2012-01-19

Kujtesë klasës politike të Tiranës



  Prof.Dr.Eshref Ymeri
 
 
(Pas një njoftimi të zotit Ministër Aldo Bumçi)
 
       Para ca muajsh zoti Kryeministër deklaroi se me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, në Tiranë do të ndërtohej godina e re e  parlamentit dhe një stadium i ri. Asokohe ndodhesha në SHBA dhe përmes faqes së internetit reagova ndaj deklaratës së zotit Kryeministër, duke nënvizuar se është ende herët për ndërtimin e këtyre dy objekteve me rëndësi kombëtare, sidomos pas krizës ekonomike që ka pllakosur mbarë botën.
       Por tani së fundi u njoha me njoftimin e zotit Ministër Aldo Bumçi, i cili bënte me dije se ndërtimi i stadiumit të ri qenka e pamundur të realizohet, meqenëse 300 milionë lekët e caktuara nga buxheti i shtetit qenkan të pamjaftueshme për përballimin e ngritjes së një objekti të tillë.
       Në këto kushte, klasa politike e Tiranës duhet të rri e të vrasë mendjen që valët e fuqishme të krizës ekonomike mbarëbotërore, të mos e goditin me aq furi edhe vendin tonë, siç kanë goditur shumë vende të tjera. E them këtë se pasojat e kësaj krize, në një mënyrë ose në një tjetër, domosdo që ndihen dhe do të ndihen edhe në vendin tonë. Por megjithatë asnjë qytetar shqiptar nuk dëshiron që vendi ynë të katandiset si fqinji ynë jugor, i cili paratë e taksapaguesve perëndimorë i bëri rrush e kumbulla jo vetm brenda vendit të vet, por edhe në Shqipëri, me pensione skandaloze për njerëz që s’kanë punuar në Greqi as edhe një ditë të vetme, apo me ndërtime kishash greke, si puna e kështjellës janullatiste që ngrihet si karakoll në mes të Tiranës, varrezash, memorialesh dhe manastiresh në nderim të ushtarëve agresorë grekë.
       Gjendja e financave shqiptare, të cilat nuk kanë mundësi të caktojnë fonde të mjaftueshme për ndërtimin e një stadiumi të ri, se për ngritjen e godinës së re të parlamentit as që bëhet më fjalë, duhet t’i futë në sëkëlldi përfaqësuesit më të lartë të klasës politike të Tiranës, në mënyrë që të sigurojnë burime për shëndoshjen e situatës financiare.
       Nga regjistrimi i fundit i popullsisë rezultoi se brenda territorit të Shqipërisë Londineze banuakan 2, 8 milionë e ca banorë. Tani lind një pyetje e thjeshtë: me këtë numër popullsie, a është e udhës që ne të kemi në parlamentin shqiptar 140 deputetë? A nuk është koha, zotërinj të klasës politike shqiptare, të bëni ndryshimin përkatës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe numri i deputetëve të parlamentit të shkurtohet në atë masë që t’i përgjigjet numrit të popullsisë? Pse të mos marrim shëmbull nga vende të tjera, të cilat në parlament kanë një numër të arsyeshëm deputetësh, në përputhje me numrin e popullsisë?
       Le të shikojmë Knesetin (parlamentin izraelit). Nga faqja e internetit “Historia e Knesetit”,rezulton se sipas të dhënave të Drejtorisë Qëndrore të Statistikave të Izraelit, të botuara më 28 dhjetor 2010, rezulton se popullsia e Izraelit përbëhet prej 7 825 000 banorësh që jetojnë brenda territorit të vendit. Kurse parlamenti izraelit, pas zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan më 10 shkurt 2009, përbëhet prej 120 deputetësh. Pra, vendi ynë që ka brenda territorit një popullsi prej gati tre herë më të vogël, ka në parlament 140 deputetë.
       A nuk është e udhës, zotërinj të nderuar të klasës politike të Tiranës, që këtë shifrën 140 ta zbresim, së paku, në 80, duke u kursyer financave shqiptare 60 deputetë, të cilët u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë minimumi mbi100 milionë lekë të vjetra në muaj? Po gjatë një viti, po gjatë një mandati katërvjeçar sa para do të kursehen në buxhetin e shtetit?
       Po me financimin e partive politike, sidomos të partive politike fatntazma, e a dini se sa shuma kolosale gllabërohen nga buxheti i shtetit? Kodi eletoral që u aprovua para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, zbuloi fare qartazi se shumë ish-deputetë të këtyre partive fantazma kishin qenë parazitë në parlamentin shqiptar se nuk kishin elektorat, çka në zgjedhjet e vitit 2009 u vërtetua katërcipërisht. Sa herë taksapaguesit shqiptarë kanë dëgjuar nga goja e shtetarëve më të lartë se fondet që kanë pas marrë partitë fantazma për fushatat e zgjedhjeve parlamentare, nuk i janë kthyer buxhetit të shtetit dhe madje janë falur? A e kuptoni, ore zotërinj, se këto para, të marra nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, kanë shkuar për dhjamë qeni?
Prandaj është e udhës që shteti të heqë dorë një herë e mirë nga financimi i partive politike, duke ndjekur shembullin e partive politike amerikane, të cilat nuk marrin asnjë dollar nga buxheti i shtetit për zhvillimin e fushatave elektorale. Partitë politike shqiptare le t’i zhvillojnë fushatat elektorale me ndihmën e sponsorëve dhe të simpatizantëve të tyre.
 
Tiranë, 19 janar 2010

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...