2012-01-18

Krimi ia kaloi edhe turpit të bam.


100 vjetori nis nga Skënderbeu

544-vjetori i vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu shënoi dje edhe ditën e çeljes zyrtare të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kuvendi zhvilloi dje ceremoninë solemne në çelje të vitit jubile, ku morën pjesë deputetë shqiptarë nga të gjitha trojet Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, në sallën plenare u organizua një seancë solemne kushtuar firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, shtetarëve të mëdhenj dhe të gjithë atyre, paraardhësve rilindas, që me penë e me pushkë, punuan me vetëmohim dhe sakrifikuan për Flamurin e Skënderbeut, shtetin shqiptar dhe lirinë e kombit. Kjo seancë, vjen edhe në përkujtim të 17 Janarit, ditën kur mbylli sytë Heroi Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili u la amanet shqiptarëve Flamurin dhe bashkimin mes vendit, për lirinë e vendit. Ky mision, sa fisnik dhe jetik për shqiptarët, u krye nga etërit e Kombit, përmes mundimesh e flijimesh të pafundme.

Ceremoninë e nderuan Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, deputetë shqiptarë të Parlamenteve të Kosovës, të Maqedonisë, Malit të Zi, pinjollë të familjeve të firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, ambasadorët e BE, OSBE-së dhe të vendeve të tjera në vendin tonë, përfaqësues nga Diaspora, si dhe të ftuar, të ardhur posaçërisht, për këtë seancë solemne. Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi nderoi me dinjitet të merituar, shekullin e përpjekjeve titanike e sublime të patriotëve të shquar dhe të gjithë shqiptarëve mendjendritur, që arritën të kurorëzonin me ngritjen e Flamurit Kombëtar, shpalljen e Pavarësisë në 28 Nëntor 1912 dhe për të mbërritur deri te krijimi i shtetit të Kosovës.

Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi përpjekjet e përgjakshme për krijimin e shtetit shqiptar, të cilën e konsideroi edhe histori vizioni e atyre që e projektuan me dritë të ardhmen e vet dhe të shqiptarëve. "Historia e përpjekjeve për krijimin e shtetit shqiptar nuk është vetëm histori gjaku e atyre që u flijuan, por edhe histori djerse e atyre që ndërtuan, edhe histori mendimi e atyre që shkruan, edhe histori vullneti e atyre që rezistuan, edhe histori vizioni e atyre që e projektuan me dritë të ardhmen e vet dhe tonën. Pa dedikimin, pa devotshmërinë, pa dashurinë ndaj kombit, pa veprën e këtyre burrave ne sot nuk do kishim Shqipërinë, nuk do kishim Kosovën, nuk do kishim flamurin, nuk do kishim kombin. Të njëjtin flamur ne sot e kemi para nesh, të cilit i falemi dhe i përkulemi, si simbol i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht ku jetojnë ato", theksoi Topalli.
Shteti i shqiptarëve, të gjallë e të shuar do të jetojë për jetë të jetëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi përshëndeti seancën speciale që organizoi Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Krasniqi theksoi se pavarësia e Shqipërisë, data e shpalljes së saj, është një datë e veçantë dhe për Kosovën, pasi nga ajo datë pati vetërilindje dhe rilindje. Sipas Krasniqit, emra të shquar si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari që mund të barazohen me simbiozën mençuri dhe trimëri, sollën përvjetore të tillë që nuk mund të jenë veç bazament reflektimi. Sipas Krasniqit, politika sot duhet të marrë shembull nga këta emra. "Duke marrë shkas nga kjo plejadë e lavdishme, liderët t'i thërrasin mendjes për harmoni, të veprojnë me arsye, të shërbejnë me mirëkuptim, të bëhen udhërrëfyes për tejkalimin e veseve", theksoi ai. Më tej, Krasniqi theksoi se Shqipëria do të mbetet shtet i shqiptarëve, kudo ndodhen ata. "Mund të ndërrohen formacione të administrimit, por Shqipëria, shteti i shqiptarëve, të gjallë e të shuar do të jetojë për jetë të jetëve. Të nderuar bashkëkombas, në këtë përvjetor jubilar nuk dua të fsheh ndjenjën e krenarisë, kënaqësinë, e kundërta do më shpërfytyronte, Shqipëria do të jetë në jetë të jetëve e lirë dhe e pavarur", theksoi Krasniqi.

Ademi: Shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve
Shekullin e shqiptarëve e konsideroi deputeti i Parlamentit të Maqedonisë, Xhevat Ademi, ndërsa vlerësoi 17 janarin ditë shënimi të qenësisë sonë si shtet e si komb. I ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë solemne, Ademi vlerësoi arritjet e shqiptarëve në këto 100 vjet. "Shekulli XXI përfundimisht është shekulli i shqiptarëve, ne shqiptarët e Maqedonisë, i gëzohemi dhe frymëzohemi me të arriturat e Shqipërisë, fakti që sot Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s, në rrugën pa kthim drejt proceseve eurointegruese. Fakti që sot Kosova, ajo plagë e jona që ka kulluar ndër shekull, në këtë janar fillon bisedimet për liberalizim dhe trajtëson rrugën e pakthim drejt proceseve eurointegruese. Fakti që shqiptarët e Maqedonisë mbase nuk kanë realizuar gjithë ëndrrën e tyre për të qenë të barabartë tërësisht me komunitetin maqedonas, përfundimisht janë në rrugë të mbarë sepse proceset eurointegruese të rajonit në radhë të parë janë interesi ynë strategjik kombëtar dhe nga kjo rrugë fatmirësisht kthim prapa nuk ka", theksoi ai. Ademi në fjalën e tij përcolli përshëndetjet e gjithë shqiptarëve të Maqedonisë.
Bardhi: Krenarë për flamurin e kombin shqiptar
Ceremonia e 100-vjetorit të Pavarësisë mblodhi në Tiranë deputetët nga të gjitha trevat shqiptare dhe një ndër ta ishte i ftuar edhe deputeti i Parlamentit të Malit të Zi, Mehmet Bardhi. Në përshëndetjen e tij, ai shprehu krenarinë e gjithë shqiptarëve për flamurin edhe për kombin shqiptar. "Në emër të deputetëve shqiptarë nga trojet shqiptare në Mal të Zi dhe në emër të shqiptarëve nga Mali i Zi ju përshëndes përzemërsisht dhe ngrohtësisht në këtë 100-vjetor! Vlen të kremtojmë dhe duhet të jemi krenarë, edhe për flamurin edhe për shtetin, edhe për shtetet dhe obligim për të ardhmen më të mirë. Shqiptarët në Mal të Zi asnjëherë nuk e patën pozitën e mirë, por po punojmë që të bëhet mirë dhe duhet të punojmë", theksoi ai. Deputeti Bardhi ka kujtuar si tepër të dhimbshme vitin 1948 kur shqiptarëve të Malit të Zi iu mbyllën kufijtë me Shqipërinë, që sipas tij simbolizon këputjen e damarëve. Për këtë arsye ai uroi që kuvendi i djeshëm me përfaqësues, me deputetë nga të gjitha viset shqiptare të jetë një vazhdim i lidhjes së damarit të këputur, i shërimit të plotë.
Sot unë dua ti lexoj te gjithë emrat. Një pjesë e këtyre emrave u fshinë për gjysmë shekulli të diktaturës komuniste, te tjerë u pushkatuan. Krimi ia kaloi edhe turpit të bam.

1. Ismail Kemal
2. Dom Nikollë Kaçori
3. Abdyl Aziz Vehbi (Agolli)
4. Ibrahim Karbunara
5. Elmaz Boce
6. Veli Harçi
7. Qazim Kokoshi
8. Iani Minga
9. Rexhep Mitrovica
10. Dhimitër N. Tutulani
11. Aristidh Ruçi
12. Abdi Bej Toptani
13. Abas Dilaver (Çelkupa)
14. Midhat Frashëri
15. Shefqet Dajiu
16. Zihni Abbas Kanina
17. Xhelal Ko (prencka)
18. Hajredin Cakrani
19. Qemal Bej (Karaosmani)
20. Iljas Vrioni
21. Salih Gjuka
22. Dhimitër Berati
23. Dhimitër Emmanuel
24. Dhimitri Zografi
25. Murad Toptani
26. Pandeli Cale
27. Luigj Gurakuqi
28. Bedri Pejani
29. Spiro T. Ilo
30. Thanas V. Floqi
31. Qem(al) BE Mullaj
32. Lef Nosi
33. Dr. H. Myrteza
34. Nuri (Sojliu)
35. Mustafa Asim Kruja
36. M. Ferid Vokopola
37. Ymer (Bej Delialliu)
38.Xhemalydin Bej Deliallisi
39. Nebi Sefa Lushnja
40. Zuhdi Ohria

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...