Gjuha shqipe në syrin e një mësimdhënësi



NAMIK SELMANI


Të mos na dhembë gjuha , kur të flasim për gjuhën tonë amtare

Gjuha shqipe në syrin e një mësimdhënësi

Një dekalog  që duhet të na sjellë më afër të nesërmen e gjuhës sonë amtare…

1.
Kur Fan Noli, ky Kalorës i Fjalës së Gjuhës sonë amtare, ky njeri i guximshëm i mendimit dhe i Fjalës së lirë, ftohej në  Londër, më 1964 me rastin e kremtimit të 300-vjetorit të Shekspirit, ai ishte rëndë, shumë rëndë me shendetin e nuk mund të përballonte udhëtimin e tij nga Bostoni i largët për në Londër, përtej Atllantikut ku ishin mbledhur jo vetëm shekspirologët e Anglisë e të Botës, por edhe përkthyesët e Shekspirit më gjuhë të tjera që gati nuk numëroheshin deri në atë vit. Nuk ishte pak, po 82 vjeç.
Ky rast u humb në planin personal, por asnjë anglez i kulturuar e shekspirdashës (atëherë dhe sot) nuk ia mohoi dot kurorën e lavdisë  që po ia jepnin pikërisht këta njerëz të ditur nga të gjithë vendet e tjera si përkthyesi më i mirë i këtij gjeniu në gjuhët e tjera të kontinentit.  Bashkë me Fan Nolin po merrte një kurorë nderi edhe gjuha jonë e ëmbël shqipe, gjë që edhe sot ndez krenarinë e të gjithëve, sidmos të mësimdhënësve të gjuhës shqipe kudo ku ndodhën ata e të atyre që janë rritur me ninullat shqipe në prehërin e fëmijërisë së tyre. Shumë e re në shkrmin e saj, por tepër e fuqishme në pjesët e saj përbërëse për t’u përballur me dinjitet me gjuhët e kombeve më të mëdhenj të kohës e të ditëve tona.

2.
Sot, pas më shumë se 40 vitesh, nuk e përcaktojmë dot se kush i bëri më tepër nder njëri-tjetrit, gjuha shqipe ia bënte këtë nder Fan Nolit, apo vetë Fan Noli që, për çudinë e të gjithëve, qëndroi fare pak vite në truallin shqipfolës të të parëve të tij, ia bënte këtë nder kësaj gjuhe. E bëmë këtë kthim në të kaluarën që në këtë rast është e mbushur tërësisht me kurorë lavdie, për të parë problemin e mësimdhënies së gjuhës amtare në klasat e shkollave tona, shumë më gjërë se tani, me ato probleme që ka patur e ka akoma kjo mësmidhënie e ky realitet që, natyrisht nuk qëndron i njëjtë e nuk do të qëndrojë kështu.
Ka kohë që shkolla jonë po shkon drejt standarteve ndërkombëtare e, për pasojë,  edhe formimi gjuhësor e kulturor, do të ndjekë këtë udhë, këto gjurmë. E kjo nuk duhet parë vetëm në planin e kurrikulave, por edhe në punën  e drejtpërdrejtë me nxënësit. Që prej disa vitesh në shkollën tonë po punohet për të krijuar një standart të ri mësimdhënieje për gjuhën amtare shqipe për të mos  e parë atë vetëm në konceptin mësimor të të mësuarit të disa njohurive e të shprehive për gjuhën amtare, por edhe duke e rikonceptuar atë sipas përvojës së re kombëtare e ndërkombëtare.
Ne sot kemi mësimdhënien e gjuhës në një shtrirje te të gjithë nivelet e shkollimit parauniversitar. Madje flitet që të normohet edhe në shkollë të lartë duke dhënë një provim në fund të mbarimit të shkollës së lartë.
Së pari, në arsimin fillor, në atë të klasave 5-9 e në atë të arsimit të mesëm. Në të dy kategoritë e para mësimdhënies së saj përqëndrohet në dy kolona krysore: “Të flasim e të shkruajmë bukur!” Kjo bëhet nëpërmjet dhënies së njohurive shkencore të saj. Ky lloj standartizimi i mësimdhënies filloi që pas vitit 1985 kur, nëpërmjet teksteve të reja të gjuhës shqipe, u bë një traditë e re e pranisë së mësimeve të posaçme për gjuhën e  folur e të shkruar. Në të gjithë nivelet e mësimdhënies së gjuhës amtare sidomos në arsimin 9-vjeçar  rreth 30 përqind e orëve janë planifikuar për njohuritë e shprehitë e përdorimit të gjuhës në stile, ligjërime e situata të ndryshme të komunikimit të përditshëm. Këtu, duke u larguar pak trajtimit teorik  të problemit, shtrojmë pyetjen që është në të njëjtën kohë eedhe shqetësim i përditshëm i mësuesve të gjuhës e letërsisë: “A i ka shërbyer gjithmonë kjo formë e punës së përditshme rritjes së aftësive e shprehive komunikative të fëmijëve, duke e ndarë atë nga ajo që nuk është e nevojshme për ta?”
Duket se përgjigja e saj na trishton paksa, ku mundohemi ta artikulojmë si të tillë.

3.
Pikërisht duke u ballafaquar me realitetin e pëditshëm na ka dalë një problem i ri i padëshëruar nga të gjithë, por i pranishëm. Mendoj se këtu, për kushtet e reja që janë krijuar, duhet diskutuar pak për një dukuri tashmë të pranuar nga të gjithë palët. Analfabetizmin e fshehtë. Me zë të ulët apo edhe të lartë, në mjedise të ngushta apo edne në mjedise zyrtare, kjo dukuri qëndron, pranohet, kthehet në një objekt bisede që pasohet nga trishtues, këshllatarë, pasionantë mes njerëzish që i dhemb, por në fund të fundit, vetëm kaq, kaq. Braktisja e fshehtë e nxënësve nga shkolla ka krijuar edhe atë që ne e quajmë analfabetizëm të fshehtë. Këtij  lloj analfabetizmi i shtohet  edhe analfabetizmi legal që ka sjellë migrimi i njerëzve brenda e jasht vendit.
            Duke u bërë të përgjegjshëm për këtë dukuri mendojmë se duhet filluar sa më parë me programet kombëtare dhe rajonale për të kaluar në praktikë me persona konkretë për të eleminuar analfabetizmin e fshehtë. Duhet ta themi me zë të lartë e pa gënjyer veten se puna në orën e mësimit normal, e quajtur si  “punë e diferencuar” nuk bëhet e mire, sepse ndryshe do të zhgënjenim vetveten.
Përcaktimi i formave konkrete të punës, me disa kërkesa standarte dhe me objektiva minimale deri në nivelin e një shkolle, do ta zbuste këtë dukuri. Format gjithëpërfshirëse të përdorura në drejtim të të nxënit  dhe krijimi edhe i grupeve vullnetare në ndihmë të nëxënsve që nuk përparojnë në lexim e shkrim (pa folur shumë për rregullat drejtshkrimore) duhet të jetë llogorja ku duhet të jetë çdo mësues gjuhe.

4.
Mësimdhënia e gjuhës amtare sot po ndeshet në një mangësi  të madhe në drejtshkrimin e saj. Mjafton të shohim shkrimin e gjuhës në të gjithë nivelet e shkollimit parauniversitar, pa le në mjediset zyrtare të shtetit, për të mos thënë më lart e ta besojmë në gjë të tillë.
Përdorimi jo i drejtë i shkronjës së madhe, organizimi jo i saktë gjuhësor i mendimit, pa folur për forma sa më të larmishme, një përdorim i gabuar masivisht i shenjave të pikësimit  në të gjithë detyrat e kryera, një përdorim tepër i gabuar (shenjë karakteristike e një krahine) i ë-ve fundore e në mes të fjalës, përdorimi shumë i pakët gati edhe i papërfillshëm i apostrofit, mungesa e përdorimit të një paragrafi në një punë me shkrim  e shumë e shumë të tjera janë një “front” ku mësuesi padyshim edhe vetë nxënësit, duhet të jenë më kërkues në punë tyre të pavarur. Por një hallkë e dobët e aftësimit praktik të të nxënit të mësimit të gjuhës amtare, është puna e gjallë e konkrete e çdo mësuesi për ndreqjen e gabimeve që natyrisht shtohen edhe më shumë, në rast se nuk ndreqen në kohën e vendin e duhur. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm  që mangësitë e përdorimit praktik të gjuhës amtare që duken aq qartë në arsimin e mesëm, janë edhe nga kjo praktikë e munguar dhe e gabuar e ndreqjes së gabimeve që janë thelluar nga viti në vit.
Pa dashur që ta kthejmë këtë diskutim edhe si një lloj metodike të re në të, do të themi edhe një herë që këtu është një nga hallkat më të rëndësishme të përvetësimit sa më të gjatë e logjik të normës drejtshkrimore  të gjuhës amtare. Një evidentim i saktë e i përhershëm i gabimeve, një ndjekje e përditshme e gabimeve që dalin nga një punë e diferencuar, të paktën me grupe nxënësish, do të ishin disa nga mjetet kryesorë për të parandaluar thellimin e gabimeve.

5.
Për të mos u larguar nga shamgia e normës drejtshkrimore, duam të hedhim disa ide për përdorimin e dialekteve në gjuhën amtare të shkruar e të folur. Jemi dëshmitarë të një migrimi masiv nga fshatrat e largët e të afërt drejt qendrave të banuara të qyteteve më të mëdha, ku nxënësit  marrin  me vete jo vetëm një formim të caktuar kulturor, por edhe një formim gjuhësor që mbështetet shpesh te dialektet  dhe nëndialektet. Këto dukuri që po bëhen përherë e më të shpeshta, shumë herë e vulgarizojnë gjuhën, sidomso atë të folur. Një vulgaritet që duket edhe në bisedat e tyre të lira për të mos thënë edhe më mjedise publike si në dyqane, në rrugë, në takime me më të mëdhenjtë, etj.
 Mendoj se mësuesët duhet të njohin çdo rast të tillë në klasën ku japin mësim e ta kanalizojnë atë me njohjen, vëzhgimin, në vërejtjet individuale e kolektive, në argumentimin e gabimeve mbi bazën e njohurive të mësuara në shkollë e në përvetësimin teorik e praktik të gjuhës letrare amtare. Në ndonjë rast edhe duke respktuar pasurinë e gjuhës që mund të ketë kjo prurje e re dialektore në mjedisin shkollor.
Përvoja e mjaft mësuesve të këtij vendi, sidomos atyre të shkollave 9-vjeçare  e të mesme në qytet e në fshat është për t’u përshëndetur kur ndjek veprimtari të tilla si “Të flasim e të shkruajmë  bukur mbi bazën e normës letrare!”, “Prejardhja e gjuhës shqipe”. “Si mund të arrijmë tek një lexim shrehës”. Por kjo duhet të shoqërohet edhe me veprmtari në një qytet apo edhe në bazë rrethi. Ne nuk po krijojmë një traditë të përvitshme që të ketë sa më shumë konkurse gjuhësore për shkrimin e bukur, për leximin shprehës. Pa folur për të bërë një Takim Kombëtar për Gjuhën Amtare që mund të bëhej në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, Shkup, Preshevë, Ulqin, etj.
Kanë humbur krejtësisht konkurset e fjalës artistike me një mijë e një arsye organizative, financiare, në një kohë që bëhen Konkurse të Misseve duke filluar që nga kopshtet, shkola fillore e më lart, me panaire biznesi ku nxënësit shkojnë për të mbushur radhët e vizitorëve e të informacioneve që do të japin gazetarët në emisionet e lajmeve televizive të mbrëmjes.
Pas meritave të mësuesve të veçantë të gjuhës shqipe aq të pasionuar, pse jo edhe patriotë, ne nuk duhet që të ndiejmë vetëkënaqësi. Ka ende zvarritje në ngritjen e disa këndeve të gjuhës, ku me punë e mësuesve të gjuhës amtare e të mësuesve të tjerë, por edhe të nxënësve më të mirë të lëndës së gjuhës dhe leximit të kthehen në minigazeta për problemet e për pastërtinë e fjalës shqipe.

6.
Po e mbartim pak problemin tek MËSUESI, apo MËSUESJA (se në shumë shkolla shqiptare, ka më shumë mësuese se sa mësues). i gjuhës shqipe. Natyrisht më vendimtari në këtë detyrë të vështirë e fisnike. Që duhet të jetë i pari në këtë front, ku, me të drejtë, e gjithë shoqëria e kërkon dhe e dëshiron që të ketë një ALEAT të fortë, të përhershëm të pasionuar, pse jo edhe patriot të mirë. Në një parantezë, do të citonim një mendim të një albanologu të shquar gjerman Maksimilian Lamberci që është marrë shumë me gjuhën tonë, që ka thënë: “Më jepni një gjuhë të bukur, t’ju jap një qytetari të mbaruar!”
Ndryshe nga ndonjë diskutim standart, do të mundohemi ta shohim atë në të dy anët e medaljes. Ta nisim nga formimi gjuhësor i vetë mësuesit duke mos harruar se ai është jo vetëm për një orë mësimi, por për tërë jetën e një nxënësi, të një kombi, kushdo qoftë ai. A është ai, mësuesi i gjuhës, një MODEL i drejtshkrimit, i drejtshqiptimit, pa folur edhe i durimit të jashtëzakonshëm për të ndrequr gabimet që nxënësi i ka nga vetja, nga mjedisi apo nga puna e dobët në një shkollë të caktuar???
 Ky problem del kur nxënësi kalon në shkollën e mesme e pas 9 viteve mësim të gjuhës amtare dhe lexim si rregull ai duhet të ketë një formim jo të pakët gjuhësor, të paktën sipas programit mësimor.
I ashtuquajturi tranzicion  e ka zbehur disi rolin shembullor apo pa droje edhe frymëzues të puhës për ngulitjen e normës letrare të gjuhës sonë.( mësimi i gjuhës amtare është edhe një lloj fryme që përcillet nga njeri brez në tjetrin). Krijimi i një hendeku kohor relativisht të madh midis moshës së mësuesit dhe kërkesave të reja që shtron mësimdhënia e gjuhës shqipe shtron nevojën urgjente të një trajnimi të vazhdueshëm të kësaj kategorie mësuesësh.
Ndoshta nuk duhet të imitojmë një aksion të shkallës kombëtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për trajnimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe sepse për disa do të quhej një lloj
“veprimi anakronik!!!.” Për mësuesët e kësaj lënde, por edhe për mësues të lëndëve të tjera duhet gjetur një formë tjetër për të ndalur këtë indiferentizëm gati masiv. Një gjë duhet pranuar nga të gjithë. Ka ende mësues që nuk i njohin me rigorozitet rregullat kryesore të drejtshkrimit, pa folur për mësuesët e lëndëve të tjera. Në punët me shkrim që bëjnë nxënësit në lëndët e tyre për shumë arsye, nuk i vënë kriter vlerësimi drejtshkrimin e nxënësit në atë detyrë.
Në këtë stad mësimdhënies së gjuhës amtare, mendoj se çdo drejtori shkolle duhet të mendojë edhe për një mjedis funksional në shërbim të përvetësimit të gjuhës së njësuar në të folur e në të shkruar. Nëse përmendim ndonjë përvojë të mirë të ndonjë shkolle, kjo nuk është bërë ende masive në shkollat e mesme ku gjuha po mbush tashmë disa vite të futjes së saj në programet shkollore.

7.
Pranë shkollave duhet përshëndetur afrimi i mjaft organizmave financiare qeveritare apo edhe joqeveritare, biznesmenë të ndryshëm apo edhe Bordet e Shkollave për zgjidhjen e disa problemeve që ka sot shkolla shqiptare kudo në trojet shqipfolëse.
A kemi krijuar me këta aleatë  të rinj e të domosdoshëm në kushtet kur kalon shoqëria shqiptare traditën e krijimit  të kabinetve funksionalë qoftë edhe bashkëkohorë krijimi i mjediseve moderne e jo mjedise të standarteve të vjetra të së kaluarës??? ?
Kjo është bërë e bëhet disi mirë për gjuhët e huaja. Shumë drejtorë shkollash, Drejtorë të Drejtorive Rajonale, të shkollave jopublike, madje edhe në nivel ministrie  mburren për laboratorë modernë të gjuhëve të huaja (mirë bëhet për to) po asnjë nuk ka në këtë listë kabinete moderne të gjuhës amtare në shkollat e mesme.
A kemi ne traditën e mirë të botimit të punëve më të mira me shkrim të nxënësve të disa viteve që më vonë do të bëhen edhe një lloj modeli, një “pronë” kulturore” e nxënësve pasardhës?
Të gjithë emocionohemi kur shohim një letër të një shkrimtari, të një këngëtari, të një artisti të gjallë apo të ndarë nga jeta, të një politikani po nuk e mendojmë se në kushtet e një kohe moderne ku ka më shumë kushte, nuk e bëjmë këtë për brezat pasardhës.
Në shtetet e tjera ku shqiptarët në mënyrë të organizuar mblidhen zakonisht vetëm në festa kombëtare apo në ndonjë përvjetor tjetër (përherë ata kanë një justifikim të madhe në buzë për mospjesëmarrjen se “janë në punë”, etj) të gjithë buzëqeshin, lumturohen, pikëloten, duartrokasin kur në tribunë del një fëmijë që reciton shqip qoftë edhe me pak gabime. A mund të mendohet një konkurs për ta që do të ishte edhe si një e papritur emocionuese e këtij aktiviteti që paguhet si rregull, qoftë edhe një muaj më parë me internet!!!!
Vetë shkollet nuk shfrytëzojmë ato mundësi, qoftë edhe të pakta, që iu jepen me takime me aktorë, poetë, mësues veteranë të gjuhës amtare, që kanë qenë dhe janë modele të gjallë të gjuhës amtare. Kjo duhet shoqëruar edhe me hulumtime në folklorin vendas ose te shkrimtarët  që e kanë shfrytëzuar me një cilësi të lartë gjuhën e gjallë të popullit në veprat e tyre. Pse jo, në mënyrën më të zhdërvjellët mund të përtërijmë edhe traditën e mirë të grumbullimit të Fjalës së Rrallë Shqipe. Edhe këtu në këtë front , ku nxënësi drejtpërdrejt rrit fjalorin aktiv të leskikut, ku aftësohet në një të folur të standarteve të larta, nuk ka një punë të studiuar.

8.
 Brenda këtyre problemeve që trajtuam më lart, duhen përmendur edhe disa mangësi që i kalojnë caqet e mundësive të një mësuesi të thjeshtë gjuhe në klasën e dytë, në klasën e pestë apo edhe në vitin e tretë të shkollës së mesme, thjesht në ciklin e arsimit fillor, 9-vjeçar apo edhe të mesëm.
Do ta nisim nga klasa ku zhvillohet mësimi. Përballë gjendjes se re të një analfabetizmi të hapur e të fshehtë që krijon migrimi brenda vendit, krijohet një mbingarkesë e madhe me mbi 45 vetë në një klasë (prej vitesh kjo është e pranishme në kryeqytet ku eshe shkalla e përvetësimit të gjuhës amtare duhet të jetë në një shkallë shumë të lartë dhe se ka një dyndje shumë të madhe të nxëxsve të ardhur nga të gjithë trevat e vendit, qoftë edhe nga jasht kufijtë.
Në shkollat e fshatrave ndodh e kundërta. Bëhet bashkimi i klasave. Në të dy këto klasa që përbëjnë ekstreme pedagogjike rrisku i dëmit në thelb është i njëjtë, natyrisht është i dëmshëm dhe duhet të përfshihet në fokusin e të nesërmes.
Një mbingarkesë e tillë nxënësish në klasat e shkollave të zonave urbane në mënyrë të drejtpërdrejtë krijon edhe mbingarkesën e mësuesit në qortimin  e punëve me shkrim, në kohën jo të mjaftueshme për dhënien e njohurive shkencore në orët përkatëse, në atë të punës së diferencuar për ndreqjen e gabimeve dialektore, etj.
Na shqetësojnë tepër tekstet. Nga konsultat me mësuesët e gjuhës amtare ngrihen gjithmonë probleme me to. Është hedhur mendimi që krahas vërejtjeve që japin ata, mësuesët, për autorët përkatës të teksteve, të jenë edhe vetë autorët që e kanë hartuar librin. Dhe mirë bëhet. Nëse kërkojmë standarte kombëtare të gjuhës amtare, këtë shembull duhet ta jape, së pari, teksti i gjuhës shqipe. natyrisht duke nisur që nga Abetarja mbarëkombëtare Kryelibri i një njeriu, i një kombi  dhe i një Akademiku. Kjo bëhet e domosdoshme që prej vitesh kur në shkollat e mesme, në Maturën Shtetërore ka hyrë edhe vetë kjo lëndë dikur e privuar nga organizmat shtetërorë përkatës.
Është një e drejtë që asaj i është mohuar prej vitesh E tashmë kemi një  ndryshim që duhet të përtërihet herë pas here në një konceptim të një praktike të re nga ana e mësuesve përkatës. E bashkuar me lëndën e letërsisë, ajo kërkon edhe ndryshimin e metodës  duke vënë nxënësin në qendër të vemendjes. Për fat të keq, në kushtet që ka krijuar shoqëria shqiptare ku brezi i ri duhet të luftojë me disa “kundërshtarë“ shumë të fortë të librit si kompjuteri, televizori, por edhe vetë rruga,  ne ende nuk po gjejmë metoda të frytshme për të nxitur interesin e leximit të pavarur nga nxënësit. Të paktën nga ata pa folur për breza të tjerë që nuk janë objekt i këtij shkrimi.
Kjo është përshëndetur prej kohësh nga grupet e interesit, nëse do t’i quajmë  kështu komunitetin e mësuesve dhe të prindërve, të bordeve të shkollave, të intelektualëve e të mbarë shoqërisë shqiptare në të gjithë trevat ku lënda e gjuhës shqipe është në programin shkollor.

9.
Nëse shoqëria kërkon kësaj radhe një “ aleat” të fuqishëm specialist përballë problemeve që shtrohen sot për gjuhën shqipe, si një problem jo thjesht gjuhësor, teknik, por edhe social edhe të kristalizimit të identitetit tonë kombëtar, ajo, shoqëria, duhet të ndërgjegjësohet se duhet t’i krijojë mësuesit një prapavijë të fuqishme.
Gati në të gjithë Universitetet e vendit tonë, në Kosovë, në Maqedoni ka Katedra të Gjuhës Shqipe. Pedagogë e studentë. Këshilla shkencore. Duke iu referuar përvojës së mësimdhënies së gjuhës në gati 40 vjet dhe asaj të informacionit të botimeve që kemi nga këto universitete, shohim se ka një hendek të madh në drejtim të realizimit të misionit të mësimdhënies së gjuhës amtare në shkollën 9-vjeçare  e të mesme si një shkencë nga ana e tyre në ndihmë të këtyre mësuesve, pasi bëhet shumë herë një punë  e mbyllur dhe spontane.
Ka kohë që ndjehet në të gjithë  mjediset e mësimdhënies së gjuhës amtare mungesa e Metodikave të Gjuhës Shqipe. Ky tekst i domosdoshsëm mund të përfshihet dhe me atë të letërsisë ose mund të qëndojë më vete. Kur krijohet ekzistenca e një mjedisi sa më të rregullt gjuhësor në shkollë, si mund të bëhet realitet kur nuk gjen nëpër shkolla masivisht libra “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”,“Drejtshqiptimi i gjuhës shqipe”, “Drejtshkrimi i shenjave të pikësimit” , “Fjalori i Gjuhës Shqipe“, në një kohë që gjenden me qindra fjalorë të gjuhëve të huaja, metoda të panumëruara për to. Jepen njohuri për drejtshkrimin e gjuhës shqipe në vitin e parë të shkollës së mesme, bëhen sipas programit tekste diktimesh dhe ushtrimesh për të realizuar në praktikë aftësimin praktik të tyre dhe nuk gjen tekste diktimesh për ta.
A nuk do të ishte mirë që, ashtu si edhe për lëndët e tjera, si matematika, fizika, kimia  ku ka jo pak tekste ushtrimesh disa të tillë, madje edhe të bërë me lloj-lloj ngjyrash  apo për vite të veçanta të kishte edhe për gjuhën amtare se nuk gjendet asnjë i tillë!!!????
Në përshtatje me nivelin e disa kategorive të nxënësve, mendoj se në tekstet e gjuhës shqipe të jepen edhe më shumë modele negative përballë normës letrare. Në arsimin parauniversitar njohuritë shkencore të marra në gjuhën amtare dhe aftësimi praktik për t’i realizuar ato në drejtshkrim dhe drejtshqiptim, nuk bëhet nga “podiume leksionesh”, por mbi kërkesa të rrepta të pedagogjisë bashkëkohore duke shfytëzuar edhe atë të pedagogjisë shqiptare. Mos vallë mungojnë  specialistët tanë?? Ndoshta është me vend që të kujtojmë se në fillimet e shkollës shqipe tekstet ndihmëse nuk ishin ata shkencorë, por ata që lidheshin me gjuhën. Atëherë përse të humbë kjo traditë e bukur???
Nuk po përmendim këtu edhe problemin e pazgjidhur akoma të furnizimit të shkollave me libra të domosdoshëm artistikë metodikë që është konsumuar shumë në këto 20 vjet e nuk mund të jetë objekt i këtij studimi. Edhe lista që vjen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në çdo fillimviti shkollor nuk  e përfshin zërin e metodikave të gjuhës shqipe dhe testeve ndihmës për këtë lëndë. Madje nëse do të pranonim tendecën e një një globalizmi të shkollës shqipe në realitetin evropian, duhet nxitur edhe botimi i teskteve alternative teorikë, aplikativë etj.
Një gjë e tillë duket si luks i madh për momentin, por besojmë se do të behet realitet së shpejti. Këtu na jepet rasti që të përshëndesim botimin e tekstit më të ri me mësime praktike “Mësimdhënia me në qendër nxënësin” botuar nga Qendra e Trajnimit dhe Kualifikimit për Arsimin“ përgatitur nga As. Dr. Mimoza Gjokutaj.

Ky libër nuk është  posaçërisht vetëm për mësimdhënësit e gjuhës shqipe, po gjithësesi është një shembull i mirë             që, kur ka një përkushtim, edhe rezulatet janë të mira. Le të shënojë një fillim të mbarë për shumë tekste të profilit të gjuhës shqipe.

10.
“Çelësi” më i saktë i zgjidhjes së problemeve të mësimdhënies  së gjuhës amtare në shkollat shqiptare, në fund të fundit, nbetet në sinorët e shkollës  e të organizmave që lidhen drejpërdrejt me të. Për të rriur rendimetin e kësaj pune Ministria e Arsimit dhe e Shkencës  në Republikën e Shqipërisë ka hartuar para pak kohësh edhe një Program të zhvillimit profesianl për mësuesët  që japin mësimin e gjuhës amtare me titull  “Mësuesi i gjuhës amtare në fokus të kualifikimit dhe trajnimeve profesionale” që mund të ishte një udhërrëfyes edhe për shkollat shqiptare në Kosovë, në Maqedoni etj.
Bukur!! Një program në kohën e duhur! Projekte që mund të mbeten në letër, nëqoftëse nuk shihet përditshmëria e konkretësia e ndjekjes së tyre. Është një Projekt që kërkon të nxisë mësimdhënien e gjuhës amtare edhe në vitet që do të vijnë.
Përballë problemeve që na dikton koha besoj se të gjithë  njëzëri duhet të shqiptojmë si në një kor të madh që më shumë se jehonë malesh, të jetë jehonë zemrash ”GJUHA NË FOKUS” Duke hapur këtë diskutim  mes mësimdhënësve, por edhe të atyre që e jetojnë jo më pak këto shqetësime, po futemi një çast edhe në hullinë emocionale.
Problemet e gjuhës amtare sot janë kthyer edhe në probleme sociale, por edhe një lloj pengu i politikës që ende nuk po e thotë si duhet fjalën dhe ligjin për shumë halle që ka kjo gjuhë, kjo “pasaportë” shpirtërore e kombit tonë në një kohë që ne kemi kërkuar që të përfshihemi në të gjithë organizmat politikë, administrativë, kulturorë të Evropës e të botës. Media tek ne bëhet një model i keq për të gjithë shqiptarët për këtë problem. Jo vetëm që e trajton shumë rrallë këtë plagë të madhe të identitetit (edhe këto në hullinë politike), por ajo me plot gojë duhet shkolluar vetë me këtë shkollim gjuhësor amtar. Në mjediset e qyteteve tona gjuha amtare po goditet egërsisht sa nuk ka gojë të flasë, thotë populli për këtë gjendje. Përdorimi publik i sa e sa fjalëve të gjuhëve të huaja, një shtrembërim i jashtëzakonshëm i normës letrare e sidomos indiferentizmi vrastar i shoqërisë shqiptare për këtë problem,  është një pjesë e së tërës ku, të paktën moralisht si qytetarë, si specialistë të gjuhës edhe ne kemi e do të kemi përgjegjësinë e vetvetes.

Le të bëjmë një pyetje .
Tani këtë pyetje do t’ia bëjmë vetvetes:
“A jemi të përgatitur që në moshën shkollore të shkruajmë brenda vetes thënien–lapidar të Faik Konicës “Ati ynë që je në qiell, na jep fuqi të heshtim kur s’kemi më se ç’të themi !”
Sot kjo fjalë e mençur do t’i shkonte fare mirë për shtat çdo shkronje të hedhur në letër apo që artikulojmë. Do t’i hapte portat e mençurisë aq të lakmuara jo vetëm për një nxënës që kalon pragun e një shkolle, por edhe për një komb të tërë që kërkon fisnikërimin e vet përballë shumë erërave që fryjnë deri në përmasat e tufaneve e stuhive shkatërruese … 

E, kur është fjala për shkronjën shqipe, shqipfolësit e çdo treve, të çdo moshe duhet të mendojnë se janë para një “banke” ku të gjithë e në çdo kohë do të jenë medoemos nxënës të përjetshëm e më se të zellshëm. Duhet të mendojnë se në të gjithë kohërat që na presin   hapin tonë të menduar e të pahedhur, që do të kenë frymën tonë të panxjerrë, që do të gëzohen mbi fytyrën engjëllore të fëmijës sonë të palindur ende, duhet të jemi përherë nolianë të vërtetë. Të jemi nolianë të kohërave të tjera që kombi të na vërë kurorën e dafintë mbi shpirtërat tanë të trazuar shqiptarë….

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit