Vullnet Mato
POETESHAT E REJAVajzat e reja që provojnë
të bëhen poetesha,
i thërret në çdo kohë
magjia ëndrrës së bukur.
Si fluturat që përhapen
vargjeve në vreshta,
të vjelin nëpër vjersha
ëmbëlsinë e puthur.
Dhe të heshtura
ato marrin stilolapsin,
të hedhin në letër ndjenja
dhe peizazhe me erë.
Me petale lulesh,
me re të bardha të marsit,
thurin petkun e poezisë
që kundërmon pranverë.
Dashurinë e kurorëzojnë
mbretëreshë trëndafilash,
me ngjyrime melankolike
në muzgje të portokalltë,
nëpër hapësira fantazie
me cicërime bilbilash,
me fluturime pëllumbash
në mëngjese të artë.
Kur pabesia e tradhtive,
i ka lënduar në shpirt,
zbrazin në vjersha
mushtin e fermentuar të djemve,
me lot pendimi që u dhanë
pas tyre sinqerisht,
si mimozat që çelin hidhërim
në degët e pemëve.
Pasi nuk besuan
se gonxhet e luleve të para,
i than shkurti mashtrues
që lakmon çdo bukuri,
ato pranverën e vërtetë
kërkojnë në zemra të bardha,
për të gjetur te njeriu,
poezinë e vyrtyteve të tij.
Kësisoj me metafora
të fuqishme në vargje,
rritin personalitetin
në sferën poetike.
Dhe kur gatuajnë brumin
e librave të parë në magje,
gëzimi u ngjitet në lartësi
fluturimesh eterike.