2012-01-25

CIKEL POETIK NGA IRENA GJONI






IRENA GJONI ka kryer Studimet Universitare për degën gjuhë – letërsi. Në vitin 2007 ka përfunduar Studimet Pasuniversitare dhe ka fituar gradën “Master” për letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është në ndjekje të shkollës doktorale po pranë këtij Universiteti. Ka punuar si gazetare në median e shkruar kombëtare dhe lokale, në Radio “Gjirokastra”, në radio dhe televizion lokal të Sarandës. Aktualisht është pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës Filiali Sarandë, mësuese letërsie në gjimnazin “Hasan Tahsini” Sarandë si dhe gazetare në mediat lokale.

Që prej viteve të shkollës së mesme e në vijim ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm. Në vitin 2003 ka botuar librin me poezi “Tatuazh në shpirt të detit”. Në 2008 boton librin studimor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” (material me të cilin ka fituar Gradën “Master”), si dhe vëllimin me fiksione “Gjysma dashurish” (2010).



KËTU JETOHET, KËTU VDISET



Këtu jetohet.....dhe vdiset...



..maskohen njerëzit

e kalojnë duke dashuruar



Vrastar riti i zakonshëm i rutinës.



E morali me lëkurë dhie

vrastar për një shpirt bohem



ku një dashuri...është pak...për dashurinë



Koha jote rri e veçantë në mua

Për ty kam kohë sa kam frymë



...këtu jetohet... këtu vdiset...





AVLEMENT GALAKTIK



Në avlementin galaktik

ndesh, përshtat , nusëron

e përpunon ëndrrën



Pa mundur të kristalizojë

të vetmin labirinth,

atë të vetvetes.



Fat gllabërues

që barqeve konservon

lartësimin e profilit



I aftë të krijojë një tjetër ikonë...



HESHTON ME KLITHMËN E HESHTJES



Ëndrra që mbetet në ëndërr.

Je ti

Ëndrra që mbetet në ëndërr -

gur varri

që rri mbirë në kokën e heshtjes...

gur varri

që i flet….ëndrrës

gur varri

që heshton në ty

Heshton me klithmën e heshtjes



ME TY PO TRUPOJ ZJARRE PA U DJEGUR



Me ty po trupoj zjarre pa u djegur

duke të dhuruar zjarrmi nate

e etje buzëputhje zharitur në mall

në temperaturë diellore



Pak...kohë deti me Ty...

të kalëronim dallgët...

Eh, si djersiten ato…

si vjellin...zallin që kanë brenda



Kripa e jodi mbi lëkurë

Konturojnë harta thesaresh dashurish

Të pazbuluara kurrë

e të lexueshme vetëm

nga ata sy me shije deti





E guacka marroset

nën ritmin kalorësiak

të bukuroshit mitik



... Me ty po trupoj zjarre pa u djegur...



NJËZET E KATËR



Unë i dua thellësitë e mia jonike

dhe majat e maleve të tu

Ajo që s’është e thellë

e nuk kap majat te retë,

s’ka hyrë kurrë në shpirt

e s’ka rrëshqitur mbi lëkurë...



PËRNDRITJE (F)LOÇKE



Trishtimi endet

në perëndimin e diellit.

Muzgu ngrihet nga thellësitë,

duke mbajtur në sup

arkivolin e heshtjes.

Dalëngadalë

errësira nis rëndon mbi ajrin



Trupi i (F)loçkës ershëm farfurin

duke përndritur natën



Është ora e saj...



RRUGËTIM



... së pari fillohet nga shpirti..

.Pastaj nga lëkura, nga...

krejt ngadalë, si nëpër mjegull...

Butë dhe ëndërrueshëm

rruga për në qendër të botës

kalon nga era...



NË TË NJËJTËN TJETËRBOTË...





Erëligat e orëligat po e ndëshkonin

shkulshëmflokësh

shkulshëmrrënjshëm

shkulshëmzemrash

përpiqeshin t’ia merrnin

ikonën e projektuar në zemër.



Tërbimi frenetik ish’ pa fre

Pse e deshti sa nuk e kishte dasht’

kush tjetër në këtë jetë

e nuk kishte për ta dasht’

as në përtej-jetë.



Shpirti vajtueshem kolovitet nga parajsa në ferr

Stiksi ishte kufiri i fatit

Fati ishte AI

Ajo ishte e destinuar të jetonte brenda fatit

Ajo jetonte brenda tij.



Ajo po e ndërtonte veten brenda tij

Ndanin të njëjtin puls zemre

Një frymëmarrje u mjaftonte të dyve

Hanin të njëjtin ushqim amëshimi

Tirrnin të njëjtën fije drite

Ternin të njëjtin tingull ajri



Vetëm në një lot ngrinin uragane

Tek një flokëz dëbore ndërtonin themele lumturie

Deheshin në ekstazë nga e njëjta aromë manushaqeje.



Josheshin nga të njëjtat muza

Tek i njëjti shikim shpërthenin

e shuanin vullkane brenda një sekonde

Shihnin të njëjtën ëndërr apokaliptike



... Jetonin në të njëjtën tjetërbotë...

... Jetonin në një tjetër njëjtëbotë...



AUTOPORTRET



Ngjitur shtyllave të rrugëve



- Si në kohët e lashta,

lajmërimet e vdekjeve, - pëshpëris



(Ej, bukuroshe, kjo erë vjeshte

ta zhbën nocionin kohë?)



Fletës së letrës,

në këmbë i ka ngelur vetëm një gisht,

i mjafton balerinës virtuoze

të bëjë vallzimin e vdekjes

nën ritmin e erës



Fryma po i del çikë e nga një çikë



Ekspozitë...fotografike

Modele...- Biondia...e...Detit

Fo...to...graf...-me...ndjet... ...e... ...

a...dh...u...r...u...e...s...v...e...

...t...ë... ...s...a...j...



Shpirti i fluturoi

rrathëve të ferrit - rrugicave vjeshtake

Per t’u bastarduar

Nënkëmbëve të kushedi kujt

Fotograf - Mendjet e adhuruesve të saj



E fiksuar fotografive nga mendjet

Në çastet më fatlume a fatkeqe

sjellë adhuruesve të saj



Një vetull perfekte në ironi të dashurisë

e vjedhur një fije floku e verdhë,

e mbajtur fatsjellës,

një arkivol sysh - guackë perle kënaqësi,

një buzëqeshje vrasëse pa pagesë,

buzë të kopjuara me karbon të kuq buzësh

për t’u risjellë pranë netëve ogurzeza,

një gjoks ngacmues, përtej dekoldeve

dhe bluzave të ngushta,

mantel të kuq gëzofësh - mburojë shigjetash,

një lot i zi,

përzier me helmin e dhimbjes e rimelit,

duar të sikletshme, përherë në mbajtje të shanceve,

ëndrra të mëdhaja,

pa ditur ditën e lindjes e vdekjes,

mendje në lojëra fantazie,

hipnotizuese për të tjerë



E gjitha e ndarë,

në një labirinth mendjesh,

E ngelur në të njëjtin vend,

E ngelur në të njëjtën moshë,

E gjendur në të njëjtën bukuri Beatriçase



Ekspozitë e parë me shpirt të rrënuar,

E paçuar gjer në fund,

E trembur nga bukuria e dikurshme,

Nga adhuruesit e shumtë gati mitikë,

Nga ëndrrat të ëndërruara dikur fatlume



Me shëmtimin krijuar prej zhgënjimit,

Me çmendurinë prapë pinjoll të zhgënjimit,

Eci rrugëve duke mbledhur gjethet e vjeshtës,

Me përfytyrime - fotografitë e mendjeve të adhuruesve

Pa i parë

Vetëm duke iu trembur

Bastardimit nga nënkëmbët

E kushedi kujt...







I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...