RIZA LAHI
Lufta plasi katër muaj pa përfunduar provimet e maturës.
Kishin të trija emra ujrash dhe i kishin flokët e derdhur si derdhen ujrat. Ishin shoqe të pandara, si delta e një lumi të dalë nga gjimnazi i Prishtinës. Quheshin Valbona, Vjosa dhe Jonida.
Tri netë pasi ia mshau NATO me fluturime, ato u mblodhën të trija dhe ndenjën tërë natën zgjuar;prindërit asnjëherë nuk bëheshin merak për kësi rastesh që ishin të rralla - ishin rritur të tria bashkë dhe nënat i kishin shoqe me njëratjetrën.
- Unë do të nisem për në Shqipëri me kollonën që niset nesër në mëngjes - tha Valbona.
- Unë hë për hë do të rri këtu;mbase do të vijmë edhe ne më vonë, por s'e kemi vendosur. Arsyeja e vetme është gjyshja ime plakë e cila ka disa vite që del vetëm te dera e oborrit - tha Vjosa.
- Unë nesër do të shkoj me vëllain në UÇK - tha Jonida.
Këto ishin fjalët e para ndarjes së tri shoqeve ndërsa yjet mbi Prishtinë kishin nisur të fundoseshin e tyli i zbehtë i agimit, si një kombinezon nate, sikur sillte aromën e veçantë të çarçafëve të nuseve kosovare natën që i shtien në gjerdek.
Ja se si rrodhi jeta e secilës brenda tri javëve pas asaj nate e cila, ndërsa largohej si perçe myslimane e flakur natën e gjerdekut, ofshante e të këpuste shpirtin nga lotët e ndarjes.
JONIDA
Në fillim i bënë një kurs të shpejtë për mësimin e "kallashnikovit"; kur shtiu për herën e parë në jetën e saj, mundi ta mbante veten për mrekulli pa iu dridhur dora. I ngjitën nofkën "infermierja" dhe ajo tek po merrte çantën e ndihmës së shpejtë, befas u kërkoi shokëve që ta mbante ajo "golinovin" e vetëm që kishin . Nuk kishin besim?Të urdhëronin, cili të donte e të bënin një garë me të. . . Hahahaaa, po bënte hajgare Nida, po qysh ajo, more vëllazën, dinte me shtie m'shkja ma mirë se ju?
Çuditërisht, shokët vendosën t'ia jepnin asaj "golinovin", mitrolozin e rëndë.
Ja edhe beteja e parë për gjimnazisten nga Prishtina.
Si një re plot me breshër e vetëtima kish rënë në shpirtin e Jonidës njoftimi se atë natë do të kalonin dy makina ushtarake serbe dhe se u duhej bërë pritë. Pikërisht atë natë;pikërisht në mesnatë.
Ishte mesnata e parë kur vajza mbase do të vriste një njeri;mbase më shumë. Ndoshta vërstnikë me të. Sigurisht që dikush u kishte mësuar atyre se si shtihet me pushkë sepse, natyrisht që ata më parë kishin qenë djem që asqë e dinin se ç'ishte pushka, por bridhnin pas diskove. Kurse tani. . . Ata bridhnin anembanë Kosovës me ura zjarri ndër duar. "Kur shikoj cilindo polic serb, pyes veten: "Kushedi se sa gra ka përdhunuar ky e sa fëmijë ka vrarë", i pat thënë nën dritën e hënës njëri nga të njëmbëdhjetë luftëtarët e njësitit natën e dytë të stabilizimit; ishte një djalë i ardhur nga SHBA që e vështronte vajzën me sy përgjërues, sikur i fliste një ikone.
Komandanti tyre ishte një vendas i ardhur nga Suedia pas njëmbëdhjetë vitesh emigracioni politik. Ishte me sy miopësh, shkruante poezi dhe kishte tri vajza që ia kish lënë së shoqes. Një poezi, ai ia kish dhënë për ta lexuar edhe Jonidës. Aty ai i thonte së shoqes t'i rriste vajzat vetë dhe, poqese babai i tyre do të binte për lirinë e Kosovës, ishte detyra e asaj t'u tregonte bijave se i ati u kishte rënë duke u postuar nga një të puthur para vdekjes.
Informata jepte shifrën e 50 a 60 luftëtarëve serbë të forcave speciale. Pra, nga më të tmerrëshmit.
- Ja e fitojmë një betejë sonte, ja vdesim të tanë si burrat. A qe besa, he burra? - pyeti komandanti të dhjetë antarët e njësitit të tij duke i ndalur sytë pak më gjatë te Jonida.
Asnjë qerpik nuk lëvizi. Në të vërtetë, në të gjitha shkollat ushtarake të rruzullit, sulmuesit duhet të kishin epërsi taktike në njerëz dy deri në tri herë. Kurse. . .
- Kam menduar që, pritën ta zëmë në një vend ku secili nga ne ta ketë të pamundur për t'u tërhequr, kurse… Që të gjithë, me përjashtim të Jonidës kemi qenë nganjëherë, e pakta, në duar të torturonjësve serbë. Pra. . .
Edhe më e tmerrëshme nga xhenazja yte ishte të rënët rob.
- Jo, more djem.… ngjoni mue… ngjoni mixhën… Duhet me e xanë pritën sak qatje, tu prroni. Me ndej e me pritë qatje pa u ndie e me t'ia msha shkjaut me të tana sa ta bien kryet. Kur t'fillojnë e ta marrin vedin, kur të vijnë përforca, se shkjau ka radie e ka alete frëngu boll, me hikë përmes prronit… Me gjue si rrfejae me hikë si era! Or çun!
Kishte ndërhyrë ndërkohë baca Nuredin, bash i ati i komandantit, një plak i bukur, i gjatë si lis Kosove që i bie bora në dimër; kish qEnë në rininë e parë kaçak para se të dilte në mal kundër gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore.
Stepjen e theu komandanti:
- Babë, pashë zotin… Na len…
- Paj duheni edhe për sonte, por edhe për nesër, more cullët e mixhës. Duheni derisa të dliret Kosova.… Me gjue e me hikë, me gjue e me hikë. . .
- Babë!… Vinka pleqëria edhe me frikë…
Komandanti e pa të atin gjithë inat në vënd që t'i hidhej në fyt.
Baca Nuredini zbërtheu xhaketën dhe të gjithë panë kokën e kuqe të një bombeje të vjetër.
- Sonte nuk ju dahet mixha more djem. Jena bashkë sonte!
Tanimë asnjë sy i inatosur.
Jonida u ngrit ta përqafonte plakun, i cili sërish këmbënguli për "te përroi". Qatje! Vetëm qatje prita e bje e mshai m'ta shkjaut!
Luftëtarët vendosën variantin e "parashutistit". Varianti i "parashutistit" donte të thoshte për të gjithë - i njëjti fat që e pret parashutistin në luftë . Kur ai kërcen nga aeroplani, ai e ka të pamundur të kthehet prap atje ku u hodh dhe, e vetmja mënyrë që të shpëtojë është asgjësimi i kundërshtarit që e pret poshtë.
Virgjëria e luftës për Jonidën do të prishej ose me fitoren e betejës, ose me vdekjen e saj ( "Do ta ruaj për vete fishekun e fundit;unë nuk bie e gjallë në duart e militarëve sërbë. Do ta ruaj edhe një granatë;asaj i heqë fitilin me dhëmbë, dhe gjithëçka merr fund edhe po mu dridh dora t'ia shkrep vetes"- kështu u pat thënë Jonida Vjosës dhe Valbonës "atë" natë.
Veçse tërheqje nuk kishte. Ja fitore, ja vdekje.
- Me i mbushë do thasë me zall e me i vu gjithandej me u mbrojte. . . Edhe, hyxhym, me i thye të tana dritat e rrugës. . . Asnji cingare me ndezë!
Të gjithë i zbatuan si engjëj këshillat e kaçakut plak, i cili luftoi atë natë pranë Jonidës që desh i shpëtoi arma nga dora kur dëgjoi zhurmën e kamionëve si të ishte këngë djajsh që nga skëterra.
Kur serbët nisën të kundërpërgjigjeshin me zjarr, Jonida u mat të ngrihej e t'ia mbathte nga sytë - këmbët. Ishin çaste absolutisht instinktive, pothuajse të pakontrolluara nga ajo por, atë tam - tam të llahtarëshëm sekondash e kish prerë sokëllima "Prite, he thi, Azem Galicën!" dhe granata e gjirit e kaçakut të vjetër.
Sokëllima e zërit të bacës Nuredin, shpërthimi i granatës e sollën në vete vajzën e cila, fillpas, mori furi nga breshëritë e "golinovit" të saj.
VJOSA
Vjosa, ky kombinim i mahnitëshëm e vetëm kosovar i cipës e nazeve të vajzave të orientit me vështrimin çapkën, klasik evropian të Mona Lizës, ndenji në Kosovë, por në rrethana krejt të tjera të shoqes së saj.
Në fillim të shekullit 19 një gjeograf frëng shkruante se vajzat më të bukura që ai kish ndeshur banonin në Horasanin e Persisë dhe në Kosovën shqiptare. Sigurisht ai nuk duhej të kishte ndeshur fëtyrë e trup më të bukur se të Vjosës, historia e së cilës, në këta tri javë, ishte më e ngjeshur se ajo e shoqes së saj, dhe ne do ta përshkruajmë ashtu siç ka rrjedhur.
Pikërisht atë natë që Jonidën e sollën në vete krismat e "golinovit" të saj, atë natë atë e përdhunuan shtazërisht. Atë shenjtëri vajzërore të cilën e kishte ndryrë si peshtafin më të shtrenjtë në botë dhe në vëndin më të fshehtë nga gjithkush, me gjithë aq ngacmime e ngucje, ia rrëmbyen e ia shqyen ushtarët.
Në fshatin e gjyshes së saj.
Dhe ja se si ndodhi.
Kish nxituar te qënia që donte më shumë në botë - te gjyshja;të vinte edhe ajo në Shqipëri, siç po shkonin të gjithë. Babai dhe nëna e Vjosës ishin të bindur se vetëm ajo, bija e tyre ojna - ojna mund t'ia mbushte mendjen plakës ta linte shtëpinë.
Sapo kishte kërcyer nga vetura, Vjosa qe gjendur përball tymit që kishte mbuluar gati krejt shtëpinë e gjyshes. Pak më tej njerëz të vënë në rresht përball me gryka kallashësh. Ajo i njihte të gjithë fshatarët e vënë ashtu për ibret; kish qënë e përkëdhelura e fshatit sa herë që vinte për të ndenjur me gjyshen tre muajt e verës atëherë, ah, në ata vitet e fëmijërisë.
Oj loke?! Po gjyshja e saj. . . nëne moj . . . ku ishte?
Në fillim i kish pyetur me ata sytë e butë e të shtangur fshatarët e vënë në rresht se ku ishte gjyshja e saj. Pastaj u qe sulur ushtarëve me zë të lartë e që të këpuste shpirtin, amani, a kishin zemër ata, t'i tregonin se ku ishte gjyshja. Si kish ndjerë vetëm heshtje e llahtarshme të kobit, qe sulur nëpër tym. Tek hyrja në krye të shkallëve, ajo pa dy kova bosh ku shkruhej me shkronja cirilike "Benzinë".
Gjyshja ndodhej në dhomën e miqve dhe e veshur me rrobat që ujdiste në trup e vet vetëm në ditën e Bajramit të Madh. Rrinte e palëvizur mbi minder.
"Oj gjyshe, çka je kah pret ma?Hajde me mua! Hajde qetash!" Nisi ta puthte ku mundte plakën që rrinte palëvizur si një bust ndërsa tymi po hynte me shtëllunga në dhomë.
Plaka vështronte mbesën sikur ajo të ishte vetë meleku që kish ardhur ta merrte.
"Kam qitë cekën me dekë sot, oj lulja e lokes!"
"Gjysh, po unë kam ardhë sall prej Prishtinës, sall veç për ty. . . Kam ardhë me të marrë për me hikë në Shqipni. . . Uf, çka kam hekë me ardhë deri kët, lokja jeme!"
Në faqet e zbehta të gjyshes nisën të rrëshqisnin lotë si në një bust kur bie shi.
"Paj, çohu moj gjyshe. . . Paj, çohu pra!"
"IK, oj fllanza e gjyshes. . . Ik ti. . . Sa për mue. . . Unë kam hi nuse me duvak në këtë shtëpi kur kam kenë sall sa je ti sot. . . Njitu. . . bash në nji këtë dhomë, u kam qitë kafe burrave e njiktu kam qa xhenaze!"
"Paj, as për hatrin tem s'po vjen, oj gjyshe?. . . Paj, kur kam kenë e vogël, ti gjithmonë ma puthke faqen e më thojke "ty të pafsha nuse! ". . . "
Flakët shpërthyen në dhomë. . . Uf, sa nxehtë. . . Uf. . . Drurët e dritares po kërcisnin ashtu?
"Ik, oj nusja e lokes. . . Ik pa mue!"
Vajza e pushtoi gjyshen, ndërsa minderi mori flakë. Donte të vdiste me gjyshen e saj edhe ajo, e rrëmbyera dhe e bukura si lumi i Vjosës në Shqipëri.
"Vjosa e nanës! Duhet me hikë njitash, ndryshe, unë kam me të mallkue kur ka me m'lanë zemra."
"Aman, eja!"
"Kur të më vijë fryma e fundit, kam me të pa nuse përmbi kal e, bash njat herë ka me më dalë shpirti".
Flaka u afrua vetëm dy pëllëmbë nga fustani i gjyshes.
"Vjosa e nanës. . . Amanet. . . kur të lindësh fëmijën e parë, poqese asht vajzë, venia emnin tem. . ."
"Gjyshe. . . mos më len pa ty. . .!"
"Unë nuk kam tjetër çka me i dhanë Kosovës. . . Po ia nap qatë gja që më ka mbetë - shpirtin tem"!
Dhe e shtyu vajzën ndërsa një tra ra në mesin e dhomës.
Kur nga dhoma e pritjes e Krasniqëve u dëgjua prej të gjithëve në oborr një
"Oooohhh!!!", Vjosa u sul edhe një herë brënda drejt flakëve, por e mbërthyen dy ushtarë. Ajo i pështyu, i gërdhishti, i kafshoi, por ata e morën rrëshqanë dhe e çuan në komandaturën e tyre. Atje, në katin e dytë, e përdhunuan me radhë ndërsa gjyshja po jepte shpirt disa metro më tej.
* * *
Të nesërmen Vjosën e vranë me një breshëri prej shtatëmbëdhjetë plumbash; e vrau vetë naçalniku i komandaturës.
Në këta rrethana.
Në mëngjes, në dhomën e komandaturës që përdorej zakonisht si vënd paraburgimi e torturash, erdhën ushtarët. I thanë se, pas pak, do të vinte naçalniku. "Naçalnik epshelli. . . Naçalnik epshelli", i nxirrnin gjuhën duke u shkrirë së qeshuri vajzës së zhveshur nudo ata.
"Naçalnik epshelli. . . Naçalnik e do të rruar", thanë ata prap, ndërsa Vjosës i kish rënë të fikët. Të kruajturat e një brisku në vëndet e saja më të turpëshme, e sollën në vete.
"Hi - hi - hi - ki - ki - ki"
Të qeshurat e përbindshëve u dëgjuan tani pas dere dhe Vjosa arriti ta fshihte në pëllëmbën e djathtë briskun e flakur matanë.
Në derë u dha naçalniku;Vjosës nuk i lëvizi asnjë nerv ndërsa, në rrethana të tjera, asaj do t'i përqethur mishtë. Ishte Ai, Dragolubi, një rrugaç që i ishte vënë sa herë pas e që banonte në një fshat ngjitur me atë të gjyshes;ishte një fshat serbësh ku e flisnin shqipen fare mirë.
Edhe Dragolubi ishte i zhveshur nudo dhe, me seksin e eksituar dhe sytë e kërcyer e të skuqur, nuk i linte asgjë mangut djallit në mesnatë.
Vajza gjeti forca të kruspullohej. "A ke motër, bre?"
Djalli me gjoksin e leshtë iu lëshua përsipër duke i mërmëritur me zë të dridhur: "Vjosë, oj Vjosë! Ahhh!!! Tash ma ban edhe mue nji Dragolub të vogël. . . Qetash. . . Edhe qefë ban, edhe Dragolubin. . . Ahhh. . ."
Dhe, si ia përpiu me gojën e madhe të tërin gjirin e saj të majtë, aq të vogël, të ujtë, të vaktë dhe që s'e kish prekur dorë mashkulli kurr me përjashtim të natës së mëparëshme, nisi të shtyhej ngadalë, pa u ngutur, atje, në vendin ku e kishin çvirgjëruar ndërsa gjyshja e saj jepte grahmën e fundit.
Kur po penetronte duke mërmëritur tër epsh " Qepra, njiky asht serbi!". . .
Ushtarët që prisnin përjashta, dëgjuan një klithëm të tmerrshme e që të këpuste shpirtin dhe, fillpas, ata panë të dilte naçalniku i tyre me të dyja duart përmbi penisin e tij të mbytur në gjak.
Dragolubi, gjeti forca të mbushte kallashnikovin aty pranë ndërsa ushtarët shihnin organin e tij gati duke iu këputur dhe hyri sërish në dhomën ku dergjej Vjosa që ende e mbante briskun me dorë.
Në fishekun e shtatëmbëdhjetë të breshërisë përmbi trupin e pehrrisë kosovare, kapiteni Dragolub Vërlloviq, vjeç njëzetetetë, dha shpirt duke liruar gishtin nga këmbëza.
Megjithë ndërhyrjen kirurgjikale, ai vdiq pas dy ditësh, ndërsa e ëma me të shoqen nuk morën pjesë në varrim.
Të nesërmen, kufomën e Vjosës, të mbuluar vetëm me pllangat e gjakut të saj e të flakur jashtë oborrit të komandaturës, e gjeti një plak memec e gjysmë i marrë, që jetonte me të lypur e flinte nëpër shpella;i vetmi që kishte mbetur nga banorët e fshatit të braktisur.
Ai mori një kazmë e një lopatë në oborrin e një shtëpie diku afër dhe ia hapi gropën Vjosës pa i ngritur sytë lart qoftë edhe një herë. Pastaj mori një kovë me ujë dhe e lau pa u nxituar kufomën duke iu lutur Allahut me të tëra suret që dinte.
VALBONA
Ajo mundi të kalonte në Shqipëri;jo edhe pa peripeci, por, gjithsesi. . .
Arriti të vendosej në Tiranë. Arriti të shpallej madje edhe "Miss Shqipëria 1999" dhe të fitonte me këtë rast edhe 25000 dollarë kesh në dorë. Vetëm brënda tri javëve të saja.
Ja se cila qe aventura e Valbonës.
Kur kollona me kamionë, zetorë, vetura e karroca po i afrohej për disa kilometro "Qafës së Morinit" në Kukësin e shtetit shqiptar, befas, sikur u pushoi zëmra që të gjithëve, në të njëjtën të rrahur. Valbonës, nga frenimi i menjëhershëm, i erdhi për të vjellë dhe volli atje, në cepin e karrocerisë, te sponda fundore.
Ecjen e mëtejshme të karvanit me refugjatë e kishte penguar një njësi paramilitarësh.
- Ma len vajzën. . . A ke zot? Pash njatë zot që beson ti, pash njatë zot që asht nji, mos ma merr vajzën! . . . Të puthsha kamët, mos ma merr. . . Mos ia merr nanës vajzën se a zot. . . Aman. . . A ke motër, bre?Po shpirt, a ke, more, ty të shitoftë zana. . . Të shitoftë zanaaaaa. . . . Ma lësho vajzën, moreeee shkjau i qenit!!!
Ishte një zë gruaje në këtë natë që do të kishte rrënqethur edhe ujkun e uritur. . . Një krisëm automatiku fillpas. . . Një "pëlltumb" në tokë. . . Ofshama në prag të vdekjes. Njeriu i parë i kësaj autokollone po jepte shpirt pa e arritur "Mekën e shqiptarëve", siç i thonin ngado shtetit Amë.
Nata ishte pus;qielli dukej qe i përmbytur nga retë se nuk dukej qoftë edhe një yll i vetëm.
Nëna e Valbonës veshë edhe sot e kësaj dite shallvare apo barrnavekë - një lloj mode me origjinë nga orienti që ende e veshin gratë në Kosovë. Futur nën shallvaret e së ëmës ndodhej Valbona kur përmbi kamionin e tyre u kacavarën dy paramilitarë pa maska dhe me elektrikë dore. Flukset e dritave, si sy ulkonjash kontrolluan çdo fëtyrë në karrocerinë plot me pleq, fëmijë dhe nëna.
"Domethënë nuk paska asnjë njomcake, ë? Asnjë pulë të hutuar? Vetëm gërdalla plakë?"
Kur erdhi dita, autokollona me 1349 njerëz të numuruar nga patrulla e paramilitarëve, ende nuk po lëvizte, ndërsa Valbona vazhdonte nën barrnavekët e nënës, puq me mishin e saj, si atëherë kur e pat lindur, duke u dridhur si një dredhëz. Para se të jepej urdhëri për nisje, ndodhi një llahtar që ka për t'u treguar brez pas brezi, derisa të flitet gjuha shqipe.
Pra, gjithmonë.
Para syve të autokollonës, në krahun e majtë të saj, mu në mes, u ndal një kamion i boshatisur - njëmbëdhjetë a dymbëdhjetë metro më tej. Gjoja të mbuluara nga trupi i kamionit, në barin e lagur, u shtrinë përdhunshëm nëntë vajza të reja, të mbledhura nëpër autokollonë me ata llampat që mbanin dritën e zbehtë të xhehenemit, ndërsa e tër autokollona dëgjonte klithmat e tyre q të këpusnin shpirtin. Pastaj i ngjitën vajzat në karrocerinë që qe përpjekur të fshihte atë përgërë paramilitarësh, e cila dolli në krye të kollonës. Por skëterra nuk kishte të mbaruar ende.
Sapo u dha urdhëri për nisje, u anollua nga një tjetër paramilitar, që shokët e thërrisnin "Cërrni". Ai kërceu mbi një karroceri, dy para asaj të Valbonës që dridhej e dridhej tër kohës, dhe i mori të nipin tre vjeçar një plaku me qeleshe.
- Hidh këtu 20000 marka në dac të marrësh fëmijën prap!
Plaku arriti të nxirrte nga kuleta 6000 marka dhe ia dha. "Cërrni" pa i kërkuar para të tjera plakut, nxori menjëherë thikën nga milli dhe e preu fëmijën në fyt. Duke e mbajtur nga flokët kokën e prerë e duke e flakur trupin e ferishtes te karroceria e plakut, i tha atij:
- Gjashtë mijë marka bën vetëm koka!!!
Deri edhe disa nga paramilitarët serbë nisën të villnin kur "Cërni" filloi ta shëtiste kokën e prerë përgjatë autokollonës. . .
. . . Të ishte më e bukura nga të gjitha vajzat konkurruese Valbona?
Ekipi i jurisë ishte i tëri një ekip poetësh. E kush në Shqipëri e kishte shpirtin më të pikëlluar për Kosovën sesa shpirtrat poetë?
NJERËZ! EDHE NË ÇASTET E FRYMËMARRJES SUAJ MË TË MËNXYRËSHME SE SA ERA E KUFOMAVE TË PASHTËNA NË DHE, BËNI EDHE PËRPJEKJEN E FUNDIT FALNIUNI MAGJISË SË DIJES DHE MENDONI PËR MREKULLINË QË QUHET "JETË"; PËR KRYEATYREN E SAJ QË QUHET "DASHURI".
PASI MBAROI LUFTA TË TRI SHOQET U TAKUAN PRAPË
epilog
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, një ditë prej ditësh, të trija shoqet u takuan sërish.
Në këta rrethana.
VALBONA
Po e niste vetë kerrin e mrekullueshëm të dhuruar nga një shqiptaro - amerikan, i cili i pat kërkuar si shpërblim për dhuratën e tij vetëm një fotografi të bërë sëbashku. Ai do ta shumfishoonte atë që t'ua dhuronte klientëve të restorantit të tij me këtë diçiturë:"MISS SHQIPËRIA 1999, PAMJA E ARDHËSHME E KOSOVËS SË MASAKRUAR".
Në kerr po udhëtonin me Valbonën të gjithë njerëzit e saj më të dashur;të gjithë shëndosh e mirë;të gjithë drejt Prishtinës.
Befas, vajza nisi të pakësonte shpejtësinë. Fëtyre - terur. Po kalonin në rrugën e një fshati ku thuhej se, në një shkollë të mesme, në shkollën e vetme të fshatit, ushtria serbe kishte mbyllur 62 veta dhe u kishte vënë flakën.
Një regjisor gal shtangu dhe nxitoi të filmonte "një amazonë kosovare" të zbehtë dyll, që niste vetë makinën duke kafshuar buzën.
Papritur Valbona frenoi menjëherë. Sytë e saj të përmbytur në lotë të cilët, sikur kishin frikë të derdheshin poshtë, dalluan diku tej, një trup të derdhur me flokë të derdhur si ujra mbi shpinë.
Trupi ishte i veshur me uniformën e UÇK së dhe ishte lëshuar përmbi një topil të freskët dheu me krahët hapur, sikur donte ta fuste të tërin në gji.
Disa burra, si të ishin qiparisa qark një varri, veshur edhe ata me uniformen e UÇK-së, rrinin të heshtur anash vajzës luftëtare.
Vetëm telepatia kish mundur të bënte t'i rrihte zëmra aq fort që tutje MISS it shqiptar.
Valbona u hodh nga kerri dhe u derdh, edhe ajo, përmbi topilin e dheut, duke e puthur atë;herë atë, herë luftëtaren flokëderdhur që qante me të madhe.
JONIDA
Jonida qe bërë shoqe me gazetaren italiane Xhenina di Xhovanni. Vetullzezë e syzezë, me dy buzë si prej bugenvilesh që rriten ngado nëpër Mesdhe, italiania, befas qe ndodhur në brigadën kosovare të rrethuar nga të katër drejtimet prej forcave serbe të mbështetura në MIG ë.
" Mos i hiqni këpucët, mos u zhvishni fare. . . Do të flini në këtë çadër me ushtarë, nuk kam tjetër. . . Ju nuk keni se si të largoheni tani. . . Mbase sonte natën do të ketë sulm".
Kështu i tha Xheninës komandanti i brigadës, një burrë me mjekër të zezë, i cili, në fakt nuk kishte qënë i gabuar në pandehmën e tij.
Ishte ora dy pas mesit të natës. Rraketat e MIG ëve verbonin edhe dritën e plotë të hënës tek shpërthenin duke u përplasur përdhe me tërsëlimë.
Pas pak minutash, sapo ra tempi i MIG ëve, serbët hynë në territorin e kampingut. Oficerët e brigadës arritën të vendosnin menjëherë situatën kur sapo paniku nisi të shpërthente si ciban i ndyrë në mes të rekrutëve të rinj, shumica vetëm entuziastë nga qyteti që nuk kishin rënë kurrë në të këtilla kërcënime të jetës . Jonida duke shtënë me " Golinov " thërriste slloganin e vjetër të kosovarëve të rilindjes sonë kombëtare:"Prite, he thi, Azem Galicën! ".
Sokëllima e saj vajzërore solli në vete gjithë ata rekrutë që qenë shushatur, ashtu si edhe ajo vetë dikur në kontaktin e parë me zjarrin.
Gjithsesi, mysafirja gazetare, për më tepër vajzë e huaj, duhej të mbrohej me aq dinjitet, sa mbrohej edhe flamuri i brigadës, i cili mund të binte në duart e sulmuesve me një kusht - pasi të shfarosej edhe kosovari i fundit. Jonidën e urdhëruan të priste të plagosurit në pikën më të mbrojtur;t'i priste tok me Xheninën me buzët si bugenvilet e Mesdheut në Napoli, ku ajo kishte shtënë për herë të parë dashuri me detin. . . . Sollën një të plagosur që ishte pothuajse i vdekur;pulsi i pakët tregonte se pulsi po i fikej nga njëra sekondë në sekondën tjetër. Ishte fare i ri;në fëtyrë i dalloheshin puçrat e dashurisë . Jonidës i ra të fikët sapo thirri "shpirti i vetëm i dadës! ". Ishte i vëllai, vetëm dhjetë muaj më i madh nga ajo. . Luftëtari që ishte duke u fikur ishte i vëllai i Jonidës.
Xhenina di Xhovani, mbase edhe se prej vitesh e njihnin në tër botën si "gazetare e luftës", arriti ta mblidhte veten menjëherë. Me dy grushta ujë në fëtyrë, ajo solli në vet shoqen e saj. Pastaj u vu përmbi djaloshin me puçrat e dashurisë në fëtyrë. Kur Jonida arriti të bënte veprimet e njeriut të sapozgjuar nga gjumi, Xhenina kish derdhur tër ujin që i kishte mbetur mbi djaloshin dhe ia kishte lidhur plagën me sutjenat e veta që i kishte shqitur me forcë.
I plagosuri, si njohu të motrën, si i buzëqeshi asaj, mundi. . . popo. . . arriti të ngrinte dorën e ta shëtiste nëpër xhaketën e çapërlyer me copa - copa të përgjakura. . .
"Oh, ç'bukuri e mrekullueshme;vetëm shqiptare;vetëm kosovare" - do të shkruante më pas në reportazhin e saj gazetarja italiane që punonte për një gazetë angleze, duke sqaruar se luftëtari shqiptar, në pragun e vdekjes së tij, kishte kërkuar në xhepin e xhaketës gjënë më të shtrenjtë që kishte pasur - një cigare. Për t'ia dhuruar asaj, si një e huaj që po i ndihmonte shqiptarët në ditë të rëndë.
Atë agim ra edhe komandanti i brigadës, një luftëtar që kishte marrë pjesë më parë në luftë për çlirimin e popullit kroat. Pas tij, komanda e brigadës u mor nga e shoqja e cila, i urdhëroi në mënyrë kategorike të tërhiqeshin të gjithë kurse vetë, ajo, snajperja më e mirë nga të gjithë luftëtarët e UÇK së, vendosi të luftonte vetëm. Kur qenë tërhequr të gjithë dhe serbët e ende nuk kishin kurajon për të organizuar një mësymje tjetër, kosovarja nisi të shtinte në këmbë. Donte të vritej atë ditë, me të shoqin, të cilin e kishte shoqëruar në të gjitha betejat, që në Bosnjë.
Pas gjashtëmbëdhjetë ditëve, brigada sulmoi një kamp ku të gjithë të ndaluarit ishin gra dhe përdhunoheshin për ditë;ishte një kamp përdhunimesh. Që të dyja shoqet e pandara tanimë, luftëtarja dhe gazetarja, shoqëruan për në fshatin ku në të vërtetë ndodhej varri i Vjosës, një grua 22 vjeçare që quhej Lëndina.
"Serbët kanë në strategjinë e tyre përdhunimin e grave dhe vajzave kosovare, por jo vrasjen e tyre, në mënyrë që të godasin sa më rëndë mentalitetin mysliman të familjes kosovare dhe të ligështojnë meshkujt e tyre luftëtarë", do të shkruante për në Londër drejt nga Kosova Xhenina di Xhovani në një tjetër reportazh.
Dy herë Lëndina desh u shpëtoi duarve të shoqeve me qëllim për t'u vetëvrarë derisa e çuan tek i shoqi, një fshatar me shtatë klasë shkollë. Ai rrinte brënda në shtëpinë e tij të boshatisur krejt dhe, kur pa të shoqen që kishte aq kohë pa e parë të hynte kokulur, u verdh dyll.
"Unë e di se çfar i kanë bërë serbët kësaj në komandatutë. . . Më mirë ta kisha puthur të vdekur", tha ai ndërsa Lëndina qante me ngashërim e pa zë në fundin e dhomës pa guxuar t'i afrohej të shoqit, duke nxjerrë me gjysmë zëri të vetmen gënjeshtër në jetën e saj se "atje. . . veçse më kanë rrahë. . . kurrgja tjetër, të keqen dada. . . ". Një gënjeshtër që i dilte përmes lotëve të përvëluar.
"Oj Lëndinë! Ik, shko te baba! ! "
Gruaja humbi ndjenjat me një klithëm që do të kishte qetësuar edhe sulmin e një gjarpëri.
Xhenina nisi ta sillte në vete, ndërsa Jonida i tha fshatarit që kishte qënë në burg si bartës municionesh për UÇK në:
"Ti je burr që ke durue burgun në Kosovë, por nuk po diftohesh burr ma. A të ka mbetë ndonjë pikë burrnie, bre? Paj, a e din kanunin e maleve qi thotë si nuk ka ma qartë se ca duhet me ba kur ka nji rast si ky i joti, bre trim? Që të dy, gruaja e përdhunueme me forcë e dhe burri i saj i koritun, hakmerren të dy bashkë. Hakmarrja lahet vetëm me gjak. Përdhunuesit e popullit kosovar kanë kenë pushtuesit e Kosovës, e na, qe pra, Kosovën e dlirme!!!"
Kur Lëndina erdhi në vete, ndjeu kokën e të shoqit mbi gjoksin e saj dhe i mbylli sytë sërish për t'u ndjerë më mirë, por kosovari iu drejtua të dy vajzave të reja duke parë nga dritarja:
"A po e shifni q'atë topilin me dhe?Atje asht vorri i nji vajzës që ka mbytë me brisk rroje nji komandant shkiesh. Rahmet pastë, quhej Vjosa, vajza ma e bukur qi kanë pa njikta dy sytë e mi e të Lëndinës. . . Ka dekë me shtatëmbëdhjetë plumba kallashi në shtat. . ."
MBYLLJA
Kështu, atë ditë, u takuan sërish të tri shoqet prishtinase. Njëra me rrobat e luftëtares e me shtëpi të rrënuar, le ta quajmë, të varfër, pra, për më tepër me të dy prindërit të vrarë, por me të vëllain shëndosh si molla.
Tjetra me kurorën e MISS ALBANIA, me xhepat me dollarët e fituar brënda një koncerti, me kerrin e mrekullueshëm, me prindërit gjallë dhe shtëpinë në Prishtinë të paprekur.
Tjetra - poshtë topilit me dhe.
Heshtjen e theu zëri i MISS it.
- Unë, me dollarët e MISS-it kam me të ba nji vorr të madhe e kam me ta çue atje nji bust prej argjenti, oj motra ime qi re për Kosovë. Besoj se dalin, apo jo? - iu kthye luftëtares, duke shtuar në drejtim të saj:
- Kurse kerrin, merre ti, Jonida, se unë nuk i hypi e gjallë ma atij. . . Ti je ma e bukur se unë, por bukurinë tande ta pa e tanë bota;të tanë bota e ka pa bukurinë e plumbave të tu për liri!
- A e di se çka kam gjanë ma të shtrenjtë në këtë botë?Kam rrobat e mia të luftës, armët e mia e qindisinat e mia qi i kam mbarue kur të tjerët flejshin. . . Njita kam, oj Vjosa ime, e njita kam me t'i shti ty në dhe -i foli luftëtarja varrit nën trupin e saj.
Xhenina di Xhovani, ndërkohë, çau kordonin e burrave që i kishin rrethuar të tri shoqet, dhe u lëshua, edhe ajo, mbi topilin e dheut duke klithur "Mama mia" e duke qarë për herën e parë pas kaq kohësh në Kosovë.
12 korrik 1999 - 1 gusht 2001