Nga Petrit Nika
“Përgjithësisht, për autorin shqiptar (sidomos atë të paafirmuar ende) është një poshtërim i vërtetë të trokasë në derën e një shtëpie botuese, ku po s’pate paratë në dorë, s’denjon njeri as të pranojë për të ta lexuar dorëshkrimin, qoftë edhe në disketë apo gjithësesi që ta kesh.
Një çështje fort serioze që ia vlen për tu ngritur sot në botën letrare shqiptare është ajo e shqyrtimit të funksionimit mardhënësor midis përbërësve të trinomit kulturor; autor (a) + botues (b) + lexues (l). Matematikisht, për ata që i pëlqejnë të dhënat përmes rrugëve dixhitale,neve na del se; a + b + l = ? Kaq. Por kjo “kaq” është një konstatim bashfort pikëllues për intelektualin shqiptar,mbasi qenësia e një dukurie të tillë po i sjell gjithë ato probleme letërsisë sonë të re, gjë që do të ishte mirë të shihej me më tepër interes për ta bërë object debati në faqet kulturore të shtypit shqiptar. Personalisht jam I mendimit se letërsinë nuk e bëjnë as kritikët, as botuesit, as lexuesit, as hartuesit e antologjive,- letërsinë e bën ai që ne rëndom i themi autor, disa i thonë edhe homoscritore, por… nejse.Megjithatë, duhet theksuar këtu pa mëdyshje, se letërsia s’mund të bëjë as pa këto tri kategori individësh, të cilat i qasen asaj me interesa respektivisht të ndryshme. Lidhur me rëndësinë, sa për mua, them se më I rëndësishmi dhe më i domosdoshmi ndër këto kategori është sall lexuesi,për të cilin botohet ajo ç’ka shkruhet dhe në mungesë të të cilit ajo çka shkruhet vdes; shuhet në asgjë bashkë me kohën, dmth., me autorin, i cili,fizikisht (sado gjeni le të ketë qenë intelektualisht),u nënshtrohet pa kushte ligjeve të materies. Lexuesi, mendoj,përbën një anë të rëndësishme të problemit,mbasi ai i qaset letërsisë sipas disa interesave, të cilat mund të jenë mbase thjeshtë shkagime kokëshkrepjesh vrakohëse, ase ndofta (fatbardhësisht) tërheqje prej përvojash të mirëfillta leximore.Gjithësesi, për lexuesin mendoj se ai nuk lind, por bëhet i tillë në një proçes të caktuar kohor, nga autori + (botuesi + kritika), në një mënyrë paksa të mistershme, perms artit të fjalës, përmes misterit të krijimit,ku pavetëdija kthehet prore në vetëdije, por edhe përmes prezantimit me vlerat e qenësishme të letërsisë nga një ndërmjetës (këtu; botuesi + kritika) që e merr përsipër këtë rol. Pra, që autori të shkojë deri tek lexuesi, ekziston një proçes i tërë, i cili quhet komunikim dhe në hallkat përbërëse të këtij komunikimi (midis autorit dhe lexuesit)luajnë rolin e tyre padiskutueshmërisht ndërmjetës botuesit, pastaj edhe kritika, e cila në letërsinë tone rëndom luan edhe role të pandershme,ndonjëri prej të cilëve tashmë edhe është kritikuar prej opinionit më të ndjeshëm letrar.Përveç kësaj mënyre, vërtetë të ndërlikuar (habitisht, në dukje e thjeshtë!) komunikimi autor-lexues me ndërmjetës botuesin (kritika vjen më pas), e cila sot varet pothuaj tërësisht në dorën e këtij të fundit (botuesit),mua më është dukur bollfort ideale një lloj mënyre krejt e drejtpërdrejtë, të cilën e kishte ideuar poeti Arjan Leka në fillim të vjeshtës së këtij viti, ku autori dhe lexuesi komunikojnë në sinkroni; përballë njëri – tjetrit dhe në fund kanë shansin edhe të ngjërojnë së bashku verën dionisiane, krejt si në epet homerike, pranë detit dhe rrëzë mureve të moshuar të një shqeli, siç ishte rasti i Poetekës në Durrës.Por autori gjakon për më tepër, kur gjendet me veprën në duar,pas aktit të krijimit. Komunikimi i tij me lexuesin synon të jetë në tejkohësi (diakroni), ase e thënë më thjeshtë ndoshta, në shumëkohësi. Në sinkroni kontakti autor – lexues (receptues),gjithësesi që të jetë, arbitrohet nga faktorët Kohë dhe Hapësirë. Autori jeton në një kohë të caktuar dhe jo përjetësisht, që të jetë përherë në dispozicion të lexuesit (receptuesit), kurse vepra letrare e shkruar dhe e botuar diku, mund të jetojë më gjatë ngasa mendohet. Më kujtohet një mbrëmje shtatori e këtij viti, kur bashkë me E.Hatibin lexonim në Durrës, rrëzë mureve të shqelit të vjetër, poezitë tona dhe të poetëve G. Çoçoli e R. Zekthi,sa me respekt, një auditor lexuesish(receptuesish) vërtetë të nderuar dhe me nivel kulturor, ndiqnin asosacionet poetike, ndërsa një rigë e lehtë shiu (prej lagështire dhe drite) vejevinte butësisht përmbi ta. Më vonë u mendova gjatë për ata lexues (receptues) dhe për shiun e asaj nate, i cili jo vetëm që nuk i detyroi të ngriheshin, por madje as të tregonin qoftë dhe më të voglën shenjë të padurimit. Ajo natë dhe respekti I veçantë (Hatibi e ka quajtur në një shkrim “religjiozitet”) që tregonin ndaj poezisë lexuesit durrësakë, më ka yshtur t’i brendashikoj më thellë raportet autor – lexues (a + l) dhe të konkludoj se botuesi, i cili gjithmonë është nyja kyçe e këtij komunikimi, më së shumti,ka në dorë t’i ndërtojë apo t’i prishë raportet midis tyre, o nga moskujdesia ndaj mesazheve artistike nga dhënës të paafirmuar ende në opinion, o nga grandeizmi, cinguiniteti që në vend se të investojë dhe të “konsumojë” atë që është vendase, zgjedh vetëm për të konsumuar në kuptimin e vërtetë të këtij verbi, atë që vjen prej larg, shpesh herë të sjellë përmes një eptimi në shqip krejtësisht skandaloz.Ky lloj (sa)botuesi te ne tashmë nuk përbën më një fenomen spontan, por gradualisht dhe pakorrigjueshëm është shndërruar në një kategori pothuajse përgjithësuese, ku në fakt, personalisht, (qofsha i gabuar!) unë s’di të veçoj ndonjërin, i cili në emër të vlerës (së paafirmuar ende) të“sakrifikojë” sadopak për të promovuar artproduktin më të ri në letërsinë e këtij vendi.Përgjithësisht, për autorin shqiptar (sidomos atë të paafirmuar ende) është një poshtërim i vërtetë të trokasë në derën e një shtëpie botuese,ku po s’pate paratë në dorë, s’denjon njeri as të pranojë për të ta lexuar dorëshkrimin, qoftë edhe në disketë apo gjithësesi që ta kesh.Pra, si i tillë (sa)botuesi shqiptar në vend që të jetë një urë komunikimi,dmth., ta çojë autorin tek lexuesi, ta realizojë komunikimin midis tyre, ai sa vjen e po bëhet vrasës i atij të parit (a) dhe zhvatës i këtij të dytit (l), rrjedhimisht po shndërrohet në një vrasës të kulturës kombëtare, ku vetëm u hap dyert gjithëfarsoj tuhafëve përsiatës, të cilët nga xhelozia e sëmurë për të patur një libër të botuar,qoftë edhe dosido, e zgjidhin qesen dhe, tak-fak shkojnë e zënë vend në vitrinën e librit përbri Kadaresë,Mustafajt, Zogajt etj., – të paktën në tre a katër qytetet më të mëdha të vendit.Botuesi po bëhet vrasës i autorit dhe I kulturës sonë kombëtare, mbasi nuk po bën as përpjekjen më të vogël për të ndërtuar ura komunikimi midis lexuesit shqiptar dhe autorëve bashkëkombas të tij, (për integrimin e këtyre të fundit në botë as që bëhet fjalë), jo vetëm përmes botimit, por as perms rrugësh të tjera më efikase në sensin e promovimit të autorëve në plural dhe më pa shpenzime në aspektin financiar,siç ishte rasti i Poetekës së Arjan Lekës në Durrës, apo siç mund të jetë ndonjë konkurs letrar apo mbrëmje letrare e ndoshta, pse jo, edhe plot mënyra të tjera, përmes të cilave do të mund të promovoheshin vlera të reja dhe të fitoheshin,gjithashtu, vlera të mëtejshme,duke investuar njëkohësisht për të ardhmen e tyre si botues (financiarisht)dhe për kulturën kombëtare(përmes prezantimit të autorëve). Botuesi po bëhet vrasës i autorit dhe i kulturës sonë kombëtare, mevipomaninë, ase e thënë ndryshe, me marramendjen e tij skandaloze për të parë vetëm e vetëm nga emrat e mjaftafirmuar, të cilët i boton e i stërboton pa ia dá, madje në tirazhe relativisht të larta, ndërkohë që për një“anonim”, i cili troket në portat e mbylluara (prej tyre) të letërsisë së vendit të tij, s’denjon njeri t’i lexojë qoftë edhe një faqe të vetme nga dorëshkrimi, le më të mendohet se do ta çojnë tek lexuesi; kjo në emër të parasë aq të dashur e të shtrenjtë, e cila as që duhet vënë në pikëpyetje kur bëhet fjalë për “provincialët” e letërsisë. Edhe në konferenca shtypi apo në intervista të ndryshme përpara mediave, në vend që të kurajohet lexuesi për t’u miqësuar me autorin e ri,vini re se sa me përbuzje flasin botuesit tanë për “autorët e vendit” (pikërisht për ata të cilët vetë i kanë botuar,duke u marrë goxha para madje), kur gjithkund e gjith’herë përmenden dytre sish dhe pastaj ngrihet para mbarë opinionit vlera e “autorit të huaj”, i cili thuhet se është i aq’fortshum’kërkuar“prej tij”, dmth., lexuesit. Këtu është momenti të gjykojmë se kemi të bëjmë me një vrasje të mirëfilltë kriminale, që i bëhet autorit shqiptar dhe ditën për
diell madje.Në historinë e zhvillimit të letërsisë botërore, që nga shpikja e shtypshkronjës së parë dhe deri më sot,po të ishte ecur me këto politika kulturore që kanë për autorin dhe letërsinë(sa)botuesit shqiptarë, them se do të ishte botuar mbase vetëm një Hygo,një Skot, një Balzak, një Dyma e ndoca pak autorë të tjerë kësodore, kurse Floberi, Dostojevski, Bodëleri,Aragon, Breton, Kafka, Xhojsi etj., as që do të botoheshin kurrëndonjeherë në letërsitë e tyre kombëtare, – në gjuhët e tjera jo se jo.Botuesi shqiptar po bëhet vrasës i autorit dhe i kulturës sonë kombëtare, duke e mbytur tregun e librit me autorin e huaj; ku pranon të sakrifikojë duke blerë copyright-in,duke hequr paratë e përkthimit, (tek ne përkthyesi vlerësohet më lart – hej! E hej! se autori), botimin, komercializmin dhe shpërndarjen, ndërkohë që për autorin shqiptar shpesh’herë(pothuaj kurdoherë) s’pranon të sakrifikojë duke i ofruar as vetëm njërin nga këto shërbime; atë më të domosdoshmin;botimin e librit.Të mos flasim pastaj për cilësinë e shqipërimeve që u bëhen veprave të autorëve korifej të letërsisë së përbotshme, gjithë gabime ortografike,pasaktësi në mjeshtërimin gjuhësor sintaktik e morfologjik.Mrekullohesh, psh., kur lexon një roman nga Kadareja, Camaj, Tufa,Kongoli, Graçi e ndonjë autor tjetër,ndërkohë që ngelesh ndërdyshas përballë Markezit, Buxatit apo ndonjë shkrimtari gjithaq të madh e të përbotshëm,të botuar nga shtëpitë tona(sa)botuese me asi tirazhi që pjesa modeste e autorëve shqiptarë, të cilët orvaten të afirmohen në hapësirën kulturore të atdheut të vet, as që mund t’ia lejojnë vetes vetëm ta përfytyrojnë për librat e tyre.E sikur të mos i mjaftonin të gjitha këto, autorit shqiptar në Udhën e tij të Kryqit, i vijnë pastaj vrasjet e ngandonjëhershme edhe përmes antologjive,ku botuesi vazhdon të bjerë e të bjerë me kokëfortësi në gabime kriminale ndaj autorit dhe kulturës,duke mos e parë e, shpesh me dashje duke e mohuar atë inisiativë, e cila kërkon të përkrahet në mënyrë urgjente.E theksoj “iniciativë”, mbasi ajo dukuri e re letrare edhe nëse ende s’përbën vlerë, përbën tek e fundit hapin e parë drejt vlerës; pa qenë iniciativa vlera s’mund të formësohet asnjëherë.Por mbi të gjitha, ç’është më kriminalja nga të gjitha këto, babëzisë kapitalgrumbulluese të (sa)botuesve tanë u shtohet edhe babëzia krejt skandaloze dhe e papranueshme e shtetit, I cili në vend që të jetë – në mos donator– të paktën rregullator i mardhënieve të kulturës me biznesin, është kthyer në një vrasës të pashoq të cultures në emër të interesit, biznesit dhe dreqit, përmes vendosjes së tvsh-ve tepër të larta që rëndojnë mbi aktivitetin e shtëpive botuese dhe sidomos përmes indeferencës totale ndaj proceseve të reja letrare në botën kulturore shqiptare.Si përfundim, ekuacioni I paraqitur për shqyrtim në krye të këtij shkrimi, na del si vijon: a + b + l = b +(l) – a.