Fati dhe fataliteti i kulturës


Nga Petrit Nika
Në vitin 1897 Faik Konica në një artikull analitik me titull “Letërsia shqiptare” jep një konkluzion dëshpërues alarmant për gjendjen e letërsisë sonë deri në atë kohë. “E gjithë letërsia shqiptare mund të përmblidhet në pesë apo gjashtë vëllime mjaft të holla” – thotë Konica. Ndonëse konstatim i thënë publikisht në periudhën e romantizmit shqiptar, ku gëlonte krenaria kombëtare në veprat e autorëve të kohës, rigorozisht sipas frymës mobilizuese tipike të Rilindjes shqiptare, konstatimi i Konicës është disi kontravers, por padyshim real.
Një gjuhë e veçantë indo-evropiane, e lashtë dhe e pangjashme me asnjë gjuhë tjetër të planetit; e pasur dhe e bukur po aq sa gjuhët evropiane më të mëdha të kultivuara prej shumë shekujsh, mund të përmblidhej në vigjilje të shekullit të atomit “në pesë apo gjashtë vëllime”, madje “mjaft të holla”, – siç e shpreh Konica i ri, Konica i pakompromis me obskurantizmin. Nuk e di ekzaktësisht argumentin që kanë përdorur gjuhtarët e parë shqiptarë që patën mundësinë të përballen në diskurse shkencore me homologët e tyre evropiane. Hamendësimet e mia më ngjajnë po aq të vërteta sa të dhënat historiko-gjuhësore të deritanishme.
Gjithësesi për një gjë sigurisht ata dhe jo vetëm ata, por edhe elita politike e shtetit të mëvonshëm (të cilës gjuhësia dhe letërsia i duheshin vetëm për fasadë) janë ndjerë keq nga kjo varfëri tekstesh letrare në gjuhën shqipe. N.q.s., gjuha është vërtetë një shenjë ikonike e ekzistencës së një kombi, atëherë edhe letërsia padyshim është shenja tjetër ikonike e kulturës, qytetarisë dhe e shpirtit të këtij kombi. Madje sipas gjuhëtarit të njohur britanik Robert H. Robins, në shumë kultura botërore edhe sot burimin e origjinës së gjuhës e mitizojnë dhe e mistifikojnë në caqet e së pabesueshmes së një universi hyjnor. Gjuhës shqipe nuk i mungonte asgjë për të qenë evropiane, përveçëse letërsia e shkruar.
Është fakt dramatik që gjuhës shqipe letërsia e mirëfilltë asokohe i mungonte dhe kjo u prishte jo pak punë themeluesve të shtetit të ri. “Kultura nuk shpëton ndonjë gjë, as ndonjë njeri; ajo spërligj dot”, – thotë Sartri, – “veçse është vepër e njeriut; në të ky hedh shëmbëllimin e tij, dallon vetveten.” Pra kultura është dëshmi e ekzistencës, është dëshmi e vetidentifikimit tonë në shoqërinë njerëzore. Ndërkohë që publikonte Konica këtë konstatim aspak optimist, por gjithësesi ndërgjegjësues, romantikët e Rilindjes Kombëtare ishin tashmë në fazën e tyre të fundit të qenësimit.
Tre vjet më vonë nga koha e botimit të këtij artikulli, do të vdiste N. Frashëri, poeti më i spikatur i kësaj periudhe në Shqipëri. Në vitin 1904 do të shuhej edhe De Rada, poeti tjetër romantik po aq i rëndësishëm sa Naimi. Ndërkohë deri në këtë moment, pra në vitin 1897, ishin bërë përpjekjet për romanet e para – në fillim në gjuhë të huaja nga Sami Frashëri (Taassuk-u Talat ve Fitnat, 1872) në turqisht, Pashko Vasa (Bardha de Temal, 1890) në frëngjisht dhe më vonë në shqip (Marcja, 1899) nga Ndoc Nikaj, për të cilin mund të themi se mbahet si themeluesi i romanit të parë shqiptar. Ishin bërë përpjekje për dramën nga Santori, për tregimin nga Naim Frashëri, por selektimi i gjithë arritjes vështirë se mund të nxirrte një vepër që të konkuronte me veprat e shquara bashkëkohëse në gjuhët e Evropës perëndimore, realitet të cilin e njihte mjaft mirë edhe vetë Konica, i cili në një shkrim tjetër, kësisoj i pezmatuar dhe i enjtur me terma rebelimi alla-konician, i sulet Naimit duke e quajtur “poet i tatatave dhe tototove”.
Gjithësesi, ai e vlerësonte lart Naimin, vlerësonte arritjet dhe përpjekjet e mjaft punëtorëve të tjerë pak a shumë të ngjashëm me Naimin, të cilët vetësakrifikoheshin natë e ditë në punishten e fjalëve të gjuhës shqipe, por prapë kur e kur Konica e zbrazte zhgënjimin duke i kopanisur me ironinë e tij të hollë njërin apo tjetrin, personalitetet prej të cilëve mesaduket priste më tepër dhe sipas tij nuk e përligjnin famën që kishin.
Ajo çka e kishte zhgënjyer dhe mbushur me keqardhje të thellë Konicën ishte vetë fati eskilian i gjuhës shqipe; fati i lashtësisë së qenësimit të saj dhe fati dilematik prej humbësi të kohës, të veprave, madje të vetë një periudhe të gjatë e të pakthyeshme të historisë. Evropa ishte në vigjilje të shekullit të XX-të, i cili do të njihej si shekulli i arritjeve më të mëdha shkencore, ndërsa për gjuhën shqipe letërsia e niveleve evropiane ishte në vigjilje të vet. Ndryshimi do të ndodhte në shekullin e njëzetë, kur letërsia shqipe do të pasurohej me te gjitha zhanret letrare dhe me vepra të nivelit bashkëkohor evropian.
Tashmë pas rreth 114 vjetësh nga ajo kohë, më së fundi gjuha shqipe ka në fakt me çfarë të prezantohet në panairin e letërsisë së madhe evropiane dhe në atë botërore; madje jo më me “pesë, gjashtë vepra mjaft të holla”, por me një mal me vepra, disa prej të cilave mjaft të rëndësishme; me një aradhë të gjatë autorësh që datojnë që nga vitet “20 të shekullit të shkuar, për të ardhur më pas deri në ditët tona. Po sa nderohen ata që ia bënë këtë nderim gjuhës dhe letërsisë shqiptare sot? Si janë trajtuar në gjallje të tyre dhe si trajtohen sot veprat e atyre që sjanë më? Po me të gjallët çka po ndodh?
Sa e vlerëson shteti dhe sa e vlerësojnë vetë krijuesit rëndësinë e të shkruarit të letërsisë shqipe? Këto dhe mjaft pyetje të tjera normalisht për shumkënd mund të kërkojnë përgjigje të gjata e të detajuara deri në imtësi dhe prapë zor se do ta sqaronin gjendjen, por për vetë ata që përbëjnë popullatën krijuese të kësaj Atlantide, besoj ska nevojë për shumë komente. Ska nevojë për shumë komente për vetë faktin se fenomenet negative në kulturë njihen tashmë jo pak.
Këto fenomene dhe problematika janë evidentuar herë pas here dhe në shtypin ditor apo në forume të tjetërllojta ku mblidhen krijuesit. Gjendja vazhdon të jetë e njëjtë në rastin më të mirë, por ka dhe periudha kur gjërat përkeqësohen, madje agravohen në skajshmëri të patolerueshme me destruktivitetin e tyre.
Në Shqipërinë e sotme ska më vend për krijuesit. Për punëtorët e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, sidomos po nuk u rekrutuan në ndonjë kahje politike, ska më vend. Rekrutimi prapë nuk duhet të kuptohet si një angazhim politik, sepse po të ishte kështu nuk ka asgjë të keqe, por duhet kuptuar si rekrutim me krejt kuptimin që bart termi.
Këta lloj shkrimtarësh, të cilët pranojnë rekrutimin, zakonisht tek ne përbëjnë parinë që u prin punëve të letërsisë e të kulturës në vend. Çdo gjë funksionon falë vullnetit të tyre; promovimet, çmimet, nderimet, përfshirja në forume, përfshirja në antologji apo kolana botimesh. Ata sa për vete vegjetojnë dhe e zhvillojnë me lehtësi veprimtarinë e tyre, duke mos u penguar nga asgjë dhe natyrisht duke mos u munguar asgjë.
Kur duan të flasin (për veten e tyre) u vihen në dispozicion sakaq gazetat dhe ekranet e televizioneve lokale apo kombëtare. Askujt nuk i bie ndër mend (aq më pak këtyre parvenyve) se edhe letërsia duhet të ketë përkujdesjen e saj, në mënyrë që të mos shkelet dhe gjymtohet nga arroganca e ekonomisë së tregut, të mos konsiderohet veçse mall konsumi në vitrinë, të subvencionohen aktivitete dhe të jepen bursa me paanshmëri përzgjedhjeje për shkrimtarët, të projektohet afirmimi i vlerave të autorëve apo grup-autorëve të ndryshëm në gjuhë të huaj përmes përkthimeve, të dëgjohet zëri i krijuesve të vërtetë të letërsisë në gjuhën shqipe.
Se kush janë shkrimtarët e vërtetë të gjuhës shqipe nuk është vështirë të dihet. Në vend të një liste me emra (nëse do të kishte dhënë dikush tjetër me këtë rast), unë do të sjell këtu vetëm një thënie nga kritiku amerikan Harold Blum, i cili konkludon se: “Të shkruarit keq vjen i gjithi në një formë, kurse të shkruarit bukur është çmendurisht i ndryshëm”. Nëse lexuesi shqiptar e gjen vetveten tek poezitë oportune të banorëve të Big Brother, kjo ska pse të penalizojë duke e lënë pa mështetje nga ana e shtetit apo botuesit një poet tjetër i cili është mbresëlënës, por që “nuk e njeh lexuesi” – sipas tyre.
Poetët e vërtetë, pikërisht ata, kanë më shumë nevojë për këtë përkujdesje. Poetët mediokër nuk e kanë asnjëherë të domosdoshme, ngase ata çfarë duan e arrijnë më lehtë falë prakticitetit. Ëndërrat e tyre janë tokësore, sjellja po ashtu, ndaj si të tillë veprojnë si pragmatistë dhe duke i bërë llogaritë pikësëpari mirë materialisht. Ata dinë edhe të komportohen tek lexuesi, dinë të ekzistojnë në disa klane njëherësh, të përfitojnë nga të gjithë pa i dhënë gjë askujt. Historikisht poetët e vërtetë janë ata që vuajnë më tepër nga mungesa e afirmimit dhe audiencës, prandaj atyre u nevojitet patjetër mbështetja.
Duke e konstatuar këtë fenomen Harold Blum vë në dukje se vërtetë; “audienca e poetëve të epërm lirikë është sigurisht e pakët, gjë që i trishton poetët tanë më të mirë. Sidoqoftë ata kanë shembuj shpresëdhënës si rasti i paraardhësve të tyre; Uiliam Blejk, Uollt Uitman, Emili Dikinson dhe Zherard Manlej Hopkins- poetë këta që shumë pak kush i njohu që në gjallje të tyre. ” Megjithatë mua nuk më ngjan aspak për tu ngushëlluar ky paragraf, përkundrazi konstatimi i Blumit për mua vë në dukje një realitet dramatik disi standard, i cili e mbështjell si një kurorë me xhemba gjatë gjithë jetës së vet krijuese poetin e vërtetë. Pikërisht në funksion të ndërgjegjësimit të institucioneve, njerëzve kompetentë dhe shoqërisë për tia hequr këtë kurorë salvimi poetit, vjen edhe ky shkrim, si e gjithë publicistika ime letrare e këtyre viteve.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)