Nga Faik Xhani
Kohët e fundit shkrimtari veteran dhe mjeshtër i tregimit Bahri Myftari solli për lexuesin një botim të ri me tregime e novela më titull:
“Vjedhësit e erës”. Është një libër që përfshin 22 tregime e novela dhe që hapet e mbyllet me dy brerore artistike prej mjeshtrave të letrave Perikli Jorgoni e Sulejman Mato me tituj: “Mjeshtër i tregimit” dhe “Bahri Myftari-shkrimtari që shpirtëzon botën”.
Libri ka 222 faqe që lexohen me një frymë dhe kur përfundon së lexuari, lexuesi mbetet i shtangur, në pritje për të vazhduar akoma dhe konkludon: Edhe më , edhe më, edhe një tjetër, edhe një tjetër...Jo, jo, nuk dua të mbarojë, nuk dua të shkëputem nga ky libër magjeps që të mbështjell në vetvete, të pushton të tërin, të mobilizon, frymëzon, por edhe të bën të reagosh, të duash, të simpatizosh, të respektosh e nderosh, apo të urresh, të luftosh, të kritikosh, të punosh e të kontribuosh, sa të jesh gjallë për të mirën e shoqërisë, për të mirën e popullit e kombit tënd.
“Vjedhësit e erës! i Bahri Myftarit është libri i jetës, është modeli më i mirë i një libri që zhbiron çdo pore të shoqërisë shqiptare.
Nuk thonë kot, se shkrimtarët plumba s’kanë, por, për të vrarë të vrasin dhe të vdekurin e ringjallin. Ata dinë të të ngrenë në qiell, por edhe të të groposin thellë në tokë. E pra, një i till është edhe prozatori i talentuar Bahri Myftari. Edhe në botimin “Vjedhësit e erës”, fjalët e tij vrasin më shumë se plumbat, gjallojnë si një diell rrezeart lexuesin. Ky libër është një tapet fushëbeteje midis së mirës dhe së keqes, të shëmtuarës dhe së bukurës, të përuljes dhe dinjitetit, të persekutimit dhe mbijetesës, të logjikes e të domosdoshmes, të të sotmes dhe të ardhmes së shoqërisë e kombit shqiptar.
Ku nuk është futur penda e Bahri Myftarit?
Në çdo vrimë e në çdo skajë të atdheut, në të gjitha jetët, në të gjithë hapsirën kohore midis dy sistemeve politiko-shoqërore të Shqipërisë, në të gjithë karakteret, qëndrimet, sjelljet, bëmat, shpirtrat, zemrat, mëndjet, në të gjithë zejet, profesionet e veprimtaritë njerëzore.
Nuk është lavdë, nuk është hiperbolë dhe nuk është aspak feteshizim për krijimtarinë e Bahri Myftarit të thuash, se aty kanë vend të gjithë, të thjeshtë e të veshur me pushtet, humanë e katilë, trima e servilë, profesionistë e kuadro drejtues të zot e të shpifur, pushtetarë, polic,hetues, gjyqtarë të zot e me dinjitet, por edhe shëmbëlltyrat më të këqia të këtyre institucioneve, shkrimtarë, poetë, artistë e profesorë të nderuar, por edhe të shpifur e mediokër që jo vendit, por edhe tokës e gurit i bëjnë dëm.
Vlerat ideo-artistike të vëllimit me tregime të Bahri Myftarit, “Vjedhësit e erës”, janë të shumta dhe të spikatura. Për ato mund të shkruash faqe të tëra, por unë do të ndalem në mënyrë sintetike në disa prej tyre.
Libri hapet me tregimin “Parfumi i Arjanës, ku atori rrok një nga plagët e shoqërisë shqiptare, migrimin, boshatisjen e qendrave urbane e tejngopjen e të tjerave. Përshfaq aty pasojat si papunësinë, degradimin e disa qendrave punëtore, fushatat zgjedhore pa etikë si dhe imoralitetin e zyrtarëve, titullarëve e deri parlamentarëve.
Vizatohet me një penelat mjeshtërore portreti i Arjanës, që lexuesi s’do ta harrojë kurrë, por që në këtë mjedis tronditës, të pashpresë, shantazhuesë etj. me gjithë rezistencë, më në fund gjunjëzohet, jep trupin e saj për garantimin e së ardhmes më të mirë.
Kuqua, deputeti i zgjedhur edhe me kontributin e Arjanës e të familjes saj nuk mjaftohet me kaq. Atij i ra në kokë të bëjë seks me Arjanën, duke shpërdoruar votën e marrë dhe me pak rreshta shkrimtari Bahri Myftari jep gjithë platformën e deputetit për t’ia arrit këtij qëllimi.
“Tani, ai s’po kënaqej me ato tufa borziloku që ajo kurrë nuk i harronte, por po kërkonte atë aromë ta shijonte drejtpërdrejt te trupi i saj, gjë që e arriti një pasdite në një ambient intim...”(f.15).
“Vjedhësit e erës” që përbën dhe një nga tregimet më të arrirë, si të thuash pikën kulminante të këtij vëllimi, nga ku ka marrë dhe titullin libri, shkrimtari Bahri Myftari fshikullon qeverisjen e rëndomtë, mungesën e strategjive të zhvillimit urban dhe korrupsionin galapant. Autori me një mjeshtri artistike dhe me një rrëfim rënqethës pasqyron se si qendra të tëra braktisën pa kriter, qoftë edhe për nga shtjellimi i erës, e ndërtohen të reja, thjesht për interesa politikanësh, pushtetarësh e qeveritarësh siç është rasti i ministrit Minoli.
Babai i tregimit, Bahri Myftari i bën thirrje ndërgjegjes qytetare për mbrojtjen e vlerave, për zhvillimin e modernizimin e qendrave urbane. Gjithashtu nëpërmjet personazhit të tij, drejtorit të Muzeut, që përfaqëson intelektualin e vërtetë, jep shembullin më të mirë të një intelektuali dhe fton të gjithë intelektualët të bëhen barikadë e fuqishme në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave qytetëruese të popullit e vendit tonë.
Shkrimtari Bahri Myftari e përcjellë me shumë dhimbje katastrofën shkatërrimtare në vendin tonë dhe në mënyrë lakonike e sintetike, me pak rreshta depërton deri në detajet më të holla dhe dedukton fuqishëm për pasojat e këtij shkatërrimi. Ja si shprehet ai: “Mikja jonë e vjetër(era), fryn nëpër anekset e muzeut, këndet, dhomat, duke shkulur dekomentet, dëshmitë, aktet, bëmat, ngjarjet, shkurt: gjithçka që përbën biografinë e shkuar të qytetit...”(f.25).
Zoti Myftari nxin në shpirt për mënyrën e zgjidhjes së pronës në vendin tonë. Një reformë paçaure që le shumë për të dëshiruar, që gjithçka bëri, por të zotit nuk iu kthye, përkundrazi, shpesh u rrëmbye, u tjetërsua dhe u vodh. Me thjeshtësi, por me shumë kuptim, në mënyrë lakonike dedukton: “Pronari i vilës së mesit(një nga vjedhësit e erës), na qenkej ai, të cilin, asnjeri nga ne s’do të donte të jetonte në të njëjtin qiell dhe jo më ta kishte komshi, pra, kuptohet, fjala ishte për Minolin, ish-ministri i Ekonomisë”. (f.24).
“Qendresa e Simon Ballës” është një tjetër tregim që vjen në këtë vëllim. Ai përbën një kuartitet faqesh, i cili përshfaq një plagë të rëndë shoqërore, është simbolika e një epoke nga më të egrat, epokës së Diktaturës. Me katër faqe autori shpalos një traumë njerëzore, një strategji të tërë, një mori rrogtarësh represiv, inkuizitorë të persekutimit dhe konkludon fuqishëm me një fjalë sa artistike aq edhe me peshë për masakrën, torturën, taktikat që përdorte sigurimi i Shtetit për të mohuar të vërtetën, për të hymnizuar sistemin e sunduesit e kohës.
Nëpërmjet tre personazheve: Simon Ballës, hetuesit dhe kunatës të Simonit përgjithëson qindra sigurimsa, të cilët morën në qafë, masakruan, torturuan e persekutuan mijëra vetë.
Me tre personazhe dhe me afro pesë faqe në mënyrën më të saktë, deri në detajet më të holla, sa delikate aq dhe rënqethëse, duke shkaktuar te lexuesi ngritje nervash e formim kokrrizash dridhëruese në çdo pjesë të mishtë, pasqyron një epokë, epokën e Shqipërisë moniste dhe fytyrën e Diktaturës më çnjerëzore.
Shumë vite kanë për të kaluar e personazhet e Bahri Myftarit do jenë shembull i lexuesit, i cili si harron, përkundrazi i admiron, i simpatizon, i urren së tepërmi, por disa prej tyre don t’ju ngjajë me gjithë shpirt.
E kush nuk do ta simpatizonte e admironte trimin Simon Balla?
Të gjithë ata që tashmë e njohin nëpërmjet këtij libri të autorit Bahri Myftarit. Përshkrimi i qëndresës të Simon Ballës nga autori i librit ngjall sa urrejtje për presekutorët aq edhe simpati, një simpati të ligjshme për ata që i bënë sfidë Diktaturës. Megjithëse me duar të ënjtura nga shtrëngesa e prangave e nën shantazh e torturë, Simon Balla qëndron si trimi i trimave e u çjerrë maskën taktikave të hetuesve xhelatë e imoralë të kohës. Ja si shprehet ai: “Ashtu siç e ke shkruar ti, (procesverbali), nuk kam për ta firmosur kurrë...
Ti or zotni, nuk e ke për gjë ta bëshë të zezën të bardhë...Time kunatë mos e zini në gojë. Mos i bin në qafë asaj të shkrete. Nuk është mirë, nuk është burrërore, është grua pa burrë...Ju, me sa ju njoh ta lini kopilin në derë...”
Me kursim të madh fjale, me peshë tonelate dhe me pendën e tij të artë shkrimtari Bahri Myftari skalit imoralitetin e përdalë të hetuesit të aso kohe dhe ja si shkruan: “ Unë të jap hak për vete, është krim të dënohesh se na i paske futur duart asaj pele... përveç duarve i fute edhe atë mikun! (intriga e hetuesit) Më tej autori shkruan: “ Gjiri i bardhë dhe i kërcyer s’po i bindej. Hetuesi, me gjasë ta ndihmonte, ia shtrëngoi të dy gjinjtë dhe, po me atë ekstim zuri t’ia thithë sa njëri-tjetrin...(Imoraliteti i hetuesit).
Dhe janë të shumta viktimat e persekutimit të diktaturës që u kanë bërë ballë me dinjitet sfidave të dhunimit e torturës, shumë prej tyre flijuan dhe jetën për të vërtetën e dinjitetin. I till është edhe Simon Balla, por edhe kunata e cila së fundi, me malin e urrejtjes për hetuesin dhampir e imoral, mblodhi të gjitha forcat dhe i dha një goditje me shqelm në mes të shalëve. Hetuesi ra për tokë gati pa ndjenja”.
Shkrimtari Bahri Myftari është shkrimtari i dhimbjes njerëzore, si i till nuk mund të anashkalojë një plagë shoqërore emigracionin. Emigracion ka gjithë bota, por jo si në Shqipërinë e tranzicionit. Ai ekziston e do të egzistojë, por jo spontan. Edhe emigracioni ka ligjet dhe standardet e tij.
Pa zbatimin e atyre ligjeve e standardeve emigracioni kthehet në ferr, po,po, në ferr të vërtetë siç ndodhi me zonjën Sofi e me qindra nëna shqiptare që edhe sot e kësaj dite rrinë me sy nga qielli, deti e rruga duke pritur bijat e bijat e tyre që nuk dihen a janë gjallë. Pikërisht këtë frymë të Shqipërisë postmoniste e përshfaq mjeshtërisht autori i librit Bahri Myftari tek tregimi me titull: “Vrasësit e zonjës Sofi”
Tregimtari Bahri Myftari ka një mal përvoje mbi supe. “Magazinës” jetike të tij nuk i shpëton dhe dashuria jo vetëm në një plan, por në të gjithë gamën e saj. Një bistok i saj është dhe tregimi “Një grimë dashuri”, ku autori i librit të magjeps me përshkrimin mjeshtëror të natyrës, situatave, gjendjeve psikologjike e shpirtërore të personazheve të tij, Dhimos e Lules, por edhe me gërshetimin e konservatores me modernen, të së mirës me të shëmtuarën, të logjikes e njerëzores, kontrasteve natyrore, si plazmore e mantele argjendore që e çelnikosin, e sharmëzojnë dashurinë dhe të asfikson me mesazhin vizionar për dashurinë, veçanërisht brezin e Ri.
Në jetën e shkrimtarit Bahri Myftari persekutimi njerëzor ka shtruar çarçafin vujtëror dhe ka ngritur kalvarin e burgimit. Si pjesë e këtij areali, por edhe si pendëndritur ka arritur ta sjellë më së miri në librin me tregime “Vjedhësit e erës.” Personazhet e tij janë Daniel Mezi, axha i tij Pjetri dhe vajza e tij të skalitur aq bukur e mahnitshëm sa që asnjë lexues nuk do ti harrojë.
Në këtë tregim tregimtari i spikatur rrezaton një postulat vizionarë për vlerat e detit, si resus i lirisë, shëndetit dhe begatisë së vendit tonë.
Ja si shprehet autori me fjalën e personazhit të tij: “Daniel, biri im, deti është dhurata më e madhe që i ka bërë perëndia vendit tonë, një pjesë e madhe trupit na njomet e na ushqehet prej tij...Deti është hapësira, ajri, uji dhe dielli...”
Me këtë tregim dhe me veprimet e përfundimet e personazheve të tij, autori le tek lexuesi shijen e hidhur të pushtetarëve tanë, të cilët nuk e kanë për gjë ta shesin, ta ndotin e ta keqmenaxhojnë. Ky tregim është një sirenë alarmi për pushtetarët tanë, por edhe një apel i hapur për të gjithë shtetasit e këtij vendi, për të mbrojtur dhe shfrytëzuar detin konformë standardeve e parometrave ekologjikë, këtë pasuri të pashtershme e shumëvlerëshe të vendit tonë.
Cddo gjë në këtë libër të autorit Bahri Myftari është vënë në vendin e duhur, me kujdes dhe mençuri, si rrjedhojë e një njohjeje të thellë dhe e një vizioni vizionar për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Çdo titull është i gjetur, çdo fjalë është e peshuar mirë, çdo personazh është kalkuluar mirë dhe vetëm atëherë është hedhur në “tregun” e lexuesve.
Çdo tregim ka idetë, personazhet, problematikën, mesazhin efiçent, përshkrimin magjeps të bëmave, veprimeve e mosveprimeve si dhe pasojat që ka shoqëria e vendi nga këta veprime e mosveprime në kohën, vendin e mënyrën e duhur.
Të 22 tregimet janë mbresëlënës, lexohen me një frymë, të shijojnë dhe të frymëzojnë, por disa prej tyre janë më të fuqishëm, shërbejnë si katalizatorë e në disa raste edhe si eksplozivë për të rishikuar qëndrimet e veprimet tona. I till është edhe tregimi “Bijët e kolerës”.
Kolerë, e kaluar kolerës është dyftyrësia për çdo njeri. Veçanërisht për pushtetarët, qeveritarët e politikanët dyftyrësia është virusi më i keq, është shfaqja më e shëmtuar, është forma më tinëzare për ta zhgënjyer e për të sunduar zgjedhësit, njerëzit, popullin.
Tregimi sjellë në kujtesën e lexuesit mesazhin se këta bijë të kolerës nuk janë në qiell, por në tokë, afër nesh e për ditë me ne, janë sheshit, ecin rëndë-rëndë trotuareve, mandej dhe shkallëve të dikastereve dhe faltores së Parlamentit.
Nga ana tjetër na fton të jemi të kujdesshëm e vigjilentë për të mos u lënë liri e fushëveprimi cilit do qoftë e sa do post të ketë, për të penetruar me interesat jetike të popullit dhe madhore të kombit.
Tematika që rrok libri “Vjedhësit e erës” është e gjërë, e gjetur, konkrete e aktuale.
Ajo është vetë jeta, ku mjeshtri Myftari, si inxhinieri i shpimit, depërton në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, zbulon, fotografon, pasqyron dhe mesazhon me fjalën poetike për ndreqjen e gjërave, për përmirësimin e punëve, për lartësimin e vlerave që ka Shqipëria dhe shqiptari.
Me tregimet “Absurdi”, “Identiteti” etj. apelon më së miri për të qenë kurdoherë vigjilent, të ndërgjegjshëm e të përkushtuar kur bëhet fjalë për problemet madhore të popullit e kombit tonë, për të cilat ia vlen jo të protestoshë, por edhe të flijosh jetën.
Proza e Bahri Myftarit ka ritëm, ka bukuri, saktësi, tingull melodioz që të pushton, të ngërthen rreth vedit, të rënqeth, të impunon qëndrim e reagim dhe të amplifikon për ta përballuar jetën me kthinat e saj me dinjitet.
Herë-herë të shtang, herë-herë të ngre peshë e të jep forcën e Herakliut për të vepruar, herë-herë të gropos për së gjalli me tabllo rënqethëse të vuajtjes e persekutimit, por edhe nga varri, nga tuneli i zi i jetës din të trazmetojë mesazhe mençurie, urtie, guximi, shijesa lumturie, rrugëdalje efeçente dhe ardhmëri progresive Europiane.
Ja pra, pse e meriton të lexohet, studiohet e bëhet pjesë e çdo lexuesi libri “vjedhësit e erës”, por edhe gjithë krijimtaria e shkrimtarit Bahri Myftari, i cili e përligj plotësisht veten, si mjeshtër i tregimit, si një nga kollosët e prozës shqiptare që duhet të vlerësohet e të zë vend në panteonin e nderit të letërsisë të vendit tonë.
Faik Ahmet Xhani ka lindur në fshatin Lis të Matit 01.06.1948. Aktualisht banon në Tiranë.
Ka mbaruar Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër për histori-gjeografi.
Ka punuar mësues, instruktor rinie dhe inspektor i organeve të pushtetit lokal për rrethin e Matit.
Ka një veprimtari të gjërë botuese në medien e shkruar. Ka botuar librin Mikpritja Shqiptare, mrekulloi George W. Bush.
Është anëtar i kolegjumit të gazetës "Zëri i Arbërit" dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ka kryer disa detyra shoqërore, ku ka spikatur ajo e drejtorit të marrëdhënieve ndërkombëtare me vendet Aziatike tek "Sofra Shqiptare".
LEXONI:
HULUMTUESI DHE PËRGJITHËSUESI I VLERAVE MË TË SPIKATURA TË KOMBIT SHQIPTAR
http://floripress.blogspot.com/2011/07/hulumtuesi-dhe-pergjithesuesi-i-vlerave.html