë e huaj një nga “virtytet” e politikës së sotme shqiptare? Edhe ky tipar duket se është përkryer nga komunizmi, por nuk ka lindur me të.

Unë nuk besoj te librat dhe autorët e përkryer dhe sigurisht “Faik Konica” i Ilir Ikonomit nuk bën përjashtim, mirëpo autori e ofron punimin e tij me një modesti dhe vetëpërmbajtje çarmatosëse. Ato që mund të shiheshin si të meta të librit, nuk janë në fakt mungesa në punën e autorit, sesa zgjedhje mbase të ndërgjegjshme të tij. Sigurisht që jeta dhe veprimet e Konicës në Washington do të kuptoheshin më mirë nëse gjurmohej më shumë në të kaluarën paraamerikane të Konicës. Gjithashtu Konica nuk do të mund të qëndronte kaq gjatë në Washington, nëse ai nuk do të ofronte bashkë me punën e tij diplomatike edhe përkrahjen për Mbretin Zog në komunitetin shqiptaro-amerikan. Mirëpo kjo lyp kuriozitetin për të kuptuar se pse dhe si arriti Konica së pari të fitonte, pastaj të ruante pushtet mes shqiptarëve në Boston e rrethina. Cilat ishin forcat vepruese aty? Si dhe pse u anuan në mënyrë të atillë mes Konicës dhe Nolit?

Sigurisht, historianët do të kërkonin edhe më shumë kontekst historik për të kuptuar më mira disa ngjarje e veprime, si dhe hipotezat se si mund të ishte vepruar ndryshe nga ndonjë tjetër diplomat ndoshta më shumë teknik, qoftë edhe më pak intelektual se Konica.

Po nëse do të kënaqeshin të gjitha këto kërkesa, libri do të humbte mbase finesën e tij dhe vepra që do të kishim në dorë do të ishte shumë më e ndryshme se kjo që kemi. Ikonomi duket se e ka shmangur qëllimisht thellimin në tema që do ta transformonin librin e tij. Mbi të gjitha “mëkati i ndërgjegjshëm” ka të bëjë vetëm me planin shpjegues të jetës së Faikut dhe jo me atë përshkrues. Libri mbetet gjurmuesi më i mirë i bërë deri tani i jetës së Faikut si diplomat dhe mund të mos kapërcehet dot ndonjëherë nga ndonjë libër tjetër.

Zgjedhjet e Ikonomit për librin shpjegohen edhe me atë që janë zgjedhje klasike të gazetarit. Ndryshe nga historianët, politologët e sociologët, gazetari shkruan për të gjithë. Një ndreqje pra e mungesave të mësipërme rrezikon në radhë të parë ta bëjë librin më pak të lexueshëm, duke e zhvendosur më afër bibliotekës akademike sesa rafteve të librarive. Dhe në fakt, libri është i lexueshëm dhe interesant për këdo. Madje edhe lexuesit e tabloideve do të gjenin në të shumë tema kurioze. Imagjinoj disa tituj që do të bënin bujë në shtypin e Tiranës: “Kur motrat e Zogut mund të bëheshin yje në Hollivud”, “Orgjia e mohuar në banesën e ambasadorit Konica në Washington”, “Romanca e ambasadorit Konica me yllin e kabareve të Washington-it” etj.

Për mua, surpriza më e këndshme ishte që Konica kishte fituar “Kapelën e Humorit” nga e përmuajshmja e shquar e kohës “The Judge” (Gjykatësi). Letra e Konicës që i paraprin fitimit të çmimit, ku ai reciton me disa ndryshime të goditura vargjet e Shekspirit, është një lexim brilant.

Që një ambasador i një vendi aq të vogël është përmendur aq shpesh në gazetat më të mëdha të kohës, dëshmon shumë për Konicën. Ai mund të konkurrojë denjësisht në këtë drejtim edhe me ambasadorët më të shquar të vendeve më të mëdha, në të gjitha kohërat, jo vetëm në vitet ‘30.

Një nga pjesët më zbavitëse në libër është kur Noli tregon dekada më vonë një bisedë me Faikun (ata u pajtuan përsëri pas “dekadës së sherreve”), në të cilin e qorton për veprat që i nis, por nuk i mbaron. “Ja e shkrova, po kush do ta këndonjë?”, i thotë Faiku duke reflektuar edhe një herë pakënaqësinë e tij për prapambetjen intelektuale në botën shqiptare.

Druajtja se kush dhe si do ta lexojnë veprën e tij, është shqetësim i çdo autori. Shqetësimi im në këtë shkrim është se disa krerë të sotëm të komunitetit që shumicën e kohës e kalojnë duke përgojuar njëri-tjetrin sesa duke bërë ndonjë gjë me vlerë për kauzat e tyre, do të gjejnë justifikim dhe përligjje nga rasti i përplasjes mes Nolit dhe Konicës. Por kur të mërzit banaliteti i përplasjes së dy figurave të ndritura, imagjino çfarë mërzie e pështirosjeje ndien njeriu nga përplasja banale e figurave banale.

Për fat të mirë, Ilir Ikonomi nuk duket se vuan nga shqetësime të tilla. Merita e tij kryesore është se ai e ofron këtë libër pa asnjë pozë, pa asnjë përpjekje për të na bindur për ndonjë gjë. Ikonomi ka treguar një vetëpërmbajtje që është e rrallë sot mes autorëve shqiptarë, të cilët çdo libër e kanë për veten e tyre. Ti e merr librin në dorë dhe mendon se po lexon për personin në fjalë apo për temën në diskutim, në fakt zbulon se po lexon për autorin. Aftësia për të lënë veten jashtë, për të lënë pikëpamjet e tij jashtë, për të ofruar Konicën pa u përpjekur për ta zbukuruar apo për ta shëmtuar, për ta patriotizuar apo për ta ideologjizuar, është edhe virtyti kryesor i Ikonomit si autor. Kjo ndoshta vjen nga besimi i Ikonomit se jeta e Konicës “flet vetë”, sigurisht e gërshetuar me pjekurinë dhe seriozitetin e tij si gazetar.

Fjalori Historik i Kosovës nga Robert Elsie



Fjalori Historik i Kosoves, Robert Elsie (kopertina)
Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se tashmë ka dalë në treg botimi “Fjalori Historik i Kosovës” nga Robert Elsie. Ky botim i dytë i Fjalorit Historik të Kosovës, i rishikuar dhe zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme, i jep lexuesit informacione më të fundit për Kosovën dhe popullin e saj deri në mes të vitit 2010, duke përfshirë kështu periudhën e administrimit ndërkombëtar deri te shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, dhe më tej. Ju ftojmë të lexoni më tej nga parathënia e librit…
Kosova është një tokë e lashtë, por që mediumet dhe bota perëndimore në të vërtetë e ‘zbuluan’ vetëm gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990 të shekullit të kaluar, fillimisht thjesht si një re tjetër e zezë që u shfaq në horizont, diku përtej Bosnjës. Që prej atëherë, u vërshuan një varg botimesh brenda një kohe relativisht të shkurtër, pjesa më e madhe e të cilëve fokusoheshin tek lufta e Kosovës e viteve 1998-1999, shtypja e tmerrshme politike dhe gjendja tejet e rëndë e të drejtave të njeriut nën regjimin serb, kriza humanitare dhe ushtarake që u shkaktua si pasojë e tyre, çështja shumë e kontestuar e statusit dhe pavarësisë, si dhe politika ndërkombëtare që lidhej me të. Pavarësisht nga gjithë kjo vëmendje dhe nga prania e institucionalizuar e bashkësisë ndërkombëtare për prej vitit 1999, Kosova ende nuk është fort e njohur si vend.
Fjalori Historik i Kosovës orvatet ta balancojë këtë problem dhe ta paraqesë Kosovën në një kornizë më të gjerë. Ai përqendrohet jo vetëm tek shumë prej çështjeve të mësipërme, që sigurisht, ende ia vlen t’u kushtohet vëmendje, por shpreson gjithashtu t’i japë lexuesit të interesuar informacione për Kosovën si një vend me një kulturë të pasur dhe histori të gjatë, ose më mirë, si një vend me disa kultura dhe, siç mund të thotë dikush me paksa ironi, me disa histori. Kosova është më tepër se sa një krizë problematike sigurie për Perëndimin. Ajo është një vend i ri evropian, me rreth dy milion banorë, një tokë poetësh dhe shkrimtarësh, piktorësh dhe skulptorësh, dijetarësh dhe artistësh. Është një tokë monumentesh kulturore, ndër të cilat xhami osmane me zbukurime të imta dhe kisha e manastire të vjetra ortodokse, tregje orientale, fushëbeteja e peizazhe të mahnitshme. Kosova është një vend me burime të konsiderueshme natyrore dhe një popullsi të re e optimiste, të etur për ta bërë atdheun e vet pjesë përbërëse të Evropës. Ajo është një demokraci e re me potencial të madh, por që, padyshim, ka trashëguar shumë probleme të mëdha nga e shkuara e errët.
Pjesa më e madhe e 475 zërave që përfshihen në botimin e dytë të këtij Fjalori Historik të Kosovës u kushtohen njerëzve dhe personaliteteve. Këta nuk janë vetëm figura historike, por edhe figurat të sotme publike dhe udhëheqës politikë, si dhe individë që kanë dhënë kontribute të shquara në arte dhe shkencë.
Pa lënë pas dore pakicat kombëtare të serbëve, boshnjakëve, romëve dhe turqve, ky vëllim niste nga realiteti i Kosovës së sotme të pasluftës, si një vend kryesisht shqipfolës. Në përputhje me këtë, aty ku nuk specifikohet ndryshe, zotat për personat bëjnë fjalë për individë nga grupi i shumicës shqiptare, i cili përbën rreth 92 për qind të popullsisë.
Thuhet shpesh që popujt e Ballkanit kanë marrë përsipër më tepër histori nga ç’mund të mbajnë. Shpresojmë që ky vëllim t’ua lehtësojë disi lexuesve barrën e të kuptuarit të kësaj historie dhe t’i ndihmojë ata ta njohin Kosovën, anëtaren e re të familjes evropiane.
Robert Elsie - Hagë, Holandë
Robert Elsie (foto)Albanologu Robert Elsie lindi në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe të gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978. Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e ‘takimeve shkencore’ midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft) ), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në një fshat malor të Gjermanisë afër kufirit belg.

Letërsia shqipe: një histori e shkurtër (Robert Elsie)


Skeda:Letërsia shqipe, një histori e shkurtër (Robert Elsie).jpg
Letërsia shqipe është një letërsi evropiane, e megjithatë, ajo është zhvilluar relativisht e veçuar nga kultura mbizotëruese evropiane. Shqiptarët, të cilët rrjedhin nga fiset nomade vendëse të Ballkanit Jugperëndimor, dhe që janë mësuar të jetojnë në një terren malor nga më të thepisurit në të gjithë gadishullin, i konsoliduan vendbanimet e veta larg udhëkryqeve më të rrahura të qytetërimit evropian. Kultura e tyre ka qenë dhe mbetet një kulturë krejt e ndryshme dhe unike evropiane, ndërsa letërsia e tyre e shkruar edhe sot pasqyron shumë prej karakteristikave të saj të veçanta. Madje ky është një prej faktorëve që e bën letërsinë shqiptare kaq të mahnitshme.
Për fat të keq, për letrat shqipe është shkruar shumë pak, sigurisht, me përjashtim të veprave të botuara në vetë gjuhën shqipe. Në nivel ndërkombëtar, tema e letërsisë shqipe ende mbetet përgjithësisht e patrajtuar. Kjo lënie pas dore vjen kryesisht nga mungesa e specialistëve ndërkombëtarë me njohuri të shëndosha të gjuhës letrare shqipe dhe jo për shkak të ndonjë mungese të vetë krijimtarisë letrare.
Vëllimi "Letërsia shqipe: një histori e shkurtër", orvatet të mbushë këtë zbrazëti, duke bërë një përshkrim të përmbledhur të zhvillimit të të shkruarit krijues në gjuhën shqipe. Ai përqendrohet tek autorët dhe rrymat më kryesore të letërsisë shqipe, që prej teksteve më të hershme në shekujt e trembëdhjetë, pesëmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, deri tek fillimi i mijëvjeçarit të ri, dhe është shkruar duke pasur parasysh një lexues të zakonshëm, që mund të mos ketë shumë njohuri në këtë fushë. Si i tillë, libri mund të jetë i dobishëm si udhëzues për të gjithë ata, fushat e interesit të të cilëve përfshijnë kulturat ballkanike, letërsinë e krahasuar dhe historinë e kulturës evropiane në përgjithësi.
Letërsia shqipe u zhvillua relativisht vonë dhe rritja, madje edhe vetë ekzistenca e saj, është rrezikuar në shumë periudha. Libri i parë i botuar në gjuhën shqipe, sipas të dhënave që kemi, u shkrua në vitin 1555. Por pavarësisht nga ai dhe nga vepra të tjera të hershme, për letërsi kombëtare në Shqipëri mund të flitet me plot gojën vetëm nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë e më tej.
Bima e brishtë e letërsisë shqiptare u rrit në një tokë shkëmbore. Ajo herë mbinte e lulëzonte, dhe herë shkulej nga dheu prej rrjedhës brutale të historisë politike të Ballkanit. Letërsia e hershme e Shqipërisë së krishterë humbi nën flamujt e islamizmit, kur vendi u bë me dhunë pjesë e Perandorisë Otomane. Letërsia e Shqipërisë myslimane, shumë pak e njohur edhe sot, u tha e u vyshk në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur shqiptarët i kthyen shpinën Portës së Lartë dhe deshën të krijojnë një shtet të pavarur evropian. Fillesat e shëndosha të letërsisë moderne në vitet 1930 u shfarosën pa mëshirë nga udhëheqësit stalinistë, që morën pushtetin në vitin 1944 dhe e mbajtën deri në vitin 1990. Dhe së fundi, me të rënë diktatura, letërsia shqiptare e realizmit socialist, krijesë e regjimit komunist, u bë e vjetruar dhe e padëshirueshme. Për periudha të tëra historike, për shqiptarët ka qenë e ndaluar me ligj që të shkruanin dhe botonin në gjuhën e tyre. Librat dhe shkollimi në shqip ishin të ndaluar në të gjithë Shqipërinë pothuaj deri në fund të sundimit otoman në vitin 1912, dhe një ndalim i ngjashëm, herë zyrtar dhe herë jozyrtar, ka qenë në fuqi edhe në Kosovë nën sundimin serb, deri në vitet 1960.
Megjithatë, kjo bimë e brishtë e kësaj toke të ashpër legjendare ka prodhuar disa lule të mahnitshme, shumë prej të cilave e meritojnë vëmendjen e botës së jashtme.
Pas një mungese të gjatë, gjashtë deri në shtatë milion shqiptarët e Ballkanit po rifitojnë tani vendin e tyre në Evropë dhe kultura e tyre në lulëzim meriton më shumë njohje e vlerësim. Do të shpresoja që ky libër të japë shtysën e nevojshme për këtë.
Nuk më mbetet tjetër veç t'u shpreh mirënjohjen time shumë njerëzve dhe institucioneve që më kanë ndihmuar në përgatitjen e këtij libri. Falënderime të posaçme i takojnë Janice Mathie-Heck nga Kalgari (Kanada) për rishikimin e versionit përfundimtar të dorëshkrimit.


PASQYRA E LËNDËS
1. Letërsia e hershme shqipe (shek. 15-17)
1.1 Fillimet e shkrimit në shqip
1.2 Teodor Shkodrani (1210) dhe shkrime të tjera të hershme
1.3 Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)
1.4 Lekë Matrënga dhe "Doktrina e Krishterë" (1592)
1.5 Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)
1.6 Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635)
1.7 Pjetër Bogdani dhe Cuneus Prophetarum (1685)
1.8 Rënia e letërsisë së hershme shqipe
2. Letërsia myslimane në Shqipëri (shek. 18-19)
2.1 Lindja e islamizmit
2.2 Letërsia e bejtexhinjve
3. Letërsia arbëreshe (shek. 18-19)
3.1 Mërgimi shqiptar në Itali
3.2 Letërsia e hershme arbëreshe
3.3 Jeronim De Rada dhe zgjimi kombëtar
3.4 Poetë romantikë: Françesk Santori, Gavril Dara dhe Zef Serembe
3.5 Filizi i Sicilisë: Zef Skiròi
4. Letërsia e Rilindjes: zgjimi kombëtar shqiptar (shek. 19)
4.1 Fillimet e zgjimit kombëtar
4.2 Vëllezërit Frashëri dhe letërsia e romantizmit kombëtar
4.3 Kultura e Rilindjes në Shqipërinë e Veriut
4.4 Rëndësia e letërsisë së Rilindjes
5. Periudha e pavarësisë (nga fillimi i shek. 20 deri më 1944)
5.1 Poetë të periudhës kalimtare: A. Z. Çajupi, Ndre Mjeda dhe Asdreni
5.2 Mjeshtër të finesës: Faik bej Konica dhe Fan Noli
5.3 Zëri i kombit: Gjergj Fishta
5.4 Lajmëtarët e modernizmit: Migjeni dhe Lasgush Poradeci
5.5 Proza e periudhës së pavarësisë: Ernest Koliqi dhe Mitrush Kuteli
5.6 Autorë të tjerë para ardhjes në pushtet të komunistëve
5.7 Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë
6. Realizmi socialist shqiptar dhe më tej (fundi i shek. 20)
6.1 Vërshimi e realizmit socialist
6.2 Risi dhe disidencë: veprat e Ismail Kadaresë
6.3 Prozatorë të tjerë të periudhës së socializmit dhe më tej
6.4 Poetët e popullit
7. Letërsia e sotme shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe Diasporë
7.1 Shqiptarët në ish Jugosllavi
7.2 Lindja e prozës shqipe në Kosovë
7.3 Poezia në Fushën e Mëllenjave
7.4 Letrat bashkëkohore arbëreshe
8. Liri dhe kaos: letërsia e sotme shqipe
9. Bibliografi
10. Tregues

LIBRI, BIBLIOTEKA DHE HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE



Prof. Dr. Sali Bashota - Prishtinë 



I.    LIBRI



Veprimtaria botuese në gjuhën shqipe në Kosovë ka filluar në vitet ‘40 të shekullit XX. Që nga viti 1943 fillojnë të botohen broshura të ndryshme në gjuhën shqipe. Libri i parë ‘i leximit’ botohet në vitin 1945, ndërsa Abetarja e parë në vitin 1946. Në vitin 1950 themelohet Shtëpia Botuese “Mustafa Bakija”, e cila në fillim të veprimtarisë së saj botonte vepra të përkthyera e pastaj edhe vepra origjinale. Në këtë periudhë fillojnë të botohen vepra të autorëve të Kosovës, ndërsa nxitja, përkrahja dhe afirmimi i krijuesve përqendrohet sidomos pas themelimit të revistës letrare “Jeta e re” në vitin 1949. Kjo revistë e kishte rolin dhe misionin e saj të rëndësishëm në përkrahjen e krijuesve  dhe në zhvillimin e përgjithshëm të letërsisë dhe kulturës në Kosovë.
Aktiviteti i Shtëpisë Botuese “Mustafa Bakija” integrohet në vitin 1956 në kuadër të shtypshkronjës “Miladin Popoviqi”, ndërsa  në vitin 1958 Ndërmarrja Botuese Grafike “Rilindja”, me veprimtarinë e saj të gjithanshme në shumë fusha, gjithsesi, bëhet edhe botuesi kryesor i veprave të përkthyera dhe i veprave origjinale.  
Veprimtaria botuese e teksteve shkollore përqendrohet tek Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, që është themeluar në vitin 1970, përkatësisht Shtëpia Botuese e tanishme Libri Shkollor. Prej vitit 1962 deri në vitin 1969, si paralele e ndarë e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Serbisë, ishin botuar 464 tituj të teksteve shkollore, ndërsa në edicionin e këtij botuesi në periudhën mes viteve 1970-1979 u botuan 492 tituj të teksteve shkollore. Në periudhën e viteve 1980-1989 ishin botuar 831 tituj të teksteve shkollore për arsimim fillor dhe të mesëm. Prej vitit 1992 deri në vitin 2001 u botuan 370 tituj të teksteve shkollore. Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, përkatësisht Libri Shkollor që nga viti 1992 deri në vitin 2006 i ka botuar rreth 500 tituj të teksteve mësimore të të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe lektyrën shkollore.
Në vitin 1943 broshurat e para u botuan në tirazh 200 ekzemplarë, ndërsa Abetarja e parë u botua me një tirazh 66.500 ekzemplarë. Vetëm në vitin 1955 u botuan 64 tituj veprash të reja. 
Redaksia e botimeve  “Rilindja”, e cila  botoi mbi 2000 vepra të autorëve shqiptarë, i ka afirmuar vlerat kulturore, shkencore e letrare jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Shifra dhe fakte dëshmojnë se deri në vitin 1974 u botuan 1073 tituj, ndërsa deri në vitin 1984 u botuan 3200 tituj. Para ndërhyrjes së masave të dhunshme serbe, pra  deri në vitin 1989, “Rilindja” i kishte botuar mbi 3800 tituj veprash të ndryshme.
Në aktivitetin botues të “Rilindjes”, e cila çdo vit i botoi nga 120 tituj të rinj, është mbështetur krijimtaria origjinale e autorëve bashkëkohorë, botimi i veprave komplete, botimi i veprave të autorëve të traditës, si dhe veprat e përkthyera. “Rilindja” u bë njëri ndër botuesit më të mëdhenj në rajon, madje edhe me tirazhin e veprave të botuara, duke e afirmuar kulturën dhe letërsinë shqipe në panairet kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga vëllimi i madh i botimeve në këtë periudhë, në vitin 1985 Kosova kishte një libër për kokë të banorit.
Në vitin 1989 “Rilindja” i  botoi 80 tituj, ndërsa në periudhën e viteve 1990-1999 çdo vit u botuan mesatarisht nga 30-40 tituj. Këtë periudhë e karakterizon deinstitucionalizimi i kulturës shqiptare, domethënë rrënimi dhe okupimi i saj, si dhe paralizimi i botimeve në gjuhën shqipe nga pushteti i Serbisë në Kosovë. 
Veprimtarinë botuese me karakter hulumtues dhe shkencor e kanë zhvilluar dhe e zhvillojnë edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e cila  nga viti 1976 deri në vitin 2008 i ka botuar mbi 200 botime veprash të ndryshme nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, shkencave shoqërore, shkencave të natyrës, arteve, duke përfshirë edhe botime kolektive dhe revista të përkohshme, ndërkaq Instituti Albanologjik i Prishtinës, prej fillimit të veprimtarisë botuese e deri në vitin 2008 i ka nxjerrë 400 botime nga fushat e albanologjisë: gjuhësi, letërsi, folklor, histori dhe etnologji.
Edhe institucionet tjera arsimore, shkencore, kulturore, siç janë: Universiteti i Prishtinës, Arkivi i Kosovës, Instituti i Historisë, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës e kanë zhvilluar dhe vazhdojnë me veprimtarinë botuese në fushat e tyre hulumtuese, shkencore, profesionale.
Në Kosovë, pos “Rilindjes”, e cila ndodhej në situatë të pafavorshme për të ushtruar funksionin e saj, në vitin 1990 veprimtarinë e pavarur botuese e fillon Ndërmarrja Botuese “ Buzuku”, ndërsa në vitin 1994 Shtëpia Botuese “Dukagjini”, si botues privatë. Pas viteve 1999 edhe Shtëpitë Botuese “Faik Konica”, “Rozafa”, “Shpresa”  dhe botues të tjerë e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e botimeve. Shtëpia Botuese “Dukagjini”, pas viteve 1999 fillon të botojë edhe literaturë shkollore.
Veprimtaria botuese në Kosovë është zhvilluar edhe në institucione të tjera shoqërore dhe private në shumë komuna të Kosovës.





II.    BIBLIOTEKA




Në Kosovë funksionon rrjeti bibliotekar i këtyre bibliotekave: Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, bibliotekat ndërkomunale, komunale, universitare, speciale dhe shkollore.
Sipas burimeve të ndryshme, historiku i bibliotekave në Kosovë daton nga periudha të hershme, madje edhe në shekujt XIV-XV. Funksioni i këtyre bibliotekave ndërlidhet kryesisht me misionin e bashkësive të kultit.
Në vitin 1944 në Prizren është themeluar institucioni i parë bibliotekar në Kosovë. Prandaj, themelimi dhe zhvillimi i bibliotekave në Kosovë, gjithsesi, pikë referimi e ka Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, e cila ka kaluar nëpër disa faza, madje duke marrë emërtime të ndryshme: Biblioteka Regjionale e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë  (1944-1952), Qendra Bibliotekare e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë  (1956-1961), Biblioteka Popullore Krahinore (1961-1970), Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës (1970-1990), Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës e Metohisë ((1990-1999), ndërsa nga viti 1999-Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.
Ndërtesa e tanishme e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u inaugurua më 25 nëntor 1982. Hapësira e saj përfshin 16.500 metra katrorë. Është e përbërë me dritare zenitale, me gjithsej  99 kupola, të cilat e kanë simbolikën e vet të veçantë arkitekturale.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është institucioni bibliotekar qendror i Kosovës dhe qendër e informacionit bibliotekar në nivel kombëtar. Aktiviteti i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës është i ngjashëm sikundër bibliotekat tjera kombëtare në shtete të ndryshme të botës, edhe si anëtare në institucione të ndryshme  ndërkombëtare. 
Me rrënimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në vitin 1989, veprimtaria  bibliotekare, sikundër edhe në sferat tjera në kulturë, arsim e shkencë, u diskriminua nga pushteti serb. Periudha e viteve 1998-1999 është periudha e okupimit dhe e inkuizicionit, pra e shkatërrimit, zhdukjes dhe e djegies së koleksioneve bibliotekare në shumë biblioteka publike dhe private në Kosovë. 
Nga viti 1990 deri në vitin 1999 në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës pushteti okupues serb aplikoi masat e dhunshme dhe u mohohej e drejta lexuesve shqiptarë për shërbime. Pos që ishte mbushur me refugjatë serbë nga Kroacia dhe Bosnja, në periudhën mars-maj 1999, gjatë ndërhyrjes së NATO-s, ndërtesa e  Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës ishte edhe bazë e ushtrisë serbe. 
Gjithashtu, në periudhën e administrimit serb Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës i janë shtuar 22.000 libra, të gjitha në gjuhën serbe dhe asnjë në gjuhën shqipe, ndërsa po në këtë periudhë 100.000 libra në gjuhën shqipe, të cilat kanë qenë të destinuara për shkëmbim dhe dhurim janë zhdukur nga administrata e dhunshme e këtij institucioni. Po kështu, në këtë institucion është një bërë edhe një spastrim i madh i koleksioneve me vlerë nacionale, sidomos veprat e autorëve të traditës shqipe.
Sipas të dhënave nga revizioni i koleksioneve bibliotekare  në vitin 2004, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës  numërojnë 1.890.194 njësi bibliotekare, me 475.324 tituj, nga të cilat: libër: 382.806 njësi; revista: 281.591 njësi; gazeta: 984.022 njësi dhe botime të tjera: 241.775 njësi. Nga viti 2004-2008 pasurimi i fondeve bibliotekare në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës përmes ekzemplarit të detyrueshëm, blerjes dhe dhuratave është rritur edhe mbi 30.000 tituj të rinj.
Libri më i vjetër në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovë është “Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, Princit të Epirotëve”, i autorit Marin Barleti, përshkruar në gjuhën latine, i cili është përkthyer gjermanisht nga Johan Piniciani, botuar në Augsburg në vitin 1533.
Nga viti 2005 Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës e ka në funksion sistemin e automatizuar bibliotekar Aleph 500 dhe deri në fillim të vitit 2009 katalogimi elektronik është bërë 54.921 njësive bibliografike, apo 79319 njësive fizike.
Gjithashtu, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës përmes Konsorciumit të Bibliotekave Elektronike ka qasje në revistat më të njohura elektronike në botë.
Veprimtaria bibliotekare zhvillohet edhe në bibliotekat ndërkomunale në Kosovë, të cilat konsiderohen si biblioteka të nivelit të dytë. Këto biblioteka funksionojnë në qendrat më të mëdha të Kosovës: Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Leposaviq, ndërsa bibliotekat komunale në qytete më të vogla të Kosovës konsiderohen si biblioteka publike të nivelit të tretë.
Në vitet 1998-1999 në bibliotekat publike dhe private në Kosovë janë zhdukur dhe djegur me mijëra koleksione bibliotekare. Sipas burimeve vendore dhe ndërkombëtare, vetëm në 183 biblioteka në Kosovë ndërmjet viteve 1990-1999 kanë humbur afër 1.000 000 ekzemplarë të botimeve të ndryshme.
Në vitin 1989 në Kosovë kishte 328 biblioteka shkollore, ndërsa në vitin 1992 mbetën vetëm 146 biblioteka. Në vitin 1989 kishte 176 biblioteka publike, ndërsa në vitin 1995 mbetën vetëm 59 biblioteka. Para vitit 1990 në bibliotekat publike në Kosovë kishte 2.014.628 ekzemplarë, ndërsa pas vitit 1999 mbetën vetëm 1.114.060 ekzemplarë. Të dhënat statistikore dëshmojnë për një zhdukje masive të koleksioneve bibliotekare në shumicën e bibliotekave të Kosovës.
Në vitin 2005 në Kosovë kishte 498 biblioteka të të gjitha llojeve. Fondi i përgjithshëm i këtyre bibliotekave përbëhej nga 1.396 121 tituj dhe 3. 465 372 njësi bibliotekare.
Veprimtaria bibliotekare në Kosovë zhvillohet edhe në institucione të  tjera shkencore, arsimore, siç janë: Biblioteka e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Biblioteka e Institutit Albanologjik, bibliotekat e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, pastaj bibliotekat shkollore etj.
Libri dhe bibliotekat në Kosovë kanë kaluar nëpër periudha të ndryshme të zhvillimit dhe të ndërprerjes. Faktet dhe dëshmitë tregojnë për fazat e zhvillimit dhe të afirmimit normal të veprimtarisë botuese dhe bibliotekare, por edhe për fazat e diskriminimit dhe të okupimit, duke filluar sidomos nga vitet 80-ta të shekullit XX e deri në vitin 1999.
Zhvillimet e reja në sistemin bibliotekar në Kosovë, kryesisht kanë të bëjnë me modernizimin e shërbimeve përmes teknologjisë së re të komunikimit dhe të qasjes së lirë në burimet e informacionit.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është anëtare e asociacioneve dhe institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Është anëtare e ISBN-së, ISMN-së, Konferencës së Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Botës,  Unionit të Bibliotekave të Ballkanit, Lidhjes së Bibliotekave Hulumtuese të Evropës etj.





III.      KUJTESA KOMBËTARE





Rrëfimi për një  Bibliotekë nacionale mund të sajohet nga shumë fjalë të zgjedhura, të urta, mbase, jo rrallë, edhe  të shenjta, të shndërruara në histori apo në gojëdhënë. Kujtesa e saj apo kujtesa për të, mund të shndërrohet, gjithashtu, në një simbol komunikimi me të tjerët dhe prapë do të mbetet si  gjithnjë vetëm historia e Librit dhe e Bibliotekës.
Siç është e njohur, tekstet në formën e shkruar e sajojnë  dhe i përgjigjen gjenealogjisë së një kombi dhe të një civilizimi, prandaj çdo popull identitetin e vet e fillon me shkrimin, pra me datëlindjen e shkrimeve të para në gjuhën e tij.
Në këtë kontekst, Biblioteka, si vend i shkrimeve, i dorëshkrimeve, i librave të vjetër e të rinj, i hartave, i fonodokumenteve, i fotodokumenteve dhe i koleksioneve të tjera , e prodhon vetë në kujtesën e shekujve  historinë e njerëzimit në periudha të caktuara, madje edhe historinë e fjalës së shkruar.
Projekti kombëtar me emrin Kujtesa Shqiptare, doemos,  do ta ketë  rolin kryesor në grumbullimin, seleksionimin, sistemimin dhe digjitalizimin e materialeve të veçanta, për t’iu ofruar lexuesit një qasje të lirë në botën e internetit, sidomos për të kaluarën dhe të ardhmen e shqiptarëve, nëpër periudha të ndryshme historike.
Po kështu, Kujtesa Shqiptare, si e tillë, do të mund të përmblidhte imagjinatën e shkrimtarëve, artistëve, teoricienëve, filozofëve, psikologëve, shkencëtarëve etj., pikërisht atë imagjinatë kreative të shndërruar në vepra të dijeve të ndryshme, që do ta  përbënte një bibliotekë, doemos, me idetë dhe mendimet që, po ashtu,  do të funksiononin përmes  gjuhës së komunikimit, në shumë rrafshe të komunikimit.
Kudo në botë, bibliotekat kombëtare të çdo shteti, i kanë format e veta të mbledhjes së materialeve të dokumentuara, qoftë të trashëgimisë së shkruar, qoftë të trashëgimisë gojore, për t’i dhënë prioritet historisë, gjuhës, kulturës etj., për të ndërtuar një Depo Qiellore, që e ka kuptimin e Gjithësisë, siç do të thoshte Umberto Eco.
Prandaj, në këtë Depo Qiellore, përparësi do të kenë materialet me vlerë të veçantë dhe unikate kombëtare, që do ta dokumentonin lashtësinë, gjuhën, identitetin, qytetërimin, kulturën etj.
Historia e një kombi nuk mund të njihet, të shkruhet a të rishkruhet, madje të vlerësohet pa thesarin a trashëgiminë e një biblioteke kombëtare të atij vendi, duke iu rikthyer vazhdimisht kujtesës kombëtare në fazat e zhvillimit të asaj kulture a qytetërimi të lashtë të popullit që i takon. 
Biblioteka e humbur, si ajo e Aleksandrisë apo Biblioteka e pushtuar, madje edhe me fondet e saja të asgjësuara  në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit  XX, siç është Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, si dhe  shumë biblioteka të tjera në botë, e kanë krijuar ekzistencën dhe historinë e tyre, në variante të ndryshme të gjëllimit.
Mirëpo, përbrenda plotnisë së identitetit dhe kulturës kombëtare, rrugëtimi ynë historik, i veçantë dhe  i përbashkët, kuptohet me kufi të ndarë, nuk ka qenë i njëjtë, pra ka qenë i ndryshëm, prandaj edhe kujtesa e lexuesit shqiptar, iu është nënshtruar, herë diktatit e ideologjisë, herë anatemimit e pushtimit.
Pra, kështu ka ndodhur edhe me kujtesën e lexuesit për një letërsi nacionale, siç është letërsia shqipe, kur ajo madje është ndarë në përparimtare e reaksionare. Pra, kështu ka ndodhur me personalitetet letrare: Fishta, Konica, Koliqi, Harapi, Pllumi, Pipa etj.
Ekziston kujtesa e lexuesit nëpër kohë dhe hapësirë të caktuar, e cila do të dëftonte se tekstet e shtypura, librat e moçëm, filmat, fotografitë etj., të grumbulluara, të ruajtura, të sistemuara, dhe së fundi, të prezantuara para opinionit, kanë rëndësi të madhe në ndriçimin e asaj që quhet kujtesë kombëtare në retrospektivë, por edhe në perspektivë.
Në këtë pikëshikim, historia dhe kultura shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, edhe pse e një shtrati gjenetik, është zhvilluar përbrenda konteksteve të ndryshme shoqërore e politike, jo rrallë, është fragmentarizuar e çintegruar deri në absurditet, duke mbetur, jo rrallë, vetëm si kujtesë shpirtërore nga distanca.
Kujtesa Shqiptare është sajuar me përplot absurde dhe paradokse, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX , kur ka kaluar nëpër periudha fatkeqësie përbrenda kontekstit ideologjik (në Shqipëri) dhe pushtues ( në Kosovë). Tani dokumentimi dhe prezantimi digjital i kësaj Kujtese kërkon një hulumtim shkencor, pikërisht në ndriçimin  e kësaj periudhe tepër të dhembshme. 
Në anën tjetër, Kosova  nuk ka ndonjë traditë të lakmueshme, sa i përket grumbullimit dhe ruajtjes së dokumenteve më rëndësi kombëtare, për arsye se fati dhe perspektiva  e saj është varur nga të tjerët. Në periudhat e pushtimit të saj, sidomos në luftën e fundit, janë shkatërruar, djegur,  zhdukur shumë thesare të çmueshme dhe me rëndësi të veçantë kombëtare, por edhe monumente historike e kulturore me vlerë të jashtëzakonshme, të cilat do të tregonin për identitetin shqiptar të saj.
Në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, si dhe shumë biblioteka tjera publike dhe private në Kosovë, kanë përjetuar fate të tmerrshme. Derisa në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës brenda viteve 1991- 1999, janë asgjësuar mbi njëqind mijë ekzemplarë librash të ndryshëm dhe janë shndërruar në kartuç në një fabrikë letre në një qytet të vogël të Kosovës, shumë biblioteka publike dhe private janë rrënuar, shkatërruar dhe djegur. Prandaj, djegia e librave dhe e bibliotekave  në Kosovë, është njëri ndër kapitujt më të dhembshëm, nga  mund të rrëfehet për përmasat e luftës në Kosovë.
Në vitin 2006, Biblioteka dhe Universitare e Kosovës, e ka inicuar projektin Kujtesa e Kosovës, sipas modelit American Memory ( Kujtesa Amerikane), i Bibliotekës së Kongresit , i cili synon të jetë  njëri ndër projektet më kapitale që mund të determinojë rolin dhe misionin e historisë, kulturës, qytetërimit, identitetit, shëmbëlltyrave, personaliteteve, trashëgimisë gojore, trashëgimisë së shkruar në periudha të caktuara historike, me qëllim të prezantimit të kësaj kujtese përmes informacioneve digjitale. 
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, duke e filluar këtë projekt, do të bëhej, gjithsesi, një pikë e veçantë referimi, bashkë me institucionet  tjera  (muzetë, arkivat, institutet etj.), për të krijuar një koleksion dokumentar, qoftë madje edhe për ngjarjet politike, shoqërore që nuk i përkasin vetëm  burimeve të komunitetit kosovar, por edhe më gjerë, që ndërlidhen pikërisht me çështjen shqiptare në kohë dhe periudha të ndryshme.
Në strategjinë e realizimit të një projekti gjithëpërfshirës për themelimin e koleksioneve digjitale të Kujtesës së Kosovës, e cila faktikisht është njëra nga portat e Kujtesës Shqiptare , është më rëndësi krijimi i fondeve nga burime qeveritare dhe alternative, si dhe bashkëpunimi me institucione të shumta në botë, që i posedojnë dokumentet shqiptare dhe për shqiptarët.
Po kështu, prioritet do të mund të kenë: koleksionet për  personalitetet  kombëtare me përmasa botërore, siç janë  Skënderbeu dhe Nënë Tereza, pastaj koleksionet e librave të rrallë dhe të vjetër, koleksionet e hartave, fotodokumenteve, fonodokumenteve etj.
Në grumbullimin e materialeve me vlerë, në sistemimin, përzgjedhjen dhe krijimin e koleksioneve digjitale, rol të rëndësishëm do të ketë informacioni për historinë gojore dhe historinë e shkruar. Në këtë drejtim, kontributi i arkivave, i muzeve, i institucioneve historike, akademike, albanologjike, etnografike në Kosovë, Shqipëri,  në viset tjera shqiptare, pastaj në ish-kolonitë shqiptare në Turqi, Itali, Rumani, Bullgari, Egjipt, Amerikë etj., do të ishte me rëndësi të dorës së parë.
Cilat do të ishin burimet për krijimin një koleksion digjital kombëtar në të ardhmen?
Natyrisht, në këtë drejtim do të mund të kenë rol të rëndësishëm shumë pjesëmarrës: gjithsesi, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, pastaj arkivat, muzetë, institutet, institucionet fetare në Shqipëri dhe Kosovë. Në ketë drejtim, themelimi dhe funksionimi i bibliotekave presidenciale, i bibliotekave të personaliteteve apo i bibliotekave private etj., do të kontribuonin në afirmimin dhe ndriçimin e vlerave kombëtare nëpër periudha të ndryshme të historisë.   
Njihen raste të ndryshme në botë  ku  shumë biblioteka janë shkatërruar dhe nuk janë ruajtur më, ku shumë biblioteka  janë djegur dhe nuk janë ndërtuar më. Biblioteka përmes ndriçimit të  kujtesës kombëtare, e funksionalizon të kaluarën me të tashmen, duke dhënë vizion për të ardhmen.  
Sa i përket gjendjes në bibliotekat e Kosovës, ende në bibliotekat tona mungojnë shkrimet, zërat për figurat e shquara të kombit shqiptar, për personalitetet kulturore, politike, pastaj  mungon historia e largët dhe e afërt e  Kosovës. Pra, mungon përmbajtja, si  dhe ndërtimi i Kujtesës së Kosovës.
Pra,  mungojnë  burimet historike, trashëgimia kulturore, dorëshkrimet e lashta, dorëshkrimet origjinale, mungon pjesa e dokumentuar e historisë së Kosovës, e cila do të mund të gjendej në arkiva dhe biblioteka të Evropës.
Në këtë mënyrë, strategjia e zhvillimit të bibliotekave shqiptare, ndër të tjera, e nënkupton edhe funksionalizimin e kujtesës kombëtare përmes një diskursi të ri të shkencës së bibliotekarisë dhe të informacionit. Pra, e reja duke iu rikthyer të vjetrës, do t’i gjejë prioritetet e afirmimit të vlerave elitiste kombëtare nga momentet historike në momente të aktualitetit.
Projekti për funksionalizimin dhe digjitalizimin e Kujtesës Shqiptare, tashti në rrjetin global të Kujtesës Botërore , do ta funksionalizonte një kujtesë të fuqishme kombëtare, qytetëruese e kulturore, fjala vjen, po t’i kishte të gjitha librat a dokumentet e shkruara e të botuara për Skënderbeun dhe Nënë Terezën, si dhe për personalitete të tjera të njohura shqiptare në përmasa botërore në periudha të ndryshme, për të dokumentuar  ekzistimin e civilizimit shqiptar në mijëvjeçarë, duke iu referuar edhe koleksioneve  të shumta albanologjike, të pranishme në jo pak biblioteka, arkiva, muze në botë.




IV.    HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE






1.     Historia e letërsisë shqipe dhe komunikimi letrar



Nëse mungon një Histori e plotë e letërsisë shqipe, cili do të ishte konstatimi më i qëndrueshëm se mund të rishkruhet, mund të plotësohet edhe ajo pjesë që është e diskutueshme apo e ideologjizuar e procesit vlerësues, që është shkruar në periudhën e kaluar në histori të ndryshme të letërsisë shqipe të botuara deri më tani, sikundër që do të mund të favorizohet dhe të merret si model i përshtatshëm, pra cilësia e asaj pjese që tregon për rezultatin e arritur në ofrimin e vlerave të dëshmuara letrare, sipas kritereve shkencore.
Duke u nisur edhe nga këto koncepte problematizuese, megjithatë Historia e letërsisë shqipe në shekullin XXI nuk mund të rishkruhet as të rivlerësohet. Prandaj, është gjithsesi e rëndësishme që, më në fund, të shkruhet sipas vlerave letrare të autorëve dhe kritereve shkencore të hartuesve të saj.
Nëse mungon ende Antologjia e poezisë, e prozës, e esesë, e kritikës shqiptare të shekullit XX, cilët do të ishin përbërësit kryesorë që do të tregonin  për njohjen dhe qarkullimin e vlerave letrare përbrenda tërë hapësirës kulturore shqiptare, kur nuk është përcaktuar qartë kriteri vlerësues me funksionalizimin e parimeve gjuhësore, estetike e stilistike të periudhave letrare.
Vlera letrare i nënshtrohet kriterit kronologjik historik dhe gjatësia e mendimeve të studiuesit për veprën e shkrimtarit, detyrimisht i nënshtrohet kriterit vlerësues. Ky është paradoksi për përcaktuesit metodologjik dhe shkencor në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë, jo vetëm me një Histori të letërsisë kombëtare, por me hartimin e historive të ndryshme të letërsisë për nivelin shkollor, universitar, akademik etj.
Temë-dilema e trajtimit të fenomenit Histori e letërsisë shqipe, mund të riprodhohet në disa variante dhe versione, duke u nisur nga tradita e shkrimit letrar shqiptar që ka të bëjë pikërisht me problemin e gjuhës,   datat, shkrimet e para apo librat e parë; pastaj problematika e hartimit, e kritereve, e modeleve etj., për të mbërritur tek historia e autorëve të ideologjizuar apo historia e e autorëve të anatemuar. Trajtimi i këtij fenomeni vazhdon deri te konstatimi  për “vdekjen e historisë së letërsisë” përbrenda komunikimit letrar bashkëkohor dhe mundësia e funksionalizimit të historive letrare.
Në kulturat e ndryshme të  botës janë shkruar dhe botuar dhe lexohen edhe sot  histori të letërsive kombëtare në lloje dhe zhanre të ndryshme apo edhe histori letrare, të cilat i kanë shenjat e veta autentike në rrafshin kulturor, letrar, stilistik duke dëshmuar kohën, hapësirën, shkrimtarët, veprat  e tyre, të cilat, gjithsesi, iu kanë nënshtruar një  kriteri shkencor, për t’i verifikuar vlerat letrare nëpër rrjedhat e kohës: nëpër faza dhe periudha të caktuara.
Gjithsesi, projekti për një Histori të re letërsisë shqipe , nuk do të nënkuptonte  përmbysjen e plotë të metodave dhe koncepteve të shtruara, të sistemuara dhe të paraqitura në tekstet e  historive të ndryshme të letërsisë shqipe të botuara në shekullin XX, që ka të bëjë me fenomenin estetik në raport me autorin dhe veprën apo me fenomenet tjera deri tek gjykimet subjektive. Prandaj, historitë e letërsisë shqipe të shkruara dhe të botuara në të kaluarën i përkasin asaj periudhe, kështu vlera apo pseudovlera e tyre ka të bëjë edhe me pranimin apo refuzimin përbrenda kodeve të komunikimit letrar. 
Mund të flitet për periodizimet, rrymat, prirjet, qarqet, periudhat, brezat në njërën anë, sikundër që mund të flitet edhe për kriterin ideologjik të Historisë së letërsisë  shqipe, madje edhe për ndarjen e shkrimtarëve në dy tabore: shkrimtarë përparimtarë dhe shkrimtarë reaksionarë. Kështu që thënia e P.Valery se ” Historia e letërsisë nuk duhet të jetë histori e autorëve ((…)Një histori e tillë mund të hartohet pa përmendur as edhe një shkrimtar”, në një mënyrë apo tjetër mund të dëshmojë për kompleksitetin e problematikës që ka të bëjë me përcaktimin e vlerës letrare, se a ka pasur deri më tani vetëm histori autorësh apo vetëm histori veprash letrare. Prej këtu do të vlente, në këtë rast, edhe konstatimi i Umberto Ecos se : “ Një histori e letërsisë mund të jetë shkruar thjesht si një doracak, nganjëherë ajo bëhet në të njëjtën kohë identifikuese veprash dhe histori idesh…”




2. Historia e letërsisë shqipe: kriteret etike dhe kriteret estetike



Në letërsinë shqipe të viteve ’20 dhe ’30 të shekullit XX dhe të asaj ndërmjet dy luftërash botërore, kur ndeshim çintegrimin e formës romantike të shkrimit te disa autorë, sikundër edhe insistimin e shprehjeve dhe modeleve të reja të krijimit, pra një përballje e heshtur mes soc-realizmit dhe modernizmit, nga përmasa ideologjike në anën tjetër bëhet çintegrimi i brendshëm i vetë letërsisë shqipe në këtë periudhë. Domethënia e ndarjes së saj në dy tabore: letërsia e shkrimtarëve përparimtarë dhe letërsia shkrimtarëve reaksionarë, parathotë shumë për zhvillimin e mëtejmë të individualiteteve krijuese, të cilat filluan të anatemohen dhe të ekskomunikohen në periudhën e mëvonshme të zhvillimit të letërsisë shqipe. Pas kësaj periudhe, letërsia e Shqipërisë dhe letërsia e Kosovës nuk i nënshtrohen një fati të njëjtë historik, ndërkaq letërsia e Arbëreshëve të Italisë ende nuk “strehuar” në gjirin e letërsisë kombëtare, fatkeqësisht atë e ka përcjell gjymtimi dhe cungimi i burimësisë së saj.
Gjithnjë përbrenda kësaj ndarjeje, krijohet dy skaje apo dy ekstreme të së njëjtës çështjeje. Këso mënyre, në vend që të konsolidohet prirja e letërsisë moderne me të gjitha veçoritë e saj edhe në relacione evropiane, ndodh e kundërta, çka do të thotë se ndërpriten fijet e konsolidimit edhe të formacioneve të reja stilistike që do të ruanin vazhdimësinë e vlerave kombëtare elitiste në periudhën pasuese.
Vetvetiu shtrohet pyetja: sa është bërë integrimi i brendshëm i letërsisë shqipe në gjysmëshekullin e fundit kur ka munguar komunikimi i rregullt kulturor brenda një kombi? Sa e njeh lexuesi, kritiku, studiuesi shqiptar letërsinë e krijuar në Shqipëri, në Kosovë, në diasporë, apo edhe pjesën më të mirë të atij krahu që është ishte ideologjizuar, censuruar apo anatemuar?
Në tekstet shkollore, në programet mësimore, në tekstet e leximit letrar, në antologjitë letrare, në historitë e letërsisë shqipe të deritanishme etj., është e domosdoshme të bëhet rirreshtimi tjetër apo rendi i ri letrar i shkrimtarëve dhe i veprave të tyre. Kështu që, diskutimet për letërsinë në rrethana të reja , shtrojnë një varg kërkesash për botimin dhe për ribotimin e tyre kritik dhe të specializuar, sidomos të veprave të traditës. Mirëpo, prapë mbetet dilema se kush do të shkruajë historinë e letërsisë shqipe? Apo kush do ta bëjë rishkrimin apo  rivlerësimin e saj? Do të bëhet kjo nga institutet, akademitë, departamentet e letërsisë apo  nga studiuesit e pavarur, të cilët do t’i shfaqnin pikëpamjet e tyre duke i eliminuar mitizimet dhe mistifikimet apo fragmentarizmat dhe keqkuptimet ndërmjet  metaforave ideologjike të partishmërisë së djeshme apo modernitetit e disidencës së shpifur estetike në të sotmen deri te mendësia klanore. Kjo nuk varet nga vullneti i historishkruesve të letërsisë, sepse çështja qëndron më ndryshe.





3. Histori e  letërsisë shqipe apo histori letrare


Duke i krahasuar idetë dhe mendimet e autorëve të rëndësishëm të letërsive të ndryshme që kanë të bëjnë me fenomenin e hartimit të historive të letërsisë apo të historive letrare, a mund të vijmë deri tek konstatimi se historia e ardhshme e letërsisë shqipe do të mund të shkruhej pa i përmendur fare autorët, por vetëm veprat që do të shënonin vlera kulminante letrare brenda kësaj letërsie.
Treguesit e ndryshëm letrarë dhe jashtëletrarë do të parapëlqenin një “kacafytje” midis modelit estetik dhe modelit etik në hartimin e Historisë së letërsisë shqipe . Veprat e autorëve të traditës letrare shqipe, të letërsisë moderne apo të letërsisë bashkëkohore, do të vënin një raport të ri midis shkrimtarit dhe studiuesit në shkencën moderne të ligjërimit kritik në fillim të këtij shekulli, prandaj ekziston një hamendjesim se a duhet të shkruhet historia e letërsisë kombëtare apo duhet të shkruhen një varg e vistër historish letrare.
Realizimi i projektit për një Histori të  letërsisë kombëtare  në kuadër të vështrimit përbrenda komunikimit letrar, kritereve etike dhe estetike, gjithsesi, i nënshtrohet një ndjeshmërie specifike që ka të bëjë me periodizimet, etapat, periudhat e zhvillimit, lëvizjet stilistike etj. Edhe letërsia e vjetër shqipe, ku mund të flitet për alfabetetet latine e arabe, sikundër që edhe në letërsinë romantike , letërsinë moderne, madje edhe letërsinë e sotme shqipe, problemi i gjuhës së veprave të autorëve është kaptinë më vete.
A mund të jetë historia e letërsisë kombëtare histori e kryeveprave, histori e temave, motiveve, ideve, stileve apo vetëm histori e autorëve dhe e shëmbëlltyrave të tyre. Nëse krahasimi është edhe metodë, atëherë përcaktuesi për letërsinë e brezave nëpër dhjetëvjetësha, është diçka më shumë se prerje e kufijve përbrenda vetë zhvillimit të letërsisë kombëtare. 
Historianët e djeshëm të letërsisë shqipe, po ashtu edhe historianët e ardhshëm do të  mund të “luhateshin” me konstatimet e tyre midis hulumtimit, interpretimit dhe vlerësimit kritik për të kërkuar a gjetur modelin se si të shkruhet apo rishkruhet e rivlerësohet  historia e letërsisë kombëtare, madje edhe ajo çka është histori dhe çka është letërsi.
Në këtë drejtim, studiuesit nga Kosova kanë pasur një përqendrim më të madh në vlerësimin e letërsisë, e cila është krijuar në Shqipëri, mirëpo vetëm në dhjetëvjetëshin e fundit ka ndodhur e  njëjta.
Nëse hartuesi apo hartuesit e Historisë së letërsisë shqipe do të ballafaqoheshin me një poezi me shkrim arab të shkruar në Kosovë në fund të shekullit XVII, të një autori, po ashtu, nga Kosova, a do të mund të trajtohej njësoj fjala vjen si poezia e mirënjohur “Një lule vjeshtet” e Fishtës. Apo vepra letrare e  Naim Frashërit  a do të mund të trajtohej njësoj me hapësirën e faqeve brenda Historisë së letërsisë shqipe, fjala vjen, sa vepra letrare e Ismail Kadaresë.
Historia e letërsisë nuk mund të jetë interpretim i pëlqimit subjektiv, por tipar i vlerësimit shkencor. Hapësira e faqeve për fenomenet apo veprat e analizuara nuk e përcakton vlerën e veprës, por e rrënon konceptin estetik duke e riprodhuar idenë për letërsinë e masave.
Si do të shkruhej Historia e letërsisë shqipe sot pa veprën e Fishtës, Konicës, Lasgushit, Koliqit, Kutelit etj., siç ishte shkruar e botuar në të kaluarën në “pasqyrat” e historive të letërsisë shqipe .
Debati për hartimin e mundshëm të Historisë së letërsisë shqipe, tani ka filluar. Përballjet e studiuesve të letërsisë për këtë projekt, nuk do të dëshiroja të jenë të njëjta apo të ngjashme me përballjet e  historianëve në projektin për Historinë e popullit shqiptar.

Të këndosh për Kosovën


2012 albanie eurovision Rona Nishliu1 300x225 Të këndosh  për KosovënNga Tim Judah The Economist
Gjashtë vjet më parë kam bërë një program radiofonik për BBC-në në lidhje me ish- Jugosllavinë dhe të famshmin Eurovision Song Contest. Theksova dy gjëra. Së pari, pavarësisht luftërave shkatërruese në vitet ’90, të gjitha vendet kushtetuese të ish- Jugosllavisë votonin për njëri- tjetrin. E dyta ishte Kosova, e cila nuk kishte shpallur pavarësinë dhe nuk përfaqësohej në festivalin pan-europian të këngës.
Në përpjekje për të kapitalizuar sa më shumë solidaritetin jugosllav, në vitin 2006 boshnjakët zgjodhën si kandidat Hari Mata Hari, një këngëtar i njohur, fama e të cili vinte nga ditët e Jugosllavisë. Dhe në fakt ia vlejti: kënga e bezdisshme arriti në vendin e tretë (ajo ishte shkruar nga Zeljko Joksimovic, që ka përfaqësuar Serbinë e Malin e Zi në garën e vitit 2004 dhe do të ripërfaqësojë Serbinë këtë vit).
Përpara festivalit, Hari udhëtoi në mbarë vendet e ish- Jugosllavisë për të dhënë koncerte e intervista e për të përfituar mbështetje për të. Gati- fitorja e tij ishte një shembull i të ashtuquajturës Jugosferë, për të cilën kam shkruar këtu.
Shqiptarët e Kosovës janë akoma të përjashtuar nga ky eveniment. Pas luftës me Serbinë në vitin 1999, kosovarët që kërkonin të garonin aty duhet të këndonin në Shqipëri, me shpresë se vëllezërit e tyre do i zgjidhnin. Për këtë program pata intervistuar Rona Nishliun dhe grupin e saj ‘Flakareshat’ (NE FOTO). “Them se do të fitojmë,” më tha Nishliu. “Ne do përfaqësojmë Shqipërinë”.
Megjithatë kosovarët thoshin nën zë se shqiptarët nuk do zgjedhin kurrë një nga Kosova për t’i përfaqësuar. Kjo ishte atëherë. Më 29 dhjetor, shqiptarët zgjodhën zonjushën Nishliu për të garuar këtë vit në Azerbajxhan. Megjithëse me zemër Nishliu do donte të përfaqësonte Kosovën, ky është një shembull i hershëm i lindjes së Albanosferës.
Nishliu ka jo vetëm një zë që të bën përshtypje, por edhe një histori interesante. Ajo u rrit në Mitrovicën e veriut, që tani kontrollohet nga serbët. Ka ca ironi në fjalët e serbëve që dëbuan Nishliun dhe familjen e saj nga shtëpia gjatë bombardimeve të NATO-s në Serbi:
“Kur bombardimet nisën në vitin 1999, më 4 prill, persona me uniforma ushtarake erdhën në shtëpi dhe na kërcënuan duke na thënë të largoheshim. Goditën babain tim në sytë tanë, mua, nënën, vëllezërit, hallën dhe gjyshen. Ata thanë: “Nuk mund të rrini këtu. Ikni”. Gjyshja ime tha: “Ku të shkojmë?”. Ata thanë: “Shkoni në vendin tuaj, shkoni në Shqipëri”. Gjyshja tha: “Kosova është vendi ynë. Kam lindur dhe kam jetuar 65 vjet këtu”.
Shumë europianë e shohin pak si gallatë Eurovision-in, por nuk e dinë sesa seriozisht merret nëpër disa cepa të kontinentit. Azerbajxhani e shikon këtë aktivitet si një mundësi për të përmirësuar imazhin e dëmtuar.
Për kosovarët, prezenca e Nishliut në Baku, njësoj si zoti Joksimovic, shihet si një triumf i madh, jo vetëm për shkak se Azerbajxhani dhe Serbia janë aleatë të ngushtë. Siç kam shkruar këtu, dy vendet kanë një kauzë të përbashkët pasi Serbia refuzon pavarësinë e Kosovës dhe Azerbajxhani refuzon atë të Nagorni- Karabakut.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...