NGA AKADEMIA PËRKUJTIMORE, KUSHTUAR
DR. RUGOVËS QË U MBAJT NË INTERLAKEN
PRESIDENTI RUGOVA KUR VIZITAT E TIJ I BËNTE JASHTË KOSOVËS ÇDO HERË DO TË NDALONTE EDHE NË ZVICËR
Me rastin e 6 vjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në Interlaken (BE), u mbajt një akademi përkujtimore në të cilën morën pjesë bashkatdhetarë të shumt nga ky regjion dhe më larg.
Akademinë e hapi aktivisti Gani Demi i cili pasi i përshëndeti të pranishmit tha se përkujtimet e tilla për personalitete të rëndësishme të kombit sjellin, emocione, dhembje, nostalgji dhe krenari, prandaj themi se: "Janaret gjatë historisë ishin dhembje dhe krenari kombëtare".
Ne po i përkujtojmë të gjithë ata, shtoi z. Demi, sepse duke i përkujtua të rënët e janarve gjatë historisë ne vetëdijesohemi më mirë. Siç dihet Heroi Ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vdiq më 17 janar 1468, Heroin i kombit Isa Boletini me të bijtë dhe shokët kanë rënë në luftime në afërsi të Podgoricës më 23 janar të vitit 1916. Heronjtë e kombit, martirët e frymëzimit për liri e demokraci siç ishin vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka janë vrarë më 17 janar 1982, në Untergrupenbach të Gjermanisë, kurse Heronjtë e lavdisë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, në luftime me forcat e policisë serbe do të bien heroikisht më 11 janar 1984 në Prishtinë.
Heronjtë e parë të gueriles shqiptare, ose më mirë të themi nismëtarët e parë të UÇK-së, Zahir Pajaziti, Edmon Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, u vranë në pusi në fshatin Pestovë të Vushtrrisë më 31 janar 1997. Edhe komandantët e luftës së fundit çlirimtare, deputeti Smajl Hajdaraj, komandanti kolonel Tahir Zemaj me djalë dhe nip do të vriten më 4 janar 2003. Po në janar vritet Enver Maloku (11.01.1999), dhe katër ditë më vonë do të ndodhë edhe masakra e Reçakut, (14 janar 1999).
Prijësi i Kishës Katolike të Kosovës Imzot Mark Sopi, vdiq më 11 janar 2006, si dhe profesori i nderuar Zekirja Cana dhe shumë të tjerë, por shtoi z. Demi, se Janari ka simbolikë tjetër pasi mbahet përkujtimi për Presidentin Historik, shpirtëror e moral, strategun e politikës dhe diplomacisë shqiptare, vizionarin e kombit Dr. Ibrahim Rugova.
Dhe sikur të mos ishte politika dhe diplomacia, e urtë e demokratike, për liri e presidentit historik, a do e kishim 4 vjetorin e pavarësisë së Kosovës? Ishte Ai që i vuri themelet e shtetit demokratik të Kosovës tha pos tjerash z. Gani Demi.
Një biografi të Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova e lexoi Qamil Çekaj, kurse ish kryetari i LDK-së në Zvicër dhe veprimtari shumëvjeçar z. Hajdar Sadrija evokoi kujtime nga takimet e tija të shumta me dr. Ibrahim Rugovën. Ai ishte mjaftë i mallëngjyer dhe njëkohësisht i emocionuar kur tha se kam nderin, që sot të paraqes disa nga kujtimet e mia të shumta që i pata me më të madhin e kombit dr. Ibrahim Rugovën.
Për mua këto kujtime shtoi z. Sadrija, edhe sot e kësaj dite janë ngjarje të freskëta por se ishin takime të shumta, s'ka dyshim prandaj i kujtoj dhe i rrëfej me krenari dhe përplot nostalgji. Por mund të shprehem lirish se me kalimin e kohës takimet e mia me Presidentin Rugova u benë të zakonshme, dhe ishin të shpeshta pasi siç dihet presidenti Rugova, çdo vizitë të tij që e bënte jashtë Kosovës do të ndalonte edhe në Zvicër, kështu e pata fatin e mirë ta presë dhe ta përcjell në dhjetëra vizita e udhëtime të tija. Vështirë është t'i përshkruaj të gjitha ato takime, por z. Sadrija i përmendi disa të tilla që atij i kishin lënë mbresa më të mëdha.
Në pjesën e dytë të kësaj akademi u bë edhe prezantimi i krijimtarisë letrare të veprimtarit të LDK-së, shkrimtarit tashmë të afirmuar z. Shefqet Dibrani. Për librin e tij të fundit "11 Minuta para orës '00", një analizë të thuktë që e kishte shkruar veprimtari i LDK-së Jusuf Demaj (në mungesë të tij) e lexoi Hajdar Sadrija, kurse profesor Sallah Januzi i bëri një qasje kritike librit si tërësi. Në fund të pranishmit dhe organizatorin i falënderoi vet autori, kurse me të pranishmit bë një diskutim letrar i cili vazhdoi edhe gjatë koktej të cilin e kishin organizuar me këtë rast!
Interlaken 21 Janar 2012
Hajdar Sadrija
Fotograf: Rexhep Rifati
Fotografitë nga gazetari Rexhep Rifati nga mbrëmja e mbajtur në Interllaken (BE)