2012-01-28

Librat dhe rruga njëkahëshe e kombit

FATON ABDULLAHU








Të tre librat që u botuan në Shqipëri kohët e fundit, u promovuan apo u bënë të njohur në mënyrë të veçantë, jo fortë të zakonshme edhe për lexuesit në Kosovë. Edhe libri i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën, libri i Edi Ramës “Kurban” dhe ai i Ben Blushit “Shqipëria” të gjithë këta u bënë të njohur nga mediet dhe janë vetë autorët që na i bënë edhe më të afërt me intervistat e tyre në mediat këtu në Kosovë, por edhe me promovime këtu në Prishtinë. Ata mund t’i gjesh kudo në libraritë e Kosovës. Kjo është shumë e mirë, s’ka t’pagum. Këtë e kemi pritur, këtë e kemi dashur  apo me shpresë se nuk tingëllon folklorike, për këtë edhe është luftuar. Sipas asaj që unë po përcjell, këta libra edhe në Prishtinë janë ndër më të kërkuarit. Prin sidomos libri i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën, i cili, edhe pse sjell gjëra të reja, ai vetëm e përforcon bindjen tashmë të vjetër për diktatorin. Përkundër kësaj, një libër i tillë, fakte të tilla, që sillen aty, ende janë të nevojshme, sepse disa në Kosovë, e ai mund të jetë bile edhe një kryeparlamentar, edhe disa deputetë, mund të mos e bëjnë ende dallimin midis Enver Hoxhës diktator komunist, me të gjitha ato të këqija që  ka bërë për Shqipërinë dhe për shqiptarët në Ballkan, dhe Enver Hoxhës virtual, atij që e ngriti Kosova në një rrethanë të caktuar historike, sepse i duhej një ide, një figurë, një instrument për konsolidime dhe për shpresë, se ndihma nuk do të mungojë në luftën e tyre kundër Jugosllavisë dhe në përpjekjet për liri e pavarësi.

Gjithsesi  këta libra që i përmendëm në fillim, kanë një emërues të përbashkët, ato flasin për Shqipërinë dhe për shqiptarët atje; flasin për rrethanat aktuale dhe historike të Shqipërisë dhe ato nuk thonë pothuajse asgjë as për të tashmen, as për të kaluarën e Kosovës, edhe nëse thonë diçka, ajo është e thënë vetëm shkarazi. Por përkundër kësaj, këta libra bënë jehonë në Kosovë dhe po blihen nga ky lexues. Kjo do të thotë se lexuesit në Kosovë i intereson edhe e kaluara e Shqipërisë, edhe e tashmja e saj, se ai e njeh dhe di jo pak edhe për të kaluarën, edhe për të tashmen; për më shumë dëshiron të mësojë edhe më shumë dhe  nga pena e autorëve që jetojnë e punojnë në Shqipëri. Është krejt e kuptueshme se një nga arsyet kryesore të gjithë kësaj pranie intelektuale në Kosovë, janë mediat e Shqipërisë të cilat janë të pranishme prej kohësh  në Kosovë. Reklama e bën të veten, gjithsesi ato zgjuan interesimin edhe te lexuesit tanë. 

Ta zëmë, Baton Haxhiu e ftoi Edi Ramën në Prishtinë ta bëjë promovimi e librit “Kurban”. Por ne nuk e kemi një Baton Haxhiu në Tiranë, sikundër e ka Tirana në Prishtinë që të ftojë, ta zëmë Mehmet Krajën atje, për të promovuar dhe reklamuar librin e tij “Identiteti kosovar”. Libri i fundit i Mehmet Krajës është libër që për nga thellësia e mendimit, struktura e idesë dhe bindshmëria e argumentit, por edhe për nga pasuria dhe stili i gjuhës, qëndron më lartë dhe më larg se secila nga tre librat që u botuan në Shqipëri, të cilët i përmendëm në fillim. Dhe në këtë libër të Krajës nuk flitet për një çështje që është e huaj dhe e panjohur edhe për shqiptarët e Shqipërisë. Është fjala për identitetin kosovar, diçka shumë e dobishme për diskutim, një nga temat më të rëndësishme për një komb të ndarë, dhe për një komb që mëton të integrohet. Sikur të ishte fjala ta zëmë për një libër ku flitet për jetën dhe veprën e Fadil Hoxhës, mund të ishte e kuptueshme që jo shumë lexues, sidomos të rinj atje, nuk do të gjenin ndonjë interes për të lexuar për këtë personalitet komunist, gjithsesi jo pozitë, dhe larg, më negativ, se prezantohet me subjektivizëm nga disa këtu në Prishtinë kohët e fundit. Kosova nuk e ka një “TV 21 Tirana” në Shqipëri ashtu siç e ka Prishtina, “Klan Kosovën”, për ta ftuar Jusuf Buxhovin t’i promovojë librat e tij atje, që të flasë për librat e tij dhe t’i bëhet atyre reklamë dhe t’i ofrohet libri me vlera të pakrahasueshme, libër që flet për historinë e shqiptarëve në Ballkan dhe atë nga një bazë e shëndoshë nacionale dhe me argumente të forta, nga i cili do të përfitojnë më së shumti ata që janë ushqyer me vite të tëra me historinë e shpjeguar, bazuar nga doktrinat moniste. Është mëkat që ky autor nuk mund t’i ofrohet shqiptarëve të Shqipërisë, ashtu sikundër na u afruan kohëve të fundit tre autorët me librat e tyre në Kosovë. Kështu si qëndron puna, mund të thuhet se ne kemi rrugën e kombit, me ç’rast librat po bëjnë udhën shpejt dhe mirë, por të shpeshtën ky rrugëtim po bëhet vetëm në një drejtim.

Por a është problemi vetëm tek mediat? Jo nuk është kjo e tëra. Vetëm mediat nuk janë problemi, ashtu sikundër faktit që rruga nuk është zgjidhja. Lexuesi nga Shqipëria nuk po gjen libra të mirë në Kosovë. Mund të ceket ndonjë përjashtim, por kjo nuk e mohon këtë konstatim. Pse? Kjo nuk do të thotë se nuk ka libra të mirë në Kosovë. Të merremi vesh, po flasim për libra të një kombi, jo për libra që janë të mirë dhe jetojnë gjatë në kohëra të ndryshme dhe tek shumë kombe. Por ku qëndron problemi tek ky komunikim i njëanshëm, që nuk po bëhet i dyanshëm. Kjo është një pyetje që hap një çështje sa komplekse aq edhe të pastudiuar mirë. Nuk është puna vetëm tek librat që kësaj radhe i morëm si shembull, është thënë edhe më parë kemi të bëjmë me të njëjtin sindromë edhe me komunikimin kulturor, artistik, shkencor edhe në fusha të tjera nga më të ndryshme. Gjithsesi problemi qëndron tek dallimet nga më të ndryshme, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, tek dallimet e trashëguara, me decenie të brumosura në vetëdijet tona, të determinuara nga fakti se kemi jetuar plotësisht të ndarë. Sa shumë na mbetet për të bërë në këtë drejtim që realiteti të jetë ndryshe. S’do mend se së pari duhet të ekzistojë pajtimi dhe bindja se kjo duhet bërë dhe pastaj ta pranojmë se sa e vështirë është kjo për t’u ndryshuar dhe në fund na duhet për ta kuptuar sa është vitale dhe me interes për të gjithë ne që kjo të ndodhë. Dhe krejt në fund këtë nuk do ta bëjë Brukseli për ne, duhet ta bëjmë vetë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...