....Sikur rendin etshëm zulutë...






Naim Kelmendi (1959). Lindi në fshatin Ruhot të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, ndërsa studimet universitare, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Naim Kelmendi një kohë të gjatë ka jetuar në Zvicër.

VEPRAT LETRARE:

POEZI: “Shtreza në fjalë” 1984, “Nyja e Gordiut” 1992, “Albanoi” 1992, “Pse ashtu Pandorë” 1993, “Ç’të bëj me dhembjen” 1993, “Satanai me fytyrë tjetër” 1994, “Eklipsi i diellit” 1997, “Përballje me vdekjen” 1999, “Shqiptari vdes duke kënduar” 2000, “Kohë për të folur gurët” 2001, “Sipërfaqja e padukshme” 2003, “Në një jetë pas Krishtit” 2010.

PUBLICISTIKË: “Vrasja e deputetit – monografi”, 2003, “Pikëpamje dhe reagime” 2008, “Beteja e Koshares”- publicistikë 2009.

Etj.

Naim Kelmendi jeton në Prishtinë.


ESENCA

Në esencën e gjërave

kërkoje veten

në margjinat e jetës

nuk jetohet ashtu vetëm

të kanë zbuar

deri në moskuptim

pastaj t’i bëjnë

të nëntëdhjetenëntat

prapa shpine e përanash

tash të duhet vetëm esenca

e asaj që është gjakuar

nga paraardhësi ynë

në një kuptim të jemi Një

me degët rreth një trungu

jo ti fryesh më një fyelli shurdhan

nëpër botë fillivetëm pa identitet

kthehu te esenca dhe kërko kuptimin

në lëkurën tënde të rrjepur

në gjeografinë e kombit

sepse mashtrimit i del vonë tymi

po një mik yti tash është sa njëqind

të dikujt tjetër,

aty ku duhet të jesh ti ende s’je

e mos më kallëxo përralla pa kripë

kur e lëqit vëllain tënd

pse sheh me sytë e Argusit

pastaj si mor si kënaqesh

me vetveten në kaq kuptim

po a ta kanë copëtuar gjeografinë etnike

shekujve dhe a s’po të dhemb kjo

kur në esencë nuk je ai që je


DUKE QENË VETVETJA

Duke qenë vetvetja jam mërguar

nga esenca e gjërave të dashura

jam mbyllur si eremit në jetën e pajetë

kam thirrur në njeri dhe s’më ka dëgjuar kush

askushët janë shtirur se kinse s’kanë dëgjuar

se kinse s’kanë parë asgjë përtej hundëve

duke qenë vetvetja kam rënë në dashuri

me të vërtetën e ditur e të hidhur pelin

ia kam vënë kokës fjalën në pritë

vetëm për t’ua thënë në sy t’palarat

vetëm për t’ua numëruar poshtërsitë

dhe, duke qenë vetvetja përjetësisht

gjak më kanë pikuar mendimi e fjala

dhe s’kam luajtur kurrë nga e thëna

veç plagët ulërinin idhshëm shpirtërisht



UNË ME KOHËN FLAS VET


Dikund në një sfond i vetmuar po vdiste

zëri i një fëmije-engjëll

për shkak të hipokrizisë së të mëdhenjve

vetëm për shkak të vdekjes

së ndërgjegjës në njeri

dhe për shkak të mosleximit

të librave filozofik mbi moralin

librat nuk shiten si dikur

në treg shkojnë flakë laviret

marihuana pederët dhe gratë mashtruese

a po frikësohesh nga e ardhmja e pakrijuar

e pyeta dikend atje në grumbull

para shitores ushqimore me çmime të lira

jo assesi, sepse jemi mësuar tashmë

me gjakderdhjen me terrorin me krizat me luftën

po fatin tim si ma ruajnë kaq shumë

këta, armiqtë që kurrë nuk flenë -

këtë herë heshtjen s’do ta lë të heshtë

unë me kohën flas vet për gjërat në mungesë

për tregun e fjalëve që shiten shtrenjtë

në emër të çështjes kombëtare

për shpirtin e lënë rrugëve të botës

përtej shtatë detëve,për biografinë

në pasqyrën e thyer në letrat e dashurisë

të vëllait Serembe, atij fatkeqit dashnor

ai sërish mendon të kthehet në vendin e krimit

qyqet do i vras mbi qiparis nëse më vajtojnë

këngë qyqesh, s’dua më këngë vajtimi

mbi një mendim më pret ky fati im, i miri

sepse e di pse jam dhe e di kush jam

andaj me kohën flas vet unë i-liri




MEDITIM

Keni masakruar shekujve

me gulfim gjaku me mizori

por, a e keni menduar një

se veç një farë shqiptari

t’mbetet dikund, ai do t’mbijë

zoti s’ka thënë se do zhduket

ashtu si mendon armiku i tij…

Prishtinë, dhjetor 2009



ÇAST VETMITAR

A thua

a do të kishte kuptim

kjo Mulhouse

pa një shqiptar

si unë,

edhe këtu flitet shqip

dhe pëlcet shqip mendimi

heshtja e vret heshtjen me përmallim

po ku u fshehët biografi

e gjurmëve, dilni

biografi e rrugëve të fatit tim

Mulhouse, korrik 2009


KUTIA E MENDJES

E di se jam

atje

këtu

gjithkund

ngapak

dhe ndoshta askund

e di që jam

ai që jam

në ecje

të pandalshme

për t’i kapur fijet e këputura

dikund ka ndodhur

pakuptimësia

dhe ka ardhur rënia

tash jam aty ku jam

sërish te kërkimi

në vetveten e humbur

caqeve të pakuptimësisë

në aureolë të jetës

më pret lavdia

atje në breg të fjalës

në breg të shkrimit

një horizont i bardhë

hapësirave të pajetuara



Shtutgart, 8 korrik 2009


NDJENJË

Unë ty të kërkova

apo ti mua më gjete

fati im i fshehur

kemi kaluar

rrugë të gjatë

e të përvuajtur

sërish u takuam bashkë

e u pamë me hënë të mirë

me hënën pesëmbëdhjetëshe

tash po ecim

me veten tonë secili

me nga një kryq mbi shpinë-



ATY KU S’ISHIM

Secili jeton të veten

pjesën e vet secili

e merr nga dega e tij

dhe ecjen dhe biografinë

e vuajtjes

prandaj uroj të kenë vreshtat rrush

e të bëjnë kumbullat kumbulla

plot degën fiku

dhe plot këngën plot dhembjen

koha e vargut

le të na e duan

së paku gjurmën

atë që bëmë njeherë

për të mirën e tjetrit

e vetëdijën e gjërave

dhe s’prish punë jetuam

sipas qëllimit të parë e të mirë

apo s’jetuam ashtu si e pamë ëndrrën

për ideale të larta, pse na e morën dardhën

në degën që s’arritem as ta prekim,

sepse ishte në pyetje atdheu,

i mi që më kërciste nervat

nëpër të vërtetën e thënë

i tyre që po ia shtrydhnin

tamblin e nënës,po ia hanin

deri në palcë kuptimin e tyre

sikur rendin etshëm zulutë

sepse pjesën e vet secili e merr

nga dega e tij,dhe shkon

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)