2012-01-28

Nga Artan Fuga : Si çmendet njeriu në kohë krize




Si çmendet njeriu në kohë krize
           Mbetet gjithëmonë detyrë e pashmangshme që sa herë problemet shoqërore bëhen të mprehta të kthejmë sytë nga e kaluara për të parë se çfarë na mëson ajo. Nuk është fjala vetëm për historinë e së shkuarës, por sidomos, dhe në rradhë të parë, për të rikthyer sytë nga mendimtarët e së shkuarës që kanë nxjerrë mësime nga krizat e së shkuarës.
            Si sillet njeriu në kohë krizash financiare?      Cfarë gjendjeje psikologjike ai përjeton dhe që e shtyn pastaj të ketë këtë apo atë reaksion ndaj botës në përgjithësi, ndaj pasurisë, familjes, miqve, profesionit, etj?
            Me një fjalë, cilat janë psikopatologjitë njerëzore përgjatë depresioneve ekonomike? Shkurt : Si çmendet njeriu në kohë krize? 
          Mbi filozofinë e parasë
            Sigurisht që lidhur me këtë pyetje që është sot aktuale jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën e zhvilluar që po kalon tronditje të forta ekonomike dhe financiare, mund t’i drejtohesh një kujtese teorike të pasur. Ndërkohë, duke zgjedhur analizat dhe refleksionet e sociologut dhe filozofit gjerman Georg Simmel, nuk është se çështjen ia lemë në dorë rastësisë apo parapëlqimeve tona krejt subjektive.
Dihet se Simmel ishte në plan të parë të skenës së mendimit teorik gjerman dhe europian në gjysmën e fundit të shekullit të njëzetë. Të mos harrojmë që ndonëse nuk jetoi dot aq gjatë sa shpreson një njeri i zakonshëm, pra u largua nga jeta aty në të gjashtëdhjetat, ai jetoi në një epokë të mbushur me kriza të rënda financiare, ekonomike dhe me luftra të përgjakshme bash në zemër të Europës. E pa mirë me sy e tij se sillet e përçudnohet njeriu sidomos kur ndodhet në raporte të vështira me ekonominë, politikën dhe pasurinë. Mbi të gjitha, me librin e tij bazik dhe shumë të njohur “Mbi filozofinë e parasë”, Simmel ka hapur një dritare të gjerë për t’a parë marrëdhënien e njeriut me paranë në një këndvështrim që vjen nga kryqëzimi i shkencave të ndryshme sociale dhe humane.
            Pa humbur shumë kohë në këtë paraqitje, duhet thënë se merita kryesore e Simmelit është se ai diti që të përqendrohet në marrëdhënien midis njeriut dhe botës financiare, duke e e trajtuar atë si boshtin që tregon si natyrën e njeriut ashtu edhe natyrën e shoqërisë në të cilin individi jeton.
            Dy përfundime të rëndësishme dalin nga vepra e Simmelit. I pari është se marrëdhëniet e njeriut me botën e parasë nuk janë asnjëherë normale psikologjikisht. Ose për të qenë disi “brenda” me të shprehurit korrekt, do të thoshim se normaliteti në këtë pikë, pra një sjellje racionale, nuk është veçse shumë i rrallë. Më shumë vihen re ekzagjerime nga njeri drejtim ose nga një tjetër, të cilat do të përpiqemi t’i trajtojmë më poshtë. Përfundimi i dytë i përgjithshëm është se, kjo marrëdhënie e njeriut me botën e mallrave, të pasurisë dhe të ekonomisë, ndonëse e ka shoqëruar njerëzimin për afate shumë të gjata kohore, në epokën moderne, kur paraja është vendour në qendër të botës ekonomike, ajo është transformur dhe ka marrë pamje që e kanë theksuar mprehtësinë e situatës.
            Në analizat e veta, Simmeli mban parasysh jo vetëm përvojën e kohës së tij, por edhe atë të periudhave të mëparshme të njerëzimit duke u nisur nga arkivat historike dhe nga tekstet që dëshmojnë fakte, mënyra sjelljeje, karaktere personazhesh, etj.
            Ka, sipas tij, pesë tipe psikologjish njerëzore që dallohen në marrëdhëniet e njeriut me paranë, sidomos në kushte krizash financiare.
            Le t’i shohim me rradhë.
          Kurnacëria
            Së pari, është sjellja prej kurnaci. Nuk është vendi të zgjatemi se sidomos brenda mësimeve fetare, kopracia, është konsideruar një nga veset kryesore të njeriut. Veçanërisht brenda fesë së krishterë, kjo lloj gjendje psikologjike është trajtuar si burim të këaqiash morale dhe i një egoizmi pa kufij. Nuk është vetëm fjala për aspekte të planit moral, por edhe për faktin se kopracia, e parë së dëshirë për të mbledhur parà si qëllim më vete, për të akumuluar burime monetare, pa pasur qëllim konsumimin e tyre, dëmton shumë dhe ekonominë.
            Mirëpo, ajo që vendos në dukje Simmel në veprën e tij të shkëlqyer dhe madhore është se kopracia nuk lind brenda ndërgjegjes individuale si një prirje e shkëputur nga vetë natyra e parasë si të tillë. Kopracia ka një lidhje të fortë me vetë njerën nga karakteristikat e parasë. Paraja është një objekt abstrakt, i cili, në dallim nga çdo objekt tjetër, ka vetinë të shndërrohet në të gjitha objektet që kthehen në sytë e saj në mallra. Pra, ka fuqinë, tërheqjen, forcën psikologjike për t’i dhënë individit që e zotëron atë mbresën dhe sigurinë se me anë të parasë mund të zotërojë gjithçka tjetër.
            Në këtë mënyrë sapo njeriu harxhon parà, nga njera anë ai fiton mundësinë për të pasur mallra dhe shërbime në dispozicion të tij, jo vetëm kaq, por edhe pushtet, mundësira shoqërore, njerëz në dipozicion, famë, akses të privilegjur në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, etj.
            Mirëpo, Simmel, me inteligjencën e tij, ve në dukje se pikërisht brenda këtij proçesi të shpenzimit të parave, njeriu nga njera anë kënaq shijet, nevojat, ambiciet e tij, por nga ana tjetër, duke dhënë parà dhe marrë si shkëmbim mallra, humbet një dimension të rëndësishëm. Cfarë humbet? Humbet pikërisht nga fakti se asnjë nga mallrat apo shërbimet e përftuara, sado që në treg mund të jenë ekuivalente me një shumë parash, nuk është në gjendje gjithëmonë e në çdo çast të shkëmbehet aq lehtësisht si paraja me mallra dhe shërbime të tjera. Nis një vështirësi.
            T’a zemë me anë të parasë mund të blejë një biçikletë, një automobil, një motoçikletë, por pasi i ka blerë, nuk mund të jetë gjithëmonë i sigurt se duke i rishitur ato do të mund të marrë si shkëmbim çdo mall tjetër që dëshëron. Kurse paraja kthehet menjëherë në çdo mall apo shërbim tjetër, mjafton që ai të ketë një vlerë financiare në treg.
            Nga kjo pikëpamje kopracia është pikërisht lidhja psikologjike deviante që e dëshëron paranë për parà, për t’a mbledhur, për t’a pasur mënjanë, për t’a shndërruar në thesar, për t’a fshehur diku, pra për të mos e shndërruar nëpërmjet një fluksi të shndërrueshëm në mjete të tjera materale aq të rëndësishme për ekonominë.
            Mirëpo, nëse në raste zhvillimesh normale ekonomike dhe financiare, dashuria për paranë si të tillë, dashuria e parasë si parà, për t’a mbajtur mënjanë dhe jo për t’a harxhuar, është një sjellje psikologjike aspak normale, në kushtete e krizave të forta financiare, pikërisht kjo sjellje deviante nis e kthehet në normalitet, në një sjellje të përgjithësuar. Veçanërisht në shoqëritë e zhvilluara në kushte krize ka një prirje të fortë të konsumatorit për të mos e harxhuar paranë, por për t’a mbajtur në formë të akumuluar. Ka frikë nga e ardhmja dhe prandaj kërkon të jetë i mbrojtur nëpërmjet pasjes gjithëmonë sa më të paprekur të një mase monetare që mund t’i duhet më vonë për të përballuar jetën, por pa e ditur se kur dhe ku e me çfarë rasti. Devianca psikologjike e kopracisë, sa e dëmshme ekonomikisht, kthehet dhe shndërrohet në një sjellje racionale nga pikëpamja e prirjes që ka individi i traumatizuar nga kriza për të kuruar frikërat e tij të kuptueshme përballë një jete me të papritura.
            Të gjithë nisin nga sadopak të ndjekin vesin e kopracisë.
            Grykësia
Një tjetër sjellje psikologjike deviante sipas Simmelit, por e konsideruar si ves në thelb nga tekstet e shenjta fetare, është edhe grykësia. Edhe këtë lloj sjellje psikologjike, merita e Simmelit është se  trajton lidhur me natyrën e parasë, dhe jo thjesht si një prirje subjektive krejt e pakuptueshme e njeriut.
Përse e lidhur me natyrën e parasë? Përgjigja është se meqë paraja ka dy anë, pra edhe mund të kthehet në çast në mall, por edhe, si aspekt i dytë, kthehet realisht në mall, pra e lejon njeriun të konsumojë çfarë i sheh syri, çfarë i ze dora, çfarë i dëshëron zemra, (mjafton të ketë parà për t’a blerë), atëhere ky mund të bjerë preh e grykësisë. Dëshëron të blejë gjithçka që sheh e i pëlqen, në çast, të kërkoj të plotësojë gjithçka që e konsideron si plotësim të dëshirave të tij. Nuk jeton dot pa mallra, edhe kur nuk janë të normale për fuqinë e vet blerëse, pa shërbime, edhe kur e di se janë përtej mundësive të tij, pa harxhuar, edhe kur e di se gjithçka po shkon drejt rrënimit të tij financiar.
            Grykësia është një deviancë psikologjike në kushtet e një zhvillimi ekonomik normal, porse në kohë krize, do të shtoja në vazhdën  arsyetimeve simmeliane, është një sjellje që ka prirje për t’u përgjithësuar. Devianca psikologjike në kushte normale ekonomike, ka rrezik të kthehet në kohë krize në një sjellje që duket normale.
            Grykësia e bën korrigjimin e defekteve të sistemit financiar në krizë gati të pamundur. Psikologjia ngrihet kundër ekonomisë. Njerëzit kanë përfituar mallra të çmuar, shërbime të kushtueshme, janë mësuar të punojnë më pak dhe të kenë grykësi për t’i “shtrirë këmbët përtej jorganit”, dhe nga kjo gjendje grykësie nuk heqin dot dorë.
            Mbi të gjitha ka një prirje për të kaluar nga pjesë të caktuara të popullsisë drejt një grykësie, pra konsumi të palogjikshëm, meqë mundësia për t’a financuar paranë në investime bëhet e vështirë. Njerëzit paguajnë për konsume të kota sepse nuk kanë mundësi për t’a përdorur më mirë paranë. Poashtu, njerëzit duke pasur frikë se kursimet e tyre në banka mund të zhvleftësohen nga dita në ditë, më mirë preferojnë të konsumojnë sesa të mendojnë për t’a transformuar paranë në projekte zhvilluese. Njerëzit nisin të urrejnë bankat. 
            Grykësia është bashkëshoqëruese e krizave fianciare sepse përgjatë tyre rritet depresioni psikolgjik dhe për rjedhojë individi kërkon t’a shërojë atë duke u harruar sipas mundësive dhe niveleve të ndryshme në praktika konsumiste jashtë një logjike të shëndoshë dhe normale.
            Plangprishësia
Për Simmelin, devianca e tretë psikologjike është të qenit dorëshpuar. Këtu nuk do të zgjatemi, por na duhet përgjithësisht të bëjmë kujdes për t’a kuptuar mirë dallimin midis “grykësisë” dhe “të qenurit dorëshpuar”.
Nuk është aspak e njejta gjë. Grykësi e merr kënaqësinë psikologjike atëhere kur e konsumon mallin dhe shërbimin që ka paguar, kurse “dorëshpuari” e merr këtë kënaqësi, përkundrazi, te akti i blerjes së mallit, sepse edhe ky operacion në vetvete jep një kënaqësi psikologjike të fuqishme, jep ndjenjën e pushtetit.
Si t’a themi më qartë? Nëse grykësi harxhon paratë e tij dhe përtej mundësive të veta financiare për të blerë një automobil, meqë ai kënaqet pa masë duke e pasur në zotërim një të tillë, pavarësisht nevojave dhe fuqisë së tij ekonomike, dorëshpuari e merr kënaqësinë psikologjike jo duke konsumuar cilësitë e mallit që ka blerë, por në vetë aktin e blerjes. Kënaqet nga akti i blerjes dhe jo nga malli i blere.  
            Simmel thotë se kjo kënaqësi psikologjike është për shembull edhe në rastin e dhënies së një bakshishi. Është akti i pushtetshëm  për t’a parë tjetrin të përulet para marrjes së parasë nga dora e atij që e ka atë parà.
            Cinizmi
Sjellja e katërt psikologjike që ve në dukje Simmel në marrëdhëniet e njeriut me botën e parasë dhe financat në përgjithësi është ajo e cinikut. Cinizmi, sipas Simmelit, në dallim nga trajtimet psikologjike klasike dhe filozofike, nuk është një prirje e pakuptueshme e njeriut, por shpjegohet në një shkallë të madhe nga vetë natyra e mjeteve financiare në qarkullim, nga vetitë e parasë.
            Nga lind cinizmi, në thelb, sipas arsyetimeve që Simmel bën në veprën e tij madhore “Filozofia e parasë”? Nga fakti se paraja, ndonëse nuk ka asnjë veti konkrete materiale, ka vetëm funksione abstrakte, mund të shndërrohet në cfarëdolloj malli, me cilësitë materiale nga më të ndryshmet.
            Cdo malli është i detyruar të kthehet në botën e tregut në një vleftë monetare. Ndofta janë të rralla ato cilësi apo ata individë që nuk shiten, që nuk transformohen në ndikimin e parasë. Inteligjenca, aftësitë racionale, trupi, bukuria, zgjuarësia, profesioni, koha, etj., sa për të cituar disa vlera, janë të gjitha të bleshme në parà, janë të hedhura në treg dhe ndodhen përpara presionit të parasë.
            Në këtë mënyrë, shtresat shoqërore që zotërojnë fuqira blerëse, pra mjete financiare, mund të bien preh edhe përpara një sjelljeje tjetër psikologjike deviante, që është cinizmi.
            Gjithçka trajtohet si mall dhe humbet vlerën e vërtetë. Trajtohet thjesht nga pikëpamja e çmimit që ka, pra si një vlerë numerike dhe aspak më si një objekt, vlerë njerëzore, që ka cilësira përtej botës financiare.
            Bota e tregut bëhet e vetmja matëse e suksesit dhe e vlerave që prodhon njeriu dhe shoqëria. Cinizmi është në thelb të praktikave të audiometrisë, të matjes së klientelës, të matjes së opinionit publik. Jo se këto janë praktika negative në vetvete, por sepse kur ato shndërrohn në të vetmet matëse të vlerave njerëzore, kulturore, shoqërore, shkencore, etj., atëhere cinizmi i ka dyert e hapura dhe shoqëria ndodhet para rreziqeve të spikatura.
            Në kushte normale ekonomike është mëse normale që bota e tregut, e parasë, të ketë një impakt e ndikim mbi të gjitha fushat e tjera të shqërisë. Por, rreziku i cinizmit në kushtet e një krize financiare është se ka prirje që të gjitha vlerat shoqërore të maten me parà, për të cilën të gjithë kanë një nevojë urgjente, dhe mbi të gjitha, se të gjithë, e të gjitha, kërkojnë të shiten. Cinizmi si deviancë psikologjike ka rrezik të shndërrohet në një sjellje të përgjithësuar në kushte krize. Cila është vlera e një libri? Shih sesa shitet. Sa është vlera e një filmi? Shih sa vetë kanë prerë biletën për të hyrë në kinema. Cila është vlera e një emisioni televiziv? Shih sa vetë e kanë ndjekur. Kjo mënyrë e mbrapshtë matjeje bëhet karakteristikë në kohë krizash, së paku kështu na mëson Simmel me veprën e tij.      
            Pêrhumbja
Së pesti, sellje psikolgjike deviante është edhe atëhere kur kemi atë që quhet “lëshim psikologjik”. Njeriu që për shkak të varfërisë, për shkak se i mungon fuqia blerëse, kërkon të mbrohet psikologjikisht, megjithatë, quhet një njeri i lëshuar”, “i dëshpëruar”, që ka hequr dorë nga kënaqësitë dhe interesat materiale.
            Zakonisht kjo na kujtohet nga fabula e La Fontenit “Dhelpra dhe rrushtë”. Dhelpra që nuk i arrinte dot rrushtë, i tha vetes se po i braktis meqë duken se ende nuk janë pjekur. Duket si një sjellje krejt patologjike nga ana psikologjike, përderisa përjetimi psikologjik nuk i korrespondon realitetit, rrushtë janë të pjekur, por nga ana tjetër, kjo lloj sjellje e deviante ka një racionalitet, ka një arsye që e bën të ekzistojë. Njeriu me anë të saj kuron mangësitë nga të cilat vuan përderisa nuk ka mundësi t’i plotësojë ato meqë nuk ka parà.
            Nuk shkon dot të drekojë në një restorant? Pf... këto restorantet... ! Nuk shkon dot me pushime në Turqi? Pf... kjo Turqia! Nuk është në gjendje të blejë një rrobë të bukur e të shtrenjtë? Pf... kjo moda!
Është mëse e kuptueshme. Heqja dorë nga vlerësimi i botës materiale që e rrethon është i vetmi reagim psikologjik që e mbron klientit e munguar nga trauma psikologjike e mospasjes dot të mundësisë për të blerë shërbime e mallra në treg.
            Mirëpo në kushte krize ekonomike, ky racionalitet psikologjik ka prirje të shndërrohet në një prirje të përgjithësuar, ku moskokëçarja, kotësia, dembelizmi, pajtimi me gjendjen e papunësisë, varfërisë,etj., shndërrohet në një sjellje boll të përhapur. Nga njera anë është një mburojë mbrojtjëse psikologjikisht, shumë e kuptueshme dhe legjitime, por nga ana tjetër, e dëmshme ekonomikisht sepse bllokon e frenon dinamikat e krahut të punës, e opinionit publik, than pretendimet qytetare, e mbi këtë bazë gjithçka mund të bjerë në amulli.
          Si përfundim?
Përfundimi është që në kushtet e krizës ekonomike ka rrezik që ato sjellje e qendrime psikologjike deviante si “kopracia”, “grykësia”, “dora e shpuar”, “cinizmi” dhe “lëshimi”, të bëhen modele sjelljesh që i kthen në norma, në normalitet, e prej këtej e bëjnë krizën financiare dhe ekonomike një gjendje stagnative dhe të përhershme psikologjikisht.
Psikopatologjitë e krijuara nga kriza financiare kthehen e bëhen frena që pengojnë daljen nga depresioni financiar.     

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...