2012-01-25

LIBRI, BIBLIOTEKA DHE HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE



Prof. Dr. Sali Bashota - Prishtinë 



I.    LIBRI



Veprimtaria botuese në gjuhën shqipe në Kosovë ka filluar në vitet ‘40 të shekullit XX. Që nga viti 1943 fillojnë të botohen broshura të ndryshme në gjuhën shqipe. Libri i parë ‘i leximit’ botohet në vitin 1945, ndërsa Abetarja e parë në vitin 1946. Në vitin 1950 themelohet Shtëpia Botuese “Mustafa Bakija”, e cila në fillim të veprimtarisë së saj botonte vepra të përkthyera e pastaj edhe vepra origjinale. Në këtë periudhë fillojnë të botohen vepra të autorëve të Kosovës, ndërsa nxitja, përkrahja dhe afirmimi i krijuesve përqendrohet sidomos pas themelimit të revistës letrare “Jeta e re” në vitin 1949. Kjo revistë e kishte rolin dhe misionin e saj të rëndësishëm në përkrahjen e krijuesve  dhe në zhvillimin e përgjithshëm të letërsisë dhe kulturës në Kosovë.
Aktiviteti i Shtëpisë Botuese “Mustafa Bakija” integrohet në vitin 1956 në kuadër të shtypshkronjës “Miladin Popoviqi”, ndërsa  në vitin 1958 Ndërmarrja Botuese Grafike “Rilindja”, me veprimtarinë e saj të gjithanshme në shumë fusha, gjithsesi, bëhet edhe botuesi kryesor i veprave të përkthyera dhe i veprave origjinale.  
Veprimtaria botuese e teksteve shkollore përqendrohet tek Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, që është themeluar në vitin 1970, përkatësisht Shtëpia Botuese e tanishme Libri Shkollor. Prej vitit 1962 deri në vitin 1969, si paralele e ndarë e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Serbisë, ishin botuar 464 tituj të teksteve shkollore, ndërsa në edicionin e këtij botuesi në periudhën mes viteve 1970-1979 u botuan 492 tituj të teksteve shkollore. Në periudhën e viteve 1980-1989 ishin botuar 831 tituj të teksteve shkollore për arsimim fillor dhe të mesëm. Prej vitit 1992 deri në vitin 2001 u botuan 370 tituj të teksteve shkollore. Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, përkatësisht Libri Shkollor që nga viti 1992 deri në vitin 2006 i ka botuar rreth 500 tituj të teksteve mësimore të të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe lektyrën shkollore.
Në vitin 1943 broshurat e para u botuan në tirazh 200 ekzemplarë, ndërsa Abetarja e parë u botua me një tirazh 66.500 ekzemplarë. Vetëm në vitin 1955 u botuan 64 tituj veprash të reja. 
Redaksia e botimeve  “Rilindja”, e cila  botoi mbi 2000 vepra të autorëve shqiptarë, i ka afirmuar vlerat kulturore, shkencore e letrare jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Shifra dhe fakte dëshmojnë se deri në vitin 1974 u botuan 1073 tituj, ndërsa deri në vitin 1984 u botuan 3200 tituj. Para ndërhyrjes së masave të dhunshme serbe, pra  deri në vitin 1989, “Rilindja” i kishte botuar mbi 3800 tituj veprash të ndryshme.
Në aktivitetin botues të “Rilindjes”, e cila çdo vit i botoi nga 120 tituj të rinj, është mbështetur krijimtaria origjinale e autorëve bashkëkohorë, botimi i veprave komplete, botimi i veprave të autorëve të traditës, si dhe veprat e përkthyera. “Rilindja” u bë njëri ndër botuesit më të mëdhenj në rajon, madje edhe me tirazhin e veprave të botuara, duke e afirmuar kulturën dhe letërsinë shqipe në panairet kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga vëllimi i madh i botimeve në këtë periudhë, në vitin 1985 Kosova kishte një libër për kokë të banorit.
Në vitin 1989 “Rilindja” i  botoi 80 tituj, ndërsa në periudhën e viteve 1990-1999 çdo vit u botuan mesatarisht nga 30-40 tituj. Këtë periudhë e karakterizon deinstitucionalizimi i kulturës shqiptare, domethënë rrënimi dhe okupimi i saj, si dhe paralizimi i botimeve në gjuhën shqipe nga pushteti i Serbisë në Kosovë. 
Veprimtarinë botuese me karakter hulumtues dhe shkencor e kanë zhvilluar dhe e zhvillojnë edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e cila  nga viti 1976 deri në vitin 2008 i ka botuar mbi 200 botime veprash të ndryshme nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, shkencave shoqërore, shkencave të natyrës, arteve, duke përfshirë edhe botime kolektive dhe revista të përkohshme, ndërkaq Instituti Albanologjik i Prishtinës, prej fillimit të veprimtarisë botuese e deri në vitin 2008 i ka nxjerrë 400 botime nga fushat e albanologjisë: gjuhësi, letërsi, folklor, histori dhe etnologji.
Edhe institucionet tjera arsimore, shkencore, kulturore, siç janë: Universiteti i Prishtinës, Arkivi i Kosovës, Instituti i Historisë, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës e kanë zhvilluar dhe vazhdojnë me veprimtarinë botuese në fushat e tyre hulumtuese, shkencore, profesionale.
Në Kosovë, pos “Rilindjes”, e cila ndodhej në situatë të pafavorshme për të ushtruar funksionin e saj, në vitin 1990 veprimtarinë e pavarur botuese e fillon Ndërmarrja Botuese “ Buzuku”, ndërsa në vitin 1994 Shtëpia Botuese “Dukagjini”, si botues privatë. Pas viteve 1999 edhe Shtëpitë Botuese “Faik Konica”, “Rozafa”, “Shpresa”  dhe botues të tjerë e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e botimeve. Shtëpia Botuese “Dukagjini”, pas viteve 1999 fillon të botojë edhe literaturë shkollore.
Veprimtaria botuese në Kosovë është zhvilluar edhe në institucione të tjera shoqërore dhe private në shumë komuna të Kosovës.





II.    BIBLIOTEKA




Në Kosovë funksionon rrjeti bibliotekar i këtyre bibliotekave: Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, bibliotekat ndërkomunale, komunale, universitare, speciale dhe shkollore.
Sipas burimeve të ndryshme, historiku i bibliotekave në Kosovë daton nga periudha të hershme, madje edhe në shekujt XIV-XV. Funksioni i këtyre bibliotekave ndërlidhet kryesisht me misionin e bashkësive të kultit.
Në vitin 1944 në Prizren është themeluar institucioni i parë bibliotekar në Kosovë. Prandaj, themelimi dhe zhvillimi i bibliotekave në Kosovë, gjithsesi, pikë referimi e ka Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, e cila ka kaluar nëpër disa faza, madje duke marrë emërtime të ndryshme: Biblioteka Regjionale e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë  (1944-1952), Qendra Bibliotekare e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë  (1956-1961), Biblioteka Popullore Krahinore (1961-1970), Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës (1970-1990), Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës e Metohisë ((1990-1999), ndërsa nga viti 1999-Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.
Ndërtesa e tanishme e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u inaugurua më 25 nëntor 1982. Hapësira e saj përfshin 16.500 metra katrorë. Është e përbërë me dritare zenitale, me gjithsej  99 kupola, të cilat e kanë simbolikën e vet të veçantë arkitekturale.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është institucioni bibliotekar qendror i Kosovës dhe qendër e informacionit bibliotekar në nivel kombëtar. Aktiviteti i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës është i ngjashëm sikundër bibliotekat tjera kombëtare në shtete të ndryshme të botës, edhe si anëtare në institucione të ndryshme  ndërkombëtare. 
Me rrënimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në vitin 1989, veprimtaria  bibliotekare, sikundër edhe në sferat tjera në kulturë, arsim e shkencë, u diskriminua nga pushteti serb. Periudha e viteve 1998-1999 është periudha e okupimit dhe e inkuizicionit, pra e shkatërrimit, zhdukjes dhe e djegies së koleksioneve bibliotekare në shumë biblioteka publike dhe private në Kosovë. 
Nga viti 1990 deri në vitin 1999 në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës pushteti okupues serb aplikoi masat e dhunshme dhe u mohohej e drejta lexuesve shqiptarë për shërbime. Pos që ishte mbushur me refugjatë serbë nga Kroacia dhe Bosnja, në periudhën mars-maj 1999, gjatë ndërhyrjes së NATO-s, ndërtesa e  Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës ishte edhe bazë e ushtrisë serbe. 
Gjithashtu, në periudhën e administrimit serb Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës i janë shtuar 22.000 libra, të gjitha në gjuhën serbe dhe asnjë në gjuhën shqipe, ndërsa po në këtë periudhë 100.000 libra në gjuhën shqipe, të cilat kanë qenë të destinuara për shkëmbim dhe dhurim janë zhdukur nga administrata e dhunshme e këtij institucioni. Po kështu, në këtë institucion është një bërë edhe një spastrim i madh i koleksioneve me vlerë nacionale, sidomos veprat e autorëve të traditës shqipe.
Sipas të dhënave nga revizioni i koleksioneve bibliotekare  në vitin 2004, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës  numërojnë 1.890.194 njësi bibliotekare, me 475.324 tituj, nga të cilat: libër: 382.806 njësi; revista: 281.591 njësi; gazeta: 984.022 njësi dhe botime të tjera: 241.775 njësi. Nga viti 2004-2008 pasurimi i fondeve bibliotekare në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës përmes ekzemplarit të detyrueshëm, blerjes dhe dhuratave është rritur edhe mbi 30.000 tituj të rinj.
Libri më i vjetër në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovë është “Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, Princit të Epirotëve”, i autorit Marin Barleti, përshkruar në gjuhën latine, i cili është përkthyer gjermanisht nga Johan Piniciani, botuar në Augsburg në vitin 1533.
Nga viti 2005 Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës e ka në funksion sistemin e automatizuar bibliotekar Aleph 500 dhe deri në fillim të vitit 2009 katalogimi elektronik është bërë 54.921 njësive bibliografike, apo 79319 njësive fizike.
Gjithashtu, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës përmes Konsorciumit të Bibliotekave Elektronike ka qasje në revistat më të njohura elektronike në botë.
Veprimtaria bibliotekare zhvillohet edhe në bibliotekat ndërkomunale në Kosovë, të cilat konsiderohen si biblioteka të nivelit të dytë. Këto biblioteka funksionojnë në qendrat më të mëdha të Kosovës: Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Leposaviq, ndërsa bibliotekat komunale në qytete më të vogla të Kosovës konsiderohen si biblioteka publike të nivelit të tretë.
Në vitet 1998-1999 në bibliotekat publike dhe private në Kosovë janë zhdukur dhe djegur me mijëra koleksione bibliotekare. Sipas burimeve vendore dhe ndërkombëtare, vetëm në 183 biblioteka në Kosovë ndërmjet viteve 1990-1999 kanë humbur afër 1.000 000 ekzemplarë të botimeve të ndryshme.
Në vitin 1989 në Kosovë kishte 328 biblioteka shkollore, ndërsa në vitin 1992 mbetën vetëm 146 biblioteka. Në vitin 1989 kishte 176 biblioteka publike, ndërsa në vitin 1995 mbetën vetëm 59 biblioteka. Para vitit 1990 në bibliotekat publike në Kosovë kishte 2.014.628 ekzemplarë, ndërsa pas vitit 1999 mbetën vetëm 1.114.060 ekzemplarë. Të dhënat statistikore dëshmojnë për një zhdukje masive të koleksioneve bibliotekare në shumicën e bibliotekave të Kosovës.
Në vitin 2005 në Kosovë kishte 498 biblioteka të të gjitha llojeve. Fondi i përgjithshëm i këtyre bibliotekave përbëhej nga 1.396 121 tituj dhe 3. 465 372 njësi bibliotekare.
Veprimtaria bibliotekare në Kosovë zhvillohet edhe në institucione të  tjera shkencore, arsimore, siç janë: Biblioteka e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Biblioteka e Institutit Albanologjik, bibliotekat e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, pastaj bibliotekat shkollore etj.
Libri dhe bibliotekat në Kosovë kanë kaluar nëpër periudha të ndryshme të zhvillimit dhe të ndërprerjes. Faktet dhe dëshmitë tregojnë për fazat e zhvillimit dhe të afirmimit normal të veprimtarisë botuese dhe bibliotekare, por edhe për fazat e diskriminimit dhe të okupimit, duke filluar sidomos nga vitet 80-ta të shekullit XX e deri në vitin 1999.
Zhvillimet e reja në sistemin bibliotekar në Kosovë, kryesisht kanë të bëjnë me modernizimin e shërbimeve përmes teknologjisë së re të komunikimit dhe të qasjes së lirë në burimet e informacionit.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është anëtare e asociacioneve dhe institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Është anëtare e ISBN-së, ISMN-së, Konferencës së Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Botës,  Unionit të Bibliotekave të Ballkanit, Lidhjes së Bibliotekave Hulumtuese të Evropës etj.





III.      KUJTESA KOMBËTARE





Rrëfimi për një  Bibliotekë nacionale mund të sajohet nga shumë fjalë të zgjedhura, të urta, mbase, jo rrallë, edhe  të shenjta, të shndërruara në histori apo në gojëdhënë. Kujtesa e saj apo kujtesa për të, mund të shndërrohet, gjithashtu, në një simbol komunikimi me të tjerët dhe prapë do të mbetet si  gjithnjë vetëm historia e Librit dhe e Bibliotekës.
Siç është e njohur, tekstet në formën e shkruar e sajojnë  dhe i përgjigjen gjenealogjisë së një kombi dhe të një civilizimi, prandaj çdo popull identitetin e vet e fillon me shkrimin, pra me datëlindjen e shkrimeve të para në gjuhën e tij.
Në këtë kontekst, Biblioteka, si vend i shkrimeve, i dorëshkrimeve, i librave të vjetër e të rinj, i hartave, i fonodokumenteve, i fotodokumenteve dhe i koleksioneve të tjera , e prodhon vetë në kujtesën e shekujve  historinë e njerëzimit në periudha të caktuara, madje edhe historinë e fjalës së shkruar.
Projekti kombëtar me emrin Kujtesa Shqiptare, doemos,  do ta ketë  rolin kryesor në grumbullimin, seleksionimin, sistemimin dhe digjitalizimin e materialeve të veçanta, për t’iu ofruar lexuesit një qasje të lirë në botën e internetit, sidomos për të kaluarën dhe të ardhmen e shqiptarëve, nëpër periudha të ndryshme historike.
Po kështu, Kujtesa Shqiptare, si e tillë, do të mund të përmblidhte imagjinatën e shkrimtarëve, artistëve, teoricienëve, filozofëve, psikologëve, shkencëtarëve etj., pikërisht atë imagjinatë kreative të shndërruar në vepra të dijeve të ndryshme, që do ta  përbënte një bibliotekë, doemos, me idetë dhe mendimet që, po ashtu,  do të funksiononin përmes  gjuhës së komunikimit, në shumë rrafshe të komunikimit.
Kudo në botë, bibliotekat kombëtare të çdo shteti, i kanë format e veta të mbledhjes së materialeve të dokumentuara, qoftë të trashëgimisë së shkruar, qoftë të trashëgimisë gojore, për t’i dhënë prioritet historisë, gjuhës, kulturës etj., për të ndërtuar një Depo Qiellore, që e ka kuptimin e Gjithësisë, siç do të thoshte Umberto Eco.
Prandaj, në këtë Depo Qiellore, përparësi do të kenë materialet me vlerë të veçantë dhe unikate kombëtare, që do ta dokumentonin lashtësinë, gjuhën, identitetin, qytetërimin, kulturën etj.
Historia e një kombi nuk mund të njihet, të shkruhet a të rishkruhet, madje të vlerësohet pa thesarin a trashëgiminë e një biblioteke kombëtare të atij vendi, duke iu rikthyer vazhdimisht kujtesës kombëtare në fazat e zhvillimit të asaj kulture a qytetërimi të lashtë të popullit që i takon. 
Biblioteka e humbur, si ajo e Aleksandrisë apo Biblioteka e pushtuar, madje edhe me fondet e saja të asgjësuara  në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit  XX, siç është Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, si dhe  shumë biblioteka të tjera në botë, e kanë krijuar ekzistencën dhe historinë e tyre, në variante të ndryshme të gjëllimit.
Mirëpo, përbrenda plotnisë së identitetit dhe kulturës kombëtare, rrugëtimi ynë historik, i veçantë dhe  i përbashkët, kuptohet me kufi të ndarë, nuk ka qenë i njëjtë, pra ka qenë i ndryshëm, prandaj edhe kujtesa e lexuesit shqiptar, iu është nënshtruar, herë diktatit e ideologjisë, herë anatemimit e pushtimit.
Pra, kështu ka ndodhur edhe me kujtesën e lexuesit për një letërsi nacionale, siç është letërsia shqipe, kur ajo madje është ndarë në përparimtare e reaksionare. Pra, kështu ka ndodhur me personalitetet letrare: Fishta, Konica, Koliqi, Harapi, Pllumi, Pipa etj.
Ekziston kujtesa e lexuesit nëpër kohë dhe hapësirë të caktuar, e cila do të dëftonte se tekstet e shtypura, librat e moçëm, filmat, fotografitë etj., të grumbulluara, të ruajtura, të sistemuara, dhe së fundi, të prezantuara para opinionit, kanë rëndësi të madhe në ndriçimin e asaj që quhet kujtesë kombëtare në retrospektivë, por edhe në perspektivë.
Në këtë pikëshikim, historia dhe kultura shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, edhe pse e një shtrati gjenetik, është zhvilluar përbrenda konteksteve të ndryshme shoqërore e politike, jo rrallë, është fragmentarizuar e çintegruar deri në absurditet, duke mbetur, jo rrallë, vetëm si kujtesë shpirtërore nga distanca.
Kujtesa Shqiptare është sajuar me përplot absurde dhe paradokse, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX , kur ka kaluar nëpër periudha fatkeqësie përbrenda kontekstit ideologjik (në Shqipëri) dhe pushtues ( në Kosovë). Tani dokumentimi dhe prezantimi digjital i kësaj Kujtese kërkon një hulumtim shkencor, pikërisht në ndriçimin  e kësaj periudhe tepër të dhembshme. 
Në anën tjetër, Kosova  nuk ka ndonjë traditë të lakmueshme, sa i përket grumbullimit dhe ruajtjes së dokumenteve më rëndësi kombëtare, për arsye se fati dhe perspektiva  e saj është varur nga të tjerët. Në periudhat e pushtimit të saj, sidomos në luftën e fundit, janë shkatërruar, djegur,  zhdukur shumë thesare të çmueshme dhe me rëndësi të veçantë kombëtare, por edhe monumente historike e kulturore me vlerë të jashtëzakonshme, të cilat do të tregonin për identitetin shqiptar të saj.
Në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, si dhe shumë biblioteka tjera publike dhe private në Kosovë, kanë përjetuar fate të tmerrshme. Derisa në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës brenda viteve 1991- 1999, janë asgjësuar mbi njëqind mijë ekzemplarë librash të ndryshëm dhe janë shndërruar në kartuç në një fabrikë letre në një qytet të vogël të Kosovës, shumë biblioteka publike dhe private janë rrënuar, shkatërruar dhe djegur. Prandaj, djegia e librave dhe e bibliotekave  në Kosovë, është njëri ndër kapitujt më të dhembshëm, nga  mund të rrëfehet për përmasat e luftës në Kosovë.
Në vitin 2006, Biblioteka dhe Universitare e Kosovës, e ka inicuar projektin Kujtesa e Kosovës, sipas modelit American Memory ( Kujtesa Amerikane), i Bibliotekës së Kongresit , i cili synon të jetë  njëri ndër projektet më kapitale që mund të determinojë rolin dhe misionin e historisë, kulturës, qytetërimit, identitetit, shëmbëlltyrave, personaliteteve, trashëgimisë gojore, trashëgimisë së shkruar në periudha të caktuara historike, me qëllim të prezantimit të kësaj kujtese përmes informacioneve digjitale. 
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, duke e filluar këtë projekt, do të bëhej, gjithsesi, një pikë e veçantë referimi, bashkë me institucionet  tjera  (muzetë, arkivat, institutet etj.), për të krijuar një koleksion dokumentar, qoftë madje edhe për ngjarjet politike, shoqërore që nuk i përkasin vetëm  burimeve të komunitetit kosovar, por edhe më gjerë, që ndërlidhen pikërisht me çështjen shqiptare në kohë dhe periudha të ndryshme.
Në strategjinë e realizimit të një projekti gjithëpërfshirës për themelimin e koleksioneve digjitale të Kujtesës së Kosovës, e cila faktikisht është njëra nga portat e Kujtesës Shqiptare , është më rëndësi krijimi i fondeve nga burime qeveritare dhe alternative, si dhe bashkëpunimi me institucione të shumta në botë, që i posedojnë dokumentet shqiptare dhe për shqiptarët.
Po kështu, prioritet do të mund të kenë: koleksionet për  personalitetet  kombëtare me përmasa botërore, siç janë  Skënderbeu dhe Nënë Tereza, pastaj koleksionet e librave të rrallë dhe të vjetër, koleksionet e hartave, fotodokumenteve, fonodokumenteve etj.
Në grumbullimin e materialeve me vlerë, në sistemimin, përzgjedhjen dhe krijimin e koleksioneve digjitale, rol të rëndësishëm do të ketë informacioni për historinë gojore dhe historinë e shkruar. Në këtë drejtim, kontributi i arkivave, i muzeve, i institucioneve historike, akademike, albanologjike, etnografike në Kosovë, Shqipëri,  në viset tjera shqiptare, pastaj në ish-kolonitë shqiptare në Turqi, Itali, Rumani, Bullgari, Egjipt, Amerikë etj., do të ishte me rëndësi të dorës së parë.
Cilat do të ishin burimet për krijimin një koleksion digjital kombëtar në të ardhmen?
Natyrisht, në këtë drejtim do të mund të kenë rol të rëndësishëm shumë pjesëmarrës: gjithsesi, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, pastaj arkivat, muzetë, institutet, institucionet fetare në Shqipëri dhe Kosovë. Në ketë drejtim, themelimi dhe funksionimi i bibliotekave presidenciale, i bibliotekave të personaliteteve apo i bibliotekave private etj., do të kontribuonin në afirmimin dhe ndriçimin e vlerave kombëtare nëpër periudha të ndryshme të historisë.   
Njihen raste të ndryshme në botë  ku  shumë biblioteka janë shkatërruar dhe nuk janë ruajtur më, ku shumë biblioteka  janë djegur dhe nuk janë ndërtuar më. Biblioteka përmes ndriçimit të  kujtesës kombëtare, e funksionalizon të kaluarën me të tashmen, duke dhënë vizion për të ardhmen.  
Sa i përket gjendjes në bibliotekat e Kosovës, ende në bibliotekat tona mungojnë shkrimet, zërat për figurat e shquara të kombit shqiptar, për personalitetet kulturore, politike, pastaj  mungon historia e largët dhe e afërt e  Kosovës. Pra, mungon përmbajtja, si  dhe ndërtimi i Kujtesës së Kosovës.
Pra,  mungojnë  burimet historike, trashëgimia kulturore, dorëshkrimet e lashta, dorëshkrimet origjinale, mungon pjesa e dokumentuar e historisë së Kosovës, e cila do të mund të gjendej në arkiva dhe biblioteka të Evropës.
Në këtë mënyrë, strategjia e zhvillimit të bibliotekave shqiptare, ndër të tjera, e nënkupton edhe funksionalizimin e kujtesës kombëtare përmes një diskursi të ri të shkencës së bibliotekarisë dhe të informacionit. Pra, e reja duke iu rikthyer të vjetrës, do t’i gjejë prioritetet e afirmimit të vlerave elitiste kombëtare nga momentet historike në momente të aktualitetit.
Projekti për funksionalizimin dhe digjitalizimin e Kujtesës Shqiptare, tashti në rrjetin global të Kujtesës Botërore , do ta funksionalizonte një kujtesë të fuqishme kombëtare, qytetëruese e kulturore, fjala vjen, po t’i kishte të gjitha librat a dokumentet e shkruara e të botuara për Skënderbeun dhe Nënë Terezën, si dhe për personalitete të tjera të njohura shqiptare në përmasa botërore në periudha të ndryshme, për të dokumentuar  ekzistimin e civilizimit shqiptar në mijëvjeçarë, duke iu referuar edhe koleksioneve  të shumta albanologjike, të pranishme në jo pak biblioteka, arkiva, muze në botë.




IV.    HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE






1.     Historia e letërsisë shqipe dhe komunikimi letrar



Nëse mungon një Histori e plotë e letërsisë shqipe, cili do të ishte konstatimi më i qëndrueshëm se mund të rishkruhet, mund të plotësohet edhe ajo pjesë që është e diskutueshme apo e ideologjizuar e procesit vlerësues, që është shkruar në periudhën e kaluar në histori të ndryshme të letërsisë shqipe të botuara deri më tani, sikundër që do të mund të favorizohet dhe të merret si model i përshtatshëm, pra cilësia e asaj pjese që tregon për rezultatin e arritur në ofrimin e vlerave të dëshmuara letrare, sipas kritereve shkencore.
Duke u nisur edhe nga këto koncepte problematizuese, megjithatë Historia e letërsisë shqipe në shekullin XXI nuk mund të rishkruhet as të rivlerësohet. Prandaj, është gjithsesi e rëndësishme që, më në fund, të shkruhet sipas vlerave letrare të autorëve dhe kritereve shkencore të hartuesve të saj.
Nëse mungon ende Antologjia e poezisë, e prozës, e esesë, e kritikës shqiptare të shekullit XX, cilët do të ishin përbërësit kryesorë që do të tregonin  për njohjen dhe qarkullimin e vlerave letrare përbrenda tërë hapësirës kulturore shqiptare, kur nuk është përcaktuar qartë kriteri vlerësues me funksionalizimin e parimeve gjuhësore, estetike e stilistike të periudhave letrare.
Vlera letrare i nënshtrohet kriterit kronologjik historik dhe gjatësia e mendimeve të studiuesit për veprën e shkrimtarit, detyrimisht i nënshtrohet kriterit vlerësues. Ky është paradoksi për përcaktuesit metodologjik dhe shkencor në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë, jo vetëm me një Histori të letërsisë kombëtare, por me hartimin e historive të ndryshme të letërsisë për nivelin shkollor, universitar, akademik etj.
Temë-dilema e trajtimit të fenomenit Histori e letërsisë shqipe, mund të riprodhohet në disa variante dhe versione, duke u nisur nga tradita e shkrimit letrar shqiptar që ka të bëjë pikërisht me problemin e gjuhës,   datat, shkrimet e para apo librat e parë; pastaj problematika e hartimit, e kritereve, e modeleve etj., për të mbërritur tek historia e autorëve të ideologjizuar apo historia e e autorëve të anatemuar. Trajtimi i këtij fenomeni vazhdon deri te konstatimi  për “vdekjen e historisë së letërsisë” përbrenda komunikimit letrar bashkëkohor dhe mundësia e funksionalizimit të historive letrare.
Në kulturat e ndryshme të  botës janë shkruar dhe botuar dhe lexohen edhe sot  histori të letërsive kombëtare në lloje dhe zhanre të ndryshme apo edhe histori letrare, të cilat i kanë shenjat e veta autentike në rrafshin kulturor, letrar, stilistik duke dëshmuar kohën, hapësirën, shkrimtarët, veprat  e tyre, të cilat, gjithsesi, iu kanë nënshtruar një  kriteri shkencor, për t’i verifikuar vlerat letrare nëpër rrjedhat e kohës: nëpër faza dhe periudha të caktuara.
Gjithsesi, projekti për një Histori të re letërsisë shqipe , nuk do të nënkuptonte  përmbysjen e plotë të metodave dhe koncepteve të shtruara, të sistemuara dhe të paraqitura në tekstet e  historive të ndryshme të letërsisë shqipe të botuara në shekullin XX, që ka të bëjë me fenomenin estetik në raport me autorin dhe veprën apo me fenomenet tjera deri tek gjykimet subjektive. Prandaj, historitë e letërsisë shqipe të shkruara dhe të botuara në të kaluarën i përkasin asaj periudhe, kështu vlera apo pseudovlera e tyre ka të bëjë edhe me pranimin apo refuzimin përbrenda kodeve të komunikimit letrar. 
Mund të flitet për periodizimet, rrymat, prirjet, qarqet, periudhat, brezat në njërën anë, sikundër që mund të flitet edhe për kriterin ideologjik të Historisë së letërsisë  shqipe, madje edhe për ndarjen e shkrimtarëve në dy tabore: shkrimtarë përparimtarë dhe shkrimtarë reaksionarë. Kështu që thënia e P.Valery se ” Historia e letërsisë nuk duhet të jetë histori e autorëve ((…)Një histori e tillë mund të hartohet pa përmendur as edhe një shkrimtar”, në një mënyrë apo tjetër mund të dëshmojë për kompleksitetin e problematikës që ka të bëjë me përcaktimin e vlerës letrare, se a ka pasur deri më tani vetëm histori autorësh apo vetëm histori veprash letrare. Prej këtu do të vlente, në këtë rast, edhe konstatimi i Umberto Ecos se : “ Një histori e letërsisë mund të jetë shkruar thjesht si një doracak, nganjëherë ajo bëhet në të njëjtën kohë identifikuese veprash dhe histori idesh…”




2. Historia e letërsisë shqipe: kriteret etike dhe kriteret estetike



Në letërsinë shqipe të viteve ’20 dhe ’30 të shekullit XX dhe të asaj ndërmjet dy luftërash botërore, kur ndeshim çintegrimin e formës romantike të shkrimit te disa autorë, sikundër edhe insistimin e shprehjeve dhe modeleve të reja të krijimit, pra një përballje e heshtur mes soc-realizmit dhe modernizmit, nga përmasa ideologjike në anën tjetër bëhet çintegrimi i brendshëm i vetë letërsisë shqipe në këtë periudhë. Domethënia e ndarjes së saj në dy tabore: letërsia e shkrimtarëve përparimtarë dhe letërsia shkrimtarëve reaksionarë, parathotë shumë për zhvillimin e mëtejmë të individualiteteve krijuese, të cilat filluan të anatemohen dhe të ekskomunikohen në periudhën e mëvonshme të zhvillimit të letërsisë shqipe. Pas kësaj periudhe, letërsia e Shqipërisë dhe letërsia e Kosovës nuk i nënshtrohen një fati të njëjtë historik, ndërkaq letërsia e Arbëreshëve të Italisë ende nuk “strehuar” në gjirin e letërsisë kombëtare, fatkeqësisht atë e ka përcjell gjymtimi dhe cungimi i burimësisë së saj.
Gjithnjë përbrenda kësaj ndarjeje, krijohet dy skaje apo dy ekstreme të së njëjtës çështjeje. Këso mënyre, në vend që të konsolidohet prirja e letërsisë moderne me të gjitha veçoritë e saj edhe në relacione evropiane, ndodh e kundërta, çka do të thotë se ndërpriten fijet e konsolidimit edhe të formacioneve të reja stilistike që do të ruanin vazhdimësinë e vlerave kombëtare elitiste në periudhën pasuese.
Vetvetiu shtrohet pyetja: sa është bërë integrimi i brendshëm i letërsisë shqipe në gjysmëshekullin e fundit kur ka munguar komunikimi i rregullt kulturor brenda një kombi? Sa e njeh lexuesi, kritiku, studiuesi shqiptar letërsinë e krijuar në Shqipëri, në Kosovë, në diasporë, apo edhe pjesën më të mirë të atij krahu që është ishte ideologjizuar, censuruar apo anatemuar?
Në tekstet shkollore, në programet mësimore, në tekstet e leximit letrar, në antologjitë letrare, në historitë e letërsisë shqipe të deritanishme etj., është e domosdoshme të bëhet rirreshtimi tjetër apo rendi i ri letrar i shkrimtarëve dhe i veprave të tyre. Kështu që, diskutimet për letërsinë në rrethana të reja , shtrojnë një varg kërkesash për botimin dhe për ribotimin e tyre kritik dhe të specializuar, sidomos të veprave të traditës. Mirëpo, prapë mbetet dilema se kush do të shkruajë historinë e letërsisë shqipe? Apo kush do ta bëjë rishkrimin apo  rivlerësimin e saj? Do të bëhet kjo nga institutet, akademitë, departamentet e letërsisë apo  nga studiuesit e pavarur, të cilët do t’i shfaqnin pikëpamjet e tyre duke i eliminuar mitizimet dhe mistifikimet apo fragmentarizmat dhe keqkuptimet ndërmjet  metaforave ideologjike të partishmërisë së djeshme apo modernitetit e disidencës së shpifur estetike në të sotmen deri te mendësia klanore. Kjo nuk varet nga vullneti i historishkruesve të letërsisë, sepse çështja qëndron më ndryshe.





3. Histori e  letërsisë shqipe apo histori letrare


Duke i krahasuar idetë dhe mendimet e autorëve të rëndësishëm të letërsive të ndryshme që kanë të bëjnë me fenomenin e hartimit të historive të letërsisë apo të historive letrare, a mund të vijmë deri tek konstatimi se historia e ardhshme e letërsisë shqipe do të mund të shkruhej pa i përmendur fare autorët, por vetëm veprat që do të shënonin vlera kulminante letrare brenda kësaj letërsie.
Treguesit e ndryshëm letrarë dhe jashtëletrarë do të parapëlqenin një “kacafytje” midis modelit estetik dhe modelit etik në hartimin e Historisë së letërsisë shqipe . Veprat e autorëve të traditës letrare shqipe, të letërsisë moderne apo të letërsisë bashkëkohore, do të vënin një raport të ri midis shkrimtarit dhe studiuesit në shkencën moderne të ligjërimit kritik në fillim të këtij shekulli, prandaj ekziston një hamendjesim se a duhet të shkruhet historia e letërsisë kombëtare apo duhet të shkruhen një varg e vistër historish letrare.
Realizimi i projektit për një Histori të  letërsisë kombëtare  në kuadër të vështrimit përbrenda komunikimit letrar, kritereve etike dhe estetike, gjithsesi, i nënshtrohet një ndjeshmërie specifike që ka të bëjë me periodizimet, etapat, periudhat e zhvillimit, lëvizjet stilistike etj. Edhe letërsia e vjetër shqipe, ku mund të flitet për alfabetetet latine e arabe, sikundër që edhe në letërsinë romantike , letërsinë moderne, madje edhe letërsinë e sotme shqipe, problemi i gjuhës së veprave të autorëve është kaptinë më vete.
A mund të jetë historia e letërsisë kombëtare histori e kryeveprave, histori e temave, motiveve, ideve, stileve apo vetëm histori e autorëve dhe e shëmbëlltyrave të tyre. Nëse krahasimi është edhe metodë, atëherë përcaktuesi për letërsinë e brezave nëpër dhjetëvjetësha, është diçka më shumë se prerje e kufijve përbrenda vetë zhvillimit të letërsisë kombëtare. 
Historianët e djeshëm të letërsisë shqipe, po ashtu edhe historianët e ardhshëm do të  mund të “luhateshin” me konstatimet e tyre midis hulumtimit, interpretimit dhe vlerësimit kritik për të kërkuar a gjetur modelin se si të shkruhet apo rishkruhet e rivlerësohet  historia e letërsisë kombëtare, madje edhe ajo çka është histori dhe çka është letërsi.
Në këtë drejtim, studiuesit nga Kosova kanë pasur një përqendrim më të madh në vlerësimin e letërsisë, e cila është krijuar në Shqipëri, mirëpo vetëm në dhjetëvjetëshin e fundit ka ndodhur e  njëjta.
Nëse hartuesi apo hartuesit e Historisë së letërsisë shqipe do të ballafaqoheshin me një poezi me shkrim arab të shkruar në Kosovë në fund të shekullit XVII, të një autori, po ashtu, nga Kosova, a do të mund të trajtohej njësoj fjala vjen si poezia e mirënjohur “Një lule vjeshtet” e Fishtës. Apo vepra letrare e  Naim Frashërit  a do të mund të trajtohej njësoj me hapësirën e faqeve brenda Historisë së letërsisë shqipe, fjala vjen, sa vepra letrare e Ismail Kadaresë.
Historia e letërsisë nuk mund të jetë interpretim i pëlqimit subjektiv, por tipar i vlerësimit shkencor. Hapësira e faqeve për fenomenet apo veprat e analizuara nuk e përcakton vlerën e veprës, por e rrënon konceptin estetik duke e riprodhuar idenë për letërsinë e masave.
Si do të shkruhej Historia e letërsisë shqipe sot pa veprën e Fishtës, Konicës, Lasgushit, Koliqit, Kutelit etj., siç ishte shkruar e botuar në të kaluarën në “pasqyrat” e historive të letërsisë shqipe .
Debati për hartimin e mundshëm të Historisë së letërsisë shqipe, tani ka filluar. Përballjet e studiuesve të letërsisë për këtë projekt, nuk do të dëshiroja të jenë të njëjta apo të ngjashme me përballjet e  historianëve në projektin për Historinë e popullit shqiptar.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...