2012-01-18

Beteja virtuale për qytetarinë?


Albini dhe Fisi po duken kaq të mjerë, thanë ata. Me llajk-a e me sharje poshtë e lart, po zhvillohet beteja më e ashpër e pasluftës, beteja virtuale për qytetarinë. E kur gazetarët dhe ish-gazetarët vihen në shërbim të qeverive represive, struktura e një diktature të ardhshme kompletohet.
Beteja virtuale për qytetarinë?











         Fadil Lepaja

“Luftë” shumë më e ashpër se në Merdar po zhvillohet edhe në Twiter dhe Facebook. Në Facebook qeveria po fryhet se i ka sjellë protestuesit në gjendje edhe më të mjerë se që e kishte sjellë popullin e Kosovës policia dhe ushtria serbe, në vitin 1999. Më zi se në Bllacë.

Albini dhe Fisi po duken kaq të mjerë, thanë ata. Me llajk-a e me sharje poshtë e lart, po zhvillohet beteja më e ashpër e pasluftës, beteja virtuale për qytetarinë. E kur gazetarët dhe ish-gazetarët vihen në shërbim të qeverive represive, struktura e një diktature të ardhshme kompletohet.

Kush e shan Vetëvendosjen më rëndë, ai e ka karrierën më të lehtë.

Në medie po zhvillohet një luftë e ashpër. Luftë për t’i frikësuar njerëzit të mos dalin në protesta. Luftë për t’i frikësuar me ekskomunikim. Luftë për t’i frikësuar për të mos folur. Luftë për t’i kompleksuar njerëzit me shkëlqimin e qeveritarëve të denoncuar nga organizatat prestigjioze ndërkombëtare si më të korruptuarit.

Ministrat e dehur nga rakia apo nga afshi i fuqisë së sapozbuluar, apo nga pafuqia e qytetarëve për t’i rezistuar vrullit të tyre, me gjuhë më formale thonë atë që në gjuhën popullore do të kuptohej si: Më “22 do t’ua bëjmë edhe më zi”!

Një qytetar, në dialekt, po thoshte: Diktatura brirë nuk ka! Marre nuk kanë! Ndërgjegje nuk kanë! Tutë nuk kanë!

Çka i motivon këta njerëz të jenë kaq të vrazhdë? Kaq arrogantë? Kaq kërcënues ndaj popullit të tyre?

Çka u ka bërë populli atyre?

Më pat rastisur njëherë të bisedoj me një pilot të aviacionit të Republikës së Shqipërisë. – E di cili ka qenë problemi ynë më i madh psikologjik? – më pat pyetur ai? – Jo, nuk e kam idenë – i thashë!

Asnjëherë nuk kemi pasur mundësi të provojmë shpejtësinë reale të aeroplanëve tanë! Sapo arrinin maksimumin, tashmë kishim mbërritur në kufirin tonë dhe duhej të ngadalësonim dhe të ktheheshim.

Se si m’u kujtua kjo, kur po shihja në TV skenat nga yryshi i qeverisë mbi protestuesit paqësorë. Kjo qeveri asnjëherë nuk ka mundur të shfryhet mbi askënd. Për ta treguar veten. Nuk e linin ndërkombëtarët.

Kësaj radhe, kur për herë të parë morën dritën e gjelbër prej tyre, harruan fare etikën dhe i dhanë krah ambicies së tyre. Nuk arritën të përmbahen. E komprometuan edhe korin diplomatik, të cilët i përkrahën pa e ditur se deri ku janë në gjendje të shkojnë këta.

Veç kështu po e gjej një shpjegim logjik për tërë atë mllef dhe urrejtje që u derdh mbi protestuesit.

Nga kjo ditë askush më nuk ka dilemë se kush i vulos vendimet e Parlamentit të Kosovës. Ato vulosen me çizmen e qeverisë. Natyrisht, ky është një pohim për të cilin qeveria do të kërkojë fakte. Do të kontestojë vulën në ballin e nënkryetarit të parlamentit. Vulat nëpër trupin e deputetëve dhe qytetarëve, të cilët po kërkonin të zbatohen vendimet e organit më të lartë në këtë vend.

Në fund të fundit, çka ka lidhje! Sipas logjikës së një ministreje grindavece të qeverisë, nëse një proteste nuk iu kanë bashkëngjitur më shumë se 1000 vetë, qeveria paska të drejtë “me i shkoqë dru”. – Nuk keni arritur t’i mblidhni as 1000 vetë – po klithte ministrja në ekstazë, e frikësuar por edhe e dehur me fuqinë e vet. Po harronte se po fliste para qindra mijëra njerëzve!

Ministrja është e re për ta mbajtur në mend Jan Pallahun, i cili doli i vetëm para tankeve ruse. Ai u vetëdogj para tankeve ruse që po pushtonin Çekosllovakinë. Ishte fill i vetëm. Ai edhe flaka e tij e frymëzoi popullin deri në çlirimin përfundimtar nga rusët.

Qeveria po sulmon me të gjitha mjetet qytetarët e vet, të cilët po guxojnë të mos pranojnë urdhra nga lart dhe nuk po pranojnë interpretimin e lirisë ku qeveria veç urdhëron e qytetari veç zbaton.

Ndoshta sepse qytetarët e kanë keqkuptuar Kushtetutën, e cila e definon qytetarin si sovran. Nëse pajtohet edhe Gjykata Kushtetuese, natyrisht!

Thuhet se në demokraci qytetarët janë sovrani! Pra, ata janë lart. Ata e thonë fjalën e fundit! Ndërkaq, një qeveri demokratike është në shërbim të qytetarëve dhe vepron në kuadër të kompetencave ligjore. Zbaton ligjet të cilat i nxjerr parlamenti! E parlamenti përbëhet nga përfaqësuesit e qytetarëve.

Por, qeveria prej mllefit, apo mbase edhe prej pafuqisë së grumbulluar me vite, ka shpërthyer si mos më keq. Eh, kjo ishte performansa e Qeverisë më të mirë në botë. Së paku në botën tonë të vogël të quajtur Kosovë. Kështu po vetëmburrej dikur.

Qytetarët janë gabim, gjithsesi! Nuk po u mjafton bota e tyre e vogël. Po duan ta rrisin! Po kërkojnë tepër! Po kërkojnë atë liri që e kanë qytetarët në vendet e Evropës. Po duan të shkojnë në Evropë!

Qeveria, e cila përditë lavdërohet se për qytetarët e Kosovës e shtroi vendin në asfalt, tash po i rrah qytetarët që po ulen në të njëjtin asfalt. Qytetarët që guxuan ta mbrojnë qytetarinë e tyre, e të cilët tash po i shërojnë plagët! Jo veç plagët e trupit. Plaga më e rëndë duket të jetë zhgënjimi!

Më 22 kanë paralajmëruar se sërish do të dalin në Merdar.

Pastaj del përsëri në media ish-kirurgu. Fytyra e tij “zeher” flet vetë: Kemi për t’ua bërë edhe më zi!

Asnjë ndjenjë faji! Asnjë ndjenjë përgjegjësie!

Viktima më e madhe, përpos qytetarëve në krejt këtë lojë, na del Policia e Kosovës. Ata, me urdhër të qeverisë, duhet përsëri t’i rrahin fëmijët e vet. Qytetarët e vet! Për t’u bërë më zi se në Bllacë!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...