2012-01-18

Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri


Pothuajse gjysma e rrugëve të qytetit ishin në ndërtim e sipër, të mbuluara nga gurët dhe pluhuri nën zhegun e korrikut. Mes dy apo tre pallateve të vjetra, ishte shkatërruar e gjithë bimësia, pemët dhe lulet, dhe ishin ndërtuar pallate të reja, të ngjitura me njëra-tjetrën dhe jashtëzakonisht të shëmtuara!
Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri



























Shkruan : Kristi Pinderi

Nëse keni vendosur t’i kaloni pushimet këtë vit në Pogradec, mendohuni dy herë!

Ndonëse i jashtëzakonshëm për nga klima, melankolik në përjetësi për nga natyra, nostalgjik për nga historia e poezia, Pogradeci është këtë vit një kantier i rëndomtë ndërtimi, i mbushur me pluhur, i ngarkuar me tonelata dheu anësh rrugëve, madje edhe anash bulevardit kryesor përgjatë liqenit dhe i mbuluar me plehra.

20 metrat e rrugës në hyrje të qytetit ishin të zbukuara me dhjetëra vazo qeramike me lule, por kur kaloje kryqëzimin në hyrje, papritur makina fillonte të fundosej në dhjetëra gropa të lëna të hapura, m’u në mes të rrugës kryesore. Majtas e djathtas, fasadat e pallateve komuniste të kësaj rruge nuk kishin asnjë ndryshim, veç kateve të para të ngarkuara nga qepenat gjysëm të hapura, apo gjysëm të mbyllura, të dyqaneve kuturu.

Pothuajse gjysma e rrugëve të qytetit ishin në ndërtim e sipër, të mbuluara nga gurët dhe pluhuri nën zhegun e korrikut. Mes dy apo tre pallateve të vjetra, ishte shkatërruar e gjithë bimësia, pemët dhe lulet, dhe ishin ndërtuar pallate të reja, të ngjitura me njëra-tjetrën dhe jashtëzakonisht të shëmtuara!

Në bulevardin kryesor të qytetit, buzë liqenit, këmba të shkelte në asfalt vetëm përgjatë tre apo katërqind metrave të shtruara me pllaka të kuqe, si në disa rrugë të përuruara së fundmi në Tiranë.
Pjesa tjetër ishte një zgjatim gri pluhuri, gropash, telash telefoni dhe kabllo elektrikë. Dy tre ekskavatorë dhe mjete të tjera të rënda ndërtimi, qëndronin të parkuara, të qeta e pa zë, çdo 10 apo 20 metra larg njëra tjetrës.

Rrugëve shikoje vetëm lypës, të rinj adoleshentë gjysëm të zhveshur që hanin fara luledielli, dy tre të moshuar, si edhe nja dhjetë mini-ambiente prej kashte që plotësonin gjatë këtij sezoni veror mungesën e shërbimeve për turistët.

Në këto ambiente të përkohshme prej kashte, mund të porosisje qofte ose kërnacka të tymosura, djathë të bardhë të kripur, dhe birrën maqedonase Skopsko (me raste edhe birrën Korça).
Kush e mban mend mirë rrethrrotullimin në kryqëzimin mes këtij bulevardi dhe rrugës “Rinia” në Pogradec, kujton me siguri pishën e vjetër e cila për Vit të Ri zbukurohej me drita dhe mbulohej nga dëbora. Pishën ku qytetarët e Pogradecit fotografoheshin çdo vit. Ishte një hapësirë e ndërthurrur në mënyrë të pashmangshme me arkitekturën përreth, por mbi të gjitha me kujtimet e pogradecarëve. Ajo pishë ishte prerë…

Në vend të saj, ishte ndërtuar një shatërvan jo fort i keq në fakt, por kujtimet e pogradecarëve tashmë do të mbeten të tilla vetëm në fotografi, pasi bri atij shatërvani ishte ndërtuar një super-pallat 15 katësh 30 metra larg bregut të liqenit, që stononte komplet me ndërtimet e tjera tipike pogradecare buzë bulevardit, e që ishte, si të thuash i paarritshëm as nga fluturimi i ulët i pulëbardhave tradicionale të liqenit… në kërkim të pllashicave (sardele) gjithnjë e më të pakta në liqen…

Ky pallat, kishte në formën e një stampe madhështorë në mes të tij, të ‘vulosur’ në plot katër kate, emrin: Kapri Center!

Luan Kapri, ndërtues i këtij ambienti, duhet thënë se është një biznesmen i suksesshëm i Pogradecit. I rritur në një fshat rreth 3 orë larg qytetit, Kapri e filloi biznesin fillimisht të vogël, pas kthimit të tij nga emigracioni. Ndërtoi një zdrukthtari në fshatin e tij, bleu pastaj një makinë plehrash dhe fitoi rradhazi disa tendera për pastrimin e qytetit, në emër të firmës “Rei”.

Pas atyre kohërave, biznesi i tij njohu vetëm rritje, derisa “u vulos” në qendër të qytetit me një super-pallat me një qendër tregtare që mbyllej që në orën e drekës. I paarsimuar, por me një sens të jashtëzakonshëm biznesi, ai duket se sfidoi të gjithë vendasit, të cilët ose emigruan jashtë vendit, ose “u arratisën” drejt Tiranës.


 Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri
Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri





















Në xhamat e një internet-kafe në katin e parë të këtij pallati ishin ngjitur në një format A4 emrat e disa dhjetëra pogradecarëve të cilët kishin fituar së fundmi llotarinë amerikane.

Pothuajse gjysma e familjeve pogradecare kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kësaj llotarie, e cila ndryshe nga qytetet e tjera shqiptare, në Pogradec dukej se vazhdonte ende me të njëjtin ritëm si në fillimet e saj, kur njerëzit e zhgënjyer e pranonin me kënaqësi dhe emocion hedhjen në llotari të së ardhmes së tyre...

Me largimin e tyre, qyteti u “pushtua” nga banorë të tjerë të ardhur nga fshatrat përreth, të cilët u strehuan kryesisht në pallatet e reja të ndërtuara ose nga Luan Kapri, ose nga firma Fido Haxhillari, një tjetër biznesmen, me origjinë nga Starova e Pogradecit.

Ajo që është shumë e qartë për këdo që e ka njohur në kohërat më të mira të tij Pogradecin, është fakti se të gjitha ato familje që mirëprisnin çdo verë pushues të ndryshëm, kryesisht nga Tirana, duke zhvilluar edhe pa e ditur vetë një turizëm gati-gati elitar, ose e kishin harruar këtë zakon të bukur të Pogradecit të konsideruar si “qyteti i luleve”, ose e kishin braktisur totalisht. Në vend të atyre shtëpive plot me lule, e më aromë liqeni, tani ekzistonin disa lokale të zakonshme, ose disa oborre të ndara e të rindara me mur ose me gardh druri, të cilat në vend të luleve kishin filluar të kultivonin qepë, domate dhe rrush!

Prej disa vjetësh, kryetari i Bashkisë, z. Artan Shkëmbi, një profesor i matematikës, duket se po lufton që të realizojë disa projekte sipas tij të rëndësishme, që do zgjidhin njëherë e përgjithmonë probleme kyç të këtij qyteti, i cili jo vetëm që e ka humbur magjinë turistike të dikurshme, por konsiderohet nga të rinjtë si një qytet i vogël i parëndësishëm i Shqipërisë.

Donte Artan Shkëmbi të fuste në fuqi një urdhër që ndalonte përdorimin e qepenave, për shembull, gjatë natës, në mënyrë që qyteti të ishte i ndriçuar dhe të evitonte atë ngjyrën pesimiste gri të këtyre qepenave që të çojnë me imazhin e tyre deri në përfytyrimet mesjetare. Por nuk ia arriti dot atij qëllimi, pasi tregtarët, me të drejtë, donin më shumë siguri për mallin e tyre, nëse “nuk e blindonin” natën me qepena.

Me të dështuar në këtë projekt, profesori i matematikës, njëkohësisht drejtor i një shkolle shembullore jo publike, iu fut projekteve të reja. Ndaloi qarkullimin në qendër të qytetit dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërtoi zonën e parë realisht pedonale në Shqipëri.
Edhe sot, ajo zonë, e rrethuar nga pemët, lulet dhe pllakat e mëdha të bukura, është ndoshta e vetmja krenari që I ka mbetur këtij qyteti. Zona është ngjitur me rrugën “Naim Frashëri”, e banuar kryesisht nga familje ortodokse dhe nga disa të tjera muslimane që kanë jetuar atje për vite e vite të tëra në harmoni shembullore. Edhe kjo rrugë u rikonstruktua nga Bashkia, u mbulua me kalldrëm dhe me ndriçim shumë të mirë.


Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri
Qyteti i Lasgushit, kantier pluhuri































Bashkë me të edhe një lagje e vjetër e Pogradecit, e njohur sidomos për burimet e saj me ujë të ftohtë, ishte rikonstruktuar dhe mbuluar e gjitha me kalldrëm dhe me drita në çdo cep.

Ndërkohë, i gjithë Driloni i papërsëritshëm vazhdonte të ishte i pastër, me një shërbim shumë të mirë dhe me një ushqim që rrallëkund mund ta gjeni. Ama, dy kilometra larg tij, fshati ish-shembullor me emrin Tushemisht, ishte shndërruar për keq, madje më keq se Pogradeci. Burimi me ujë të ftohtë ku është xhiruar edhe filmi “Zonja nga qyteti” ishte shkatërruar pothuajse plotësisht nga ndërtimet e reja. Edhe pasazhi mbi lumë, që shikuesit e Ollgës (interpretuar nga Violeta Manushi) e mbajnë mend në momentin kur postieri Malo, një tjetër personazh i këtij filmi, rrëzohet, ishte transformuar, ngushtuar nga zgjatimet e reja të shtëpive, dhe vinte një erë të keqe që të shponte hundën.

Në të njëjtën kohë me këto projekte infrastrukture, një projekt më i madh, i financuar nga GTZ gjermane duket se po përfundon. Bëhet fjalë për ndërtimin e një sistemi të përpunimit të ujrave të zeza, në mënyrë që këto të mos derdhen më në liqen, duke e ndotur dhe infektuar ujin e tij, por të përpunohen në mënyrë industrial me teknikat më moderne.

Por një mësues matematike si z. Shkëmbi, i rizgjedhur për herë të dytë kryetar i Bashkisë së Pogradecit, nuk mund të dështonte në llogaritjet e tij, për ti bërë ose pak më shpejt, ose pak më vonë punimet e pothuajse gjysmës së qytetit. Megjithatë, ai dështoi, duke e shndërruar Pogradecin në një kantier të rëndomte ndërtimi mu në pikun e sezonit, këtë vit.

Edhe uji i liqenit ishte jashtëzakonisht i ndotur. Një shtresë jeshile karburanti (nga motorret e varkave) lundronte në këtë ujë deri në një largësi të konsiderueshme nga bregu, duke e bërë gati të papërdorshëm të gjithë vijën e plazhit publik.
Ndaj, më mirë bëjini pushimet tuaja në Pogradec, vitin tjetër, jo këtë vit!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...