Nga antologjia e përkthimeve të Nikollë Dakajt, me autorë antikë grekë, romakë dhe italianë. Botuar me pseudonimin Basho Jona, një nxënës dalë nga shkolla françeskane në Shkodër, ka përkthyer nga origjinali me një shqipe të pasur dhe të ëmbël Homerin, Virgjilin, dhe mjaft poetë të tjerë pas tyre. Jokli shkruante se letrat latine kanë gjetur “një zotni, një njoftës mendje hollë dhe të dijshëm”. Dakaj iu bashkua grupit intelektual të të rinjve shkodranë të viteve ‘40 si Lem Deda, Arshi Pipa, Kolë Ashta, Pashko Gjeçi etj. Jeta e Dakajt në fabrikën e tullave, në një mjerim të skajshëm, kaloi në dy burgime nga diktatur
Për nji hakmarrje t' bukur
Dashuria..
(50-15 p.e.s)
Nga “Elegjitë” (libri I, v. 1 - 22 )
Mbramë, kahë vetëm, oj dritë, po endesha natën i dehun
E me vete si shok rob nji s' e kisha për be,
po m' del para nji çetë vogëlushë, nuk e dij se sa çuna,
dhe u tmerrova aq shumë sa nuk ma mbajti me i njehë
Disa ishin me pisha në dorë, disa me shigjeta
do, me pranga tue krisë, kqyrshin me m' lidhë aty fill
Lakur veç ishin të gjithë e, ndër ta, ai ma lozonjari:
"Kapeni -thirri- këtë, a nuk po e njihni kush a ?
Ky ish, mu për këtë ajo vasha e zemrueme tha lidhnje,"
dhe, sa i foli këto, laku rreth qafe m' u drodh.
Njëni tha: "Futnje në mes! e tjetri dhe ma i egërsuem:
"Do vra -shfreu- ky njeri që s' po na njeh për hyjni!
Ty, more, ty, ditzi, rrin e t' pret ajo orë e përore
e ti s'dij se në ç' derë shkon e troket, more i mjerë!
Ah, kur ban e ia hapë ajo kezes Sidone lafetat
e rretheqark ata sy nisë me madhni t' i lëvisë,
ty nuk të mbulojnë ato erzat e bimvet Arabe,
por ato që me dorë vetë dashunija gatoi.
Faleni, vllazën tashi; dashuni besatare na foli
dhe shtëpis ku na tha, ja, ku iu kapëm në prak!"
Dhe, si krahve sërish ma hodhën guberen e hequn:
"Ik tash -më thanë- e shiko: natën me ndejë në shtëpi!"
Metamorfozat
OVIDI
(43 p.e.s -17-18)
(Libri 1, v. 1 - 25)
Zemra më heqë të këndoj se si trajtat u patën këmbye
n' trupën të ri. Perendi - mbasi vetë këmbyem ato i patët –
trillit m' i jepni ju jetë e kangën ju ma filloni
që kur bota qe zanë e deri n' ditët e mija.
Para detit e dheut e qiellit, që kemi përsipër,
gjithë natyra në botë veç nji fytyrë ajo kishte,
që na e quejshim Kaos: nji lamsh i vrashtë e i përziem
e jo tjetër veç rreshme në vend e në të kapërthyem
farët e sendeve t' ndryshme, jo t' lidhuna mirë në vetvete.
S' kish asobote Titan që t' i jepte dritë rruzullimit,
as edhe Febja tu' u rritë s' i nxirte brinat e reja
as e rrethueme me ajr nuk rrinte varë endë toka,
mirë në peshat e veta zatetë, e as Amfitritja
krahët hapë nuk ia kish anembanë rrokullis tokësore.
Kahë kishin ndodhë aty bashkë dhe toka, dhe uji, dhe ajri
toka s' kishte qindresë, e pazoja ishte suvala,
dritë edhe ajri nuk kish. Asgja trajtë s'kishte të vetën,
e s' pushonte beteja nji herë, pse, përbrenda nji trupi,
përleshej acari me vapën e të butat me t' fortat.
lagështina me t' thatën e të lehtat bashkë e t' randat.
Kët ngatrresë nji hyjni e natyra ma e mirë e fashiti
kahë ndau qiell e tokë e detin nga dheu e shkëputi
e prej ajrit të mugt e pastroi pasqyrën e qiellit.
E, si nga lamshi i errtë i nxori të lira të gjitha,
nguli gurë e kufi e nji paqë vendosi miqsore.
Lukreci
(99 - 55 p.e.s)
Natyra e sendeve
(Libri 1, v. 1 - 43 )
Nanë e bijve t' Eneut, o gëzim i hyjnivet e i njerzvet,
Venus e bardhë, që përposh rrokullueseve shejza të qiellit
detin plot me lundri e trojet mbushë me prodhime
i mban gjallë, pse të tanë gjinija frymore prej teje
zëhet e, sapo lën, kundron vezullimin e diellit;
(ti, perendeshë, ti shtërgatat i tretë, ti reve të qiellit
u jep udhë, e, me t' ardhë, ty të kandëshme buca Dedale
lule të çelë përgjithanë, ty të qeshen ujnat e detit
dhe të kandritë i këthiellë anekand ty qielli me drita;
pse, sa t' bajë me dalë e bardha ditë e pranverës
e të filloje me fry e pëlleshmja erë e Favonit,
shpeztë e ajrit, përkulë nga shigjetat e tua në zemër,
lajmin fillojnë me përhapë se ti hapat i theke me ardhun;
n' bar të kërthnestë që m' at-herë bagëtit stërkaten egroshe
edhe lumejt e bymyem kapërcejnë, kështu ngrohun ndër tejza
mbrapa të merr me dëshirë, ngado që t'i prijsh, gjithësija;
ty, që ndër dete e ndër male e ndër lumej të rrëmbyeshëm
e n' folëte zogjve ndër gjethëe n' fushat e blera
t' gjithave dashuni ndër zemra u ndezë ambëloshe;
që me dëshirë gjinin ta përhapin brez përmbas brezi;)
ty, që vetëm sundon natyrën e sendeve t' gjithën
e pa ty në dritë, tërthoreve t' epra të dritve,
as nuk del ndonji gja, as e kandshme s' rritet e hirshme;
ty due shoqe me t' pasë gjithkund ndër vargjet e mija,
ku synoj t' ia këndoj natyrën e sendeve t' gjithën
këtij Memasit tanë, të cilin, lumë perendesha,
deshe ta ndaje me gisht përherë me të gjitha të mirat.
Fjalve, pra, perendeshë, ti hir m'u jep t' amëshuem
dhe ban që ndërkaq dhantit mizore të luftës
si për tokë si për det të shutiten e t' shuhen të tana,
pse me nji paqë të qetë veç ti kafshatën e mordes
e kë n'dorë ta gëzojsh, kur luftat i ka për nën urdhën
Mart armforti, që shpesh në prehnin tand yjen e ulet
i ndërkryem përgjithmonë nga shigjeta jote dashnore
e, kahë sillet e t' kqyrë me qafë të lakueme përmbrapa,
n' ty, perendeshë, ata sy, tue dihatë, i kullotë i roshkuem
e n'gojë rrin e t'shikon tue pritë se çka do t'i thuash.
Kur ta kesh, perendeshë, në prehnin tand të shejtnueshëm,
merre me t' mirë gjithandej e me fjalën e ambël përore
lypja paqën e qetë, o sokoleshë, për Romakët,
pse, sa ne t'na e mbulojnë atdhen këto mjegullina,
zemra s' na ban të punojmë, as pinjollza e ndritun e Memit
s' ka se si me iu shmangë ndër këto rrethana detyrës.
Karduci
1835-1907
Kaut
Të dua, ka i butë, e t'ngrohtë nji ndiesi
n' zemër më ndezë, të paqtë e viganore
o si shtatore kur me madhëri
arat kundron të lira e begatore,
o kur nën zgjedhë përkulë me ëmbëlsi
njeriut i bahesh krah n'punën ditore;
ai t' thrret e t' therë, e ti me ngadali
sytë rrotullon tue i gjegjë me t' butë përore
Nga feçka e gjanë, e zezë e e lagështitur
shpiti t' qet tym e si hymn i gëzuar
t' përhapet bulurima nëpër erë
e n'kaltërsinë ambloshe t'syve t'ndritur,
e haptë e e qetë shkon tue t' u pasqyruar
heshtësia hyjnore e fushës s'blerë.
Leopardi
(1798 -1837)
Silvias
Silvja, vall, të kujtohet
prap ajo mosha e gjallë e jetës sate,
kur bukurija ndriste
në sytë e tu të qeshun e bishtnojsa,
e ty, ashtu t' gëzueme e mendimtare,
praku i rinis të priste?
Jehojshin at-hera dhomat
e qeta e rrugët rrotull
prej zanit tand përore
kahë, krejt e dhanun mbas punve femnore
me zemër plot këndoje
për at t' ardhme gazmore që n' mend kishje.
Ish maji i lulëzuem, e mësuem ishje
ditën ashtu ta shkoje.
Unë mësimet e bukura
herë-herë tue i lanë e letrat e djersituna,
ku t' parën moshë të jetës
e 'i pjesë ma t' mirën dam ia shkoja vetes,
që nga balkonet e kullës atnore
jehun përgjoja t' zanit tand e dorën
e cila pa pushue
t' lodhshme pëlhurën shkonte tue përshkue.
Të kthielltë kundroja qiellin,
e t' artat udhë e kopshtet,
e mandej detin atje larg e malet.
S'e thotë dot gjuhë njeriu,
çka m' ndjente at-hera gjiu.
Sa mendimet e ambla,
sa shpresat e sa zemra, o Silvja ime!
Si na dukej at-hera
jeta njerzore e fati!
Kur gjithat shpresë me mendë shkoj tue përbluem,
i thartë e i pangushlluem,
më hypë mue nji mendim
e m' kthen përsri idhnija e kobit tim.
O natyrë, o natyrë,
pse nuk e jep ma vonë
çka ti ma parë premton? Bijt tu aq keqas
përsë i mashtron gjithmonë?
Ti, pak pa e veshkun dimni malit gjethen,
lodhë e këputë përmbrenda nga lingata,
u shove, o njomza e re. Ti s' e gëzove
lulen e moshës sate;
nuk ta lëmoi ty zemrën
ai lavdi i ambël, tash i të zezve krela,
tash i kqyrjeve dashunore e shkitse,
as me ty shoqet kremtave n' shoqni
s' folën për dashuni.
U shue edhe njifilli
e ambla shpresa ime: vjetve t' mija
fati nuk deshi fare
t'u buzqeshte rinija.
Ah, si ma lë kët botë,
o shoqe e dashun e moshës rinore,
o shpresë e lame n' lotë!
A kjo asht bota? A këto janë gëzimet,
e dashunija, e veprat, e andrrimet
që për to bashkë bajshim kuvend përore?
A ky asht fati i breznive njerzore?
Kur e pash të vërtetën,
ti re, o e mjerë perdhë, e me dorë shtri
vdekjen e ftohtë së largu më tregoje
edhe nji vorr të zi.
Shkodër, më 18.8.1961
Hanës
O hanë aq e pëlqyeshme, më kujtohet
si, tash nji vjetë, këtu përmbi kët kodër
unë vija plot idhni me të kundrue:
e ti at-herë i bije këtij pylli
sikurse tash, që krejt e kë ndriçuem.
Po e vrantë e e dridhun, nga vesina e lotve
që m' vezullojshin n' sy, fytyra jote
m' dukej atbotë me u pam, përse e mjerueme
ish jeta ime, e asht, e gja s' ka ndrruem,
o hana ime e dashun. E, pra, m' kandet
m' e përkujtuem edhe me i njehun motet
e dhimbjes sime. Oh, sa e kandshme duket
n' kohë të rinis, kur prap e gjatë a shpresa
e t' shkurtë e ka gjithnji kujtimi shtegun
me i përkujtuem do gjana të kalueme,
sado t'jen t' zymta e t' mos jet ulë ngashrimi.
Shkodër, më 16.8.1961
Petrarka
(1304 -1374)
Kangët e Laurës
TINGËLLIMA 1
O ju që po dëgjoni n'rima plot
jehonën e rënkimeve të mia
n' at moshë të re ku m' pat lajthitë rinia
dhe isha pak ma tjetër seç jam sot,
e at stil të larmë ku flas e derdhi lot
mes mija brengash e dhimbjesh me mija,
n' qoftë kush që e ka ba provë ç' asht dashuria,
jo veç më falë, por edhe më del zot.
Fort mirë e sheh tashi se prrallë u bana
në popull mbarë për bukur njado kohë,
sa turp me vete m' vjen nga vetja ime,
pse vetëm turp më sollën ato andrrime,
që m'banë me ra n'pendim e hollë me njohë
se mbi dhe andjet andrra janë të tana.
TINGËLLIMA 2
Për nji hakmarrje t' bukur
Dashuria dhe njimijë gjaqe t' m' i marrë në nji ditë,
befasi çohet e më del në pritë
me hark në sy tue ruajtë t' i qaset flia.
Tek ishin strukur thellë fuqitë e mija
n' zemër e n' sy për mbrojtje përgatitë,
kur heshta e vdekjes aty ma ka ngjitë,
ku qenë topitur shigjeta me mija.
N' at sulm të befasishëm turbulluar,
fuqitë e mia dot nuk i përmblodha,
t' i rrokja armët n' at grimë vend përsri
ose n' kullë t' epër t' mendjes tue kaptuar,
tinzë t'i rrëshqisja rrezikut ku u ndodha,
që prap dua t'i rrëshqas, por s'kam fuqi.
TINGËLLIMA 3
Ish ajo ditë që edhe diellit drita
nga dhimbja për Krijuesin iu errsua,
kur rashë në lak e m' patën robërua
sytë e ti t'bukur, Vashë, e gja nuk dita.
S' ish vendi as koha t'u viheshin prita
sulmeve t' Dashurisë e pa u kujtua
midis dy dhimbjeve ma nisën mua
brengat e forta që po m'brejnë përdita.
M' zu Dashuria fare n' befasi
e sytë e mi q' aty m'u banë dy kroje,
që tue buruar përngahera mbetën,
por nuk m'u duk se bani aq burrni,
kur mua m'plagoi pa asndonji mburoje
e asaj, ngjeshë n' armë, as ia rrëfeu shigjetën.
*Plagosja dashunore e Poetit ngjau në kishë të Premten e Zezë më 6 prill 1327, kur nuk e priste fare.
Katuli
(85-54 p.e.s)
Trumcaku (Kanga II)
E dashura e Katulit mbante nji zog për të kalue kohën, të cilin me sa duket ia ka dhurue vetë poeti.
O trumcak, ti, gëzimi i vashës sime
-Me të cilin lodron dh' e mban në prehën,
T 'cilit bul'n e gishtit i qet kur sulet
Dhe kah don ta nxisë idht' m'e qukatun,
Ndërsa mue nji dishir përbrenda m' kallet
Për të ba nuk e dij çfar' loje t' kandshme
Asaj dhimbjen për t'mujt' me ia letuem
Thom se i ulet atbot' zjarmija e madhe
-Porsi ajo me lodrue me ty të mujshem
Dhe të zemrës me i hjek' t' idhtat kujdese!
(Njaq kjo gja më pëlqen, sa thon' se e arta
Mollë i pati pëlqye vashës kamblete
Që ia zgjidhi njat brez nga mot të ngjeshun).
-V. 12 vashës kamb-lete: Atlanta, e cila kishte dëshmue se do të martohej veç me atë që do ta mundte në vrap, e Hypome-ni ia doli kësaj pune me dredhi tue i lëshue në vrap e sipër nje - nën nga tri mollat e arta që ia kishte dhurue Afërdita.
KANGA III
Vdekja e Trumcakut
Qani, o ju Dashunore , e ju Dishrake,
Dhe sa t' jeni ju gjindeja ma e pashme!
Pse ka vdekun trumcaku i vashës sime,
Ai trumcaku, gëzimi i vashës sime,
Që ajo donte ma fort se syt e ballit
Ngaqë i ambël pat qenë edhe ma njihte
Njaq mir' zojën e vet sa vasha t' amën,
As prej prehni të saj kurrs' u largonte
Por tash ktu, tash aty rreth tue flutruem
Veç te e zoja ndalohej me cijatun.
Ai por tash ka fillue nji rrug' të terrshme
Për njatje nga nuk lan' me kthye askendin.
T' zeza m' qofshi, terrina t' errta t' Ferrit,
Që përpini, ju , bukurit të tana:
Çfar' trumcaku shkëput' më keni mue!
Oh , çfar' kobi! Heu , o trumcak ti i mjeri
Se për pun' tande tashi vashës sime
Syzit, frym së lotuemi, zanë e i kuqen!
Horaci
(65-8 p.e.s.)
Arti poetik
N' i kërceftë në kokë piktorit
qafë prej kali t' i vendoje
kresë s' njeriut, dhe kraharorit
t' i mveshë pupla lloje lloje,
edhe ajo që nisi grua
peshk i zi t' shkojë me mbarua,
sapo syri n' të t'ju ndeshë,
rrini dot, burra, pa qeshë ?
Ma besoni, o Pizonë,
si piktura që përmenda
del dhe ai poem gjithmonë,
ku t' përzihen aty brenda
do fytyra krejt n' ajri
si te i smuri në kllapi
dhe gjakundi kambë e krye
n' trajtë nuk rysen me pëlqye,
Po, piktora dhe poetë
gëzojnë tagër e liri
me u përhapë siç duan vetë
dhe në qafë s' u bje njeri,
prap veç them se nuk ka hije
t' egra e t' buta me i përzie,
zogjtë të çelin gjarpërusha
edhe qengja t' pjellë harusha.
Ndër do hyrje madhështore
me premtime deri n' qiell
vezullon lmaja ujore,
shkëlqen purpuri si diell,
ndër blerime rrjell rrëkeja.
dirgjet Rreni si rrufeja
dhe mes bredhave pas anës
vegon dhe faltorja e Dianës,
gjana t' bukura vërtetë,
por këtu jo n' vend të vet.
Qiparisit ia përngjet
ti n' pikturë si jo ma mirë,
po sa pare ban, or bir,
tjetri t' hollat kur t' i lau
për aninë që deti çau
bashkë me lundrarin e ngratë
midis dallgve tue u rropatë?
Nisë e pate për kotrovë,
e si, vallë, rrota tu' u hovë,
ajo vegësh t' përfundoi?
Fundja, landa t'jetë ç' të dojë,
por nji cope t' vezullojë.